ATV

Author: K.B.

  • Festime me brohoritje dhe flamuj serbë në Mitrovicën Veriore pas betimit të kryetarit të ri

    Festime me brohoritje dhe flamuj serbë në Mitrovicën Veriore pas betimit të kryetarit të ri

    Në Mitrovicën e Veriut është shënuar atmosferë festive pas betimit të kryetarit të ri të komunës, Millan Radojeviq, i cili u zyrtarizua sot në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal.

    Pas ceremonisë, kryetari i ri u prit nga një numër qytetarësh dhe përfaqësues të Listës Serbe, të cilët organizuan një ecje simbolike drejt selisë së partisë.

    Gjatë tubimit, mbështetësit valëvitën flamuj serbë dhe brohoritën “Fitore” dhe “Serbia”, ndërsa Radojeviq u adresoi qytetarëve mesazhe të përmbajtura optimizmi.

    Ai u bëri thirrje banorëve për durim dhe besim, duke theksuar se “ndryshimet pozitive kërkojnë kohë”.

    Me këtë mandat, Radojeviq merr drejtimin e komunës pas Erden Atiq, i cili udhëhoqi Mitrovicën e Veriut gjatë mandatit të kaluar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Betimi i tij shënon nisjen e një kapitulli të ri politik në komunën me ndarje të theksuar etnike dhe dinamika të ndjeshme politike.

    Ceremonia dhe festimet që pasuan nxorën në pah mobilizimin e elektoratit serb në veri, ndërsa pritet që ditët në vijim kryetari i ri të paraqesë prioritetet dhe planet e tij për qeverisjen lokale.

    VIDEO

  • “Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

    “Hap strategjik”: Kosova bëhet gati të ndezë motorët e mbrojtjes

    Fabrika e parë e municioneve do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar për fundin e vitit 2026.

    Ekspertët amerikanë e shohin këtë si një hap të duhur për forcimin e sigurisë. Por, paralelisht, ngrihen edhe pyetje mbi kapacitetet reale të Kosovës, sfidat teknike dhe implikimet rajonale që mund t’i sjellë kjo nismë.

    Koloneli në pension i Ushtrisë amerikane, Ray Wojck ka thënë se një nga gjërat pozitive për Kosovën falë pranisë shumëvjeçare të misionit të NATO-s, KFOR është marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me aleatët.

    “Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, dy nga aleatët e saj më të afërt të cilët janë shumë mbështetës për të”, ka thënë ai.

    Ndërsa, Argyro Kartsonaki nga Instituti për kërkime të paqes dhe politikat e sigurisë pajtohet se është logjike që një shtet i vogël të përpiqet të forcoj sigurinë e vet, por paralajmëron se këto veprime mund të përceptohen si kërcënim nga fqinjët.

    “Kjo nuk do t’i ndryshoj dinamikat e sigurisë në Ballkan. Ajo që mund të bëj është që t’i ushqejë narrativat, t’i jap dhe një element propagandës dhe diskurseve populiste të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha ajo. /REL/

  • Zëdhënësi i AAK-së zyrtarizohet si kandidat për deputet

    Zëdhënësi i AAK-së zyrtarizohet si kandidat për deputet

    Kushtrim Xhemaili, zëdhënësi i Aleancës do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Lajmin e ka dhënë kreu i partisë, Ramush Haradinaj.

    “Kushtrim Xhemaili, zëdhënësi i Aleancës, është ndër kuadrot tona më vitalë. Edukata e tij e lartë në punë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera njerëzore e kolegiale që i mirëmban si me media ashtu edhe me publikun, janë inspirim për shumëkënd. Nuk kishte si të mos ishte edhe kësaj radhe në listën e kandidatëve tanë. Duke besuar se do të vazhdojë të përcjellë pozitivitetin dhe funksionalitetin në veprim, i uroj suksese në këtë garë” shkruan Haradinaj në njoftim.

  • Rektori i UP-së: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, KEDS ka uzurpuar pronën e UP-së

    Rektori i UP-së: Fakulteti i Bujqësisë rrezikon mbylljen, KEDS ka uzurpuar pronën e UP-së

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, në një konferencë për media ka njoftuar për rrezikun e mbylljes së Fakultetit të Bujqësisë, duke fajësuar uzurpimin e pronës së Universitetit të Prishtinës nga kompania KEDS dhe mungesën e funksionalizimit të objektit të ri që nga viti 2013.

    “Fakulteti i Bujqësisë në kampusin e UP-së, në drejtim të daljes së Prishtinës. Atje kemi një kampus ku është ndërtuar një objekt i Fakultetit të Bujqësisë, i cili që nga viti 2013 nuk është funksionalizuar. Janë investuar miliona të taksapaguesve të Kosovës. Jemi në këtë gjendje dhe do të na mbyllet as më pak se sot sepse nuk kemi asnjë mundësi t’i akreditojmë programet e fakultetit nëse nuk e kemi objektin. Na nevojitet një objekt, dhe miliona të taksapaguesve të Kosovës janë derdhur mbi një dekadë”, tha ai.

    Hajrullahu tha se institucionet shtetërore kanë ofruar mbështetje, por se situata është rënduar me veprimet e KEDS-it në pronën e UP-së.

    “Dua t’i falënderoj institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kryeministria, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Arsimit; na kanë dhënë mbështetjen për funksionim. Për momentin studentët janë të shpërndarë në fakultete të ndryshme. Kemi ardhur në një moment kyç: kompania KEDS e ka uzurpuar pronën, ka vendosur disa tenda dhe pronën e UP-së është duke e trajtuar si pronë të tyre. Ne nuk mund të funksionojmë me largpërçues të tensionit të lartë mbi objekt”, theksoi ai.

    Ai tha se UP-ja ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme për situatën, por është injoruar nga kompania energjetike.

    “Kërkesë zyrtare më 7 korrik 2025, ku KEDS-it i kemi kërkuar në mënyrë urgjente që të na mundësojë largimin e telave dhe largpërçuesve. Na ka mbështetur për muri, në shtëpinë tonë. Para dy ditësh kemi dalë me sqarim publik, në të cilin ndër të tjera apelojmë institucionet e Kosovës, si dhe gjithë shoqërinë, që të mos e mbyllin këtë fakultet. Të gjitha strategjitë ndërkombëtare tregojnë për zhvillim ekonomik. Ne na kanë shtyrë për muri dhe fakulteti do të mbyllet; e shihni sa serioze është gjendja. KEDS-i na ka injoruar dhe jemi detyruar t’ua bllokojmë hyrjen në depon e tyre ilegale. E kam konsideruar të nevojshme ta njoftoj publikun për cenimin e pronave publike dhe t’iu bëj apel për reflektim dhe zgjidhje të problemit”, tha Hajrullahu.

    Rektori paralajmëroi masa nese situata nuk zgjidhet.

    “Ne nuk jemi të interesuar ta tensionojmë situatën dhe javën tjetër do t’i ndërmarrim të gjitha hapat për t’i larguar të gjitha depot nga UP-ja, dhe hapat do të shkojnë deri aty sa të shkojmë te dera e KEDS-it me profesorë dhe studentë, në zyrën qendrore, dhe t’ua bllokojmë hyrjen”, theksoi ai.

    Rektori theksoi se problemet me pronat e UP-së nuk kufizohen vetëm nga KEDS-i.

    “Nuk është vetëm KEDS-i, pronat e UP-së kanë qenë në shënjestër dhe të cenuara. Ftoj të gjithë uzurpatorët të largohen nga pronat e Prishtinës. Do t’i dalim zot pronës sonë. Kemi biznese private në kampusin e Fakultetit të Bujqësisë. Ftoj publikisht Lesna dhe Jonamed që të mos vijnë në një situatë të njëjtë si me KEDS-in”, shtoi Hajrullahu.

  • Shtyhet seanca për Erion Veliajn

    Shtyhet seanca për Erion Veliajn

    Këtë të premte, u mbajt seanca paraprake e radhës për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, e cila u shty për në datën 12 dhjetor.

    Në seancën e ardhshme pritet që GJKKO të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do ti kthehet SPAK-ut për hetime të mëtejshme ndërsa nga të pandehurit, mbeten pa bërë mbrojtjen Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë, të cilët do të dëgjohen në seancën e radhës.

    Në ndryshim nga seanca e kaluar, kryebashkiaku nuk është paraqitur personalisht, por përfaqësohej nga avokati i tij.

    Kujtojmë që në seancën e datës 2 dhjetor, kryebashkiaku i Tiranës u paraqit fizikisht në gjykatë ndërsa kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, kërkesë e cila u pranua.

    Veliaj tha se nuk ka pasur asnjë mundësi të kuptojë akuzën ndaj tij dhe të përgatitet për mbrojtjen, duke shtuar se e drejta për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.

  • Betohet Gjini në Gjakovë, një pozitë të lartë i jep kandidatit të LDK-së

    Betohet Gjini në Gjakovë, një pozitë të lartë i jep kandidatit të LDK-së

    Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Gjakovës.

    Në këtë mbledhje është bërë betimi i anëtarëve të rinj të Kuvendit si edhe i Kryetarit të Komunës, Ardian Gjini.

    Po ashtu gjatë mbledhjes është zgjedhur edhe Kryesuesi i Kuvendit, Shefqet Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Nga 35 asambleistë të pranishëm, me votim të fshehtë, 24 prej tyre votuan pro.

  • Rizvanolli mohon se zyrtarë të Qeverisë dhe LVV kanë lidhje me EFT: Është komplet gënjeshtër

    Rizvanolli mohon se zyrtarë të Qeverisë dhe LVV kanë lidhje me EFT: Është komplet gënjeshtër

    Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka mohuar që ndonjë zyrtarë i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje ka lidhje me kompaninë EFT, dhe se Kosova nuk ka importuar energji elektrike nga EFT.

    Ajo në një konferencë për media tha se raportimet për këto janë të pavërteta, apo siç tha, janë gënjeshtra.

    “Ju kam ftuar për të adresuar një sërë të pavërtetash që kanë qarkulluar që një kohë dhe kanë kulmuar gjatë javëve të fundit në lidhje me sektorin e energjisë. E para, po thuhet disi se Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të lidhura me kompaninë EFT. Dua ta them qartë: asnjë zyrtar i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me EFT-ën. Është komplet gënjeshtër. E dyta; po thuhet se Kosova po importon nga EFT. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë, edhe kjo është komplet gënjeshtër. E treta; po keqinterpretohen qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare, të cilat EFT i shfrytëzon për të bartur energjinë transit në shtete tjera përmes kufijve energjetikë të Kosovës, për të krijuar bindjen se Kosova po blen nga EFT, që është pra komplet gënjeshtër. E katërta; po flitet për temën e importit të energjisë, thuajse është Qeveria ajo që blen energji. Në fakt, dua t’iu rikujtoj që Qeveria nuk blen energji fare, ndërsa pjesa dërmuese në Kosovë blihet nga KEDS dhe KESCO për furnizim dhe humbje në rrjet, respektivisht. Këto kompani, siç e dini, janë privatizuar, para se më dhjetë vjetësh”, tha ajo.

  • Skandali i basteve trondit futbollin turk, arrestohen lojtarë të Fenerbahçe dhe Galatasaray

    Skandali i basteve trondit futbollin turk, arrestohen lojtarë të Fenerbahçe dhe Galatasaray

    Prokurorët turq kanë urdhëruar ndalimin e 46 personave, përfshirë futbollistë nga klubet e kategorisë së parë, presidentë klubesh, komentatorë dhe të tjerë, si pjesë e një hetimi gjithnjë e më të gjerë për baste të brendshme në ligat profesionale të Turqisë.

    Hetimi i vazhdueshëm çoi në arrestimin e disa futbollistëve, mes tyre lojtarë të gjigantëve të Stambollit, Fenerbahçe dhe Galatasaray.

    Skandali i basteve sportive që po trondit futbollin turk vazhdon të shpaloset me zhvillime të reja. Më i fundit ndodhi të premten, kur Prokuroria nisi një operacion të madh që rezultoi me 46 urdhër-arreste për lojtarë, trajnerë dhe gjyqtarë.

    Ndër të dyshuarit është Mert Hakan Yandaş, mesfushori 31-vjeçar që është kapiteni aktual i Fenerbahçes. Lojtari akuzohet se ka vënë baste për ndeshjet e ekipit të tij në faqe të ligjshme bastesh përmes personave të tretë. Për më tepër, Yandaş nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon, teksa ka qenë lojtar kyç për José Mourinhon në sezonet e mëparshme.

    Ndër 26 lojtarët e tjerë të ndaluar janë Metehan Baltacı i Galatasarayt. Metin Korkmaz, president i Adanademirsporit, dhe Emrah Çelik, drejtor sportiv i Antalyasporit, ishin zyrtarët aktivë të arrestuar.

    Sipas dokumentit të publikuar, autoritetet filluan arrestimet në orën 07:15 sipas orës lokale, me shumicën e të dyshuarve të ndaluar në provincën e Stambollit. Pesë prej tyre ndodhen jashtë vendit dhe po lokalizohen që të paraqiten para gjykatës.

  • Therje me thikë brenda shkollës në Prizren, 13-vjeçari plagos 19-vjeçarin

    Therje me thikë brenda shkollës në Prizren, 13-vjeçari plagos 19-vjeçarin

    Një 13-vjeçar ka sulmuar me thikë një 19-vjeçar gjatë përleshjes mes disa nxënësve në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prizren.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme dhe se i dyshuar për rastin është një 13-vjeçar.

    “Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga të dhënat e mbledhura është mësuar se pas një zënke ndërmjet dy të rinjve, njëri prej tyre, mashkull 13-vjeçar, e ka goditur me një mjet të mprehtë viktimën, mashkull 19-vjeçar”, ka thënë Bytyqi.

    Bytyqi bëri me dije se i lënduari është dërguar në Ndihmën e Shpejtë të qytetit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    “Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe, në bashkërendim me të, po vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave’, tha më tej ai

  • Rusia po dërgon fëmijët ukrainas në kampet e Koresë së Veriut

    Rusia po dërgon fëmijët ukrainas në kampet e Koresë së Veriut

    Ukraina ka akuzuar Rusinë për transferimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer në “kampe të ri-arsimimit”, një praktikë që është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

    Kjo u bë e ditur gjatë një seance në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku avokatja dhe ekspertja për të drejtën ndërkombëtare, Kateryna Rashevska, paraqiti informacion të detajuar mbi këto veprime.

    Rashevska theksoi se qëllimi i këtyre kampeve është i dyfishtë: përveç “ri-arsimimit” dhe trajnimit të ideologjisë pro-ruse, fëmijët largohen nga familjet e tyre dhe nga ndikimi i komunitetit të tyre të lindjes, duke krijuar një situatë të thellë pasigurie dhe traumatike.

    Sipas Rashevskas, skema ka evoluar me kalimin e kohës. Më parë, fëmijët mbaheshin brenda territorit të Rusisë dhe Bjellorusisë, ku kthimi i tyre, edhe pse i komplikuar, ishte më i mundur.

    Megjithatë, tani ka indikacione se të miturit po dërgohen në Korenë e Veriut, një vend me politikat më të rrepta të kontrollit shtetëror dhe të izolimit nga komuniteti ndërkombëtar. Ky zhvillim e bën rikthimin dhe kthimin e fëmijëve ukrainas jashtëzakonisht të vështirë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e tyre themelore.

    Komuniteti ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar për këto praktika dhe ka bërë thirrje për hetime të pavarura dhe masa për të siguruar kthimin e fëmijëve në familjet e tyre, duke dënuar çdo akt që shkel të drejtat e fëmijëve dhe ligjet ndërkombëtare.