ATV

Author: K.B.

  • Vëllai i Festim Isufit thotë se autopsinë e tij do ta çojnë në Gjermani

    Vëllai i Festim Isufit thotë se autopsinë e tij do ta çojnë në Gjermani

    Më 9 maj të këtij viti, dizajneri i njohur Festim Isufi, u gjet i vdekur në banesën e tij në rrugën B, në Prishtinë.

    Familja e të ndjerit, po dyshon se më i dashuri i tyre është vrarë nga një person i tretë, pasi në momentin kritik, pranë tij gjendej edhe bashkëshortja, Rina Maloku, e cila kishte pësuar plagë.

    Por, një dyshim i tillë, nuk është përmendur nga organet e rendit.

    Ndërkohë, vëllai i Festimit, Lulzim Isufi, ka bërë të ditur se autopsinë e vëllait të tij, do ta dërgojnë edhe në Gjermani.

  • Jehona Kicaj – laurate e Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025

    Jehona Kicaj – laurate e Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025

    Shkrimtarja nga Kosova, Jehona Kicaj e cila jeton prej kohësh në Gjermani është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Hanna” – Çmimi Letrar i Qytetit të Hannoverit për vitin 2025.

    Kjo vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm, me romanin e saj „ë“ të përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit 2025.

    Romani „ë“, i cili i solli këto dy vlerësime të mëdha brenda një viti, sjell rrëfimin prekës të një familjeje nga Kosova e cila, gjatë luftës detyrohet të shpërngulet në Gjermani.

    Historia rrëfehet përmes syve të një fëmije, duke e bërë tregimin edhe më emotiv dhe të fuqishëm.

  • Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

    Bedri Hamza i kërkon BE-së t’i heqë sanksionet pavarësisht se kush do ta udhëheqë Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ia ka dërguar një letër zyrtare presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ku kërkon heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës. Në tekstin e letrës bie në sy një qasje që shkon përtej interesit partiak dhe zgjedhor, duke e vendosur perspektivën europiane të Kosovës mbi çdo rivalitet politik.

    Në qendër të mesazhit të tij, Hamza thekson se Kosova duhet trajtuar si çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se sanksionet po e dëmtojnë vendin në momente kyçe për integrimin europian dhe euroatlantik.

    “Vendit tonë duhet t’i jepen të njëjtat mundësi, mjete dhe mbështetje si të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe NATO-s”, shkruan ai.

    Duke reflektuar mbi vitin sfidues që ka kaluar Kosova, me tri procese zgjedhore brenda një viti, Hamza shpjegon se këto janë dëshmi të “qëndrueshmërisë dhe pjekurisë së demokracisë së Kosovës”.

    Ai thotë se proceset zgjedhore janë zhvilluar “demokratikisht, me transparencë dhe paqësisht”, pavarësisht bllokadës së mëvonshme politike.

    Në letrën e tij, Hamza risjell në vëmendje sakrificat dhe obligimet që Kosova ka marrë përsipër në rrugën e integrimit, përfshirë edhe krijimin e Dhomave të Specializuara. Ai e quan këtë një kërkesë të imponuar vetëm mbi Kosovën, e cila “fatkeqësisht është shndërruar në një instrument monoetnik”.

    Por, pjesa më shprehëse e letrës është thirrja e tij për unitet dhe qasje të përbashkët shtetërore ndaj interesave strategjike.

    “Pavarësisht se kush do t’i udhëheqë institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve, vendi ynë duhet të ketë të njëjtat mjete dhe mbështetje si të gjitha të tjerat në rajon. Vazhdimi i masave e privon Kosovën nga këto mundësi dhe rrezikon të minojë vlerat demokratike dhe proevropiane”.

    Kjo fjali e përmbledh filozofinë e letrës: çështja e sanksioneve nuk është e një qeverie apo partie, por e vetë shtetit të Kosovës.

    Në përmbyllje, Hamza i bën thirrje BE-së që të dërgojë një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar vendimin që do t’i hapte rrugë një faze të re të marrëdhënieve.

    “Kërkoj me respekt heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”.

    Letra reflekton një pozicion që Hamza e paraqet jo vetëm si lider partie, por edhe si një figurë burrështetasi që synon stabilitet, partneritet dhe trajtim të drejtë të Kosovës në proceset euroatlantike.

  • PDK dështon ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit në Kaçanik – opozita braktis sallën

    PDK dështon ta zgjedhë kryesuesin e Kuvendit në Kaçanik – opozita braktis sallën

    Është betuar kryetari i ri i komunës, Sabedin Vishi, seanca e Kuvendit të Kaçanikut u shndërrua në skenë tensioni politik, pasi PDK nuk arriti ta sigurojë zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit.

    Pikërisht në momentin kur duhej të procedohej me votimin, partitë opozitare reaguan ndaj propozimit të PDK-së dhe braktisën sallën, duke e lënë subjektin fitues pa kuorum dhe duke e pamundësuar procesin.

    Kështu, PDK pati dështimin e parë institucional pas zgjedhjeve, duke mos arritur të konsolidojë udhëheqjen e kuvendit, ndërkohë që seanca u ndërpre dhe pritet të thirret përsëri në ditët në vijim.

  • KQZ-ja mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    KQZ-ja mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mban mbledhjen e radhës.

    Kjo mbledhje do të mbahet nga ora 13:30.

    Ky është rendi i ditës:

  • Ishte planifikuar të luftonte herpesin, zbulohet vaksina që ndihmon në betejën kundër demencës

    Ishte planifikuar të luftonte herpesin, zbulohet vaksina që ndihmon në betejën kundër demencës

    Me rreth 10 milionë raste të reja të demencës çdo vit në mbarë botën, komuniteti shkencor po intensifikon kërkimet për mënyra efikase që mund të parandalojnë ose ngadalësojnë zhvillimin e saj.

    Përveç faktorëve të njohur të stilit të jetesës, të dhëna të reja shkencore kanë nxjerrë në pah një armë të papritur mbrojtëse: vaksinën kundër herpesit zoster.

    Vaksina që mund të mbrojë trurin

    Një analizë e kryer nga studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Stanfordit zbuloi se të moshuarit e vaksinuar kundër herpesit zoster kishin 20% më pak gjasa të zhvillonin demencë brenda shtatë viteve, krahasuar me personat e pavaksinuar. Studimi, i botuar kohë më parë në ‘Nature’, mbështetet në hipotezën se viruset që prekin sistemin nervor mund të rrisin rrezikun e demencës.

    Në vazhdim, një studim tjetër i botuar në ‘Cell’ nxori në pah se e njëjta vaksinë mund të ngadalësojë përparimin e demencës edhe tek ata që janë tashmë të diagnostikuar.

    Herpes zoster, i shkaktuar nga virusi varicella-zoster, është një infeksion i dhimbshëm që rikthehet vite pas infeksionit fillestar me variçelë. Ndërkohë, demenca prek mbi 55 milionë njerëz globalisht, duke e bërë kërkimin për faktorët që ndikojnë në zhvillimin e saj një përparësi ndërkombëtare.

    Studime të mëhershme kanë sugjeruar një lidhje midis vaksinës dhe uljes së rrezikut të demencës, por nuk mund të përjashtonin ndikimin e stilit të jetesës së njerëzve të vaksinuar.

    Një përparësi e madhe kërkimore erdhi nga programi i vaksinimit në Uells, i cili më 1 shtator 2013 vendosi të vaksinojë vetëm personat që ishin saktësisht 79 vjeç. Ata që ishin 78 ose 80 vjeç nuk u përfshinë menjëherë.

    Kjo krijoi një mundësi të rrallë: krahasimin e dy grupeve pothuajse identike, sikur të ishin pjesë e një prove klinike.

    Analiza përfshiu të dhënat e më shumë se 280,000 të moshuarve dhe dha rezultate të qarta.

    Çfarë zbuluan studiuesit pas 7 vitesh?

    Rënien e rasteve të herpesit zoster me 37% te të vaksinuarit.

    20% ulje të rrezikut të demencës në krahasim me të pavaksinuarit.

    Më pak raste të dëmtimit të lehtë njohës brenda 9 viteve.

    Tek personat tashmë të diagnostikuar me demencë, vaksina ishte e lidhur me mbijetesë më të lartë dhe përparim më të ngadalshëm të sëmundjes.

  • Taksat doganore po e rrisin koston e porosive ndërkombëtare në Kosovë

    Taksat doganore po e rrisin koston e porosive ndërkombëtare në Kosovë

    Kostoja e produkteve të blera online jashtë Kosovës, që kushtojnë mbi 35 euro, shpesh dyfishohet ose edhe trefishohet për qytetarët.

    Kjo ndodh sepse ata duhet të paguajnë taksën doganore dhe TVSH-në, e cila llogaritet edhe mbi koston e transportit, pavarësisht nëse porosia vjen me aeroplan apo me transport tokësor.

    Zëdhënësi i Doganës…, Adriatik Stavileci, thotë se taksat janë të njëjta për të gjitha porositë, por, sipas tij, çmimi i taksës dallon varësisht nga kostoja e transportit.

    “Fillimisht duhet të sqarojë se taksat që aplikohet në import janë të njëjta nuk kanë dallim, por nëse një produkt ka një vlerë prej 50 eurosh si produkt dhe vlera e transportit nga vendi i dërgesës është 15 apo 30 euro atëherë baza për kalkulimin e taksave bëhet vlera e produktit plus vlera e transportit. Vlera e produktit 50 euro plus vlera e transportit 10 euro si shembull mbërrin në 60 euro dhe këtu janë ato dallimet… Dogana nuk ka interes personal ka interes publik dhe aplikon taksa të njëtrajtshme, por, varësisht nga vlera e produktit apo transportit i cili kryhet për atë produkt lëvizin edhe taksat që aplikohen në vlerë të produkteve…”, tha Stavilevci për rtv21.

    Porositë online u shtuan gjatë pandemisë, tregon ish-drejtori i Doganës Lulzim Rafuna, tani kryetar i Odës Ekonomike. Rafuna thotë se sasia e mallrave ndikon në shtrenjtim të çmimeve

    “Sipas statistikave tona 99% e porosive online janë nga qytetarët që blejnë me pakicë dhe natyrisht se ndikon shpenzimet e transportit dhe natyrisht është ligj në ekonominë e tregut të lirë, sepse sasia ndikon në çmim”, tha Rafuna.

    Nëse qytetarët nuk e marrin porosinë në ditën kur ajo arrin në Kosovë, ata duhet të paguajnë edhe tarifë për qëndrimin e produktit në terminalet doganore. Ndërkohë, nga dogana flasin për lirimet që përfitojnë qytetarët gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Evropë apo gjetiu. Megjithatë, Dogana… arsyeton taksat aplikohen për produktet online për siç u tha mbrojtjen e tregut vendor.

    “Tashti duhet të bëhet dallimi kur flasim për udhëtar, udhëtar nënkupton ai që bartë me vete mallra, ndërsa porositë online janë të natyrës komerciale dhe prape porositë nuk tatohen për mbi 35 euro, por ajo bëhet edhe për ta mbrojtur tregun vendor…”, tha Stavilevci.

    Ndërkohë, vetë Bashkimi Evropian nuk ka taksë doganore për produktet që blihen brenda vendeve të BE-së, pavarësisht vlerës së tyre. Shtetet e BE-së aplikojnë vetëm TVSH, ndërsa taksa doganore për produktet që blihen jashtë BE-së aplikohen vetëm kur produkti kushton mbi 150 euro, limit ky shumë më i lartë se limiti në Kosovë.

  • Nis dëshminë dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Nis dëshminë dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të hënën ka filluar dëshminë Edmond Nulleshi në cilësinë e këshilltarit të drejtorit ekzekutiv të shërbimeve të KEK-ut.

    Fillimisht, me pyetje për këtë dëshmitar po vazhdon prokurori special Dren Paca, për të vijuar më pas me palët tjera, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.

    Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për energjinë elektrike dhe Ligjit për rregullatorin e energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.

    Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit të Energjisë kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRRE-ja, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas Rregullores për licencimin e aktiviteteve të energjisë në Kosovë.

    Sipas aktakuzës, ZRRE-ja kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK-u të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.

    Tutje, thuhet se ZRRE-ja, më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK-u kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.

    Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK-u do të respektojë përfundimisht qëndrimet e ZRRE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK-u do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRRE-ja që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRRE”-në, thuhet në aktakuzë.

    Kjo përgjigje e grupit punues, sipas prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. Në e-mailin e përcjellë nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRRE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtesë, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.

    Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRRE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK-ut, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.

    Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i kishte dhënë të drejtë ZRRE-së, duke e vënë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në gjykatë, ZRRE-ja ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.

    Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një e-mail nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRRE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.

    I akuzuari Krasniqi ishte përgjigjur “konfirmoj vazhdimin e tregtimit sipas përgjigjes që i është dërguar ZRRE-së”. Si pasojë e kësaj, tregtimi me ketë operator të palicencuar kishte vazhduar deri në pezullimin dhe ndërprerjen përfundimtare të kontratës në maj 2023, përkatësisht gusht 2023.

    Me konfirmimin që drejtori operativ, Luigj Imeri kishte kërkuar nga kryeshefi Krasniqi, në këtë korrespodencës, sipas prokurorisë thuhet se pas përgjigjes së Krasniqit, Anjeta Zeqiri dhe Besa Shatri ishin tallur.

    “Hahaha ja ke prish tripat”, “Ej qetu Luigji ka pas me dhanë dorëheqje…i paska ra pishman”, ishin replikat në ketë e-mail zyrtar.

    Operatori nga Sllovenia thuhet se nuk ishte në listën e kompanive të licencuara e sipas ARBK-së, as e regjistruar si biznes në Kosovë.

    Tutje, në aktakuzë bëhet e ditur se pas shkresës se KEK-ut të 7 gushtit 2023, vërtetohet se pas arrestimit të Nagip Krasniqit (për çështje që nuk ndërlidhen me këtë rast), KEK-u më 19 maj 2023 fillimisht kishte njoftuar “HSE” se po e pezullonte bashkëpunimin për ta njoftuar me vonë se po e shkëpusin kontratën në mungesë të licencës se lëshuar nga ZRRE-ja, duke e njoftuar se në momentin që “HSE” dëshmon posedimin e licencës të lëshuar ose të njohur nga ZRRE-ja, atëherë KEK-u mund të iniciojë procesin e nënshkrimit të një kontrate të re.

    Ndaj Krasnqit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) edhe më 30 dhjetor 2024 ka ngritur edhe një aktakuzë në të cilën ngarkohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

  • OKB ul kërkesën për ndihma për vitin 2026

    OKB ul kërkesën për ndihma për vitin 2026

    Kombet e Bashkuara të hënën e 8 dhjetorit kanë bërë apel për një buxhet ndihmash për vetëm gjysmën e madhësisë së asaj që kishin shpresuar për këtë vit, duke pranuar se ka një rënie të thellë të financimeve nga donatorët në një kohë kur nevojat humanitare nuk kanë qenë kurrë më të mëdha.

    Sipas vetë OKB-së, apeli prej 23 miliardë dollarësh do të lërë jashtë dhjetëra miliona njerëz që kanë nevojë urgjente për ndihmë, pasi mungesa e mbështetjes e ka detyruar organizatën të përqendrohet vetëm tek rastet më të dëshpëruara.

    Shkurtime të tilla vijnë mbi sfida të tjera për agjencitë humanitare, përfshirë rreziqet e sigurisë për stafin në zonat e konfliktit dhe mungesën e aksesit.

    “Janë shkurtime që na detyrojnë të marrim vendime të vështira, brutale,” tha shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, citon Reuters.

    “Jemi të mbingarkuar, të nënfinancuar dhe nën sulm. Dhe ne po drejtojmë ambulancën drejt zjarrit, por tani na kërkohet edhe ta shuajmë zjarrin dhe nuk kemi ujë të mjaftueshëm në depo, ndërsa po qëllohemi,” shtoi ai.

    Një vit më parë, OKB kërkoi 47 miliardë dollarë për vitin 2025, një shifër që më vonë u ul pasi u bënë të dukshme shkurtimet e ndihmave nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe donatorë të tjerë kryesorë perëndimorë si Gjermania.

    Deri në nëntor, OKB kishte marrë vetëm 12 miliardë dollarë, niveli më i ulët në 10 vitet e fundit, duke mbuluar pak më shumë se një të katërtën e nevojave.

    Plani për vitin e ardhshëm prej 23 miliardë dollarësh identifikon 87 milionë njerëz si raste prioritare, jetët e të cilëve janë në rrezik.

    Megjithatë, rreth 250 milionë persona kanë nevojë urgjente për ndihmë. OKB synon të ndihmojë 135 milionë prej tyre me një kosto prej 33 miliardë dollarësh, nëse sigurohen fondet.

    Apeli më i madh, prej 4 miliardë dollarësh, është për territoret palestineze të pushtuara, kryesisht për Gazën, e shkatërruar nga konflikti dyvjeçar mes Izraelit dhe Hamasit, që ka lënë pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh të pastrehë dhe të varur nga ndihmat. Pas Gazës, prioritetet kryesore janë Sudani dhe Siria.

    Fletcher paralajmëroi se organizatat humanitare po përballen me një skenar të errët: rritje të urisë, përhapje të sëmundjeve dhe dhunë rekord.

    “Apeli është i fokusuar në shpëtimin e jetëve aty ku goditjet janë më të forta: luftëra, katastrofa klimatike, tërmete, epidemi, dështime të të korrave,” tha ai.

    Agjencitë humanitare të OKB-së mbështeten kryesisht tek donacionet vullnetare nga vendet perëndimore, me SHBA-të si donatorin historik më të madh.

    Të dhënat e OKB-së tregojnë se SHBA-të mbajtën vendin e parë në vitin 2025 pavarësisht shkurtimeve të Trump-it, por pjesa e tyre në total ra nga mbi një të tretën në vetëm 15.6% këtë vit.

  • The Guardian: Izraeli dyshohet se ka përgjuar SHBA-në dhe aleatët në bazë të përbashkët

    The Guardian: Izraeli dyshohet se ka përgjuar SHBA-në dhe aleatët në bazë të përbashkët

    Agjentët izraelitë po kryejnë survejim të gjerë ndaj forcave amerikane dhe aleatëve të vendosur në një bazë të re amerikane në jug të Izraelit. Të paktën kështu shkruan këtë të hënë The Guardian, duke iu referuar burimeve diplomatike dhe ushtarake të informuara mbi mosmarrëveshjet për regjistrimet e hapura dhe të fshehta të takimeve dhe diskutimeve.

    Shkalla e mbledhjes së inteligjencës në Qendrën e Koordinimit Civil-Ushtarak (CMCC) e detyroi komandantin amerikan të bazës, gjeneralin Patrick Frank, të thërriste një homolog izraelit për t’i thënë se “regjistrimet duhet të ndalen këtu”.

    Stafi dhe vizitorë nga vende të tjera kanë ngritur gjithashtu shqetësime për regjistrimet e Izraelit brenda CMCC-së. Disa janë paralajmëruar të mos ndajnë informacion të ndjeshëm për shkak të rrezikut se mund të mblidhet dhe të përdoret.

    Ushtria amerikane refuzoi të komentojë mbi aktivitetet e survejimit izraelit. Ushtria izraelite gjithashtu nuk komentoi mbi kërkesën e Frank-ut për të ndalur regjistrimet, duke theksuar se bisedat brenda CMCC nuk janë të klasifikuara.

    “IDF dokumenton dhe përmbledh takimet ku është e pranishme përmes protokolleve, si çdo organizatë profesionale e këtij lloji, në mënyrë transparente dhe të dakorduar,” tha ushtria izraelite në një deklaratë. “Pretendimi se IDF po mbledh inteligjencë mbi partnerët e saj në takime ku është pjesëmarrëse aktive është absurd.”

    CMCC u ngrit në tetor për të monitoruar armëpushimin, koordinuar ndihmat dhe hartuar plane për të ardhmen e Gazës sipas planit 20-pikësh të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës. Kopje gjigante të dokumentit janë të ekspozuara në ndërtesë.

    Ushtarët e vendosur aty kishin detyrë të mbështesnin rritjen e furnizimeve esenciale në Gaza, pjesë e marrëveshjes. Megjithatë, Izraeli ka kufizuar ose ndaluar shpesh dërgesat e ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave humanitare. Një bllokadë e plotë këtë verë e çoi territorin në prag të urisë.

    Fillimisht u raportua se Izraeli po i dorëzonte autoritetin mbi hyrjen e mallrave në territor ushtrisë amerikane, por dy muaj pas armëpushimit, sipas një zyrtari amerikan, Izraeli ruan kontrollin e perimetrit të Gazës dhe të asaj që hyn brenda.

    Ekspertë amerikanë të logjistikës, të trajnuar për të gjetur rrugë furnizimi në terrene të vështira, u vendosën në CMCC për të rritur fluksin e ndihmave. Por shpejt zbuluan se kontrollet izraelite mbi mallrat ishin pengesa më e madhe. Brenda pak javësh, dhjetëra prej tyre u larguan.

    Diplomatët thonë se diskutimet në CMCC kanë qenë thelbësore për të bindur Izraelin të ndryshojë listat e furnizimeve të ndaluara si “përdorim i dyfishtë”, që mund të shfrytëzohen për qëllime ushtarake. Këto përfshijnë edhe gjëra bazike si shtylla çadrash dhe kimikate për pastrimin e ujit.

    Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, tha se ishte informuar në CMCC për “një nga barrierat e përdorimit të dyfishtë që u hoq si rezultat i bisedimeve”.
    Ndërkohë, artikuj të tjerë si lapsa dhe fletore për shkollat janë ndaluar pa shpjegim.

    CMCC bashkon planifikues ushtarakë nga SHBA-të, Izraeli dhe aleatë si Britania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Diplomatë dhe organizata humanitare janë ftuar gjithashtu, por palestinezët janë përjashtuar plotësisht.

    Nuk ka përfaqësues të organizatave civile palestineze, të Autoritetit Palestinez apo të shoqatave humanitare. Madje edhe përpjekjet për t’i përfshirë përmes thirrjeve video janë ndërprerë nga zyrtarët izraelitë. Dokumentet amerikane të planifikimit shmangin përdorimin e fjalëve “Palestinë” ose “Palestinez”, duke i quajtur thjesht “banorë të Gazës”.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka paraqitur CMCC-në si projekt thjesht dypalësh SHBA-Izrael, duke mos përmendur partnerë të tjerë.

    CMCC ndodhet në një ndërtesë shumëkatëshe në zonën industriale të Kiryat Gat, rreth 20 km nga Gaza. Dikur përdorej nga Fondacioni Humanitar i Gazës, depot e ushqimit të të cilit u kthyen në kurthe vdekjeje për qindra palestinezë.

    Brenda, hapësira kryesore pa dritare është shtruar me tapet artificial dhe e ndarë me tabela të bardha në zona takimesh informale ku ushtarë, diplomatë dhe punonjës ndihme bashkëveprojnë. Termat e korporatave amerikane janë bërë pjesë e gjuhës së përditshme: palestinezët shpesh quhen “përdorues finalë”.

    Programet e brendshme përfshijnë “Wellness Wednesdays” për spitalet dhe shkollat e shkatërruara, si dhe “Thirsty Thursdays” për shërbimet publike, në një vend ku mungesa e ujit dhe higjienës ka shkaktuar vdekje dhe sëmundje.

    Shumë diplomatë dhe punonjës ndihme janë të shqetësuar se CMCC mund të shkelë ligjin ndërkombëtar, përjashton palestinezët nga planifikimi i së ardhmes së tyre, nuk ka mandat ndërkombëtar të qartë dhe përzien punën ushtarake me atë humanitare. Por ata frikësohen se mungesa e tyre do ta linte të ardhmen e Gazës vetëm në duart e Izraelit dhe planifikuesve amerikanë.

    Roli i CMCC-së duket se po zbehet, pasi dhjetëra ushtarë amerikanë të vendosur aty në tetor janë rikthyer në bazat e tyre. Planet e hartuara aty mbeten të paqarta nëse do të zbatohen në Gaza.

    Izraeli ka thënë se armëpushimi nuk do të kalojë në fazën tjetër pa çmilitarizimin e Hamasit, një objektiv që as SHBA-të dhe as aleatët nuk kanë plan për ta arritur, pavarësisht dy viteve sulmesh brutale. Një komision hetimor i OKB-së ka konstatuar këtë vit se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, siç kanë pohuar edhe organizata të shumta humanitare.

    I pyetur për afatin e zbatimit të planeve të CMCC-së, një zyrtar amerikan tha: “Ushtria amerikane nuk është në qendër të kësaj. Kjo bie më shumë në fushën politike.”