ATV

Author: K.B.

  • “Made in Kosova”, Kurti: Ndërtimi i fabrikës së municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm

    “Made in Kosova”, Kurti: Ndërtimi i fabrikës së municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se fabrika e municioneve do të përfundojë vitin e ardhshëm.

    Këtë deklaratë, ai e bëri para kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, ku theksoi se me vendimin e sotëm për shpronësimin e pronave të paluajtshme për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakocës, do të hapet rruga për ndërtimin e fabrikës së municioneve.

    Kurti tha se ky miratimi i këtij vendimi do të bëhet në mbledhjen e sotme, pikërisht në Ditën e Forcës.

    “Është kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme, shoqërore të KBI Ereniku për ndërtimin e zonës industriale të mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës. Me miratimin e saj, hapim rrugë në terren ndërtimit të fabrikës së municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, do ta rris sigurinë tonë dhe do t’i ngris edhe më tej kapacitetet tona mbrojtëse. Këtë vendim edhe më veçantë e bën fakti që po e miratojmë pikërisht në Ditën e Forcës”, deklaroi Kurti.

    Ndërtimi i kësaj fabrike, Kurti theksoi se do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

    “Ndërtimi i kësaj fabrike për të cilën tashmë kemi kontratë të nënshkruar me prodhuesin turk MKE do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fundin e vitit 2026. Përveç fabrikës së municionit, kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojnë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronët ushtarak dhe civil ‘Made in Kosova’.

    Kurti tha se gjatë këtij mandati kanë katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ushtria është pajisur me sisteme të reja dhe moderne të armatimit nga shtete anëtare të NATO-s.

    Tutje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se në mandatin e tij të radhës do të investohen 1 miliard euro në mbrojtje.

    “Mbi 430 milionë euro blerje të armatimit në mandatin e parë janë shënuar. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje. Duke rritur ushtrinë e sigurojmë republikën, duke rritur FSK-në e forcojmë partneritetin me aleatët, urime të gjithëve Dita e Forcës”, përfundoi Kurti.

  • Profesori i UP-së, Gëzim Qerimi i bashkohet PDK-së

    Profesori i UP-së, Gëzim Qerimi i bashkohet PDK-së

    Profesori i asociuar i Universitetit të Prishtinës, Gëzim Qerimi i është bashkuar PDK’së.

    Lajmin e ka dhënë i pari i kësaj partie, Bedri Hamza.

    Hamza në një postim në Facebook, tha se Qerimi përveç përvojës profesionale është autor i shumë punimeve shkencore në revista ndërkombëtare dhe më herët ka qenë edhe lider studentor.

    “Në ekipin tonë e mirëpritëm Dr. Gëzim Qerimin, profesor i asociuar në Universitetin e Prishtinës. Ai ka mbi 17 vjet përvojë në mësimdhënie universitare dhe 13 vjet angazhim në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes…”, ka shkruar ai.

  • Koloneli i FSK-së në pension i bashkohet AAK, do të jetë kandidat për deputet

    Koloneli i FSK-së në pension i bashkohet AAK, do të jetë kandidat për deputet

    Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka njoftuar se AAK-së i është bashkuar Kolonel Avdi Raci, dhe njëherësh do të jetë kandidat për deputet nga kjo parti.

    “Avdiu, si oficer me përvojë të jashtëzakonshme që shërbeu në Ushtrinë e Kosovës si udhëheqës i shumë dikastereve, do të jetë një përfaqësues i denjë i popullit dhe i vlerave universale të kombit tonë”, tha Haradinaj.

    Ai ishte ndër themeluesit e UÇK-së dhe po ashtu ishte pothuajse në çdo betejë që kaloi kombi ynë në luftën e fundit. “Avdiu, bashkë me vëllezërit e tij, ishin krah i fortë i shumë heronjve dhe luftëtarëve në beteja”, shtoi Haradinaj.

    Rrugëtimi i ri i tij është një sfidë e re për t’i kontribuar vendit dhe popullit tonë. “I urojmë suksese, Gjeneral Avdi Raci!”, përfundoi Daut Haradinaj.

  • Festat e nëntorit, shqiptarët e Kosovës zgjedhin Durrësin

    Festat e nëntorit, shqiptarët e Kosovës zgjedhin Durrësin

    Si çdo vit, Durrësi vazhdon të mbetet ndër destinacionet më të preferuara për të kaluar festat e nëntorit.

    Numri më i madh i rezervimeve bëhet nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa të tilla ka edhe nga bashkatdhetarët e diasporës, që zgjedhin qytetin bregdetar për të festuar.

    “Durrësi ka qenë gjithmonë epiqendra e festave të nëntorit, pasi është dhe i preferuar nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e festojnë këtë festë me shumë krenari, dhe e gjithë Kosova zbarkon në Durrës në këto festa”, u shpreh Blerim Norja, operator turistik.

    Për të krijuar një atmosferë sa më festive, hotelet dhe strukturat akomoduese kanë përgatitur aktivitete të ndryshme, duke e bërë qëndrimin e vizitorëve më të këndshëm.

    “Të gjitha hotelet kanë organizuar evente të ndryshme me muzikë tradicionale, me ushqime tradicionale… Pra, është një festë e përvitshme që nga viti në vit vjen duke u shtuar numri i turistëve”, tha Norja.

    Edhe këtë vit, për festat e Nëntorit, institucionet vendore kanë veshur qytetin kuqezi, ndërsa janë planifikuar një sërë aktivitetesh kulturore artistike

  • Pas dekorimit nga presidentja, Adelina Ismaili: Këtë medalje të meritave ia kushtoj nënës sime

    Pas dekorimit nga presidentja, Adelina Ismaili: Këtë medalje të meritave ia kushtoj nënës sime

    Këngëtarja e madhe shqiptare, Adelina Ismaili, ka shënuar të mërkurën një nga momentet më të veçanta të karrierës së saj, duke mbajtur një koncert recital për 40 vjetorin e karrierës artistike.

    Ngjarja u zhvillua në mbrëmje dhe përmbante një repertor të pasur me hitet e saj më të njohura, duke sjellë emocion për fansat e saj që e kanë ndjekur ndër dekada.

    Para nisjes së koncertit, Adelina u dekorua nga Presidentja e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, një njohje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Ky moment i veçantë u prit me emocion nga publiku dhe ishte një përkujtim i merituar për ndikimin e saj në skenën muzikore shqiptare.

    Pas ceremonisë, Adelina ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një fotografi të medaljes, duke i kushtuar këtë nder të madh nënës së saj të ndjerë, Monës, e cila ka qenë gjithashtu menaxhere e saj gjatë karrierës.

    Në postimin e saj në Facebook, këngëtarja shkroi:”Këtë Medalje të Meritave për art dhe kulturë, ia kushtoj nënës sime – asaj që më lindi, rriti dhe formësoi si artiste. Më mungove shumë mam. Uroj të jesh krenare mes engjëjve. Nga thellësia e shpirtit falenderoj Presidenten time, Presidentën e zemrave tona për këtë nder jetësor”.

  • Qeveria ndan 250 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës, mbi 1 milion në rast kualifikimi në Botëror

    Qeveria ndan 250 mijë euro për Kombëtaren e Kosovës, mbi 1 milion në rast kualifikimi në Botëror

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë, ka njoftuar se qeveria sot ka ndarë 250 mijë euro shpërblim pasi që Kosova ka arritur në fazën e Play Off’it për kualifikimit në Kupën e Botës 2026.

    Kurti është zotuar edhe se, do t’i ndahen 500 mijë euro do të ndahen 500 mijë euro në rast të fitores së Kosovës ndaj Sllovakisë, ndërsa 1 milion nëse Kosova kualifikohet në Botëror.

    ‘‘Një lajm të mirë e kemi për përfaqësuesen tonë në futboll, për djemtë me të cilët jemi krenarë në çdo ndeshje. Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimieve në kupën e botës 2026, kalimin në fazën e play off, me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim.

    Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tona për ta. Së pari në rast të fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove. Dhe së dyti, në rast të kualifikimit në Kupën e Botës zotohemi edhe për 1 milion euro shpërblim. Përpara Kosovë, gjithmonë me ty’’, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes.

  • Kurti: Po i ndajmë mjetet për RTK-në nga kursimet

    Kurti: Po i ndajmë mjetet për RTK-në nga kursimet

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se do të ndahen mjete për Radio Televizionin e Kosovës nga kategoria e kursimeve, si zgjidhje e përkohshme për pagat e punonjësve të këtij institucioni.

    Në mbledhjen e qeverisë, Kurti ka shpjeguar se që nga muaji gusht ishte marrë një zgjidhje e përkohshme përmes overdraftit për RTK, me shpresën që pas konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të komisioneve parlamentare të arrihej një zgjidhje permanente me përfshirjen e të gjitha partive politike.

    “Ne nuk i kishim votat e mjaftueshme, pasi partitë tjera refuzuan kategorikisht pagat për RTK. Siç edhe e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati këtë të hënë në konferencë, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë,” tha Kurti.

    Ai theksoi se ndarja e sotme e mjeteve nga kursimet është një zgjidhje e përkohshme, një improvizim i detyruar, pas përpjekjeve të vazhdueshme në Kuvend për miratimin e buxhetit për RTK-në.

  • Policia publikon foton e një gruaje, e dyshuara kërkohet për veprën “Lëndim i lehtë trupor”

    Policia publikon foton e një gruaje, e dyshuara kërkohet për veprën “Lëndim i lehtë trupor”

    Policia e Kosovës, ka publikuar foton e një gruaja duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për identifikimin e saj.

    E njëjta, bën të ditur policia, kërkohet për përfshirje në veprën penale ‘’lëndim i lehtë trupor’’.

    Postimi:

    Kërkesë për bashkëpunim – identifikim i personit të dyshuar

    Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.

    E dyshuara kërkohet për përfshirje në veprën “Lëndim i lehtë trupor”.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected].

  • Policia italiane zbulon rrjet të madh trafiku droge, e drejtuar nga grupe shqiptare

    Policia italiane zbulon rrjet të madh trafiku droge, e drejtuar nga grupe shqiptare

    Policia Financiare e Brescias ka zbuluar një rrjet të madh trafiku droge që vepronte në provincë. Si rezultat i hetimeve, gjyqtari hetues ka firmosur dy urdhër-arreste dhe gjithsej 24 masa paraprake, mes të cilave nëntë arrestime në zonën e Brescias. Rrjeti kishte baza kryesore në zonat Rovato dhe Palazzolo.

    Sipas hetimit, trafiku ndërkombëtar i drogës drejtohej nga klane shqiptare. Autoritetet sekuestruan edhe një shumë të madhe parash. Droga hynte në Itali nga dy drejtime kryesore: kokaina vinte nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina nga Shqipëria.

    Hetimi zbuloi gjithashtu se disa shoferë autobusësh transportonin drogën pa qenë në dijeni, ndërsa disa shoferë kamionësh ishin të përfshirë me vetëdije.

  • Aktakuzë për krime lufte ndaj personit që vrau dhe dogji 5 familjarë në Istog

    Aktakuzë për krime lufte ndaj personit që vrau dhe dogji 5 familjarë në Istog

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj T.P., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri T.P., gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Cerrcë dhe fshatrat përreth në komunën e Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka kryer vrasje, plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë të civilëve shqiptarë.

    Në prill të vitit 1999, T.P. akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje.

    Viktimat K.R., Z.R, R.R., I. R dhe Sh.R., nën kërcënimin e armëve, janë detyruar të lënë shtëpinë e tyre dhe janë vendosur në një shtëpi tjetër, në të cilën më pas ishin vrarë.

    Sipas aktakuzës, shtëpia bashkë me trupat e viktimave është djegur.

    Gjithashtu, i pandehuri T.P., së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, akuzohet se ka vjedhur pasuri të luajtshme dhe më pas ka djegur shtëpitë në fshatrat e kësaj komune.