ATV

Author: K.B.

  • Gjendet pa shenja jete një shtetase e Malit të Zi në Banjë të Istogut

    Gjendet pa shenja jete një shtetase e Malit të Zi në Banjë të Istogut

    Një femër shtetase e Malit të Zi është gjetur pa shenja jete të enjten rreth orës 17:00, në fshatin Banjë të komunës së Istogut.

    Sipas policisë, ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të vdekjes.

    Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet lidhur me rastin.

  • “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!” – Policia me fushatë për bashkatdhetarët

    “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!” – Policia me fushatë për bashkatdhetarët

    Policia e Kosovës sot nis fushatën vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, e cila i kushtohet bashkatdhetarëve që hyjnë në vend.

    Hapja e fushatës do të bëhet në orën 11:00 në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdar, ku do të prezantohen masat parandaluese dhe angazhimet policore për rritjen e sigurisë në trafik.

    Gjatë aktivitetit do të shpërndahen edhe broshura informuese me këshilla për pjesëmarrësit në komunikacion dhe udhëzime praktike që duhet t’i kenë parasysh gjatë udhëtimit në Kosovë.

    “Broshura (fletë-palosja) përmban disa këshilla njoftuese rreth pjesëmarrjes në trafik si dhe udhëzimet praktike që çdo pjesëmarrës duhet t’i ketë parasysh me të hyrë në Republikën e Kosovës”, thuhet në një postim të Policisë në Facebook.

  • ​ASK: Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 6 për qind, transporti dhe energjia me rritjen më të madhe

    ​ASK: Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 6 për qind, transporti dhe energjia me rritjen më të madhe

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin qershor 2026, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 6.0 për qind, ndërsa në baza mujore është regjistruar një rënie prej 0.1 për qind.

    Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 13.7 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 11.1 për qind, pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.1 për qind, restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit me 4.5 për qind, si dhe shëndetësisë me 4.1 për qind.

    Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3.9 për qind, kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3.2 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3.0 për qind, veshjet dhe këpucët me 2.3 për qind, rekreacioni, sporti dhe kultura me 2.0 për qind, si dhe informacioni dhe komunikimi me 0.2 për qind.

    Në anën tjetër, ulje vjetore e çmimeve është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.6 për qind.

    Krahasuar me muajin maj, indeksi i çmimeve të konsumit ka shënuar rënie mesatare prej 0.1 për qind. Kjo është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 0.6 për qind, si dhe e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse me 0.3 për qind.

    Ndërkohë, në baza mujore janë shënuar rritje të çmimeve në rekreacion, sport dhe kulturë (0.8 për qind), shërbimet arsimore (0.5 për qind), kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme (0.4 për qind), transporti (0.3 për qind), pije alkoolike, duhani dhe narkotikët (0.2 për qind), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake (0.2 për qind), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0.2 për qind), veshjet dhe këpucët (0.1 për qind), si dhe shëndetësia (0.1 për qind).

    ASK njofton se publikimi është realizuar duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.

  • MINT me çmime të reja për derivatet, rritet nafta – ja sa kushton një litër sot

    MINT me çmime të reja për derivatet, rritet nafta – ja sa kushton një litër sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 10 korrik 2026, nga ora 10:00.

    Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është 1.47 euro – litri, duke shënuar një rritje prej 3 centësh krahasuar me ditën e djeshme, kur ishte 1.44 euro – litri.

    Ndërkohë, çmimi maksimal i benzinës është 1.37 euro – litri, ndërsa i gazit 0.61 euro – litri.

    Vendimi është publikuar nga MINT-i dhe vlen për datën 10 korrik 2026.

  • Hamza para takimit me Kurtin: Do të flasim për parime, nuk kemi vija të kuqe

    Hamza para takimit me Kurtin: Do të flasim për parime, nuk kemi vija të kuqe

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka arritur në Kuvend për takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Para takimit, Hamza tha se diskutimi do të përqendrohet në parime dhe se, sipas tij, nuk ka vija të kuqe.

    Ai u shpreh optimist se mund të gjendet një zgjidhje që do të çojë drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.

    “Qëndrimi im është i qartë. Te unë është gjithmonë konsistenca prezent. Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike, gjithmonë jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit dhe normalisht që deklarata ime ka qenë publike, ka qenë e qartë. Fillimisht për prioritetet, se unë kam garuar me një program, kam garuar me disa prioritete, nuk kam garuar për me i pasë 4-5 vetë ministra, 5-6 vetë, për me pasë këtë pozicion a atë pozicion, po kam garuar me pasë ambient më të mirë për biznesin, me pasë partneritet me aleatët tonë edhe me miqtë tanë, po edhe si partner me i trajtu. Me i rrit pagat, me i rrit pensionet e shumë prioritete të tjera”, tha Hamza.

    Takimi po zhvillohet pas ftesës së Kurtit për një takim veçmas me liderët e tri partive politike, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

  • Kurti shkon me Muratin në Kuvend për takimin me Hamzën: Pres që takimi të jetë konstruktiv

    Kurti shkon me Muratin në Kuvend për takimin me Hamzën: Pres që takimi të jetë konstruktiv

    Kreu i LVV’së, Albin Kurti, ka arritur para pak minutash në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për takimin me kreun e PDK-së, Bedri Hamza.

    Kurti ka qenë i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

    “Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet”, ka thënë Kurti.

  • Pritjet në kufi, gjendja sot nëpër pikat kufitare të Kosovës

    Pritjet në kufi, gjendja sot nëpër pikat kufitare të Kosovës

    Pikat kufitare të Kosovës paraqiten pa fluks mëngjesin e sotëm, pa kolona të automjeteve dhe me pritje të shkurtra.

    Po ashtu, Qendra për Menaxhimin Kufitar bën të ditur se në asnjërën prej pikave kufitare nuk janë regjistruar kolona të automjeteve.

    Tabela e pikave kufitare:

  • Formimi i institucioneve: Kurti pret në takim sot Hamzën e Abdixhikun

    Formimi i institucioneve: Kurti pret në takim sot Hamzën e Abdixhikun

    Këtë të premte, kryetari i LVV-së Albin Kurti, do të zhvillojë takim me liderin e PDK-së Bedri Hamzën, si dhe udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

    LDK e ka konfirmuar se takimi do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit me fillim nga ora 18:00, raporton Klankosova.tv.

    Po ashtu, kreu i LDK-së tha se në takim do të shkojë vetë i dyti.

    Edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka konfirmuar se të premten do të zhvillojë takim me Kurtin në orën 09:00.

    Ky takim vjen pasi Kurti u dërgoi ftesa partive politike për takime pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të 7 qershorit.

  • Sot pritet shpallja e aktgjykimit për një prej ngjarjeve më të rënda, vrasjes së trefishtë në Gllogjan

    Sot pritet shpallja e aktgjykimit për një prej ngjarjeve më të rënda, vrasjes së trefishtë në Gllogjan

    Gjykata Themelore në Pejë pritet të shpallë sot aktgjykimin në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në Kosovë.

    Në bankën e të akuzuarve janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për sulmin e armatosur ndaj një autobusi më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Deçanit.

    Si pasojë e sulmit humbën jetën shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, si dhe dy nxënës 17-vjeçarë, Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, ndërsa një pasagjer tjetër mbeti i plagosur.

    Në seancën e fundit, Prokuroria kërkoi që tre të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se provat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor dëshmojnë përfshirjen e tyre në kryerjen e veprës penale.

    Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe pala e dëmtuar, e cila kërkoi që Gjykata të shqiptojë dënimin maksimal ndaj të akuzuarve.

    Shpallja e aktgjykimit është caktuar të mbahet sot, duke filluar nga ora 14:30.

  • Parashikimi i motit për të premten

    Parashikimi i motit për të premten

    Të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme. Mëngjesi do të jetë i freskët.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi prej 10-31 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 9 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 25 deri në 28°C. /MeteoKosova