ATV

Author: K.B.

  • NATO kufizon aksesin e SHBA-ve në informacionet e inteligjencës për Grenlandën

    NATO kufizon aksesin e SHBA-ve në informacionet e inteligjencës për Grenlandën

    NATO ka kufizuar aksesin e Shteteve të Bashkuara në informacionet e inteligjencës që lidhen me Grenlandën, nga frika se këto të dhëna mund të përfundojnë në duart e presidentit Donald Trump. Sipas shqetësimeve brenda Aleancës, ekziston rreziku që informacionet të përdoren në të ardhmen për një përpjekje të mundshme për pushtimin ushtarak të këtij territori gjysmë-autonom danez.

    Lajmi është raportuar nga e përditshmja britanike The i Paper, pjesë e grupit mediatik Daily Mail and General Trust, duke cituar burime të informuara. Sipas këtyre burimeve, përfaqësuesit e NATO-s nuk “komunikojnë më hapur” me homologët amerikanë për çështje që lidhen me Groenlandën.

    Groenlanda ka një rëndësi të veçantë strategjike për shkak të pozicionit të saj gjeografik në Arktik, pasurive natyrore dhe rolit kyç në sistemet e mbrojtjes dhe vëzhgimit ushtarak. Donald Trump ka shprehur publikisht interes për blerjen e Groenlandës nga Danimarka, një ide që u refuzua kategorikisht nga Kopenhaga dhe autoritetet lokale, duke shkaktuar tensione diplomatike mes palëve.

    Një burim i inteligjencës britanike, i cituar nga The i Paper, ka deklaruar gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar synon të “dyfishojë përpjekjet” dhe të forcojë partneritetin me vendet e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes.

    Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Londrës dhe Washingtonit ndodhen në nivelin më të ulët që nga vitet 1950, pas kërcënimeve të bëra nga Trump ndaj Danimarkës.

  • Zjarr në shkollën “Sylejman Vokshi” në Deçan, mësimi vazhdon pa ndërprerje

    Zjarr në shkollën “Sylejman Vokshi” në Deçan, mësimi vazhdon pa ndërprerje

    Një incident zjarri ka ndodhur sot rreth orës 02:00 të mëngjesit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sylejman Vokshi” në Deçan, ku është dashur ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij.

    Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, i cili ka bërë të ditur se zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i tij ende nuk dihet.

    “Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore ‘Sylejman Vokshi’ për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur,” ka deklaruar Hulaj.

    Sipas tij, për rastin janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat po merren me hetimin.

    “Menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore,” ka shtuar ai.

    Hulaj ka theksuar se pavarësisht incidentit, procesi mësimor në këtë shkollë nuk do të ndërpritet, pasi objekti shkollor ka alternativa për ngrohje.

    “Njoftojmë opinionin publik se procesi mësimor në Shkollën Fillore ‘Sylejman Vokshi’ do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje,” ka bërë të ditur drejtori i Arsimit.

    Në fund, Hulaj ka falënderuar të gjitha institucionet e angazhuara për reagimin e shpejtë.

    “Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës,” ka përfunduar ai.

  • Rinumërimi i votave është përmbyllur në 6 komuna

    Rinumërimi i votave është përmbyllur në 6 komuna

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

    Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 20 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar 688 nga 2,557 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/51), Gjakovë (15/145), Gllogoc (7/73), Gjilan (13/130), Dragash (57/57), Istog (6/62), Kaçanik (45/45), Klinë (6/63), Fushë Kosovë (6/62), Kamenicë (5/50), Mitrovicë e Jugut (10/102), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/85), Novobërdë (2/23), Obiliq (3/33), Rahovec (8/78), Pejë (14/139), Podujevë (11/110), Prishtinë (26/262), Prizren (235/235), Skënderaj (72/72), Shtime (34/34), Shtërpcë (2/17), Suharekë (9/89) dhe Ferizaj (63/152

    Sipas këtyre të dhënave, deri më tani rinumërimi është përmbyllur plotësisht në 6 komuna

    Sipas vendimit të parë të KQZ-së, më 13 janar 2026, në 10 komuna ishte planifikuar të rinumëroheshin 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, vetëm nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut). Pas vendimit të dytë të KQZ-së, më 19 janar 2026, në proces të rinumërimit do të përfshihen edhe vendvotimet tjera të këtyre komunave.

  • Gjenerata Z në Bangladesh pritet të përcaktojë kryeministrin e ardhshëm

    Gjenerata Z në Bangladesh pritet të përcaktojë kryeministrin e ardhshëm

    Të rinjtë në Bangladesh, të cilët përbëjnë rreth 44 për qind të elektoratit, pritet të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet kombëtare të 12 shkurtit, të parat pas rrëzimit nga pushteti të ish-kryeministres, Sheikh Hasina në vitin 2024.

    Pas gati 15 vitesh qeverisjeje dhe zgjedhjeve të kontestuara, protestat masive të udhëhequra kryesisht nga studentë dhe të rinj çuan në largimin e Hasinës, pas një përplasjeje të dhunshme ku, sipas OKB-së, u vranë deri në 1.400 persona, shumica të rinj, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.

    Rreth 56 milionë votues të moshës 18-37 vjeç do të votojnë këtë vit, shumë prej tyre për herë të parë në një proces që vlerësohet si realisht konkurrues. Bashkimi Evropian e ka cilësuar këtë proces si zgjedhjen më të madhe demokratike të vitit 2026.

    Zgjedhjet po zhvillohen mes dy blloqeve kryesore politike, pasi partia e Hasinës është ndaluar nga aktiviteti politik. Ndërkohë, aleancat e reja, përfshirë ato të partive të dala nga protestat, kanë shkaktuar zhgënjim te një pjesë e të rinjve.

    Analistët thonë se votuesit e rinj janë më pak të lidhur me ideologji dhe më shumë të fokusuar te siguria, liritë civile, mundësitë ekonomike dhe fundi i korrupsionit. Megjithatë, përfaqësimi i grave mbetet shumë i ulët, me vetëm rreth 4 për qind të kandidatëve gra.

    Pavarësisht skepticizmit, pjesëmarrja e lartë e të rinjve shihet si shenjë e një ndryshimi të thellë politik, me pritshmëri që ata të ndikojnë drejtpërdrejt në formësimin e qeverisë së ardhshme të Bangladeshit.

  • Enver Hoxhaj në Davos, po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Enver Hoxhaj në Davos, po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror

    Enver Hoxhaj ka njoftuar se ka mbërritur në Davos të Zvicrës, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale që mbledh liderë shtetërorë.

    Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me video nga Davosi, Hoxhaj ka theksuar se po merr pjesë në diskutime të nivelit të lartë që kanë në fokus zhvillimet ekonomike, politike dhe sfidat globale që formësojnë të ardhmen.

    “Sapo arrita në Davos, Zvicër 🇨🇭 Po marr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, mes liderëve botërorë dhe diskutimeve që formësojnë të ardhmen.”, ka shkruar Hoxhaj.

    Forumi Ekonomik Botëror në Davos shërben si platformë kyçe për dialog ndërkombëtar mbi sigurinë, ekonominë globale, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke ofruar mundësi për shkëmbim pikëpamjesh dhe ndërtim bashkëpunimi mes aktorëve kryesorë botërorë.

  • Kurti ftohet në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, merr pjesë në panelin me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”

    Kurti ftohet në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, merr pjesë në panelin me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”

    Agjenda e ditës së sotme në Davos nisi në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është ftuar për të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”.

    Në përgjigjet ndaj pyetjeve të adresuara në kuadër të panelit, kryeministri Kurti shprehu se besimi shërben si shtyllë e shërbimit dhe unitetit, në etapa të ndryshme shoqërore dhe shtetërore. Kryeministri shtoi se optimizmi edhe për të ardhmen rrjedh nga përpjekjet dhe aktivizmi ynë i vazhdueshëm.

    Ky panel është pjesë e iniciativës së lansuar nga Forumi Ekonomik Botëror i quajtur “Komuniteti i Besimit në Veprim”, i cili synon të reflektojë mbi mënyrën se si udhëheqës anekënd botës mund të ndërtojnë partneritete inovative mbi mjedisin, ekonominë dhe teknologjinë, duke shqyrtuar mënyrat se si liderët mund të përshpejtojnë bashkëpunimin në aktualitetin shoqëror.

  • U raportua se u përshkroi ilaçe të kafshëve fëmijëve autikë, policia aktivizohet për rastin e Arianit Sllamnikut

    U raportua se u përshkroi ilaçe të kafshëve fëmijëve autikë, policia aktivizohet për rastin e Arianit Sllamnikut

    Policia e Kosovës është aktivizuar pasi ditën e djeshme u raportua se një person po shet ilaçe në vlerë mijëra euro fëmijëve, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Arianit Sllamniku ka publikuar edhe në rrjetin e tij social Facebook postime të kinse trajtimit të këtyre rasteve.

    Rasti po trajtohet nga ana e policisë.

    Kjo u konfirmua për gazetën online Reporteri.net nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    “Mund të ju konfirmojmë se në lidhje me rastin për të cilën keni pyet, ky rast është duke u trajtuar nga ana e policisë së Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera përkatëse. Për vazhimin e hetimeve lidhur me këtë rast do të ju njoftojmë me kohë”, deklaroi Hashani.

    Për rastin reagoi dje edhe Ministria e Shëndetësisë. Ministria iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.

    “Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagim.

  • Nëse çorapet ju lënë shenja në këmbë, ja çfarë po sinjalizon trupi

    Nëse çorapet ju lënë shenja në këmbë, ja çfarë po sinjalizon trupi

    Gjurmët e theksuara nga çorapet mund të jenë më shumë sesa problem estetik – në disa raste, ato tregojnë gjendje shëndetësore që kërkojnë vëmendje

    Në fund të ditës, kur ndërroni rrobat e përditshme me pizhame, ndoshta vini re se çorapet ju kanë lënë shenja të thella në pulpë ose rreth kyçeve. Vijat duken të “gdhendura” në lëkurë dhe zhduken ngadalë. Shpesh mendohet se shkaku është thjesht masa e gabuar e çorapeve, por në disa raste, trupi po dërgon një sinjal të rëndësishëm shëndetësor.

    Çorapet nuk janë vetëm aksesor praktik apo estetik. Ato mbrojnë këmbët, parandalojnë flluskat, ndihmojnë ecjen dhe ngrohin trupin. Megjithatë, momenti i heqjes së tyre shpesh shoqërohet me ndjeshmëri të lëkurës dhe shenja të dukshme shtrëngimi.

    Në shumicën e rasteve, këto gjurmë janë të padëmshme dhe kalimtare. Por kur shfaqen shpesh, janë të theksuara ose zgjasin për orë të tëra, nuk duhet të injorohen.

    Edema periferike – shkaku më i shpeshtë

    Një nga arsyet më të zakonshme është edema periferike, gjendje në të cilën ndodh mbajtje e lëngjeve në pjesët e poshtme të trupit. Përveç shenjave nga çorapet, mund të vëreni: ënjtje të këmbëve dhe kyçeve, lëkurë të shtrënguar dhe me shkëlqim, ndjesi rëndese ose dhimbje, lëvizshmëri të kufizuar.

    Kjo gjendje shpesh lidhet me qëndrimin e gjatë në këmbë, uljen e zgjatur, shtatzëninë ose ndryshimet hormonale, por mund të ketë edhe shkaqe më serioze.

    Problemet me venat

    Nëse shenjat zgjasin më shumë dhe shoqërohen me vena të zgjeruara, ngërçe të shpeshta, kruarje ose ndryshim të ngjyrës së lëkurës, mund të bëhet fjalë për insuficiencë venoze. Ky problem është mjaft i përhapur dhe kërkon vlerësim mjekësor, sidomos nëse simptomat përkeqësohen me kalimin e kohës.

    Çrregullime të sistemit limfatik

    Sistemi limfatik luan rol kyç në imunitet dhe largimin e toksinave. Kur funksionimi i tij dëmtohet, lëngjet grumbullohen në inde. Nëse ënjtja dhe shenjat nga çorapet shfaqen çdo ditë, shoqërohen me ndjesi të vazhdueshme rëndese dhe nuk tërhiqen as pas pushimit, mund të bëhet fjalë për limfedemë, një gjendje që kërkon vlerësim dhe trajtim profesional.

    Ndikimi i medikamenteve

    Disa barna, veçanërisht ato për rregullimin e tensionit të gjakut, mund të shkaktojnë ënjtje të këmbëve. Si pasojë, çorapet lënë shenja më të thella edhe nëse përdorni të njëjtin model si më parë.

    Kur duhet treguar kujdes i veçantë

    Këshillohet konsultë mjekësore nëse:

    shenjat nuk zhduken as pas një ore
    lëkura bëhet e ngrohtë, e dhimbshme ose ndryshon ngjyrë
    ënjtja është më e theksuar vetëm në njërën këmbë
    shfaqen vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje gjoksi
    keni histori sëmundjesh të zemrës, veshkave ose mëlçisë
    keni pasur së fundmi udhëtime të gjata ose fluturime
    Në këto raste, kontrolli mjekësor është i domosdoshëm.

    Si të shmangni shenjat e pakëndshme nga çorapet

    Nëse çorapet ju lënë shpesh gjurmë të thella:

    shmangni modelet me llastik të fortë
    zgjidhni çorape pa qepje, prej materialesh të buta dhe ajrosëse (si pambuku)
    merrni një numër më të madh, sidomos nëse jeni mes dy masave
    lëvizni rregullisht dhe ngrini këmbët gjatë pushimit
    Mbani mend: Shenjat nga çorapet shpesh janë të padëmshme, por kur trupi i përsërit ato çdo ditë, ia vlen të dëgjohet. Lëkura është një nga pasqyrat më të sinqerta të shëndetit.

  • Britaniku thotë se fiton 32,000 dollarë në vit duke mbledhur jashtëqitjet e qenve të klientëve të tij

    Britaniku thotë se fiton 32,000 dollarë në vit duke mbledhur jashtëqitjet e qenve të klientëve të tij

    Një baba britanik me katër fëmijë po e shndërron biznesin në një pasuri të madhe duke mbledhur jashtëqitje qensh – një punë anësore që ai vlerëson se i sjell mbi 32,000 dollarë në vit.

    “Ne u habitëm, klientët sapo filluan të vinin”, tha Kyle Newby, 39 vjeç, për South West News Service për punën e tij të neveritshme, transmeton Telegrafi.

    Ndërtuesi me bazë në Derbyshire tha se u frymëzua për të filluar biznesin, të quajtur Pet Poo Pick, në mars pasi “pa në Instagram” në punë dhe pa “sa popullor ishte mbledhja e jashtëqitjeve të qenve” në SHBA.

    “Është vërtet i madh në Amerikë, kështu që menduam ta provonim dhe ta sillnim në East Midlands. Kemi parë vetëm disa njerëz që e bëjnë këtë në Mbretërinë e Bashkuar, kështu që shkuam në Facebook dhe postuam një reklamë dhe e lamë për një kohë”, kujtoi britaniku.

    Sigurisht, postimi i tij ngjalli një interes të madh, dhe mbledhësi profesional i jashtëqitjeve tani ka një bazë prej 35 klientësh të rregullt.

    “Unë kam 15 klientë të mërkurën, 20 të shtunën”, tha Newby, i cili kërkon 40 dollarë për vizitën fillestare dhe 20 dollarë në javë më pas.

    Si rezultat, britaniku vlerëson se fiton rreth 2,680 dollarë në javë duke punuar si pastrues plehrash, që është e barabartë me gati 60 dollarë në orë.

    Newby vlerëson se mund të fitojë më shumë duke mbledhur plehra sesa mund të fitojë me një turn 10-orësh ndërtimi – megjithëse puna, siç mund të imagjinohet, mund të jetë mjaft e ndyrë.

    “Kur e mendon, po mbledh afërsisht 14 copë jashtëqitje për kopsht. Ne përdorim një lugë dhe një qese. Duhen 10-15 minuta për kopsht”, tha Newby.

    Pasi heq plehun e kafshëve, pastruesi i jashtëqitjeve dezinfekton zonën për t’u siguruar që nuk ka mbetur asnjë gjurmë.

    “Mund të ngas makinën për rreth katër orë në ditë dhe mund të kaloj gati tre orë duke mbledhur kafshët”, tha Newby, i cili ka ngarë deri në 50 milje për të hequr jashtëqitjet e qenve.

  • 54 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    54 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 15 aksidente me të lënduar dhe 39 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2435 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 25 persona, prej të cilëve 20 i ka dërguar në mbajtje dhe tre në vuajtje të dënimit.