ATV

Author: K.B.

  • LDK sot mbledh Këshillin e Përgjithshëm

    LDK sot mbledh Këshillin e Përgjithshëm

    Pasditen e së hënës pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Nga LDK-ja njoftojnë se mbledhja do të mbahet në orën 17:00.

    “Sot (e hënë), në orën 17:00 mbahet mbledhja e radhës së Këshillit të përgjithshëm të LDK-së. Mbledhja mbahet në hoteglin “Venus” (magjistralja Prishtinë-Ferizaj). Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit ku kryetari Abdixhiku mban fjalën e tij, pastaj Këshilli i përgjithshëm vazhdon punimet”, thuhet në komunikatën për media.

  • 5 gjërat që nuk do t’i shihni kurrë në ëndrrat tuaja – përfshirë telefonin

    5 gjërat që nuk do t’i shihni kurrë në ëndrrat tuaja – përfshirë telefonin

    Edhe nëse ëndrrat tuaja përfshijnë fluturime, beteja ose provime pa pantallona, disa gjëra thjesht nuk shfaqen kurrë.

    Sipas studiuesve të ëndrrave, ka pesë elementë që pothuajse kurrë nuk shihen në ëndrrat tona:

    Telefonat – Edhe pse kalojmë orë të tëra me celularët, ëndrrat i injorojnë ata. Analiza e 16,000 ëndrrave tregoi se telefoni shfaqet vetëm në 3.5% të ëndrrave të grave dhe 2.7% të ëndrrave të burrave. Arsyeja? Telefonat janë të rinj në historinë evolucionare të njeriut dhe nuk kanë rëndësi për mekanizmat mbrojtës të ëndrrave.

    Shkrimi – Leximi i teksteve në ëndrrat tona është pothuajse i pamundur. Tekstet shndërrohen në simbole ose abstraksione, sepse zonat e trurit që lidhen me gjuhën janë më pak aktive gjatë gjumit REM.

    Numrat – Si me tekstin, numrat dhe ekuacionet rrallë shfaqen qartë. Ata zakonisht duket se deformohen ose ndryshojnë kur i shikojmë. Truri ynë prodhon skena kryesisht nga ideja, jo nga detajet e sakta të realitetit.

    Shijet dhe aromat – Ndonëse mund të shihni ushqim ose tryezën e ngrënies në ëndrrë, pothuajse kurrë nuk ndjeni shijen ose aromën. Vetëm rreth 1% e njerëzve raportojnë eksperienca të tilla.

    Veten në pasqyrë – Shumë njerëz ëndërrojnë të shohin pasqyrën, por nuk shohin fytyrën e tyre të vërtetë. Reflektimi shpesh është i deformuar, i ndryshëm ose fantastik.

    Si të interpretoni ëndrrat tuaja

    Shkruani ëndrrën menjëherë pasi të zgjoheni.
    Lidheni çdo element me jetën tuaj dhe ndjenjat personale.
    Përdorni të parën gjë që ju shkon në mendje kur mendoni për simbolin.
    Krijoni një mesazh të qartë dhe kuptues për veten, duke kërkuar momentin “aha”.

    Ndërkohë që disa ëndrra mund të jenë shqetësuese, ato rrallë trajtojnë materiale të zgjidhura; ato i adresojnë atë që truri juaj ende përpiqet të kuptojë.

  • Përse Robert Berisha i dhuroi Nora Istrefit unazën me diamant?

    Përse Robert Berisha i dhuroi Nora Istrefit unazën me diamant?

    Një nga marrëdhëniet më të komentuar në skenën muzikore shqiptare është padyshim ajo mes Nora Istrefit dhe ish-bashkëshortit të saj, Robert Berisha. Edhe pse secili ka vijuar jetën e tij pas ndarjes, dyshja vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes sa herë që shfaqen bashkë në publik dhe kësaj here, një gjest i thjeshtë, por domethënës, e riktheu diskutimin mbi dinamikën e tyre.

    Gjatë një mbrëmjeje televizive ku e shkuara dhe e tashmja u përplasën në një mënyrë krejt të natyrshme, Nora Istrefi ishte e ftuara e radhës në emisionin e Robert Berishës. Takimi i tyre, i qetë dhe pa të papritura, u shndërrua shpejt në një atmosferë emocionale falë sinqeritetit dhe humorit që i karakterizon të dy.

    Nora foli për sfidat personale që nga mosha 22-vjeçare, periudhë kur karriera e saj sapo po ngjitej, ndërsa paralelisht po përballej me fejesën, martesën dhe më pas mëmësinë. Ajo tregoi se shpesh ishte e pasigurt nëse do të mund të rikthehej në të njëjtin ritëm pune, por pranoi se pavarësisht presioneve, çdo vendim e ka çuar aty ku është sot.

    Roberti ndërhyri me humor karakteristik, duke e pyetur me të qeshur: “A ke qenë e martume Nora se nuk e paskan dit?”, duke shkaktuar një moment të lehtë të cilin Nora e ktheu po me humor.

    Por momenti që i befasoi të gjithë erdhi kur ai nxori një kuti të vogël me bizhuteri dhe i dhuroi Norës një unazë diamanti që, siç tregoi, e kishte blerë në Shtetet e Bashkuara. Dhurata nuk ishte romantike ishte një premtim për vajzën e tyre, Renee-n.

    “Këtë unazë e mban ti deri sa Renee t’i bëjë 18 vjet”, i tha ai, duke e shndërruar objektin në një kujtim familjar që sipas tij duhet të udhëtojë me kohën derisa vajza të rritet.

    Nora, e surprizuar, reagoi me falënderim dhe humor: “Paska me u gëzu Renee për këto unaza shumë të bukura, edhe unë po ja përdori pak deri sa të rritet.”

    Roberti shtoi se unaza kushtonte rreth 10 mijë dollarë, detaj që e ndau po me humor për të zbutur intensitetin e momentit.

  • Ditë zie edhe në Çair, nesër mbledhje komemorative për Shpat Kasapin në Teatrin Shqiptar në Shkup

    Ditë zie edhe në Çair, nesër mbledhje komemorative për Shpat Kasapin në Teatrin Shqiptar në Shkup

    Kreu i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka njoftuat se Komuna e Çairit ka shpallur ditë zie për ndarjen nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi.

    Mexhiti njofton se nesër në Teatrin Shqiptar në Shkup do të ketë mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta të këngëtarit.

    “Sot, në mbledhjen e 4-të të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit, u miratua vendimi për shpalljen dite zie të ditës së hënë, dt. 1 dhjetor 2025, në territorin e komunës sonë. Ky vendim pasqyron pikëllimin dhe respektin e thellë të komunitetit tonë për humbjen e papritur të këngëtarit Shpat Kasapi, një artist i dashur që la gjurmë të veçanta në skenën muzikore shqiptare. Të martën, më 2 dhjetor 2025, në ora 13:00, në Teatrin Shqiptar në Shkup do të organizohet mbledhje komemorative, ku së bashku me qytetarët, miqtë dhe artdashësit do të shprehim nderimin për veprën dhe kontributin e tij. Po ashtu, libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur nga e marta deri të premten, në teater, për t’u mundësuar të gjithëve të lënë mesazhin e tyre të ngushëllimit. Vendimi për ditën e zisë hyn në fuqi ditën e publikimit në Fletën Zyrtare të Komunës së Çairit”, ka shkruar Mexhiti.

  • Dega e LDK-së në Vushtrri me peticion për kthimin e Xhafer Tahirit

    Dega e LDK-së në Vushtrri me peticion për kthimin e Xhafer Tahirit

    Dega e LDK-së në Vushtrri ka realizuar një peticion që kërkon kthimin e Xhafer Tahirit në krye të kësaj qendre pas dorëheqjes së tij.

    Në një postim në Facebook, sekretari i Degës, nënkryetarët dhe sekretari organizativ kanë dorëzuar në selinë qendrore të LDK-së peticionin, me të cilin kërkohet që të mos pranohet dorëheqja e Tahirit.

    “Ky peticion është nënshkruar nga 203 anëtarë të strukturës së Degës së LDK-së, ku përfshihen: themeluesit e Degës, asamblistët e zgjedhur, anëtarët e kryesisë, kryetarët e nëndegëve, dhe komisionerë, vëzhgues dhe aktivistë të Degës”, thuhet në njoftim.

    Dega e LDK-së në Vushtrri thekson se ky peticion ka për qëllim ruajtjen e unitetit dhe funksionimin e plotë të degës.

  • Abdixhiku prezanton aderimin e radhës, është një Gjeneral Major

    Abdixhiku prezanton aderimin e radhës, është një Gjeneral Major

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka prezantuar aderimin e radhës, Gjeneral Major Gëzim Hazrollin.

    Ish komandanti Brigadës 123 të UÇK-së ishte një nga të parët që udhëhoqi transformimin e TMK-së në FSK.

    “Sot, Lidhja Demokratike e Kosovës mirëpret një nga figurat më të shquara të mbrojtjes sonë kombëtare: Gjeneral Major Gëzim Hazrollin – ushtarakun që në luftë udhëhoqi me guxim, në paqe shërbeu me përkushtim, dhe në shtet ndërtoi me urtësi.
    Me mbi tre dekada uniformë, Hazrolli i bashkohet LDK-së jo vetëm si profesionist i rrallë, por si simbol i disiplinës, integritetit dhe karakterit që vendi ynë sot ka nevojë t’i rikthejë në qendër të jetës publike.
    Në vitet vendimtare të çlirimit, si Komandant i Brigadës 123, të UÇK-së, ai ishte ndër njerëzit që mbajtën vijën e frontit – me përgjegjësi dhe me sakrificë. I qetë në vendimmarrje, i saktë në udhëheqje, i palëkundur në detyrë. Prej atyre burrave që i kanë dhënë peshë fjalës komandant.
    Pas luftës, kur vendi kishte nevojë për themele të reja, Hazrolli ishte ndër të parët që vuri gurët e parë në ngritjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës; dhe ndër të parët që udhëhoqi transformimin e tyre në Forcë të Sigurisë së Kosovës, për t’i dhënë Republikës një ushtri moderne, profesionale, të besueshme për aleatët tanë.
    Nga viti 2009 deri në maj 2025, në pozitat më të larta drejtuese të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ai ishte pjesë e çdo procesi kyç të modernizimit: ngritja e kapaciteteve luftarake, profesionalizimi i trupës, ndërtimi i standardeve që sot e lidhin ushtrinë tonë me partnerët euroatlantikë.
    I formuar në institucionet strategjike më prestigjioze; Royal College of Defence Studies në Londër, Marshall Center në Garmisch, programet ekzekutive në Monterey, California; Gjenerali Hazrolli është ndër ekspertët më të plotë që ka prodhuar sistemi ynë i sigurisë.
    Për shërbimin e tij, Republika e ka nderuar me Medaljen Presidenciale Ushtarake, Medaljen për Shërbime të Shquara, Medaljen e Karrierës – dekorata që mbahen pak, meritohen shumë dhe trashëgohen me krenari.
    Sot, ardhja e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës përçon një mesazh të qartë:
    njerëzit e shtetit po kthehen në politikë; njerëzit e përgjegjësisë po bashkohen në një projekt që synon rend, stabilitet dhe orientim të palëkundur euroatlantik.
    Gjeneral Hazrolli i bashkohet LDK-së për një arsye të thjeshtë dhe të madhe: sepse Kosova ka nevojë për shtet, jo spektakël; për institucione të përgatitura, jo improvizim; për drejtim të qetë, të matur dhe të sigurt – jo aventurë politike.
    Mirë se vjen, Gjeneral Gëzim Hazrolli.
    Në këtë shtëpi politike, do të gjesh vlerat që i mbron prej tri dekadash: nderin, disiplinën, besën dhe përkushtimin ndaj Republikës.
    Udhëtimi ynë për një Kosovë më të sigurt, më të fortë dhe më evropiane sot bëhet më i fuqishëm” shkruan Abdixhiku në njoftim.

  • S’lejohet që Zyrapi të shtohet në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, i pranohen pesë dëshmitë me shkrim

    S’lejohet që Zyrapi të shtohet në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, i pranohen pesë dëshmitë me shkrim

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim që dëshmitarin Bislim Zyrapi të mos lejohet që mbrojtja e Hashim Thaçit ta shtojë në listën e dëshmitarëve të saj, por u lejua pranimi i pesë deklaratave të tij të mëhershme me qëllim të krahasimit të dëshmive për shkaqe të qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së tij.

    Ndryshe, mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar autorizim për ta shtuar Zyrapin në listën e saj të dëshmitarëve dhe të pranojë pesë deklarata të tij të mëhershme sipas Rregullës 153, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Mbrojtja kishte argumentuar se ekziston arsye e rëndësishme për aprovimin e kërkesës së tyre, me arsyetimin se Zyrapi është një dëshmitar shumë i rëndësishëm për të gjitha palët në këtë çështje.

    Përveç kësaj, mbrojtja kishte thënë se me aprovimin e kërkesës së tyre, nuk shkaktohet asnjë paragjykimi për palët- pasi dëshmitari dhe dëshmitë e tij janë të njohura mirë për palët dhe pjesëmarrësit, përveç kësaj, deklaratat e tilla i janë paraqitur dëshmitarit gjatë dëshmisë së tij në korrik 2024 dhe nuk do të shkaktonte asnjë vonesë në procedurë.

    Mbrojtja ka thënë se këto deklarata duhet të pranohen pasi ato përmbajnë prova lehtësuese të cilat nuk mund të injorohen.

    Veç kësaj, mbrojtja ka thënë se Zyrapi është i disponueshëm edhe për marrje në pyetje, gjë që përmbush një prej kërkesave kyçe sipas Rregullës 153.

    Prokuroria kishte thënë se deklaratat nuk janë të besueshme në vetvete dhe nuk plotësojnë kriteret e domosdoshme sipas Rregullës 153, si dhe kjo rregull nuk mund të përdoret për të anashkaluar Rregullën 155.

    Veç kësaj, Prokuroria pretendon se mbrojtja e kishte mundësinë që ta merrte në pyetje dëshmitarin në lidhje me çështjet përkatëse gjatë kohës kur ai dëshmoi në sallën e gjyqit në vitin 2024.

    Në replikën e saj, mbrojta ka thënë se ZPS-ja po kërkon që të imponojë një lexim tepër formal të rregullave, duke shtuar se vetë praktika e deritanishme e DhSK-së tregon se Rregulla 153 është aplikuar në raste kur materiali nuk kualifikohet si deklaratë në kuptimin teknik të Rregullës 155.

    “Sipas mbrojtjes: (i) Pesë Deklaratat nuk bien nën Rregullën 155 sepse nuk janë deklarata të marra nga ZPS, por materiale dokumentare të krijuara në rrethana të tjera; (ii) prandaj, Rregulla 153 është rruga e duhur; dhe (iii) ZPS nuk i ka sfiduar dot elementet kyçe të pranueshmërisë. Mbrojtja shton se ZPS është vetë autor i një pjese të koklavitjes procedurale që e ka sjellë këtë çështje deri në këtë pikë”, thotë mbrojtja sipas vendimit.

    Megjithatë, Prokuroria s’e ka kundërshtuar pranimin e pesë deklaratave sipas Rregullës 138, por vetëm për qëllime të krahasimit dhe jo për të vërtetuar të vërtetën e përmbajtjes së tyre.

    Mbrojtja ka theksuar se ndryshe nga ajo se çfarë sugjeron Prokuroria, çdo paraqitje sipas Rregullës 153 kërkon që dëshmitari të jetë në listën e dëshmitarëve të palës që e paraqet.

    Kurse, trupi gjykues ka thënë se mbrojtja nuk ka shpjeguar se pse ka pritur deri në fund të paraqitjes së saj të provave për të kërkuar pranimin e këtij materiali me ndryshimet përkatëse në listën e dëshmitarëve të saj.

    Trupi gjykues tutje ka thënë se pranimi i këtyre deklaratave i nënshtrohet kritereve specifike të parashikuara me Rregullat 153 dhe 155.

    Veç kësaj, u tha se pesë deklaratat përmbajnë informacion që shkojnë drejtpërdrejt në provimin e akteve dhe sjelljen e të akuzuarve siç përshkruhet në aktakuzë, por pranimi i saj sipas Rregullës 153 do të anashkalonte skemën procedurale dhe do t’iu mohonte palëve të tjera mundësinë për të pyetur dëshmitarin për këto çështje.

    Trupi gjykues ka vlerësuar se nuk është e nevojshme që të shtohet Zyrapi në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes, por kjo e fundit së bashku me Prokurorinë ka thënë që pesë deklaratat mund të pranohen sipas Rregullës 138, me qëllim të kufizuar për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë së dëshmisë së Zyrapit.

  • Arrestohet vushtrriasi për dy raste të vjedhjeve të naftës

    Arrestohet vushtrriasi për dy raste të vjedhjeve të naftës

    Policia e ka arrestuar një person për veprën penale “Vjedhje” në qytetin e Vushtrrisë, të hënën.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se nga provat dhe informacionet e siguruara gjatë hetimit, dyshohet se i dyshuari gjatë muajit nëntor, në intervale të ndryshme kohore, “në dy raste ka kryer vjedhje të sasisë së naftës, ku i dyshuari kishte vjedhur naftë nga gjeneratori i ankuesit”.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

  • Trafiku Urban: Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, u kërkojmë falje qytetarëve

    Trafiku Urban: Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, u kërkojmë falje qytetarëve

    Ka vazhduar edhe sot protesta e punëtorëve të “Trafikut Urban” si dhe operatorëve privatë në kryeqytet.

    Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi ka thënë se s’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë pa u alokuar paratë.

    Sipas tij, Komuna i detyrohet “Trafikut Urban” 2.4 milionë euro. Ai gjithashtu i kërkoi falje qytetarëve për situatën e krijuar, por që siç tha kjo zgjedhje u është imponuar.

    “Protesta vazhdon dhe sot edhe tutje deri në alokimin e mjeteve borxh që detyrohet Komuna të lshyjë borxhet ndaj ‘Trafikut urban’ dhe operatorëve privatë. Deri në këto momente, vendimi që është marrë ditën e enjte për bartjen e të hyrave vetjake për vitin 2024 në vitin 2025 që arrin vlera e asaj shume 28 milionë është dërguar nga Komuna te Ministria e Financave. Po presim nga Ministria e Financave për të kthyer këtë vendim me pozitivitet për ne gjë që i alokon ato mjete që është ai vendim. Komuna i detyrohet Trafikut Urban 2.4 milionë borxh. Shpresojmë që sot ose nesër mos po reflektojnë. Në momentin që alokohen paratë ne dalim në punë, gjysmë ore na duhet kohë për tu kthyer në normalitet. Sa të realizohet bartja ne fillojmë punën. Qytetarëve u kërkojmë falje. S’është bërë kjo me dashjen tonë, na është imponuar”, tha ai.

  • Propozohet shkarkimi i kryesuesit dhe kërkohet që Agron Qalaj ta lëshojë mbledhjen e KPK-së

    Propozohet shkarkimi i kryesuesit dhe kërkohet që Agron Qalaj ta lëshojë mbledhjen e KPK-së

    Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), anëtari Visar Krasniqi ka propozuar të shkarkohet nga pozita kryesuesi Ardian Hajdaraj dhe më pas kanë lëshuar sallën bashkë me Veton Shabanin.

    Siç raporton Betimi për Drejtësi, Krasniqi ka kërkuar edhe nga Agron Qalaj, i caktuar tash U.D. i kryeprokurorit të Shtetit, që ta lirojë takimin e Këshillit, me arsyetimin se është person i paautorizuar të qëndrojë në këtë takim.

    “Propozimi im është shkarkimi yt nga pozita e anëtarit të Këshillit dhe automatikisht bie edhe prej kryesuesit. Meqenëse jemi bë hajgarexhi në takime të Këshillit, po bëjmë propozime qysh na teket, qysh na vijnë ndër mend”, tha Krasniqi.

    Kujtojmë se Qalaj u caktua në këtë pozitë, pas shkarkimit të Besim Kelmendit, vendim ky që u quajt i paligjshëm dhe ndaj tij pati reagim nga ambasada amerikane.