ATV

Author: K.B.

  • Mot i ftohtë e me reshje të dobëta bore sot

    Mot i ftohtë e me reshje të dobëta bore sot

    Më shumë vransira mbulojnë vendin përgjatë ditës së mërkurë. Herë herë mund të shfaqen kushte për reshje të dobëta dëbore, kryesisht përreth viseve kodrinoro-malore, por me një probabilitet më të lartë pjesëve jugore të vendit.

    Temperaturat minimale zbresin në -3C e -2C, derisa maksimalet mbesin ende paksa të ulëta prej 2C e 4C. Frynë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga juglindja 7-10m/s, me hove deri në 15m/s.

    Vransira të ndryshueshme dhe intervale me diell parashihen nga dita e enjtë. Herë herë paraqiten kushte për reshje të dobëta shiu apo edhe dëbore orëve të mëngjesit ditën e enjtë.

    Të premtën mundësi për formim të mjegullës orëve të mëngjesit. Më shumë të reshura shiu përfshinë vendin ditën e diel.Temperaturat me tendencë të rritjes deri në 8C e 9C, maksimalet në fundjavë, ndërsa minimalet luhaten përreth vlerave prej -1C e 2C. Erërat gjithnjë frynë nga jugu e juglindja, të lehta dhe mesatare 2-6m/s.

  • Trusti vjen me një njoftim për kontribuuesit

    Trusti vjen me një njoftim për kontribuuesit

    Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se ka filluar shpërndarja e pasqyrave vjetore për vitin 2025 për të gjithë kontribuuesit.

    Sipas njoftimit, pasqyrat po dërgohen fillimisht përmes emailit për ata kontribuues që FKPK ka adresa elektronike, ndërsa në ditët në vijim do të nisë edhe shpërndarja me postë.

    “Për këtë vit, numri i pasqyrave që po shpërndahen me email është 455,692, ndërsa me postë do të dërgohen 167,177 pasqyra vjetore,” thuhet në njoftimin e FKPK-së.

    Fondi rikujton se mënyra më e mirë për të monitoruar kursimet pensionale në baza ditore është regjistrimi në portalin eTrusti, i cili mund të aksesohen në: online.trusti.org.

    Gjithashtu, pasqyra e llogarisë mund të shkarkohet edhe përmes platformës eKosova, në seksionin “Kontributet dhe pensioni”. Ky proces synon që çdo kontribues të ketë informacion të qartë dhe të përditësuar mbi kursimet e tij pensionale për vitin 2025.

  • Kreu i OKB anulon pjesëmarrjen në Davos

    Kreu i OKB anulon pjesëmarrjen në Davos

    Kreu i OKB-së, Antonio Guterres nuk do të mund të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos për shkak të një ftohjeje të rëndë, njoftoi sot një zëdhënës në Gjenevë.

    ”Sekretari i përgjithshëm, fatkeqësisht, duhet të anulojë pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i cili ishte parashikuar për nesër, sepse është prekur nga një ftohje e rëndë”, deklaroi Rolando Gomez gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.

    ”Pas një vizite të së shtunës në Londër, Guterres ka ardhur në Zvicër për të takuar përfaqësuesit dhe të dërguarit e tij të veçantë, të cilët do të marrin pjesë në samitin vjetor”, shtoi ai.

    ”Kjo mbledhje tani ka përfunduar dhe ai është rrugës për në Nju Jork”, sqaroi Gomez.

  • Inspektorati Shëndetësor ia vë drynin “ordinancës” së Arianit Sllamniku

    Inspektorati Shëndetësor ia vë drynin “ordinancës” së Arianit Sllamniku

    Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë ia ka vënë drynin “ordinancës” ku Arianit Sllamniku ushtronte veprimtari mjekësore.

    Sllamniku ndonëse nuk është mjek, ka pretenduar se e ka ilaçin për këtë, por dyshohet se fëmijëve iu jepte barëra që janë për kafshët.

    Ai është intervistuar sot edhe nga hetuesia në Gjilan.

  • Rinumërimi – Sa vota iu hoqën Kurtit e Abdixhikut, sa iu shtuan Hamzës e Haradinajt

    Rinumërimi – Sa vota iu hoqën Kurtit e Abdixhikut, sa iu shtuan Hamzës e Haradinajt

    Mospërputhja me votat e kandidatëve për deputetë e çoi vendin në rinumërim të plotë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyra të marrë këtë vendim për verifikim të tërësishëm të të gjitha votave në vendvotimet e rregullta.

    Mospërputhje serioze nuk ka te top 5-shet e secilës parti.

    Deri tani, janë numëruar mbi 700 vendvotime, që i përkasin vendimit të parë të KQZ-së, për të vazhduar me 100% verifikim, në 2 mijë e 557 sosh.

    Te LVV-ja, liderit Albin Kurti iu hoqën 176 vota, ndërsa Glauk Konjufcës, Hekuran Muratit, Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës iu shtuan nga 22-130 vota.

    Ndryshime ka edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës, por jo fort të mëdha, transmeton Klankosova.tv

    Kryetari Lumir Abdixhiku ka minus 12 vota, më pak ka edhe Avdullah Hoti, ndërsa Hykmete Bajrami, Ukë Rugova dhe Doarsa Kica – Xhelili, kanë më shumë vota nga rinumërimi.

    Edhe te partia e Ramush Haradinajt ka pak lëvizje.

    Kreu i AAK-së deri tani ka 1 votë më shumë, ndërsa Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj kanë dhjetëra më shumë – veç Bekë Berishës që aktualisht ka dy më pak.

  • “Është nder dhe privilegj”, Rama ia kthen Trumpit letrën për pjesëmarrje në Bordin e Paqes për Gazën

    “Është nder dhe privilegj”, Rama ia kthen Trumpit letrën për pjesëmarrje në Bordin e Paqes për Gazën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar përgjigjen e tij për ftesën që e mori nga preisdenti Trump për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

    “Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet edhe Kuvendit të Shqipërisë për miratim.”

    Rama thotë se e vlerëson angazhimin e Trump për themelimin e Bordit të Paqes.

    “Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.”

    Ai shton se është privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë “për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim”.

    Letra e plotë:

    Republika e Shqipërisë

    Kryeministri

    Tiranë, 19 janar 2026

    Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump

    President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

    Washington, DC

    I nderuar Zoti President,

    Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

    Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

    Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

    Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

    Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

    Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

    Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

    Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

    Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

    Me respekt,

    Edi Rama

  • E keni gjetur derën e makinës të ngrirë sot, mos i bëni asnjëherë këto gabime

    E keni gjetur derën e makinës të ngrirë sot, mos i bëni asnjëherë këto gabime

    Shmangni përdorimin e forcës kur hapni derën e një makine të ngrirë për të shmangur dëmtimin.

    Për bravat e ngrira, agjentët kimikë për shkrirje ose ngrohja e çelësit me një çakmak janë të dobishëm.

    Mëngjeset e dimrit mund të habisin edhe shoferët me përvojë – veçanërisht kur pas shiut të ngrirë ose borës së shkrirë dhe të ngrirë përsëri, dyert e makinave thjesht nuk hapen. Minusi në termometër më pas bëhet më shumë se një shqetësim dhe shndërrohet në një problem të vërtetë që mund të ndërlikojë shkuarjen në punë.

    Bravat e ngrira të makinave janë një dukuri e zakonshme gjatë ditëve të ftohta, dhe një reagim i pamatur mund të çojë në dëmtime serioze të automjetit.

    Mos e hapni kurrë me forcë

    Nëse çelësi futet në bravë dhe mund të rrotullohet, por dera nuk hapet, ngrirja është për shkak të skajit prej gome të derës. Në këtë rast, mos u përpiqni kurrë të hapni me forcë një derë makine të ngrirë. Sepse nëse guarnicionet prej gome në dyer janë ngjitur, materiali mund të çahet dhe mund të ndodhin dëme më serioze.

    Në vend që ta tërheqësh derën me forcë, duhet së pari të shtypësh pjesën e jashtme të derës së makinës. Me pak aftësi, akulli mund të çahet midis guarnicioneve. Gjithashtu mund të trokasësh lehtë në pjesën metalike të derës. Provo dyer të tjera: ndoshta dera e pasagjerit hapet më lehtë?

    Para se të filloni udhëtimin, dera e shoferit duhet të hapet edhe nga jashtë në rast të ndonjë ndihme pas një aksidenti. Një mundësi tjetër: ngrohni ujin në rreth 50 gradë, pastaj derdheni me kujdes mbi të gjithë kornizën e derës.

    Por mos përdorni kurrë ujë të valuar, mund të dëmtojë ngjyrën. Dhe mos e derdhni mbi xham: një rritje e menjëhershme e temperaturës mund të shkaktojë çarje të tij. Nëse dera mund të hapet përsëri, thani pjesën e brendshme të derës dhe guarnicionin për të parandaluar ngrirjen e saj.

    Alternativë – dezinfektues

    Nëse dryni është i ngrirë , provoni më parë një shkrirës kimik. Një alternativë do të ishte një dezinfektues që përmban alkool.

    Një çakmak për të ngrohur çelësin e makinës do të ishte gjithashtu i dobishëm. Pastaj futni me kujdes dhe ngadalë çelësin e ngrohtë në bravë dhe rrotullojeni: në këtë mënyrë akulli në bravë mund të shkrihet.

    Shkrirja me tharëse flokësh

    Shkrirja e akullit me tharëse flokësh? Nuk është një ide e mirë. Mos mendoni për shkrirjen e dyerve ose bravave me tharëse flokësh. Fatkeqësisht, kjo zakonisht nuk ndihmon.

    Në ajër të ftohtë, ajri i nxehtë nga tharësja e flokëve ftohet aq shpejt saqë nuk arrin as pjesët e ngrira në guarnicionet e gomës. Madje mund të dëmtojë derën për shkak të temperaturave të larta.

    Edhe para ngricës së parë, pastroni guarnicionet prej gome të derës me një produkt të përshtatshëm kujdesi.

  • Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, Shoqata e Pacientëve me reagim për rastin e Arianit Sllamnikut

    Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, Shoqata e Pacientëve me reagim për rastin e Arianit Sllamnikut

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar rreth rastit të konspiracionistit Arianit Sllamniku, i cili pretendon se ‘shëron’ autizmin tek fëmijet.Sllamniku ndonëse nuk është mjek, ka pretenduar se e ka ilaçin për këtë, por dyshohet se fëmijëve iu jepte barëra që janë për kafshët.

    PRAK thekson se ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.

    “Së pari, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme, të qasshme dhe të integruara për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin. Kur sistemi publik nuk ofron mbështetje të strukturuar, terapi të vazhdueshme, orientim profesional dhe informim të saktë, qytetarët mbesin të vetmuar dhe të dëshpëruar duke u bërë lehtësisht pre e pretendimeve të rreme dhe mashtruese.

    “Së dyti, kemi të bëjmë me mungesë të kontrollit efektiv institucional dhe mbikëqyrjes së praktikave pseudo-mjekësore, veçanërisht në hapësirat informale dhe online, ku individë pa licencë dhe pa përgjegjësi profesionale promovojnë “trajtime” të rrezikshme, pa u ndëshkuar në kohë”.

    “Së treti, niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim. Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes”, theksohet në reagimin e kësaj shoqate.

    PRAK njëherësh thekson se e mirëpret reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfirmimin e Policisë së Kosovës se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Këto hapa janë të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm nëse mbesin vetëm reagim pas faktit.

  • Kamerat e sigurisë “kapin” mbi 1 mijë e 300 shkelje në trafik për një javë në Prishtinë

    Kamerat e sigurisë “kapin” mbi 1 mijë e 300 shkelje në trafik për një javë në Prishtinë

    Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka njoftuar se po vazhdon zbatimi i masave për rritjen e sigurisë në trafik, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe shqiptimit të gjobave ndaj kundërvajtësve.

    Sipas Policisë, në kuadër të këtyre aktiviteteve, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit po realizon shqiptimin e gjobave bazuar në monitorimin e kamerave të sigurisë, si dhe gjatë zbatimit të detyrave të rregullta në terren.

    Nga data 13 deri më 19 janar 2026, kjo njësi ka shqiptuar gjithsej 1.369 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë edhe përdorimin e telefonit mobil gjatë vozitjes. Shkeljet janë evidentuar përmes kamerave të sigurisë dhe kontrolleve direkte në komunikacion.

    Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë shoferët që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve.

  • Peticioni danez për të blerë Kaliforninë nga Trumpi është nënshkruar nga mijëra njerëz

    Peticioni danez për të blerë Kaliforninë nga Trumpi është nënshkruar nga mijëra njerëz

    Një peticion satirik që i bën thirrje Danimarkës të “blejë” Kaliforninë ka kaluar mbi 200,000 nënshkrime, si një përgjigje e dukshme ndaj thirrjeve të ripërtërira të administratës Trump që SHBA-të të blejnë Grenlandën.

    Fushata – e organizuar në Denmarkification.com – imagjinon një botë ku Danimarka blen shtetin më të populluar të Amerikës, e riemërton atë “Danimarka e Re” dhe madje e riemërton Disneylandin si “Hans Christian Andersenland”.

    Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar përsëri një paralajmërim në lidhje me rëndësinë strategjike të Grenlandës, duke thënë se SHBA-të kanë nevojë për ishullin për t’iu kundërvënë ndikimit rus dhe duke pohuar se “tani është koha” për të vepruar, megjithëse komentet e tij janë kritikuar ashpër nga udhëheqësit evropianë.

    Të shtunën, mijëra banorë të Grenlandës marshuan nëpër kryeqytetin Nuuk, në protestë kundër kërcënimeve në rritje të qeverisë Trump për të blerë territorin vetëqeverisës.

    Në përgjigje, Trump ka kërcënuar të vendosë tarifa prej 10 përqind duke filluar nga 1 shkurti, duke u rritur në 25 përqind më 1 qershor për vendet që kundërshtojnë përpjekjen e Uashingtonit për të kontrolluar Groenlandën – përfshirë Danimarkën dhe disa nga aleatët e saj më të ngushtë evropianë – dhe t’i mbajë këto tarifa në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për Grenlandën.

    Udhëheqësit në të gjithë Evropën kanë reaguar fort ndaj kërcënimit të Trump për të vendosur tarifa ndaj vendeve aleate që kundërshtojnë përpjekjet e Amerikës për të marrë kontrollin e Grenlandës, duke paralajmëruar se ky veprim rrezikon të minojë bashkëpunimin e NATO-s dhe të tendosë lidhjet transatlantike, ndërsa mbron të drejtën e Grenlandës për të përcaktuar të ardhmen e saj.