ATV

Author: K.B.

  • Kush është diplomati që Trump e emëroi përfaqësues të lartë për Gazën?

    Kush është diplomati që Trump e emëroi përfaqësues të lartë për Gazën?

    Diplomati bullgar dhe ish-ministri i Jashtëm, Nikolay Mladenov, do të udhëheqë administratën kalimtare në Rripin e Gazës, konfirmoi të premten Shtëpia e Bardhë.

    Sipas njoftimit, Mladenov do të mbajë postin e përfaqësuesit të lartë për Gazën.

    Lajmi vjen tre muaj pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – grupit që qeveris Gazën dhe konsiderohet terrorist nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

    Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe ishte hapi i parë i planit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

    Emërimi i një administrate kalimtare në enklavë është pjesë e këtij plani.

    Në rolin e tij si përfaqësues i lartë për Gazën, Nikolay Mladenov “do të veprojë si lidhje në terren” ndërmjet Bordit për Paqe – një strukturë që SHBA-ja po e krijon për të ushtruar përkohësisht kontroll mbi qeverisjen e Gazës – dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, i cili do të funksionojë si qeveri e përkohshme, nën mbikëqyrjen e Bordit për Paqe, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

    Ai “do të mbështesë mbikëqyrjen e Bordit në të gjitha aspektet e qeverisjes, rindërtimit dhe zhvillimit të Gazës”, thuhet në njoftim.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua me të, më herët në janar, dhe tha se ai do ta udhëheqë autoritetin kalimtar në Gazë.

    Në të kaluarën, Mladenov ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, ka qenë deputet dhe eurodeputet.

    Po ashtu, ka mbajtur poste të larta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ka përvojë në ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Hamasit.

    Deputet, eurodeputet, ministër…

    Nikolay Mladenov ka lindur më 5 maj të vitit 1972 në Sofje.

    Ai ka përfunduar studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin për Ekonomi Kombëtare dhe Botërore në Sofje dhe ka një diplomë master në Shkenca Ushtarake nga Kolegji Mbretëror në Londër.

    Karrierën politike e ka nisur në Bashkimin e Forcave Demokratike (SDS), ku ka shërbyer edhe si zëdhënës i partisë.

    Në vitin 2001, ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e 39-të të Bullgarisë nga radhët e ODS-së.

    Pas përfundimit të mandatit në vitin 2005, ai ka punuar si konsulent për Bankën Botërore dhe për organizata të tjera ndërkombëtare në Evropën Juglindore dhe Lindjen e Mesme, thuhet në biografinë e tij zyrtare.

    Para se është emëruar ministër i Jashtëm, Mladenov ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian. Ai është zgjedhur në vitin 2007 nga lista e partisë GERB dhe ka qenë ndër eurodeputetët e parë bullgarë pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian.

    Në vitin 2009, ai i është bashkuar Qeverisë së parë të Boyko Borisovit si ministër i Mbrojtjes.

    Një vit më vonë, më 2010, është emëruar ministër i Punëve të Jashtme, duke zëvendësuar Rumjana Zhelevën pas dorëheqjes së saj, dhe e ka mbajtur këtë post deri në përfundimin e mandatit të Qeverisë së GERB-it në vitin 2013.

    Ai e ka mbajtur këtë post gjatë periudhës së Pranverës Arabe, një valë protestash dhe kryengritjesh në vendet arabe që kanë nisur në vitin 2010 – disa prej të cilave janë shndërruar edhe në luftëra civile.

    Në vitin 2012, Mladenov ka organizuar në Bullgari një takim të opozitës siriane, ku kanë marrë pjesë grupe të ndryshme kundërshtare të regjimit të atëhershëm të Bashar al-Assadit.

    Veprimtaria në Lindjen e Mesme

    Në vitin 2013, atëkohë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e ka emëruar Nikolay Mladenovin përfaqësues të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Irakun.

    Ky emërim është bërë në një periudhë kur siguria në këtë vend ka qenë seriozisht e rrezikuar nga përplasjet mes Qeverisë dhe grupeve të armatosura.

    Në vitin 2015, Mladenov është emëruar koordinator i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme – post që e ka mbajtur deri në vitin 2020.

    Ai ka ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Hamasit gjatë një periudhe të tensionuar dhe ka mbështetur idenë e zgjidhjes së konfliktit përmes negociatave, ka shkruar Associated Press (AP) në një publikim në fillim të janarit.

    Agjencia ka cituar diplomatë që kanë thënë se puna e tij ka fituar besimin si të përfaqësuesve izraelitë, ashtu edhe të atyre palestinezë.

    Sipas diplomatit të pensionuar izraelit, Alon Bar, Mladenov arriti “të krijojë marrëdhënie besimi me nivelin politik në Izrael, përfshirë kryeministrin Netanyahu”. Njëkohësisht, “ai fitoi besim të madh edhe nga pala palestineze”, ka thënë ai për AP-në.

    Ish-ministri palestinez, Ahmed Majalani, është cituar të ketë thënë se Mladenov “na njeh neve dhe i njeh shumë mirë izraelitët – gjë që është një avantazh i madh”.

    Në vitin 2021, Mladenov ka marrë një çmim nga presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, për kontributin e tij në paqen në Lindjen e Mesme.

    Në vitin 2020, Mladenov është propozuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, si përfaqësues i OKB-së në Libi, dhe emërimi i tij është miratuar nga Këshilli i Sigurimit. Megjithatë, ai e ka tërhequr kandidaturën, duke cituar arsye personale.

    Dosjet “Pandora”

    Nikolay Mladenov është një nga dy bullgarët, emrat e të cilëve janë përfshirë në hetimin ndërkombëtar gazetaresk Dosjet “Pandora”, në vitin 2021.

    Atëherë, faqja BIRD ka raportuar se Mladenov ka regjistruar një kompani ‘offshore’, apo jashtë shtetit, e cila nuk ka pasur aktivitet, por ai nuk e ka deklaruar.

    Sipas mediave, kompania “Afron Enterprises Ltd.”, është themeluar më 9 gusht të vitit 2013, ndërsa disa ditë më parë – më 2 gusht 2013 – ai është emëruar përfaqësues i OKB-së në Irak.

    Mladenov ka konfirmuar ekzistencën e kompanisë, por ka thënë se ajo nuk ka funksionuar, sepse planet e tij për biznes kanë ndryshuar pas regjistrimit dhe ai ka filluar punë në OKB. Ai nuk ka mundur të kujtonte saktësisht procedurat dhe datat e regjistrimit gjatë intervistës për BIRD-in.

    Sipas AP-së, Mladenov aktualisht jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku punon si drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike “Anwar Gargash”.

    Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

    Si do të qeveriset Gaza?

    Plani 20-pikësh i Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gazë parashikon që enklava të administrohet nga një qeveri e përkohshme, e quajtur Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.

    Ky komitet do të mbikëqyret nga Bordi për Paqe, përbërja e të cilit u bë publike të premten nga Shtëpia e Bardhë.

    Sipas njoftimit, Trump do të jetë kryetar i Bordit, ndërsa pjesë e tij janë gjithashtu: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari special, Steve Witkoff, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, miliarderi dhe drejtori ekzekutiv i fondit të investimeve Apollo Global Management, Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe këshilltari i Trumpit, Robert Gabriel.

    Plani i SHBA-së parashikon, gjithashtu, çarmatosjen e Hamasit dhe vendosjen e forcave ndërkombëtare në Gazë. Komandant i tyre është emëruar gjeneral-major Jasper Jeffers, ish-komandant i operacioneve speciale të SHBA-së, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

    Plani ka marrë mbështetje të gjerë në OKB, ku është miratuar një rezolutë që autorizon forcat ndërkombëtare të stabilizimit për të garantuar sigurinë në Gazë, aprovon administratën kalimtare nën kontrollin e Trumpit dhe parashikon një mundësi të ardhshme për një shtet të pavarur palestinez.

    Plani i SHBA-së hyri në fuqi në tetor, pas arritjes së një armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, të cilët luftuan për më shumë se dy vjet.

    Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin në vitin 2023, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë qindra pengje.

    Në përgjigje, Izraeli filloi bombardime në Gazë dhe më pas vendosi bllokadë totale të enklavës, duke shkaktuar uri masive.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi, numri i viktimave ka kaluar 70.000. /REL/

  • Kosova për herë të parë udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore

    Kosova për herë të parë udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore

    Me afro 60 shtete pjesëmarrëse përfaqësuar nga ministrat, zv.ministrat, sekretarë shtetërorë dhe liderë kyç global të sektorit të bujqësisë, Republika e Kosovës ishte pjesë e Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë.

    Kështu ka shkruar ministri në detyrë, Imri Delemezi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

    Tutje ai ka shkruar se gjatë këtij Forumi, në kuadër të Grupit Teknik për Zhvillim Regjional dhe Rural në Evropën Juglindore (SËG), për herë të parë Republika e Kosovës e udhëhoqi takimin e ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore, duke konfirmuar rolin e saj gjithnjë e më aktiv e vlerorë në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.

    Si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë adresimeve të mija theksova se Republika e Kosovës është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, përmes reformave të vazhdueshme, përafrimit të politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, si dhe ndërtimit të një sektori bujqësor modern dhe të qëndrueshëm e në përputhje me nevojat e shoqërisë sonë.

    Për tri ditë intensive, bashkë me delegacionin nga MBPZhR zhvilluam dhjetëra takime bilaterale dhe në margjinat e konferencës me partnerë strategjikë, përfshirë ministrat homologë të Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, si dhe Bankën Botërore, Organizatën Botërore për Shëndetin e Kafshëve (ËOAH), Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO). Në fokus ishin investimet në siguri ushqimore, ujitje dhe infrastrukturë, rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, standardet veterinare, mbrojtjen nga reshjet atmosferike, digjitalizimi i bujqësisë, resurset njerëzore dhe përafrimi me politikat e Bashkimit Evropian.

    Edhe njëherë Republika e Kosovës konfirmoi përkushtimin për reforma dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke u dëshmuar si partner i besueshëm rajonal dhe evropian për zhvillim, investime dhe siguri ushqimore.

    Republika e Kosovës falënderon shtetet mike, përfshirë Gjermaninë, që përmes GFFA-së mundëson vlerësimin pozitiv dhe promovimin e Kosovës përmes dhe gjatë konferencave të tilla.

    Edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovës thuhet se Kosova u përfaqësua nga Ministri në largim Imri Delemezi dhe u takua me Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Ushqimit dhe Komunitetit, Alois Rainer.

    Sipas njoftimit thuhet se takimi u përqendrua në: Përputhjen me BE-në – Acquis, plane konkrete veprimi për bujqësi dhe pylltari të qëndrueshme, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik.

  • OVL- UÇK jep detaje për varrimin e Zyme Mazrekaj, heroina që rriti dëshmorët Tahir dhe Agim Mazrekaj

    OVL- UÇK jep detaje për varrimin e Zyme Mazrekaj, heroina që rriti dëshmorët Tahir dhe Agim Mazrekaj

    Ka ndërruar jetë Nëna e dy dëshmorëve të Kombit, Tahir dhe Agim Mazrekaj, nga Shkupi, Zyme Mazrekaj.Njoftimin e për vdekjen e saj e ka bërë Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

    OVL- UÇK, shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Mazrekaj dhe të gjithë dashamirëve.

  • Pesë shenja që ju japin duart kur keni problem me tiroiden

    Pesë shenja që ju japin duart kur keni problem me tiroiden

    Tiroidja është një gjëndër në formë fluture, e vendosur në qendër të pjesës së përparme të qafës, afërsisht në mes, midis pjesës së poshtme të mjekrës dhe pjesës së përparme të qafës. Kjo gjëndër prodhon kryesisht hormonet e tiroides, përkatësisht tiroksinën (T4) dhe triiodothyronine (T3), të cilat rregullojnë metabolizmin e organeve të ndryshme të trupit.

    Nëse keni një problem me tiroiden, atëherë ai mund të jetë tepër aktiv (hipertiroidizëm) ose i papunë (hipotiroidizëm). Simptomat e hipotiroidizmit janë lëkura e zbehtë, shtimi në peshë, kapsllëku, depresioni, përgjumja etj. Simptomat e hipertiroidizmit janë nervozizmi, ankthi, djersitja, rritja e oreksit, poliuria, humbja e peshës etj. Për shkak se gjëndra tiroide është një nga gjëndrat më të rëndësishme në sistemin tonë endokrin,

    Por nëse doni të dini nëse tiroidja funksionon siç duhet dhe konkretisht nëse keni hipotiroidizëm, shumë herë mjafton të vëzhgoni duart tuaja. Si mund të tregojnë duart gjendjen e hipotiroidizmit?

    Duart e ftohta – Kur duart tuaja janë vazhdimisht të ftohta, kjo mund të nënkuptojë mungesë të rrjedhjes së gjakut. Gjatë hipotiroidizmit, aktiviteti i gjëndrës tiroide është i ulët. Kjo shoqërohet me homocisteinë të tepërt. Homocisteina është një aminoacid që është lidhur me rrjedhjen e dobët të gjakut dhe sëmundjet kardiovaskulare.

    Rrudha në duar – Njerëzit me hipotiroidizëm zakonisht kanë vija të holla dhe rrudha në lëkurë dhe ndoshta janë të dukshme edhe në duar. Lëkura e thatë është gjithashtu një nga arsyet pse rrudhat priren të bëhen shumë të dukshme kur gjëndra tiroide nuk funksionon.

    Lëkura e verdhë – Hipotiroidizmi i jep lëkurës një ngjyrë të verdhë. Ndryshimi i ngjyrës është për shkak të reduktimit të hormoneve tiroide dhe zakonisht shihet në pëllëmbët e dorës.

    Thonjtë fleksibël – Thonjtë e brishtë thyhen lehtësisht dhe kur një person ka hipotiroidizëm, thonjtë jo vetëm që humbasin ngjyrën, por edhe bëhen shumë të brishtë. Mungesa e rrjedhjes së gjakut në gjymtyrë është kryesisht përgjegjëse për këtë gjendje.

    Onikomikoza – Mungesa e rrjedhjes së gjakut në duar dhe këmbë çon në përkeqësimin e mykut të thonjve. Ky çrregullim quhet onikomikozë dhe karakterizohet nga hiperkeratoza e thonjve.

  • Hetimet mbi aksidentin tragjik në Spanjë, çfarë e shkaktoi çarjen mbi 30 cm në shinat e hekurudhës?

    Hetimet mbi aksidentin tragjik në Spanjë, çfarë e shkaktoi çarjen mbi 30 cm në shinat e hekurudhës?

    Një çarje mbi 30 centimetra në shinat e djathta, në kilometrin 318,7 të linjës me shpejtësi të lartë Madrid–Andaluzia, është pika kryesore ku po përqendrohen hetimet paraprake për aksidentin hekurudhor që ndodhi të dielën në zonën e Adamuzit, në Kordovë.

    Aksidenti, ku u përfshinë një tren i kompanisë private Iryo me destinacion Madridin dhe një tren Alvia i Hekurudhave Shtetërore të Spanjës (Renfe) që po lëvizte në drejtim të kundërt, ka shkaktuar deri tani 41 viktima, përfshirë një lokomotivist, duke u bërë aksidenti më i rëndë hekurudhor në vend vitet e fundit.

    Edhe pse përplasja ballë për ballë e dy trenave ishte shkaku i menjëhershëm i numrit të lartë të viktimave, hetimet fokusohen tek faktori që shkaktoi daljen nga shinat e trenit Iryo dhe çoi në përplasjen fatale. Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e përshkroi ngjarjen si “të pazakontë”, duke theksuar se nuk është një aksident hekurudhor tipik.

    Të dielën pasdite, vagoni 6, 7 dhe 8 i Frecciarossa 1000 të Iryo dolën nga shinat, ndërsa trenin lëvizte me mbi 200 km/orë në një segment të drejtë të linjës në Adamuz. Vagoni i fundit kaloi në shinat e kundërta në momentin që po i afrohej trenit Alvia të Renfe-s me rreth 205 km/orë, i cili kishte nisur nga stacioni Atocha në orën 18:05.

    Lokomotivisti i trenit Alvia kishte vetëm 20 sekonda për të reaguar, dhe përplasja ishte e pashmangshme. Lokomotiva dhe vagoni i parë i Alvia-s përfunduan në një shpat pranë linjës, ndërsa trenit Iryo i ndaloi në kilometrin 317,6, me vagont e fundit të përmbysur dhe shinat midis dy trenave të shkatërruara plotësisht.

    Çarja mbi 30 cm në shina

    Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e shpëtimit, banorë lokalë dhe Guardia Civil, ndërsa nisi edhe hetimi teknik nga Komisioni i Hetimeve të Aksidenteve Hekurudhore (CIAF), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Renfe, Iryo, menaxherit të infrastrukturës Adif dhe prodhuesve të trenave.

    Gjatë ekzaminimit paraprak, hetuesit identifikuan një shinë të thyer dhe shufra të dëmtuara në një pjesë të caktuar të linjës. Sipas vlerësimeve teknike, çarja, më shumë se 30 cm, mund të ketë ndodhur nga një saldim difektoz, nga kalimi i trenave të rëndë dhe nga kushtet atmosferike. Burimet e përshkruajnë si “shkakun shumë të mundshëm të daljes nga shinat”.

    Problem infrastrukturor apo i lëvizjes së trenit?

    Shinat e shpejtësisë së lartë saldohen për të reduktuar fërkimin dhe për të siguruar lëvizje të qetë të trenave, si Frecciarossa që peshon rreth 500 ton pa pasagjerë. Zbulimi i çarjes ka shtyrë hetimet drejt gjendjes së infrastrukturës, ndërsa Adif po kryen kontrolle me ultratinguj për të përcaktuar nëse dështimi ka qenë i mëparshëm apo shkak i daljes nga shinat.

    Pyetja nëse hapja 30 cm në shinë ishte shkak apo pasojë e daljes nga shinat është vendimtare për përgjegjësitë penale dhe civile. Përgjigjja do të përcaktojë nëse përgjegjësia bie mbi menaxherin e infrastrukturës apo operatorin e trenit.

    Presidenti i Iryo, Carlos Bertomeu, theksoi se bëhet fjalë për “aksident të pazakontë”, pasi ndodhi në një pjesë të drejtë dhe me shpejtësi brenda kufijve të projektuar për trenin. Ai theksoi se treni është teknologjia më e fundit, më pak se tre vjeç, me program të plotë mirëmbajtjeje dhe kontroll të fundit më 15 qershor në Santa Catalina, Madrid.

    Nga ana e tij, ministri i Transportit Óscar Puente paralajmëroi se ekzistenca e pjesës së thyer të linjës nuk mund të konsiderohet ende si provë vendimtare, pasi nuk është sqaruar nëse dështimi ka ndodhur më parë apo pas daljes nga shinat. Ai e përshkroi këtë si “një nga shumë mundësitë” dhe kërkoi durim deri në përfundimin e hetimeve.

    Aksidenti përbën një goditje serioze për reputacionin e rrjetit spanjoll të shpejtësisë së lartë, që shtrihet në rreth 4.000 kilometra dhe konsiderohet një pikë reference ndërkombëtare.

    Pavarësisht rritjes së lëvizjeve dhe kërkesës pas liberalizimit të tregut, ngjarja në Adamuz evidenton kufizimet dhe sfidat e mirëmbajtjes së një rrjeti të gjerë dhe veçanërisht të ngarkuar.

  • Këta janë deputetët që humbën e fituan vota në PDK pas rinumrimit të votave

    Këta janë deputetët që humbën e fituan vota në PDK pas rinumrimit të votave

    Rinumërimi i votave ka sjellë lëvizje brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke ndikuar në numrin e votave për disa kandidatë për deputetë.

    Pas përfundimit të procesit të rinumërimit, disa deputetë kanë shënuar rritje të votave, ndërsa të tjerë kanë pësuar rënie.

    Kryetarit të këtij subjekti, Bedri Hamza nga rinumërimi i deritashëm i janë shtuar 47 vota.

    Po ashtu vota iu janë shtuar edhe kandidatëve si Përparim Gruda( +422 Vota), Arian Tahiri(+592 Vota) si dhe Sala Jashari( +264 Vota)

    Ndërsa kandidatët që kanë humbur më së shumti vota pas rinumrimit janë Fetah Paçarizi ( -6,027 Vota), Fadil Demaku( -1,092 Vota), Arianit Çollaku(-1,687 Vota), Kujtim Gashi(-2,358 Vota), Nait Hasani(-3,410 Vota) dhe Enver Hoxhaj (-1,042 Vota).

  • Manipulimi i votave/ Me kaq vite burgim mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë ato

    Manipulimi i votave/ Me kaq vite burgim mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë ato

    KQZ ka vendosur për rinumërim të votave në gjithë Kosovën.Kjo pasi në disa komuna pati ndryshime në vota pas rinumërimit.

    Por, sa mund të dënohen ata që manipulojnë apo falsifikojnë votat?Hulumtuesi i lartë në KDI, Vullnet Bugaqku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se Kodi Penal e përcakton se dënimi është 3-5 vjet, nëse vërtetohet se janë manipuluar apo falsifikuar votat.

    “Kodi Penal i Republikës së Kosovës e sanksionon falsifikimin e rezultateve të votimit dhe jep përgjegjësi shtesë ndaj anëtarëve të KQZ-së që kanë përgjegjësi zyrtare që të administrojnë drejt rezultatet e votimit, qoftë për subjekte politike apo për kandidatët për deputetë. Kodi Penal, neni 216 ka një dispozitë që mjaft mirë e përcakton sanksionin penal ndaj gjithë atyre zyrtarëve, të komisionerëve të cilët manipulojnë, falsifikojnë, ndryshojnë apo edhe tjetërsojnë vullnetin e qytetarëve votues, duke shtuar apo hequr, duke manipuluar rezultatin e votimit dhe Kodi Penal përcakton që të gjithë këta zyrtarë, nëse provohet që e kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit, mund të dënohen me burgim nga 3-5 vjet, prandaj edhe unë mendoj që këto sanksione janë të përshtatshme në raport me veprën që kryhet, prandaj edhe duhet pritur që KQZ dhe Prokuroria e Shtetit do t’i mbledhë të gjitha provat dhe do t’i iniciojë procedurat penale të të gjitha atyre rezultateve”, ka deklaruar Bugaqku.

  • Gjendet i vdekur 39-vjeçari nga Malisheva, ishte shpallur i zhdukur të dielën

    Gjendet i vdekur 39-vjeçari nga Malisheva, ishte shpallur i zhdukur të dielën

    Është gjetur i vdekur Avdyl Begaj, 39-vjeçari nga fshati Banjë e Malishevës i cili ishte shpallur i zhdukur që nga 18 janari i këtij viti.

    Kështu u bë e ditur nga Ridvan Tahiri, vullnetar në Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit.

    Sipas Tahirit, 39-vjeçari u gjet pa shenja jete në një fushë afër fshatit Siqevë mëngjesin e sotëm.

    Komuna e Malishevës kërkon ndihmë për gjetjen e një 39-vjeçari

     

  • ‘‘S’po kuptoj çfarë po bën në Greenland’’, Trump publikon mesazhet private nga Macron

    ‘‘S’po kuptoj çfarë po bën në Greenland’’, Trump publikon mesazhet private nga Macron

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka publikuar një mesazh të cilin atij ia ka dërguar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, lidhur me çështjen e Greenlandës.

    Macron, i është drejtuar Trump’it duke i thënë se ai ‘’s’po e kupton’’ se çfarë po bën Trumpi me Greenlandën.

    Presidenti francez, i ka sugjeruar Trump’it, që të darkojnë në Paris, dhe se ai mund të organizojë takim me G7 ku do të ftoheshin edhe sirianët, danezët, rusët e ukrainasit.

    ‘’ Nga presidenti Macron te Presidenti Trump

    Miku im,

    Ne jemi plotësisht në një linjë për Sirinë.

    Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin.

    Nuk e kuptoj se çfarë po bën për Groenlandën.

    Le të përpiqemi të ndërtojmë gjëra të mëdha:

    Mund të organizoj një takim të G7 pas Davosit në Paris, të enjten pasdite. Mund të ftoj ukrainasit, danezët, sirianët dhe rusët në kuadër të takimit.

    Le të kemi një darkë së bashku në Paris, të enjten, përpara se të kthehesh në SHBA.

    Emmanuel’’, ka shkruar Macron në mesazhin e tij drejtuar Trump’it.

  • AKB: Vendimi për pagën minimale u mor pa dialog

    AKB: Vendimi për pagën minimale u mor pa dialog

    Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale është një qëllim i drejtë dhe i nevojshëm në funksion të zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.

    Megjithatë, AKB shpreh shqetësimin e saj lidhur me mënyrën se si është marrë vendimi për rritjen e pagës minimale, pa konsultime paraprake me sektorin privat, pa një analizë të plotë të ndikimit financiar dhe pa vlerësim të rrezikut që ky vendim paraqet për mikro-ndërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.

    Sipas tyre, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.

    AKB thekson se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por kërkon që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, veçanërisht për bizneset e vogla.

    Në të njëjtën kohë, AKB shpreh indinjatën e saj për faktin se edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit.

    “Çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie”.

    AKB fton Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale.