ATV

Author: K.B.

  • “Java kundër Korrupsionit 2025” nis me aksion simbolik nga IKD, FOL dhe INPO

    “Java kundër Korrupsionit 2025” nis me aksion simbolik nga IKD, FOL dhe INPO

    “Java kundër Korrupsionit 2025” ka nisur të hënën me një veprim simbolik të organizuar nga koalicioni i organizatave joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me qëllim të ngritjes së zërit kundër korrupsionit dhe politikave që po e paralizojnë funksionimin e shtetit.

    Në hapje të aksionit simbolik, koalicioni i OJQ-ve ka shpalosur një baner që paralajmëron mbajtjen e grevës njëditore gjatë ditës së hënë, me mesazhin: “Sot jemi në grevë. Protestojmë kundër korrupsionit dhe politikave që po e paralizojnë shtetin.”

    Gjatë konferencës për media, Arrita Rezniqi nga IKD ka theksuar se ky aksion është një thirrje për veprim dhe reflektim institucional, në kohën kur vendi përballet me shkelje të shumta të ligjit, stagnim të reformave dhe domosdoshmëri për të luftuar korrupsionin. Ajo shtoi se qëndrimet dhe analizat e shoqërisë civile, paralajmërimet për kapje të institucioneve dhe fenomenet sistemike nuk janë shoqëruar me reagim apo veprim të duhur institucional.

    Koalicioni i OJQ-ve ka identifikuar disa probleme kryesore, ndër të cilat: mungesa e reformës së plotë në drejtësi, mosfillimi i procesit të vettingut, korporatizimi në sistemin prokurorial, miratimi i ligjeve kundër-kushtetuese, mungesa e Strategjisë kundër Korrupsionit, pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-të, mungesa e dialogut social, si edhe sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve të drejtësisë. Të gjitha këto po ndikojnë në dëmtimin e jetës së qytetarëve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe besimin në demokraci.

    Në kuadër të aksionit të sotëm, u publikua edhe një video e shkurtër që paraqet disa nga arsyet kyçe pse organizatat IKD-FOL-INPO kanë vendosur të protestojnë në këtë formë.

  • Gjobitet 19 vjeçari në Ferizaj, voziti me shpejtësi 162 km/h në zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h

    Gjobitet 19 vjeçari në Ferizaj, voziti me shpejtësi 162 km/h në zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h

    Policia në Ferizaj e ka gjobitur një 19 vjeçar pasi ka vozitur me shpejtësi 162 km/h në zonën ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.

    Atij i është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim vozitje për 12 muaj.

    Njoftimi i plotë:

    Ndëshkohet një shofer për tejkalim të shpejtësisë në Ferizaj

    Ferizaj, 07 dhjetor 2025

    Policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, më datë 07.12.2025 rreth orës 21:26, në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, kanë ndaluar shoferin O.H. (19 vjeç), i cili gjatë lëvizjes të veturës BMË X3 me targa vendore është kapur duke lëvizur me shpejtësi 162 km/h në zonë ku kufizimi i lejuar është 50 km/h.

    Për këtë kundërvajtje të rëndë, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro, 5 pikë negative si dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit në territorin e Republikës së Kosovës për 12 muaj.

    Matja e shpejtësisë është realizuar me veturën zyrtare të policisë.

    Policia Rajonale në Ferizaj u bën thirrje të gjithë shoferëve të automjeteve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, pasi shkeljet e tilla paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

    Policia do të vazhdojë me intensifikimin e kontrolleve me radarë në të gjitha rrugët e rajonit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe fton qytetarët të raportojnë çdo shkelje në numrat: 192, 0290/326-250, 0290/322-406 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

    Të gjitha informacionet trajtohen me konfidencialitet të plotë.

  • Rrjedhje uji në muzeun e Luvrit, dëmtohen rreth 400 vepra në departamentin egjiptian

    Rrjedhje uji në muzeun e Luvrit, dëmtohen rreth 400 vepra në departamentin egjiptian

    Një rrjedhje uji në fund të nëntorit dëmtoi disa qindra vepra në departamentin egjiptian të Luvrit.

    Lajmin e njoftoi muzeu i Parisit të dielën, disa javë pas vjedhjes së bizhuterive e cila ngriti shqetësime mbi infrastrukturën dhe sigurinë e Luvrit.

    Zëvendës administratori i muzeut, Francis Steinbock tha se rrjedhja e ujit u zbulua më 26 nëntor dhe janë dëmtuar deri në 400 vepra. Mes tyre ka edhe revista egjiptologjike dhe dokumentacion shkencor të cilat janë përdorur nga studiuesit.

    Steinbock theksoi se sendet e dëmtuara datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të dhe janë jashtëzakonisht të dobishme, por ai un justifikua duke shtuar se ato nuk janë aspak unike.

    “Asnjë objekt i trashëgimisë nuk është prekur nga ky dëmtim. Në këtë fazë, nuk kemi humbje të pariparueshme dhe përfundimtare në këto koleksione”, tha ai.

    Incidenti vjen pas një vjedhjeje në tetor, ku një bandë me katër persona bastisi muzeun e artit më të vizituar në botë në mes të ditës, duke vjedhur bizhuteri me vlerë rreth 102 milionë dollarë në vetëm shtatë minuta para se të arratiseshin. Kjo çoi në një debat mbi infrastrukturën e vjetër të muzeut.

  • Cila kryeson në Instagram, gruaja e Messit apo CR7-a?

    Cila kryeson në Instagram, gruaja e Messit apo CR7-a?

    Në rrjetet sociale shihet qartë se sa është popullariteti i figurave publike.

    Në kemi bërë krahasimin mes dy figurave më të ndjekura në botën e futbollit: Georgina Rodríguez dhe Antonela Roccuzzo, shkruan Indeksonline.

    Edhe pse të dyjat kanë krijuar numër të madh fansash, diferenca në numrin e ndjekësve është e dukshme.

    Sipas të dhënave aktuale, Georgina Rodríguez, partnerja e Cristiano Ronaldos, numëron 71.7 milionë ndjekës, duke e pozicionuar atë si një nga personalitetet më të fuqishme në Instagram.

    Ndërkohë, Antonela Roccuzzo, bashkëshortja e Lionel Messit, ka një audiencë prej 39.9 milionë ndjekësish, një shifër mbresëlënëse, por dukshëm më e ulët krahasuar me Georginën.

    Megjithatë, të dyjat vijojnë të mbeten ndër figurat më të njohura dhe më të komentuara në arenën e futbollit global.

  • Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

    Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

    Ivanka Trump, vajza e presidentit të ShBA-së Donald Trump, ka ndarë një postim në Instagram, ku ka publikuar disa libra që trajtojnë historinë dhe identitetin shqiptar.

    Librat që ajo ka ndarë përfshijnë veprat “The Albanians” nga Miranda Vickers dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nga Ismail Kadare, dy tituj të njohur që pasqyrojnë historinë dhe kulturën e pasur të Shqipërisë.

    Postimi i Ivankës shoqërohet me mbishkrimin “Hulumtim!”.

  • Një burrë në Prushtinë e një grua në Skenderaj- dy të zhdukur për 24 orë

    Një burrë në Prushtinë e një grua në Skenderaj- dy të zhdukur për 24 orë

    Një person është raportuar i zhdukur në Prishtinë.

    Rasti po hetohet.

    “PERSON I ZHDUKUR -Prishtinë / 06.12.2025 – 07:00. Më 07.12.2025 është raportuar se viktima mashkull kosovar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij.”

    Ndërsa në Skenderaj është raportuar e zhdukur një grua.

    “PERSON I ZHDUKUR- Skenderaj / 06.12.2025 – 15:00. Më 07.12.2025 është raportuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.”

  • Tri raste të dhunës në familje për 24 orë, Policia jep detaje

    Tri raste të dhunës në familje për 24 orë, Policia jep detaje

    Tri raste të dhunës në familje janë në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Në Obiliq dy burra janë fjalosur mes vete.

    “Obiliq / 07.12.2025 – 10:00. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje viktima mashkull kosovar ishte fjalosur me të dyshuarin mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.”

    Një burrë në Prishtinë dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy gra.

    “Prishtinë / 07.12.2025 – 15:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

    Ndërsa, në Kamenicë një burrë ka pasur një mosmarrëveshje me një burrë.

    “Kamenicë / 07.12.2025 – 10:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar kishte pasur një mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar. Palët e përfshira në rast janë sjellë stacion policor dhe janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit.”

  • 22-vjeçarja gjendet e mbyllur në një kolibe në Teksas, arrestohet gruaja që e kishte birësuar

    22-vjeçarja gjendet e mbyllur në një kolibe në Teksas, arrestohet gruaja që e kishte birësuar

    Një 22-vjeçare me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore u gjet e mbyllur brenda një kolibe për qentë në oborrin e një shtëpie në Teksas, pasi një fqinj dëgjoi ulërimat e saj të tmerruara dhe njoftoi policinë. Ngjarja ndodhi më 22 nëntor, ndërsa viktima kërkonte me ngulmë ndihmë, duke thënë se kishte frikë dhe se kishte nevojë të shkonte në tualet.

    Fqinji Justin Anderson, 24 vjeç, dëgjoi britmat dhe vendosi të filmonte gjithçka, duke e kuptuar shpejt se bëhej fjalë për një situatë të rëndë, transmeton A2. Pasi pa të renë të mbyllur në kafazin e mbyllur me kabllo metalike, ai thirri policinë, ndërsa vazhdoi ta qetësonte viktimën nga ana tjetër e gardhit.

    Policia mbërriti shpejt në vendngjarje dhe gjeti gruan brenda kafazit, e veshur vetëm me një bluzë dhe pantallona të holla, ndërsa temperaturat ishin të ulëta. Ajo u dërgua menjëherë në spital për kontroll mjekësor dhe më pas iu dorëzua një familjari.

    Kujdestarja e saj, 60-vjeçarja Kandice “Candy” Thompson, e njohur në komunitet për kujdesin ndaj shumë fëmijëve në vite dhe e veja e ish-shefit të policisë lokale, u arrestua dhe u akuzua për rrëmbim personi, keqtrajtim të personave me aftësi të kufizuara, ndalim të paligjshëm dhe rrezikim jete.

    Sipas policisë, viktima ishte birësuar nga familja Thompson që në moshën dyvjeçare dhe kishte qenë e mbyllur në kafaz si “ndëshkim”. Dy të rritur të tjerë me aftësi të kufizuara u larguan gjithashtu nga shtëpia.

    Shefi i policisë, Daniel Graziose, e quajti rastin “tronditës për ndërgjegjen njerësore” dhe falënderoi fqinjët për reagimin e shpejtë. Ai theksoi se ndërhyrja e Anderson mund t’i ketë shpëtuar jetën viktimës, duke apeluar që komuniteti të reagojë sa herë dëgjon ose sheh diçka të dyshimtë.

  • Oficeri i FSK-së diplomon në ShBA, shpërblehet me medalje

    Oficeri i FSK-së diplomon në ShBA, shpërblehet me medalje

    Kapiten Ymërdin Hasani ka diplomuar në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina e Veriut, ShBA, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale John F. Kennedy.

    Nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) njoftojnë se Kapiten Hasani është shpërblyer me Medaljen për Arritje Ushtarake e cila i ndahet pjesëtarëve të cilët kanë shfaqur rezultate të larta gjatë trajnimit.

    Ky trajnim i specializuar përqendrohet në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitete lokale, vlerësim të nevojave civile dhe koordinim të projekteve që mbështesin stabilitetin dhe zhvillimin në zona operimesh.

    Përmes këtij kursi, Kapiten Hasani ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkërendimin me institucione vendore dhe organizata partnere, si dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullsisë civile.

    Kapiten Hasani do t’i kthejë njohuritë e përfituara në shërbim të Kosovës, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin dhe forcimin e kapaciteteve të Çështjeve Civile në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

  • Arrestohet 40-vjeçari nga Kosova në Kukës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Finlanda

    Arrestohet 40-vjeçari nga Kosova në Kukës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Finlanda

    Një 40-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze për trafikim të lëndëve narkotike, është vënë në pranga këtë të hënë nga shërbimet e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë.

    Policia shqiptare ka njoftuar se gjatë kontrolleve të detajuara në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, si pjesë e operacioneve për goditjen e paligjshmërive në kufi dhe identifikimin e personave të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës, policia ndaloi shtetasin: Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë.

    Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranën, u konfirmua se ndaj tij ishte lëshuar një masë sigurie “Arrest në burg” nga Prokuroria e Distriktit Jugor të Helsinkit, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

    40-vjeçari është arrestuar me qëllim ekstradimi, ndërsa Interpol Tirana ka nisur procedurat për dorëzimin e tij tek autoritetet finlandeze.