ATV

Author: K.B.

  • Shkatërrohet organizata shqiptare e drogës në Itali, 8 urdhër arreste

    Shkatërrohet organizata shqiptare e drogës në Itali, 8 urdhër arreste

    Një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga Policia e Shtetit italiane, duke çuar në arrestimin e nëntë personave, tetë me origjinë shqiptare dhe një shtetas italian, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale të strukturuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

    Operacioni, i koduar “STURL ONE”, u zhvillua nga Policia e Reggio Emilias, nën koordinimin e Prokurorisë së Bolonjës-Drejtoria Distriktuale Antimafia, dhe përfshiu ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, të miratuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake në Bolonjë. Arrestime dhe kontrolle janë kryer në disa provinca të Italisë, përfshirë Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit me autoritetet policore të huaja dhe Policinë Kriminale Shqiptare.

    Hetimet janë vijim i operacioneve të mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat në vitet 2021 dhe 2022 kishin çuar në arrestimin e 35 personave. Nga hetimet rezulton se organizata kishte kapacitet të lartë logjistik dhe financiar, duke importuar sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja, të fshehura në kamionë me ngarkesa perimesh.
    Vetëm në gjashtë muaj, grupi kriminal dyshohet se ka shpërndarë mbi 200 kilogramë kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, duke gjeneruar fitime në miliona euro. Anëtarët e organizatës komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u çkodua nga autoritetet franceze në fund të vitit 2020, duke i hapur rrugë zbardhjes së aktivitetit kriminal.

    Në total, janë 15 persona nën hetim, ndërsa gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, para cash dhe mjete komunikimi. Gjatë një kontrolli në Brescia, një shtetas maroken u arrestua në flagrancë me mbi 3 kg drogë dhe 5.800 euro. Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si goditje të fortë ndaj kupolës së organizatës kriminale.

  • Njësitë B2 dhe A3 pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes

    Njësitë B2 dhe A3 pritet të rikthehen në operim gjatë mbrëmjes

    Dy njësitë e Korporatës Energjetike të Kosovës B2 dhe A3, priten të kthehen në operim gjatë mbrëmjes, ka thënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Ai këtë e ka bërë të ditur pas një takimi që ka zhvilluar me menaxhmentin e KEK-ut mbrëmë, ndërsa që në operim janë tri njësi (B1, A4 dhe A5) të Korporatës Energjetike të Kosovës ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë pandalur, për t’i rikthyer sa më shpejt në operim edhe njësitë B2 dhe A3.

    “Nga KEK-u presim që gjatë kësaj periudhe të ftohtë kur kërkesa është e lartë, të punojë me 5 blloqe. Ndonëse kjo është sfiduese, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot, për çfarë i jemi falënderues secilit punëtor e menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik. Për krahasim, për 25 vitet e kaluara KEK ka punuar me 5 njësi vetëm 55 ditë në total. Nga menaxhmenti dhe nga çdo punonjës i KEK-ut pres angazhim dhe përgjegjësi maksimale për t’i sjellë të gjitha njësitë në operim dhe për t’i mbajtur në operim gjatë këtyre muajve të ftohtë”, ka shkruar ajo.

    Ndërsa të hënën ka publikuar një video ku shihen punëtorët e KEK-ut duke punuar dhe ka bërë thirrje për kursim të energjisë.

    KOSTT ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike gjatë ditës për shkak të kërkesës së madhe me furnizim me energji elektrike.

  • Prishet teleferiku, qindra turistë mbetën te ‘varur’ në acar në Lanzhou të Kinës

    Prishet teleferiku, qindra turistë mbetën te ‘varur’ në acar në Lanzhou të Kinës

    Mbi 100 turistë mbetën të varur në temperatura të ulëta për orë të tëra pasi një teleferik u prish.

    Skiatorët, kryesisht turistë, mbetën të bllokuar në teleferikun e dëmtuar për gati tre orë. Një person tha se ishte “i ngrirë”.

    Teleferiku u prish në resortin ndërkombëtar të skive Longshan në Lanzhou, Kinë, rreth orës 16:00 të shtunën.

    Një zëdhënës i resortit tha se problemi u shkaktua fillimisht nga një ndërprerje e energjisë elektrike, transmeton Telegrafi.

    Energjia elektrike u rikthye pas rreth 20 minutash, por kutia e shpejtësisë së teleferikut u bllokua, duke bllokuar 104 skiatorë në ajër.

    Pamjet filmike treguan turistët e bllokuar në ajër ndërsa një punëtor u tha atyre përmes altoparlantit: “Ju lutem mos i hapni kangjellat mbrojtëse dhe qëndroni të qetë”.

    Deri në orën 18:47, turistët e bllokuar ishin shpëtuar dhe operacionet normale rifilluan. Ata konfirmuan se askush nuk ishte lënduar rëndë.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Daily Star (@dailystar)

  • Reduktimet me energji, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

    Reduktimet me energji, Ymeri: KEDS nuk ka porositur rrymë më kohë, rrjeti energjetik është në prag të kolapsit total

    Edhe sot pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike në Kosovë.

    Për këtë ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri.

    Ymeri përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka ngritur shqetësime për menaxhimin e sektorit energetik në Kosovë, raporton Periskopi.

    Ajo ka treguar se vendi ësht në prag të kolapsit total.

    “Pse po ndalet rryma dhe çfarë po ndodh?Komunikata e KOSTT-it thotë se KEDS-i ka porositur/rezervuar rreth 26% më pak rrymë sesa na nevojitet.Pra figurativisht, sikurse në Doganë mos me tregu sa duhet me importu (KEDS). Për shkak se KEDS nuk e ka porositur/rezervuar rrymën me kohe, rrjeti energjetik eshte ne prag te kollapsit total. Për ta shpëtuar sistemin nga kolapsi total, KOSTT detyrohet të urdhërojë ndërprerje (reduktime) të rrymës”, ka shkruar ajo.

    Ymeri ka treguar se ZRRE-ja (Rregullatori) nuk ka bërë plan dhe ka lejuar këtë rrëmujë ku secili vepron kokë më vete.

    “Me këto devijime, edhe fajsime e shfajsime nga njëri tek tjetri akter i sektorit të energjisë në Kosovë, rrjeti energjetik I Kosovës rrezikon të dënohet dhe potencialisht kthehet prapa nën menaxhimin e Serbisë (siç ishte para 2021). Rryma që po harxhohet tani (siç është importi emergjent i KOSTT-it) por edhe në përgjithësi në treg ditor, është shumë e shtrenjtë. Kjo kosto do të na kthehet neve përmes ndarjeve emergjente bugjetore për KOSTT-in qe janë te paevitueshme dhe shtrenjtimit të madh të faturave në të ardhmen e afërt”, ka shkruar Ymeri.

    Postimi i plotë:

  • Thirrja për shfarosje të myslimanëve shqiptarë, avokati Bytyqi ngrit kallëzim penal ndaj historianit Belisar Jezerci

    Thirrja për shfarosje të myslimanëve shqiptarë, avokati Bytyqi ngrit kallëzim penal ndaj historianit Belisar Jezerci

    Avokati Asdren Bytyqi, gjatë ditës së sotme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj historianit Belisar Jezercit, duke e akuzuar atë për thirrje të vazhdueshme për spastrime etnike dhe dhunë ndaj myslimanëve shqiptarë.

    Para mediave, ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që ta kryejë punën e saj dhe të mos e humbas besimin e popullit.

    Ndër të tjera, Bytyqi tha se janë dorëzuar rreth 25 prova që dëshmojnë thirrjet nxitëse të Belisar Jezercit.

    “Sapo dorëzuam kallëzimin penal ndaj Belisar Jezerci, i cili ka bërë thirrje publike për shfarosje dhe spastrim etnik të muslimanëve shqiptarë në Kosovë, i cili së bashku me “Lëvizjen për rikthim” i shërben projekteve shekullore të Serbisë për përçarjen dhe vëllavrasjen e shqiptarëve mbi baza fetare”, ka thënë avokati Bytyqi.

    “[Prokuroria] ta kryen detyrën e saj që ia përcakton kushtetuta dhe ligji. Ne presim që ky institucion duke e ditur që i kemi dorëzuar rreth 25 prova për zotëri Belisar, presim që Prokuroria Speciale ta ketë zellin edhe ndaj kësaj çështje. Të mos e humb besimin”, tha avokati.

  • Kryetari i VV-së në Junik kërkon që të bëhet narko-testi për asambleistët e kësaj komune

    Kryetari i VV-së në Junik kërkon që të bëhet narko-testi për asambleistët e kësaj komune

    Asambleisti dhe kryetari i qendrës së LVV-së në Junik Jetmir Tofaj, ka kërkuar që asambleistëve të kësaj komune tu bëhet narko-testi.

    Tofaj ka thënë se politika nuk është rehabilitim për dështuesit dhe as strehë për të varurit nga substancat narkotike.

    “Ajo është përgjegjësi, jo eksperiment narkotik. Vendimmarrja publike kërkon mendje të kthjellët, karakter të pastër dhe të fortë, si dhe përgjegjësi të lartë. Kush nuk i ka këto, duhet të largohet pa kushte”, ka thënë Tofaj.

    Ndërsa i ka bërë thirrje mekanizmave relevant të shtetit që të veprojnë menjëherë, pa justifikime dhe pa heshtje, për testim dhe verifikim urgjent të të gjithë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Junikut.

    “Me qëllim që të ndahet i ndershmi nga narkomani! Qytetarët nuk duhet të jenë pengje të papërgjegjshmërisë dhe nuk duhet të përfaqësohen nga konsumues të substancave narkotike, por nga njerëz të aftë dhe të shëndoshë të përkushtuar për vendin. Asambleja është tempull i demokracisë dhe i interesit publik, jo strehë për psikonarkomanë, papërgjegjshmëri dhe degradim institucional. Heshtja është bashkëfajësi. Zgjohuni!”, ka thënë ai shkruan Indeksonline.

  • Supremja me detaje për lajmërimin e pensionistëve

    Supremja me detaje për lajmërimin e pensionistëve

    Gjykata Supreme ka dhënë detaje shtesë lidhur me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.

    Me anë të një njoftimi, Supremja njofton se ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat.

    “Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë i Gjykatës:

    Sqarim i Gjykatës Supreme lidhur me aktgjykimin P.A.nr.16/2025

    – Gjykata Supreme e Kosovës njofton opinionin publik se, në lidhje me aktgjykimin P.A.nr.16/2025, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.

    Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar: nenin 4 paragraf 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS), si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi, që kanë të bëjnë me procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve. Pas nxjerrjes së aktgjykimit vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë, dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë kështu efekt të plotë juridik Linku: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=114780 ).

    Gjykata Supreme thekson se e ka kryer plotësisht pjesën e saj të përgjegjësisë, ndërsa përgjegjësia për zbatimin e këtij aktgjykimi bie mbi institucionet ekzekutive dhe jo mbi gjykatat. Gjykata Supreme nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, dhe çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi përkatës janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.

  • Hakohet faqja e Inspektoratit të Prishtinës, Komuna del me njoftim

    Hakohet faqja e Inspektoratit të Prishtinës, Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës, ka njoftuar se faqja e Inspektoratit të Kryeqytetit është hakuar, duke kërkuar nga qytetarët që të mos besojnë në postimet që bëhen në këtë faqe, pasi që të njëjtat nuk pasqyrojnë veprimet e institucionit.

    Nga komuna është thënë edhe se, ekipet janë duke punuar për të rikthyer kontrollin dhe funksionimin e saj.

    “Ju njoftojmë se faqja e Inspektoratit të Kryeqytetit është hakuar kohët e fundit. Ekipet tona po punojnë për ta rikthyer kontrollin dhe funksionimin normal të saj. Ju lutemi të mos besoni postime të publikuara nga faqja deri në njoftimin e radhës, pasi ato nuk pasqyrojnë veprimet e institucionit”, thuhet në postim.

  • KESCO: Sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore

    KESCO: Sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore

    KESCO ka njoftuar konsumatorët dhe opinionin publik se sistemi elektroenergjetik aktualisht po operon në kushte të vështira dimërore.

    Sipas KESCO, temperaturat e ulëta dhe përdorimi i shtuar i energjisë elektrike për ngrohje kanë ndikuar në rritje të theksuar të konsumit.

    “Në periudhat kur prodhimi vendor mbetet i ulët, nevoja për import të energjisë elektrike rritet ndjeshëm. Megjithatë, mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik në të cilin operon Kosova, duke e bërë të vështirë mbulimin e plotë të kërkesës në çdo moment”, thuhet në njoftim.

    KESCO thotë se është vazhdimisht i angazhuar në shfrytëzimin e të gjitha mundësive të disponueshme për sigurimin e energjisë elektrike, përfshirë kontratat afatgjata dhe blerjet në tregjet afatshkurtra.

    Megjithatë, në njoftim thuhet se në situata kur nevoja për import është shumë e lartë, mbulimi i plotë i kërkesës paraqet vështirësi të mëdha.

    Në këtë kontekst, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të përdorin me kujdes energjisë elektrike dhe të ndërmarrin masa konkrete për kursimin e saj, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

    “Kursimi i energjisë elektrike është i domosdoshëm si nga aspekti operativ ashtu edhe nga ai teknik. KESCO mbetet e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve ndaj konsumatorëve dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet relevante, po punon për ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe sigurimin e furnizimit me energji elektrike. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj gjatë kësaj periudhe sfiduese”.

  • Pas Australisë, edhe Britania diskuton ndalimin e rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç

    Pas Australisë, edhe Britania diskuton ndalimin e rrjeteve sociale për moshat nën 16 vjeç

    Qeveria po konsultohet nëse mediat sociale duhet të ndalohen për personat nën 16 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar.

    Një ndalim i ngjashëm hyri në fuqi në Australi në dhjetor 2025 , i pari i këtij lloji në botë. Thuhet se edhe vende të tjera po shqyrtojnë një ligj të tillë.

    Kjo vjen pasi më shumë se 60 deputetë laburistë i shkruan kryeministrit në lidhje me këtë çështje, me nënën e adoleshentes së vrarë Brianna Ghey që gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të veprojë.

    Sipas Departamentit të Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë, konsultimi do të “kërkojë pikëpamjet e prindërve, të rinjve dhe shoqërisë civile” për të përcaktuar efektivitetin e një ndalimi.

    Gjithashtu, do të shqyrtohej nëse firmat e mediave sociale mund të zbatonin kontrolle më të rrepta të moshës, të cilat mund të detyroheshin të hiqnin ose kufizonin veçoritë “që nxisin përdorimin kompulsiv të mediave sociale”.

    Dhe Ofsted do t’u japë udhëzime më të ashpra shkollave për të zvogëluar përdorimin e telefonave, duke përfshirë edhe udhëzimin e stafit që të mos i përdorin pajisjet e tyre për arsye personale para nxënësve. Qeveria do t’i përgjigjet konsultimit gjatë verës.

    Sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall, tha se ligjet në Aktin e Sigurisë Online “nuk ishin kurrë të destinuara të ishin pika përfundimtare” dhe tha se ajo e kuptonte që “prindërit ende kanë shqetësime serioze”.

    “Ne jemi të vendosur të sigurohemi që teknologjia pasuron jetën e fëmijëve, jo t’i dëmtojë ata, dhe t’i japim çdo fëmije fëmijërinë që meriton”, tha ajo.

    Sekretari i përgjithshëm i Sindikatës Kombëtare të Arsimit (NEU), Daniel Kebede, e quajti këtë veprim një “ndryshim të mirëpritur”.

    “Çdo ditë, prindërit dhe mësuesit shohin se si mediat sociale formësojnë identitetin dhe vëmendjen e fëmijëve shumë kohë përpara se ata të japin provimet e GCSE-së, duke i tërhequr ata në cikle izoluese dhe të pafundme përmbajtjeje”, tha ai.