ATV

Author: K.B.

  • Përfundon gjendja emergjente në Malishevë, qytetarët ftohen të raportojnë dëmet

    Përfundon gjendja emergjente në Malishevë, qytetarët ftohen të raportojnë dëmet

    Komuna e Malishevës ka njoftuar se është hequr gjendja e situatës emergjente e shpallur pas reshjeve të fundit, të cilat kishin shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme në disa zona të komunës.

    Vendimi është marrë pas mbledhjes së Shtabit Emergjent Komunal, ku u vlerësua gjendja aktuale në terren. Sipas komunës, niveli i ujërave ka shënuar rënie dhe situata tani paraqitet stabile, ndonëse shërbimet emergjente do të vazhdojnë të mbesin në gatishmëri të shtuar.

    Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka theksuar se situata e krijuar ditëve të fundit ka qenë e rëndë dhe ka lënë pasoja të mëdha.

    “Situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të konsiderueshme, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private”, ka deklaruar Kastrati gjatë mbledhjes së Shtabit Emergjent.

    Ai ka bërë të ditur se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve dhe ka ftuar qytetarët e prekur nga vërshimet që të paraqesin kërkesat e tyre për vlerësim.

    “Ftojmë të gjithë qytetarët e dëmtuar që t’i parashtrojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës”, ka shtuar ai.

    Në përmbyllje, kryetari Kastrati, në emër të Shtabit Emergjent dhe në emrin e tij personal, ka falënderuar të gjitha ekipet emergjente dhe institucionet e përfshira për angazhimin gjatë menaxhimit të situatës.

  • Pse duhet ta shmangni konsumin e ujit të gazuar

    Pse duhet ta shmangni konsumin e ujit të gazuar

    Uji i gazuar nuk përmban sheqer ose kalori, kështu që konsiderohet një zgjedhje ideale për ata që janë në dietë ose për ata që nuk duan të pinë alkool gjatë daljeve të tyre në mbrëmje.

    Megjithatë, ai përmban acid karbonik, i cili krijohet nga dioksidi i karbonit i tretur në ujë.

    Ky acid, si të gjitha acidet që gjenden në pijet e gazuara, gërryen smaltin e dhëmbëve. Edhe një gotë e vetme me ujë të gazuar mund të shkaktojë dëme, pasi duhen rreth 45 minuta që pH i zgavrës orale të kthehet në normalitet pas konsumimit të diçkaje acidike.

    Sigurisht, nëse pijet e gazuara, madje edhe uji i gazuar, konsumohen çdo ditë, në planin afatgjatë ka shumë të ngjarë që të ndodhin dëmtime të mëdha në dhëmbë.

    Edhe më i madh është, sigurisht, dëmi i shkaktuar nga pijet e gazuara me sheqer.

    Mund ta kufizoni dëmtimin e dhëmbëve deri diku duke pirë pije të gazuara me anë të një pipe. Gjithashtu, nëse pijet e gazuara kombinohen me ushqim, pH i zgavrës orale është më pak acid.

  • Kolona të gjata në kufi për të dalë nga Kosova, pritje deri në 90 minuta

    Kolona të gjata në kufi për të dalë nga Kosova, pritje deri në 90 minuta

    Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit ka përditësuar informacionet mbi situatën e pritjeve në pikat kufitare të Kosovës.

    Sipas të dhënave të fundit, mërgimtarët që po kthehen në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.

    Aktualisht qytetarët po presin deri në 90 minuta në pikën e kalimit të Jarinjes, në Merdarë deri në 1 orë si dhe te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 40 minuta.

    Ndërkohë, pritjet te pikat tjera kufitare vazhdojnë të jenë më të shkurtra, deri në 5 minuta.

    Gjersa sa i përket pritjeve për hyrje në Kosovë, pritjet janë nga 1 deri në 10 minuta.

  • NLB MUZA hap thirrje ndërkombëtare për anëtarësim në Këshillin Artistik!

    NLB MUZA hap thirrje ndërkombëtare për anëtarësim në Këshillin Artistik!

    NLB MUZA, Instituti për Menaxhimin e Trashëgimisë Kulturore i themeluar nga NLB në prill 2020, po hap thirrje ndërkombëtare për aplikime për anëtarësim në Këshillin Artistik.

    Ky Këshill do të luajë një rol kyç në:
    Përcaktimin e drejtimeve strategjike
    Konceptet kuratoriale
    Përmbajtjen e programit në fushën e artit bashkëkohor

    Kush mund të aplikojë?

    Kuratorë me përvojë të gjerë ndërkombëtare dhe drejtorë të galerive/muzeve të artit bashkëkohor me ekselencë profesionale dhe aftësi udhëheqëse.
    Aplikimi duhet të përfshijë:

    CV + lista e ekspozitave, botimeve dhe projekteve
    Letër motivimi me vizionin për zhvillimin e artit bashkëkohor
    Të paktën dy referenca

    Afati i fundit: 25 janar 2026

    Dërgoni aplikimin në: [email protected]
    Subjekti: Application – Artistic Council

    Më shumë detaje: https://www.nlbgroup.com/int-en/media-center/press-releases/2026/press-release-06-01-2026

  • Kryeprokurori i Prizrenit: Dy ish-zyrtarët e lartë të BKS-së shkaktuan dëm 1 milion e 43 mijë euro

    Kryeprokurori i Prizrenit: Dy ish-zyrtarët e lartë të BKS-së shkaktuan dëm 1 milion e 43 mijë euro

    Kryeprokurori i Prizrenit Petrit Kryeziu, në konferencën e mbajtur për media ka deklaruar se cak i hetimeve të aksionit të sotëm ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ai i Financave.

    Kryeziu deklaroi se dy ish-zyrtarët e lartë të BKS-së kanë shkaktuar dëm 1 milion e 43 mijë euro.

    “Ish drejtori i BKS-së dhe drejtori i Financave, kanë bartur transaksione të ndryshme dhe i kanë sjellur vetës përfitime e i kanë shkatuar dëm 1 milion 43 mijë euro. 166 transaksione të dyshimta kanë realizuar ujdi fiktive kanë aplikuar 141 transaksione pa asnjë dokument të vetëm 1600 euro shuma më e vogël 68 mijë euro shuma më e madhe”, deklaroi Kryeziu.

    Ai theksoi se në aksion morën pjesë 400 zyrtarë policorë.

    “Nuk ka pasur regjion që nuk ka pasur bastisje. Kemi sekuestruar ari, orë, armë. Në aksion kanë qenë të angazhuar 400 zyrtarë policorë”, theksoi ai.

  • Komuna e Prishtinës njofton se rrugët janë kryesisht nën kontroll

    Komuna e Prishtinës njofton se rrugët janë kryesisht nën kontroll

    Drejtoria e Shërbimeve Publike të Kryeqytetit ka bërë të ditur se ekipet e saj po vazhdojnë punën për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë territorin e kryeqytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjendja aktuale konsiderohet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll.

    Megjithatë, për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike, nuk përjashtohet mundësia e shfaqjes së vështirësive të përkohshme në segmente të caktuara rrugore.

    Drejtoria thekson se çdo rast po trajtohet në kohë reale nga ekipet në terren.

    Po ashtu, është paralajmëruar se në ditët në vijim pritet përkeqësim i kushteve, ndaj institucionet përkatëse janë në gatishmëri të plotë për të ndërmarrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës.

  • Sot pritet të arrijnë edhe 3,185 pakot me fletëvotime, numërimi i tyre planifikohet të fillojë rreth orës 19:00

    Sot pritet të arrijnë edhe 3,185 pakot me fletëvotime, numërimi i tyre planifikohet të fillojë rreth orës 19:00

    Sot, pritet që në Kosovë të arrijnë edhe 3,185 pakot e fundit me fletëvotime, të cilat janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404).

    Ky lajm është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se numërimi i këtyre fletëvotimeve planifikohet që të fillojë të enjtën në mbrëmje, rreth orës 19:00.

    “Fillimisht, këto pako do të përfshihen në procesin e vlerësimit dhe verifikimit, me qëllim të vërtetimit nëse të njëjtat janë dërguar nga votuesit e regjistruar jashtë Kosovës dhe pastaj, fletëvotimet e aprovuara do të numërohen. Planifikojmë që numërimi të fillojë sonte rreth orës 19:00”, tha Elezi.

    Sipas tij, “numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”.

    Elezi ka treguar se me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme të shpall rezultatin përfundimtar, por ky institucion duhet të presë të kalojë afati për ankesa të mundshme në administrimit e numërimit.

    “Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tregoi Elezi.

  • Gjendet Riza Thaqi, u raportua i zhdukur që nga 23 dhjetori

    Gjendet Riza Thaqi, u raportua i zhdukur që nga 23 dhjetori

    Policia e Kosovës njofton se është gjetur personi që u raportua i zhdukur, Riza (Rrustem) Thaqi nga Prizreni.

    Me datë 25.12.2025, familjarët e tij e raportuan si të zhdukur që nga 23.12.2025.

    Hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren, pas pranimit të informatës, ndërmorën menjëherë veprime të vazhdueshme në terren për ditë të tëra, por pa rezultat.

    Pas publikimit të fotografive të tij, me autorizim të Prokurorisë, në faqen zyrtare si “Person i Zhdukur”, falë informacioneve të ofruara nga qytetarët u arrit të lokalizohej vendndodhja e tij.

    Personi është marrë nga ana e Policisë dhe i është dorëzuar familjarëve.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren falënderon të gjithë qytetarët për ndihmën dhe informatat e ofruara lidhur me rastin.

    U raportua i zhdukur që nga 23 dhjetori, familja në kërkim të Riza Thaqit

     

  • Rasti i Behar Mjekiqit nuk ka përfunduar, reagon avokatja e palës së dëmtuar

    Rasti i Behar Mjekiqit nuk ka përfunduar, reagon avokatja e palës së dëmtuar

    Pas deklarimeve të bëra nga hoxha Behar Mjekiqi në emisionin “Libero” në ATV, se është liruar nga akuza për dhunë në familje dhe se procedura penale ndaj tij ka përfunduar, për portalin Atvlive ka reaguar avokatja e palës së dëmtuar, Dr. Albulena Ukimeri.

    Reagimi i plotë:

    Në cilësinë e përfaqësueses ligjore të palës së dëmtuar, lidhur me paraqitjen televizive të z. Behar Mjekiqi në emisionin tuaj: “LIBERO”, ndjejmë obligim profesional dhe ligjor të ju drejtohemi që të sqaroni opinionin publik për disa deklarime faktikisht të pasakta.

    Gjatë paraqitjes në emisionin LIBERO, më datë 07.01.2026, z. Mjekiqi ka deklaruar se është “liruar” dhe se “procedura ndaj tij ka përfunduar”, duke u thirrur në një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 06.01.2025, aktgjykim i shkallës së parë.

    Më lejoni të ju informoj se ky aktgjykim nuk është i formës së prerë (përfundimtar), pasi ndaj tij është ushtruar Ankesë brenda afatit ligjor dhe çështja aktualisht ndodhet në shqyrtim e sipër në Gjykatën e Apelit.

    Për rrjedhojë, paraqitja e këtij rasti si i përfunduar është juridikisht e pasaktë dhe krijon informim të gabuar për publikun.

    Po ashtu, deklarimet publike të të akuzuarit Mjekiqi, të bëra në një fazë kur procedura është ende në zhvillim, mund të perceptohen si përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe rrjedhimisht, si presion i papërshtatshëm ndaj Gjykatës së Apelit, e cila është autoriteti i vetëm kompetent për të vendosur përfundimisht mbi këtë çështje.

    Rikujtojmë se rasti ka të bëjë me pretendime serioze për dhunë fizike, të dokumentuara përmes raportit policor dhe ekzaminimit mjekësor dhe se deklarimet e tilla publike rrezikojnë të shkaktojnë viktimizim sekondar të palës së dëmtuar.

    Në këtë kontekst, vlerësojmë se transmetimi i deklarimeve që paraqesin një procedurë penale ende të hapur si të përfunduar, pa verifikim të statusit procedural dhe pa balancim me qëndrimin e palës tjetër, nuk i shërben standardeve të gazetarisë së mirëfilltë dhe informimit të saktë të publikut.

    Mediat, veçanërisht në raste të ndjeshme që kanë të bëjnë me dhunën në familje, kanë rol thelbësor në ruajtjen e paanshmërisë, saktësisë dhe përgjegjësisë profesionale, duke shmangur krijimin e narrativave të njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e drejtësisë dhe dinjitetin e viktimave.

    Në përputhje me standardet profesionale të informimit dhe të drejtën për reagim, kërkojmë publikimin e këtij demantimi në të njëjtën platformë ku janë transmetuar deklarimet e sipërpërmendura dhe të na mbani të informuar

    Me respekt,
    Dr. Albulena Ukimeri
    Avokate – Res Publica Group
    Përfaqësuese ligjore e palës së dëmtuar

  • Një 44-vjeçare sllovene vdes pas një operacioni estetik që e kreu në Turqi

    Një 44-vjeçare sllovene vdes pas një operacioni estetik që e kreu në Turqi

    Një grua 44-vjeçare nga Slovenj Gradec vdiq në Turqi në fillim të janarit pas një operacioni estetik, dhe trupi i saj u transportua me aeroplan në Slloveni të martën. Ajo vdiq pasi iu nënshtrua liposuksionit në Stamboll, ku shkoi në mesin e dhjetorit, kryesisht sepse procedura ishte shumë më e lirë se në Slloveni.

    Ajo e organizoi udhëtimin dhe operacionin e saj përmes një agjencie që gjeti në internet. Sipas informacionit të disponueshëm, agjencia ishte përgjegjëse për të gjithë organizimin – nga transporti nga aeroporti dhe akomodimi në hotel, përmes komunikimit me klinikën, deri në kthimin në shtëpi.

    Një autopsi u krye në Lubjanë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Embolia pulmonare përmendet jozyrtarisht si një ndërlikim i mundshëm, por gjetjet zyrtare nuk janë njoftuar ende. Policia sllovene, në bashkëpunim me Interpolin, ka kërkuar informacion nga autoritetet turke, por deri më tani ata kanë marrë vetëm informacion të pakët dhe të paplotë në lidhje me cilat procedura mjekësore janë kryer dhe në çfarë rendi, raporton mediumi slloven Dnevnik.

    Sipas familjes, shëndeti i gruas filloi të përkeqësohej menjëherë pas operacionit, ndërsa ajo po qëndronte në një hotel. Ajo u ankua për simptoma serioze, duke përfshirë gjakderdhje dhe gjendje të dobët të përgjithshme, dhe kontaktoi klinikën disa herë. Megjithatë, sipas të afërmve të saj, paralajmërimet nuk u morën mjaftueshëm seriozisht. I vetmi person me të cilin ajo mundi të komunikonte ishte një përkthyes që fliste kroatisht, i cili i tha se mjekët e konsideronin një gjendje të tillë si “normale” pas procedurës.

    Katër ditë pas operacionit, ajo pësoi një arrest kardiak, gjoja si pasojë e një embolizmi pulmonar. Kur gjendja e saj u përkeqësua papritur, ajo u përpoq të telefononte numrin e vetëm për ndihmë, por përkthyesi nuk u përgjigj deri rreth një orë më vonë, dhe kontakti u ndërpre shpejt. Nuk është e qartë se kush e gjeti ose sa kohë kaloi para se të transferohej në një spital tjetër, pasi klinika ku u operua nuk kishte një njësi kujdesi intensiv.

    Në qendrën tjetër shëndetësore, mjekët e ringjallën për rreth gjysmë ore, e intubuan dhe e lidhën me një aparat frymëmarrjeje. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ajo vdiq dhjetë ditë më vonë, më 2 janar. Ministria Sllovene e Punëve të Jashtme dhe Evropiane konfirmoi vdekjen e shtetases sllovene në Turqi, por pa detaje të mëtejshme.

    Duke dyshuar se përgjigja e institucioneve shëndetësore nuk ishte në kohë ose e përshtatshme, familja kërkoi ndihmë ligjore në Turqi, dhe rasti po hetohet edhe nga autoritetet përkatëse atje. Policia në Celje konfirmoi se po merr pjesë në shkëmbimin ndërkombëtar të informacionit, por se ende po pret një përgjigje nga Turqia.

    Rasti ka rihapur çështjen e sigurisë së procedurave kozmetike jashtë vendit, veçanërisht në Turqi, e cila është bërë një nga qendrat kryesore të turizmit mjekësor në botë për shkak të çmimeve të saj më të ulëta. Paketat e liposuksionit “gjithëpërfshirës”, të cilat përfshijnë kirurgjinë, hotelin, transportin dhe një përkthyes, mund të kushtojnë rreth 4,000 euro, por ekspertët paralajmërojnë se çmimi më i ulët shpesh do të thotë rreziqe më të larta.

    Çdo vit, Qendra Spitalore Universitare e Lubjanës trajton më shumë pacientë me ndërlikime pas procedurave kozmetike të kryera jashtë vendit. Ndërlikimet më të zakonshme janë infeksionet, problemet me shërimin e plagëve dhe dëmtimin e indeve, dhe në raste më të rënda, sepsë dhe gjendje kërcënuese për jetën. Mjekët thonë se në përgjithësi nuk i rekomandojnë procedura të tilla.

    Vdekja tragjike e kësaj gruaje sllovene është një tjetër paralajmërim për anën e errët të kirurgjisë së lirë kozmetike jashtë vendit, pasojat e së cilës ndonjëherë bëhen të dukshme vetëm kur është tepër vonë.