ATV

Author: K.B.

  • ShBA: Nuk do të ketë hetim federal për vrasjen e Renee Good

    ShBA: Nuk do të ketë hetim federal për vrasjen e Renee Good

    Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së (DOJ) ka njoftuar se nuk do të hetojë agjentin e Imigracionit dhe Doganave që qëlloi për vdekje Renee Nicole Good, 37 vjeçe, gjatë një proteste në Minneapolis më 7 janar.

    Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi se agjenti ka vepruar në vetëmbrojtje dhe se nuk ka arsye për një hetim federal, pavarësisht reagimeve të forta publike dhe protestave në Minesota, shkruan Aljazeera.

    Ndërkohë, raportime mediatike kanë ngritur pikëpyetje mbi vonesën e ndihmës mjekësore pas të shtënave, ndërsa familja e viktimës ka nisur një hetim civil të pavarur.

    DOJ ka konfirmuar gjithashtu nisjen e hetimeve ndaj guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, dhe kryebashkiakut të Minneapolisit, Jacob Frey, për dyshime se kanë inkurajuar pengimin e agjentëve federalë gjatë protestave.

  • Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

    Hamza kërkon rinumërim të plotë të votave në gjithë Kosovën pas mospërputhjeve të evidentuara

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas gjetjeve nga rinumërimi i pjesshëm i votave, duke i cilësuar si tepër shqetësuese mospërputhjet e mëdha të evidentuara gjatë këtij procesi.

    Në një reagim publik, Hamza ka vlerësuar se në rrethanat e krijuara, rinumërimi i plotë i votave në të gjithë Kosovën është hap i domosdoshëm dhe i drejtë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

    Ai ka theksuar se institucionet përgjegjëse kanë obligim kushtetues të veprojnë pa vonesë për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çdo hezitim apo vonesë në veprim cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

    Sipas Hamzës, transparenca dhe veprimi i menjëhershëm institucional janë thelbësore për ruajtjen e besimit publik dhe funksionimin demokratik të vendit.

  • Osmani solidarizohet me popullin e Spanjës pas aksidentit tragjik hekurudhor

    Osmani solidarizohet me popullin e Spanjës pas aksidentit tragjik hekurudhor

    Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet dhe është solidarizuar me popullin e Spanjës, pas një aksidenti të rëndë mes trenave, ku mbetën të vdekur së paku 39 persona.

    Përmes një postimi në X, Osmani uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

    “Lajm i dhimbshëm nga Spanja jugore pas një aksidenti tragjik hekurudhor që ka marrë shumë jetë dhe ka lënë shumë të tjerë të plagosur”.“Ngushëllimet tona të sinqerta për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe urimet tona për shërim të shpejtë të të gjithë të lënduarve. Kosova solidarizohet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar e para e vendit.

  • Gjithçka që dimë deri më tani për përplasjen mes trenave – nga ku mbetën disa të vdekur në Spanjë

    Gjithçka që dimë deri më tani për përplasjen mes trenave – nga ku mbetën disa të vdekur në Spanjë

    Të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë në kujdes intensiv pasi dy trena u përplasën në Spanjën jugore të dielën në mbrëmje, në atë që kryeministri, Pedro Sánchez, e quajti “një natë dhimbjeje të thellë për vendin”.

    Sipas raportimeve, një tren me shpejtësi të lartë i Iryo që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga binarët pranë komunës Adamuz në provincën e Kordobas rreth orës 7.40 të mbrëmjes së së dielës, duke kaluar në shinën tjetër ku goditi një tren që po vinte përballë.

    Treni i dytë, i cili operohej nga kompania shtetërore hekurudhore, Renfe, gjithashtu doli nga shinat dhe ra në një argjinaturë, thanë autoritetet.

    “Rreth 300 persona ishin në bord në kohën e aksidentit”, ka thënë Iryo.

    Guardia Civile dhe zjarrfikësit po punojnë intensivisht në vendngjarje për të evakuuar të gjithë pasagjerët dhe kanë ngritur një ekip të përbashkët reagimi ndaj emergjencave.

    Të hënën në mëngjes, shërbimet e emergjencës në Andaluzi thanë se 122 persona ishin trajtuar për lëndimet e tyre dhe 48 persona ishin ende në spital, nga të cilët 12 ishin në njësitë e kujdesit intensiv, përcjell Telegrafi.

    “Ka shumë të lënduar – ende po dridhem”, ka thënë për El País, María San José, 33 vjeçe, një pasagjere në trenin që doli i pari nga shinat.

    Një dëshmitar tjetër i tha transmetuesit publik RTVE se një nga vagonët e trenit të parë ishte përmbysur plotësisht.

    Një pasagjer i paidentifikuar në trenin e dytë – i cili po shkonte nga Madridi në Huelva – i tha transmetuesit publik TVE: “Kishte njerëz që bërtisnin, çantat e tyre ranë nga raftet. Po udhëtoja për në Huelva me vagonin e katërt – të fundit, për fat të mirë”.

    Shefi i zjarrfikësve të Kordobas, Paco Carmona, i tha TVE se ndërsa Iryo ishte evakuuar brenda pak orësh nga aksidenti, vagonët e Renfe ishin dëmtuar rëndë, me metal dhe sedilje të shtrembëruara.

    “Ka ende njerëz të bllokuar. Operacioni po përqendrohet në nxjerrjen e njerëzve nga zonat që janë shumë të ngushta”, tregoi ai. “Duhet të nxjerrim trupat për të arritur te kushdo që është ende gjallë. Po rezulton të jetë një detyrë e ndërlikuar”.

    Ndërsa ministri i transportit i Spanjës, Óscar Puente, theksoi se shkaku i aksidentit ende nuk ishte përcaktuar.

    Duke folur në një konferencë për shtyp në stacionin Atocha në Madrid, ai shtoi se ishte “shumë e çuditshme” që një dalje nga shinat të kishte ndodhur në një pjesë të drejtë të binarit. Ky seksion i binarit u rinovua në maj, tregoi ai.

    Puente bëri të ditur se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve kishin qenë në dy vagonët e parë të trenit të dytë.

    Ndërkohë, një gazetar nga transmetuesi publik RNE, i cili po udhëtonte në një nga trenat, tha se impakti ishte ndjerë si një tërmet.

    Pasagjerët kishin përdorur çekiçë emergjence për të thyer xhamat e vagonëve dhe për të dalë jashtë, tha ai.

    Raportet e mediave spanjolle sugjeruan se 400 persona kishin qenë në dy trenat.

    Imazhet televizive lokale treguan një qendër pritjeje të ngritur për pasagjerët në Adamuz, një qytet me 5,000 banorë, me vendasit që sillnin ushqim dhe batanije ndërsa temperaturat e natës luhateshin në rreth 6 gradë Celsius.

    Adif ka pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore midis Madridit dhe Andaluzisë.

    Aksidenti hekurudhor më vdekjeprurës në Spanjë këtë shekull ndodhi në korrik 2013, kur një tren që udhëtonte me 179 km/orë doli nga shinat në një pjesë të binarëve me një shpejtësi maksimale prej 50 km/orë në rajonin veriperëndimor të Galicisë, duke vrarë 80 persona.

  • Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, Kurti: Jemi thellësisht të prekur

    Aksidenti tragjik hekurudhor në Spanjë, Kurti: Jemi thellësisht të prekur

    Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë ku raportohet se vdiqën të paktën 39 persona.

    Përmes një shkrimi në X, Kurti shprehu pikëllimin e thellë për ngjarjen.

    Ai deklaroi se mendimet e tij janë me viktimat dhe familjet e tyre në këto momente të vështira.

    “Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Spanja për aksidentin tragjik të trenit që mori shumë jetë. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ekipeve të shpëtimit u urojmë forcë në përpjekjet e tyre,” shkroi Kurti.

    Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Spanjë dhe më gjerë, ndërsa autoritetet përkatëse po vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

  • Studimi: Kuajt nuhasin frikën e njeriut

    Studimi: Kuajt nuhasin frikën e njeriut

    Kuajt janë në gjendje të nuhasin frikën e njeriut dhe të reagojnë ndaj saj, tregon një studim i ri shkencor. Sipas studiuesve, era e trupit të personave të frikësuar ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e kuajve, duke i bërë ata më të trembur dhe më pak të afrueshëm.

    Hulumtimi u zhvillua nga shkencëtarë francezë, të cilët analizuan reagimin e kuajve ndaj erës së djersës njerëzore pas shikimit të filmave të frikshëm dhe atyre me përmbajtje pozitive.

    Gjatë eksperimenteve, vullnetarët panë skena nga filmi horror Sinister ose pamje të gëzueshme nga filma si Singin’ in the Rain, ndërsa mbanin copa pambuku nën sqetulla për të mbledhur erën e trupit. Këto mostra u vendosën më pas pranë hundës së kuajve.

    Rezultatet treguan se kuajt që u ekspozuan ndaj erës së frikës u trembën më lehtë, patën rritje të rrahjeve të zemrës dhe iu afruan më rrallë kujdestarëve të tyre, krahasuar me rastet kur ndienin erën e personave në gjendje të qetë ose të gëzuar.

    “Pa e kuptuar, ne u transmetojmë emocionet tona kafshëve”, tha Dr. Léa Lansade nga Universiteti i Tours. “Ky studim tregon se sa e fortë është lidhja mes njeriut dhe kafshëve.”

    Studiuesit theksojnë se nuhatja është një mjet i rëndësishëm komunikimi te kafshët, ndërsa ky studim tregon se sinjalet emocionale mund të kalojnë edhe mes specieve të ndryshme.

    Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Plotine Jardat, kalorësit dhe personat që kujdesen për kuajt duhet të jenë të vetëdijshëm për gjendjen e tyre emocionale.

    “Nëse njeriu është i qetë dhe pozitiv, edhe kali reagon më mirë. Por nëse je i frikësuar, kali e ndien këtë dhe mund të reagojë më fort ndaj situatave stresuese”, tha ajo.

    Studimi është publikuar në revistën shkencore PLOS One dhe i shtohet kërkimeve të mëparshme që tregojnë se edhe kafshë të tjera, si qentë, janë në gjendje të ndiejnë frikën e njeriut përmes erës.

  • Vjedhja e votave në Prizren, reagon Shaqir Totaj

    Vjedhja e votave në Prizren, reagon Shaqir Totaj

    Shaqir Totaj ka reaguar për herë të parë për manipulimet zgjedhore në Prizren. Kryetari i komunës ka thënë se do të kërkojë llogaridhënie për çdo shkelje të bërë.

    “Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me parregullsitë e evidentuara nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren. Çdo tentim për tjetërësim të votës është cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit të lirë të qytetarëve, i demokracisë zgjedhore dhe i vetë demokracisë së brendshme partiake.

    Si kryetar i degës së PDK-së në Prizren do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë, sepse çdo shkelje është përgjegjësi individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi. Kjo nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite, dhe këto veprime nuk e përfaqësojnë frymën dhe vlerat tona.

    Siguroj qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës di dhe do ta mbrojë vullnetin e votuesit dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar si gjithmonë me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij. Parregullsitë e shfaqura tek të gjitha partië, diku me shume e diku më pak, kërkojnë edhe një rivlerësim të terësishëm nga KQZ-ja dhe institucionet përkatëse të procesit të numërimit dhe menaxhimit të kujdesshëm që të ruhet deri në fund mbaravajtja dhe paprekshmëria e zgjedhjeve”, shkruan Totaj në reagim.

  • Dita e shtatë: Rinumërohen 558 nga 914 vendvotime

    Dita e shtatë: Rinumërohen 558 nga 914 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e diel, 19 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 61% apo 558 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave:

    Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (50/72).

    Sipas të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 20 komuna.

    Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

  • Vazhdon mbledhja dhe ruajtja e dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë

    Vazhdon mbledhja dhe ruajtja e dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë

    Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka njoftuar se po vazhdon me mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive autentike mbi krimet e luftës në Kosovë, duke pasuruar vazhdimisht fondin arkivor me materiale të vlefshme.

    “Fotoreporteri i njohur, Ridvan Slivova, ka bërë dorëzimin zyrtar të materialeve dokumentuese, të cilat përbëjnë dëshmi të çmuara që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e së vërtetës historike dhe drejtësisë”, thotë ky institut.

    Po ashtu Shefki Mexhuani, ish-drejtor Ekzekutiv i Fondit “Vendlindja Thërret”, me vendqëndrim në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe sigurojnë ruajtjen e dëshmive të rëndësishme për gjeneratat e ardhshme.
    “Në kuadër të këtij angazhimi, Gani Vila, drejtor i televizionit Albanian TV of America në SHBA, nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim të materialeve mediatike, të cilat kontribuojnë në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në ruajtjen e informacionit historik për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

    Ndër të tjera theksohet se stafi i IKKL-së zhvilloi gjithashtu një takim me gazetaren Ilire Zajmi, e cila u njoh nga afër me punën e Institutit, vizitoi arkivin dhe përgëzoi stafin për kontributin e vazhdueshëm, duke shprehur gatishmërinë për t’i dorëzuar Institutit materialet e saj dokumentare që pasqyrojnë krimet e luftës.

    Po ashtu, Selatin Novosella priti stafin e IKKL-së në Shoqatën e të Burgosurve Politikë në Prishtinë, ku i dhuroi Institutit pesë libra dhe nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit duke shprehur vullnet dhe gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë dhe për dorëzim të dokumenteve që dëshmojnë torturat, burgosjet dhe persekutimin e shqiptarëve nga represioni serb që nga viti 1945.

    Ndërkohë, Fadil Curri, publicist dhe aktivist, së bashku me Sadullah Krasniqin nga Komuna e Obiliqit, vizituan Institutin dhe dorëzuan botime librash që pasqyrojnë represionin e regjimit serb ndaj popullatës civile, duke kontribuuar në dokumentimin e luftës dhe ruajtjen e kujtesës historike.

    IKKL-ja ka shprehur mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut, sepse çdo material i ruajtur është një hap më afër së vërtetës, drejtësisë dhe pasuron kujtesën kolektive.

  • Për një javë, Policia në rajonin e Prishtinës sekuestroi 9 armë zjarri

    Për një javë, Policia në rajonin e Prishtinës sekuestroi 9 armë zjarri

    Policia në rajonin e Prishtinës javën e kaluar ka realizuar 141 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 38 për vepra penale.

    “Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 141 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 38 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj. Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.”

    Po ashtu janë sekuestruar 9 armë zjarri dhe janë shqiptuar mbi 5 mijë gjoba në trafik.

    “Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 9 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”

    “Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 5398 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 753 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.”