ATV

Author: K.B.

  • Alpinisti lë të dashurën vetëm në malin më të lartë të Austrisë, ajo ngriu për vdekje

    Alpinisti lë të dashurën vetëm në malin më të lartë të Austrisë, ajo ngriu për vdekje

    Autoritetet austriake kanë identifikuar 33-vjeçaren, Kerstin Gurtner si gruan që ngriu për vdekje në malin më të lartë të Austrisë, Grossglockne, dhe partneri i saj, 39-vjeçari Thomas Plamberger, tani akuzohet për vrasje të paqëllimshme, raportuan mediat lokale.

    Gurtner, e cila e përshkroi veten në internet si një adhuruese e dimrit dhe maleve, ishte një alpiniste e papërvojë.

    Partneri i saj, Plamberger, një alpiniste me përvojë, dyshohet se e çoi atë në një ngjitje të rrezikshme nate në një lartësi prej 3,657 metrash në temperatura nën zero, për të cilat ajo nuk ishte e përgatitur. Trupi i saj u gjet më pak se 45 metra larg majës.

    Zyra e prokurorit publik të Innsbruck beson se Plamberger, si organizator i ngjitjes, ishte përgjegjës për sigurinë e saj.

    “Rreth orës 2:00 të mëngjesit, i pandehuri e la të dashurën e tij të pambrojtur, të rraskapitur, hipotermike dhe të çorientuar rreth 50 metra poshtë majës së Grossglockner. Gruaja ngriu për vdekje. Meqenëse i pandehuri, ndryshe nga e dashura e tij, kishte tashmë shumë përvojë me turne alpine në lartësi të mëdha dhe e kishte planifikuar turin, ai u konsiderua si një guidë turistike përgjegjëse”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

    Gjatë ngjitjes fatale, temperaturat ranë në rreth -20°C. Prokurorët thonë se Plamberger nuk kërkoi ndihmë edhe kur panë një helikopter policie aty pranë rreth orës 22:50. Hetuesit thonë se ai nuk bëri thirrjen e tij të parë emergjente deri në orën 1:35 të mëngjesit, pas së cilës e vuri telefonin në modalitetin e heshtur.

    Sipas aktakuzës, vetëm 30 minuta më vonë, ai e braktisi Gurtnerin në shpatin e akullt, pa përdorur batanijet e emergjencës që kishin me vete. Pamjet e kamerave të mbikëqyrjes e kapën atë duke zbritur vetëm në orën 2:30 të mëngjesit, larg vendit ku e kishte lënë partneren e tij. Ai nuk kontaktoi përsëri shërbimet e emergjencës deri një orë më vonë, në orën 3:30 të mëngjesit.

    Avokati i Plamberger, Kurt Jelinek, i mohon akuzat. Në një deklaratë për Daily Mail, ai e quajti vdekjen e Kerstin Gurtner një “aksident tragjik dhe fatal”.

    Gjyqi është planifikuar të fillojë në shkurt. Nëse dënohet për vrasje të paqëllimshme, Plamberger përballet me deri në tre vjet burg.

  • Studim: A është dy orë qëndrim ulur po aq i dëmshëm sa një cigare?

    Studim: A është dy orë qëndrim ulur po aq i dëmshëm sa një cigare?

    Mjekët po ngrejnë alarmin për pasojat serioze të qëndrimit të gjatë ulur, duke e krahasuar madje efektin e dy orëve pa lëvizur me pirjen e një cigareje.

    Studimet e fundit tregojnë se qëndrimi i trupit në të njëjtin pozicion për kohë të zgjatur ngadalëson qarkullimin e gjakut dhe ul funksionimin e metabolizmit, duke rritur rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet dhe probleme muskulore e kockore.

    Ky problem është bërë edhe më i theksuar në ditët e sotme, kur shumica e njerëzve kalojnë orë të tëra para kompjuterit ose pas timonit, pa asnjë pushim.

    Ekspertët paralajmërojnë se ky stil jetese po dëmton shëndetin në mënyrë të heshtur, por të vazhdueshme.

    Mjekët rekomandojnë të bëhen pauza të shpejta çdo 30–60 minuta: një ngritje nga karrigia, pak ecje, ose thjesht ndryshimi i pozicionit mund të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e gjakut dhe të reduktojë rreziqet.

    Për të shmangur pasojat e sjelljes sedentare, specialistët sugjerojnë të shtojmë më shumë lëvizje në rutinën e përditshme, nga ecjet e shkurtra, te ushtrimet e lehta dhe qëndrimi në këmbë.

    Me rritjen e ndërgjegjësimit për këto rreziqe, bëhet gjithnjë e më e qartë se edhe lëvizjet më të vogla mund të bëjnë një ndryshim të madh për shëndetin.

  • Ish-presidenti i KOK-ut aderon në PDK

    Ish-presidenti i KOK-ut aderon në PDK

    Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka aderuar në PDK.

    Lajmi e ka bërë të ditur vet kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza.

    Ai ka njoftuar se Hasani do të jetë në listën e PDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Postimi i plotë:

    Kosova sot ka nevojë për profesionistë që sjellin përvojë, qetësi dhe rezultate. Prandaj, me respekt e mirëprita Besim Hasanin në listën tonë për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Besimi bëri punë të jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës në familjen olimpike botërore, duke hapur një epokë të re për sportin tonë dhe për medaljet që erdhën më pas. Kontributi i tij është një shembull i vizionit dhe përkushtimit.

    Me njerëz të tillë, Kosova ecën përpara. Bashkë, me energji të re dhe besim të plotë, do ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë.

  • Alienët do të zbresin në tokë? Parashikimet e Baba Vangës për 2026

    Alienët do të zbresin në tokë? Parashikimet e Baba Vangës për 2026

    Ndërsa i afrohemi vitit të ri, gjërat mund të mos jenë aq të lehta sa do të shpresonim, nëse mbështetemi te parashikimet e Baba Vangës.

    Parashikuesja e ndjerë bullgare, e cila ndërroi jetë në vitin 1996, thuhet se ka lënë pas një mori profecish për brezat e ardhshëm, që shtrihen deri në vitin 5079.

    Vangelia Pandeva Gushterova, së cilës i njihet merita për parashikimin e saktë të përmbytjeve të vitit 2022, vdekjes së Princeshës Diana dhe sulmeve të 11 shtatorit në New York, besohet gjithashtu se ka parashikuar fillimin e apokalipsit dhe ka lëshuar paralajmërime për të para vdekjes së saj.

    Kohët e fundit, emri i saj ka bërë xhiro në internet, veçanërisht ndërsa tensionet globale përshkallëzohen dhe ngjarjet ekstreme të motit bëhen më të shpeshta, duke shkaktuar debate të reja për vizionet e saj.

    Mbështetësit argumentojnë se profecitë e saj kanë tendencë të rishfaqen sa herë që bota përballet me pasiguri, ndërsa kritikët pohojnë se shumë nga parashikimet e saj janë mjaft të paqarta për t’u zbatuar praktikisht për çdo ngjarje të rëndësishme.

    Sipas interpretimeve nga forumet online dhe entuziastët, një nga profecitë e Baba Vangës për vitin 2026 sugjeron që më në fund do të kemi kontakt të drejtpërdrejtë nga një qytetërim i paidentifikuar që do të mbërrijë në Tokë me një anije të madhe gjatë një eventi të madh sportiv.

    Ajo gjithashtu la të kuptohej për eksplorimin e mundshëm të planetëve të tjerë, përfshirë Venerën.

    Megjithatë, parashikimi i saj më shqetësues për atë vit sugjeron se po shkojmë drejt një periudhe konflikti global.

    Sipas vizioneve të saj, ky është viti kur njerëzimi do ta pranojë se e ka shtyrë progresin teknologjik “tepër larg”, duke na detyruar të përballemi me një pikë kthese kritike.

    Ekspertët gjithashtu besojnë se ajo aludoi për mundësinë e një lufte të tretë botërore, megjithëse, në mënyrë të dukshme, ajo nuk bëri asnjë referencë për armët bërthamore apo shkatërrimin në masë.

    Ndër parashikimet e saj më të pabesueshme, Baba Vanga parashikoi se njerëzit do të fillonin të arrinin komunikim telepatik.

    Ajo gjithashtu, disi optimiste, sugjeroi që shkenca mjekësore do të përparojë në fazën ku organet njerëzore mund të kultivohen në laboratorë, duke e çuar potencialisht jetëgjatësinë globale deri në afërsisht 120 vjet.

  • Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

    Përfundon regjistrimi i diasporës, mbi 70 mijë të regjistruar

    Të shtunën në mesnatë është përmbyllur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Lajmi është njoftuar të dielën paradite nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar të dhënat nga procesi i regjistrimit, derisa vlerësimi i të gjitha aplikimeve pritet të përfundojë gjatë ditës.

    “Është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71,900, ndërkaq janë refuzuar rreth 6,700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5,900 aplikime”, njoftoi Elezi.

    Ai tregoi se pjesa më e madhe e votuesve të regjistruar kanë përzgjedhur të votojnë përmes postës dhe vetëm një pjesë për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Repulikës së Kosovës.

    “Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51,000 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2,500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tregoi Elezi.

  • Historike: Inter Miami fiton titullin e parë kampion pas parqitjes heroike të Lionel Messit

    Historike: Inter Miami fiton titullin e parë kampion pas parqitjes heroike të Lionel Messit

    Kjo e shtunë solli dramë të madhe në futbollin amerikan. Inter Miami i Lionel Messit dhe Vancouver Whitecaps i Thomas Muller u përballën në finalen e MLS-së, një ndeshje e zjarrtë që në fund u kthye në triumf historik për ekipin nga Florida që triumfuan me shifrat 3-1.

    Inter Miami mori epërsinë herët, falë një autogoli të Edier Ocampo në minutën e 8-të, por Vancouver reagoi gradualisht dhe barazoi rezultatin në 1-1 me golin e Ali Ahmed.

    Në momentet vendimtare, Lionel Messi mori gjithçka në dorë.

    Ylli argjentinas dha dy asistime të arta, fillimisht për Rodrigo De Paul në minutën e 71-të, e më pas për Tadeo Allede në minutën e 96-të, duke vulosur titullin e parë kampion në historinë e Inter Miamit.

    Përveç se i dhanë klubit trofeun e parë të madh në Shtetet e Bashkuara, Messi dhe bashkëlojtarët e tij u mundësuan edhe Jordi Albës dhe Sergi Busquetsit të largohen nga futbolli me një kupë në duar.

    Një mbrëmje e paharrueshme për Inter Miamin dhe një tjetër kapitull magjik në karrierën e Leo Messit.

  • Kryetarit të Dragashit i hapin ‘TikTok’ të rremë, kërkohet hetimi policor

    Kryetarit të Dragashit i hapin ‘TikTok’ të rremë, kërkohet hetimi policor

    Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar se i është hapur një llogari e rremë në rrjetin social “TikTok”, pa dijeninë dhe autorizimin e tij.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Xheladini u shpreh se çdo aktivitet i kryer përmes kësaj llogarie është plotësisht i rremë dhe i pavlefshëm.

    “Më vjen keq që nuk e kam zbuluar më herët këtë keqpërdorim të identitetit tim, i cili jo vetëm që mashtron qytetarët, por cenon edhe integritetin dhe personalitetin tim.

    Për këtë arsye, kërkoj nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personit apo personave përgjegjës dhe mbylljen e menjëhershme të kësaj llogarie të rreme” u shpreh Xheladini.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK

    Të nderuar qytetarë,

    Dua t’ju informoj se së fundmi qenka hapur një llogari në rrjetin social TikTok me emrin Bexhet Cheladini përtej,pa dijeninë dhe pa autorizimin tim. Dëshiroj të theksoj qartë se çdo aktivitet i kryer përmes kësaj llogarie është plotësisht i rremë dhe i pavlefshëm.

    Më vjen keq që nuk e kam zbuluar më herët këtë keqpërdorim të identitetit tim, i cili jo vetëm që mashtron qytetarët, por cenon edhe integritetin dhe personalitetin tim.

    Për këtë arsye, kërkoj nga organet kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personit apo personave përgjegjës dhe mbylljen e menjëhershme të kësaj llogarie të rreme.

    Ju falënderoj për mirëkuptimin.

    Me respekt,

    Bexhet Xheladini

    Kryetar i Komunës

  • Shkodër: Vdes në burg i dënuari me 25 vjet për vrasjen e gruas shtatzënë

    Shkodër: Vdes në burg i dënuari me 25 vjet për vrasjen e gruas shtatzënë

    I dënuari me 25 vite burg për vrasjen e gruas shtatzënë, Shpëtim Çeliku ka ndërruar jetë pas një arresti kardiorespirator në Burgun e Shkodrës

    Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e gruas me foshnjën në bark.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më datë 9 dhjetor të vitit 2012 në Orikum, ku gruaja u gjet e pajetë në një shtëpi të braktisur.

    “Shtetasi Shpëtim Çeliku, i cili vuante dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ka ndërruar jetë rreth orës 08:10 në Reanimacionin Qendror të QSUNT, ku ishte dërguar për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiorespirator. Çeliku, banues në Vlorë, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Rrethit Vlorë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, pasi ishte arrestuar më datë 09.12.2012. Nga dënimi i tij kishin mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 5 muaj. Më datë 15.10.2025 ai ishte transferuar në Spitalin e Burgjeve nga IEVP Shkodër, dhe më pas u dërgua në QSUNT, ku ndërroi jetë. Janë duke u zbatuar procedurat me njoftimin e Prokurorisë, SHKBSB, Komisariatit të Policisë dhe familjarëve”, njofton Policia e Shtetit.

  • “Ka shpresë”, për herë të parë pas luftës, Palestina ndez dritat e Krishtlindjeve

    “Ka shpresë”, për herë të parë pas luftës, Palestina ndez dritat e Krishtlindjeve

    Për dy vjet gjatë luftës në Gaza, të gjitha festimet publike për Krishtlindje u anuluan në Betlehem në Bregun Perëndimor të pushtuar – ku të krishterët besojnë se lindi Jezusi.

    Por pas armëpushimit të kohëve të fundit, qyteti i shenjtë vendosi që këtë vit festimet të ktheheshin, siç simbolizohet nga ndezja e pemës tradicionale gjigante të Krishtlindjeve përpara Kishës historike të Lindjes.

    “Kanë qenë dy vite të këqija heshtjeje; pa Krishtlindje”, tha kryetari i bashkisë së Betlehemit, Maher Canawati.

    “Ne të gjithë jetojmë këtu nga turizmi dhe turizmi kishte rënë në zero.”

    Kryebashkiaku pranon se ideja e rifillimit të festimeve nuk ishte pa polemika, ndërsa vuajtjet vazhdojnë në Gaza – përfshirë edhe ata në komunitetin e saj të vogël të krishterë, shumë prej të cilëve kanë të afërm në Betlehem.

    “Disa mund të thonë se nuk është e përshtatshme dhe të tjerë thonë se është e përshtatshme”, tha ai.

    “Por thellë në zemrën time, ndjeva se kjo ishte gjëja e duhur për të bërë sepse Krishtlindjet nuk duhet të ndalen ose anulohen kurrë. Kjo është drita e shpresës për ne.”

    Vendasit – si të krishterë ashtu edhe myslimanë – pozojnë për selfie para pemës me stoli të kuqe dhe të arta në Sheshin Manger.

    Atyre u bashkohen një grusht turistësh të huaj. Drita me ngjyra të ndezura tani ndriçojnë rrugët.

    “Jemi shumë të lumtur që e kemi pemën, gjëja e parë, dhe që shohim të huaj në Betlehem dhe që jemi në gjendje të festojmë Krishtlindjet në frymën e saj të vërtetë”, tha një banore.

    “Këtu filloi gjithçka, kështu që këtu mund t’i dërgojmë botës mesazhin se çfarë duhet të jetë në të vërtetë Krishtlindja. Dhe këtë vit, nëse Krishtlindja është paqësore, atëherë shpresoj se do të sjellë një mesazh të mirë për të gjithë botën.”

    “Po përgatitemi për Krishtlindje pas një prej periudhave më të vështira si palestinezë dhe si të krishterë”, tha Alaa Salameh, pronar i Afteem, një restorant familjar me dekada të tëra, të ardhurat e të cilit kanë rënë ndjeshëm.

    Me tensionet ende të larta në të gjithë rajonin, njerëzit në Betlehem thonë se po luten për paqe dhe shpresojnë që turistët të kthehen në vendin ku besohet se filluan Krishtlindjet.

  • Pas 14 vitesh, Angela Martini sqaron puthjen me Donald Trumpin

    Pas 14 vitesh, Angela Martini sqaron puthjen me Donald Trumpin

    Presidenti Donald Trump dikur u përfol gjerësisht pasi u fotografua sikur po puthte ish–Miss Albania, Angela Martini në vitin 2011, edhe pse ishte i martuar me Melania Trump.

    Ngjarja ndodhi gjatë një fotosesioni të Miss Universe në New York, ku Martini ishte e ftuar si ish–konkurrente.

    Fotot që qarkulluan asokohe krijonin idenë e një puthjeje në buzë, por tani, pas gati 15 vitesh, Angela Martini tregon për Daily Mail çfarë ka ndodhur vërtet.

    Ajo kujton se gjatë provave të Miss Universe 2010, ku ajo garonte për Shqipërinë, Trump e kishte vënë re papritur, ndërkohë që ajo ishte ulur në një qoshe e dëshpëruar për shkak të atyre që i quajti “favorizime”.

    Ajo thotë: “I pashë njerëz që supozohej të ishin neutralë, por po favorizonin disa vajza që në fillim”.

    Sipas Martin-it, Trump e kishte pyetur ish–presidenten e Miss Universe, Paula Shugart, se kush ishte ajo vajza shqiptare. Shugart i ishte përgjigjur:

    “Ajo është shumë e vështirë, ka qëndrime, nuk i ndjek rregullat”.

    Megjithatë, Trump kishte këmbëngulur të njihej me të. Angela tregon se ai i ishte afruar, ishte prezantuar dhe më pas i kishte thënë Shugart:

    “Dua që ajo të shkëlqejë”.

    Angela përfundoi e gjashta në Miss Universe 2010 dhe thotë se Trump ishte korrekt dhe profesional gjatë gjithë kohës:

    “Ai ishte shumë i sjellshëm. Nuk flirtonte kurrë. Ishte shumë profesional”.

    Këto dëshmi bien ndesh me akuzat e mëparshme të disa ish–konkurrenteve, të cilat stafi i Trump i ka quajtur “akuza pa bazë”.

    E famshmja “puthje” që u bë virale

    Në 2011, një foto e saj me Trump u bë lajm ndërkombëtar për shkak se dukej sikur ata po putheshin. Por Angela sqaron: “Ishte thjesht një iluzion optik”.

    Ajo shpjegon se këndi i kamerës e ka shtrembëruar momentin, duke e bërë të duket më intim se ç’ishte në realitet. Ata thjesht i kishin dhënë njëri-tjetrit një puthje në faqe.

    “Ishte e pavërtetë, por duket çuditshëm në foto, sepse edhe një vajzë tjetër në krah ka një shprehje të çuditshme sikur është e habitur”, tregon ajo.

    Ajo thotë se në atë kohë është gjykuar rëndë nga publiku, por nuk e ka lënë ta dëmtojë, sepse, siç thotë vetë: “Njoh të vërtetën time”. Trump dhe ekipi i tij nuk e kishin kontaktuar pasi gjithçka “nuk ishte e vërtetë”.

    Angela shton se vite më pas është takuar sërish me Trump dhe Melania dhe të dy kanë qenë “shumë të sjellshëm”. “Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë respektuese me të. Nuk kam ndjerë kurrë energji të keqe”.

    Romanca e shkurtër me Kanye West

    Pas Miss Universe, Angela thotë se një ditë është telefonuar rastësisht nga Kanye West, pasi reperi e kishte parë në një tapet të kuq dhe kishte gjetur numrin e saj. Ai e kishte ftuar për drekë në ABC Kitchen në New York.

    Ajo kujton: “Ai ishte me truprojen e tij dhe thjesht po më komplimentonte orën dhe çantën. Atij i pëlqen të vërë re detajet e vogla të modës”.

    Më pas, Kanye e kishte ftuar në studio për t’i dëgjuar projektet muzikore të reja, por lidhja u shua shpejt sepse Angela shpesh mërzitej.

    Ajo thotë se Kanye i thoshte: “Si mund të mërzitesh me mua? Të gjithë duan të jenë këtu dhe të dëgjojnë këtë muzikë të re”, dhe Angela ia kthente: “Po, por nuk dua të rri gjithë ditën këtu për të dëgjuar muzikë. Dua të bëj edhe gjëra të tjera”.

    Më vonë atë vit, Kanye e kishte telefonuar për t’i thënë se duhet të shkëputeshin, sepse do të fillonte të takohej me Kim Kardashian.

    Dashuria, martesa dhe divorci i vështirë

    Angela më vonë u martua me biznesmenin rumun Dragos Savulescu, i cili për vite u përball me akuza për korrupsion e përvetësim, akuza nga të cilat u shpall i pafajshëm. Por në tetor ajo ka paraqitur kërkesën për divorc.

    Ajo thotë: “Kemi pasur një histori shumë të bukur, intensive dhe jashtëzakonisht të rëndë. Luftonim kundër një sistemi. Por pesha mbetet. Ndjeva se ishte gjëja e duhur në atë moment”.