ATV

Author: K.B.

  • FSK stërvitje ushtarake në Koliq dhe Badovc fundjavën tjetër, Komuna del me njoftim

    FSK stërvitje ushtarake në Koliq dhe Badovc fundjavën tjetër, Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se gjatë datave 12 dhe 13 dhjetor, Forca e sigurisë së Kosovës do të realizojë stërvitje ushtarake në fshatin Koliq dhe zonën e Badovcit.

    Përmes një njoftimi, Komuna ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të këmbësorisë dhe automjeteve ushtarake në terren.

    “Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim. Faleminderit për mirëkuptimin! 🙏”, thuhet në njoftim.

  • Milan Radojeviq betohet si Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

    Milan Radojeviq betohet si Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

    Në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut ka arritur fituesi i zgjedhjeve lokale në këtë komunë.

    Kryetari i ri kësaj komune është Millan Radojeviq.

    Radojeviq tanimë është betuar si Kryetari i ri i veriut të Mitrovicës, transmeton lajmi.net.

    Ndryshe në vend të Erden Atiqit në Mitrovicë e Veriut vjen Milan Radojeviq.

    Në Leposaviq e përfundon mandatin Lulzim Hetemi dhe e merr Zoran Todiq.

    Në Zveçan largohet Ilir Peci dhe vendoset Dragisha Miloviq.

    E në Zubin Potok mandatin e kryetarit e merr Milosh Peroviq.Me këtë rast edhe Izmir Zeqiri përfundon udhëheqjen e tij.

  • Asamblistët e Graçanicës kanë dhënë betimin, Novak Zhiviq kryetari i ri i Komunës

    Asamblistët e Graçanicës kanë dhënë betimin, Novak Zhiviq kryetari i ri i Komunës

    Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Graçanicës sot, në seancën solemne, dhanë betimin dhe morën detyrën në parlamentin lokal për katër vjetët e ardhshme. Po ashtu, betimin e dha edhe kryetari i porsazgjedhur i Graçanicës nga Lista Serbe, Novak Zhiviq.

    Përbërja e re e KK Graçanicë përfshin 19 këshilltarë – 13 nga Lista Serbe, katër nga Aleanca për Shqiptarët dhe dy nga partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”.

    “Deklaroj solemnisht se do të kryej detyrat e mia dhe do të përdor autorizimet e mia si këshilltar i Kuvendit Komunal të Graçanicës, me nder, besnikëri, paanshmëri, me ndërgjegje dhe sipas ligjit, për të mundësuar krijimin e kushteve për një jetë të qetë për të gjithë qytetarët”, thuhet në betimin që kanë dhënë këshilltarët.

    Novak Zhiviq e merr detyrën e kryetarit të komunës së Graçanicës nga Lilana Shubariq, e cila ka qenë në krye të komunës gjatë katër vjetëve të fundit.

    Këshilltari Lubisha Karaxhiq ka thënë se shpreson në bashkëpunim konstruktiv në mënyrë që të arrihet dialog pozitiv për të mirën e të gjithë qytetarëve të Komunës së Graçanicës.

    Ai, në emër të Listës Serbe, propozoi Millan Dimitrijeviqin për kryesues të KK Graçanicë.

    Lista Serbe, në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, fitoi 6.868 vota, përkatësisht 63.98 për qind; Aleanca për Shqiptarët 22.95 për qind; Për liri, drejtësi dhe mbijetesë 10.08 për qind; Lëvizja Popullore Serbe 2.01 për qind; dhe Aleanca e Kosovës 0.98 për qind.

  • Petrit Hajdari tërhiqet nga gara për deputet

    Petrit Hajdari tërhiqet nga gara për deputet

    Petrit Hajdari, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

    Ai ka bërë publike vendimin përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe strukturave të PDK-së, duke shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e marrë ndër vite, përfshirë edhe rreth 17 mijë votat në zgjedhjet e fundit parlamentare. Hajdari ka falënderuar gjithashtu ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e dhënë.

    “Me krejt forcën time do të jem në mbështetje të PDK-së, siç kam qenë gjithmonë”, ka shkruar ai, duke theksuar se për dallim nga të tjerët, ai i respekton vendimet e partisë edhe kur nuk është dakord me to.

    Hajdari tha se nuk dëshiron të bëhet pengesë e bashkimit të synuar nga partia, megjithëse beson se ky vendim nuk është në të mirën e PDK-së. Ai shtoi se nuk mund të tradhtojë përkrahjen e qytetarëve që e kanë mbështetur në secilën garë zgjedhore.

    “Përkundër kërkesës së kryetarit dhe kryesisë, kam vendosur të mos jem kandidat, por do të jem krah për PDK-në, kandidatët tanë dhe Bedri Hamzën për kryeministër”, shkroi ai në fund të njoftimit.

    Hajdari u shpreh falënderues për të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur gjatë viteve, duke konfirmuar se mbetet i përkushtuar ndaj PDK-së dhe angazhimeve të saj politike.

  • KRU “Hidrodrini” paralajmëron qytetarët për kujdes ndaj ujëmatësve me ardhjen e dimrit

    KRU “Hidrodrini” paralajmëron qytetarët për kujdes ndaj ujëmatësve me ardhjen e dimrit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka lëshuar një njoftim për konsumatorët, duke u bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj ujëmatësve dhe tubacioneve të ujit me fillimin e sezonit Vjeshtë/Dimër.

    Sipas kompanisë, tubacionet dhe ujëmatësit që janë të ekspozuar ndaj temperaturave të ulëta kanë rrezik të ngrirjes, sidomos ata të vendosur në mure të paizoluar, garazhe, bodrume ose nën sipërfaqe të tokës.

    KRU “Hidrodrini” u rekomandon qytetarëve të bëjnë izolimin e ujëmatësve dhe tubave, si brenda pronës ashtu edhe në pusetat ku janë të vendosur matësit kryesorë.

    Vendosja e materialeve që pengojnë depërtimin e ajrit të ftohtë dhe shtimi i izolimit në muret e jashtme ndihmon në parandalimin e dëmtimeve.

    “Ju jeni përgjegjës për mbrojtjen e ujëmatësve dhe tubacioneve në pronën tuaj. Kujdesi paraprak mund të shmangë ndërprerje të furnizimit dhe dëmtime të mëdha,” njoftoi Zyra për Media e KRU “Hidrodrini”.

  • Vuçiq akuzon Kroacinë: Është bërë bashkë me Kosovën e Shqipërinë për ta penguar Serbinë

    Vuçiq akuzon Kroacinë: Është bërë bashkë me Kosovën e Shqipërinë për ta penguar Serbinë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq foli përsëri për marrëdhëniet me Kroacinë në një paraqitje televizive duke akuzuar se Zagrebi, siç u tha Vuçiq, po bllokon rrugën evropiane të Serbisë.

    Vuçiq pretendon se “ngritja e Serbisë”, siç tha ai, si “një feniks”, ka bërë Kracia të bëhet bashkë me Kosovën, Shqipërinë, e të tjerët për ta penguar Beogradin. Ai këtu përmendi edhe aleancën ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës.

    “Pse fqinjët tanë nuk duan që ne të jemi në BE? Arsyeja është e thjeshtë. Ata menduan se në momentin që u bashkuan me BE-në dhe NATO-n dhe kur ata që ishin në pushtet në Serbi ishin në pushtet dhe nuk e trajtonin vendin e tyre, le të themi, brenda vendit, gjithçka kishte mbaruar dhe se po bëheshin një forcë dominuese nga Triglav në Stamboll në mënyra të ndryshme, dhe sigurisht në zonën deri në Bullgari dhe Greqi”, tha Vuçiq.

    “Që kur Serbia është ngritur, që kur Serbia, fjalë për fjalë është ngritur si një feniks nga hiri, është zgjuar dhe është bërë më e fortë, ata duan të frenojnë forcën e Serbisë. Dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe. Kjo është arsyeja pse ata janë të bashkuar me Prishtinën, Tiranën dhe të gjithë të tjerët”, përfundoi Vuçiq, siç raportohet nga mediat në Serbi.

  • Betohet edhe kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq

    Betohet edhe kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq

    Është betuar edhe kryetari i ri i Leposaviqit nga Lista Srpska, Zoran Todiq.

    Betimet e kryetarëve të komunave veriore u bë duke u respektuar simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.

  • Betohet kryetari i Zubin Potokut Millosh Peroviq

    Betohet kryetari i Zubin Potokut Millosh Peroviq

    Në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut ka filluar seanca inauguruese për betimin e Kryetarit të ri Millosh Peroviq dhe asamblistëve.

    Për këtë bëri betimin, Peroviq i cili u betua se do të ushtroj detyrën e tij me ndershmëri dhe besnikëri që t’i siguroj Komunës së Zubin Potokut.

    “Unë si kryetar Millosh Peroviq deklaroj së do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin Potokut te sigurt dhe të qetë. Si kryetar falënderoj të gjithë na presin plane të vazhdueshme të komunës”, ka thënë ai.

  • “Lumir Presheva po ju përdor si gangster” – Halil Geci kritikon publikisht vëllain e tij, Fadilin

    “Lumir Presheva po ju përdor si gangster” – Halil Geci kritikon publikisht vëllain e tij, Fadilin

    Fadil Geci, i cili do të jetë pjesë e listës së LDK-së për deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, është kritikuar publikisht nga vëllai i tij, Halil Geci.

    Përmes një postimi në Facebook, Halil Geci i ka kërkuar Fadilit të tregojë kujdes ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Ai është shprehur se: “Lumir Presheva po ju përdor si gangsterë për të sharë dhe etiketuar të tjerët.”

    Ndërkohë, vëllai i tij nuk ka kursyer fjalët e mira për kryeministrin Albin Kurti, duke bërë një krahasim mes figurave historike dhe sfidave të udhëheqësve shqiptarë.

    “KRITIKË E VOGLË SI NJË GOGËL, POR E MADHE SI NJË MINARE – PËR VËLLAIN TIM, FADILIN. T’i quash më shumë se gjysmën e shqiptarëve ‘pro-rusë’ dhe Kurtin ‘prijës të tyre’ është njësoj si të thuash se Hasan Prishtina ka qenë tradhtar ose i lidhur me Rusinë.”

    Halil Geci shton se Kurti, ndonëse nuk ka pasur luksin dhe mundësitë e Hasan Prishtinës, ka përballuar presionin dhe kërcënimet e Serbisë, duke punuar për bashkimin kombëtar dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit.

    Ai paralajmëron vëllain e tij për sjelljen publike dhe për ndikimin e “Lumir Preshevës”:

    “Ju them si vëlla: keni kujdes se si silleni para publikut. Po tregoheni tepër të vegjël para mediave, saqë unë personalisht po ndihem shumë keq. Lumir Presheva po ju përdor si gangsterë për të sharë dhe etiketuar të tjerët. Në fund, ju them hapur: nëse ju duket mirë, vazhdoni, por jeni duke gabuar rëndë. Ne nuk jemi as Lumir Presheva, as Sami Lushtaku as Hashim Thaçi. Duhet pasur kujdes në veprime dhe në fjalë.”, shkroi ai.

  • Fillon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhje

    Fillon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për zgjedhje

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se sot ka filluar periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.

    Gjatë kësaj periudhe 16-ditore, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.

    Si bëhet aplikimi?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.

    Informacione shtesë:

    · Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontatoni në Zyrë përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010.

    · Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund tëi vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).