ATV

Author: K.B.

  • Sunny Hill – Historia e një festivali që nisi nga ëndrra dhe u bë global

    Sunny Hill – Historia e një festivali që nisi nga ëndrra dhe u bë global

    Që nga ideja e tij e parë, Sunny Hill Festival është rritur nga një ngjarje lokale në një nga festivalet më të rëndësishme në Evropën Juglindore.

    Edicioni i vitit 2026 dëshmon edhe një herë se Prishtina mund të konkurrojë me skenat më të mëdha të muzikës botërore.

    I themeluar në vitin 2018 nga Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, festivali u krijua fillimisht me synimin për të promovuar Kosovën dhe për të sjellë artistë ndërkombëtarë në rajon.

    Që atëherë, ai është kthyer në një simbol kulturor dhe turistik të vendit.

    Në edicionet e para, Sunny Hill solli emra të mëdhenj si Martin Garrix dhe Dua Lipa, duke vendosur themelet e një tradite që do të rritej çdo vit.

    Me kalimin e kohës, festivali u zhvendos, u rikthye dhe u konsolidua në lokacionin e tij aktual në Prishtinë, duke u bërë një ngjarje e përvitshme që tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.

    Edicioni 2026 karakterizohet nga një listë me artistë ndërkombëtarë si Katy Perry, Martin Garrix e Lewis Capaldi, duke e forcuar edhe më shumë reputacionin e festivalit si një platformë ku takohen pop-i, elektronika dhe kultura globale.

    Përveç muzikës, Sunny Hill është shndërruar në një përvojë të plotë urbane, Prishtina gjatë ditëve të festivalit transformohet në një qytet që nuk fle, me turistë, evente paralele, ekonomi lokale aktive dhe atmosferë që tejkalon kufijtë e një koncerti të zakonshëm.

    Sot, Sunny Hill nuk shihet më vetëm si festival, por si një histori suksesi kulturore – një projekt që ka ndryshuar perceptimin për Kosovën dhe e ka vendosur atë në hartën ndërkombëtare të muzikës dhe eventeve të mëdha.

  • Von der Leyen do të dhurojë armën e dhuruar nga Erdogan për muzeun ushtarak

    Von der Leyen do të dhurojë armën e dhuruar nga Erdogan për muzeun ushtarak

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të dhurojë një pistoletë të dhuruar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan për një muze ushtarak në kryeqytetin belg, pasi ajo të sillet në Bruksel.

    Zëdhënësi i zëvendëskryeshefit të Komisionit Evropian, Olof Gill, tha se von der Leyen i shprehu “falënderimet” e saj udhëheqësit turk për dhuratën e dhënë në fund të samitit vjetor të NATO-s në Ankara të mërkurën.

    “Arma e zjarrit do të transportohet dhe ruhet në mënyrë të sigurt, dhe pasi të çaktivizohet, qëllimi i presidentit është ta dhurojë armën e zjarrit për një muze ushtarak”, tha ai në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga Euronews.

    Arma do të duhet të çaktivizohet për t’u siguruar që nuk mund të qëllojë me plumba luftarakë.

    Një zyrtar i Këshillit Evropian tha se pistoleta e presidentes të Këshillit Evropian, António Costa, do të importohet në përputhje me ligjin belg.

    Arma e zjarrit më pas do të “çaktivizohet dhe ruhet” në përputhje me kërkesat e sigurisë të Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit.

    Kryeministri në largim i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha të mërkurën se Erdogan i kishte dhënë secilit udhëheqës një pistoletë të personalizuar me emrin e tyre, së bashku me një kuti me municione dhe një shënim që hiqte dorë nga kontrollet turke të eksportit.

    Starmer tha se e la armën e tij në Turqi për t’u çmontuar sepse do të ishte e paligjshme të importohej një armë zjarri e vërtetë në Mbretërinë e Bashkuar. Është gjithashtu e paligjshme të importohet një armë zjarri e vërtetë në Belgjikë pa autorizimin e duhur.

    Von der Leyen dhe Costa ndanë një darkë pune me Erdoganin në kompleksin presidencial të mërkurën, ku u tha se diskutuan marrëdhëniet dypalëshe BE-Turqi, si dhe tema që përfshinin mbrojtjen, migracionin, lëvizshmërinë, tregtinë dhe politikën industriale.

    Para takimit, u bënë pyetje se çfarë do të diskutohej dhe nëse një afrim midis von der Leyen dhe Erdogan mund të arrihej pavarësisht hapave të gabuar të mëparshëm.

  • Halimi mohon se ka nënshkruar iniciativën për largimin e Abdixhikut

    Halimi mohon se ka nënshkruar iniciativën për largimin e Abdixhikut

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka mohuar se ka nënshkruar iniciativën për largimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

    Para mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Halimi deklaroi se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor nuk duhet të bartet vetëm nga kryetari i partisë, por nga të gjitha strukturat e saj.

    “Nuk e kam nënshkruar. Besoj që përgjegjësia duhet të merret nga të gjitha palët të LDK dhe besoj që nuk është e mjaftueshme vetëm angazhimi i kryetarit të LDK-së”, u shpreh Halimi.

    Ajo bëri të ditur se mbledhja e Kryesisë do t’i kushtohet analizës së rezultatit të zgjedhjeve dhe çështjes së formimit të institucioneve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që të diskutohet edhe iniciativa për largimin e Abdixhikut.

    “Ne kemi rendin e ditës dhe do të diskutojmë për çështjen e rezultatit të zgjedhjeve, gjithsesi edhe për çështjet që lidhen me formimin e institucioneve, si dhe natyrisht do të diskutojmë për shumë çështje të tjera për partinë. Në rend dite nuk kemi këtë pikë, por pika e fundit e rendit të ditës është ‘Të ndryshme’ dhe besoj që aty do ta diskutojmë”, deklaroi Halimi.

  • Filharmonia e Kosovës vjen me koncertin “Americana” për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Filharmonia e Kosovës vjen me koncertin “Americana” për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së

    Filharmonia e Kosovës, sonte nga ora 20:30 prezanton koncertin përmbyllës të sezonit artistik 2025/2026, i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Nën titullin “Americana”, ky koncert i veçantë i kushtohet muzikës amerikane dhe shënon 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Programi sjell një udhëtim të pasur përmes tingujve, ritmeve dhe ngjyrave të traditës muzikore amerikane, me vepra nga disa prej kompozitorëve më të shquar të saj, përfshirë Leonard Bernstein dhe George Gershwin, në një performancë nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa.

    Nga energjia e qyteteve amerikane te eleganca e muzikës simfonike, “Americana” pasqyron diversitetin kulturor, kreativitetin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që muzika amerikane ka pasur në skenën botërore.

  • Nis mbledhja e kryesisë, Gruda i PDK-së jep detaje rreth ftesës së Kurtit

    Nis mbledhja e kryesisë, Gruda i PDK-së jep detaje rreth ftesës së Kurtit

    Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e Kryesisë, ku në fokus të diskutimeve janë rezultatet e zgjedhjeve, të certifikuara një ditë më parë, si dhe zhvillimet politike pas tyre.

    Gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiti në një lidhje direkte bëri të ditur se para nisjes së mbledhjes, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi se partia ka pranuar ftesën për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se në këtë takim do të trajtohen temat që lidhen me krijimin e institucioneve të reja.

    Gruda tha se rezultati zgjedhor ka dëshmuar se asnjë subjekt politik nuk ka siguruar mbështetje të mjaftueshme për ta formuar i vetëm qeverinë, ndaj, sipas tij, krijimi i institucioneve kërkon marrëveshje politike.

    Ai bëri të ditur se në takimin me Kurtin do të diskutohet jo vetëm për formimin e institucioneve, por edhe për çështjen e presidentit të vendit.

    Në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së pritet të shqyrtohen edhe qëndrimet e partisë lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe hapat e mëtejmë në procesin e konstituimit të institucioneve.

  • “Flamingot” shfaqen në relacionet Kosovë-Shqipëri, Rama e kurseu Kurtin, por Tirana ia ekspozon zyrtarët që po përzihen në protestë

    “Flamingot” shfaqen në relacionet Kosovë-Shqipëri, Rama e kurseu Kurtin, por Tirana ia ekspozon zyrtarët që po përzihen në protestë

    I përballur me zemërimin e protestuesve në Tiranë që ia kërkojnë dorëheqjen, kryeministri i Shqipërisë po sheh gjithnjë e më shumë zyrtarë të LVV-së, partisë që qeveris në Kosovë, duke mbështetur dhe madje duke marrë pjesë në atë turmë. Megjithëse Edi Rama e kishte shfajësuar homologun e tij në Prishtinë se mund të ishte i përfshirë në “Revolucionin e Flamingove”, Albin Kurti asnjëherë nuk i ka përgënjeshtruar qartë këto pretendime. Dje, zyrtarë të VLEN-it, të lidhur me LVV-në, u ndaluan në Qafë Thanë, ndërsa deputeti socialist Taulant Balla i ekspozoi zyrtarët e partisë së Kurtit që morën pjesë në protestë.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk kishte mundur të mos komentonte pas një debati të nxitur në qershor nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë.

    Ai kishte shkruar në një postim në Facebook më 21 qershor se nuk e konsideronte kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për veprimet e disa “sallahanave të Vetëvendosjes” që thoshte se ishin përfshirë në atë që ai e quan “çorbë dreqërish”.

    Rama ka kritikuar ashpër atë që e ka quajtur paraqitje të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si “diasporë” në protestat në Tiranë. Në fund të atij postimi kërkonte që qëndrimi i disa protestuesve të mos lidhej me emrin e kryeministrit në detyrë të Kosovës.

    “Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkruante ai.

    Vetë Kurti, duke mohuar disa pretendime se partia e tij do të organizonte protesta kundër një projekti të gazit që po ia kërkon SHBA-ja, pati theksuar se LVV-ja i ka bërë “protestat më të fuqishme”.

    “Kam parë që kanë qarkulluar disa lajme të rrejshme për atë se Lëvizja Vetëvendosje planifikon të bëjë protesta. Tash natyrisht në këtë shekull, protestat më të fuqishme i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe ndoshta kur njerëzit e mendojnë protestën, e mendojnë Lëvizjen Vetëvendosje. Mirëpo kjo nuk flet asgjë për neve. Kjo flet për ata”, kishte deklaruar ai për gazetarët më 16 qershor.

    Megjithatë, ish-deputetë, asambleistë dhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, partisë që qeveris në Kosovë, i kanë mbështetur në rrjetet sociale dhe disa madje kanë marrë pjesë edhe fizikisht në protestat në Tiranë.

    Mbrëmë, deputeti i LVV-së në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku u ankua se ai dhe disa zyrtarë të VLEN-it – formacionit të shqiptarëve në qeverinë Shkup që mbështeten nga Kurti – u përballën me “një situatë të pashpjegueshme në hyrje të Republikës së Shqipërisë”. Tha se u lanë të prisnin mbi një orë në kufi “pa asnjë sqarim”. Aludonte se kjo kishte lidhje me mbështetjen e tij për protestat në Tiranë.

    “Nëse arsyeja lidhet me faktin se kam mbështetur publikisht protestat e fundit në Shqipëri, atëherë kjo do të ishte thellësisht shqetësuese. Ndëshkimi i qytetarëve për shprehjen e mendimit apo për mbështetjen paqësore të protestave nuk është në përputhje me standardet e një shteti demokratik dhe me liritë themelore të garantuara në çdo shoqëri demokratike. Nuk mund ta kuptoj këtë logjikë kur dihet që disa eurodeputetë kanë marrë pjesë fizikisht në protestat aktuale në Tiranë”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    Qoku, që është edhe këshilltar i Kurtit, e akuzoi qeverinë e Shqipërisë se po vihet “në funksion të autokracisë e të përçarjes së shqiptarëve”.

    Arbër Zaimi, një tjetër zyrtar i LVV-së, e shpërndau postimin e bashkëpartiakut të tij dhe kërkoi që institucionet e Shqipërisë “të kërkojnë falje”.

    “Ndalimi i hyrjes në Shqipëri të disa deputetëve dhe zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, me justifikimin pse këta kanë përkrahur online protestat në Tiranë, është një veprim i çoroditur dhe për të ardhur keq. Shpresoj që këtë vendim ta ketë marrë ndonjë zyrtar servil e i papjekur, dhe uroj që institucionet e Shqipërisë të kërkojnë falje. Shqipëria simbas ligjeve të saj është demokraci, e preferencat politike të çdo njeriu nuk janë arsye për ta dënuar atë”, shkroi ai.

    Postimin e Qokut e shpërndanë edhe zyrtarë të tjerë të LVV-së, përfshirë Elvis Hoxhën, i cili ishte nga ata që shkoi fizikisht në Tiranë për të protestuar.

    LVV-ja publikisht nuk është distancuar nga pretendimet se po i mbështet protestat kundër qeverisë shqiptare.

    Enver Dugolli, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës nga kjo parti, pati thënë se LVV “nuk ka të bëjë asgjë” me protestat. “Thjesht, ne, disa aktivistë apo disa njerëz, eksponentë, solidarizohemi me kërkesat e drejta të qytetarëve, shqetësimet e tyre të drejta dhe me kaq mbaron”, thoshte ai për KosovaPress më 22 qershor.

    Me raportet asnjëherë aq të mira Kurti-Rama, disa kanë të drejtë të dyshojnë se kryeministri në detyrë i Kosovës vërtet mund të i përfshirë në këtë “çorbë”.

    Kur Rama tha “lëreni Albinin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, një deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk e ndante të njëjtin mendim me shefin e tij të partisë.

    Ulsi Manja kishte thënë “ishalla s’ka” lidhje Kurti me këtë, por kishte pyetur se pse ai nuk po distancohej.

    “Dakord Kryeminister dakord, me ty jam, po neqoftese Albin Kurti nuk paska lidhje me kete çorbe qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diaspore”?! Gjithesesi une mendoj se nuk ka hajvanllek me te madh se sa te vish nga Kosova per te rrezuar qeverine ne Tirane. Jo vetem se nuk e rrezon dot, po i jep nje dore te madhe armiqve te Kosoves qe do thone ja, shikojini kush jane, nuk rrine dot pa rremuje e pa konflikt as me Shqiperine qe e kane pjese te kombit te tyre!!!”, kishte shkruar ish-ministri në një postim në Facebook më 21 qershor.

    Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla ka komentuar pjesëmarrjen e zyrtarit të LVV-së, ish-deputetit Egzon Azemi në protestën kundër qeverisë në Tiranë.

    Ai publikoi një video në Facebook, duke thënë se Azemi është edhe mik i Besnik Mujecit, aktivstit të LVV-së i cili në verën e vitit 2023 ishte arrestuar në Tiranë për shitje droge.

    “Transparenca e Protestës. Identifikojmë sorrat‍. Kur unë flas për sorra inkubatorësh të urrejtjes nga Prishtina dhe Tetova, të cilët maskohen si shqiponja diaspore e kam fjalen për tipa si këta në video që sigurisht nuk kanë si të jenë pro qeverisë së Tiranës. Normal janë kundër Edi Ramës. Edhe kundër meje, pse jo. Sepse i kemi arrestuar me 11 mijë doza drogë”, shkroi Balla në postim.

    Para pak ditësh, Azemi kishte publikuar një video në Facebook nga protesta në Tiranë.

    “Sheshit të Shqipërisë së Re nuk i shihej as fillimi, as fundi. Nuk mund të mos i bashkohesha një thirrjeje kaq të sinqertë e energjike, që prej 35 ditësh me radhë po ushton kaq pastër e kaq fort! Shqipëria është atdheu i secilit shqiptar dhe kur tentohet të falet e të shitet, nuk do të heshtim kurrë”, kishte shkruar ai.

    Protestat në Shqipëri, që tani po quhen “Revolucioni i Flamingove”, nisën fillimisht për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, afër Vlorës, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Më pas kërkesat u zgjeruan dhe pakënaqësitë e shprehura kaluan përtej mbrojtjes së mjedisit. Kryeministrit shqiptar, Edi Rama po ia kërkojnë dorëheqjen.

  • Nis afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti fton opozitën në takime

    Nis afati për konstituimin e Kuvendit, Kurti fton opozitën në takime

    Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur edhe zyrtarisht afati kushtetues për mbledhjen dhe konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

    Sipas përcaktimeve kushtetuese, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, afat i cili përfundon më 7 gusht.

    Në këtë kuadër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur kontaktet politike duke u dërguar ftesa për takim kryetarëve të tri subjekteve më të mëdha opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

    Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

    “Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti uka dërguar letër për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, ka deklaruar Manxhuka.

    Pas konstituimit të Kuvendit, pritet të nisin procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

  • Zbulohet revolveri që Erdogan ua dha liderëve të NATO-s pas Samitit në Ankara

    Zbulohet revolveri që Erdogan ua dha liderëve të NATO-s pas Samitit në Ankara

    Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, ua ka dhuruar liderëve të shteteve anëtare të NATO-s nga një revolver të vjetër bashkë me municion, pas përfundimit të Samitit të NATO-s në Ankara.

    Fotografitë e shpërndara nga zyra e presidentit lituanez Gitanas Nauseda treguan atë që dukej të ishte “Gumusay 357 Magnum”, një gjuajtës i rrallë me gjashtë qitje i prodhuar nga prodhuesi turk i armëve MKE në vitet 1990.

    Revolveri ishte vendosur në një kuti prej druri ku shfaqej flamuri i Turqisë dhe logoja e NATO-s, si dhe një pankartë me mbishkrimin “Gumusay, pistoleta e parë e tipit revolver e prodhuar në vendin tonë” në turqisht dhe anglisht.

  • Rrezarta Krasniqi: Kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut

    Rrezarta Krasniqi: Kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut

    Ish deputetja e LDK-së, njëherësh nënkryetare e degës së LDK-së në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka deklaruar se ka nënshkruar për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

    Këtë ajo e ka konfirmuar për Gazetën Blic, derisa është në mesin 150 e më shumë delegatëve që kanë nënshkruar për shkarkimin e tij.

    “Po kam nënshkruar për shkarkimin e Lumir Abdixhikut”, tha ajo.

    Nga kjo degë nga 16 anëtarë kanë nënshkruar më shumë se 5 të tillë, për shkarkimin e Abdixhikut.

    Nënshkrimet po mblidhen në çdo degë të partisë, teksa delegatët kërkojnë mbajtjen e kuvendit të jashtëzakonshëm.

    Kërkesa për dorëheqjen e Abdixhikut vjen pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit, teksa tri degë kanë dalë publikisht me kërkesa për dorëheqjen e tij.

    Kujtojmë që LDK sot do të mbajë mbledhjen e kryesisë nga ora 15:00.

  • Flet nëna e të miturës që u dhunua në Fier: E kam strehuar te të afërmit, shteti heshti për një muaj

    Flet nëna e të miturës që u dhunua në Fier: E kam strehuar te të afërmit, shteti heshti për një muaj

    Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri, e cila dyshohet se u dhunua nga tre bashkëmoshatare brenda një banese, kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ndaj autorëve. Ata ngrenë gjithashtu akuza për mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse, duke pretenduar se denoncimi i bërë menjëherë në polici nuk u shoqërua me veprime konkrete për javë të tëra.

    Sipas familjes, e mitura u dërgua fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me shenja të dukshme dhune dhe hematoma në trup. Por familjarët pretendojnë se nga institucioni shëndetësor nuk pati një njoftim të menjëhershëm për organet ligjzbatuese, shkruan Euronews.al.

    Nëna e 17-vjeçares tregon se mësoi për gjendjen e vajzës vetëm pasi bashkëshorti e telefonoi duke i thënë se ajo ndodhej në spital.

    “Kur e pashë vajzën, kishte buzën e çarë dhe shenja të forta dhune pas veshëve. E pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe ajo më tregoi se kishte qenë në spital, ku i kishin bërë mjekimin dhe më pas e kishin lënë të largohej”, rrëfen nëna.

    Pas denoncimit në Policinë e Fierit më 8 qershor, 17-vjeçarja është marrë në pyetje në prani të një psikologeje. Efektivët kanë dokumentuar edhe shenjat e dhunës në trupin e saj, ndërsa familjarët thonë se iu premtua se çështja do të trajtohej me përparësi.

    Megjithatë, sipas tyre, pas largimit nga komisariati nuk pati më asnjë komunikim zyrtar.

    “Na thanë se çështja do të zgjidhej të nesërmen. Kaluan ditë dhe askush nuk na kontaktoi. Prisnim të merrnim informacion si prindër, por nuk morëm asnjë përgjigje”, shprehet nëna e vajzës.

    Një tjetër shqetësim i familjes lidhet me një video që, sipas deklarimit të 17-vjeçares, ishte regjistruar gjatë dhunës nga vetë autorët. Familjarët pretendojnë se për javë të tëra nuk u ndërmorën veprime për sekuestrimin e telefonave celularë dhe sigurimin e provave.

    Nëna e vajzës tregon se është drejtuar disa herë në polici për të mësuar ecurinë e hetimeve, por pa marrë informacion të qartë.

    “Pyeta për oficerin që kishte marrë denoncimin dhe për prokurorin që kishte çështjen, por nuk mora përgjigje konkrete. Kanë kaluar javë dhe ende nuk kam një zgjidhje”, deklaron ajo.

    Familja pretendon se për rreth një muaj e gjysmë nuk ka pasur kontakt nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale, duke thënë se mbështetja institucionale ka munguar në një moment të vështirë për të miturën.

    Sipas nënës, reagimi i institucioneve u shtua vetëm pasi rasti u bë publik në media. Ndërkohë, 17-vjeçarja është larguar nga banesa e saj dhe po qëndron te të afërmit, për shkak të frikës dhe pasigurisë.

    Familjarët kërkojnë që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë, ndërsa kërkojnë verifikim edhe për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimin fillestar.

    “Dua drejtësi për vajzën time. Sot i ndodhi asaj, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Vajza ime po shkonte të ndiqte një kurs, nuk po bënte asgjë të gabuar. Ajo duhet të mbrohej dhe jo të dhunohej”, është shprehur nëna