ATV

Author: K.B.

  • Arratisen tre persona nga Qendra Edukuese Korrektuese në Lipjan, të njëjtit kapen nga policia

    Arratisen tre persona nga Qendra Edukuese Korrektuese në Lipjan, të njëjtit kapen nga policia

    Tre persona të privuar nga liria janë arratisur nga Qendra Edukuese Korrektuese në Lipjan.

    Sipas raportimeve zyrtare, njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arritur t’i kapin të arratisurit.

    Rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 20:25.

    Ata janë rikthyer në qendrën e përkatëse, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për rrethanat e ngjarjes.

  • Presidenti i Hungarisë në Kosovë, pritet të takohet me Osmanin

    Presidenti i Hungarisë në Kosovë, pritet të takohet me Osmanin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot në orën 16:00 do të pres në takim presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok.

    Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga presidenca e Kosovës.

    Siç thuhet në njoftim mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje nga pritja si dhe në fillim të takimit.

  • “Prindërit në gjendje të lirë, pritet hetim për qenin”, detaje të reja nga ngjarja tragjike në Greqi

    “Prindërit në gjendje të lirë, pritet hetim për qenin”, detaje të reja nga ngjarja tragjike në Greqi

    Ngjarja e rëndë në Zakynthos, ku një fëmijë vetëm 2 vjeç humbi jetën pasi u sulmua për vdekje nga një qen pitbull, vijon të tronditë opinionin publik në Greqi dhe në Shqipëri.

    Gazetarja e A2 CNN, Adelina Onuzi, solli sot detaje të reja rreth tragjedisë që ka tronditur komunitetin lokal.

    Nga kontakti me dy banore të zonës ku ndodhi ngjarja, u hodh më shumë dritë mbi mënyrën e jetesës së familjes dhe marrëdhënien e tyre me kafshët. Ato treguan se familja shqiptaro-britanike ishte e njohur për kujdesin ndaj qenve endacakë. Madje, sipas tyre, gjyshja e fëmijës kishte strehuar ndër vite rreth 80 deri në 84 qen të rrugës, duke i mbajtur përkohësisht dhe duke u ofruar ndihmë.

    Kjo lidhje e ngushtë e familjes me kafshët shpjegon edhe afërsinë e fëmijëve me to. Banoret thanë se edhe në rrjetet sociale shpesh qarkullonin foto të familjes ku shfaqeshin qentë që kujdeseshin përkohësisht.

    Ndërkohë, policia greke ka shoqëruar prindërit e fëmijës për deklarime, por më pas i ka lënë të lirë. Sipas autoriteteve, hetimet do të fokusohen tek rrethanat e mbajtjes së qenit dhe sjellja e tij, për të përcaktuar përgjegjësitë finale mbi tragjedinë. Deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga familjarët, ndërsa informacionet publike janë komunikuar kryesisht nga kryetari i bashkisë së zonës.

    Komuniteti është ende i tronditur, ndërsa banorët që njihnin familjen e përshkruajnë atë si njerëz të përkushtuar ndaj kafshëve dhe shumë të kujdesshëm ndaj tyre. Ngjarja mbetet në hetim, ndërsa pritet që ekspertët veterinarë dhe policia të përcaktojnë në vijim edhe verdiktin përfundimtar mbi përgjegjësitë ligjore.

  • Rritet profesionalizmi i FSK-së, furnizohen me veshmbathje speciale të zhytjes

    Rritet profesionalizmi i FSK-së, furnizohen me veshmbathje speciale të zhytjes

    Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një kontratë të re për furnizim me veshmbathje të specializuara kërkim–shpëtim zhytje SUFSK 1001, e cila do t’i shërbejë nevojave operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Kontrata, me kohëzgjatje prej 36 muajsh, është dhënë pas procedurës së ritenderimit, ndërsa synon rritjen e kapaciteteve profesionale dhe efikasitetit të FSK-së në misionet kërkim-shpëtim,

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, furnizimet do të realizohen nga operatori ekonomik fitues “Profitech”, i cili është vlerësuar të ketë kapacitetin e nevojshëm për realizimin teknik të pajisjeve, bazuar në kriteret dhe specifikimet e dosjes së tenderit.

    Vlera e përgjithshme e kontratës arrin në 73,420.80 euro. Ky investim konsiderohet një hap tjetër i rëndësishëm në modernizimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • Kandidatët që synojnë kuvendin, por që su bën kryetar komunash

    Kandidatët që synojnë kuvendin, por që su bën kryetar komunash

    Të gjitha subjektet politike të regjistruara për garën e ardhshme zgjedhore kanë dorëzuar zyrtarisht listat me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Me këtë hap është përmbyllur afati ligjor për paraqitjen e kandidatëve, ndërsa KQZ-ja do të fillojë procesin e verifikimit dhe certifikimit, i cili u hap rrugë përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Por në mesin e kandiatëve që synojnë një ulse në Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor janë edhe kandidatët të cilët në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk arritën të bëhen kryetar komunash.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje, garës për deputetë i kanë hyrë Hajrulla Çeku, Artan Abrashi, Ardian Gola, Taulant Kelmendi, Rufki Suma, Ilir Qeriqi, Ali Dula, Jeton Raka, Sylejman Meholli, Egzon Tërdeci, Filiz Mustafa, Lulzim Hetemi.

    Te Partia Demokratike e Kosovës garës si kandidatë për deputetë i hynë Uran Ismaili, Arian Tahiri, Shkumbin Demliaj, Izmir Zeqiri.

    Sikurse në VV dhe PDK, edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës kandidatët që nuk arritën të bëheshin kryetar komunash po synojnë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Në LDK garës për deputet po i hyjnë Ekrem Hyseni, Visar Azemi, Driton Selmanaj, Ardian Shala, Arbër Ismajli, Xhafer Gashi, Besnik Osmani, Shefqet Shehu.

    Nga AAK-ja garojnë Bekë Berisha, Zafir Berisha, ndërsa nga Nisma garon Xhevaire Izmaku.

  • Rritet numri i të prekurve me HIV – 6 të vdekur

    Rritet numri i të prekurve me HIV – 6 të vdekur

    Vetëm gjatë këtij viti, Kosova ka regjistruar 31 raste të reja me HIV/AIDS dhe 6 humbje jete.

    Shifrat tregojnë një rritje të vazhdueshme krahasuar me vitet e mëparshme.

    Ani pse, Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë.

    Ndërsa nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se shumica e rasteve i takojnë gjinisë mashkullore.

    “Të dhënat e IKSHPK-së tregojnë se rastet janë më të shprehura te gjinia mashkullore: 82% të rasteve, kundrejt 18% të rasteve te gjinia femërore. Është një rritje nga viti 2021 e këtej, por që, në Kosovë mund të thuhet se nuk ka epidemi të koncentruar apo të gjeneralizuar të HIV/AIDS-it, pasi prevalenca në mesin e popullatës së përgjithshme është më e vogël se 1%, ndërsa në mesin e popullatave kyçe (MSM, PID dhe PSF) më e vogël se 5%. Pra, më e ulët se në vendet e rajonit dhe kontinentit evropian”, thuhet nga IKSHPK.

    Sipas shefit të repartit në kliniken infektive në QKUK, Murat Mehmeti vitet e fundit ka pasur një rritje të dukshme të rasteve.

    “Janë konfirmuar 6 raste të vdekjes nga IKSHPK. E në klinikën infektive janë regjistruar 4 raste të vdekjeve, ndërkohë që siç është përmend edhe maheret numri i rasteve të reja gjatë këtij vit përfshirë edhe dy raste të reja, këto 3-4 ditë e fundit është arrit dmth numri prej 30 rasteve të reja për vitin 2025”, thotë Mehmeti.
    Mehmeti, thotë se rritja e rasteve është shqetësuese, dhe se do duhej të behet një sensibilizim ndaj popullatës.

    “Pa dyshim që është shqetësues fakti që kemi rritje të numrit të rasteve dhe pikërisht pse kemi këtë rritje të numrit të rasteve do duhej të ishte dasht që të bëhet shumë ma shumë informimin përkatësisht në sensibilizimin e popullatës në përgjithësi e sidomos të rinjëve në veçanti, kur edhe po dihet që shumica e të prekurve janë të rinj. Këto dy ditet e fundit i kemi dy raste të reja, të cilët janë të shtrirë në klinikë. Nëse e krahasojmë me një periudh me të madhe kemi një numër më të madh të rasteve, para 10 viteve ky numër ka qenë dukshëm më i vogël”, shprehet ai.

    Sipas IKSHPK ata janë duke bërë mbikëqyrjen e vazhdueshme të trendeve epidemiologjike, zbulimin e hershëm të rasteve dhe raportimin përmes Departamentit të Epidemiologjisë, ndërsa përmes Departamentit të Mjekësisë Sociale zhvillon aktivitetet e parandalimit përmes edukimit dhe promovimit shëndetësor.

    Këto aktivitetet kanë për qëllim rritjen e njohurive për parandalimin e infeksionit, luftën kundër stigmës, ngritjen e informacionit për rëndësinë e testimit vullnetar dhe fushata të qarta për të promovuar sjelljet e sigurta në raport me faktorët e rrezikut.

  • Polonia i jep fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi

    Polonia i jep fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi

    Polonia i ka dhënë fund prodhimit të veshjeve prej gëzofi, sipas të përditshmes italiane “Wired”.

    Presidenti Karol Nawrocki nënshkroi të martën një ligj që ndalon përdorimin e gëzofit, duke e bërë Poloninë – shtetin e 18 anëtar të Bashkimit Evropian që i jep fund një praktike që rezultonte çdo vit në vdekjen e afërsisht tre milionë vizonëve, dhelprave, qenve, rakunëve dhe çinçilëve.

    Vendimi godet në zemër të një sektori – në të cilin Polonia ishte prodhuesja kryesore evropiane dhe e dyta më e madhe në nivel global, e tejkaluar vetëm nga Kina.

    Sipas të dhënave, 281 ferma ende operonin në të gjithë vendin, duke përfshirë 169 ferma vizonësh, 37 ferma dhelprash, 11 qen, rakunë dhe 64 ferma çinçilash.

    Nënshkrimi i presidentit erdhi pas miratimit të ligjit nga Sejmi, Dhoma e Ulët e parlamentit polak, dhe Senati muajin e kaluar, falë një marrëveshjeje ndërpartiake.

    I vetmi kundërshtim erdhi nga partia e ekstremit të djathtë “Konfederacja”, siç raporton “Notes from Poland”.

    Projektligji përcakton një ndalim të menjëhershëm të fermave të reja dhe që objektet ekzistuese duhet të ndërpresin veprimtarinë deri më 31 dhjetor 2033.

    Një sistem kompensimi gradual do të stimulojë mbylljet e parakohshme: ata që braktisin aktivitetin e tyre deri më 1 janar 2027, do të marrin deri në 25% të të ardhurave të tyre mesatare për vitet 2020-2024.

    Rënia e industrisë së gëzofit në Poloni, kishte kohë që kishte filluar.

    Sipas të dhënave të cituara nga “Business of Fashion”, eksportet e gëzofit të vizonit nga Polonia kanë rënë ndjeshëm nga 402 milionë euro në vitin 2015 në vetëm 71 milionë euro në vitin 2024, transmeton ATSh.

    Numri i fermave të vizonit në të gjithë vendin kishte rënë nga 810 në vitin 2015 në 281 aktualisht.

    Sipas sondazheve, 66% e polakëve e mbështesin mbështesin vendimin e qeverisë polake.

  • Tajlanda kryen sulme ajrore ndaj Kamboxhias pas përleshjeve në kufi

    Tajlanda kryen sulme ajrore ndaj Kamboxhias pas përleshjeve në kufi

    Tajlanda ka kryer sulme ajrore ndaj Kamboxhias fqinje më 8 dhjetor, tha ushtria e shtetit, teksa të dyja palët kanë këmbyer akuza për shpërthimin e fundit të luftimeve në kufirin e kontestuar që la të vrarë një ushtar tajlandez.

    Pasi trupat e Kamboxhias hapën zjarr ndaj forcave tajlandeze të hënën në mëngjes në provincën Ubon Ratçatani, “ushtria pranoi raportime se ushtarë tajlandezë u sulmuan me armë mbështetëse të zjarrit, duke rezultuar me një ushtar të vrarë dhe katër të plagosur”, tha zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Winthai Suvaree përmes një deklarate.

    Winthai shtoi se Tajlanda ka nisur “përdorimin e aeroplanëve për të goditur caqe ushtarake në disa zona” për të shtypur sulmet nga forcat e Kamboxhias.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes të Kamboxhias, Maly Socheata, tha se forcat tajlandeze nisën një sulm ndaj forcave kamboxhiane në provincat kufitare të Preah Viearit dhe Odar Meançejit mëngjesin e së hënës, duke e akuzuar Tajlandën “se ka shtënë me tanke në tempullin Tamone Thom” dhe në zona afër tempullit Preah Viear.

    Ajo tha se Kamboxhia nuk iu kundërpërgjigj këtyre sulmeve.

    Met Measpheakdey, zëdhënës në administratën e provincës Odar Meançej, tha se janë raportuar të shtëna në zonat e tempujve Tamone Thom dhe Ta Krabei, duke shtuar se “një numër banorësh që jetojnë pranë kufirit po largohen”.

    Ushtria tajlandeze tha se afër 35 mijë persona në Tajlandë janë evakuuar nga zonat përgjatë kufirit me Kamboxhian që nga rinisja e luftimeve.

    Ushtria tajlandeze po ashtu akuzoi forcat e Kamboxhias se kanë lëshuar raketa ndaj zonave të banuara me civilë në provincën Buri Ram, duke shtuar se nuk është raportuar për viktima.

    Të dyja palët raportuan për përleshje edhe të dielën, teksa ushtria e Tajlandës raportoi për dy ushtarë të plagosur.

    Gjatë kësaj vere, përleshjet pesëditore mes Tajlandës dhe Kamboxhias lanë të vrarë 43 persona dhe zhvendosën rreth 300 mijë të tjerë, para se të hynte në fuqi një armëpushim.

    Ndërprerja e luftimeve ishte ndërmjetësuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Malajzia.

    Në muajin tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një deklaratë të përbashkët pasuese mes Tajlandës dhe Kamboxhias, duke promovuar marrëveshje të reja tregtare me këto dy shtete pasi ato u pajtuan që të zgjasnin armëpushimin.

    Por, Tajlanda e pezulloi marrëveshjen muajin e kaluar, pas një shpërthimi të dyshuar të një mine tokësore që la të plagosur disa ushtarë.

    Më pas, të dyja palët këmbyen akuza për përleshje të reja.

    Mosmarrëveshjet mes dy shteteve përqendrohen në një debat shekullor mbi kufijtë e hartuar gjatë sundimit kolonial të Francës në rajon, me të dyja vendet që pretendojnë se u takojnë disa tempuj përgjatë vijës kufitare. /REL/

  • Zhdukja e 56 vjeçarit shqiptarit në Austri, vetura gjendet në Gjermani

    Zhdukja e 56 vjeçarit shqiptarit në Austri, vetura gjendet në Gjermani

    Vetura e shqiptarit me banim në Wels të Austrisë, i cili rezulton i zhdukur për më shumë se një javë, u gjet të dielën më Gjermani. Vetë 56 vjeçari është ende i zhdukur.

    Vajza e tij 24-vjeçare me 30 nëntor ka njoftuar policinë në Wels për zhdukjen e babait të saj. Sipas raportit, babai i saj, Agim Nuredini 56 vjeç, është larguar nga banesa e tij që nga mesdita e ditës së kaluar. Nga banesa është larguar me veturën e tij, Opel Mokka të zezë kurse pa telefonon celuar.

    Të dielën në mëngjes, policia gjermane njoftoi se vetura është gjetur në një fushë në komunën e Hauzenberg, në rrethinën e Passaut. Raportohet se vetura është gjetur e mbyullur, megjithatë nuk kishte asnjë shenjë të shoferit. Një kërkim në shkallë të gjerë që përfshinte një helikopter në zonën përreth fushës rezultoi i pasuksesshëm, shkruajnë mediat austriake, përcjell albinfo.at

    Agimi është afërsisht 1.80 metra i gjatë, peshon rreth 90 kilogramë dhe ka një trup të shëndoshë. Ai është parë për herë të fundit i veshur me një xhaketë dimërore të kaltërt të errët, xhinse blu të errët, këpucë të kaltërta dhe një kapele

  • Zelensky takohet sot me liderët evropianë në Londër

    Zelensky takohet sot me liderët evropianë në Londër

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot do të takohet me udhëheqësit kryesorë evropianë në Londër, ndërsa aleatët e Ukrainës planifikojnë përgjigjen e tyre ndaj një shtytjeje të vazhdueshme të SHBA-së që Kievi të pranojë lëshime në bisedimet e paqes.

    Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë do t’i bashkohen Zelenskyt dhe kryeministrit britanik, Sir Keir Starmer në Nr. 10, ndërsa ata kërkojnë të sigurohen që çdo marrëveshje të pengojë një sulm të ardhshëm rus, shkruan BBC.

    Takimi i nivelit të lartë vjen pas tre ditësh bisedimesh në Florida, ku kryenegociatori i Zelenskyt nxiti ndryshime në një plan të Shtëpisë së Bardhë, i konsideruar gjerësisht për t’iu përshtatur kërkesave qendrore të Kremlinit.

    SHBA-ja dhe Ukraina thanë se kishte përparim, por Donald Trump duket se e kritikoi Zelenskyn të dielën, duke thënë se ai “nuk e ka lexuar” draftin.