ATV

Author: K.B.

  • Ministria konfirmon se rritja e pagës minimale në sektorin privat ka hyrë në fuqi, nga korriku do të jetë 500 euro

    Ministria konfirmon se rritja e pagës minimale në sektorin privat ka hyrë në fuqi, nga korriku do të jetë 500 euro

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 euro bruto në 425 euro bruto, vendim që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti.

    “Paga minimale në sektorin privat është rritur nga 350 € bruto në 425 € bruto, duke hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti”, thuhet në njoftim.

    Sipas Ministrisë, zbatimi i këtij vendimi do të realizohet në dy faza, me qëllim lehtësimin e përshtatjes së punëdhënësve.

    “Zbatimi i vendimit për rritjen e pagës minimale do të realizohet në dy faza ashtu që të jetë më e lehtë për punëdhënësit t’i përshtaten ndryshimit në mënyrë graduale.”

    Faza e dytë e rritjes është paraparë për mesin e vitit.

    “Faza e dytë do të fillojë më 1 korrik, kur paga minimale do të arrijë në 500 € bruto”, ka njoftuar Ministria e Financave.

    Ministria vlerëson se kjo rritje është e rëndësishme për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

    “Kjo rritje përbën një masë të rëndësishme për rritjen e mirëqenies së punëtorëve dhe përafrimin e pagës minimale me kushtet aktuale të tregut të punës. Institucionet përgjegjëse do të sigurojnë zbatimin e plotë dhe të rregullt të këtij vendimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • KQZ vendos: Gjithë Kosova shkon në rinumërim

    KQZ vendos: Gjithë Kosova shkon në rinumërim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që i gjithë vendi të shkojë në rinumërim.

    Ky vendim për të rinumëruar plotësisht 28 komunat, vjen pasi ky institucion kishte vendosur fillimisht që të rinumëroheshin vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre.

    KQZ ka marrë vendim po ashtu për ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rinumërimi i pjesshëm është ndërmarrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.

    “Dua të rikthejë në vëmendje se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vetëiniciativë, ka zhvilluar procesin e verifikimit të rezultateve zgjedhore nga disa vendvotime dhe pas kësaj ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve në 914 vendvotime.

    Sipas vendimit të KQZ-së, të datës 13 janar, në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve, ndërkaq për 28 të tjera vetëm nga 10% të vendvotimeve. Ky proces është në zhvillim e sipër.

    KQZ, në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, në transparencë dhe në ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.

    Për të qenë plotësisht transparent në këtë proces, rezultati i çdo vendvotimi të rinumëruar është pasqyruar në platfomën e KQZ-së për rezultate.

    Siç e theksova në fillim, gjatë ditës së sotme, kemi pranuar një raport pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve sipas vendimit të datës 13 janar.

    Sipas raportit, kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikura janë minimale dhe pothuaje të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë.

    Për dallim nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

    Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN.” – tha Radoniqi.

    Radoniqi tha se ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi.

    “Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN.

    Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha tek disa kandidatë.

    Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore:

    Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera;Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
    Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinuëmrimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor.”/Klankosova.tv

  • Koha e tepërt para ekranit – çfarë ndodh me trurin e fëmijës suaj?!

    Koha e tepërt para ekranit – çfarë ndodh me trurin e fëmijës suaj?!

    Hulumtimet e reja qeveritare tregojnë se koha e shtuar para ekrani,t mund të lidhet me zhvillim më të dobët të fjalorit tek fëmijët e vegjël.

    Gjetjet erdhën nga studimi Fëmijët e viteve 2020 (COT20s), ku kujdestarëve kryesorë iu kërkua të plotësonin një anketë online kur fëmija i tyre ishte rreth dy vjeç (midis 24 dhe 28 muajsh), midis tetorit 2023 dhe shkurtit 2024. Në total, u plotësuan 4,758 anketa.

    Rezultatet nga anketat zbuluan se fëmijët në grupin me kohën më të lartë para ekranit – mesatarisht rreth pesë orë në ditë – ishin në gjendje të thoshin, mesatarisht, 53% të 34 fjalëve të testit, krahasuar me 65% midis fëmijëve në grupin me kohën më të ulët para ekranit, të cilët mesatarisht kalonin vetëm 44 minuta në ditë.

    Ja pesë mënyra se si koha para ekranit mund të ndikojë në trurin e fëmijës suaj…

    A janë fëmijët më të prekshëm ndaj efekteve të kohës para ekranit sesa të rriturit?

    “Truri i fëmijëve është si sfungjerë që thithin përvoja me një shpejtësi të pabesueshme”, thotë Dr. Samir Shah, psikiatër konsulent dhe drejtor në Spitalin Priory Altrincham. “Periudhat kryesore të zhvillimit, veçanërisht para moshës pesë vjeç dhe gjatë viteve para adoleshencës, janë kur truri i nënshtrohet rritjes më të shpejtë.

    “Shumë kohë para ekranit gjatë këtyre fazave mund të ketë efekte më afatgjata, krahasuar me të rriturit.”

    Torkel Klingberg, profesor i neuroshkencës njohëse në Institutin Karolinska dhe shkencëtar themelues në aplikacionin e trajnimit të kujtesës Nuroe, pajtohet dhe shton: “Zhvillimi i aftësive njohëse gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës është absolutisht thelbësor. Është një kohë neuroplasticiteti dhe është thelbësore për arsimin dhe performancën e të rriturve.”

    1. Ndikon në hapësirën e vëmendjes dhe fokusin

    “Ne [në Institutin Karolinska] publikuam së fundmi rezultatet e një studimi të madh që përfshinte më shumë se 8,000 fëmijë të moshës 10 deri në 14 vjeç dhe hartëzuam sasinë e kohës që ata kalonin në mediat sociale, lojërat ose televizorin, dhe zbuluam se ishte pikërisht koha në mediat sociale, që shoqërohej me simptoma të shtuara të mungesës së vëmendjes”, thotë Klingberg. “Për shembull, ata raportuan probleme me përqendrimin për një periudhë më të gjatë kohore, shpërqendroheshin lehtë dhe kishin probleme me përfundimin e detyrave të shtëpisë.”

    2. Ndikim negativ në humor dhe shëndet mendor

    “Hulumtimet na kanë treguar se adoleshentët dhe fëmijët që kalojnë më shumë se katër orë në ditë para ekraneve, kanë më shumë gjasa të përjetojnë nivele më të larta ankthi dhe depresioni”, thekson Shah. “Stimulimi i vazhdueshëm dhe i ekraneve digjitale mund t’i lërë mendjet e të rinjve të ndihen të mbistimuluara me nivele më të larta dopamine, por të paplotësuara emocionalisht.”

    “Fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve, ndonjëherë mund ta kenë më të vështirë të menaxhojnë frustrimin dhe acarimin.”

    Kjo gjithashtu mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të dalluar sinjalet sociale.

    “Më pak takime ballë për ballë dhe të drejtpërdrejta, do të thotë më pak mundësi dhe shanse për të praktikuar aftësi të rëndësishme sociale dhe ekzekutive, si empatia dhe zgjidhja e konflikteve”, shpjegon Shah.

    3. Mungesa e gjumit

    “Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj është se koha para ekranit dhe mediat sociale po i zënë vendin gjërave të tjera, të tilla si sporti, ndërveprimet ballë për ballë dhe, më e rëndësishmja, gjumi”, thekson Klingberg. “Ka shumë studime që tregojnë rëndësinë e gjumit si për mirëqenien psikologjike ashtu edhe për performancën njohëse, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në trurin e të rinjve në rritje.

    “Mungesa e gjumit mund të ndikojë në kujtesën afatgjatë, kujtesën e vëmendjes dhe kujtesën e punës.”

    4. Ndikon në aftësitë e zgjidhjes së problemeve dhe në kujtesë

    “Shpërqendrimet e vazhdueshme në internet, nënkuptojnë që fëmijët shpesh privohen nga aftësia për t’u përqendruar për një kohë më të gjatë dhe humbasin sfidat njohëse që nxisin dhe përfitojnë zhvillimin njohës, i cili përfshin si vëmendjen ashtu edhe kujtesën punuese”, thotë Klingberg.

    “Ne e dimë që kujtesa e punës është diçka që mund të zhvillohet me anë të trajnimit, kështu që mendoj se një pjesë e kësaj është përpjekja për të zvogëluar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, dhe për të kaluar kohë në aktivitete që kërkojnë më shumë përqendrim, siç është leximi ose detyrat e shtëpisë, për shembull.”

    5. Çrregullon sistemet e ‘shpërblimit’

    “Ekranet e rregullta shkaktojnë çlirimin e dopaminës, e cila është kimikati i trurit që të bën të ndihesh mirë. Kjo më pas krijon një cikël dëshire për më shumë kohë para ekranit për të marrë të njëjtin efekt”, shpjegon Shah.

    “Është pak si të kontrollosh derën disa herë dhe të shpresosh për një vizitor emocionues. Me kalimin e kohës, aktivitetet e botës reale dhe ato realiste, mund të fillojnë të ndihen më pak të dobishme në krahasim. Kjo është arsyeja pse fëmijët dhe adoleshentët që përdorin ekrane rregullisht, kanë vështirësi të ruajnë ose të ndërtojnë lidhje shoqërore kuptimplote.”/ DPA News.

  • Çitaku kërkon rinumërim të plotë të votave: Heshtja apo mbrojtja e parregullsive nuk janë opsion

    Çitaku kërkon rinumërim të plotë të votave: Heshtja apo mbrojtja e parregullsive nuk janë opsion

    Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar rinumërim të plotë të votave, duke thënë se Kosova ka ndërtuar me shumë mund standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

    Ajo thekson se heshtja apo mbrojtja e parregullsive nuk është opsion dhe nuk është as kompromis.

    “Rinumërim të plotë të votave. Hetim të hollësishëm. Përgjegjësi penale dhe politike, si dhe rikthim të besimit të qytetarëve. Kosova ka ndërtuar me shumë mund standardin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Prandaj, çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i patolerueshëm dhe kërkon reagim të menjëhershëm e të pakompromis institucional. Demokracia ndërtohet mbi besim, transparencë dhe zbatim të ligjit. Heshtja apo mbrojtja e parregullsive nuk janë opsion. Këtu nuk ka kompromis”, shkruan Çitaku në Facebook.

  • Tragjedia me 39 viktima në Spanjë, Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez anulon pjesëmarrjen në Davos

    Tragjedia me 39 viktima në Spanjë, Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez anulon pjesëmarrjen në Davos

    Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, që zhvillohet nga 19 deri më 23 janar, pas aksidentit tragjik që ndodhi në Adamuz, në provincën Cordoba.

    Sánchez ndodhet aktualisht në Cordoba dhe ka anuluar të gjithë axhendën e së hënës për të monitoruar nga afër situatën, pas daljes nga shinat të dy trenave me shpejtësi të lartë në pasditen e së dielës.

    Autoritetet vazhdojnë hetimet për shkaqet e incidentit dhe bilancin e viktimave.

  • Selmanaj flet për skandalin e votave në Prizren: Do t’i shkoj deri në fund kësaj skeme kriminale

    Selmanaj flet për skandalin e votave në Prizren: Do t’i shkoj deri në fund kësaj skeme kriminale

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Nga 914 vendvotime që kanë shkuar në rinumërim, deri tani janë numëruar rreth 94 për qind e tyre.

    Sipas të dhënave paraprake, në listën e LDK-së po vërehen mospërputhje të theksuara në numrin e votave për disa kandidatë, çka ka ngritur shqetësime për manipulim të mundshëm gjatë procesit fillestar të numërimit.

    E në mesin e tyre është edhe kandidati për deputet nga kjo parti, Driton Selmanaj.

    Sipas rezultateve të deritanishme të rinumërimit, kandidati Driton Selmanaj rezulton me rreth 1,048 Vota krahasuar me numërimin fillestar.

    Lidhur me këtë ai në një prononcim për Indeksonline ka një përgjigje.

    ‘’Unë mendoj që është një skemë e organizuar e për të cilën po pres shumë që prokuroria dhe hetuesia të japin fjalën e tyre, unë jam në dispozicion të plotë të krejt organeve hetuese që kësaj pune me i shku deri në fund’’, thotë fillimisht Selmanaj.

    Ai thotë se edhe ai si kandidat por edhe LDK-ja dega në Prizren nuk ka asnjë lidhje të vetme me këtë proces abuzimi.

    ‘’Me bindje e them që unë si kandidat por edhe LDK-ja dega në Prizren nuk e ka asnjë lidhje të vetme me këtë proces abuzumi por tash po del që ekzistuar një skemë mire e organizuar. Është lënduar integriteti im personal pasi që unë që mbi 30 vite jam angazhuar për mbrojtën e votës edhe kur skam qenë fare në politikë’’, thotë Selmanaj për Indekosnline

    Kam biseduar me komisionarët e LDK- së por që ata të gjithë distancohen nga ky rast por tash është rast hetimi për organet e drejtësisë, ka shtuar në fund ai.

  • PDK do të kërkojë në mbledhjen e KQZ-së rinumërim në gjithë Kosovën

    PDK do të kërkojë në mbledhjen e KQZ-së rinumërim në gjithë Kosovën

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi ka thënë se me kërkesën edhe të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza do të propozojnë në mbledhjen e sotme të KQZ-së që të merret vendim për rinumërim të të gjitha votave.

    Pasi që sipas tyre, kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur dhe njxerrë të vërtetën mbi integritetin e votës së secilit qytetar.

    “Sot në ora 13:30 mbahet mbledhja e KQZ-së. Me kërkesë të Kryetarit, z. Bedri Hamza, si përfaqësues i PDK-së në KQZ, do të propozoj që KQZ të marrë vendim për numërim tërësor të votave, si e vetmja mënyrë për të ruajtur dhe nxjerrë të vërtetën mbi integritetin e votës së secilit qytetar. Ne do ta nxjerrim mbi tavolinë votën e çdo qytetari dhe pa asnjë dyshim do të shkojë aty ku ata kanë votuar. Transparenca është garancia më e fortë e demokracisë dhe e vërteta nuk mundë të humbet kur çdo gjë është e hapur. Transparencë. Integritet. Demokraci”, ka shkruar Gashi.

  • Komuna e Rahovecit njofton thirrjen për aplikim në kuadër të Pagesave Direkte, gjashtëmujori i dytë 2025

    Komuna e Rahovecit njofton thirrjen për aplikim në kuadër të Pagesave Direkte, gjashtëmujori i dytë 2025

    Komuna e Rahovecit njofton fermerët për hapjen e thirrjes për aplikim në kuadër të Pagesave Direkte për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

    Përkrahja financiare mbulon kategoritë e mëposhtme:

    Pagesa Direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë;
    Pagesa Direkte për therjet e raportuara të gjedhit;
    Pagesa Direkte për viçat për majmëri;
    Pagesa Direkte për zogjtë për majmëri (brojlerë);
    Pagesa Direkte për akuakulturë.

    Afati i aplikimit është nga 19 janar 2026 deri më 18 shkurt 2026, ora 16:00.

    Për më shumë informacione dhe për të aplikuar, fermerët mund të vizitojnë linkun e AZHB-së:
    https://azhb-rks.net/sq/thirrje-per-aplikim.

  • Deliu-Kodra: Verifikimi i plotë i votës i domosdoshëm, manipulimi e dëmton demokracinë

    Deliu-Kodra: Verifikimi i plotë i votës i domosdoshëm, manipulimi e dëmton demokracinë

    Kandidatja për deputete e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulime në vota, duke theksuar se një gjë e tillë është një nga goditjet më të rënda ndaj demokracisë.

    Ajo ka deklaruar se verifikimi i plotë i votës dhe rinumërimi janë të domosdoshëm për të zbardhur realitetin dhe për të garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve.

    “Asgjë nuk e dëmton demokracinë më shumë sesa manipulimi i zgjedhjeve. Prandaj, verifikimi i plotë i votës dhe rinumërimi i procesit janë të domosdoshëm për të zbardhur realitetin. Çdo tentativë për të ndryshuar vullnetin qytetar duhet të trajtohet menjëherë dhe të pasohet me ndëshkim. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndaluar keqpërdorimet dhe për të rikthyer besimin te votuesit”.

  • Fikrim Damka: Po tentohet të zbehet imazhi im, KDTP do ti ketë dy deputetë në parlament!

    Fikrim Damka: Po tentohet të zbehet imazhi im, KDTP do ti ketë dy deputetë në parlament!

    Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave pas zgjedhjeve, duke theksuar se vullneti i qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të cenohet.

    Në një deklaratë për media, Damka tha se po e ndjek me vëmendje të lartë procesin e rinumërimit, duke nënvizuar se çdo ndërhyrje pas mbylljes së kutive të votimit përbën shkelje të drejtpërdrejtë të vullnetit të lirë të popullit.

    Reagimi i plotë:

    Deklaratë për Media nga Kryetari i KDTP-së:

    “Vullneti i popullit është i paprekshëm” ​Të nderuar qytetarë, të dashur bashkëveprimtarë; ​Unë jam duke ndjekur me përpikëri të madhe procesin e rinumërimit që po vazhdon pas procesit zgjedhor. Dua të bëhet e ditur se vullneti i popullit nuk është i hapur për asnjë ndërhyrje pasi të mbyllen kutitë e votimit. Çdo votë është një tregues konkret i besimit, mundit dhe djersës së popullit tonë ndaj nesh. Çdo dorë që zgjatet drejt vullnetit të lirë që del nga kutia e votimit, nuk është një mosrespektim vetëm ndaj personit tim, por drejtpërdrejt ndaj mundit dhe vullnetit të përbashkët të komunitetit turk të Kosovës. ​Sulmet dhe pretendimet e pabaza që kanë shënjestruar personin tim kohët e fundit kanë vetëm një qëllim: të hedhin hije mbi sukseset e arritura dhe të dobësojnë vullnetin tonë shoqëror.

    Ne jemi gjithmonë të hapur për çdo kritikë konstruktive dhe me qëllim të mirë; megjithatë, është e pamundur që këto atentate ndaj reputacionit, të kryera me qëllime të ndyra, të na kthejnë nga rruga jonë. E vërteta do ta gjejë patjetër vendin e saj, si në ndërgjegjen e popullit, ashtu edhe para drejtësisë.

    ​Askush nuk duhet të ketë dyshim se Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) do të përfaqësohet sërish me dy deputetë në parlament dhe në komuna; nën udhëheqjen time si Kryetar i Përgjithshëm, ne do të vazhdojmë rrugën tonë me vendosmëri së bashku me të gjitha degët tona. Me fuqinë institucionale të partisë sonë, mundin e organizatave tona në teren dhe sakrificën e bashkëveprimtarëve tanë, ne do të vazhdojmë të ruajmë si përfaqësimin tonë në parlament, ashtu edhe qëndrimin tonë të fortë para popullit tonë.

    Unë marr përsipër me të njëjtën vendosmëri përgjegjësinë për ta forcuar KDTP-në edhe më shumë dhe për ta dërguar drejt së ardhmes në unitet dhe vëllazëri. ​Pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, ne kurrë nuk do të heqim dorë nga vullneti ynë për t’i shërbyer popullit tonë. Ne nuk do të bëjmë kompromis në asnjë rrethanë me vendosmërinë tonë për të mbrojtur të drejtat dhe të ardhmen e komunitetit turk të Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.