ATV

Author: K.B.

  • Lulzim Hetemi, gati për ta dorëzuar postin e kryetarit të Leposaviqit

    Lulzim Hetemi, gati për ta dorëzuar postin e kryetarit të Leposaviqit

    Lulzim Hetemi ka njoftuar se është gati ta dorëzojë postin e kryetarit të komunës së Leposaviqit.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka ndarë dy foto nga zyra ku ai qëndroi për disa vjet si udhëheqës i kësaj komune.

    “Gjithçka gati”, ka shkruar shkurt ai.

    Nga sot, kryetar i Leposaviqit do të jetë Zoran Todiq.

  • Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Serbia, nuk ka kush ju del zot

    Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Serbia, nuk ka kush ju del zot

    Një shtetas shqiptar është arrestuar në pikën kufitare të Merdarës gjatë ditës së enjte, pasi në veturën e tij është gjetur një flamur me shenjat e UÇK-së.

    Lidhur me këtë, nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, sidomos ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mos kalojnë kah Serbia, por të zgjedhin rrugë alternative.

    Sipas tij, Serbia është po e njëjta, dhe lufta speciale ndaj popullit të Kosovës nuk është ndalur.

    “Serbia, edhe pas luftës që e kemi pasur, asnjëherë nuk e ka ndalur luftën speciale ndaj ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë, prandaj kjo Serbi është e njëjta. Në atë kohë Serbinë e ka udhëhequr Millosheviqi, tani një ish-ministër i tij, pra zotëri Vuçiqi. Nuk presim të ketë ndryshime, ose me na respektu më shumë, sepse e kemi parasysh sa po i respekton qytetarët e vet atje”, tha Syla.

    “Ne bëjmë thirrje, edhe pse kemi bërë shpesh thirrje, por vazhdojmë të bëjmë thirrje, mos provoni të kaloni andej, sidomos ushtarëve të UÇK-së, sepse nuk ka kush të iu dalë zot, nuk ka kush të iu bie pas, prandaj zgjidhni alternativa tjera, e jo nga Serbia, sepse ajo është e njëjta”, u shpreh ai.

  • Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funksionale, s’mund të përballojë më shumë humbje kohe

    Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funksionale, s’mund të përballojë më shumë humbje kohe

    Bashkimi Evropian është duke i përcjell me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, veçanërisht ngërçin institucional që ka krijuar mungesa e formimit të qeverisë dhe institucioneve të reja, që e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat janë caktuar të mbahen, më 28 dhjetor.

    Në prag të zgjedhjeve, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, në një përgjigje për RTV21, ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri stabile dhe plotësisht funksionale.

    “Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri që është plotësisht funksionale si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Kosova nuk mund të përballojë të humbasë më shumë kohë. Ashtu siç tha ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, gjatë vizitës së tij në Prishtinë muajin e kaluar, formimi i një qeverie stabile është me rëndësi jetike. Evropa po e vëzhgon këtë nga afër”.

    Mungesa e institucioneve funksionale po krijon një situatë të brishtë politike dhe institucionale, që reflektohet drejtpërdrejt në proceset e brendshme dhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Zyrtarët e SHBA-së dhe të BE-së kanë theksuar disa herë se çfarëdo vonese në krijimin e qeverisë dëmton jo vetëm imazhin e Kosovës, por edhe aftësinë e saj për të marrë vendime të rëndësishme strategjike, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare dhe për të avancuar drejt rrugës integruese.

  • Ahmeti bën thirrje për pjesëmarrje masive në Shkup: Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë

    Ahmeti bën thirrje për pjesëmarrje masive në Shkup: Lufta e UÇK-së ishte dhe mbetet e drejtë

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se protesta në përkrahje të çlirimtarëve që do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup, do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi.

    Përmes një reagimi në Facebook, Ahmeti tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike.

    Ai po ashtu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë.

    “Pas Prishtinës dhe Tiranës, tani edhe Shkupi do të buçasë për të vërtetën dhe drejtësinë! Sheshi “Skënderbeu” në Shkup do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët tanë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për luftëtarët e lirisë nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike, montime dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia”, ka shkruar ai.

    “Ashtu siç qëndruam përkrah luftëtarëve të UÇK-së në Prishtinë dhe Tiranë, ashtu do të qëndrojmë edhe në Shkup, krenarë, të vendosur dhe të palëkundur në mbrojtje të së vërtetës sonë, të së vërtetës objektive. Më 13 dhjetor, në orën 13:00, të gjithë në Shkup! Liria nuk gjykohet, liria mbrohet! Lavdi UÇK-së!”.

  • Misteri i një vrasjeje në Angli zgjidhet pas 20 vitesh, por autori i dyshuar ka vdekur prej një dekade

    Misteri i një vrasjeje në Angli zgjidhet pas 20 vitesh, por autori i dyshuar ka vdekur prej një dekade

    Pas dy dekadash, Policia e Sussex ka njoftuar se ka identifikuar burrin që besohet të jetë përgjegjës për vrasjen e 35-vjeçares Jennifer Keeley, e cila u gjet e vdekur në një strehë bregdetare në Eastbourne më 22 janar 2005.

    Gruaja ishte goditur me thikë disa herë, kishte një plagë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës dhe trupi i saj ishte djegur.

    Së bashku me provat nga vendi i ngjarjes, oficerët gjetën edhe një bisht cigareje me një profil të plotë gjenetik të një burri i cili u identifikua nga ADN-ja në trup dhe në gjakun e Jennifer, por nuk kishte përputhje në bazën e të dhënave, sipas Independent. Dy të dyshuar u arrestuan në vitin 2005, por u liruan për shkak të mungesës së provave.

    Emri i të dyshuarit u zbulua dy dekada më vonë.

    Hetimi është rinisur vitet e fundit, pasi policia identifikoi njerëzit që ndanin ADN-në me profilin e panjohur. Në verën e vitit 2024, një mostër nga një burrë në Anglinë veriore dha “pjesën e fundit të enigmës”, tha kreu i hetimit, DCI Simon Dunn.

    I dyshuari u identifikua si Keith Doubekin, i njohur edhe si Keith Black ose Keith Broadbent, i cili ishte me origjinë nga Anglia Veriperëndimore dhe kishte vdekur në vitin 2014 në moshën 60 vjeç. Sipas policisë, ai kishte lidhje me njerëz në komunitetin e të pastrehëve në Eastbourne, ashtu si edhe Jennifer, gjë që forcoi rastin se ai ishte autori pas vrasjes.

    Arrestime të mëparshme për përdhunim dhe mundësi identifikimi të humbura

    Para vrasjes së Jennifer, Doubekin ishte arrestuar nga Policia e Norfolkut në dy raste të ndara përdhunimi në vitin 2003 dhe 2004. Megjithatë, siç shpjegon DCI Dunn, në atë kohë ADN-ja u mor vetëm nga të akuzuarit, jo nga ata që thjesht u arrestuan, gjë që pengoi bërjen e një përputhjeje me bazën e të dhënave.

    Përveç kësaj, Doubekin kishte dhënë ADN-në si dëshmitar në një rast tjetër vrasjeje, por për shkak se nuk ishte i dyshuar, mostra nuk u shtua në bazën e të dhënave.

    Në vitin 2018, Policia e Sussex përdori një strategji afiniteti të ADN-së, një metodë që nuk ekzistonte në vitin 2005 dhe përmes anëtarëve të familjes së burrit arriti ta identifikonte atë.

    Raporti dhe njoftimi publik

    Policia ka vendosur të publikojë emrin e të dyshuarit për shkak të “interesit të madh publik”, seriozitetit të krimit dhe kontributit të tij të mundshëm në zgjidhjen e rasteve të tjera. Asnjë person tjetër nuk është duke u kërkuar në lidhje me vrasjen.

    Familja e Jennifer shprehu mirënjohjen e tyre për zgjidhjen e çështjes pas 20 vitesh.

    “Nëna jonë ishte e sjellshme, qesharake, krijuese, e donte muzikën dhe kujdesej shumë për të tjerët”, thanë ata në një deklaratë.

    “Shpresoj që historia e saj të inkurajojë më shumë mirëkuptim për ata që përjetojnë mungesën e strehimit dhe stigmën që rrethon shëndetin mendor”, theksuan familja e saj.

  • Vetëvendosje: Sami Lushtaku pretendon se e udhëheq PDK-në, e kontrollon njeri për njeri

    Vetëvendosje: Sami Lushtaku pretendon se e udhëheq PDK-në, e kontrollon njeri për njeri

    Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar Sami Lushtakun si njeriun që “pretendon se e udhëheq PDK-në, e mban të lidhur” dhe e kontrollon.

    Në një komunikatë për media të lëshuar nga Gratë e Vetëvendosjes, thuhet se kryetari i Skenderajt e ka dëmtuar hapur subjektin që përfaqëson me fjalorin e tij të ashpër ndaj grave.

    Sipas Vetëvendosjes, Lushtaku e ka humbur argumentin dhe i ka mbetur vetëm “gjuha e dhunës”.

    “Kur Sami Lushtaku del e flet për ‘kudra që duhen lidhur’, nuk ka nevojë për shpjegime shtesë. Ai vetëm tregon se sa lehtë e sheh nënçmimin e qytetarëve dhe sa natyrshëm i vjen t’i trajtojë njerëzit si objekte për t’u urdhëruar e disiplinuar sipas humorit të tij”, tha Vetëvendosje.

    “Ajo që thotë Lushtaku lidhet drejtpërdrejt me praktikën e tij kontrolluese, por edhe me bindjen se gratë janë të manipulueshme, të drejtuara nga dikush tjetër dhe të ofendueshme sipas nevojës së retorikës së tij. Ironia e zezë është se për të, gratë janë objekt i thjeshtë nënçmimi, ndërkohë që prania e tij në politikë është një ofendim për demokracinë: regres, turp dhe dëmtim i hapur për subjektin që pretendon se e udhëheq, e mban të lidhur dhe e kontrollon njeri për njeri”, thuhet në komunikatë.

    LVV tha se deklarata të tilla dëmtojnë “vetëm autorin e tyre”.

    “Në vitin 2025, këto britma nuk janë shenjë force, por dëshmi e panikut që po e mbyll kapitullin politik”, sipas komunikatës së LVV-së.

  • Flamuri i Kosovës e fotografia e Presidentes në sallën ku Lista Serbe e kthen pushtetin në Zveçan

    Flamuri i Kosovës e fotografia e Presidentes në sallën ku Lista Serbe e kthen pushtetin në Zveçan

    Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe do të marrin përsëri pushtetin.

    Në Zveçan, në sallën ku do të bëhet betimi janë vendosur flamuri i Kosovës si dhe fotografia e Presidentes Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.

    Pamjet ku shihen simbolet shtetërore janë publikuar nga “Interaktiv Talks”.

    Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kishte konfirmuar se ceremonitë inauguruese pritet të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara me ligj, duke përfshirë përdorimin korrekt të elementeve shtetërore të Republikës së Kosovës.

    Ai kishte thënë se në rast të mosrespektimit të procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse

    “Në çdo rast kur konstatohet mosrespektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

  • Doktori Berisha tregon për herë të parë se çfarë i kishte thënë Thaçit gjatë vizitës në QKUK

    Doktori Berisha tregon për herë të parë se çfarë i kishte thënë Thaçit gjatë vizitës në QKUK

    Doktori i njohur Adriatik Berisha për herë të parë ka treguar se çka i kishte thënë ish-presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, kur ky i fundit e kishte vizituar babën e tij të sëmur në QKUK.

    Në një intervistë për ATV, doktori Berisha ka bërë me dije se derisa ishte përshëndetur me ish-presidentin te shkallet e QKUK-së i kishte uruar kthim të shpejt në Kosovë.

    “Rruga e mbar e u kthesh sa më shpejt në vendin që ia ka shpall pavarësinë”, ka thënë Berisha.

    Hematologu Adriatik Berisha, i cili do të jetë kandidat i PDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit, është bërë i njohur për publikun në mars të këtij viti, kur ish-presidenti Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale erdhi në QKUK për të vizituar babanë e tij në sëmur.

    Gjatë kësaj vizite, Adriatik Berisha i kishte qëndruar vazhdimisht pranë Thaçit.

    Madje, ai ishte njeriu i fundit që e kishte përqafuar ish-presidentin para së ai të futej në veturën e EULEX-it për t`u nisur drejt Hagës.

  • OVL-UÇK e konfirmon: Protesta e radhës për çlirimtarët mbahet më 13 dhjetor në Shkup

    OVL-UÇK e konfirmon: Protesta e radhës për çlirimtarët mbahet më 13 dhjetor në Shkup

    Protesta e radhë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, do të mbahet në Shkup.

    OVL-UÇK në një konferencë për media ka konfirmuar se protesta do të mbahet më 13 dhjetor, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

    Kjo është protesta e pestë me radhë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

    Deri tani protesta të këtij lloji janë mbajtur në Prishtinë, Hagë, Tiranë e Strasburg.

    Ish-krerët e UÇK-së tash e pesë vjet po mbahen në paraburgim në Hagë. Gjykimi ndaj tyre është drejt fundit.

    Thaçi, ish-president i Kosovës; Veseli e Krasniqi, ish-kryeparlamentarë; dhe Selimi, ish-deputet, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

  • Vrasja e shqiptares në Itali, arrestohet autori i dyshuar, u gjet i plagosur në pyll

    Vrasja e shqiptares në Itali, arrestohet autori i dyshuar, u gjet i plagosur në pyll

    Autoritetet italianë kanë arritur të vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 49-vjeçares shqiptare, Sadjide Muslija në Ankona. Nazif Muslija u arrestua pasi u zbulua nga një gjuetar në një zonë të pyëllëzuar pasditen e së enjtes.

    50-vjeçari është gjetur i plagosur rëndë ndërsa dyshohet se ai ka tentuar t’i japë fund jetës. Ndaj tij rëndojnë akuzat se është autor i vrasjes së gruas së tij e cila u gjet e vdekur në banesën e saj me plagë nga dhuna e ushtruar ndaj saj.

    Zyra e Prokurorit të Ankonës kishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për Muslijën, i cili pas vdekjes së gruas së tij ishte zhdukur dhe nuk ishte paraqitur në punë duke rritur akoma më shumë dyshimet se ai është autori i vrasjes.

    Muslija ishte larguar me një makinë “Smart”, ndërsa telefoni i tij ishte i fikur që nga pas ngjarjes. Ai rezulton i dënuar më parë për dhunë në familje dhe ishte arrestuar në prill pasi kishte sulmuar gruan me sëpatë. Gjithashtu bëhet me dije se çifti ishin rikthyër bashkë kohët e fundit.