ATV

Author: K.B.

  • Alarmon kandidatja e PDK-së në Prizren: Jam më e dëmtuara, më janë hequr votat e familjes

    Alarmon kandidatja e PDK-së në Prizren: Jam më e dëmtuara, më janë hequr votat e familjes

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Nga 914 vendvotime që kanë shkuar në rinumërim, deri tani janë numëruar rreth 94 për qind e tyre.

    Sipas të dhënave paraprake, në listën e PDK-së po vërehen mospërputhje të theksuara në numrin e votave për disa kandidatë, çka ka ngritur shqetësime për manipulim të mundshëm gjatë procesit fillestar të numërimit.

    Lidhur me këtë ka reaguar edhe kandidatja për deputete nga kjo parti, Jona Hoxhaj. Ajo ka thënë se është më e dëmtuar në këtë proces, madje sipas saj janë hequr edhe votat e familjës së saj.

    Postimi i plotë:

    Si ish kandidate për deputete dhe aktiviste e partisë, e dënoj plotësisht aktin e manipulimit të votave dhe parregullsitë që u evidentuan nga procesi i rinumërimit të votave në Prizren.

    Është i papranueshëm çdo devijim i vullnetit qytetar dhe çdo cenim i votës, e cila është një e drejtë themelore e secilit qytetar.

    Vota e familjarëve të mi, e miqve, shoqeve e shokëve të mi, e bashkëpartiakëve të mi është prekur, është tjetërsuar dhe, në mënyrë të padrejtë, më është hequr. Kjo është një padrejtësi jo vetëm ndaj meje, por ndaj secilit që besoi dhe shprehu vullnetin e tij demokratik.

    Ndihem thellësisht falënderuese për mbështetjen nga secili prej jush që më keni shkruar gjatë kësaj periudhe.

    Duke qenë kandidatja më e dëmtuar nga lista e Prizrenit, kushdo që mban përgjegjësi për këtë dëm ka cenuar drejtpërdrejt të drejtën e njerëzve që besuan tek unë për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.

    Ky proces më motivon edhe më shumë të punoj më fort, drejtë, me dinjitet dhe, mbi të gjitha, të ec me kokën lart. Rruga që kam zgjedhur është e gjatë dhe standardi që ndjek është i lartë.

    Besoj se PDK-ja sikur në historinë e saj shumëvjecare politike, do të di ta adresojë përgjegjësinë, llogaridhënien dhe rikthej besimin qytetar. Demokrcia është e shenjtë dhe si të tillë e kemi të gjithë për obligim ta mbrojmë dhe kultivojmë.

    E juaja,

    Jona

  • Komuna e Drenasit njofton për aplikimet për pagesat direkte në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë

    Komuna e Drenasit njofton për aplikimet për pagesat direkte në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë

    Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), do të vazhdojë të mbështesë sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë përmes pagesave direkte për vitin 2025.

    Si pjesë e këtij programi, mbështetja jepet për këto aktivitete dhe kultura bujqësore: pagesa direkte për qumësht, therjet e raportuara të gjedhit, viçat për majmëri, zogjtë për majmëri (brojlerët) dhe akuakulturë.

    Afati i aplikimit fillon më 19 janar 2026 dhe mbaron më 18 shkurt 2026, ora 16:00.

    Kriteret që duhet të plotësojnë aplikuesit mund t’i gjeni në uebfaqet zyrtare të Ministrisë, AZHB-së dhe Komunës së Drenasit përmes këtyre linkeve: https://azhb-rks.net/sq/thirrje-per-aplikim
    https://gllogoc.rks-gov.net/shpalljet/

    Ky program synon përkrahjen e fermerëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor në komunën e Drenasit, duke përmirësuar rendimentin dhe sigurinë e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

  • Prokuroria aktivizohet në të gjitha komunat e Kosovës ku kishte rinumërim

    Prokuroria aktivizohet në të gjitha komunat e Kosovës ku kishte rinumërim

    Në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave do të fillohet me grumbullimin e informatave për keqpërdorimet në procesin zgjedhor

    Kështu ka bërë të ditur Sistemi Prokurorial i Kosovës përmes një reagimi.

    Më tutje në reagim thuhet se zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit në vazhdimësi ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.

    Postimi i plotë:

    Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokurori i Shtetit në vazhdimësi ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.

    Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

    Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme.

    Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

  • BE: Kosova e 13-a në botë për siguri strategjike, Mali i Zi befason, Serbia në rënie

    BE: Kosova e 13-a në botë për siguri strategjike, Mali i Zi befason, Serbia në rënie

    Sipas Normandy Index 2025, të përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS), Kosova renditet në vendin e 13-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë.

    Praktikisht, kjo e vendos Kosovën në top 10% të shteteve më reziliente globalisht dhe në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për siguri strategjike.

    Ky indeks nuk mat “sa i qetë duket” një shtet, por sa i ekspozuar është ndaj rreziqeve reale: destabilizim politik, dezinformim, presion të jashtëm, kriza ekonomike, pasiguri energjetike dhe kërcënime hibride. Është një instrument që përdoret nga Bashkimi Evropian për të kuptuar ku janë rreziqet dhe ku ka kapacitete reale për t’i përballuar ato.

    Si paraqitet Ballkani Perëndimor në këtë vlerësim:

    Kosova (13) del qartazi më e forta në rajon. Ka reziliencë të lartë institucionale dhe shoqërore; sfida kryesore mbetet përballja me dezinformimin, kryesisht të importuar nga jashtë.
    Shqipëria (20) paraqitet me një performancë solide dhe mbi shumicën e vendeve të rajonit, me rreziqe të menaxhueshme.
    Mali i Zi (21) është një nga surprizat pozitive të indeksit, duke shënuar një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara dhe duke u renditur ndër vendet me ngritjen më të madhe globale.
    Maqedonia e Veriut (26) shënon rënie të lehtë, kryesisht për shkak të tensioneve politike të brendshme dhe dobësive institucionale.
    Serbia (41) renditet dukshëm më poshtë. Indeksi identifikon probleme serioze në proceset demokratike dhe reziliencën ndaj dezinformimit. Raporti thekson gjithashtu se Serbia është anëtare themeluese e iniciativës 16+1 të udhëhequr nga Kina dhe mban lidhje të ngushta strategjike me Rusinë, faktorë që e rrisin ekspozimin e saj ndaj presioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride.
    Bosnja dhe Hercegovina (54) mbetet ndër më të brishtat në rajon, me institucione të dobëta, probleme të theksuara demokratike dhe rrezik të vazhdueshëm destabilizimi.
    Në plan më të gjerë, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë më pak të rrezikuara se mesatarja globale. Ndërkohë, raporti evidenton se Rusia dhe Kina janë ndër vendet me rënien më të madhe në profilin e sigurisë strategjike, ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë një nga përmirësimet më të mëdha.

    Mesatarja globale e indeksit për vitin 2025 është 5.79 nga 10, çka tregon një botë më të pasigurt se më parë, por jo ende jashtë kontrollit.

  • Popullsia e Kinës bie për të katërtin vit radhazi, lindjet arrijnë nivelin më të ulët historik

    Popullsia e Kinës bie për të katërtin vit radhazi, lindjet arrijnë nivelin më të ulët historik

    Popullsia e Kinës u ul për të katërtin vit me radhë në 2025, ndërsa numri i lindjeve ra në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave zyrtare.

    Popullsia u ul me 3.39 milionë, duke arritur në 1.405 miliardë, një rënie më e shpejtë se në 2024. Lindjet ranë në 7.92 milionë në 2025, nga 9.54 milionë në 2024, ndërsa vdekjet u rritën në 11.31 milionë nga 10.93 milionë në vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës (NBS). Norma e lindshmërisë ra në 5.63 lindje për çdo 1 mijë banorë.

    Yi Fuxian, demograf në Universitetin e Wisconsin-Madison, tha se lindjet në 2025 ishin “afërsisht në të njëjtin nivel si në vitin 1738, kur popullsia e Kinës ishte vetëm rreth 150 milionë.”

    Norma e vdekshmërisë në Kinë në 2025 ishte 8.04 për çdo 1mijë banorë, niveli më i lartë që nga viti 1968. Popullsia ka nisur të zvogëlohet që nga 2022 dhe po plaket shpejt, duke e komplikuar planin e Pekinit për të rritur konsumimin e brendshëm dhe për të kontrolluar borxhin.

    Sipas të dhënave të NBS, personat mbi 60 vjeç përbëjnë rreth 23% të popullsisë totale. Deri në 2035, parashikohet që numri i personave mbi 60 vjeç të arrijë 400 milionë, sa popullsia e SHBA-ve dhe Italisë së bashku, që do të thotë se qindra miliona njerëz do të dalin nga forca punëtore në një kohë kur buxhetet për pensione janë tashmë të ngarkuara. Kina ka rritur tashmë moshën e daljes në pension: burrat pritet të punojnë deri në 63 vjeç, nga 60 më parë, dhe gratë deri në 58 vjeç, nga 55 më parë.

    Martesat në Kinë ranë me një të pestën në 2024, rënia më e madhe e regjistruar ndonjëherë, me mbi 6.1 milionë çifte që u martuan, nga 7.68 milionë në 2023. Martesat janë zakonisht një tregues kryesor i lindshmërisë në vend.

    Demografët thonë se vendimi në maj 2025 për të lejuar çiftet të martohen kudo në vend, jo vetëm në vendbanimin e tyre, mund të sjellë një rritje të përkohshme të lindjeve.

    Në tremujorin e tretë të 2025, martesat u rritën me 22.5% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur 1.61 milionë, duke e vënë Kinën në rrugë për të ndalur një rënie prej dekadash. Të dhënat e plota për 2025 do të publikohen më vonë gjatë vitit.

    Autoritetet po përpiqen gjithashtu të promovojnë “qasje pozitive ndaj martesës dhe lindjeve” për të kundërshtuar efektet afatgjata të politikës së një fëmije, që ishte në fuqi nga 1980 deri në 2015, e cila ndihmoi në uljen e varfërisë, por ndryshoi strukturën e familjeve dhe shoqërisë kineze.

    Lëvizja e popullsisë ka përkeqësuar sfidën demografike, me shumë njerëz që zhvendosen nga zonat rurale në qytete, ku rritja e fëmijëve është më e shtrenjtë. Norma e urbanizimit në Kinë ishte 68% në 2025, nga rreth 43% në 2005.

    Politikëbërësit e kanë bërë planifikimin e popullsisë një pjesë të rëndësishme të strategjisë ekonomike të vendit. Sipas vlerësimeve të Reuters, Pekini mund të përballet me kosto prej rreth 180 miliardë juanësh (25.8 miliardë dollarë) për të rritur lindjet këtë vit.

    Masat përfshijnë një subvencion kombëtar për fëmijët, të prezantuar vitin e kaluar, dhe një angazhim që nga 2026 gratë të mos kenë “shpenzime personale” gjatë shtatzënisë, me të gjitha kostot mjekësore, përfshirë IVF të rimbursuara plotësisht nga fondi kombëtar i sigurimeve shëndetësore.

    Kina ka një nga normat më të ulëta të fertilitetit në botë, me rreth një lindje për çdo grua, shumë më poshtë normës së zëvendësimit prej 2.1. Vende të tjera në Azinë Lindore, përfshirë Tajvanin, Korenë e Jugut dhe Singaporin, kanë nivele po aq të ulëta fertiliteti, rreth 1.1 lindje për çdo grua.

    Grupi i grave në moshë riprodhuese të definuara nga OKB si gratë nga 15 deri në 49 vjeç, parashikohet të zvogëlohet me më shumë se dy të tretat, duke u ulur nën 100 milionë deri në fund të këtij shekulli.

  • DnV: Runimërimi i plotë i pashmangshëm, të hetohen edhe kandidatët

    DnV: Runimërimi i plotë i pashmangshëm, të hetohen edhe kandidatët

    Demokracia në Veprim ka kërkuar rinumërim të plotë në nivel vendi të votave të 28 dhjetorit.

    Sipas tyre duhet hetuar edhe të gjithë kandidatët për deputete që janë të përfshirië.

    “Në mënyrë të veçantë, DnV vlerëson se hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit. Modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar brenda dhe nëpër komuna të caktuara, krijojnë bazë të arsyeshme për dyshimin se këto nuk janë produkte të gabimeve njerëzore apo të rastësisë, por të veprimeve të qëllimshme të komisionerëve. Për rrjedhojë, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës.”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    Një javë pas publikimit të gjetjeve të para dhe pas konfirmimit të devijimeve masive në numërimin e votave preferenciale për kandidatë në disa komuna, shmangia nga vendimi për një rinumërim të plotë në nivel vendi po e thellon krizën e besimit në integritetin e procesit zgjedhor.

    Devijime të konsiderueshme janë evidentuar jo vetëm në komunat ku është bërë rinumërim i plotë, por edhe në një pjesë të komunave, vendvotimet e së cilave janë të përfshira në mostrën prej 10%. Kjo tregon se fenomeni nuk është i izoluar dhe se përmasa reale e shtrembërimit të votës së kandidatëve nuk mund të vlerësohet me siguri përmes rinumërimeve selektive.

    Në këtë kontekst, rinumërimi i pjesshëm, sado i zgjeruar, nuk garanton besueshmërinë e rezultatit përfundimtar. Vetëm një rinumërim i plotë i votave preferenciale në të gjitha komunat mund të sigurojë se vullneti i votuesve është reflektuar saktë dhe se nuk ka vendvotime të mbetura jashtë verifikimit, të cilat mund të ndikojnë në renditjen dhe mandatin e kandidatëve. Kjo mbetet mënyra e vetme për rikthimin e besimit publik dhe për mbylljen përfundimtare të çdo dileme mbi legjitimitetin e rezultateve.

    Paralelisht, DnV vlerëson se gjetjet e deritanishme krijojnë bazë të mjaftueshme që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë çështje me prioritet dhe me një qasje të koordinuar dhe hetim gjithëpërfshirës në nivel vendi. Një qasje e tillë do të mundëson sqarimin e përgjegjësive individuale, por edhe identifikimin e çdo modeli të mundshëm të veprimeve të koordinuara që mund të kenë cenuar integritetin e numërimit.

    Në mënyrë të veçantë, DnV vlerëson se hetimi duhet të shtrihet përtej nivelit teknik të procesit të numërimit. Modelet e përsëritura të devijimeve në favor të kandidatëve të caktuar brenda dhe nëpër komuna të caktuara, krijojnë bazë të arsyeshme për dyshimin se këto nuk janë produkte të gabimeve njerëzore apo të rastësisë, por të veprimeve të qëllimshme të komisionerëve. Për rrjedhojë, edhe kandidatët që rezultojnë përfitues nga këto mospërputhje dhe manipulime duhet të jenë pjesë e hetimeve, në mënyrë që të sqarohet nëse ka pasur nxitje, koordinim apo përfshirje direkte apo indirekte në manipulimin e votës.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të dyshuari për vrasje në tentativë në Prizren

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të dyshuari për vrasje në tentativë në Prizren

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, përmes Sektorit Rajonal të Hetimeve, është duke zhvilluar hetime intensive lidhur me veprën penale “Vrasje në tentativë”, e cila ka ndodhur më 05 janar 2026, rreth orës 22:50, në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.

    Sipas Policisë, atë mbrëmje janë raportuar të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave dy persona kanë mbetur të plagosur. Të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

    Nga ekipi mjekësor është konfirmuar se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë, por po vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor.

    Policia ka identifikuar dhe arrestuar disa persona të përfshirë në rast, mirëpo një nga të dyshuarit ndodhet ende në arrati. I dyshuari që po kërkohet është:

    Egzon Besim Reshani, i lindur më 05.07.1992, me vendbanim në rrugën Shkëlzen Dragaj nr. 10, Prizren.

    Me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe arrestimit të të dyshuarit, Policia e Kosovës kërkon bashkëpunim nga qytetarët. Të gjithë ata që kanë çfarëdo informate për vendndodhjen e të dyshuarit, ftohen të kontaktojnë Policinë në Prizren në numrin 192, përmes rrjeteve sociale zyrtare të Policisë, apo në cilindo stacion policor në Kosovë.

    Policia garanton konfidencialitet të plotë për qytetarët që ofrojnë informacione.

  • Viti i Kalit, çfarë sjell 2026-a sipas astrologjisë kineze

    Viti i Kalit, çfarë sjell 2026-a sipas astrologjisë kineze

    Viti 2026 pritet të jetë ndryshe dhe më dinamik, pasi sipas astrologjisë kineze i përket Vitit të Kalit. Karakteristikat kryesore të kësaj periudhe janë forca, pavarësia, krijimtaria dhe fillimet e reja.
    Miu

    Për ata që kanë lindur në shenjën e Miut, viti 2026 mund të sjellë situata të papritura. Çështjet financiare, projektet profesionale apo marrëveshjet mund të ndryshojnë shpejt, ndaj është e rëndësishme të ecësh me kujdes dhe jo me nxitim. Përdore këtë vit për të rishikuar, riorganizuar dhe forcuar atë që tashmë funksionon. Qëndro praktik dhe i përqendruar për të menaxhuar energjinë e zjarrtë të Kalit me vetëbesim të qetë. Balanca dhe qartësia do të të ndihmojnë të përparosh gradualisht gjatë gjithë vitit.

    Demi (Bualli)

    Bualli i qëndrueshëm ftohet të mbetet i rrënjosur, por njëkohësisht të përshtatet me ritme më të shpejta. Do të ndihesh i motivuar për të zgjeruar punën ose për të provuar diçka të re, por suksesi vjen kur lëviz hap pas hapi. Fleksibiliteti mund të sjellë shpërblime të papritura, edhe nëse në fillim ndihesh jashtë rehatisë. Qëndro i organizuar, beso në këmbënguljen tënde dhe mbaj mendje të hapur. Me durim dhe fokus, sfidat shndërrohen në mundësi.

    Tigri

    Në vitin 2026, Kali forcon natyrshëm fuqinë dhe guximin e Tigrit. Është viti yt për të shkëlqyer, një periudhë lidershipi, vetëbesimi dhe hapash të guximshëm. Idetë e tua tërheqin vëmendje dhe mundësitë për vlerësim shfaqen shpejt. Megjithatë, ritmi i lartë kërkon kujdes. Balanco veprimin me pushimin dhe kujdesin për veten. Me fokus dhe qëllim të qartë, mund të bësh hapa të fuqishëm si në karrierë, ashtu edhe në synimet personale. 2026 mund të jetë një nga vitet më fuqizuese për ty.

    Lepuri

    Këtë vit, Lepuri merr një shtysë të butë për të dalë nga zona e rehatisë. Energjia e Kalit është më e shpejtë nga sa do të doje, ndaj ec me ritmin tënd dhe dëgjo intuitën. Do të ketë mundësi për lidhje, bashkëpunime dhe rritje, por qartësia dhe vendosja e kufijve janë thelbësore. Shmang vendimet e nxituara dhe mos u ndikoni nga ritmi i të tjerëve. Me përqendrim të qetë dhe energji të balancuar, planet e tua të heshtura mund të shndërrohen në sukses të qëndrueshëm.

    Dragoi

    Kali i fton Dragojt të rishikojnë qëllimet e tyre, të lënë pas modele të vjetra dhe të ndërtojnë baza më të forta. Ndryshime në karrierë ose në jetën personale janë të mundshme, por secila prej tyre të afron më shumë me suksesin afatgjatë. Besoji instinkteve dhe menaxho kohën në mënyrë strategjike. Vetëbesimi yt natyror, i kombinuar me durim dhe fleksibilitet, do të të ndihmojë të kapërcesh pasiguritë. Përpjekjet e këtij viti do të japin rezultate konkrete.

    Gjarpri

    Për Gjarprin, viti 2026 është një periudhë reflektimi dhe force të qetë. Edhe pse Kali sjell ndryshime të jashtme, fuqia jote e vërtetë qëndron te strategjia dhe qetësia e brendshme. Merr kohë para se të veprosh dhe lëre intuitën të udhëheqë vendimet e tua. Kushto rëndësi mirëqenies, pushimit dhe ekuilibrit. Thjeshto angazhimet dhe lë pas atë që nuk të shërben më. Me durim dhe qetësi, do t’i përballosh ndryshimet me elegancë dhe ndjesi rinovimi.

    Kali

    Ky është viti yt për të shkëlqyer, i mbushur me vetëbesim, entuziazëm dhe guxim. Mundësitë shfaqen shpejt, duke sjellë njohje dhe zhvillim dinamik, por kërkohet masë për të shmangur lodhjen e tepërt. Planifiko paraprakisht dhe shmang vendimet impulsive. Kur energjia jote kombinohet me përqendrim dhe vetëdije, viti 2026 mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në dashuri, punë dhe zhvillim personal. Është një periudhë lidershipi autentik dhe shprehjeje të lirë.

    Dhia ose Delja

    Viti 2026 rrjedh qetë për Dhien, e njohur edhe si Delja. Kali forcon krijimtarinë, marrëdhëniet dhe shprehjen emocionale, duke të inkurajuar të kujdesesh për atë që ka vërtet vlerë. Do të ndihesh i vlerësuar për mirësinë dhe ndjeshmërinë artistike. Megjithatë, përqendrimi dhe objektivat e qarta janë të domosdoshme për ta kthyer frymëzimin në rezultat. Kombino imagjinatën me disiplinën dhe do të arrish harmoni dhe sukses në disa fusha.

    Majmuni

    Për Majmunin inteligjent, viti 2026 është i shpejtë dhe plot mundësi. Kali sjell ide të reja dhe raste të favorshme, por edhe shpërqendrime. Përqendrimi është çelësi. Zgjidh një ose dy prioritete kryesore dhe përkushtoju atyre. Bashkëpunimi dhe komunikimi hapin dyer të rëndësishme, për sa kohë shpreh idetë qartë. Nëse qëndron i ekuilibruar mes kaosit, mund ta kthesh frymëzimin spontan në sukses të vërtetë.

    Gjeli

    Viti 2026 është ideal për përmirësim, riorganizim dhe ngritje graduale. Disiplina dhe vëmendja ndaj detajeve mbeten pikat e tua të forta, por Kali kërkon më shumë fleksibilitet. Ji i hapur ndaj ndryshimeve në rutinë dhe metodave të reja. Këtë vit, përparimi vlen më shumë se përsosmëria. Me ekuilibër mes fokusit dhe krijimtarisë, do të ndërtosh themele të forta për rritjen e ardhshme.

    Qeni

    Për Qenin besnik, viti 2026 sjell progres të qëndrueshëm dhe bashkëpunime me vlerë. Kali nxjerr në pah besueshmërinë dhe aftësitë e tua drejtuese, duke të dhënë respekt dhe besim. Mund të të kërkohet të udhëheqësh ose të mbështesësh të tjerët, por kujdesu të ruash balancën dhe hapësirën personale. Ndryshime të papritura mund të ndodhin, por do të rezultojnë pozitive nëse qëndron fleksibël. Viti të ofron zhvillim dhe stabilitet me rezultate konkrete.

    Derri

    Derri hyn në vitin 2026 me frymëzim dhe ndjenjë rinovimi. Kali forcon krijimtarinë dhe optimizmin, duke të nxitur të ndjekësh ëndrrat që burojnë nga zemra. Fillime të reja në dashuri, stil jetese apo aktivitete profesionale janë të mundshme, për sa kohë ruan një ritëm të balancuar. Kujdesu për mirëqenien dhe kultivo mirënjohjen. Me përpjekje të qëndrueshme dhe qetësi shpirtërore, mund ta kthesh frymëzimin në bollëk të qëndrueshëm dhe lidhje të thellë me qëllimin tënd jetësor.

  • Këta janë kandidatët e Vetëvendosjes që iu hoqën votat pas rinumërimit

    Këta janë kandidatët e Vetëvendosjes që iu hoqën votat pas rinumërimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar rinumërimin e votave në 560 vendvotime.

    Rezultatet po tregojnë një numër të madh të keqpërdorimeve që kanë ndodhur në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Numër i madh votash po dyshohet se janë vjedhur brenda partive, shkruan Insajderi.

    Në Lëvizjen Vetëvendosje më së shumti vota i janë hequr kandidatëve Arbër Rexhaj, Rea Krasniqi, Dafina Alishani, Valon Ramadani, Mytaher Haskuka.

    Më poshtë lista e plotë e atyre që sipas KQZ-së keqpërdoruan votat:

    Albin Kurti -112

    Ejup Maqedonci -182

    Artan Abrashi -248

    Arbër Rexhaj -624

    Mytaher Haskuka -279

    Haxhi Avdyli -51

    Dafina Alishani -467

    Ilir Gashi -51

    Jeton Raka -55

    Edona Llaloshi -19

    Filiz Mustafa -205

    Nita Shehu -12

    Arsim Berisha -280

    Taulant Kelmendi -17

    Rea Krasniqi -540

    Adelina Grainca -2

    Ali Dula -25

    Valon Hoti -30

    Agim Bahtiri -14

    Valon Ramadani -431

    Ilir Kërçeli -22

    Fitim Haziri -52

    Drita Pajaziti – 58

    Afërdita Hajrizi -33

    Fahrush Rexhepi -17

    Shqipe Isufi -32

    Ejup Ahmeti -8

    Agon Batusha -13

    Vendenis Lahu -241

    Donjeta Ismajli -8

    Adelina Stublla -159

    Besnik Shala -13

    Skender Thaqi -35

    Vigan Qorrolli -3

    Kaltrina Gruda -22

    Albert Selisha -3

    Burim Demiri -9

    Tafil Peci -5

    Gazmend Krasniqi -38

    Agon Dobruna -21

    Shefqet Gjocaj -8

    Majlinda Nushi Limani -8.

  • Kërcënimi i Abdixhikut nxit reagime, zyrtari i LDK-së e kundërshton: Nuk e meriton të jesh kryetar

    Kërcënimi i Abdixhikut nxit reagime, zyrtari i LDK-së e kundërshton: Nuk e meriton të jesh kryetar

    Procesi i rinumërimit të një pjese të votave i cili ka hedhur në pah fenomenin e tjetërsimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike, ka nxitur një tjetër debat në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ndodhet në prag të një kuvendi të jashtëzakonshëm.

    Kryetari aktual Lumir Abdixhiku, i cili ka paraqitur dorëheqjen, ka kërcënuar me pasoja zyrtarët e partisë të cilët dyshohet të kenë tjetërsuar votat e kandidatëve të tjerë.

    Abdixhiku ka thënë se të dyshuarit do të thirren para përgjegjësisë pas zhvillimeve në Kuvendin e LDK-së.

    “Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja”, ka deklaruar kryetari i LDK-së të dielën, ndërsa i është vënë në mbrojtje ish-deputetit të afërt me të, kryetarit të Forumit Rinor, Paris Gurit.

    “Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”.

    Kërcënimi i Abdixhikut ka nxitur reagimin e një anëtari të moçëm të LDK-së, ish-kryetarit të Komunës së Kamenicës dhe ish-kandidatit për kryetar në zgjedhjet e fundit lokale, Shaip Surdullit.

    Surdulli e ka cilësuar Abdxihikun figurë përçarëse që bën diferencime brenda partisë.

    “Pajtohem plotësisht që vota duhet mbrojtur edhe nga jasht edhe nga mbrenda subjektit politik dhe nuk duhet pasur kompromis ligjor e as partiak për keqpërdoruesit e votave, por shumë po ta zë për të madhe që ia ke humbur qëllimit dhe kuptimit duke i dalluar gjeneratat”, ka shkruar Surdulli në një postim në Facebook të dielën.

    “Normalisht të gjithë jemi që t’i japim përparësi të rinjëve. Edhe ne për këtë arsyeje iu kemi votuar juve si i ri për ta udhëhequr LDK-në, por pa iu njohur. Ju jeni kryetar i të gjithëve, LDK nuk ka njerëz tepër me bërë diferencime, por fatkeqësisht kjo është logjika e juaj që nga fillimi i udhëheqjes së LDK-së”, ka thënë Surdulli.

    Sipas Surdullit, Abdixhiku është duke llogaritur në përkrahje nga delegatët e Kuvendit të LDK-së që të shpëtojë në krye të partisë.

    “Ju ndoshta mund të llogarisni te delegatët e kuvendit të LDK-së që janë me numra të caktuar që të shpëtoni por më vjen keq që nuk e meriton me udhëhequr LDK-në, sepse LDK duhet të ketë një kryetar më unifikues dhe që e rrit subjektin e jo sikur ju”, ka deklaruar ai.