ATV

Author: K.B.

  • Komandanti i KFOR-it pret shefin e UNMIK-ut në Prishtinë, diskutohet siguria në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it pret shefin e UNMIK-ut në Prishtinë, diskutohet siguria në Kosovë

    Komandanti i KFOR’it, Ozkan UIuas, ka pritur sot në takim shefin e ri të UNMIK’ut, Peter Due.

    Siç bën të ditur KFOR, takimi është përqendruar në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, ku edhe është theksuar bashkëpunimi mes KFOR’it dhe UNMIK’ut.

    ‘’Gjeneral Major Ulutaş rikonfirmoi përkushtimin e KFOR-it për vazhdimin e koordinimit ndërmjet dy misioneve, me qëllim ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në mbarë Kosovën’’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Njoftimi:

    Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, priti Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefin e UNMIK-ut, z. Peter N. Due, në Selinë e KFOR-it në Kampin “Film City”, në Prishtinë.

    Takimi u përqendrua në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe theksoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut.

    Gjeneral Major Ulutaş rikonfirmoi përkushtimin e KFOR-it për vazhdimin e koordinimit ndërmjet dy misioneve, me qëllim ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit në mbarë Kosovën.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

  • Vance: Gruaja e vrarë nga një agjent i ICE-s ishte një “tragjedi e shkaktuar nga vetë ajo”

    Vance: Gruaja e vrarë nga një agjent i ICE-s ishte një “tragjedi e shkaktuar nga vetë ajo”

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance në një postim në platformën “X”për vrasjen nga një agjent i ICE i gruas në Minneapolis tha se kjo tragjedi është shkaktuar nga vetë ajo.

    “Mund të pranosh se vdekja e kësaj gruaje është një tragjedi, duke pranuar njëkohësisht se është një tragjedi e shkaktuar nga vetë ajo.”

    “Moskini ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në operacione federale të zbatimit të ligjit dhe mos u përpiqni t’i shtypni oficerët tanë me makinë. Është vërtet kaq e thjeshtë,” shtoi ai.

    Ndërkohë, Tom Homan, i emëruari i Trumpit si ‘czar i kufirit’, i tha partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se do ta “lërë hetimin të vazhdojë dhe do t’i mbajë përgjegjës njerëzit bazuar në rezultatet e hetimit”.

    I pyetur më gjerësisht për përdorimin e forcës së tepruar nga ICE, Homan tha se gjatë gjithë administratës nuk ka parë asnjë rast të forcës së tepruar.

  • Përmbytjet në Shqipëri, Begaj: Në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka

    Përmbytjet në Shqipëri, Begaj: Në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka

    Presidenti shqiptar, Bajram Begaj ka thënë se po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në Shqipëri.

    Ai tha se është në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile, si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve.

    Begaj tutje u shpreh se në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka.

    “Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga reshjet intensive në vend. Jam në komunikim të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore, me Strukturat e Emergjencave Civile, si dhe me Forcat e Armatosura, për përballimin e situatës së përmbytjeve”.

    “Ftoj qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, me qëllim që kjo situatë të kalojë me sa më pak pasoja. Ftoj në mënyrë të veçantë banorët e zonave të përmbytura të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse për një evakuim të shpejtë dhe të sigurt. Në këto momente të vështira, jeta e çdo qytetari është mbi gjithçka”, tha ai.

  • Përmbytjet në Shqipëri, ambasada e SHBA paralajmëron përkeqësim të situatës

    Përmbytjet në Shqipëri, ambasada e SHBA paralajmëron përkeqësim të situatës

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë vazhdon të monitorojë përmbytjet në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen.

    Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Në një postim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës bëhet e ditur se përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbylljen e rrugëve për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut.

    Ambasada u sugjeron shtetasve amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë të duhet të shmangin zonat e prekura dhe të telefonojnë në numrat e emergjencës.

    “Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që kanë marrë urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e përmbytjeve dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe përmbytjet.

    Mos u përpiqni të kaloni me makinë nëpër zonat e prekura nga përmbytjet. Kërkoni një rrugë alternative ose merrni në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse një rrugë alternative nuk është e disponueshme.

    Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.

    Nëse keni një urgjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit. Gjithashtu mund të kontaktoni Urgjencën Kombëtare në [email protected] ( http://urgjenca.gov.al/ )”, njofton ambasada amerikane. /A2 CNN

  • Një miliard euro për Kosovën po presin një “po” nga deputetët

    Një miliard euro për Kosovën po presin një “po” nga deputetët

    Mbi një miliard euro po presin të shfrytëzohen nga Kosova që më shumë se një vit. Marrja e këtyre fondeve vazhdon të jetë peng i aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.

    Mungesa e institucioneve të reja përgjatë 2025-tës ia pamundësoi shtetit përfitimin e 882 milionë eurove nga Plani për Reforma dhe Rritje i Bashkimit Evropian (BE) dhe të mbi 120 milionë eurove të tjera nga tri marrëveshje me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) të Bankës Botërore.

    Këto marrëveshje ndërkombëtare mbërritën në duart e deputetëve të legjislaturës së tetë të Kuvendit, në fund të vitit 2024. Ratifikimin po e presin që atëherë.

    Çfarë pritet nga legjislatura e dhjetë?

    Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë e bëri të qartë se do të ketë një shumicë të thjeshtë për konstituimin e Kuvendit 120-anëtarësh dhe për formimin e Qeverisë së re. Por, për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, duhen 80 vota.

    Nëse Kuvendi nuk do të arrijë ta zgjedhë presidentin as në votimin e tretë, që kërkon të paktën 61 vota nga jo më pak se 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallë, vendin mund ta presin zgjedhje të reja në pranverë.

    A do t’i miratojë Kuvendi marrëveshjet ndërkombëtare para se të rrezikojë një shpërndarje të radhës?

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që i fitoi zgjedhjet parlamentare, llogarit në bashkëpunimin e opozitës që të zhbllokohen fondet e huaja për Kosovën.

    Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se LVV-ja pret nga partitë opozitare që të mos e kushtëzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me çështjen e presidentit.

    “Nuk besoj që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të futen në diskutimet për çështjen e presidentit. Është e rëndësishme që Kuvendi t’i kryejë obligimet në lidhje me këto marrëveshje, ndërsa çështja e presidentit është një fazë tjetër, ku do të ketë diskutime. Presim vullnetin e tyre [të opozitës] për t’i votuar, dhe jo kushtëzime”, u shpreh Haxhiu.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thonë se nuk do të jenë bllokues për sa i përket aprovimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “LDK-ja i ka votuar, dhe do të vazhdojë t’i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës”, tha Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, në një deklaratë për REL-in.

    Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për të komentuar për këtë çështje.

    Megjithatë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi ditë më parë para mediave se partia e tij i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare edhe në të kaluarën, dhe se do të kontribuojë për gjithçka që është në interes dhe në dobi të Kosovës.

    Çka përmbajnë këto marrëveshje?

    Nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Kosovës i takuan rreth 882 milionë euro, për të cilat Kosova ka miratuar agjendën e reformave – pra, se ku do t’i shpenzojë ato.

    Mbi 90 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Financimit, mbështetje buxhetore për Kosovën nga ANZH e Bankës Botërore, e cila synon të përmirësojë ligjet për financat publike dhe politikat fiskale.

    Ndërkaq, 21 milionë euro është vlera e Marrëveshjes së Kredisë me ANZH-në për ndërtimin e çerdheve të reja për fëmijët, trajnimin e stafit dhe zbatimin e një skeme të kuponëve, përmes të cilëve familjet do të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre në këto kopshte.

    E, Marrëveshja e Kredisë me ANZH-në, e destinuar për zhvillimin e Sistemit Informativ Shëndetësor në Kosovë, ka vlerën e 18 milionë e 600 mijë eurove.

    A po u skadon afati fondeve?

    Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë për REL-in se Kosova është vonuar në miratimin e këtyre marrëveshjeve, dhe se po i nisë me vonesë reformat e kërkuara nga BE-ja.

    “Fondet e Planit të Rritjes vlejnë deri në vitin 2027, ndërkohë që Kosova hyri në vitin 2026 pa i alokuar fondet, dhe pa i nisur reformat. Dhe, rreziku shtesë është që mund mungojë konsensusi politik në Kuvend për t’i miratuar”.

    Për skadimin e afatit kishte paralajmëruar edhe Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, vitin e kaluar.

    Të rrezikuara janë edhe miliona euro të tjera, për të cilat marrëveshja ishte nënshkruar në prillin e 2024-tës.

    Javë më parë, Zyra e Bankës Botërore në Kosovë pohoi për REL-in se afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes është 13 shkurti i vitit 2026.

    Këto marrëveshje dështuan të miratoheshin në një seancë të mbajtur më 19 nëntor 2025, një ditë para se të shpërndahej Kuvendi, pasi opozita kishte refuzuar të shkonte në seancë, me arsyetimin se LVV-ja kishte zvarritur procesin e formimit të institucioneve gjatë tërë vitit.

    Mbetet të shihet se a do t’i japë përbërja e re e Kuvendit dritën e gjelbër fondeve të huaja, edhe nëse rrezikon t’i shkurtojë jetëgjatësinë legjislaturës së dhjetë /REL/

  • 11 gjëra që njerëzit inteligjentë bëjnë në shtëpi që të tjerëve u duken të çuditshme

    11 gjëra që njerëzit inteligjentë bëjnë në shtëpi që të tjerëve u duken të çuditshme

    Njerëzit brilantë nuk funksionojnë si gjithë të tjerët. Mënyra si mendojnë, si organizojnë kohën dhe hapësirën, madje edhe si pushojnë, shpesh i lë të tjerët konfuzë. Ajo që për shumicën duket e çrregullt ose e panevojshme, për ta ka një arsye shumë konkrete.

    Ja 11 zakone që njerëzit shumë inteligjentë kanë në shtëpi dhe që mendjet “normale” shpesh nuk i kuptojnë.

    1. Flasin me vete, me zë të lartë

    Po, fjalë për fjalë. Flasin vetëm në dhomë, komentojnë mendimet e tyre, bëjnë pyetje dhe u përgjigjen vetë. Nuk është çmenduri, për ta është mënyra më e shpejtë për të përpunuar ide komplekse dhe për të gjetur zgjidhje.

    2. Planifikojnë kohë për… të mos bërë asgjë

    Ndryshe nga shumica që “harxhon kohë” pa e menduar, njerëzit inteligjentë e planifikojnë pushimin. Në axhendë ka orë për boshllëk total, sepse e dinë që mendja e tyre lodhet shpejt dhe ka nevojë për pak pushim.

    3. Lënë rrëmuja me qëllim

    Jo çdo rrëmujë është dembelizëm. Për shumë mendje krijuese, ambienti paksa kaotik ndihmon idetë të rrjedhin më lirshëm. Prandaj mos u çudit nëse dhoma e tyre duket “pa rregull”, por truri punon me shpejtësi maksimale.

    4. Punojnë në orare të çuditshme

    Shumica e njerëzve “funksionon” në orarin 9–5, kurse njerëzit brilantë shpesh ndihen më produktivë natën vonë ose herët në mëngjes. Frymëzimi nuk respekton orarin zyrtar dhe ata e ndjekin kur u vjen.

    5. Ndryshojnë shpesh mobilimin e shtëpisë

    Lëvizin mobilje, rregullojnë ndryshe dhomën, ndryshojnë këndin e tavolinës. Jo nga mërzia, por sepse truri i tyre kërkon vazhdimisht stimul të ri. Ambienti i ri = mendje më aktive.

    6. Argëtohen me gjëra që të tjerëve u duken “të mërzitshme”

    Dokumentarë, libra me fakte, tema shkencore, histori. Për ta, të mësuarit është argëtim. Ajo që të tjerëve u duket torturë, për ta është kënaqësi e pastër.

    7. I mbyllin njoftimet në telefon

    Jo sepse nuk i duan njerëzit, por sepse e dinë që zhurma dixhitale lodh trurin. Kur janë në shtëpi, vendosin kufij të qartë për qetësinë mendore.

    8. Bëjnë dush shumë të ftohtë

    Po, edhe në dimër. Dushi i ftohtë i bën më të kthjellët, më energjikë dhe më të fokusuar. Edhe pse të tjerëve u duket torturë, për ta është truk mendor.

    9. Praktikojnë si t’i shpjegojnë idetë e tyre

    Flasin para pasqyrës, simulojnë biseda, riformulojnë mendime, edhe kur nuk kanë një prezantim për të bërë. Të qenit i përgatitur është një formë sigurie për ta.

    10. Dëgjojnë muzikë ambienti, jo këngë “normale”

    Pa tekst, pa ritme të forta. Muzikë që nuk shpërqendron, por qetëson. Kjo i ndihmon të përqendrohen dhe të mos mbingarkojnë mendjen.

    11. Bëjnë qëllimisht diçka jashtë rutinës

    Ndryshe nga shumica që i druhet ndryshimit, njerëzit inteligjentë e kërkojnë atë. Provojnë diçka të re, edhe kur nuk ndihen rehat, sepse e dinë që rritja vjen jashtë zonës së rehatisë.

  • Trump tërheq SHBA-në nga traktati i klimës i OKB-së dhe 65 organe të tjera globale

    Trump tërheq SHBA-në nga traktati i klimës i OKB-së dhe 65 organe të tjera globale

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që pezullon pjesëmarrjen e Uashingtonit në dhjetëra agjenci, komisione dhe panele këshillimore të OKB-së të përqendruara në klimën, punën, migracionin dhe çështje të tjera që administrata e tij i përshkruan si promovim të nismave “të zgjuara”.

    Kjo do të thotë që SHBA-të do të tërhiqen nga 66 organizata ndërkombëtare, përfshirë kornizën e traktatit të OKB-së për klimën, duke shënuar tërheqjen më të gjerë nga bashkëpunimi global në historinë e saj moderne.

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se institucionet ishin “të tepërta në fushëveprimin e tyre, të keqmenaxhuara, të panevojshme, të shpërdoruara, të drejtuara dobët, të kapura nga interesat e aktorëve që avancojnë agjendat e tyre në kundërshtim me tonat, ose një kërcënim për sovranitetin e kombit tonë”.

    “Presidenti Trump është i qartë: Nuk është më e pranueshme t’u dërgojmë këtyre institucioneve gjakun, djersën dhe thesarin e popullit amerikan, me pak ose aspak për të treguar për këtë. Ditët e miliarda dollarëve nga paratë e taksapaguesve që rrjedhin drejt interesave të huaja në kurriz të popullit tonë, kanë mbaruar”, tha Rubio në një deklaratë pas vendimit.

    Tërheqja nga Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike — traktati i vitit 1992 që mbështet marrëveshjen e Parisit për klimën — e lë SHBA-në si vendin e vetëm jashtë kornizës globale të klimës.

    Trump, i cili e quan ndryshimin e klimës një mashtrim, u tërhoq nga marrëveshja e Parisit menjëherë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

  • Komuna e Skenderajt njofton se nga 9 janari nis procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet

    Komuna e Skenderajt njofton se nga 9 janari nis procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet

    Komuna e Skenderajt ka njoftuar qytetarët se nga data 9 janar fillon procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare dhe biznese, si pasojë e dëmtimeve të evidentuara nga vërshimet.

    “Të gjithë qytetarët e prekur ftohen që brenda afatit të përcaktuar të paraqesin kërkesën e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve”, tha komuna në njoftim.

    Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim:

    1. Të dhënat personale të aplikuesit (emri, mbiemri, numri personal, adresa dhe numri kontaktues);

    2. Kopje e letërnjoftimit;

    3. Konfirmimi bankar (llogaria bankare në emër të aplikuesit);

    4. Fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, të realizuara nga vendi i dëmtuar;

    5. Çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar (nëse ka).

    Afati për aplikim:

    • Afati për dorëzimin e kërkesave është 8 (tetë) ditë pune nga data e publikimit të këtij njoftimi.

    Vendndodhja për dorëzim:

    Kërkesat dorëzohen personalisht pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve, sporteli numër 13, Komuna e Skenderajt.

    Për informata shtesë, Komuna tha se qytetarët mund të drejtohen në zyrat e Komunës së Skenderajt gjatë orarit zyrtar të punës.

  • “Rruga ishte e pa pastruar”, mitrovicasi rrotullohet me veturë në Vinarc, i ndihmojnë kalimtarët- pamje

    “Rruga ishte e pa pastruar”, mitrovicasi rrotullohet me veturë në Vinarc, i ndihmojnë kalimtarët- pamje

    Një veturë është rrotulluar sot të Ura e Kuqe në Vinarc të Mitrovicës.

    Shoferi ka thënë se ka ndodhur për shkak të rrugës që ishte e papastruar.

    Mitropol raporton se qytetarët atje janë angazhuar dhe e kanë tërhequr veturën.

  • 28 ditë mungoi pa arsye, Trepça suspendon një punëtor

    28 ditë mungoi pa arsye, Trepça suspendon një punëtor

    Ndërmarrja “Trepça”, ka njoftuar se e ka suspenduar nga puna një punëtor.

    Arsye e këtij vendimi sipas ndërmarrjes është mungesa e shpeshtë personit me inicialet F.A në punë.

    “Bazuar në raportet zyrtare, i njëjti ka munguar mbi 28 ditë pune. Në bazë të këtyre shkeljeve, Komisioni Disiplinor, me vendim nr. prot. 148, datë 08.01.2026, ka shqiptuar masën disiplinore: ndërprerje e marrëdhënies së punës”, thuhet në njoftim.

    “Gjatë verifikimit është konstatuar se:

    • 10 ditë mungesë pa asnjë skenim hyrje/dalje, ndërkohë që meditjet janë ekzekutuar për pagesë

    • 18 ditë me skenim vetëm në hyrje, pa skenim daljeje, me dyshim se ka lënë vendin e punës dhe nuk është kthyer

    • 7 ditë mungesë në punë, për të cilat meditja është arsyetuar”, thuhet tutje në njoftim.