ATV

Author: K.B.

  • Ironia e Bryan Johnson: Njeriu që investon miliona për të mos u plakur diagnostikohet me një sëmundje kronike

    Ironia e Bryan Johnson: Njeriu që investon miliona për të mos u plakur diagnostikohet me një sëmundje kronike

    Nëse ka një person në botë që është bërë simbol i kujdesit ekstrem për shëndetin, ai është Bryan Johnson. Sipërmarrësi amerikan ka shpenzuar miliona dollarë për projektin e tij të famshëm “Blueprint”, duke monitoruar çdo detaj të trupit, nga analizat e gjakut dhe organet e brendshme, deri te cilësia e gjumit, ushqimi dhe ritmi i zemrës, me një qëllim të vetëm: të ngadalësojë plakjen dhe të jetojë sa më gjatë.

    Por edhe për dikë që kontrollon pothuajse çdo aspekt të organizmit të tij, jeta mund të sjellë surpriza.

    Johnson ka zbuluar se është diagnostikuar me gastrit autoimun, një sëmundje kronike në të cilën sistemi imunitar sulmon qelizat e stomakut. Lajmin e bëri publik vetë ai, duke shkruar: “Stomaku im po e sulmon vetveten.”

    Diagnoza u konfirmua vetëm në muajin maj, pas një endoskopie dhe analizave me biopsi. Sipas Johnson, ai nuk e di prej sa kohësh e kishte këtë sëmundje, pavarësisht se prej vitesh kryen kontrolle shëndetësore shumë më të detajuara se shumica e njerëzve.

    Gastriti autoimun është një sëmundje e rrallë kronike që dëmton qelizat përgjegjëse për prodhimin e acidit të stomakut dhe të faktorit intrinsik, një proteinë thelbësore për përthithjen e vitaminës B12. Si pasojë mund të shfaqen mungesa të rëndësishme të vitaminës B12 dhe hekurit, anemi, lodhje kronike, probleme neurologjike dhe, në afat të gjatë, rritje e rrezikut për disa forma të kancerit të stomakut.

    Aktualisht nuk ekziston një kurë që e eliminon këtë sëmundje. Trajtimi përqendrohet në korrigjimin e mungesave ushqyese, kontrollin e komplikacioneve dhe monitorimin e vazhdueshëm.

    Johnson ka treguar gjithashtu se vuan nga hipotiroidizmi që prej moshës 21 vjeç dhe beson se procesi autoimun mund të ketë qenë aktiv për shumë vite pa u zbuluar.

    Historia e tij është një kujtesë interesante se edhe teknologjia më e avancuar, analizat më të sofistikuara dhe një stil jetese pothuajse perfekt nuk mund të garantojnë zbulimin e hershëm të çdo sëmundjeje. Trupi i njeriut mbetet ende shumë më kompleks sesa mund të kontrollohet plotësisht.

    Megjithatë, Bryan Johnson nuk ka ndërmend të ndalet. Ai ka bërë të ditur se do të investojë kohë, para dhe burime për të studiuar më thellë gastritin autoimun, në bashkëpunim me mjekë dhe studiues nga e gjithë bota, duke premtuar se do të ndajë publikisht çdo zbulim të ri.

    Ironikisht, njeriu që është bërë sinonim i luftës kundër plakjes po përballet sot me një sëmundje që nuk ka ende një kurë. Dhe pikërisht kjo e bën historinë e tij kaq domethënëse: kujdesi maksimal për shëndetin mund të ulë rreziqet, por nuk e bën askënd të paprekshëm.

  • ​IHMK bëhet pjesë e rrjetit evropian EUMETNET, hap i madh për meteorologjinë në Kosovë

    ​IHMK bëhet pjesë e rrjetit evropian EUMETNET, hap i madh për meteorologjinë në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit me EUMETNET, Rrjetin Evropian të Shërbimeve Kombëtare Meteorologjike dhe Hidrologjike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit në komunitetin profesional evropian.

    Sipas një njoftimi të IHMK-së, kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për modernizimin e shërbimeve meteorologjike dhe klimatike në Kosovë, përmes pjesëmarrjes në programet OPERA, E-WFC (C-SRNWP dhe E-Nowcasting), Climate, EUMETCAL dhe Capacity Capability Area Management.

    Përmes këtij bashkëpunimi, IHMK do të përfitojë nga shkëmbimi i të dhënave, ekspertizës, trajnimeve profesionale dhe praktikave më të mira evropiane, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që ofron.

    Marrëveshja pritet të kontribuojë në përmirësimin e parashikimeve meteorologjike, zhvillimin e shërbimeve klimatike, forcimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, ngritjen e kapaciteteve profesionale të institutit dhe harmonizimin e shërbimeve me standardet evropiane.

    Sipas IHMK-së, ky është një zhvillim i rëndësishëm për forcimin e rolit të institucionit dhe për ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

  • Irani dërgon në Mashhad trupin e udhëheqësit të ndjerë suprem, Ali Khamenei

    Irani dërgon në Mashhad trupin e udhëheqësit të ndjerë suprem, Ali Khamenei

    Një aeroplan që transportonte trupin e ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei ka mbërritur në Mashhad, qytetin më të shenjtë të Iranit.

    Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në, raporton se fazat e fundit të procesionit mortor do të fillojnë në orën 14:00 sipas kohës lokale (11:30 BST).

    Arkivoli i Khameneit është ekspozuar nëpër Iran dhe Irak për gjashtë ditë dhe do të varroset në Mashhad, ku ka lindur ish-udhëheqësi suprem, raporton BBC.

  • Mbi 5 mijë viktima nga temperaturat ekstreme në Gjermani

    Mbi 5 mijë viktima nga temperaturat ekstreme në Gjermani

    Më shumë se 5 mijë persona vlerësohet se kanë humbur jetën në Gjermani këtë vit si pasojë e efekteve të temperaturave ekstreme, sipas të dhënave të Institutit Robert Koch për Shëndetin Publik.

    Në raportin e tij javor, RKI bëri të ditur se nxehtësia e madhe lidhet me rreth 5,120 vdekje, ndërsa numri më i lartë i viktimave u regjistrua gjatë valës së të nxehtit në fund të muajit qershor.

    Sipas të dhënave, rreth 4,270 nga viktimat ishin persona mbi moshën 75-vjeçare, një grup veçanërisht i rrezikuar nga temperaturat e larta dhe pasojat shëndetësore të tyre.

    Instituti gjerman theksoi gjithashtu se mes viktimave kishte më shumë gra sesa burra, kryesisht për shkak se gratë përbëjnë një pjesë më të madhe të popullsisë në moshat e avancuara.

    Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar vazhdimisht për ndikimin në rritje të valëve të të nxehtit, veçanërisht tek të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore kronike.

  • Justin Bieber i bashkohet Madonnës, Shakirës dhe BTS në super spektaklin e finales së Botërorit 2026

    Justin Bieber i bashkohet Madonnës, Shakirës dhe BTS në super spektaklin e finales së Botërorit 2026

    Finalja e Kupës së Botës 2026 do të jetë shumë më tepër se një ndeshje futbolli.

    FIFA ka konfirmuar se Justin Bieber do të jetë pjesë e spektaklit historik të pushimit mes pjesëve (“halftime show”), duke iu bashkuar emrave të mëdhenj të muzikës botërore si Madonna, Shakira dhe BTS.

    Shfaqja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “New York New Jersey”, ku do të luhet edhe finalja e Botërorit.

    Ky do të jetë “halftime show” i parë në historinë e finaleve të Kupës së Botës dhe pritet të ndiqet nga qindra miliona shikues në të gjithë globin.

    Spektakli do të drejtohet artistikisht nga Chris Martin, lideri i grupit Coldplay, ndërsa organizatorët synojnë të krijojnë një ndërthurje unike mes futbollit, muzikës dhe solidaritetit.

    Përveç emrave kryesorë, në skenë do të ngjiten edhe Burna Boy, dirigjenti Gustavo Dudamel, kori PS22 Chorus dhe artistë të tjerë surprizë, ndërsa nuk do të mungojnë as personazhe ikonike si Kermit dhe Miss Piggy.

    Ngjarja do të ketë edhe një mision humanitar, pasi do të mbështesë FIFA Global Citizen Education Fund, një fond që synon të mbledhë 100 milionë dollarë për të financuar programe arsimore dhe mundësi sportive për fëmijët në mbarë botën.

    Justin Bieber u shpreh krenar për pjesëmarrjen në këtë projekt, duke theksuar se Botërori ka fuqinë të bashkojë njerëzit si asnjë ngjarje tjetër sportive.

    Edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e cilësoi pjesëmarrjen e artistit kanadez si një vlerë të shtuar për një spektakël që synon të vendosë një standard të ri në historinë e eventeve sportive globale.

  • Gjykatat në veri ende pa gjyqtarë e prokurorë serbë: A ka zgjidhje?

    Gjykatat në veri ende pa gjyqtarë e prokurorë serbë: A ka zgjidhje?

    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se kthimi në punë i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb duhet të shihet si çështje me interes publik.

    “Prania e tyre është thelbësore për funksionimin efikas të sistemit të drejtësisë, qasjen e barabartë në drejtësi dhe rikthimin e besimit brenda komunitetit serb”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Por, Aleksandar Rapajiq nga Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) kujton se gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit serbë të sistemit të drejtësisë u integruan në institucionet e Kosovës në vitin 2017, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndaj edhe largimi i tyre nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 ishte rezultat i një vendimi politik.

    “Shumica e tyre do të ktheheshin në punë nëse do të arrihej një marrëveshje politike”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Në një konferencë të organizuar nga ACDC-ja më 29 qershor, me temën “Drejtësia në veri të Kosovës: Sfidat, përfaqësimi institucional dhe perspektivat e kthimit”, u vlerësua se rikthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb mund të ndihmojë në rritjen e besimit të komuniteteve joshumicë në sistemin e drejtësisë.

    Përfaqësuesit e komunitetit serb u larguan kolektivisht nga institucionet e Kosovës në fund të nëntorit 2022, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t’i zëvendësuar ato me targat e Kosovës.

    Përveç zyrtarëve policorë dhe punonjësve të administratës lokale, dorëheqje dhanë edhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Çështja e dorëheqjeve të pazgjidhura u rikthye në vëmendje pasi, në mes të qershorit, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës që “pa vonesa” t’i përmbyllin procedurat lidhur me këto dorëheqje, duke argumentuar se zvarritja e tyre ndikon në funksionimin normal të sistemit të drejtësisë.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Këshilli Gjyqësor konfirmoi se e ka pranuar letrën më 19 qershor dhe se kjo çështje do të shqyrtohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore.

    Sipas tij, publiku do të njoftohet me kohë për vendimin.

    Këshilli Prokurorial, në anën tjetër, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

    Largimi kolektiv i serbëve nga institucionet e Kosovës ishte iniciuar nga Lista Serbe, me mbështetjen e autoriteteve në Beograd.

    Punonjësit që dhanë dorëheqje, morën kontrata të përkohshme dhe vazhduan të paguhen nga buxheti i Serbisë.

    Por, me kalimin e kohës, disa prej atyre që nuk mbështesnin Listën Serbe, mbetën pa këto paga dhe njëkohësisht humbën mundësinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të mëparshme të punës.

    Pas krizave të shumta në veri të Kosovës, që kulmuan me sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për rikthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë.

    Edhe Lista Serbe, para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, pranoi se largimi nga institucionet e Kosovës kishte qenë gabim.

    A kishte presion politik për kthimin?
    Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë vepruar me përgjegjësi, duke mos i pranuar dorëheqjet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb.

    Sipas tij, kjo ka ruajtur bazën ligjore që ata të mund të kthehen në detyrë pa kaluar në një proces të ri rekrutimi.

    Megjithatë, ai thekson se rikthimi i tyre duhet të mbështetet në përgjegjësinë institucionale dhe jo në marrëveshje politike.

    “Gjyqtarët dhe prokurorët i shërbejnë Kushtetutës dhe sundimit të ligjit, jo interesave politike”, thotë Miftaraj.

    Aleksandar Rapajiq nga Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) thotë se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial që t’i pranonin dorëheqjet, me qëllim që, sipas tij, “serbëve t’u mbyllej dera për t’u kthyer në sistemin e drejtësisë”.

    “Ky ishte presion politik, por Këshilli Gjyqësor arriti t’i rezistojë. Ndërkohë, përbërja e Këshillit ka ndryshuar në kuadër të procedurës së rregullt, anëtarët e rinj janë zgjedhur nga Kuvendi dhe kam frikë se tani ekziston shumica e nevojshme për t’i miratuar këto dorëheqje”, thotë Rapajiq.

    A ka kush t’i zëvendësojë gjyqtarët dhe prokurorët serbë?
    Rapajiq kujton se, deri më tani, janë pranuar dorëheqjet e vetëm dy gjyqtarëve, pasi ata janë angazhuar politikisht.

    Njëra prej tyre është ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq.

    Pas dorëheqjes, ajo mori pjesë në protestat e organizuara nga Lista Serbe dhe më pas u përfshi edhe në listën zgjedhore të kësaj partie.

    Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, ajo fitoi afro 14.000 vota, duke siguruar mandatin e deputetes.

    Por, sipas Rapajiqit, problemi më i madh do të lindte nëse do të pranoheshin edhe dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë serbë.

    “Nuk do të ketë kush t’i zëvendësojë. Për t’u bërë gjyqtar duhen përgatitje me vite, ndërsa edhe gjyqtarëve të sapoemëruar u nevojiten vite përvojë për të marrë përgjegjësi të caktuara”, thotë ai.

    Edhe drejtori ekzekutiv i ACDC-së, Dushan Radakoviq, ngriti të njëjtin shqetësim në konferencën për drejtësinë në veri të Kosovës.

    Sipas tij, nëse do të pranoheshin dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, për gjashtë deri në tetë vjet nuk do të kishte kush t’i zëvendësonte.

    “Po flasim për përfundimin e studimeve, kalimin e provimit të jurisprudencës, konkurrimin për pozita, përvojën e punës, verifikimin e diplomave, emërimin, provimin për gjyqtarë dhe një vit praktikë, e kështu me radhë”, tha ai.

    Radakoviq shtoi se, në pesë ose gjashtë afatet e fundit të provimit të jurisprudencës, vetëm një ose asnjë kandidat nga komuniteti serb arriti të kalonte provimin.

    “Pas kthimit nuk duhet të përsëritet i njëjti skenar”
    Miftaraj vlerëson se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës ishte një nga arritjet më të rëndësishme institucionale që nga shpallja e pavarësisë.

    Sipas tij, ky proces forcoi sundimin e ligjit, përmirësoi qasjen në drejtësi dhe rriti besimin e qytetarëve, veçanërisht në veri të Kosovës.

    “Largimi i tyre kolektiv, i nxitur nga rrethanat politike, e dëmtoi seriozisht funksionimin e sistemit të drejtësisë. Edhe pse gjykatat dhe prokuroritë vazhduan punën, një sistem që funksionon pa përfaqësimin e duhur, nuk mund të garantojë plotësisht drejtësi efikase, të qasshme dhe të besueshme”, thotë Miftaraj.

    Ai vlerëson se institucionet e Kosovës duhet t’ua mundësojnë kthimin, por njëkohësisht t’ua bëjnë të qartë se “vullneti i mirë institucional nuk mund të keqpërdoret pafundësisht”.

    Sipas tij, synimi nuk është vetëm plotësimi i vendeve të lira të punës, por edhe forcimi i besimit të qytetarëve në një sistem të drejtësisë të pavarur, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

    Rapajiq, në anën tjetër, vlerëson se ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian është thelbësor për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, si dhe një pjese të zyrtarëve policorë në institucionet e Kosovës.

    Ai shprehet skeptik se një hap i tillë do të pranohej lehtë nga një qeveri e re e udhëhequr nga Kurti.

    Pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, Kurti deklaroi se rikthimi i tyre nuk është çështje politike, por ligjore dhe kushtetuese.

    “Largimi i tyre ishte një akt individual. Rikthimi i tyre është çështje juridike, kushtetuese dhe institucionale”, tha ai.

    Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Bashkimit Evropian për ta pyetur nëse në kuadër të dialogut është duke u diskutuar rikthimi i serbëve në institucionet e drejtësisë së Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje./REL/

  • ‘Goditja’ e BE’së ndaj Serbisë – Holanda, Kroacia e 6 shtete të tjera i thonë “Jo” për Kapitullin 3 për anëtarësim

    ‘Goditja’ e BE’së ndaj Serbisë – Holanda, Kroacia e 6 shtete të tjera i thonë “Jo” për Kapitullin 3 për anëtarësim

    Serbia ka marr një goditje të madhe për përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pasi që ambasadorët e BE-së, të mbledhur të mërkurën në Bruksel, nuk arritën të sigurojnë unanimitet për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllok.

    Tetë nga 27 shtetet anëtare kundërshtuan hapjen e Kapitullit 3 – i cili përqendrohet te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse – gjatë një takimi të ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, konfirmuan për Euronewstre diplomatë të BE-së.

    Shtetet që kundërshtojnë hapjen e Kapitulli 3 janë: Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia.

    Tre shtete të tjera – Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia – nuk e kundërshtojnë plotësisht, por ende nuk janë të bindura. Ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Serbisë është Franca.

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se Bashkimit Evropian i nevojitet një Serbi e fortë dhe demokratike në krah.

    Shtetet që mbështesin Serbinë shprehin shqetësimin se izolimi i mëtejshëm i vendit të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja negative dhe se përpjekjet e tij për reforma duhet të shpërblehen.

    “Standarde të dyfishta”

    Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2012. Deri më tani janë hapur 22 kapituj negociues, ndërsa dy prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

    Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli negociues kërkohet mbështetja unanime e të 27 shteteve anëtare të BE-së. Klasterët janë grupe tematike që përfshijnë fusha të ndryshme të legjislacionit dhe politikave.

    Ish-kryeministrja serbe Ana Brnabić ka kundërshtuar pretendimet se vendi i saj është pro-rus, duke deklaruar për Euronews se Serbia ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, ndërsa akuzoi BE-në për përdorimin e “standardeve të dyfishta” në procesin e anëtarësimit.

    Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Euronews të hënën se një dokument, i cili shpjegon pse Komisioni vlerëson se “hapat e fundit” të ndërmarrë nga autoritetet serbe justifikojnë hapjen e Kapitullit 3, u ishte shpërndarë shteteve anëtare.

    Sipas dokumentit të parë nga Euronews, Serbia ka zbatuar një pjesë të konsiderueshme të angazhimeve të marra për të adresuar shqetësimet e vendeve anëtare, përfshirë shfuqizimin e ndryshimeve të diskutueshme në ligjet për gjyqësorin, si dhe përparim në lirinë e medias, kuadrin zgjedhor dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

    Edhe pse Serbia ende nuk është harmonizuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, Komisioni thekson se Beogradi ka bashkëpunuar për të parandaluar shmangien e sanksioneve, ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike me Kievin.

    Megjithatë, dokumenti pranon se puna e Serbisë është ende larg përfundimit, duke theksuar se “nevojitet punë e mëtejshme” për reformën në drejtësi dhe sistemin e prokurorisë.

    Takimi i së mërkurës u mbajt pikërisht për të parë nëse shtetet anëtare ndajnë këtë vlerësim të Komisionit.

    “Zhvillime pozitive”

    Një diplomat i BE-së, duke folur për Euronews në kushte anonimiteti, tha se kundërshtimi i tetë shteteve lidhet kryesisht me problemet e Serbisë në sundimin e ligjit dhe me mosharmonizimin e saj me sanksionet ndaj Rusisë.

    Një tjetër diplomat tha se disa shtete pajtohen me vlerësimin pozitiv të Komisionit, duke konsideruar se Serbia i ka përmbushur, ose është në rrugë të mirë për të përmbushur kriteret për hapjen e Klasterit 3.

    Disa zyrtarë të lartë të BE-së kanë mbështetur publikisht hapjen e këtij klasteri, veçanërisht pasi presidenti serb Aleksandar Vučić tërhoqi në qershor ndryshimet e diskutueshme në ligjet për gjyqësorin, pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, është ndër mbështetëset më të zëshme të këtij hapi.

    “Në dritën e disa zhvillimeve të fundit pozitive, Komisioni ka ripërtërirë rekomandimin e tij ndaj Këshillit për hapjen e Klasterit 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë”, deklaroi Kos të martën në Parlamentin Evropian në Strasburg.

    “Ai do të vazhdojë gjithashtu të nxisë përparimin e reformave në dobi të të gjithë qytetarëve dhe shoqërisë serbe.”

    “Të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”

    Po të mërkurën, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë dërrmuese raportin për zgjerimin e Serbisë për vitin 2025, me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime.

    Raporti përmban rekomandime për reformimin e procesit zgjedhor, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai rithekson gjithashtu se Klasteri 3 është teknikisht i gatshëm për t’u hapur.

    Eurodeputeti kroat Tonino Picula, raportues i këtij dokumenti, deklaroi pas votimit se situata në Serbi është përkeqësuar gjatë viteve të fundit.

    Sipas tij, reformat kanë ngecur dhe ritmi i tyre është ngadalësuar.

    “Ndërsa Bashkimi Evropian po përjeton një momentum të ri të zgjerimit, me Malin e Zi dhe Shqipërinë që po avancojnë në negociatat e anëtarësimit, reformat e lidhura me BE-në në Serbi kanë ngecur në disa fusha kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike”, tha ai.

    I pyetur pse qëndrimi i Parlamentit Evropian ndryshon nga rekomandimi i Komisionit për hapjen e Klasterit 3, Picula u shpreh i habitur.

    “Raporti ynë bazohet në vlerësimet dhe konstatimet e vetë Komisionit. Prandaj për ne është e paqartë se ku e sheh Komisioni këtë përparim”, deklaroi ai.

    Pas publikimit të raportit në fund të vitit të kaluar, presidenti Aleksandar Vučić mbrojti gatishmërinë e Serbisë për të zbatuar reformat.

    “Ne duhet t’i marrim parasysh të gjitha vërejtjet dhe të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”, tha Vučić, duke shtuar se “Serbia është plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe do ta ndjekë atë me seriozitet dhe përgjegjësi.”

  • Reuters: Zemërim në Shqipëri, Edi Rama e mbron koncertin 4 milionë eurosh të Kanye West

    Reuters: Zemërim në Shqipëri, Edi Rama e mbron koncertin 4 milionë eurosh të Kanye West

    Kryeministri i Shqipërisë e mbrojti të mërkurën vendimin për të shpenzuar 4 milionë euro për një koncert të reperit amerikan Kanye West, ndërsa u përpoq ta zbusë zemërimin lidhur me këtë ngjarje, e cila ka shtuar tensionet në protestat publike dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, shkruan Reuters.

    Kanye West, i cili njihet edhe si YE, është ndaluar të performojë në disa vende evropiane këtë verë pas deklaratave që kanë përfshirë lavdërime për Adolf Hitlerin dhe përmbajtje me imazhe naziste.

    Koncerti, i planifikuar për 11 korrik pak jashtë Tiranës, do të mbahet në një stadium të përkohshëm të ndërtuar posaçërisht për këtë ngjarje.

    “Ne ndamë 4 milionë euro në momentin e fundit për ta shmangur turpërimin e Shqipërisë në sytë e gati 25 mijë vizitorëve të huaj nga 80 vende, të cilët tashmë kishin blerë bileta për ta parë Kanye West, ndërsa shumë të tjerë kishin frikë se koncerti mund të anulohej”, tha kryeministri Edi Rama në Facebook.

    Rama tha se pritet që kjo ngjarje t’i sjellë vendit të paktën 100 milionë euro të ardhura, pas rritjes së rezervimeve për akomodim rreth kohës së mbajtjes së koncertit.

    Njoftimi i Ramës tërhoqi një valë komentesh negative në faqen e tij në Facebook.

    “Shqipëria turpërohet kur mirëpret një këngëtar që e admiron Hitlerin”, tha një komentues. “Turp, jo me paratë e mia!”, tha një tjetër.

    Protesta të përditshme janë mbajtur në Tiranë për më shumë se një muaj. Ato u nxitën nga planet për një resort luksoz të dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

    Më vonë, protestuesit denoncuan edhe projekte të tjera të zhvillimit bregdetar pranë zonave të mbrojtura dhe kërkuan gjithashtu dorëheqjen e Ramës, duke akuzuar qeverinë e tij për korrupsion, një pretendim që Rama e mohon.

  • Sulmi në Ibër-Lepenc, të akuzuarit deklarohen sërish të pafajshëm

    Sulmi në Ibër-Lepenc, të akuzuarit deklarohen sërish të pafajshëm

    Vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe i akuzuari tjetër Igor Dimoviq, edhe në seancën e së enjtes u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, të enjten ka nisur shqyrtimi gjyqësor.

    Të pafajshëm, tre të akuzuarit ishin deklaruar edhe në seancën fillestare më 16 shkurt 2026, raporton Betimi për Drejtësi.

    Seanca po vazhdon me fjalën hyrëse nga prokurori special, Bekim Kodraliu.

    Seanca për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, të akuzuarit dalin para gjyqit

  • I buzëqeshur krah Erdoganit, Rama ndan foto nga Samiti i NATO-s në Turqi

    I buzëqeshur krah Erdoganit, Rama ndan foto nga Samiti i NATO-s në Turqi

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë në rrjetet sociale disa fotografi nga pjesëmarrja e tij në Samitin e NATO-s të zhvilluar në Ankara.

    Rama shfaqet mes liderëve të vendeve anëtare të Aleancës, në një nga takimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare.

    Në fotografitë e publikuara, kryeministri shqiptar shihet gjatë momenteve zyrtare të samitit, ku liderët e NATO-s diskutuan çështje të mbrojtjes, sigurisë dhe bashkëpunimit mes vendeve aleate.

    Samiti në Turqi mblodhi drejtuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s.