ATV

Author: K.B.

  • Tahiri ngre alarmin për çmimet e larta: Çfarë po ndodh kështu? Çmimet më të larta se në Zvicër e Gjermani

    Tahiri ngre alarmin për çmimet e larta: Çfarë po ndodh kështu? Çmimet më të larta se në Zvicër e Gjermani

    Ish-deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur alarmin për çmimet e larta të produkteve bazë në Kosovë.

    Tahiri vë në pah se çmimet bazike në Kosovë janë më të larta se në Zvicër, Gjermani, Itali e Francë.

    Sipas tij, me këtë qeveri, të vetmet gjëra të lira kanë mbetur pagat.

    Statusi i plotë:

    “Çfarë po ndodh kështu? Çdo ditë po shtrenjtohen çmimet e produkteve të përditshme, janë shkuar në hava.
    Si është e mundur që produktet bazike, si qumështi, produktet e qumështit, frutat dhe artikuj të tjerë ushqimorë, të kenë çmime më të larta se në Zvicër, Gjermani, Itali apo Francë?
    Në Kosovë, me këtë qeveri, duket se të vetmet gjëra të lira kanë mbetur pagat.
    Pesë vjet vetëm fjalë, përralla e premtime!”

  • Kica Xhelili kandidate e LDK-së për deputete, tregon numrin që do ta ketë

    Kica Xhelili kandidate e LDK-së për deputete, tregon numrin që do ta ketë

    Doarsa Kica-Xhelili ka njoftuar se do të jetë kandidate e LDK-së për deputete.

    Ky vendim, sipas saj, nuk do të jetë i lehtë, jo për shkak të punës, por për shkak të gjendjes shëndetësore.

    Ajo po ashtu ka thënë se këtë herë ka zgjedhur të garoj me numrin 4, sepse thotë se vendin real ia përcakton votuesi.

    Postimi i plotë:

    Të dashurit e mi,

    Konfirmoj rikandidimin tim edhe për këtë mandat. Ky vendim nuk ishte i lehtë, jo për shkak të punës, por për shkak të gjendjes sime shëndetësore dhe sfidave të shtatzënisë, të cilat e bëjnë fushatën më të vështirë se kurrë.

    Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë.

    Gjatë muajve të vështirë të shëndetit tim, kam dëgjuar shumëçka: fjalë për mungesën time, interpretime të pasinqerta, madje edhe insinuata që e shndërronin sfidën time njerëzore në arsyetim politik.

    Kam parë propagandë, linçime, faqe pa emër e pa fytyrë, dhe fatkeqësisht edhe ndonjë rrudhje krahësh nga njerëz që e dinin realitetin tim, por zgjodhën ta përdorin atë për të më portretizuar si të painteresuar.

    Më kanë kërkuar të reagoj e të sqaroj. Unë kam zgjedhur të hesht, jo nga dobësia, por sepse refuzoj t’u jap hapësirë atyre që ushqehen me helm. Por sot, duke rikandiduar, ua kam borxh të vërtetën atyre që më kanë mbështetur pa kushte: mungesa ime s’ka qenë kurrë mungesë interesi, por betejë personale për shëndetin tim dhe të fëmijës tim.

    Besoj se politika e vërtetë fillon aty ku mbaron egoja personale. Prandaj hyj në këtë garë me qetësi, me përulësi, dhe me bindjen se energjia jonë duhet të shkojë te armiku i përbashkët: sfidat që e mbajnë vendin peng, jo tek njëri–tjetri.

    Në këtë betejë, edhe pse fizikisht më larg se herëve të tjera, ju jeni forca që më çon përpara.

    Ju përqafoj!
    E juaja,
    Doarsa

  • Analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë GUXO

    Analisti Blerim Gashi i bashkohet Partisë GUXO

    Partisë GUXO i është bashkuar edhe analisti i njohur, Blerim Gashi.

    Lajmin e ka bërë të ditur, Faton Peci, kryetar i këtij subjekti që garon bashkë me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Një ditë më parë, këtij subjekti i është bashkuar edhe analisti i njohur, Viktor Buzhala.

    Postimi i plotë:

    Sot, rrugëtimit tonë politik i bashkohet Blerim Gashi, jurist dhe politolog, një emër i njohur i përballjes pa kompromis kundër propagandës dhe dezinformimit si dhe për qasjen e qartë, të argumentuar dhe profesionale në debatin publik e politik.

    Me përvojë të gjatë në hartimin e politikave publike dhe komunikimin strategjik, Blerim Gashi ka dëshmuar se guximi intelektual dhe integriteti personal janë themeli i qeverisjes së mirë. Angazhimi i tij për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë një zë të besueshëm dhe të respektuar në hapësirën publike kosovare.

    Analizat e tij të drejtpërdrejta, shkrimet e guximshme dhe paraqitjet publike me qëndrime të qarta, kanë kontribuar në forcimin e kulturës demokratike dhe në promovimin e një shteti që u shërben qytetarëve, jo interesave të ngushta.

    Me Blerim Gashin në listën e koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK, bashkë me profesionistë të tjerë të dëshmuar, vazhdojmë punën e angazhimin tonë për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, në shërbim të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik.

    Mirë se erdhe, Blerim!

  • Erdogan i jep para dhe i puth dorën një vajze me Sindromën Down, pamjet bëhen virale

    Erdogan i jep para dhe i puth dorën një vajze me Sindromën Down, pamjet bëhen virale

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është filmuar duke i dhuruar para në dorë një vajze me sindromën down.

    Momenti u regjistrua gjatë një aktiviteti publik për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, që u mbajt më 3 dhjetor në Ankara.

    Bëhet e ditur se vajza sapo kishte mbaruar një garë atletike.

    Nga pamjet shihet që pas garës, ajo i afrohet presidentit turk i cili i dhuron para.

  • Gjergj Dedaj: PLK-ja mbështet Bedri Hamzën për kryeministër

    Gjergj Dedaj: PLK-ja mbështet Bedri Hamzën për kryeministër

    Lideri historik i Partisë Liberale të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka mohuar zërat që ai është kandidat për deputet në ndonjërën prej partive politike.

    Ai ka thënë se vet personalisht dhe PLK-ja do ta mbështesin Bedri Hamzën për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Duke qenë se individ të caktuar bëjnë edhe montazhe fallco me foton time sikur gjoja jam takuar me ndonjërin lider politik për të biseduar për përfshirjen time në listat zgjedhore, apo disa mediume dhe analist të dështuar e servil partiak rrejshëm e lakojnë emrin tim, ndjejë obligim ta sqaroj të vërteten time për të cilën unë vendosi dhe e cila është e paluhatshme se nuk do të jam me asnjë kusht në asnjërën nga listat partiake për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025! Ç’është e vërteta unë dhe miqtë e mi, simpatizantët dhe votuesit liberal demokrat, do ta votojmë PDK sic e kemi bërë në të gjitha zgjedhjet dhe sfidat, që nga viti 2007, dhe do ta mbështesim Bedri Hamzën si kandidat meritor, dinjitoz dhe i nevojshëm për kryeministër të Kosovës! Beteja ime politike vazhdon dhe do mbetet aktive për ta mposhtur regjimin populist të LVV dhe aty ku mundëm për të dhënë kontribut modest, për riparimin e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO-n, si dhe për forcimin e perspektivës Europiane dhe integrimin Euroatlantik të shtetit të Kosovës!”, ka shkruar Dedaj në “Facebook”.

  • Gruaja në Dragash s’e lë burrin të hyjë në shtëpi, policia jep detaje

    Gruaja në Dragash s’e lë burrin të hyjë në shtëpi, policia jep detaje

    Një ngjarje e pazakont ka ndodhur në Komunën e Dragashit.

    Policia ka njoftuar se një grua nuk e ka ka lejuar bashkëshortin e saj të hyjë në shtëpinë e tij.

    “DHUNË NË FAMILJE- Dragash 06.12.2025-NN. Është raportuar se para një muaji ankuesi m/k ka shkuar në shtëpinë e tij, por bashkëshortja e tij e dyshuara f/k nuk e ka lejuar. Palët janë intervistuar, dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullte”

  • Penalltia e portierit të Napolit bëhet virale, goditja që arriti mbi 130 km/h!

    Penalltia e portierit të Napolit bëhet virale, goditja që arriti mbi 130 km/h!

    Penalltia e Vanja Milinković-Savić në serinë e gjuajtjeve të penalltive në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Genoa-s është bërë virale në rrjetet sociale — dhe me arsye të fortë.

    Sipas ekspertëve, goditja e portierit të Napolit ka arritur shpejtësinë mbi 130 km/h, duke u cilësuar si njëra ndër penalltitë më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë.

    Forca e goditjes ishte aq e madhe, sa topi u zhduk nga kuadri i kamerës në momentin e kontaktit, duke lënë komentatorët dhe tifozët të habitur.

    Pamjet e penalltisë janë shpërndarë me mijëra herë, ndërsa tifozët kanë filluar ta quajnë Milinković-Savić “raketa njerëzore” dhe “portieri me këmbë bombë”.

    Një goditje e rrallë që po bën xhiron e botës — dhe një moment spektakolar për portierin e Napolit.

  • Ngacmoi një femër në Prizren, arrestohet shtetasi i Shqipërisë

    Ngacmoi një femër në Prizren, arrestohet shtetasi i Shqipërisë

    Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Prizren për ngacmim.

    Ai është dërguar në mbajtje.

    “Prizren 06.12.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë pasi që, i njëjti ka ngacmuar viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, raporton policia e Kosovës.

  • Studimi: Pirja e çajit ose kafesë në gota kartoni mund të shkaktojë kancer

    Studimi: Pirja e çajit ose kafesë në gota kartoni mund të shkaktojë kancer

    Një studim i ri i IIT zbuloi se çaji ose kafeja e nxehtë që konsumohet në gota kartoni mund të lëshojë 25,000 grimca mikroplastike në pijen tuaj në vetëm 15 minuta.

    Instituti Indian i Teknologjisë (IIT) në Kharagpur, është universiteti kryesor qeveritar për kërkime inxhinierike dhe teknologjike, i themeluar në vitin 1951.

    Sipas Sudha Goel, Profesoreshe e Asociuar në IIT Kharagpur, e cila udhëhoqi hulumtimin, gotat e kartonit, njëpërdorimshe janë një zgjedhje popullore për konsumimin e pijeve.

    “Hulumtimi ynë ka konfirmuar kontaminimin e lëngut të nxehtë që shërbehet në gotat e kartonit – për shkak të degradimit të mikroplastikës dhe përbërësve të tjerë të rrezikshëm nga materiali i veshjes së gotës. Gotat e letrës zakonisht janë të veshura me një shtresë të hollë filmi hidrofobik i cili është bërë kryesisht nga plastika (polietileni) dhe ndonjëherë kopolimere për të mbajtur lëngun në gotën kartonit.
    Brenda 15 minutash kjo shtresë mikroplastike degradohet si rezultat i ujit të nxehtë”, tha ajo.

    Kjo përbën mbi 75,000 grimca në ditë nëse pini tre gota! Mjekët paralajmërojnë se këto toksina të padukshme mund të mbajnë metale të rënda që shkaktojnë kancer, prishin hormonet dhe dëmtojnë sistemin nervor.

    Ekspertët këshillojnë kalimin në gota qelqi për shëndetin tuaj dhe planetin.

    “Sipas studimit, 25,000 grimca mikroplastike lirohen në 100 mililitra lëng të nxehtë (85-90 gradë Celcius) që qëndrojnë në gota kartoni për 15 minuta. Kështu, një person që pi tre gota të rregullta çaji ose kafeje çdo ditë, në një gotë kartoni, do të gëlltiste 75,000 grimca të vogla mikroplastike të cilat janë të padukshme për syrin e njeriut”, shtoi ajo.

    Studiuesit ndoqën dy procedura të ndryshme – në procesin e parë, uji i nxehtë ultra i pastër (85-90 gradë Celcius) u derdh në gotat e kartonit së disponueshme dhe u la të qëndronte për 15 minuta.

    Goel shpjegoi se uji i përzier homogjenisht u analizua më pas për praninë e mikroplastikës, si dhe joneve shtesë që mund të kishin rrjedhur në lëng nga gotat e letrës.

    Në procesin e dytë, gotat e kartonit, fillimisht u zhytën në ujë të vakët (30-40 gradë Celcius).

    “Pas kësaj, filmi hidrofobik u nda me kujdes nga shtresa e kartonit dhe u ekspozua ndaj ujit të nxehtë (85-90 gradë Celsius) për 15 minuta.

    Ndryshimet në vetitë fizike, kimike dhe mekanike të filmave plastikë u ekzaminuan para dhe pas ekspozimit ndaj ujit të nxehtë.

    Këto mikroplastika mund të veprojnë si bartës të ndotësve si jonet, metaleve të rënda toksike si paladiumi, kromi dhe kadmiumi, dhe komponimeve organike që janë po aq hidrofobike në natyrë, duke u lejuar atyre të kalojnë lehtësisht në mbretërinë shtazore.

    “Kur gëlltiten, implikimet shëndetësore mund të jenë serioze”, tha ajo.

  • Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e demencës me 30%

    Të fjeturit më pak se gjashtë orë gjumë, rrit rrezikun e demencës me 30%

    Sipas një studimi të ri të botuar në revistën “Nature Communications”, ekziston një rrezik më i lartë i demencës nëse kohëzgjatja e gjumit është gjashtë orë ose më pak – në moshën 50 dhe 60 vjeç – krahasuar me personat që flenë shtatë orë gjatë natës.

    Pas hulumtimit të gati 8,000 njerëzve për 25 vjet, studimi zbuloi se të fjeturit më pak se gjashtë orë në moshën e mesme mund të rrisë rrezikun e demencës.

    “Koha e shkurtër e gjumit midis moshave 50, 60 dhe 70 vjeç shoqërohet gjithashtu me një rrezik të shtuar prej 30% për shfaqjen e demencës, pavarësisht nga faktorët sociodemografikë, të sjelljes, kardiometabolikë dhe të shëndetit mendor, përfshirë depresionin”, sipas studimit.

    “Gjumi është i rëndësishëm për funksionimin normal të trurit dhe mendohet gjithashtu të jetë i rëndësishëm për pastrimin e proteinave toksike që grumbullohen në tru”, tha Tara Spires-Jones, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës për Shkencat e Zbulimit të Trurit në Universitetin e Edinburgut në Skoci.

    “Problemet e çrregullimit të gjumit mund të ndodhin shumë kohë para fillimit të shenjave të tjera klinike të demencës”, tha Tom Dening, i cili drejton Qendrën për Demencën në Institutin e Shëndetit Mendor në Universitetin e Nottingham në Britaninë e Madhe.