ATV

Author: K.B.

  • SHBA u tërhoq edhe nga dy organizata me të cilat Kosova bashkëpunon

    SHBA u tërhoq edhe nga dy organizata me të cilat Kosova bashkëpunon

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga një numër i madh i organizatave të ndryshme. Prej tyre, janë edhe Regional Cooperation Council (RCC) dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës.

    Kosova është anëtare e RCC-së që nga viti 2013 dhe në vazhdimësi ka bashkëpunime me këtë organizatë.

    Ndërkohë pavarësisht se nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, prej vitesh Kosova ka adresuar lëndë në Komisionin e Venecias, organizatë prej të cilës SHBA është tërhequr gjithashtu.

    Njoftimi për tërheqjen e SHBA-së nga përkrahja e këtyre organizatave është publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

  • Zelensky thotë se lufta mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026

    Zelensky thotë se lufta mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha më 7 janar se beson që lufta në shkallë të plotë e Rusisë kundër Ukrainës, mund të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026.

    Duke folur në ceremoninë e hapjes që shënoi fillimin e presidencës së Qipros në BE, Zelensky vuri në dukje atë që e përshkroi si një fazë të re në negociatat me partnerët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara.

    Ai gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian duhet të luajë një rol qendror në procesin e negociatave.

    “Ndërsa Qiproja fillon presidencën e saj të Këshillit të BE-së, ne vërejmë se negociatat kanë arritur një moment të ri së bashku me partnerët tanë evropianë dhe, natyrisht, Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë anëtarët e Koalicionit të të Gatshmëve”, tha Zelensky.

    “Ne besojmë sinqerisht se kjo luftë mund të përfundojë gjatë presidencës suaj të Këshillit të BE-së”, shtoi presidenti ukrainas.

    Presidenca e Qipros në Këshillin e Bashkimit Evropian do të vazhdojë gjatë gjysmës së parë të vitit, deri në fund të qershorit 2026.

    Komentet e Zelensky vijnë pas disa raundeve të bisedimeve të fundit midis delegacioneve ukrainase, evropiane dhe amerikane në Paris.

    Samiti i “Koalicionit të Gatshmëve”, i organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, zhvillohet ndërsa Kievi sinjalizon se një marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit pothuajse katërvjeçar në shkallë të plotë të Rusisë është “90% gati”.

    Takimi mbledh së bashku përfaqësues nga 35 vende, përfshirë 27 krerë shtetesh dhe qeverish, zyrtarë të lartë të BE-së dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

    Sipas një draft-deklarate të përbashkët të raportuar, ende subjekt i ndryshimeve dhe një miratimi përfundimtar nga udhëheqësit, garancitë e sigurisë së Koalicionit do të përfshijnë një forcë të mbështetur nga SHBA-të dhe të udhëhequr nga Evropa të vendosur në Ukrainën e pasluftës, si dhe monitorimin e armëpushimit nga Uashingtoni.

  • Lëshohet urdhër evakuimi për banorët e Fierit

    Lëshohet urdhër evakuimi për banorët e Fierit

    Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në Njësinë Administrative Ferras në Fier për shkak të përmbytjeve dhe rrezikut të lartë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

    Bazuar në njoftimin e lëshuar të ministrisë, evakuimi do të kryhet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave.

    Prioritet do t’i jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve në zona të izoluara.

    Sipas njoftimit, transporti do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Forcat e Armatosura.

    Qytetarët e evakuuar do të strehohen dhe asistohen nga bashkia, policia, njësitë shëndetësore dhe strukturat sociale, ku do të sigurohet regjistrimi, ushqimi, veshmbathja, ndihma mjekësore dhe informacioni i rregullt mbi situatën.

    Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn menjëherë në fuqi.

  • Ministria e Infrastrukturës: Rrugët janë të kalueshme, por kujdes

    Ministria e Infrastrukturës: Rrugët janë të kalueshme, por kujdes

    Ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se aktualisht të gjitha rrugët janë të kalueshme, por se duhet kujdes i shtuar në qarkullim.

    Durmishi tha se kanë intervenuar në shumicën e rrugëve për të cilat është kompetente Ministria dhe se me pastrim e hedhje të kripës po vazhdojnë edhe sot.

    “Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe mbrëmë, për shkak të kontrastit të temperaturave, rrugët tona janë të mbuluara me ngrica. Gjatë gjithë natës kemi intervenuar në shumicën e rrugëve që janë në kompetencë të ministrisë. Edhe sot në mëngjes kemi vazhduar punën në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. Aktualisht, të gjitha rrugët janë të kalueshme, por kërkohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit. Ju lutemi t’i përshtateni kushteve të rrugës”, tha ai.

  • Gjykata shpall të pafajshëm Behar Mjekiqin për akuzat që ia kishte bërë ish-bashkëshortja e dytë

    Gjykata shpall të pafajshëm Behar Mjekiqin për akuzat që ia kishte bërë ish-bashkëshortja e dytë

    Më 31 mars të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj hoxhës Behar Mjekiqi. Ai akuzohej për kryerjen e veprës penale dhunë në familje.

    Në aktakuzë thuhej se Mjekiqi kishte ushtruar dhunë, kërcënime dhe kishte cenuar lirinë e gruas së tij të dytë, me të cilën kishte lidhur kurorë sipas fesë islame. Sipas Prokurorisë, ata kohë pas kohe bashkëjetonin, ndonëse edhe para incidentit kishin pasur probleme serioze në marrëdhënie.

    Prokuroria sqaron se rreth dy vite më parë, në ditën kritike, Mjekiqi kishte filluar t’ia mbledhë gruas gjërat personale me qëllim që ta largonte nga shtëpia. Kur ajo kishte marrë telefonin për t’i kontaktuar familjarët e saj, i njëjti ia kishte tërhequr atë me dhunë, duke ia pamundësuar komunikimin shkruan Insajder. org.

    Situata kishte eskaluar deri në dhunë fizike. Përveç goditjeve, sipas aktakuzës, ai e kishte kapur viktimën për flokësh dhe për krahu, e kishte tërhequr nga dhoma e gjumit drejt korridorit dhe më pas e kishte përplasur në dysheme.

    Sipas deklarimeve të gruas, ajo vazhdimisht kishte kërkuar dhe kishte tentuar të largohej nga shtëpia, por ishte penguar me forcë. Pas daljes nga shtëpia, E.J. ka thënë se ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar ndihmë. Ajo është dërguar për ekzaminim mjekësor, ku janë konstatuar lëndime trupore.

    Ndërkaq, i pandehuri Mjekiqi në deklarimet e tij kishte mohuar përdorimin e dhunës fizike, duke pretenduar se kishte vepruar vetëm për ta “qetësuar” situatën.

    Mbrëmë, në një paraqitje televizive në emisionin “Libero” në ATV, Mjekiqi ka prezantuar një dokument, për të cilin ka deklaruar se është Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 06.01.2025, në bazë të të cilit ai është liruar nga akuza.

    Lidhur me këtë rast, Mjekiqi ka deklaruar se publikimi i pretendimeve të E.J. nuk e kanë penguar.

    “Në raport me Zotin jam i pastër. Në raport me nanën, gruan, djalin, familjen dhe shoqërinë jam i pastër”, ka deklaruar ai.

    Rasti i Behar Mjekiqit nuk ka përfunduar, reagon avokatja e palës së dëmtuar

     

  • Shënohet viktima e parë nga reshjet në Durrës

    Shënohet viktima e parë nga reshjet në Durrës

    Një person është gjetur pa shenja jete, i dyshuar i mbytur, në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit.

    Ngjarja është regjistruar në orët e fundit, duke ngritur menjëherë alarmin e autoriteteve.

    Forca të Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

    Deri më tani, identiteti i personit ende nuk është bërë i ditur.

    Trupi i pajetë është transportuar drejt morgut të qytetit të Durrësit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.

    Policia vijon hetimet për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje.

  • Vajza transgjinore e Elon Musk-ut bëhet fytyra e re e markës së Rihannës

    Vajza transgjinore e Elon Musk-ut bëhet fytyra e re e markës së Rihannës

    Rihanna për fushatën e saj të Ditës së Shën Valentinit për markën e saj të të brendshmeve Savage x Fenty, ka zgjedhur Vivian Wilson, vajzën 21-vjeçare transgjinore të Elon Musk-ut.

    Vivian, e cila nuk ka një marrëdhënie të ngushtë me të atin, është ylli i koleksionit të ri, të titulluar Love So Savage: Një Odë Moderne për Afërditën.

    Në njërën nga fotot e fushatës, Wilson pozon përkrah Lovie Simones dhe Emma Arlettas para statujave prej mermeri.

    Ajo mban veshur reçipetë me trëndafil dhe një minifund me dantella të njëjtë, të shoqëruar me geta të kuqe, vathë të artë dhe një buzëkuq.

    Personazhe të tjerë të famshëm në fushatë përfshijnë yjet e reality show-t Love Island, Serena Page dhe Kordell Beckham, si edhe influencueset Hayley dhe Jules LeBlanc.

  • Gjergj Dedaj: Blerja e votave kudo në demokracitë e konsoliduar është krim

    Gjergj Dedaj: Blerja e votave kudo në demokracitë e konsoliduar është krim

    Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedonin e Veriut, Gjergj Dedaj, ka thënë se Kosova gradualisht po e humb epitetin e një shteti demokratik dhe perspektiven Euroatlantike sipas tij “dhe po tentohet të instalohet një dinasti moniste, një diktaturë dhe regjim populist me simptome komuniste dhe autokratike”.

    Dedaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka konisderuar se blerja e votave në demokracinë e konsoliduar është krim.

    “Patrimonalizmi i familjes politike të ekstremit të majtë të LVV, respektivisht mendësia kur pushteti trajtohet si pronë familjare, ngallë ambiciet e liderve për tu sjellur si pronar të shtetit dhe Kosoven e konsiderojne si një monarki trashëgimore dhe dinasti të një partie-shtet.Blerja e votave kudo në demokracitë e konsoliduara është krim, aqë sa është krim edhe keqëpërdorimi i shtresave të varfëra sociale, pensionistëve, studentëve, nënave më fëmijë të mitur, të cilëve iu shpërndan qindra miliona euro, në fushatë dhe në prag të zgjedhjeve, e deri te keqëoërdorimi i sentimentit të diasporës së pêrçarë politikisht dhe trajtimi i Ambasadave dhe Konsullatave të Kosovës si degë partiake të LVV”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, Albini dhe Vjosa, janë të rrethuar me servil, trashëgimtar të ish pushtetit komunist, lajkatar dhe jokourrizor.

    “Sepse kjo kastë njerzish bëhen deputet, qeveritar dhe sherbëtor të dëgjueshem të shefave të tyre patrimonalist, të cilët Kosoven po e trajtojnë si kruzhok njëpartiak, dinasti të kuqe dhe pronë familjare”, ka shkruar Dedaj.

    Postimi i plotë:

  • Dervishaj jep dorëheqje nga dega e PDK-së në Gjermani: Na përçanë

    Dervishaj jep dorëheqje nga dega e PDK-së në Gjermani: Na përçanë

    Kryetari i degës së PDK-së në Baden-Württemberg të Gjermanisë, Shahin Dervishaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo degë, nën arsyetimin se ‘dega u përça nga individë të caktuar të Kryesisë së PDK-së’.Ai shkruan:

    I nderuari Kryetar i PDK-së, z. Bedri Hamza,E nderuar Kryesi e PDK-së,

    Të nderuar përkrahës të PDK-së në përgjithësi, dhe përkrahës të mi në veçanti,Në frymën e përgjegjësisë politike dhe respektit ndaj proceseve demokratike, kam vendosur që të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të PDK-së, Dega Baden-Ëürttemberg, Gjermani.
    Ky vendim nuk lidhet me ndonjë dështim personal apo institucional, por me bindjen time se rotacioni dhe qasjet e reja janë të shëndetshme për çdo organizim politik.Kryesia e PDK-së vazhdimisht ka tentuar të na fajësojë për dështimin në mërgatë. Kjo akuzë nuk qëndron. Ne kemi kontribuar me përkushtim maksimal, pa asnjë interes personal, pa përfitime dhe pa kalkulime, por vetëm nga vullneti, përgjegjësia dhe dashuria për partinë.
    Fajtori kryesor për rezultatin e dobët të zgjedhjeve në mërgatë ka qenë ndërhyrja direkte e individëve të caktuar, të cilët me veprimet e tyre kanë shkaktuar përçarje të vazhdueshme. Këto ndërhyrje kanë dëmtuar unitetin, kanë demotivuar aktivistët dhe kanë minuar punën e sinqertë të atyre që kontribuan pa interesa personale. Përgjegjësia nuk mund të bartet tek ata që punuan, por tek ata që përçanë.Gjatë kësaj periudhe, kam ushtruar detyrën me përkushtim të plotë, integritet dhe transparencë, duke punuar në interes të partisë dhe të mërgatës sonë. Dorëheqja ime është një hap i vetëdijshëm për t’i hapur rrugë fazës së radhës së organizimit politik dhe forcimit të mëtejshëm të degës.

    Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe anëtarët për korrektësinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.Me respekt,

    Kryetari i Degës së PDK në BadenWürttemberg,Gjermani,
    Shahin Dervishaj

  • Votat e fundit/ Kur pritet të numërohen mbi 3 mijë vota të mërgimtarëve?

    Votat e fundit/ Kur pritet të numërohen mbi 3 mijë vota të mërgimtarëve?

    Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave me postë që kanë arritur në Kosovë. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka mbetur numërimi vetëm i 3185 pakove me fletëvotime, që pritet të arrijnë sot.

    Sipas rezultateteve të përmbledhura nga KQZ, LVV-ja ka arritur në 51.01%, me 57 ulëse në kuvend. Partia e dytë më e votuar është Partia Demokratike e Kosovës me 20.24 për qind, me 22 ulëse, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind të votave, me 6 ulëse në kuvend.

    “Ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125), dhe Otavë (404)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, për pakot që pritet të sillen sot.