ATV

Author: K.B.

  • ‘‘E di çfarë duhet të bësh’’, piloti e lë studenten vetëm në fluturim, vetëvritet duke u hedhur nga avioni

    ‘‘E di çfarë duhet të bësh’’, piloti e lë studenten vetëm në fluturim, vetëvritet duke u hedhur nga avioni

    Një instruktor fluturimi nga Argjentina u hodh nga avioni drejt vdekjes në mes të një ore mësimi fluturimi, duke i thënë studentes së tronditur: “E di çfarë duhet të bësh”, dhe duke e lënë atë të ulte vetë mjetin ajror.

    Leandro Andrés Bertazzo u identifikua si instruktori që u hodh nga avioni Cessna 150G mbi qytetin Toledo, në Argjentinën qendrore, më 4 korrik, duke e braktisur studenten e tij gjatë fluturimit, njoftoi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Carlos Gonella.

    “E di çfarë duhet të bësh, vazhdo”, i tha Bertazzo 22-vjeçares Rosario, raportoi media argjentinase Todos Noticias (TN).

    Më pas, Bertazzo hoqi rripin e sigurimit nga ulësja e tij, largoi kufjet, hapi derën e avionit dhe u hodh jashtë, raporton NewYorkPost.

    Rosario, e cila posedon licencë private piloti, njoftoi zyrtarët e shkollës së fluturimit Flying Parrot në Kordobë për tragjedinë në ajër dhe mori udhëzime për procedurat emergjente, duke arritur ta ulte në mënyrë të sigurt avionin stërvitor.

    Álvarez, i cili kishte punuar ngushtë me Bertazzon, tha se nuk e kuptonte arsyen pse instruktori i tij u hodh nga avioni.

    “Ai mori këtë vendim tragjik në bordin e një avioni, me një person tjetër pranë tij. Nuk ka asnjë mënyrë për ta menduar apo kuptuar atë, por mendja njerëzore është shumë komplekse dhe e paparashikueshme. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi”, tha Álvarez, sipas medias.

    Prokurorët kanë nisur një hetim për vdekjen e Bertazzos, pasi kanë sekuestruar avionin për të përcaktuar rrethanat që çuan në rënien fatale, njoftoi të martën prokurori i përgjithshëm.

    Sipas medias, Bertazzo dyshohet se kishte pasur probleme të shëndetit mendor dhe ishte regjistruar në një klinikë psikiatrike pa dijeninë e askujt, përveç familjarëve të tij të afërt.

    “Ai kishte qenë në një institut neuropsikiatrik, por askush nuk e dinte. Vetëm familja e tij”, zbuloi Álvarez.

    Bertazzo i kishte mbajtur të fshehura vështirësitë e tij, pasi askush në shkollën e fluturimit nuk kishte vërejtur diçka të pazakontë tek ai.

    “Ekziston një marrëdhënie shumë e afërt mes studentit dhe instruktorit në aspektin profesional, por asnjë nga ata që fluturuan me të, apo ata që e panë, nuk mund ta kuptonin se ai do të merrte vendimin për t’u hedhur nga avioni. Natyrisht, diçka nuk ishte në rregull”, tha Álvarez për TN.

    Avioni stërvitor nuk pësoi dëmtime, përfshirë edhe derën.

    Zyrtarët u shprehën të habitur nga veprimi i Bertazzos, duke thënë se hapja e dyerve të avionit gjatë fluturimit është shumë e vështirë. Ata e krahasuan këtë me përpjekjen për të hapur derën e një makine gjatë vozitjes me rreth 200 kilometra në orë.

    Bertazzo ishte pilot me përvojë shumëvjeçare dhe kishte disa licenca, përfshirë atë të pilotit të transportit ajror (ATP), pilotit komercial të klasit të parë dhe instruktorit të fluturimit.

    Sipas medias, gjatë karrierës së tij ai kishte punuar për një periudhë të shkurtër edhe në shtetin fqinj, Kili.

  • Sot seancë në GJKKO, të pranishëm në sallë Meta dhe Kryemadhi

    Sot seancë në GJKKO, të pranishëm në sallë Meta dhe Kryemadhi

    Mbahet sot në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës e gjyqit të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi.

    Seanca i përket dosjes ku ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

    Gazetarja Klodiana Lala raporton se Meta dhe Kryemadhi janë të dy të pranishëm në sallë, ndërkohë Ilir Meta ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati Bujar Musta, pas revokimit të avokatit Kujtim Cakrani.

    “Nuk më janë vënë në dispozicion të gjithë aktet me qëllim që procesi të zhvillohet në një kohë sa më te shpejtë”, ka deklaruar Meta në seancë.

    Ndërkohë gjykata është shprehur se aktet janë gati prej kohësh, por avpokati mbrojtës i Metës ka refuzuar t’i marrë

  • Haradinaj: Kosova të veprojë menjëherë që në samitin e NATO’s në Shqipëri të diskutohet kandidatura për anëtarësim

    Haradinaj: Kosova të veprojë menjëherë që në samitin e NATO’s në Shqipëri të diskutohet kandidatura për anëtarësim

    Ish-kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova duhet të marrë veprime menjëherë që në samitin e ardhshëm të NATO’s, që do të mbahet në Shqipëri, të diskutohet kandidatura e saj për anëtarësim.

    “Aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake në botë, NATO, e cila e shpëtoi popullin tonë nga gjenocidi, mbajti samitin e radhës në Turqi. Kosova duhet të veprojë menjëherë që në samitin e ardhshëm të NATO-s në Shqipëri të diskutohet kandidatura e saj për anëtarësim. Edhe pse koha është e shkurtër, me punë serioze ky synim është i arritshëm”.

    Haradinaj tha se kush nuk e mbështet këtë objektiv strategjik të Kosovës është ose shkurtpamës, ose nuk e kupton përgjegjësinë e postit që mban.

  • ATK publikon versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI

    ATK publikon versionin e ri të Sistemit Elektronik EDI

    Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se është publikuar versioni i ri i Sistemit Elektronik EDI, i cili përmban shërbimin e ri elektronik “Kërkesë për Fiskalizim”.

    Ky shërbim është funksionalizuar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronik Fiskalë, me qëllim të pajisjes së tatimpaguesve me Kodin Unik për Fiskalizim, i cili është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).

    Përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim” mund të aplikojnë:

    * tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF);

    * tatimpaguesit që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal (SEF).

    Shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë “Fiskalizimi”, përmes opsionit “Kërkesë për Fiskalizim”.

    Përmes këtij shërbimi, tatimpaguesit të cilët tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë të shfaqur Kodin Unik për Fiskalizim në sistem.

    Ndërsa, tatimpaguesit të cilët nuk janë pajisur ende me Kodin Unik për Fiskalizim do të kenë mundësinë të aplikojnë për pajisje me Kodin Unik për Fiskalizim përmes këtij shërbimi.

    Kujtojmë se pajisja me Kodin Unik për Fiskalizim është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF). Për këtë arsye, ATK i fton të gjithë tatimpaguesit që planifikojnë të përdorin SEF, si dhe ata që janë në proces të kalimit nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse nuk janë pajisur ende me Kodin Unik për Fiskalizim, të parashtrojnë kërkesën përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim”.

    ATK mbetet e përkushtuar në avancimin e shërbimeve elektronike dhe lehtësimin e përmbushjes së obligimeve tatimore përmes digjitalizimit të proceseve, duke ofruar shërbime moderne, efikase dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit.

  • Punëtorët e RTK’së pa paga, Sindikata letër Kurtit e Haxhiut: Institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, situatë e papranueshme

    Punëtorët e RTK’së pa paga, Sindikata letër Kurtit e Haxhiut: Institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, situatë e papranueshme

    Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës, i është drejtuar me një letër, u.d presidentes, Albulena Haxhiut, dhe, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar që urgjentisht të bëhet ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës.

    FSRTK kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar me pagat, duke thënë se, mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori.

    ‘’ Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve’’, thuhet mes tjerash në letër.

    Letra e plotë:

    Drejtuar

    Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës / Kryetare në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Znj. Albulena Haxhiu

    Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti

    Lënda: Kërkesë urgjente për ndërhyrje institucionale lidhur me mosrealizimin e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës

    E nderuara Presidente në detyrë e Republikës së Kosovës / Kryetare në detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës Znj. Albulena Haxhiu

    I nderuari Kryeministër në detyrë, Z. Albin Kurti

    Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si përfaqësuese legjitime e punëtorëve të transmetuesit publik, ju drejtohet me shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar nga mosrealizimi i pagave të punëtorëve të RTK-së, të cilat, edhe më 9 korrik 2026, ende nuk janë ekzekutuar.

    Mosdhënia e pagës në afatin e paraparë ligjor nuk përbën vetëm një problem administrativ apo financiar, por është cenim i drejtpërdrejtë i një të drejte themelore të punës dhe i dinjitetit të çdo punëtori. Paga është kompensim i fituar me punë, e garantuar me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

    Kjo situatë është bërë edhe më shqetësuese për faktin se nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Vetëm një muaj më parë, më 7 qershor, Federata Sindikale ishte e detyruar të organizonte protesta për të njëjtën arsye. Në atë kohë besuam se reagimi ynë do të shërbente si alarm serioz për institucionet përgjegjëse dhe se do të ndërmerreshin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate. Fatkeqësisht, sot po përballemi me të njëjtën shkelje, gjë që dëshmon mungesë përgjegjësie institucionale dhe dështim në menaxhimin e një prej obligimeve më elementare ndaj punëtorëve.

    Federata Sindikale konsideron se është e papranueshme që transmetuesi publik i Republikës së Kosovës të funksionojë në kushte ku punëtorët detyrohen të presin pagat e tyre pa asnjë afat të qartë, pa transparencë dhe pa asnjë komunikim zyrtar nga organet drejtuese. Kjo gjendje cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre, por dëmton edhe besimin në institucionet publike dhe rrezikon funksionimin normal të RTK-së.

    Për më tepër, Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së kanë dështuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Mungesa e informimit publik, heshtja përballë kësaj situate dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete janë të papranueshme dhe bien ndesh me standardet e qeverisjes së mirë që duhet të karakterizojnë një institucion publik.

    Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje që, brenda kompetencave tuaja kushtetuese dhe institucionale, të ndërmerrni veprimet e nevojshme për të siguruar zgjidhjen urgjente të kësaj situate dhe për të garantuar që punëtorët e RTK-së të marrin menjëherë pagat e tyre.

    Njëkohësisht, kërkojmë që të sigurohet llogaridhënie institucionale për shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje, si dhe të ndërmerren masa që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Askush nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi kur cenohen të drejtat themelore të punëtorëve dhe vihet në rrezik funksionimi i transmetuesit publik.

    Ju njoftojmë se, në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, Federata Sindikale e RTK-së do të vazhdojë pa asnjë hezitim me përshkallëzimin e veprimeve sindikale dhe ndërmarrjen e procedurave ligjore pranë institucioneve kompetente. Do të përdoren të gjitha mjetet juridike dhe sindikale të garantuara me ligj për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Çdo pasojë që mund të reflektohet në funksionimin e RTK-së do të jetë përgjegjësi e plotë e Bordit dhe Menaxhmentit.

    Punëtorët e RTK-së nuk do të pranojnë që vonesa e pagave të shndërrohet në praktikë të zakonshme. Ata nuk do të paguajnë çmimin e paaftësisë, neglizhencës apo keqmenaxhimit institucional. Dinjiteti i tyre nuk është i negociueshëm dhe respektimi i të drejtave të tyre nuk mund të varet nga rrethanat financiare apo administrative.

    Federata Sindikale mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim institucional, por njëkohësisht është e vendosur të mbrojë me çdo mjet ligjor interesat e punëtorëve që përfaqëson. Presim reagim dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, në përputhje me përgjegjësinë tuaj për mbrojtjen e rendit kushtetues, të ligjshmërisë dhe të drejtave të qytetarëve.

    Me respekt,

    Kryesia e Federatës Sindikale të Radio Televizionit të Kosovës (RTK)

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në tri fshatra të Kamenicës, shkak ndërprerja e energjisë elektrike

    Ndërpritet furnizimi me ujë në tri fshatra të Kamenicës, shkak ndërprerja e energjisë elektrike

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar se është ndërprerë përkohësisht furnizimi me ujë për konsumatorët në fshatrat Shipashnicë e Epërme, Kopernicë dhe Kolloleq të Komunës së Kamenicës.

    Sipas njoftimit të KRU “Hidromorava”, ndërprerja ka ardhur si pasojë e mungesës së energjisë elektrike në stacionin e pompimit në Kopernicë.

    “Ju njoftojmë se, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në SP Kopernicë, është ndërprerë furnizimi me ujë në fshatin Shipashnicë e Epërme, Kopernicë dhe Kolloleq, Komuna e Kamenicës”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

    KRU “Hidromorava” ka bërë të ditur se furnizimi me ujë pritet të rikthehet deri në orën 15:00, ndërsa për çdo ndryshim apo informacion shtesë konsumatorët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

  • Një “Super El Nino” mund të godasë botën, studiuesit po testojnë në teori një mënyrë për të ftohur Tokën

    Një “Super El Nino” mund të godasë botën, studiuesit po testojnë në teori një mënyrë për të ftohur Tokën

    Shkencëtarët paralajmërojnë se një “Super El Niño” mund të zhvillohet në vitet e ardhshme dhe të jetë ndër më të fuqishmit të dekadave të fundit, duke rritur rrezikun për valë ekstreme të të nxehtit, zjarre masive, thatësira dhe përmbytje në shumë pjesë të botës.

    Përballë këtij skenari, një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Science Advances ka shqyrtuar një ide shumë të debatueshme: përdorimin e gjeoinxhinierisë diellore për të zbutur ndikimin e fenomenit.

    Studiuesit nga Scripps Institution of Oceanography analizuan një teknikë të njohur si “ndriçimi i reve detare”. Metoda konsiston në spërkatjen e grimcave në retë mbi oqean, në mënyrë që ato të reflektojnë më shumë rrezet e diellit drejt hapësirës dhe të ulin përkohësisht temperaturën e sipërfaqes së Tokës.

    Për shkak të rreziqeve të mundshme, studiuesit nuk kryen eksperimente në botën reale. Në vend të kësaj, ata përdorën modele klimatike të bazuara në zjarret masive që përfshinë Australinë gjatë viteve 2019-2020. Tymrat nga ato zjarre krijuan re më reflektuese, të cilat ndihmuan në ftohjen e Paqësorit dhe kontribuuan në krijimin e kushteve të ngjashme me fenomenin La Niña.

    Sipas simulimeve, nëse kjo teknikë do të përdorej në fazat e hershme të një Super El Niño, ajo mund të reduktonte deri në 40 për qind ndikimet më të rënda të këtij fenomeni dhe të forconte efektet ftohëse të La Niñës.

    Megjithatë, vetë autorët e studimit theksojnë se nuk po rekomandojnë zbatimin e kësaj teknologjie, por vetëm hapjen e rrugës për kërkime të mëtejshme.

    “Ky është vetëm një provim koncepti. E vetmja gjë që kemi treguar është se ia vlen të studiohet më tej,” tha klimatologia Kate Ricke, një nga autoret e studimit.

    Ekspertë të tjerë paralajmërojnë se teknologjia për ta zbatuar këtë metodë ende nuk ekziston në shkallën e nevojshme dhe se pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Disa druhen se ndërhyrja në klimë mund të shkaktojë një La Niña shumë më të fortë se çdo rast i regjistruar më parë, me pasoja të rënda si reshje ekstreme, përmbytje dhe thatësira në rajone të ndryshme.

    Përveç sfidave teknike, mbeten edhe dilema etike: kush do të vendoste nëse një teknologji e tillë duhet të përdoret dhe nëse ajo do të largonte vëmendjen nga objektivi kryesor – ulja e emetimeve të gazeve serrë që po nxisin ngrohjen globale.

    Shkencëtarët bien dakord se, për momentin, zgjidhja më e sigurt për frenimin e ndryshimeve klimatike mbetet reduktimi i ndotjes dhe emetimeve, ndërsa gjeoinxhinieria konsiderohet ende një fushë eksperimentale që kërkon shumë më tepër studime përpara se të merret në konsideratë për përdorim praktik.

  • Çfarë po ndodh? Noizy del me një paralajmërim urgjent për fansat

    Çfarë po ndodh? Noizy del me një paralajmërim urgjent për fansat

    Reperi shqiptar, Noizy ka reaguar përmes një postimi në InstaStory, duke paralajmëruar ndjekësit e tij për profile të rreme që përdorin emrin e tij për të promovuar kazino online.

    “Të gjitha faqet që po shfaqen në emrin tim lidhur me casino online janë fallco. Të pavërteta. Mos i besoni, mos klikoni, sepse janë mashtrime të gjitha.”

    Me këtë reagim, Noizy u ka bërë thirrje fansave të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e skemave mashtruese që përdorin identitetin e tij pa autorizim për të tërhequr përdorues në platforma të dyshimta.

  • Bertan Asllani rikthehet në skenën shqiptare, do të performojë krah Yll Limanit në Shkup

    Bertan Asllani rikthehet në skenën shqiptare, do të performojë krah Yll Limanit në Shkup

    Një surprizë e veçantë po përgatitet për adhuruesit e muzikës shqiptare në Shkup.

    Këngëtari dhe aktori i njohur Bertan Asllani pritet t’i bashkohet Yll Limanit në koncertin e madh që do të mbahet më 17 korrik në Shkup, duke shënuar kështu një rikthim të shumëpritur të tij në një skenë shqiptare.

    Lajmi fillimisht nisi të qarkullonte në rrjete sociale, ndërsa më pas është konfirmuar edhe nga burime të Prive By Liberta Spahiu.

    Bertan Asllani, i lindur në Shkup, ishte një nga emrat më të dashur të skenës shqiptare në zhanrin RnB dhe pop. Ai u bë i njohur me këngë të suksesshme si “Akoma të dua”, ndërsa prej vitesh karrierën e tij e ka zhvendosur në Turqi, shkruan Prive By Liberta Spahiu.

    Në tregun turk, Bertani ka ndërtuar një karrierë të suksesshme si aktor dhe kompozitor. Ai është bërë pjesë e disa serialeve të ndjekura, përfshirë “Gecenin Ucunda” dhe “Yabani”, ndërsa ka punuar edhe në kolonat zanore të produksioneve të mëdha televizive.

    Rikthimi i tij në skenë përkrah Yll Limanit ka ngjallur menjëherë interesim te fansat, të cilët prej kohësh kanë pritur ta shohin sërish në një koncert shqiptar.

    Koncerti në Shkup vjen në kuadër të turit të Yll Limanit, i cili po vazhdon të mbledhë numër të madh publiku në çdo qytet ku po performon.

    Pas Shkupit, Ylli do ta vazhdojë atmosferën në Kosovë, ku ka konfirmuar dy net të mëdha koncertesh në Prishtinë, më 24 dhe 25 korrik.

    Bashkimi i Bertan Asllanit dhe Yll Limanit në Shkup pritet të jetë një nga momentet më të veçanta të këtij turi, duke sjellë në një skenë dy artistë shumë të dashur për publikun shqiptar.

  • Mijëra njerëz në rrugë para varrimit të Khamenei, kërkojnë hakmarrje ndaj Trumpit

    Mijëra njerëz në rrugë para varrimit të Khamenei, kërkojnë hakmarrje ndaj Trumpit

    Mijëra njerëz janë në rrugët e Mashhadit në verilindje të Iranit përpara varrimit të ish-udhëheqësit suprem, Ali Khamenei, raporton Reuters.

    Shumë prej tyre po valëvisin flamuj iranianë, ndërsa disa janë fotografuar duke mbajtur pankarta që kërkojnë hakmarrje ndaj Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

    Khamenei u vra në shkurt gjatë orëve të para të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, dhe funerali i sotëm është kulmi i një organizimi 6-ditor.