ATV

Author: K.B.

  • Seanca në kuvendin e Prishtinës, edhe PDK do të votojë për bartjen e mjeteve

    Seanca në kuvendin e Prishtinës, edhe PDK do të votojë për bartjen e mjeteve

    Asamblisti i PDK’së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se asamblistët e kësaj partie do të votojnë për bartjen e mjeteve të vitit të kaluar në vitin 2025.

    “Grupi i asamblistëve të PDK’së për mandatin 2021-2025 mbetet i vendosur të kontribuojë me seriozitet për tejkalimin e kësaj gjednje në këtë mbledhje të jashtëzakonshme. Bartja buxhetore e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025 mund të paraqesë zgjidhje të përkohshme, por është e domosdoshme të dihet nëse kjo bartje shërben si mundësi për ti rikthyer shërbimet esenciale në kryeqytet, siç është transporti publik, shujtat e fëmijëve në shkolla, të paguajë borxhin për mbeturinat dhe të sigurojë pagat për punëtorët e ndërmarrjeve publike. Për këto dhe për kode tjera që janë në dobi të qytetarëve, PDK do të votojë në këtë seancë”, tha ai.

  • Ashpërsohen rregullat e sigurisë së veturave në vitin 2026

    Ashpërsohen rregullat e sigurisë së veturave në vitin 2026

    Euro NCAP do të ashpërsojë ndjeshëm kërkesat për sigurinë e veturave në vitin 2026.

    Veturat e reja do të kenë më vështirë të arrijnë notën maksimale 5 yjesh. Testimet e reja fokusohen te katër fusha kryesore: vozitja e sigurt, shmangia e aksidenteve, mbrojtja gjatë aksidenteve dhe siguria pas aksidenteve.

    Sistemet e ndihmës për shoferin duhet të funksionojnë natyrshëm dhe jo të ngarkojnë shoferin me paralajmërime të vazhdueshme.

    Testimet përfshijnë shmangien e përplasjes me këmbësorë, biçikletë dhe motoçikleta, si dhe reagime të sakta në qendrat urbane.

    Siguria pas aksidenteve është veçanërisht e rëndësishme për veturat elektrike, ku duhen funksionale dyert, izolim i baterisë dhe njoftime për shërbimet emergjente.

    Kabinat plotësisht digjitale pa butona kyç funksional do të penalizohen. Kjo rrit sigurinë rrugore, edhe pse do të jetë më e vështirë të fitohet 5 yje.

  • Shoqata “Bereqeti” në Prizren ndihmon 45 familje me pajisje shtëpiake në prag të 28 Nëntorit

    Shoqata “Bereqeti” në Prizren ndihmon 45 familje me pajisje shtëpiake në prag të 28 Nëntorit

    Shoqata humanitare “Bereqeti” në Prizren ka zhvilluar sot një aktivitet solidarizues me rastin e festave të 28 Nëntorit, duke shpërndarë pajisje të ndryshme shtëpiake për 45 familje në nevojë.

    Qëllimi i këtij aksioni, siç u tha nga drejtuesit e shoqatës, është mbështetja e familjeve që përballen me vështirësi ekonomike dhe plotësimi i nevojave bazike për funksionimin e jetës së përditshme.

    Drejtori i shoqatës “Bereqeti” në nivel vendi, Xheladin Fazliu, theksoi se aktivitetet e tilla synojnë të sjellin lehtësime për familjet më të prekura nga varfëria. “Ky aksion ka për qëllim të ndihmojë familjet që përballen me vështirësi ekonomike, duke u mundësuar pajisje bazike që i nevojiten çdo shtëpie”, u shpreh Fazliu.

    Ndërkaq, kryetari i degës së shoqatës “Bereqeti” në Prizren, Kurtish Hoxhaj, tha se përzgjedhja e përfituesve është bërë me kujdes, bazuar në gjendjen dhe nevojat e secilës familje.

    Shoqata “Bereqeti” njoftoi se aktivitetet humanitare do të vijojnë edhe në të ardhmen, me synimin që sa më shumë familje të ndihen të mbështetura dhe të përfshira në atmosferën festive të 28 Nëntorit.

  • Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Nis seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Prishtinës

    Ka filluar seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Në seancën e jashtëzakonshme temë diskutimi janë mjetet vetanake dhe buxheti i vitit 2026.

    Ky zhvillim vjen pas disa ditësh bllokimi të transportit publik, për shkak të grevës së Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit, si dhe problemeve financiare të komunës. Situata ka shkaktuar kolona të gjata dhe vështirësi për qytetarët në qarkullimin urban.

  • Shërbimet kadastrale kalojnë në sistemin dixhital në Kosovë, hyjnë në fuqi me 28 nëntor

    Shërbimet kadastrale kalojnë në sistemin dixhital në Kosovë, hyjnë në fuqi me 28 nëntor

    Është bërë dixhitalizimi i të gjitha shërbimeve kadastrale në Kosovë, kështu është bërë e ditur në një ceremoni e ku u tha se sistemi do të hyjë në fuqi që nga 28 nëntori e që do të lehtësojë procedurat për qytetarët.

    Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në fjalën e tij theksoi se ky transformim është arritur falë bashkëpunimit.

    “Është kënaqësi e veçantë përmbyllja e dixhitalizimit të plotë. Në emër të ministrisë falënderoj të gjithë për bashkëpunimin dhe përkushtimin në këtë sukses të përbashkët. Që nga nesër qytetarët dhe institucionet do të kenë qasje të plotë dhe të sigurt në shërbimet dixhitale kadastrale, pa vonesa. Ky transformim tregon një punë të mirë dhe më afër qytetarëve. Kjo arritje nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Qeverisë. Ne kemi përkrahur këtë agjenci në çdo hap. Ligji për Kadastrin ka mundësuar projekte madhore zhvillimore; në 120 zona kanë përfituar mijëra qytetarë. Jemi të kënaqur që Agjencia ka bërë proces transformimi duke ndjekur praktikat e tregut evropian. Suksesi i sotëm është rezultat i punës dhe mbështetjes së ministrisë. Sot vendosim themelet e administrimit të tokës, më të përshtatura për nevojat e shoqërisë moderne”, tha Durmishi.

    Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se dixhitalizimi është arritje e madhe për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e tij.

    “Kjo ngjarje për mua dhe kolegët e mi mund të them bindshëm se është një nga më të rëndësishmet. Kjo arritje padyshim e rendit Agjencinë Kadastrale të Kosovës në nivel rajonal e evropian. Ashtu siç jemi zotuar, nga nesër me datë historike po e kurorëzojmë këtë kremtim. Drejtpërdrejt, nga tash e tutje, përveç ATK-së, bankave dhe institucioneve të tjera financiare, qasje do të kenë edhe përmbaruesit dhe gjeodetët. Kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, në sigurinë e pronës dhe në ngritjen e efikasitetit. Niveli i transformimit nuk do të ishte i mundur pa reformën ligjore dhe pa avancimin e teknologjisë, sepse është siguruar shërbim i sigurt dhe transparent. Dixhitalizimi është prioritet dhe AKK është shtylla kryesore e zhvillimit të Kosovës; për këtë arsye arrihen rezultate në këtë fushë. Për shumë vite, sfidat dhe dokumentacioni fizik kanë krijuar vështirësi për qytetarët dhe institucionet, ndërsa me dixhitalizimin kemi kursyer kohë dhe rritur transparencën. AKK ka publikuar edhe aplikimin për licencimin e gjeodetëve të Kosovës në eKosova. Për herë të parë, niveli i adresës është i unifikuar në gjithë Kosovën. Zhvillimi i projektit nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e institucioneve. Falënderoj Durmishin, ish-ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë të tjerët”, tha Ahmeti.

  • Dorëzohet Lista Serbe: Ftesat për konstituimin e Kuvendit në Mitrovicën e Veriut me emrin Republika e Kosovës

    Dorëzohet Lista Serbe: Ftesat për konstituimin e Kuvendit në Mitrovicën e Veriut me emrin Republika e Kosovës

    Lista Serbe është tërhequr pas ftesës për seancën konstituive të Mitrovicës së Veriut, pasi dokumenti fillestar nuk përmbante shënimin zyrtar “Republika e Kosovës”.

    Ftesa e re për seancën konstituive të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut tash mban emrin zyrtar “Republika e Kosovës”, dhe është e shënuar edhe në gjuhën shqipe, raporton Dukagjini.

    Megjithatë, më herët kryetari i sapozgjedhur, Milan Radojeviq, dhe partia e tij, Lista Serbe, njoftuan se nuk do ta respektojnë rendin kushtetues të vendit.

    Sipas ligjit, çdo dokument zyrtar i institucionit komunal duhet të përmbajë shënimin “Republika e Kosovës” dhe të jetë në të dyja gjuhët zyrtare, shqipe dhe serbe.

    Megjithatë, ftesa e parë e dërguar nga kryetari i sapozgjedhur Milan Radojeviq i është drejtuar këshilltarëve vetëm në gjuhën serbe dhe nuk përmend emrin zyrtar të shtetit, duke shkelur kështu Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet kushtetuese për dokumentacionin shtetëror.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka rol mbikëqyrës mbi komunat, kishte refuzuar mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, duke argumentuar se mungesa e emrit “Republika e Kosovës” në dokumentacion e bën të pavlefshme thirrjen e seancës.

  • Sindikata e RTK-së paralajmëron: Greva vazhdon nëse kriza kthehet në 2026

    Sindikata e RTK-së paralajmëron: Greva vazhdon nëse kriza kthehet në 2026

    Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se greva e cila është mbajtur për disa ditë me radhë do të ndërpritet si rezultat i hapave që çuan në zhbllokim të situatës me buxhetin e transmetuesit publik dhe krijimin e mundësisë për adresimin e çështjeve të mbetura.

    Përmes një komunikate për media, kjo sindikatë thotë se veprimi i Qeverisë e cila bëri të ditur sot se do të ndajë mjete nga kategoria e kursimeve, ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik.

    “RTK vazhdon të funksionojë pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm dhe me pozita kyçe të paplotësuara, përfshirë Kryeredaktorin. Kjo gjendje kërkon veprim urgjent nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, për kompletimin e Bordit, zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, emërimin e Kryeredaktorit, si dhe për rritjen e buxhetit, rritjen e domosdoshme dhe të panegociueshme të pagave, miratimin e ligjit të ri dhe zgjidhjen e çështjes së pronës dhe objektit të ri të RTK-së”, thuhet më tej në komunikatë.

    “Sindikatës i takon gjithashtu të mirëpresë dhe falënderojë Qeverinë dhe Kryeministrin në detyrë për reflektimin ndaj kërkesave të Sindikatës dhe për ndërmarrjen e hapave që çuan në zhbllokimin e situatës me buxhetin. Ky veprim ka qenë i domosdoshëm për stabilitetin e institucionit dhe për ruajtjen e misionit të RTK-së si transmetues publik”.

    Megjithatë, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka paralajmëruar se nëse gjatë janarit të vitit të ardhshëm hasin sërish në situata të tilla, greva mund të rikthehet menjëherë dhe në çdo formë të nevojshme.

    “Në emër të punëtorëve të RTK-së dhe të transmetuesit publik, shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e secilit që qëndroi pranë nesh gjatë kësaj periudhe sfiduese”, përfundon njoftimi.

  • Osmani viziton ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel për Festën e Falënderimeve

    Osmani viziton ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel për Festën e Falënderimeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot ushtarët amerikanë në kampin Bondsteel, me rastin e Festës së Falënderimeve.

    Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se u ka shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe përtej.

    Ajo ka theksuar se ushtarët amerikanë kanë qëndruar gjithmonë pranë Kosovës, si në ditët më të vështira, ashtu edhe në ato më të mira për popullin tonë.

    ”Ushtarët amerikanë kanë qenë gjithmonë pranë Kosovës, në ditët më të vështira dhe në ditët më të mira për popullin tonë. Sot, në Festën e Falënderimeve, pata nderin t’u bashkohem sërish në kampin Bondsteel për t’ua shprehur mirënjohjen tonë për kontributin e tyre për paqe dhe siguri në Kosovë dhe përtej”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, Kamberi në Kuvendin e Serbisë prezanton kërkesat e Luginës

    Diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, Kamberi në Kuvendin e Serbisë prezanton kërkesat e Luginës

    Deputeti Shaip Kamberi gjatë një debati për buxhetin në Kuvendin e Serbisë foli për problemet që kanë qytetarët në Luginën e Preshevës, si pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve, moszbatimi i ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, etj.

    Kamberi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka bërë të ditur se e ka pyetur Ministrinë e Brendshme pse nuk i ka kthyer përgjigje në kërkesën e tij që komuna e Preshevës të marrë targën e saj të regjistrimit për automjetet motorike.

    Gjithashtu Kamberi pyeti Qeverinë pse janë bllokuar paratë për Këshillin Kombëtar Shqiptar nga fondet e Qeverisë së Kosovës, si dhe çfarë po ndodh me iniciativën për një program për pranimin e personave nga pakicat kombëtare shqiptare dhe boshnjake në shërbimin policor në nivel lokal.

    Edhe në seancën e kaluar, deputeti shqiptari foli me tone të ashpra në parlamentin serb.

    “E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare”, nënvizoi Kamberi.

    Për më shumë lexoni të plotë fjalimin e Kamberit:

    Para se Serbia të hyjë në BE, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut.

    Zonja dhe zotërinj,

    Sot po flas jo vetëm si deputet, por si zëri i dhjetëra mijëra qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës njerëz, që prej më shumë se dy dekadash, jetojnë mes ligjit dhe padrejtësisë, mes garancive kushtetuese dhe jetës reale.

    Para nesh është një Rezolutë që nuk është as ekstreme e as separatiste, por thellësisht, demokratike dhe evropiane.

    Ajo kërkon vetëm një gjë: që shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’u sigurohet barazia para ligjit dhe realizimin e plotë tëtë drejtave qytetare, politike dhe kombëtare.

    Prandaj, kur flasim për këtë Rezolutë, ne flasim për drejtësi, e jo për politikë.

    Për besim në institucione, e jo për kërcënime ndaj shtetit.

    Për vlera evropiane, e jo për kufij.

    Zonja dhe zotërinj,

    Të gjithë ne e dimë se ekziston një problem.

    E dimë se ekziston diskriminim institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    E dimë se ekziston praktika e pasivizimit të adresave, përmes së cilës mijëra njerëzve u hiqet e drejta zgjedhore dhe qytetare.

    E dimë se ka moszbatim të ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, mosnjohje të diplomave, mungesë të mbishkrimeve dygjuhëshe, mungesë të përfaqësimit në polici, gjyqësor, prokurori dhe në shërbimet inspektuese.

    E dimë edhe që zhvillimi ekonomik i rajonit neglizhohet sistematikisht, ndërsa të rinjtë po largohen sepse nuk shohin të ardhme në një vend ku trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

    Prandaj, mos të themi sot se “nuk është momenti”, sepse ky moment pritet tashmë më shumë se njëzet vjet.

    Kur kërkojmë ndalimin e pasivizimit të adresave, ne nuk kërkojmë mëshirë, por respektim të së drejtës.

    Kur kërkojmë përdorim zyrtar të gjuhës dhe simboleve, ne nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë.

    Kur kërkojmë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në institucione, ne nuk kërkojmë poste, por përfaqësim të drejtë në shtetin ku edhe ata janë qytetarë.

    Kjo Rezolutë bën thirrje për krijimin e një trupi të pavarur parlamentar, i cili, në bashkëpunim me OSBE-në dhe shoqërinë civile, do të hetojë pasojat e pasivizimit dhe do të propozojë masa për kthimin e të drejtave të mijëra njerëzve të privuar nga to.

    Ajo bën thirrje që të njihen përfundimisht diplomat dhe kualifikimet arsimore të fituara në Kosovë, që të respektohet e drejta për gjuhën shqipe dhe të sigurohet përfaqësim i barabartë në shërbimet shtetërore.

    A nuk është kjo ajo që çdo shtet evropian duhet të bëjë?

    Nëse dëshirojmë që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut.

    Zonja dhe zotërinj deputetë,

    Që nga viti 2001, nga nënshkrimi i Planit për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përmes marrëveshjeve të viteve 2009 dhe 2013, e deri te Plani i Veprimit i vitit 2022, shtet ii Serbisë është zotuar se do ta integrojë komunitetin shqiptar.

    Të gjitha këto zotime ekzistojnë në letër, por në praktikë ato janë thjesht fjalë të vdekura.

    Sot, në vitin 2025, funksionarë të Trupit Koordinues publikisht mohojnë edhe ekzistencën e vetë Planit të Veprimit.

    Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi – është edhe fyerje për ata që besojnë në dialog dhe institucione.

    Prandaj sot, Kuvendi Popullor ka mundësinë të marrë përgjegjësinë.

    Të tregojë se shteti nuk është armik ndaj qytetarëve të vet, por garantues i të drejtave të tyre.

    Të rikthejë besimin që është rrënuar për dekada.

    Zonja dhe zotërinj,

    Lugina e Preshevës kërkon respektimin e rregullave që tashmë ekzistojnë.

    Nuk kërkon premtime të reja, por zbatimin e atyre të dhëna para 20 vjetësh.

    Nuk kërkon më shumë, por nuk do të pranojë asgjë më pak se barazinë.

    Prandaj, sot, duke mbështetur këtë Rezolutë, ne nuk miratojmë një akt në dobi të shqiptarëve, por një akt në dobi të drejtësisë, demokracisë dhe Serbisë evropiane.

  • ShBA i jep goditjen përfundimtare industrisë serbe të naftës, Vuçiq: Rafineria mbyllet në vikend

    ShBA i jep goditjen përfundimtare industrisë serbe të naftës, Vuçiq: Rafineria mbyllet në vikend

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se vendi nuk ka marrë asnjë sinjal nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe se rafineria do të mbyllet të shtunën ose të dielën.

    Serbia ka kërkuar nga Departamenti i Thesarit i ShBA-ve një licencë që lejon NIS-in të operojë edhe pse është nën sanksione për shkak të pronësisë së saj ruse.

    Mirëpo, deri më tani ShBA-të nuk kanë kthyer përgjigje.

    “Të shtunën ose të dielën, pastaj rafineria ndoshta do të duhet të mbyllet. Nuk kemi marrë asnjë sinjal nga SHBA-të se do të marrim një licencë për të rifilluar prodhimin e derivateve të naftës. Por çfarë duhet të bëjmë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një fjalim të përbashkët me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

    Siç shton Vuçiqi, sipas njohurive të Beogradit, Departamenti i Thesarit i ShBA-ve do të merrte një vendim pozitiv për dhënien e licencës, por ky vendim nuk ka ardhur.

    “Ende nuk ka një vendim të tillë. Kjo na vë në një pozicion të vështirë. Jemi të përgatitur. Qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen për ngrohjen, energjinë elektrike apo pompat. Ne thamë se do të na jepnin kohë për t’i dhënë pronarit të vërtetë [rusëve, v.j] kohë për të shitur pronën e tij, dhe ju keni garancitë tona se gjithçka do të jetë ashtu siç kërkuat. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme për ju, atëherë kam frikë se pas gjithë kësaj fshihen disa gjëra të tjera”, tha Vuçiqi.

    ShBA-ja vendosi sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë më 1 tetor të këtij viti për shkak të pronësisë ruse të kompanisë. Kompanitë ruse Gazprom Neft dhe Gazprom zotërojnë mbi 50 për qind të aksioneve të NIS-it.