ATV

Author: K.B.

  • Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përgatitet fuqishëm për zgjedhje.

    Partia e Ramush Haradinajt do të futet në zgjedhje me dy ish-kryeministra, liderin Haradinaj dhe ish-kryeministrin Agim Çeku.

    Ky i fundit do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Më 2 mars të vitit 2006, pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi, partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e propozoi Çekun për kryeministër.

    Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atëbotë ushtarakun si kryeministër të vendit.

  • Vrasja makabre e blogeres austriake, trupi i saj gjendet në një valixhe

    Vrasja makabre e blogeres austriake, trupi i saj gjendet në një valixhe

    Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur publikun në Austri dhe Slloveni. Trupi i Stefanie Pieper, blogeres austriake 31-vjeçare e zhdukur më 23 nëntor nga Graz, u gjet të premten e kaluar i fshehur në një valixhe në një pyll në Slloveni.

    Autoritetet njoftuan se ish-i dashuri i saj, gjithashtu 31-vjeç, ka pranuar se e ka mbytur duke e shtrënguar dhe më pas i ka treguar policisë vendin ku e kishte fshehur trupin.

    Pieper ishte zhdukur pas kthimit nga një festë e Krishtlindjeve. Fillimisht ajo i kishte dërguar miqve një mesazh për të njoftuar se kishte mbërritur e sigurt, por më pas shprehu frikën se dikush e kishte ndjekur deri te shkallët e ndërtesës ku banonte. Kur nuk u paraqit për një sesion fotografik të planifikuar dhe nuk u gjend më, familjarët dhe kolegët e saj njoftuan menjëherë policinë.

    Hetimet zbuluan gjurmë gjaku në kornizën e një dere, ndërsa dëshmitarët raportuan një grindje midis Pieper dhe ish-i dashurit të saj të dielën e zhdukjes. Pas debatit, ish-i dashuri u largua me një objekt voluminoz, kaloi kufirin drejt Sllovenisë dhe më pas u kthye në Austri. Ai u ndalua të hënën, më 24 nëntor, pasi kishte tentuar të digjte makinën e tij të kuqe, Volkswagen Golf, pranë kazinosë Mond në Sentilj, afër kufirit me Austri.

    Ish-i dashuri, Patrik M., u ekstradua më pas në Austri, ndërsa babai dhe vëllai i tij janë arrestuar. Qentë e policisë sllovene gjithashtu kanë kontrolluar prona pranë Mariborit që i përkisnin familjes së dyshuarit.

    Ngjarja dramatike ka shkaktuar tronditje të madhe në publik dhe po hetohet intensivisht nga autoritetet e të dy vendeve.

  • Gjashtë të vdekur këtë vit në Kosovë si pasojë e HIV-AIDS, 31 raste të reja

    Gjashtë të vdekur këtë vit në Kosovë si pasojë e HIV-AIDS, 31 raste të reja

    Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë së HIV/AIDS, megjithatë vetëm gjatë këtij viti sipas statistikave janë regjistruar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e saj.

    Këto të dhëna janë prezantuar në tryezën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër AIDS.

    Përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë, Merita Vuthaj, u shpreh se përballja me HIV/AIDS-in mbetet një sfidë globale. Ajo theksoi angazhimin e këtij dikasteri për të forcuar sistemin shëndetësor, në mënyrë që shërbimet shëndetësore për këtë sëmundje të jenë të qasshme për të gjithë.

    Vuthaj njoftoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm do të nisë shpërndarja e terapisë PrEP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor.

    “Në fillim të vitit 2024… kemi filluar dhe në vazhdimësi të vitit 2025 po vazhdon MSh me implementimin dhe funksionalizimin me sukses të sistemit të digjitalizimit për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse që tashmë është i njohur SMSN, një nismë e rëndësishme për përmirësimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të sëmundjeve ngjitëse. Ky sistem i kohës e modern po ofron mundësi për mbledhje dhe analizim të të dhënave në kohë reale, element i rëndësishëm për luftimin e kësaj sëmundje ngjitëse….. Në fillim të vitit 2026, Ministria e Shëndetësisë do të filloj pilotimin e shpërndarjes së terapisë së PrEP-it(profilaksia para-ekspozimit për HIV) në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, aktivitet ky i cili ka rrjedh nga një nismë për hartimin dhe hulumtimin e PSO-së për shpërndarjen e PREP në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor dhe kjo do t’i hap rrugë parandalimit dhe përhapjes së HIV, sidomos në grupet me rrezik të lartë“, tha ajo.

    Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Ardita Baraku tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale karshi HIV/AIDS për shkak të kufizimit të fondeve.“Viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS sepse në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve me të cilat është rrezikuar përparimi për kontrollin e kësaj sëmundje gjegjësisht arrija e asaj që është planifikuar deri në vitin 2030. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe edhe me cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve…..Këto terapi që janë pa pagesë edhe testimet janë pa pagesë ndihmojnë që të mos kemi të këtyre llojeve sa i përket pabarazisë, por ende mbetet sfida e dinjitetit dhe jetës normale apo dinjitoze në shoqëri”, deklaroi Baraku.

    Udhëheqësi i programit për rini në UNFPA, Besnik Sherifi tha se sëmundja HIV mbetet problem global i shëndetit publik duke marr mbi 44 milionë jetë deri sot.

    Sherifi potencoi se si UNFPA në Kosovë kanë kontribuar në parandalimin e HIV/AIDS përmes programeve të shumta.

    “Në fund të vitit 2024 rreth 40.8 milionë njerëz jetonin me HIV shumica në rajonin afrikan dhe vetëm gjatë vitit 2024 630 mijë persona humbën jetën nga shkaqet e lidhura me HIV, ndërsa 1.3 milionë u infektuan. Përparimi në parandalimin e HIV është çelësi për një brezë të lirë nga SIDA…megjithatë, shkurtimet e mëdha të fondeve kanë goditur rëndë programet e parandalimit duke lënë milionë njerëz pa qasje në ilaçe jetike dhe duke rritur rrezikun e infeksioneve të reja veçanërisht tek vajzat dhe gratë e reja….Në Kosovë UNFPA ka përkrahur programe të shumta në fushën e parandalimit të HIV që nga viti 1999 duke punuar me qindra e mijëra të rinj”, theksoi ai.

    Luljeta Gashi nga Departamenti i Epidemiologjisë pranë IKSHPK-së, u shpreh se Kosova ka shkallë të ulët të epidemisë me HIV, megjithatë vetëm vitin aktual janë raportuar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur.

    Sipas Gashit, moshat më të prekura janë ato 25-35 vjeç, derisa meshkujt janë më të infektuar me HIV me gjithsej 82%.

    “Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë ku prevalenca e HIV në mesin e popullatës së përgjithshme është nën 1% dhe në subpopullata nën 5%. Të dhënat ekzistuese dëshmojmë se ne nuk kemi epidemi të koncentruar apo gjeneralizuar të HIV-infeksionit. Që nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej 246 raste me HIV/AIDS. Deri më tani 57 persona kanë vdekur si pasojë e HIV/AIDS dhe gjatë këtij viti 2025 janë raportuar 31 raste me HIV/AIDS dhe 6 raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it. Rastet me HIV/AIDS në Kosovë që nga viti 1986 deri në vitin 2025 shohim një rritje të rasteve nga viti 2022 kur i kemi 21 raste, në vitin 2023 20, në vitin 2024 i kemi pas 34 raste….Numri më i madh i rasteve është shënuar në komunën e Prishtinës janë 76 raste me 12 raste t] vdekjes si pasoj e AIDS. Pastaj, është komuna e Prizrenit me 32 raste me 5 të vdekur. HIV/AIDS mbetet një sëmundje akoma me mbizotërim urban….Sipas gjinisë 82% i përkasin gjinisë mashkullore dhe 18% janë të gjinisë femërore. Numri i rasteve sipas grup-moshës. Shpërndarja sipas grup-moshës tregon se në vendin tonë dominon grup-mosha 25-34 vjeç me 35% e ndjekur nga grup-mosha 35044 vjeç me 23%”, tha ajo.

    Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës rrugët e përhapjes së HIV-AIDS-it, janë heteroseksuale me 48%, e pasuar nga 35% homoseksuale

    Prej vitit 1988, 1 Dhjetori njihet në të gjithë botën si dita kundër virusit vdekjeprurës, HIV/AIDS.

    Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it organizohet çdo vit më 1 Dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS-in, dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie.

  • Deri tani, 24 mijë e 500 aplikime për të votuar nga diaspora, refuzohen rreth 3 mijë e 500

    Deri tani, 24 mijë e 500 aplikime për të votuar nga diaspora, refuzohen rreth 3 mijë e 500

    Nga KQZ kanë bërë të ditur se vetëm nga data 26 deri më 30 nëntor kanë pranuar 24 mijë e 500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se nga këto janë aprovuar 14 mijë e 500, ndërsa janë refuzuar rreth 3 mijë e 500 prej tyre. Poashtu ai tha se mbi 6 mijë të tjera janë në vlerësim e sipër.

    “Nga data 26 nëntor dhe deri më 30 nëntor, pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosoës, prej të cilave janë aprovuar mbi 14,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,500. Në vlerësim e sipër janë rreth 6,400 aplikime”, tha Elezi.

    Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

    “Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

    KQZ i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, tha Elezi.

  • Krasniqi apelon tek mërgata të regjistrohen për votime për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Krasniqi apelon tek mërgata të regjistrohen për votime për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ish-kryetari I Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka ftuar bashkatdhetarët të regjistrohen për votim në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

    Në postimin e tij në Facebook, Krasniqi është shprehur se roli I mërgatës për Kosovën ka qenë gjithmonë i pazëvendësueshëm, dhe mbetet i tillë edhe sot.

    “Ju ftoj të regjistroheni për votim deri më 6 dhjetor në diaspora.kqz-ks.org. E ju që do të jeni fizikisht mes nesh, ju mirëpresim krahëhapur dhe me zemrat plot. Le ta bëjmë 28 dhjetorin ditë të bashkimit dhe të fitores sonë.”, ka shkruar Krasniqi.

  • Një sandviç mobilizon gjithë ushtrinë spanjolle, kjo është arsyeja

    Një sandviç mobilizon gjithë ushtrinë spanjolle, kjo është arsyeja

    Ushtria spanjolle është mobilizuar këtë të hënë për të frenuar një shpërthim të etheve afrikane të derrave pranë Barcelonës. Zyrtarët thonë se rasti mund të jetë shkaktuar nga një derr i egër që hëngri ushqim të kontaminuar, siç është një sanduiç, duke shkaktuar një zinxhir ngjarjesh që tani po prish një industri multimiliardë euroshe të eksportit të mishit të derrit.

    Spanja konfirmoi të premten se dy derra të egër të gjetur të ngordhur në parkun Collserola, 21 km nga Barcelona, ​​​​kishin rezultuar pozitivë për sëmundjen, duke nxitur krijimin e një zone karantine prej 6 km rreth zonës së prekur në Bellaterra.

    Autoritetet tani po analizojnë raste të tjera të dyshuara në zonë dhe presin shfaqjen e rasteve të tjera.

    “Hipoteza më e mundshme… është që mishi i ftohtë, një sanduiç, ushqim i kontaminuar, mund të ketë përfunduar në një kosh plehrash. Duhet të marrim parasysh se Bellaterra është një zonë me shumë trafik nga e gjithë Evropa dhe pastaj një derr i egër mund ta ketë ngrënë atë dhe të jetë infektuar”, tha sot ministri i Bujqësisë Katalanase, Oscar Ordeig, për Catalunya Radio.

    Murtaja afrikane e derrave është e padëmshme për njerëzit, po përhapet me shpejtësi midis derrave dhe derrave të egër, duke paraqitur një rrezik të konsiderueshëm ekonomik për Spanjën, një nga eksportuesit më të mëdhenj të mishit të derrit në botë.

    Zona e kontaminuar ndodhet pranë autostradës AP-7, një rrugë kryesore transporti që lidh Spanjën dhe Francën. Ordeing tha se mungesa e derrave të egër të infektuar diku tjetër në Katalonjë dhe Francë do të thotë se transporti i ushqimit të kontaminuar nga njerëzit mund të ketë sjellë virusin.

    Përpjekjet për të kontrolluar sëmundjen u intensifikuan të dielën, me 300 policë dhe roje bujqësore katalanase të vendosur në terren, të ndjekur nga 117 anëtarë të njësisë ushtarake të emergjencës (UME).

    Ministri i Bujqësisë i Spanjës, Luis Planas, tha të shtunën se rreth 1/3 e certifikatave të eksportit të mishit të derrit në vend ishin sekuestruar si rezultat i shpërthimit, megjithëse deri më tani nuk ishte prekur asnjë fermë. Fermat e derrave brenda një rrezeje prej 20 kilometrash nga shpërthimi fillestar po përballen me kufizime në operacionet dhe shitjet e tyre.

  • Amerika ultimatum presidentit të Venezuelës: Dorëhiqu menjëherë

    Amerika ultimatum presidentit të Venezuelës: Dorëhiqu menjëherë

    Përderisa administrata e Donald Trumpit përgatitet për operacione të mundshme tokësore brenda Venezuelës, një telefonatë midis Shtëpisë së Bardhë dhe Karakasit i dha ultimatum të ashpër presidentit Nicolas Maduro, dorëheqje të menjëhershme në këmbim të kalimit të sigurt.

    Raportohet se në telefonatën e javës së kaluar, Washingtoni këmbënguli që Maduro dhe aleatët kryesorë, përfshirë gruan e tij, Cilia Flores dhe djalin, të largoheshin menjëherë nga vendi për të hapur rrugën për qeverisje demokratike.

    Thuhet se Maduro kërkoi “amnisti globale për çdo krim që ai dhe grupi i tij kishin kryer, dhe kjo u refuzua”.

    “Së dyti, ata kërkuan të mbanin kontrollin e forcave të armatosura, ngjashëm me atë që ndodhi në Nikaragua në vitin 1991 me Violeta Chamorron. Në këmbim, ata do të lejonin zgjedhje të lira.”

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump konfirmoi të dielën se pati një telefonatë me Maduron, por nuk pranoi të jepte detaje rreth bisedës.

    Konfirmimi erdhi mes tensioneve në rritje midis Washingtonit dhe Karakasit, me Trumpin që kohët e fundit ka deklaruar se hapësira ajrore e Venezuelës do të “mbyllet plotësisht”.

  • Si të kurseni sa më shumë energji elektrike në ditët e ftohta?

    Si të kurseni sa më shumë energji elektrike në ditët e ftohta?

    Edhe pse në ditët e sotme mund të gjeni shumë paisje elektronike e sidomos ato elektroshtëpiake të afta për të kursyer energji, këtë mund ta arrini edhe me ndryshimin e zakoneve tuaja të përditshme, pa pasur nevojën e zëvendësimit të të gjithë paisjeve tuaja të vjetra.

    Ndaj në këtë artikull ne do t’ju njohim me disa sugjerime që mund të ndihmojnë në uljen e tarifës së faturës mujore të energjisë elektrike.

    Hapni perdet në orët e ngrohta

    Ka nga ata njerëz që preferojnë ambientet e errëta, megjithatë kjo nuk mund të jetë zgjedhja më e zgjuar për faturën tuaj të energjisë. Nëse nuk i hapni asnjëherë perdet gjatë orëve të ngrohta të ditës për të lejuar diellin të deportojë brenda, dijeni se po shpenzoni energji. Drita natyrale e diellit është një nga metodat më natyrale dhe pa asnjë kosto e ngohjes së shtëpisë tuaj. Mbajini predet e hapura, e gjithashtu kujdesuni që xhamat e dritareve të jenë gjithmonë të pastra, për të lejuar kështu sa më shumë dritë dhe nxehtësi të hyjnë në shëpi gjatë ditës. Më vonë, gjatë pasditës, këshillohet që t’i mbyllni perdet për të ruajtur ngohtësinë që morët në orët e mëparshme.

    Riparoni dritaret dhe dyert

    Nëse keni dyer dhe dritare të dëmtuara në shtëpi, është koha të merrni masa për to. Mbushja e hapësirave të krijuara në kornizat e dyerve ose dritareve, apo zëvendësimi i dritareve dhe dyerve të vjetra, mund të përmirësojë izolimin e shtëpisë tuaj. Edhe pse kjo mund të kushtojë dhe të kërkojë kohë, mbetet një mënyrë e mirë për të mos lejuar ajrin e ftohtë të futet brenda dhe të ngrohtin të dalë jashtë. Por, nëse nuk keni mundësi për ta bërë këtë, një mënyrë interesante është duke vendosur peshqirë ose batanije të palosur përgjatë dritareve dhe fundeve të dyerve.

    Gatuani me elektroshtëpiaket e vogla

    Nëse tashmë zotëroni pajisje elektrike më të vogla si mikrovala, apo një tenxhere elektrike me presion, përdorini ato në vend të furrës. Për shembull, ringrohja e ushqimit në mikrovalë dhe jo në furrën e sobës, ju kursen më tepër energji sepse ushqimi përgatitet në më pak kohë.

    Ulni temperaturën e ujit të ngrohtë

    Ngrohësit e ujit shpesh vendosen në temeratura shumë të larta për ta nxehur atë shumë më shpejt, por ju e keni në dorë ta ndryshoni këtë gjë, duke e ulur temperaturën e tyre. Kjo mënyrë do t’ju ndihmojë të kurseni pak energji. Mos u shqetësoni! Sepse ju ende do të keni ujë të nxehtë në rubinet, dhe nuk do të jetë nevoja të shpenzoni shumë për të.

    Lani rrobat në ujë të ftohtë ose të ngrohtë

    Kalimi nga uji i nxehtë në të ngrohtë, kur lani rrobat me lavatriçe, mund të përgjysmojë konsumin e energjisë. Dhe për më tepër, uji i ftohtë ose i ngrohtë është gjithmonë më i miri për rrobat tuaja. Edhe pse uji i nxehtë mund t’i pastrojë më mirë veshjet e ndotura, ai gjithashtu mund t’i prishë më shpejt ato.

    Me shumë shtroja

    Pavarësisht nga lloji i ngrohjes që përdorni, ne ju këshillojmë që të shtroni në shtrat më tepër pëluhura që do t’ju mbajnë ngrohtë edhe në ditët më të ftohta. Kështu nuk keni pse të mbani ndezur për orë të tëra ngrohësen. Nëse gjatë gjumit këmbët tuaja janë gjithmonë të ftohta, çorapet e leshta ose ato prej pambuku, janë një tjetër mënyrë e shkëlqyer për tu ngrohur.

    Mbani batanije dhe pulovra

    Në fund të fundit mamatë dhe gjyshet kishin gjithmonë të drejtë kur na këshillonin të visheshim trashë edhe kur qëndronim në shtëpi. Edhe një këshillë e fundit! Mos i lini më batanijet të qëndrojnë për vite të tëra në dollap, por mbani një të tillë pranë divanit tuaj. Kështu mund të qëndroni më ngrohtë ndërsa shihni emisionin tuaj të preferuar.

  • Gërvalla uron Rifat Jasharin: Jemi me fat që të kemi, simboli i Kosovës

    Gërvalla uron Rifat Jasharin: Jemi me fat që të kemi, simboli i Kosovës

    Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla ka uruar Rifat Jasharin me rastin e ditëlindjes së tij të 79-të.

    Në një postim në Facebook, Gërvalla ka shprehur mirënjohje për vëllain e komandantit legjendar Adem Jashari, për sakrificën që familja Jashari dha për Kosovën.

    “I dashur Baci Rifat, sot, në ditëlindjen tënde, dua të të falënderoj për shumëçka, për një jetë të tërë, që ti dhe familja e madhe Jashari, gjithmonë ia kushtoni Kosovës, por sidomos të të falënderoj që dhimbja e sakrifica, por edhe barra e rëndë që mban mbi supet e tua, nuk të ligështon e as të thyen asnjë herë. Ne jemi me fat që të kemi. Të fortë dhe të qëndrueshëm si një lis që nuk e lëkund era e as shtrëngata sepse i ka rrënjët thellë në zemër të Kosovës dhe lirisë së saj!”, ka shkruar Gërvalla.

    Ajo ka uruar që Rifat Jashari të jetoj edhe për shumë vite të tjera.

    “Të paçim edhe për shumë vite, kështu të fortë, të pathyeshëm nga sfidat, nga vitet e nga vështirësitë, të cilat ende nuk kanë pushuar për Kosovën. E përjetshme është mirënjohja për Ty dhe për të gjithë familjen Jashari, që është jo vetëm krenari, por edhe simbol i Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

  • Baleti Kombëtar i Kosovës paraqitet sonte me “Carmina Burana” në Potenza të Italisë

    Baleti Kombëtar i Kosovës paraqitet sonte me “Carmina Burana” në Potenza të Italisë

    Pas paraqitjes historike në Teatro Malibran në Venecia, Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon turneun e shfaqjeve në Itali, ku sonte do të shfaqet në qytetin Potenza me shfaqjen “Carmina Burana” me koreografi nga Toni Candeloro.

    E konsideruar si një nga pjesët muzikore më ikonike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, “Carmina Burana” është frymëzuar nga tekstet mesjetare që festojnë fatin, dashurinë dhe ciklikitetin e jetës.

    Në vizionin koreografik të Toni Candeloro, ndëshkimi neoklasik, energjia moderne dhe sugjerimet simbolike ndërthuren së bashku në një rrëfim universal që rrit fuqinë e formës dhe lirinë e shrehjes.