ATV

Author: K.B.

  • Rinumërohen 687 vendvotime nga 2557 gjithsej

    Rinumërohen 687 vendvotime nga 2557 gjithsej

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendimin që të rinumërohen 2557 vendvotimet.

    Deri më tash, bazuar në përditësimin e fundit (07:40), janë rinumëruar 687 vendvotime, ku po vazhdon të ketë lëvizje te votat e kandidatëve për deputetë, transmeton Klankosova.tv.

    Nga përditësimi i fundit i KQZ-së, LVV del t’i ketë marrë 47.45% të votave, PDK 27.35%, LDK 10.32% dhe AAK 3.51%.

  • Mblidhet KPK-ja, ky është rendi i ditës

    Mblidhet KPK-ja, ky është rendi i ditës

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) sot mban mbledhjen e parë për këtë vit, në të cilin në rend dite është vendimi për shpalljen e thirrjes publike për kandidatura për kryesues dhe zëvendëskryesues të KPK-së.

    Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për zgjedhjen e kryesuesit dhe zëvendëskryesuesit të KPK-së në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ky takim pritet të fillojë nga ora 14:00.

    Ndryshe, nga ky muaj nis zbatimi i Ligjit për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) përmes të cilit parashihet që KPK të ketë 7 anëtarë, nga 13 anëtarë që kishte me ligjin e vjetër.

    Sai përket përbërjes së Këshillit, del se në këtë fillimvit anëtarë të KPK-së mbeten Visar Krasniqi, Dardan Vuniqi, Milot Krasniqi, Arian Gashi dhe ushtruesi detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

    Ndërsa, Elza Bajrami-Kastrati përmes rrugëve ligjore pranë gjykatës pret që të konfirmohet si anëtare e KPK-së, në bazë të mandatit të fituar më 1 nëntor 2025 në Konferencën e Përgjithshme të Prokurorëve të Shtetit. Në rast se Bajrami-Kastrati konfirmon mandatin edhe me vendim gjykate, KPK në përbërje do të ketë 6 anëtarë, duke mbetur që 1 pozitë të plotësohet prej Kuvendi.

    Së fundmi, Themelorja caktoi masë të sigurisë ndaj vendimit të KPK-së përmes të cilit ishte refuzuar certifikimi i rezultateve zgjedhore.

    Në fund të 2025-ës, ndodhi shkarkimi i kundërligjshëm i Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili u ankua në Gjykatë dhe sipas vendimeve gjyqësore, do duhej që të rikthehej në pozitën e tij.

    Por, vetëm një javë para vitit të ri 2026, Kelmendi kërkoi nga ky Këshill që ta lironte nga detyra, kërkesë kjo që u miratua nga anëtarët e Këshillit.

  • Acar në mëngjes, parashikimi i motit për sot

    Acar në mëngjes, parashikimi i motit për sot

    Për ditën e martë parashihet të mbretëroj mot kryesisht me kthjellime, e mëngjesi mbetet ende me temperatura të ulëta ndërmjet -8C e -4. Më vonë duke shkuar nga mbrëmja nga jugu fillojnë të shtohen vransira që mbulojnë vendin me kalimin në ditën e mërkurë.

    Temperaturat maksimale në një rritje të lehtë, luhaten ndërmjet 2C e 5C. Frynë erë mesatare jug-juglindore 5-11m/s, relieveve malore me hove edhe mbi 20m/s (70km/h).

    Mot kryesisht me vransira parashihet ditën e mërkurë, e që kohëpaskohe paraqiten mundësi për reshje të dobëta bore, apo edhe të përziera me shi gjatë ditës.

    Sa me kthjellime e vransira kalimare parashihet moti më pas nga dita e enjtë. Herë herë vransirat mund të shoqërohen me riga lokale shiu, apo reshje të dobëta bore.

    Temperaturat shënojnë rritje deri në 8C e 9C, ato maksimale, derisa minimalet zbresin në -2C e -1C. Frynë erë më e fuqishme juglindore ditën e mërkurë, me hove mbi 15m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • Çmimi i arit arrin rekord të ri pasi Trump kërcënon Evropën me tarifa

    Çmimi i arit arrin rekord të ri pasi Trump kërcënon Evropën me tarifa

    Aksionet në Evropë u dobësuan, ndërsa çmimi i arit arriti një kulm të ri pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me tarifa aleatët evropianë derisa të arrihej një marrëveshje për blerjen e Grenlandës nga SHBA.

    Çmimi i arit u rrit me 1.6% në 4,671 dollarë për ons (afërsisht 138 euro për gram), pasi arriti nivelin më të lartë historik.

    Presidenti amerikan njoftoi se do të vendoste një tarifë prej 10% për mallrat nga tetë vende evropiane duke filluar nga 1 shkurti.

    Trump nuk specifikoi nëse tarifa do të ishte përveç asaj që ato tashmë po paguajnë.

    Në përgjigje, Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e tarifave hakmarrëse prej 93 miliardë eurosh kundër SHBA-së, të shpallura më parë.

    Presidenti francez Emmanuel Macron thuhet gjithashtu se ka bërë thirrje për aktivizimin e të ashtuquajturit instrument “anti-forcë” të BE-së.

    I njohur si “bazuka tregtare”, instrumenti mund të bllokojë disa nga akseset e Amerikës në tregjet e BE-së ose të rezultojë në kontrolle të eksportit, ndër masa të tjera të mundshme.

    “Duke pasur parasysh lidhjet e tyre të thella ekonomike dhe financiare, si SHBA-ja ashtu edhe Evropa kanë aftësinë t’i imponojnë njëra-tjetrës pasoja të konsiderueshme, por vetëm me një kosto të madhe për veten e tyre”, tha Jonas Goltermann, ekonomist i lartë i tregjeve në kompaninë konsulente Capital Economics.

    “Si i tillë, rezultati më i mundshëm, sipas mendimit tonë, është që të dyja palët të pranojnë se një përshkallëzim i madh do të ishte humbje dhe se kompromisi përfundimisht mbizotëron”, shtoi ai.

  • Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut: Të njëjtin qëndrim e mbaj

    Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Abdixhikut: Të njëjtin qëndrim e mbaj

    Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se e mban qëndrimin e njëjtë për dorëheqjen e kreut të partisë, Lumir Abdixhikut.

    Bajrami, e cila dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë para disa ditësh, e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

    “E kam dhënë qëndrimin, të njëjtin qëndrim e mbaj”, tha ajo shkurt për gazetarët para mbledhjes së Kryesisë.

    Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të LDK-së, por fjalën e fundit për pranimin ose jo të dorëheqjes ka thënë se do ta ketë Kuvendi i LDK-së.

    Bajrami ishte nga ata që kanë shprehur pakënaqësinë që dorëheqja e Abdixhikut nuk ishte e parevokueshme.

  • Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

    Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

    Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se është zbardhur rasti i vjedhjeve në disa institucione arsimore, ndërsa pjesa më e madhe e pajisjeve të vjedhura tashmë u janë kthyer shkollave përkatëse.

    Sipas njoftimit, pajisjet e rikthyera u përkasin Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” në Smirë, SHFMU “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, si dhe Shkollës së Mesme Teknike IAAP “Jonuz Zejnullahu” në Viti.

    Me këtë rast, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Arta Ajeti, e shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve përkatëse, ka pranuar sot pajisjet që më herët ishin gjetur tek personat e dyshuar, pas ftesës nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Viti.

    Ajeti ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në zbardhjen e rastit, duke theksuar se kthimi i pajisjeve është i rëndësishëm për funksionimin normal të institucioneve shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor.

  • Kurti udhëton për në Davos, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kurti udhëton për në Davos, merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Davosit në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) mes liderëve të shumtë nga e gjithë bota. Në kuadër të WEF, Kosova do ta ketë për të dytin vit me radhë shtëpinë e saj.

    Kurti sipas njoftimit të Qeverisë do të marrë pjesë në ngjarjet dhe panelet e diskutimit që organizohen në Shtëpinë e Kosovës, krahas edhe takimeve zyrtare bilaterale me udhëheqës të lartë dhe investitorë në margjina të Forumit Ekonomik Botëror.

  • Bateritë për ruajtjen e energjisë do të vendosen në Sojevë të Ferizajt

    Bateritë për ruajtjen e energjisë do të vendosen në Sojevë të Ferizajt

    Ministria e Ekonomisë, Komuna e Ferizajt dhe KOSTT kanë nënshkruar marrëveshje përmes se cilës KOSTT merr pronësinë e ngastrës në Sojevë të Ferizajt ku do të vendosen bateritë 90 MWh për ruajtjen e energjisë.

    Me këtë marrëveshje siç ka njoftuar ministrja në detyrë e Ekonimisë, Artane Rizvanolli punimet për bateritë do të ecin përpara në kuadër të programit kompakt me MCC-në.

    “Bateritë do të ruajnë energji kur ka tepricë dhe do ta kthejnë në rrjet kur kërkesa rritet, për furnizim më të qëndrueshëm dhe kosto më të përballueshme. Partneriteti Kosovë-SHBA po kthehet në edhe një rezultat konkret: infrastrukturë që e bën energjinë më të sigurt për qytetarët”, ka shkruar ajo.

  • Vjedhja e votave, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve takon zv.drejtorin e Policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi

    Vjedhja e votave, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve takon zv.drejtorin e Policisë: Do të fillojë grumbullimi i provave në nivel vendi

    Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula është takuar me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, kolonel Fehmi Hotin.

    Prokuroria tha në një njoftim se “temë e diskutimeve të këtij takimi ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës”.

    “Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, informoi të pranishmit se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.

    Prokurorja Pula, sipas njoftimit, ka paralajmëruar se do të fillojë grumbullimi i provave të nevojshme në nivel vendi.

    “Nga ana tjetër zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme dhe në kuadër të kompetencave që ka do t’i shërbej kërkesave të prokurorëve të shtetit”, thuhet në njoftim.

    Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve ka nxjerrë dallime prej qindra deri në mijëra vota për kandidatët brenda subjekteve politike. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot në një mbledhje për rinumërim të plotë të të gjitha votave.

  • Dorëheqjet dhe pakënaqësitë me rezultatin zgjedhor, nis mbledhjen Kryesia e LDK-së

    Dorëheqjet dhe pakënaqësitë me rezultatin zgjedhor, nis mbledhjen Kryesia e LDK-së

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur mbledhjen e Kryesisë pas dorëheqjeve lidhur me rezultatin e dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e kishte paralajmëruar këtë mbledhje që pasi kishte ofruar dorëheqjen e tij. Nëdërsa para saj ishte mbajtur për pesë orë një mbledhje e “rrethit të ngushtë” të LDK-së.

    Pas kësaj mbledhje Abdixhiku njoftoi se ka dhënë dorëheqje Lumir Abdixhiku ka thënë se e ka paraqitur dorëheqjen e tij, dhe se pret nga Kuvendi i LDK-së ta pranojnë ose jo atë.

    Në LDK, dorëheqje ka dhënë nënkryetarja e partisë Hykmete Bajrami, ndërhsa dorëheqjen e ka paralajmëruar edhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti nëse Abdixhiku nuk largohet nga pozita e kryetarit. Bajrami e Hoti kanë kërkuar dorëheqje të parevokueshme të tij.