ATV

Author: K.B.

  • Takimet me Kurtin nesër, Hamza në ora 9:00, Abdixhiku në ora 18:00

    Takimet me Kurtin nesër, Hamza në ora 9:00, Abdixhiku në ora 18:00

    Takimi mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të zhvillohet nesër në orën 18:00.

    LDK ka konfirmuar se takimi do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit, raporton Klankosova.tv.

    Kreu i LDK-së, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së partisë, tha se në takim do të shkojë vetë i dyti.

    Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se të premten do të zhvillojë takim me Kurtin në orën 09:00.

    Ky takim vjen pasi Kurti u dërgoi ftesa partive politike për takime pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të 7 qershorit.

  • Time Kadriaj: Ramush Haradinaj është zgjidhja për Kosovën, gjithçka varet nga Vetëvendosje

    Time Kadriaj: Ramush Haradinaj është zgjidhja për Kosovën, gjithçka varet nga Vetëvendosje

    Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka deklaruar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë subjekti më transparent gjatë procesit politik.

    Ajo tha se kryetari Ardian Gjini e ka pranuar ftesën për takim, por sipas saj, pjesëmarrja e AAK-së është refuzuar.

    “Ne kërkojmë kushte që janë në të mirën e Kosovës. AAK ka qenë partia më transparente në këtë proces”, u shpreh Kadriaj në Kanal10.

    Duke folur për zhvillimet politike, ajo vlerësoi se zgjidhja më e mirë për situatën aktuale do të ishte që Ramush Haradinaj të zgjidhej president i vendit.

    “Për ne, zgjidhja më e duhur për situatën aktuale është që Ramush Haradinaj të jetë president. Megjithatë, ne nuk i kemi numrat për këtë dhe gjithçka varet nga Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi Kadriaj.

  • Sunny Hill bëhet gati për një natë elektrizuese me super DJ-in Seth Troxler

    Sunny Hill bëhet gati për një natë elektrizuese me super DJ-in Seth Troxler

    Numërimi mbrapsht deri në nisjen e festivalit më të madh të muzikës në vend e rajon, Sunny Hill Festival, tashmë ka nisur.

    Festivali këtë vit do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht.

    Lista e plotë e artistëve të edicionit të sivjetmë tashmë është finalizuar dhe një mori yjesh globalë pritet të dhurojnë spektakël për mijëra adhurues të muzikës.

    Në mesin e emrave të mëdhenj që do të ngjiten në skenën e Sunny Hill Festival këtë vit është edhe super DJ-i amerikan Seth Troxler, një nga figurat më të njohura dhe më me ndikim të skenës elektronike botërore.

    Me një karrierë që shtrihet mbi dy dekada, Seth Troxler ka ndërtuar një emër të veçantë në botën e muzikës house, techno dhe underground.

    I lindur në Michigan të Shteteve të Bashkuara, ai u bë i njohur për stilin e tij unik, ku kombinon ritme të thella, groove hipnotizuese dhe një qasje artistike që e shndërron çdo performancë në një eksperiencë të paharrueshme.

    Troxler është një nga artistët që ka ndihmuar në formësimin e skenës moderne të muzikës elektronike, duke sjellë një tingull të veçantë që e ka bërë të dallojë në klubet dhe festivalet më prestigjioze të botës.

    Performancat e tij në skena ndërkombëtare si Ibiza, Berlin dhe festivalet më të mëdha elektronike kanë fituar vlerësimin e publikut dhe kritikëve muzikorë.

    Gjatë karrierës së tij, Seth Troxler ka publikuar një sërë produksionesh të njohura si “Love Never Sleeps”, “Hurt”, “Make You Happy”, “Lumartes” dhe “GX”, duke u shndërruar në një emër të respektuar jo vetëm si DJ, por edhe si producent kreativ.

    Ai ka qenë gjithashtu pjesë e projekteve të rëndësishme si Visionquest dhe Tuskegee, të cilat kanë pasur ndikim të madh në zhvillimin e skenës house dhe techno.

    I njohur për energjinë e tij të jashtëzakonshme, personalitetin karizmatik dhe aftësinë për të krijuar një lidhje të fortë me publikun, Seth Troxler sjell në Sunny Hill Festival një përvojë muzikore unike.

    Për këto net magjike të muzikës dhe spektaklit, biletat mund t’i gjeni në këtë link: LINKU

  • Qëndrimi i Janina Ymerit ndaj një koalicioni të mundshëm LDK-LVV: Varet se kush do të bëhet President/e

    Qëndrimi i Janina Ymerit ndaj një koalicioni të mundshëm LDK-LVV: Varet se kush do të bëhet President/e

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, folur për qëndrimin e saj të mundshëm, në rast të një marrëveshjeje mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për formimin e institucioneve të reja.

    E pyetur nëse do të qëndronte në sallë dhe do ta mbështeste një marrëveshje të tillë, përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, Ymeri tha se ende nuk mund të japë një përgjigje përfundimtare.

    “Nuk mund të them asgjë tash. Varet nga rrjedhja e ngjarjeve më vonë. Për shembull, kush është presidenti që po propozohet e kështu më radhë”, ka deklaruar Ymeri në Debat Plus.

    Deputetja më vonë e ka sqaruar deklaratën edhe në Facebook:

    “Siç mund ta keni dëgjuar nga Debat Plus, sonte jam kontaktuar se a do të qëndroj në sallë për President/e:

    1. Varet se kush do të bëhet President/e edhe cila do jetë rrjedha e ngjarjeve, pra do e shqyrtoj si çdo vendim tjetër në Kuvend.

    Për rrjedhën e ngjarjeve e kam pas fjalën për momentet si kriza, protesta dhe trazira rreth këtij vendimi nëse nuk arrihet pajtim sepse në këto raste ndryshojnë prioritetet.

    2. Marrëveshja politike nuk do të thotë që mbivendoset ose më bën të nënvlerësoj votën e 27,480 votuesve për Janina Ymeri”, ka sqaruar ajo.

  • Hita: Pezullohet polici në Fier, krijoi një lidhje të papërshtatshme me të miturat në ngjarje

    Hita: Pezullohet polici në Fier, krijoi një lidhje të papërshtatshme me të miturat në ngjarje

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje mbi rastin e dhunimit të një të miture nga disa bashkëmoshatare në Fier, pamje të cilat u bënë publike përmes një videoje që shkaktoi reagime të shumta.

    Në një deklaratë për mediat, Hita tha se pas publikimit të videos janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë. Sipas tij, njëra prej vajzave të përfshira kishte precedent të mëparshëm dhe është arrestuar.

    “Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura duke kryer veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe, në vijim të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë ndërmarrë ndjekjet penale. Një prej vajzave ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar”, deklaroi Hita.

    Kreu i Policisë foli edhe për pezullimin e efektivit të përfshirë në këtë rast, duke sqaruar se ndaj tij është marrë masa për shkelje të standardeve profesionale dhe cenim të figurës së Policisë së Shtetit.

    Sipas Hitës, efektivi nuk dyshohet se ka publikuar videon, por ka krijuar një marrëdhënie të papërshtatshme me të miturat e përfshira në ngjarje.

    “Oficeri i Policisë i përfshirë në rastin e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon. Pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardeve dhe cenim të rëndë të figurës së Policisë, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer veprime të kundërligjshme ndaj një të miture tjetër”, u shpreh Hita.

  • Djali i Benjamin Netanyahut ndryshoi emrin dhe mbiemrin

    Djali i Benjamin Netanyahut ndryshoi emrin dhe mbiemrin

    Yair Netanyahu, djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka ndryshuar emrin dhe mbiemrin e tij në Yonatan Hon, raportoi të mërkurën gazeta izraelite Haaretz.

    Sipas raportit, dokumentet tatimore tregojnë se deri në dhjetor të vitit 2024 ai figuron me emrin e vjetër, ndërsa këtë vit, me të njëjtin numër identifikimi, është regjistruar me emrin e ri.

    Në dokumente shfaqet edhe e njëjta adresë fiktive, e regjistruar si “Balfour 0”, shkruan timesofisrael.

    Yair Netanyahu edhe më parë kishte përdorur variante të ndryshme të mbiemrit. Në rrjetet sociale ai është prezantuar si “Yair Hoon”. Mbiemri Hon rrjedh nga mbiemri origjinal i gjyshit të tij nga nëna, Shmuel Hon, babait të Sara Netanyahut, i cili më vonë e ndryshoi mbiemrin në Ben Artzi.

    Ndryshimi i emrit vjen në një periudhë kur mbiemri Netanyahu është nën presion të madh politik dhe ligjor. Benjamin Netanyahu përballet me kritika ndërkombëtare dhe me një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare lidhur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai gjithashtu vazhdon të përballet në Izrael me procese gjyqësore për korrupsion.

    Edhe Yair Netanyahu ka qenë objekt polemikash për aktivitetet e tij në SHBA dhe lidhjet me figura të së djathtës ekstreme. Në vitin 2018 u publikua një incizim ku ai, para një klubi striptizi, mburrej se babai i tij kishte ndihmuar në realizimin e një marrëveshjeje shumë miliardëshe për gazin që i kishte sjellë përfitime një biznesmeni të pasur.

    Kjo nuk është hera e parë që një anëtar i familjes Netanyahu ndryshon emrin. Vëllai i Yairit, Avner Netanyahu, e ndryshoi mbiemrin në Avi Segal rreth pesë vjet më parë dhe me atë identitet bleu një apartament në Oksford të Anglisë. Edhe vetë Benjamin Netanyahu, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara në vitet 1980, kishte përdorur emrin Ben Nitai.

    Tradita e ndryshimit të mbiemrave në familje shkon edhe më larg. Babai i Benjamin Netanyahut, Benzion Mileikowsky, e ndryshoi mbiemrin në Netanyahu pasi u shpërngul nga Polonia në Palestinën nën Mandatin Britanik në vitet 1920. Sipas Haaretz, kjo ishte pjesë e një praktike më të gjerë të shumë kolonëve sionistë, të cilët zëvendësonin mbiemrat evropianë me emra hebraikë.

  • Rama për Corriere della Sera: Në Shqipëri, anti-Trumpistët po përplasen me Presidentin e SHBA

    Rama për Corriere della Sera: Në Shqipëri, anti-Trumpistët po përplasen me Presidentin e SHBA

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar protestat që prej më shumë se një muaji po zhvillohen në Tiranë.

    Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, Rama tha se në fillim protestat i kujtuan lëvizjen studentore të vitit 2018 dhe se i ka marrë seriozisht shqetësimet e qytetarëve.

    Protestat, të cilat fillimisht u organizuan kundër projektit të resortit luksoz, janë zgjeruar me kalimin javëve dhe janë shndërruar në demonstrata më të gjera kundër klasave politike.

    Organizatorët kanë shprehur shqetësime për ndikimin që projekti mund të ketë mbi mjedisin dhe zonat e mbrojtura, ndërsa gjatë protestave janë artikuluar edhe kritika më të gjera ndaj politikave të qeverisë, raporton Top Channel.

    Nga ana e tij, Rama ka theksuar se është i gatshëm të dëgjojë zërin e qytetarëve, duke e cilësuar reagimin e tyre si një mesazh që meriton vëmendje.

    A ka ndryshuar protesta tani?

    “Ndërsa javët kanë kaluar, natyra e protestës ka ndryshuar. Sot, nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është gjithashtu një protestë politike, e udhëhequr nga një koalicion partish opozitare, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë vendit, të cilët kanë një qëllim të përbashkët: të sulmojnë qeverinë. Dhe këtu ka edhe një dimension global.”

    Në çfarë kuptimi?

    “Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori: është burimi më i madh në botë i zemërimit dixhital. Kudo që shfaqet Trump, ushtritë politike, mediatike dhe dixhitale pro dhe kundër tij aktivizohen automatikisht. Për shkak të këtij projekti, Shqipëria është bërë papritmas një arenë e vogël ku anti-Trumpistët globalë përplasen me Trumpin, ndërsa debati i vërtetë shqiptar mbi mjedisin, zhvillimin dhe ligjin shpesh mbytet nga kjo zhurmë e importuar. Kjo nuk zhvlerëson asnjë qytetar të sinqertë që proteston. Por unë kam detyrë të bëj dallimin midis qytetarit që kujdeset për natyrën dhe fabrikave të histerisë që kërkojnë ta përdorin Shqipërinë si skenë për betejat e tyre.”

    Ata po kërkojnë që qeveria të ndalojë projektin në Zvërnec, i cili është i lidhur me familjen Trump.

    “Qeveria nuk ka asgjë për të bllokuar, sepse ende nuk ka një projekt përfundimtar. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier ndërtimi. Nuk ka një vendim përfundimtar për të cilin mund të thuhet: ndalojeni. Të kërkosh anulimin e një projekti që ende nuk ekziston në formën e tij përfundimtare është një kërkesë politike, jo një vendim qeveritar. Një qeveri serioze nuk vepron mbi bazën e fantazive, por mbi bazën e dokumenteve, ligjeve, studimeve dhe standardeve.”

    Dhe çfarë po bëni?

    “Po presim projektin përfundimtar. Dhe shpresoj që të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, me arkitektë, planifikues urbanë, inxhinierë mjedisorë, ekspertë të biodiversitetit dhe standardet më të larta evropiane. Ambicia ime nuk është që të bëhet ‘një tjetër vendpushim’, por një model i ri zhvillimi ku turizmi dhe natyra nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.”

    Pse po i reziston idesë së një bllokade? A keni frikë nga administrata amerikane?

    “Jo. Nuk kam frikë nga administrata amerikane, as nga mediat sociale, as nga turma. Kam përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit, as zhurma globale pro ose kundër Trump. Kriteri do të jetë një: a i përmbush projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, vazhdon. Nëse jo, nuk e bën. Pikë.”

    Përdorët gjuhë fyese ndaj protestuesve. Ky nuk është një reagim normal…

    “Nëse diçka që thashë ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, jam plotësisht i lirë të them: Më vjen keq. Por nuk pranoj barazimin e qytetarëve të sinqertë me fabrikat e shpifjes, propagandën politike, llogaritë anonime, shpifësit, kërcënimet dhe histeristët. Unë flas me të parët. Unë angazhohem me të dytët.”

    Ju thoni se njerëzit janë të keqinformuar. Cila është e vërteta?

    “E vërteta është shumë më e thjeshtë se legjenda. Nuk ka filluar asnjë ndërtim. Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka betonim të lagunës. Nuk ka asnjë nga apokalipset që qarkullojnë çdo ditë në mediat sociale. Ekziston një proces potencial zhvillimi i turizmit, i cili do të shqyrtohet vetëm në bazë të ligjit, studimeve mjedisore dhe standardeve ndërkombëtare. Dhe po, ambicia jonë është që çdo zhvillim atje jo vetëm të mos dëmtojë mjedisin, por të sjellë përfitime të matshme.”

    E përsëris: a nuk është më e arsyeshme të bllokohet projekti, duke pasur parasysh reagimin popullor?

    “Reagimi popullor duhet të dëgjohet. Por shteti nuk mund të qeveriset nga telekomanda e rrjeteve sociale. Nëse çdo proces ndalet sapo të lindë një stuhi dixhitale, atëherë nuk kemi më ligj, nuk kemi më ekonomi, nuk kemi më institucione. Kemi vetëm frikë. Dhe frika nuk është politikë publike.”

    Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen tuaj dhe gjithashtu duan që ju të mos kandidoni përsëri.

    “Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votimit. Unë kam një mandat të qartë. Kushdo që mendon se duhet të largohem ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhje. Kjo është demokraci. Një ultimatum nuk është demokraci.”

    Ju fituat zgjedhjet, por pakënaqësia është ende aty.

    “Fitorja nuk është vaksinë kundër pakënaqësisë. Një mandat nuk është licencë për vetëkënaqësi. Ekziston një fenomen i njohur në politikë: kur një vend përmirësohet, qytetarët bëhen më pak tolerantë ndaj asaj që ende nuk funksionon. Rrugët më të mira i bëjnë gropat më bezdisëse. Shërbimet më të shpejta e bëjnë çdo vonesë më të padurueshme. Lufta kundër korrupsionit e bën çdo skandal më të papranueshëm. Ky është ‘revolucioni i pritjeve në rritje’. Dhe është një shenjë se shoqëria nuk është dorëzuar. Detyra jonë është të dëgjojmë më mirë, të shpjegojmë më qartë dhe të korrigjojmë më shpejt.”

    Por a janë këto protesta më shumë kundër projektit apo kundër qeverisë?

    “Ato filluan nga shqetësimi për projektin. Sot ato janë gjithashtu një protestë politike kundër qeverisë. Ky nuk është problem. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si kostum për një luftë për pushtet që nuk ka të bëjë fare me flamingot, lagunën apo ligjin.”

    Përmendët ndërhyrjen e huaj. A keni ndonjë provë?

    “Po flas për ndërhyrje dixhitale, jo për qytetarë që dalin në rrugë. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kemi parë amplifikim artificial nga jashtë, përdorim masiv të VPN-ve, llogari anonime, platforma të lidhura me ekosisteme propagande dhe aktorë keqdashës. Institucionet do të lëshojnë raportin e tyre. Por dua të jem i qartë: ndërhyrja e huaj nuk i zhvlerëson protestat e qytetarëve të sinqertë. Ajo vetëm tregon se shqetësimet e tyre po përdoren nga të tjerët për qëllime të tjera.”

    A keni qenë shumë i përqendruar në imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, duke lënë pas dore problemet e saj të brendshme?

    “Imazhi i Shqipërisë jashtë vendit nuk është kozmetik. Është ekonomia, investimet, turizmi, diplomacia, siguria dhe respekti për shqiptarët. Por po, problemet e brendshme nuk zgjidhen duke valëvitur flamuj në samitet ndërkombëtare. Pensionet, kujdesi shëndetësor, prona, drejtësia e përditshme, shërbimet publike: ka ende shumë për të bërë këtu. Nuk e mohoj.”

    Pra, cila është përgjigjja juaj ndaj akuzave për korrupsion, pensione të ulëta, kujdes shëndetësor të dobët dhe mungesë perspektive për të rinjtë?

    “Nuk i quaj të gjitha akuza. Disa janë probleme reale. Pensionet janë ende të ulëta. Kujdesi shëndetësor ka ende plagë të hapura. Pasiguria ligjore nuk do të zhduket me një ligj. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë. Por Shqipëria e sotme nuk është e njëjtë me atë që ishte më parë. Pagat janë rritur. Punësimi është rritur. Ekonomia është më e fortë. Drejtësia po arrin tek të paprekshmit. Vendi është më afër Bashkimit Evropian se kurrë më parë. Kjo nuk është e mjaftueshme. Por nuk është asgjë.”

    Transparency International e rendit Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në Evropë. Kush është përgjegjës?

    “Nuk jam i impresionuar nga raportet e bazuara në perceptime. Raporti që e marr më seriozisht është Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Dhe ka një fakt që flet më shumë se perceptimet: në Shqipëri, për herë të parë, sistemi i drejtësisë po heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë, biznesmenë dhe individë të fuqishëm. Ky nuk është fundi i korrupsionit, por është fillimi i fundit të paprekshmërisë. Dhe është një ndryshim historik.”

    Ju ende e ruani forcën elektorale: a është kjo për shkak të meritës së qeverisë apo të dobësisë së opozitës?

    “Të dyja. Do të ishte arrogante të thuash vetëm të parën dhe hipokrite të mohosh të dytën. Por askush nuk fiton për kaq gjatë vetëm për shkak të dobësisë së kundërshtarit të tyre. Njerëzit mund të jenë të pakënaqur me shumë gjëra, por ata dinë të bëjnë dallimin midis një force që funksionon, bën gabime, korrigjon veten dhe ecën përpara, dhe një opozite që shpesh lulëzon më shumë nga urrejtja ndaj meje sesa nga një vizion për Shqipërinë.”

    Meqë ra fjala, kush është udhëheqësi i opozitës?

    “Këtë e thotë opozita, jo unë. Unë nuk i emëroj udhëheqësit e saj. Problemi është se opozita ka më shumë pretendentë për fronin e zemërimit sesa bartës të një projekti qeveritar. Por ky është problemi i tyre.”

    A jeni të shqetësuar se protestat do ta dëmtojnë sezonin turistik?

    “Jo për shkak të protestave. Një vend ku njerëzit protestojnë lirisht është një vend demokratik, jo i rrezikshëm. Shqetësimi im është imazhi i rremë i krijuar nga histeria dixhitale: sikur Shqipëria të ishte në kaos, sikur të digjej, sikur të mos kishte institucione. Kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria është e hapur dhe e sigurt, dhe ky sezon do ta vërtetojë përsëri.”

    A mund të ngadalësohet procesi i pranimit në BE?

    “Jo. Protestat paqësore nuk e dëmtojnë procesin. Përkundrazi, ato tregojnë një shoqëri të lirë. Ajo që do ta dëmtonte procesin evropian do të ishte zëvendësimi i sundimit të ligjit me presionin e rrugës, ose kthimi i dezinformimit në politikat publike.”

    Çfarë zgjidhjeje u propozoni protestuesve?

    “Transparencë, dialog dhe veprim. Zgjidhja nuk mund të jetë: ‘Ndaloni gjithçka sepse them unë’. Zgjidhja është: verifikoni gjithçka, korrigjoni atë që duhet korrigjuar, ndaloni atë që është kundër ligjit dhe interesit publik dhe lejoni atë që i nevojitet vendit.”

    Disa thonë se nuk ka më asnjë ndryshim midis Partisë Socialiste dhe shtetit.

    “Është një tezë politike, jo një fakt. Shqipëria ka institucione. Ka një gjyqësor që merr vendime kundër zyrtarëve të qeverisë dhe vetë qeverisë. Ka media ku shumica dërrmuese e përmbajtjes është kritike ndaj qeverisë. Ka një opozitë që proteston jashtë zyrës sime. Ka zgjedhje që shqiptarët i certifikojnë. Formula ‘partia është shteti’ është propagandë e lirë për një realitet shumë më kompleks.”

    A ka ndonjë gjë që duhet ta kishe trajtuar më mirë gjatë këtij muaji protestash?

    “Sigurisht që ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Gjithmonë ka. Por nuk pendohem që nuk bëra atë që kërkoi turma dixhitale: shpalljen e një gjyqi fajtor para se të kishte ndonjë provë dhe ndalimin e një projekti para se të kishte një projekt. Puna ime nuk është të pëlqehem në çdo kohë. Puna ime është të mbroj ligjin, interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë.”

  • Deminerët e FSK-së nxjerrin raketën e NATO-s në Prishtinë, dyshohet se ka edhe të tjera

    Deminerët e FSK-së nxjerrin raketën e NATO-s në Prishtinë, dyshohet se ka edhe të tjera

    Copat e një rakete që u hodh në territorin e Kosovës më 1999, u gjetën 27 vjet më pas.

    Një mjet shpërthyes i prodhimit amerikan, u has në lagjen “Prishtina e Re” në kryeqytet pasditen e së mërkurës, krejt rastësisht, gjatë gërmimit të një themeli.

    Në terren dolën menjëherë njësiti i deminerëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, i cili është edhe i specializuar për intervenime në këso raste.

    Ata u ndihmuan edhe nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i finlandez.

    Ky mjet shpërthyes dyshohet se i përket luftës së fundit, dhe u lëshua gjatë bombardimeve të NATO-s pranverën e ’99-ës gjatë sulmimit të caqeve serbe.

    Kjo pasi edhe lokacioni ku u gjet është në afërsi të ish-shtabit ushtarak serb që ishte në Hajvali.

    Ky lloj i raketës mësohet se ishte dizajnuar në vitin 1983, me gjatësi 4.14 metra dhe një shpejtësi nga 25 deri në 225 kilometër për orë.

    Sipas banorëve të zonës, edhe më herët aty janë gjetur mjete shpërthyese, teksa kanë apeluar për kontrollim të mëtutjeshëm të hapësirës për të eliminuar rrezikun eventual./Klan Kosova

  • Molliqaj-opozitës: Refuzojeni Kurtin ose ndërrojeni emrin

    Molliqaj-opozitës: Refuzojeni Kurtin ose ndërrojeni emrin

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas ftesës që Kurti u ka dërguar partive opozitare.

    Moliqaj në reagimin e tij në Facebook iu ka bërë thirrje t’a refuzojnë ftesën ose të njëjtit të ndërrojnë emrin.

    Por sipas tij opozita siç ai e quan ‘formale është aq e kapur pas përfitimit saqë nuk i pështatet refuzimi’.

    “Kush nuk mëson nga gabimi bëhet ingranazh i sistemit. Pjesë e problemit. Kjo është historia e opozitës formale. Sot e kritikojnë që nesër ta takojnë. Thua ti që refuzimet janë kërkesë/lutje për ftesë. Apo edhe janë?Në takimet që Kurti ftoi opozitën, ata do të duhej ta refuzonin pjesëmarrjen. Pa ekuivoke. Por opozita formale është aq e kapur pas përfitimit saqë nuk i pështatet refuzimi. Kanë tjera plane, e ku njerëzit e këtij vendi nuk janë pjesë” shkruan Molliqaj.

  • “Takim në Kryeministri në formatin 1+1”, çfarë i shkroi Kurti Gjinit në letrën që ia dërgoi sot (Dokument)

    “Takim në Kryeministri në formatin 1+1”, çfarë i shkroi Kurti Gjinit në letrën që ia dërgoi sot (Dokument)

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar ftesë kryetarit të AAK-së, Ardian Gjini për t’u konsultuar rreth krjimit të institucioneve.

    Gazeta Express ka siguruar ftesën e Kurtit ndaj Gjinit, në të cilën kreut të AAK-së i ofrohen disa afate kohore për takim.

    Gjini ndërkohë është përgjigjur se nuk ka nevojë për takim, por i ka thënë se janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë në zgjedhjen e presidentit nëse LVV-ja i pranon 6 kushtet e ofruara nga AAK-ja.

    Ftesa: