ATV

Author: K.B.

  • Aksidentohen tri vetura në Gllarevë, Policia jep detaje

    Aksidentohen tri vetura në Gllarevë, Policia jep detaje

    Një aksident trafiku mes tri veturave ka ndodhur sot në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht në fshatin Gllarevë.

    Lajmi është bërë i ditur edhe nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili njoftoi se nuk ka persona të lënduar.

    “Tri vetura janë të përfshira në këtë aksident, të lënduar nuk ka, por vetëm dëme materiale”, tha Gashi.

  • Rritet kostoja e ndërtimit, 3.6% më e lartë se një vit më parë

    Rritet kostoja e ndërtimit, 3.6% më e lartë se një vit më parë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e tretë (TM3) 2025.

    Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për 0,5 % në TM3 2025, krahasuar me TM2 2025.

    Ndërkaq, krahasuar TM3 2025 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM3 2024, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 3,6 %.

    Tremujori i tretë 2025 – Tremujori i dytë 2025, ( 0,5 %)

    Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje për ( 0,5 %) në tremujorin e tretë (TM-3) 2025 krahasuar me tremujorin e dytë (TM-2) 2025.

    “Rritje kishte energjia (3,9 %), pagat (2,3 %), kostot tjera (1,0 %), materialet (0,1 %) ndërsa, Zbritje kishte te makineritë (-0,7 %)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

    Tremujori i dytë 2025 – Tremujori dytë 2024, ( 3,6 %)

    Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë (IKN) pati rritje (3,6 %) në tremujorin e tretë (TM-3) 2025 krahasuar me tremujorin e tretë (TM-3) 2024.

    “Rritje më të madhe kishte energjia (9,7 %), pagat (7,8 %), kostot tjera (4,5 %), transporti(3,4 %), materialet (2,9%) ndërsa, zbritje kishte te makineritë (-0,4%)”, thuhet tutje.

  • Europa në alarm nga gripi i shpendëve, shtohen rastet, rritet rreziku për infektimin e njerëzve

    Europa në alarm nga gripi i shpendëve, shtohen rastet, rritet rreziku për infektimin e njerëzve

    Evropa po përjeton një nga valët më të rënda të gripit të shpendëve në gati një dekadë, sipas raportit të fundit të Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore (EFSA).

    Midis 6 shtatorit dhe 14 nëntorit 2025, janë regjistruar 1,443 raste të virusit shumë patogjen HPAI A(H5) te shpendët e egër në 26 vende evropiane – një rritje katërfish krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe shifra më e lartë që prej vitit 2016.

    Shpendët e ujit rezultojnë të jenë më të prekurit në këtë valë të re shpërthimesh, me virusin që është identifikuar madje edhe te zogj që dukeshin plotësisht të shëndetshëm. Sipas ekspertëve, ky fakt tregon një kontaminim të gjerë të mjedisit dhe një qarkullim shumë më të fortë të virusit sesa pritej.

    Gjermania, Franca dhe Spanja kanë raportuar shpërthime të konsiderueshme, duke ngritur shqetësime për ndikime të mundshme afatgjata në popullatat e tyre.

    Rritja e përhapjes së virusit te shpendët e egër rrit rrezikun e transmetimit të tij në tufat e shpendëve të rritur në fermë, si dhe mundësinë e shfaqjes së mutacioneve të reja. Edhe pse rreziku për njerëzit konsiderohet ende i ulët, autoritetet veterinare dhe ato të sigurisë ushqimore në të gjithë kontinentin po rrisin vëzhgimin epidemiologjik dhe masat e bio-sigurisë.

  • KQZ certifikon rezultatet e balotazhit për kryetarët e 18 komunave

    KQZ certifikon rezultatet e balotazhit për kryetarët e 18 komunave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës dhe mori vendim për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetarë të 18 komunave, të cilat janë mbajtur më 9 nëntor.

    Rezultatet u certifikuan për këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klina, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Deri më tani, përveç certifikimit të rezultateve nga raundi i dytë, javë më herë KQZ ka certifikuar rezultatet e 20 komunave tjera, ku fituesit janë zgjedhur në raundin e parë.

    Ndërkaq, nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, KQZ ka certikuar rezultatet për 27 asamble, më përjashtim të Kuvendit Komunal në komunën e Istogut ku ende është aktive një ankesë.

  • Kurti uron “Ditën e Forcës”: Investime rekord në armatim, ushtria po pajiset me teknologji moderne

    Kurti uron “Ditën e Forcës”: Investime rekord në armatim, ushtria po pajiset me teknologji moderne

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar “Ditën e Forcës”, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për popullin e Kosovës dhe rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë për brezat e rinj.

    Ai foli edhe për investimet e mëdha të bëra në modernizimin e ushtrisë dhe pajisjet e reja që, sipas tij, po e transformojnë FSK-në në një forcë të denjë për standardet e NATO-s.

    Kurti kujtoi sakrificën e dëshmorëve të kombit, me theks të veçantë ndaj komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, duke thënë se falë tyre sot Kosova ka ushtrinë që e mbron popullin e vet.

    “Është një ditë e gëzuar për të gjithë ne, sepse me Forcën e Sigurisë së Kosovës, të pajisur gjithnjë e më mirë, brezat e rinj do të rriten më të sigurt për të jetuar në paqe, për t’u zhvilluar dhe për të lulëzuar. Sakrifica e dëshmorëve, mbi të gjitha e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, si dhe kontributi i veteranëve e invalidëve të UÇK-së, qëndron në themel të çdo të arriture. Ndërsa sot shohim fëmijët që vijnë ta shohin ushtrinë e tyre, gjë që u ngroh zemrat dhe u jep shpresë për të ardhmen”, tha Kurti.

    Ai theksoi se FSK ka kaluar nga mungesa e pajisjeve në një periudhë investimesh të mëdha dhe modernizimi të armatimit.

    Kryeministri në detyrë falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme.

    “Duhet veçuar sigurimi i sistemit antitank ‘Javelin’ nga SHBA-të dhe procesi i marrjes së helikopterëve ‘Black Hawk’. Kjo është arsyeja pse i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n dhe posaçërisht Shtetet e Bashkuara, që na mbështesin në pajisje, armatim, municion dhe trajnime. Trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar dhe buxheti për mbrojtje është trefishuar. Ky është obligimi ynë ndaj mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, përfundoi Kurti.

  • Reagon FBI: Dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të qëlluar në Uashington, nuk kanë vdekur

    Reagon FBI: Dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të qëlluar në Uashington, nuk kanë vdekur

    Drejtori i FBI-së, Kash Patel dhe kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, thanë se dy anëtarët e Gardës Kombëtare, që u qëlluan në Uashington më herët gjatë ditës, janë në gjendje kritike, por jo të vdekur, siç kishte deklaruar fillimisht guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey.

    “Dy anëtarët e Gardës Kombëtare u qëlluan pranë stacionit të metrosë Farragut West, jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, rreth orës 14:15 (19:15 GMT)”, thanë autoritetet në një konferencë për shtyp rreth dy orë e gjysmë pas incidentit. Ju lutemi dërgoni lutjet tuaja për ata luftëtarë të guximshëm që janë në gjendje kritike dhe familjet e tyre”, tha Patel në një konferencë për shtyp të mërkurën pasdite”.

    Bowser tha se ajo gjithashtu po dërgonte “mendimet dhe lutjet e saj për familjet e rojave dhe për rojat që janë në gjendje kritike në një spital lokal”.

    Ndihmësshefi ekzekutiv i Departamentit të Policisë Metropolitane, Jeffery Carroll, tha se “anëtarët e Gardës Kombëtare të Uashingtonit ishin në një patrullë me dukshmëri të lartë… kur një i dyshuar erdhi nga një cep dhe me një armë zjarri qëlloi drejt tyre”.

  • Shqiptari i kërkuar për vrasje në Itali kapet në Kakavijë

    Shqiptari i kërkuar për vrasje në Itali kapet në Kakavijë

    Një shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht u arrestua nga policia greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në një operacion të oficerëve të policisë të Departamentit të Kontrollit të Pasaportave në bashkëpunim me Nëndrejtorinë e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Janinës.

    Gjatë kontrollit policor, u zbulua se 54-vjeçari shqiptar kishte një urdhër arresti evropian të lëshuar nga autoritetet italiane.

    Urdhri kishte të bënte me vepra të rënda penale, duke përfshirë vrasje dhe lëndime të rënda trupore.

    I arrestuari u shoqërua në prokurorinë kompetente, me qëllim fillimin e procedurave për ekstradimin e tij.

  • Eman Rrahmani pas koalicionit me PDK’në: Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan

    Eman Rrahmani pas koalicionit me PDK’në: Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan

    Eman Rrahmani nga Lista për Familjen, pas koalicionit të djeshëm me Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz me integritet, dije dhe urtësi në përfaqësim dhe njerëz që e vendosin interesin e qytetarëve mbi gjithçka.

    Ai ka thënë edhe se, ata do të garojnë brenda listës së PDK’së pas ftesës së kryetarit të PDK-së dhe kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, duke shtuar se vendit i duhet një një kryeministër që bashkon e jo që përçan dhe një qeveri që i hap vendit horizonte të reja ekonomike.

    Postimi:

    Të nderuar qytetarë,

    Vazhdojmë angazhimin tonë politik me përkushtim të plotë, në shërbim të çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Sot vendi ynë ka më shumë se kurrë nevojë për njerëz me integritet, dije dhe urtësi në përfaqësim, njerëz që e vendosin interesin e qytetarëve mbi gjithçka.

    Në këto zgjedhje, ne do të garojmë si koalicion brenda listës së Partisë Demokratike të Kosovës, pas ftesës së kryetarit të PDK-së dhe kandidatit për kryeministër, z. Bedri Hamza, me të cilin kemi nisur këtë rrugëtim të përbashkët.

    Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan, një qeveri që i hap vendit horizonte të reja ekonomike, një qeveri që mbron familjen, vlerat konservatore dhe stabilitetin shoqëror, një lidership që e rikthen seriozitetin dhe besueshmërinë e shtetit tonë, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

    Familja është themeli i shoqërisë sonë. Ajo është vendi ku lindin dashuria, përgjegjësia dhe edukata qytetare. Ne do të angazhohemi për politika që e mbështesin familjen, që i japin dinjitet emrit nënë e babë, siguri ekonomike prindërve dhe perspektivë të rinjve tanë.

    Të forcojmë familjen do të thotë të forcojmë kombin.

  • Papa arrin në Stamboll, bllokohet komunikacioni

    Papa arrin në Stamboll, bllokohet komunikacioni

    Papa Leoni ka nisur udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar si udhëheqës i Kishës Katolike, një turne gjashtëditor në Turqi dhe Liban.

    Arritja e Papës në Stamboll ka shkaktuar kaos total në trafik.

    Gjatë vizitës, e cila do të zhvillohet nga 27 deri më 30 nëntor shumë rrugë të qytetit do të mbyllën për orë të caktuara për shkak të sigurisë.

    Kjo ka bërë që mëngjesi të nis në Stamboll me një trafik të dendur dhe me kolona masive.

  • Franca planifikon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Franca planifikon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Tri dekada pas heqjes, Franca planifikon të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Këtë fakt do ta bëjë publik presidenti Emmanuel Macron në vizitën që do të bëjë pranë Brigadës së 27-të të Këmbësorisë Malore në Alpet Franceze. Sipas raporteve të medias franceze, është planifikuar një shërbim ushtarak vullnetar dhjetëmujor për 18-vjeçarët. Ushtria franceze synon të rekrutojë 3,000 të rinj, burra dhe gra, në vitin e parë. Objektivi për vitin pasardhës është 10,000, me qëllim arritjen e 50,000 rekrutëve të secilës grupmoshë çdo vit deri në vitin 2035.

    Qëllimi është të forcohet “pakti midis ushtrisë dhe kombit”, siç shpjegoi Macron në një intervistë radiofonike me transmetuesin privat RTL të martën. Duke pasur parasysh kërcënimin nga Rusia dhe “konfrontimin e saj strategjik”, i cili deri më tani ka marrë një “formë hibride”, Franca duhet të demonstrojë forcë. Rusia po përpiqet të destabilizojë Evropën dhe të dobësojë demokracitë e saj, tha Macron. Ai përmendi si shembuj migrantët që Moska kishte dërguar në kufirin e jashtëm evropian nëpërmjet Bjellorusisë, si dhe shkeljet e shumta të hapësirës ajrore evropiane.

    Për më tepër, Rusia kryen sulme të përditshme informative dhe kibernetike kundër vendeve të BE-së, përfshirë Francën. “Nëse ne francezët duam të mbrojmë veten, nuk mund të tregojmë dobësi përballë fuqisë që na kërcënon më shumë”, tha Macron.

    Ndryshe nga Gjermania, në Francë nuk pati muaj debatesh parlamentare për këtë çështje. Si kreu i forcave të armatosura, presidenti mund të vendosë vetë për rikthimin e shërbimit ushtarak, veçanërisht shërbimit vullnetar. Por një javë para njoftimit zyrtar për rivendosjen e rekrutimit ushtarak, Shefi i Shtabit të Macronit, Gjenerali Fabien Mandon, kishte marrë iniciativën. Me deklaratën e tij se Franca nuk duhet të “luhatet” dhe duhet të përgatitet mendërisht për të “humbur fëmijët e saj”, siç e tha në fjalimin e tij para Kongresit të Kryetarëve të Bashkive Franceze, Mandon tronditi shumë francezë.

    Njoftimi i Macron nuk është surprizë. Në pritjen e Vitit të Ri të ushtrisë në fillim të këtij viti, ai kishte folur tashmë për nevojën për t’u ofruar të rinjve mundësi për të kontribuar, duke pasur parasysh peizazhin aktual të kërcënimit. Ai njoftoi se do t’i kërkonte propozime ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Njëkohësisht, instituti kërkimor i Akademisë Ushtarake Franceze (IRSEM) porositi një studim. Sipas studimit, 62 përqind e të rinjve francezë janë të gatshëm të shërbejnë për të mbrojtur Francën. Dyzet e tetë përqind madje do të sakrifikonin jetën e tyre.