ATV

Author: K.B.

  • Kurti uron 28 Nëntorin: Nuk ka komb tjetër në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar

    Kurti uron 28 Nëntorin: Nuk ka komb tjetër në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar

    Kryeministri në detyrë i Kosovës ka uruar shqiptarët për 28 nëntor.

    Kurti ka shkruar se nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë.

    Kurti ka përmendur vitin 1443, kur u ngrit flamuri Kastriotëve në Krujë, duke udhëhequr rezistencën kundër Perandorisë Osmane, pastaj shumë shekuj më vonë shpallja e pavarësisë më 28 nëntor 1912, kur flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë.

    Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës, shkruan Kurti.

    Ai përmend se po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri.

    Postimi i plotë:

    Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.

    Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”

    Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
    Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
    Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
    Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!

  • Ftohtë edhe sot, në mbrëmje parashihen reshje bore

    Ftohtë edhe sot, në mbrëmje parashihen reshje bore

    Reshjet e borës mund të vazhdojnë në pjesë të vendit gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit të ditës së premte.

    Lokalisht mund të vazhdojnë edhe gjatë ditës, herë herë të përziera me shi ultësirave. Duke shkuar nga mbrëmja reshjet e borës mund të jenë më intenzive, duke formuar shtresë dëbore, sidomos pjesëve nga rrafshi i Kosovës dhe Anamorava.

    Temperaturat mbesin të ulëta 0C e 2C. Frynë erë e ftohtë veriore e lehtë dhe mesatare 4-8m/s.
    Të shtunën orëve të para të ditës vazhdojnë reshjet e borës. Pasdite pritet të pushojnë gradualisht. Temperaturat ende të ulëta 0C deri 2C.

    Ditën e diel vransirat shpërndahen, ku në disa pjesë të vendit do të ketë edhe intervale me diell. Maksimalet shënojnë rritje deri në 5C. Nga dita e hënë parashihet mot më stabil, me më shumë intervale me diell. Mirëpo, ultësirave formohen shtresa mjegulle, që në disa pjesë mund të mbeten më gjatë edhe nga mesdita. Temperaturat shënojnë rritje deri në 7C e 10C, por në pjesët ku mjegulla mbetet më gjatë, mund të jenë më të ulëta edhe për 4C e 5C. Minimalet zbresin deri në 0C e -2C. Do të dominojnë qetësitë, ndërkohë që ditën frynë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme 1-3m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • 28 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

    28 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

    Sot mbushen 28 vjet nga dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    28 Nëntori nuk shënon vetëm festën e Ditës së Flamurit. Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt.

    Ndërkaq, ajo që bëri që UÇK-ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe.

    Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së, raporton KosovaPress.

    Deklarata e UÇK-së për paraqitjen e saj të parë publike u përgatit nga vetë ushtarët e saj.

  • Sot është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

    Sot është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

    Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i mbushte 70 vjet.

    Ai u lind më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Kishte mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

    Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Më 3 nëntor 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

    Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

    Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

    Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani.

    Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

    Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda të artilerisë. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

    Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme.

    Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

    Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

  • 113 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

    113 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

    113 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

    Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshojë vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

    Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike. Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

    Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

    Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913, raporton KosovaPress.

    Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.

    Qeveria e Vlorës:

    Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

    Dom Nikoll Kacërri, Zv.kryeministër

    Mufid Bej Libohova, Ministër për Punë të Brendshme

    Abdi bej Toptani, Ministër për Financa

    Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)

    Petro Poga, Ministër për Drejtësinë

    Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin

    Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore

    Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë

    Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.

  • Shkelje të etikës profesionale, MPJD i kërkon Osmanit shkarkimin e Vehbi Miftarit pas kritikave ndaj Kurtit

    Shkelje të etikës profesionale, MPJD i kërkon Osmanit shkarkimin e Vehbi Miftarit pas kritikave ndaj Kurtit

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nisur një procedurë që prek drejtpërdrejt një nga emërimet diplomatike të Presidentes Vjosa Osmani.

    Qeveria e Kosovës i ka dërguar Presidentes Osmani një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të Vehbi Miftarit, Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan. Kjo kërkesë vjen pas disa ditësh kur Miftari e kritikoi publikisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte marrë pjesë në një koncert të Filharmonisë së Kosovës në Vatikan. Miftari kishte shkruar se ishte anashkaluar tërësisht.
    Sipas MPJD-së, Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”, të cilat dëmtojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të shtetit. Në tri dokumente të siguruara nga Demokracia.com, MPJD njofton Presidencën se veprimet e Miftarit përbëjnë shkelje të ligjeve dhe rregulloreve të diplomacisë kosovare.

    “Fillimisht, më lejoni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta dhe t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona.

    Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

    Me respekt,
    Kreshnik Ahmeti
    Zëvendësministër në Detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njëren prej letrave.

    Vehbi Miftari ka qenë këshilltar politik i Presidentes Osmani për tre vite, si në Presidencë, ashtu edhe më herët kur ajo drejtonte Kuvendin e Kosovës. Ai dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit në janar 2024 dhe pak javë më pas u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, një detyrë diplomatike e ndjeshme që kërkon pëlqimin e shtetit pritës dhe vendimmarrje të përbashkët mes Presidentes dhe Kryeministrit.

    Vetëm disa muaj pas emërimit, MPJD i ka kërkuar Presidentes Osmanit shkarkimin e Miftarit, duke vënë në lëvizje mekanizmat formalë të diplomacisë.

    Pak javë pas hapjes së Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Miftari u emërua ambasador dhe e njoftoi vetë fillimin e detyrës nga 1 shkurti 2024. Më 12 janar 2024, Presidentja Osmani njoftoi krijimin zyrtar të Misionit, duke theksuar rëndësinë e tij për marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe njohjen e Kosovës.

    Në vitin 2023, gjatë një vizite me audiencë private te Papa Françesku, Presidentja kishte theksuar se njohja nga Vatikani do të kishte ndikim të rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.

  • Dodiku hakmarrës, paralajmëron bllokimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës

    Dodiku hakmarrës, paralajmëron bllokimin e institucioneve të Bosnje e Hercegovinës

    Kreu i SNSD-së, Milorad Dodik, reagoi me dhunë pas vendimit të Ministrit të Mbrojtjes të Bosnje e Hercegovinës për të mos lejuar një aeroplan ushtarak hungarez të ulet në Banja Luka.

    Dodik, ndër të tjera, njoftoi bllokada të reja të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës të drejtuara nga personeli i tij.

    “Nuk kemi nevojë për atë BeH. U ndalon miqve tanë të ulen në aeroportin e Banja Lukas. Nuk është aeroporti i tyre. Padrejtësia ka çuar në faktin se ato kanë njëfarë rëndësie. Është aeroporti i Republikës Srpska. Jam i indinjuar nga ky veprim. Pse? Sepse është një mik i yni? A është Szijjarto në listën e të kërkuarve? Asnjë ministër nuk mund të veprojë në mënyrë të njëanshme. Pastaj ata habiten që njerëzit kanë qëndrime të ndryshme ndaj tyre”, tha Dodik.

    Ai gjithashtu njoftoi se do t’u kërkonte stafit të tij në institucione të bllokojnë vendimmarrjen.

    “Ju ia ndaloni dikujt të ulet në Banja Luka? Dhe si mund të ulen në Sarajevë? Pse nuk mund të ulen në Banja Luka? Do t’u kërkoj të gjithë njerëzve tanë të ndalojnë së marri vendime. Kjo nuk mund të bëhet ndryshe. Është një poshtërim, e ftuam burrin si mysafir. I dhamë ambiente formale. Prisnim që nesër të ishte një ditë e bukur. Ata po qeshin, mendojnë se u kanë bërë keq Dodikut dhe Szijjartos. A doni të bëni një milion keqbërje dhe të jeni të kënaqur. BeH duhet të merret nga një stuhi, në mënyrë që gjithçka e gjallë të mos ekzistojë. Ali u tha mirë myslimanëve, nëse nuk mund të krijoni një vend demokratik, nuk meritoni të keni një të tillë”, tha Dodik.

    Në fakt, Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez, njoftoi se nuk donte të jepte pëlqimin për uljen e një avioni ushtarak hungarez në aeroportin e Banja Lukës, në të cilin duhej të ishte kreu i diplomacisë, Peter Szijjarto.

  • Osmani merr pjesë në “Sofrën Shqiptare” në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit

    Osmani merr pjesë në “Sofrën Shqiptare” në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shkodër në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, ka marrë pjesë në “Sofrën Shqiptare” të shtruar në sheshin e qytetit, ku ka ndarë mesazhe të bashkëpunimit dhe lidhjes së ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, tha se “Shkodra ka qenë gjithmonë një urë mirësie dhe bashkëpunimi dhe vllazërimi me Kosovën. Prania juaja sot është një simbol i fortë i asaj lidheje që na bashkon në histori, kulturë dhe vlera”, tha ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj theksoi afërsinë e veçantë mes Kosovës dhe Shkodrës.

    “Sonte jemi në zemrën e nje qyteti që nuk ka nevojë të prezantohet. Nga Kosova ne e ndjejmë Shkodrën si shtëpinë tonë të dytë, na lidh gjuha sepse shumë prej fjalive që ne i ruajmë me krenari kanë lindur pikërisht këtu, na lidh muzika që ka qenë shoqëruesja jonë në çdo dasëm guxim e festë, na lidh tradita, na lidh humori që si në Shkodër ashtu edhe në Kosovë është armë mbijetese butësi dhe mençuri”, tha Osmani.

  • Reshje bore dhe temperatura të ulëta në ditët në vijim

    Reshje bore dhe temperatura të ulëta në ditët në vijim

    Reshjet e borës pritet të vazhdojnë gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit të së premtes në shumë pjesë të vendit, ndërsa lokalisht mund të shfaqen edhe gjatë ditës, herë pas here të përziera me shi në ultësira.

    Në mbrëmje, intensiteti i reshjeve mund të rritet, duke krijuar shtresë dëbore sidomos në Rrafshin e Kosovës dhe Anamoravë. Temperaturat do të lëvizin ndërmjet 0°C dhe 2°C, të shoqëruara me erë të ftohtë veriore 4-8 m/s.

    Të shtunën reshjet e borës do të vazhdojnë në orët e para, ndërsa pasdite pritet të pushojnë gradualisht. E diela sjell shpërndarje të vranësirave dhe intervale me diell, me temperatura deri në 5°C.

    Nga e hëna parashihet mot më stabil dhe më shumë diell, por në ultësira do të formohet mjegull që mund të qëndrojë deri pas mesditës.

    Temperaturat maksimale pritet të arrijnë 7°C deri 10°C, ndërsa në zonat me mjegull mund të jenë 4-5°C më të ulëta. Minimalet zbresin deri në -2°C. Erërat mbesin të lehta, me qetësi dominuese.

  • Gruas më të fortë në botë i hiqet titulli pasi u zbulua se ishte biologjikisht mashkull

    Gruas më të fortë në botë i hiqet titulli pasi u zbulua se ishte biologjikisht mashkull

    Atletes transgjinore Jamie Booker nga Shtetet e Bashkuara i është hequr zyrtarisht titulli i Gruas më të Fortë në Botë, pasi u zbulua se ajo është biologjikisht mashkull.

    Skandali tronditi edicionin e fundit të konkursit “Gruaja më e fortë në botë”, i cili u mbajt në Arlington të Teksasit më 23 nëntor.

    Gara u fitua nga atletja transgjinore Jamie Booker, së cilës më pas iu hoq titulli për shkak se nuk e zbuloi faktin se është biologjikisht mashkull. Në vend të saj, fituese u shpall britanikja Andrea Thompson.

    Booker fillimisht fitoi një pikë përpara Thompson, dhe britaniku zbriti nga podiumi në shenjë proteste ndërsa amerikani festoi.

    Thompson i tha BBC Sport se gara ishte “në hije të dikujt që nuk duhej të kishte qenë atje”.

    “Isha shumë e frustruar dhe e zemëruar për atë që bëri ajo. Ajo gënjeu dhe ishte shumë e pandershme, dhe u mori shumë gjëra shumë grave”, tha gruaja britanike.

    Organizatorët, Official Strongman, thanë se “garuesit mund të garojnë vetëm në kategorinë e seksit të tyre biologjik të regjistruar në lindje” dhe se ata e skualifikuan atletin në fjalë “i cili është biologjikisht mashkull”.

    “Official Strongman është gjithëpërfshirës dhe krenar që organizon ngjarje që nuk diskriminojnë atletët bazuar në karakteristikat personale. Çdo atlet është i mirëpritur. Por është përgjegjësia jonë të sigurojmë drejtësi dhe t’i caktojmë atletët në kategoritë mashkullore ose femërore bazuar në faktin nëse janë regjistruar si meshkuj apo femra në lindje”, tha ajo.

    View this post on Instagram
    A post shared by QUESTIMES (@questimesofficial)

    Ish-fituesja tre herë e këtij çmimi, Rebecca Roberts, komentoi të gjithë situatën në rrjetet sociale.

    “Nuk i urrej personat transgjinorë. Të gjithë meritojnë dinjitet, respekt dhe lirinë për të jetuar të vërtetën e tyre. Por nuk mund të hesht për diçka që kërcënon drejtësinë dhe të ardhmen e sporteve të forcës së grave. Gratë transgjinore, njerëzit e lindur si burra, nuk duhet të garojnë në divizionin e grave. Kjo nuk ka të bëjë me identitetin. Kjo nuk ka të bëjë me politikën. Kjo ka të bëjë me dallimet fizike të pamohueshme që ekzistojnë në sportet e bazuara në forcë. Divizionet e grave u krijuan për një arsye, dhe nëse e humbasim atë, humbasim themelin e sportit tonë”, tha ajo.

    Interesante është që Booker fitoi Rainier Classic të këtij viti në qershor dhe përfundoi e dyta në konkursin “North America’s Strongest Woman” në korrik.