ATV

Author: K.B.

  • SHBA-ja dhe Siria shkatërrojnë depot e armëve të ISIS

    SHBA-ja dhe Siria shkatërrojnë depot e armëve të ISIS

    Ushtria amerikane njoftoi të dielën, 30 nëntor, se së fundmi ka shkatërruar 15 vende ku ndodheshin depot me armë të ISIS‑it në jug të Sirisë.

    Komanda Qendrore Amerikane (CENTOM) njoftoi se, në bashkëpunim me forcat siriane, identifikuan dhe asgjësuan këto depo përgjatë provincës Rif Dimashq gjatë disa sulmeve ajrore e shpërthimeve në tokë që u zhvilluan mes datave 24 dhe 27 nëntor.

    Sipas deklaratës zyrtare, operacioni çoi në shkatërrimin e më shumë se 130 mortajave (armë që lëshojnë predha) dhe raketave, si dhe armë zjarri automatike, mitralozë, mina kundërtank dhe materiale për ndërtimin e bombave. Gjithashtu, janë gjetur dhe shkatërruar sasi të lëndëve narkotike.

    Komandanti i CENTCOM‑it, admirali Brad Cooper, tha se ky “operacion i suksesshëm siguron që lufta kundër ISIS‑it të jetë e qëndrueshme”, duke mos i lejuar grupit asnjë hapësirë për të “rilindur”, me sulme terroriste qoftë në Shtetet e Bashkuara apo vende të tjera.

    Sipas raportimeve, ndërsa ISIS në të kaluarën kontrollonte territore të mëdha në Siri dhe Irak, pas humbjeve të mëdha ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga SHBA‑të, tani grupi është shpërndarë në celula të vogla.

    Megjithatë, mbetet rreziku i ripërtëritjes së aktiviteteve të tij dhe ky sulm i përbashkët synon ta pengojë këtë.

  • Policia e Kosovës hap konkurs për disa pozita të larta administrative

    Policia e Kosovës hap konkurs për disa pozita të larta administrative

    Policia e Kosovës ka shpallur sot konkursin e ri të punësimit për disa pozita me karakter financiar dhe administrativ, duke ofruar gjithsej shtatë vende të lira pune. Konkursi është publikuar më 1 dhjetor 2025, me referencë zyrtare 10/1-01/SRS/0779/2025.

    Pozitat e hapura janë:

    Zyrtar i Lartë i Aseteve – 1 vend
    Zyrtar i Lartë i Financave – 2 vende
    Zyrtar i Lartë i Kontabilitetit – 1 vend
    Zyrtar i Lartë Shpenzues në Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave – 1 vend
    Zyrtar i Lartë i të Hyrave – 2 vende

    Policia e Kosovës fton të gjithë kandidatët e interesuar të aplikojnë sipas kritereve dhe udhëzimeve të specifikuara në njoftimin zyrtar të publikuar në faqen e institucionit:
    www.kosovopolice.com/shpallje/mundesi-punesimi

    Konkursi mbetet i hapur në përputhje me afatet ligjore për aplikim.

  • Vendimi i PZAP-së dhe reagimet e VV’së, reagon Hoti: Këta përbuzës të shtetit duhet larguar me votë nga qeverisja

    Vendimi i PZAP-së dhe reagimet e VV’së, reagon Hoti: Këta përbuzës të shtetit duhet larguar me votë nga qeverisja

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen katërvjeçare të VV-së, duke thënë se LDK-ja është detyruar të fokusohet në parandalimin e dëmeve në ekonomi, shoqëri dhe integritetin shtetëror, të shkaktuara nga vendime arbitrare dhe ligje jokushtetuese.

    Ai theksoi se shumë ligje janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe se ankesa e LDK-së në PZAP për votimin e diasporës jashtë përfaqësive diplomatike, synon mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

    Hoti kritikoi reagimin e qeverisë ndaj vendimit të PZAP-së dhe tha se ata “nuk kuptojnë esencën e integritetit shtetëror”, duke bërë thirrje që qeveria aktuale të largohet me votë.

  • Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”

    Rizvanolli: Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se do të fillojë instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B”.

    Ajo thotë se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet teknike por edhe ligjore, duke theksuar se po bëhet me financimin e rreth 90 milionë euro nga Bashkimi Evropian.

    “Po nis instalimi i filtrave në Termocentralin “Kosova B” pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike e ligjore, përfshirë dilatimin e bojlerëve në vitin 2023. Këtë vit, KEK ka realizuar edhe modernizimin e turbinës në njësinë B1. Me rreth 90 milionë euro financim nga BE, filtrat do të ulin emetimet e pluhurit deri në 35 herë dhe oksideve të azotit (NOx) deri në 4 herë, duke i sjellë në përputhje me standardet e BE-së dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në Obiliq, Fushë Kosovë, Prishtinë dhe në gjithë Kosovën. Faleminderit Bashkimit Evropian për mbështetjen afatgjatë në modernizimin e sektorit tonë të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe faleminderit punonjësve dhe menaxhmentit të KEK-ut për punën shumëvjeçare për ta çuar këtë projekt kompleks deri në fazën e implementimit. Ky është një hap konkret drejt furnizimit më të pastër dhe më të sigurt me energji për familjet dhe bizneset tona, dhe drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli.

  • “AI tashmë mund të bëjë punën e 12% të fuqisë punëtore të Amerikës”

    “AI tashmë mund të bëjë punën e 12% të fuqisë punëtore të Amerikës”

    Inteligjenca artificiale mund të kryejë punën që aktualisht e bëjnë gati 12% e fuqisë punëtore të Amerikës, sipas një studimi të fundit nga Instituti i Teknologjisë i Massachusetts (MIT).

    Studiuesit, duke u mbështetur në një tregues të quajtur “Indeksi Iceberg”, i cili mat potencialin e një pune për t’u automatizuar, arrijnë në përfundimin se AI tashmë ka aftësitë njohëse dhe teknike për të përballuar një sërë detyrash në teknologji, financa, shëndetësi dhe shërbime profesionale.

    Indeksi simuloi se si mbi 150 milionë punëtorë në SHBA, në gati 1,000 profesione, ndërveprojnë dhe mbivendosen me aftësitë e AI-së. Konkretisht, ai mat ekspozimin ndaj kapaciteteve të AI-së dhe mënyrën se si kjo teknologji në zhvillim të shpejtë mbivendoset me aftësitë profesionale të punonjësve.

    Studimi nuk synon të zbulojë se sa punëtorë AI mund të ketë zëvendësuar tashmë ose mund të zëvendësojë në të ardhmen. Deri në ç’mast AI do të marrë funksione pune të kryera nga njerëzit, varet nga një sërë faktorësh, përfshirë strategjinë e bizneseve, pranimin shoqëror dhe ndërhyrjet e mundshme politike, theksojnë studiuesit.

    AI ka përdorime shumë më të gjera sesa disa nga aplikimet e saj më të dukshme, si shkrimi i kodit kompjuterik. Disa mënyra se si punëdhënësit po e përdorin AI-në në industri të ndryshme përfshijnë:

    Firmat e shërbimeve financiare përdorin AI për përpunimin e dokumenteve dhe mbështetje analitike
    Ofruesit e kujdesit shëndetësor po e përdorin AI-në për detyra administrative, duke u mundësuar stafit klinik të fokusohet te pacientët
    Prodhuesit e përdorin teknologjinë për kontrollin e cilësisë, përfshirë automatizimin e inspektimeve
    Operatorët e logjistikës po zbatojnë AI për menaxhimin e përmbushjes së porosive
    Studimi analizoi aftësitë e veçanta të punëtorëve dhe i krahasoi ato me aftësitë e mbi 13,000 mjeteve të AI-së. Në disa raste, AI mund të plotësojë punën e njeriut, ndërsa në të tjera teknologjia është shumë më transformuese, sipas studiuesve.

    Për shembull, AI mund të thjeshtojë plotësimin e dokumenteve, duke u dhënë infermierëve më shumë kohë për pacientët. Ajo gjithashtu mund të prodhojë kod softuerik shpejt dhe me saktësi, duke detyruar inxhinierët e softuerit me aftësi të kufizuara të zhvendosin fokusin.

    Përveç kësaj, “analistët financiarë nuk do të zhduken, por sistemet e AI-së mund të demonstrojnë aftësi në pjesë të rëndësishme të përpunimit të dokumenteve dhe analizave rutinë,” thanë studiuesit. “Kjo riformëson mënyrën si strukturohen rolet dhe cilat aftësi mbeten në kërkesë, pa reduktuar domosdoshmërisht numrin e punonjësve.”

    AI tashmë po kryen edhe disa punë fillestare, të cilat tradicionalisht i janë besuar të diplomuarve të rinj ose punëtorëve me pak përvojë, vëren raporti.

    “Sistemet e AI-së tani gjenerojnë më shumë se një miliard rreshta kodi çdo ditë, duke shtyrë kompanitë të ristrukturojnë kanalizimet e rekrutimit dhe të ulin kërkesën për programues fillestarë,” shkruajnë studiuesit. “Këto ndryshime të dukshme në profesionet e teknologjisë sinjalizojnë një riorganizim më të gjerë të punës që tejkalon zhvillimin e softuerit.”

  • Ndërron jetë ish-kryetari i komunës së Deçanit

    Ndërron jetë ish-kryetari i komunës së Deçanit

    Ka ndërruar jetë ish-kryetari i komunës së Deçanit, Mehmet Bojku.

    I ndjeri ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.

    Bojku ka qenë ish i burgosur politik kryetari i parë i zgjedhur me votë të lirë pas çlirimit, dhe kryetar i nderuar i LDK-së në Deçan.

  • Cili është flamuri më i vjetër në Evropë?

    Cili është flamuri më i vjetër në Evropë?

    Më 30 nëntor, u shënua Dita e Shën Andreas, një festë në nder të Apostullit Andrea, shenjtorit mbrojtës të Skocisë.

    Si pjesë e festës, skocezët mblidhen së bashku për t’i bërë homazh kulturës, trashëgimisë dhe zakoneve të tyre të pasura me ushqim, muzikë dhe vallëzim tradicional.

    Një simbol i rrënjosur thellë në identitetin skocez është edhe flamuri i vendit, me një kryq të bardhë dhe sfond të kaltër.

    Sipas legjendës, origjina e flamurit daton që nga Beteja e Athelstaneford në vitin 832 pas Krishtit, ku Mbreti Angus dhe njerëzit e tij panë një kryq të bardhë të shfaqej në qiell.

    Mbreti u betua se do ta bënte Shën Andrean shenjtorin mbrojtës të Skocisë nëse do të dilnin fitimtarë, duke e adoptuar kryqin si flamurin e tyre.

    Është interesante se shumë veta sapo kanë zbuluar se flamuri i Skocisë mban dallimin e të qenit flamuri më i vjetër kombëtar i Evropës.

    Një përdorues i Reddit ndau njohuritë e tij: “Shumë prej jush mund ta dinë tashmë këtë, por unë doja ta ndaja këtë fakt. Flamuri i Skocisë është më i vjetri në Evropë, ai e ka origjinën në vitin 832 pas Krishtit.”

    Megjithatë, jo të gjithë ishin të bindur, me disa që argumentonin se flamuri danez është në fakt më i vjetri.

    Ndërsa dizajni i flamurit danez daton që nga viti 1219, flamuri i Skocisë i ka rrënjët në vitin 832 pas Krishtit, por prova e përdorimit të vazhdueshëm të flamurit të bardhë ikonik me sfond të kaltër vjen më vonë, duke hedhur dyshime se cili flamur e mban vërtet titullin.

    Rasti i parë i regjistruar i flamurit të Skocisë me këtë dizajn ishte rreth vitit 1542.

  • Baca Rifat Jashari sot feston ditëlindjen e 79-të

    Baca Rifat Jashari sot feston ditëlindjen e 79-të

    Rifat Jashari, figura publike shqiptare dhe patriark i familjes Jashari, vëllai i mbijetuar i komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe Hamëz Jashari, feston sot ditëlindjen.

    Ai ka mbushur plot 79 vjet.

    Këtë 1 dhjetor, ai pranoi urime të përzemërta si nga familja, ashtu edhe nga figura të njohura politike.

    Jashari, ndër vite ka qenë zëri i luftës çlirimtare të Kosovës, të cilët iu vranë dhjetëra familjarë nga forcat e regjimit serb.

  • Ramush Haradinaj uron Rifat Jasharin për ditëlindje: Edhe shumë vite të tjera me shëndet dhe mbarësi!

    Ramush Haradinaj uron Rifat Jasharin për ditëlindje: Edhe shumë vite të tjera me shëndet dhe mbarësi!

    Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar, Adem Jashari, sot feston ditëlindjen.

    Një urim të veçantë ia ka kushtuar kryetari i AAK-së, njëherësh ish-komandant në UÇK, Ramush Haradinaj.

    Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj i uroi Bacës Rifat edhe shumë vite të tjera.

    “Baca Rifat, gëzuar ditëlindjen! Të uroj edhe shumë vite të tjera, gjithmonë pranë nipërve e mbesave, me shëndet dhe mbarësi!”, ka shkruar ai.

  • Ky është biznesmeni që u vra mbrëmjen e së dielës në Elbasan

    Ky është biznesmeni që u vra mbrëmjen e së dielës në Elbasan

    Biznesmeni nga Shqipëria, i cili u identifikua si Edmond Hyka, por është i njohur edhe si Mondi Mëhalla, është vrarë mbrëmë me armë zjarri në Elbasan.

    Top Channel ka siguruar fotografinë e tij mëngjesin e sotëm. I ndjeri u qëllua menjëherë pasi doli nga biznesi i tij dhe u fut në makinë, aty ku u ekzekutua me dy plumba.

    Automjeti i ekzekutuesve ishte një Audi ngjyrë e zezë dhe dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

    Sipas informacioneve, 43-vjeçari që u vra kishte precedent penal në fushën e narkotikëve.