ATV

Author: K.B.

  • Mario Banushi, regjisori shqiptar që fitoi “Luanin e Argjendtë”

    Mario Banushi, regjisori shqiptar që fitoi “Luanin e Argjendtë”

    Një lajm historik për artin shqiptar: Mario Banushi fiton “Luanin e Argjendtë” në Bienalen e Venecias. 27-vjeçari triumfoi në Festivalin e 54-të Ndërkombëtar të Teatrit, duke u bërë regjisori më i ri në historinë e Bienales që nderohet me këtë çmim prestigjioz.

    Vlerësimi i Këshillit të Administrimit të Bienales erdhi për gjuhën e tij teatrale unike, thellësisht vizuale dhe joverbale.
    Veprat e Banushit shpalosin rrëfime autobiografike mbi humbjen, mungesën, familjen dhe kujtesën. Shfaqjet e tij janë prezantuar në Nju-Jork, Londër, Berlin, Milano, Vjenë, Montreal dhe Taipei.

    I rritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, ai ka studiuar aktrim në Athinë dhe që herët ka ndërtuar një identitet artistik të veçantë. Vepra “Mirupafshim, Lindita”, e lindur nga një tragjedi personale, u kthye në kryevepër skenike dhe sukses ndërkombëtar.

    Në lidhje direkte nga Athina për ABC e Mëngjesit, edhe pse i vlerësuar shpesh si grek, Banushi e thotë me krenari: “Jam shqiptar.”

    Sot, emri i tij renditet mes më të rëndësishmëve të teatrit evropian, pasi ai ka fituar gjatë viteve të fundit disa çmime ndërkombëtare në festivalet më të rëndësishme të teatrove në nivel global./abcnews.al

  • Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare

    Sot shënohet ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare

    Shkrimtari i shquar shqiptar u lind më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër, e vdiq më 1 korrik të vitit 2024. Kadare jetoi 88 vjet.

    Kadare u lind në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

    Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

    Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

    Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

    Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

    Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

    Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

    Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013.

  • Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

    Sukses ndërkombëtar i nxënësve nga Fushë Kosova, medalje në Inteligjencë Artificiale, Biologji dhe Matematikë

    Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, ka pritur në takim vëllezërit Gjin dhe Lum Rrahmani, nxënës të dalluar që kanë përfaqësuar vendin tonë në gara ndërkombëtare.

    Vëllezërit Rrahmani morën pjesë nga 10–16 janar në garat “Neo Science” dhe “Coding Olympiad”, të mbajtura në Orlando, Florida, SHBA, ku arritën rezultate të jashtëzakonshme:

    Medalje e artë (vendi i parë) në Inteligjencë Artificiale – Gjin dhe Lum Rrahmani;

    Medalje e artë “Best of the Best” në Biologji – Gjin Rrahmani;

    Medalje e bronztë (vendi i tretë) në Matematikë – Gjin dhe Lum Rrahmani;

    Gjin dhe Lum Rrahmani kanë përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali, Holandë, Egjipt, SHBA dhe Malajzi, duke fituar çmime dhe medalje të arta në matematika, shkencë, kodim, inteligjencë artificiale dhe gjuhë angleze.

    Komuna e Fushë Kosovës i ka vlerësuar lart këto arritje dhe shpreh mbështetje për sukseset e të rinjve, të cilët me përkushtim dhe dije po e përfaqësojnë denjësisht komunën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.

  • Prezantohet statuja e shkrimtarit Ismail Kadare aty ku zakonisht e pinte kafenë e mëngjesit në Shqipëri

    Prezantohet statuja e shkrimtarit Ismail Kadare aty ku zakonisht e pinte kafenë e mëngjesit në Shqipëri

    U prezantua sot mes dashamirëve statuja e shkrimtarit Ismail Kadare në 90-vjetorin e lindjes.

    Statuja u prezantua sot në ceremoninë e mbajtur në Bar Juvenilja, aty ku statuja do të hijeshojë mjedisin për të gjithë dashamirësit e shkrimtarit.

    Shkrimtari ka një histori të veçantë me Bar Juvenilia, aty ai konsumonte kafenë e mëngjesit, kur ishte në Shqipëri, zakonisht në shoqërinë e botuesit të Onufrit, Bujar Hudhri.

    E pranishme në ceremoni ishte dhe zonja e Ismail Kadare, Helena Kadare si dhe personalitete të kulturës dhe artit.

    Në ceremoni u recituan dhe poezi të Ismailit. Dihet që ai, përpara se të bëhej romancier e filloi karrierën si poet. Ai ka disa vëllime me poezi si “Kristal” dhe “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

    Ismail Kadare njihet për kryeveprat që i ka lënë gjuhës shqipe si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” apo “Dimri i vetmisë së madhe”.

    Ai u nda nga jeta korrikun e vitit 2024, por ai do të mbesë përherë në kujtesën dhe në zemrat e shqiptarëve. A.K./TemA

  • Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

    Mostra gjaku për identifikim, intensifikohen veprimet për 104 personat e pagjetur në Mitrovicë

    Drejtori për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Ramadan Beshiri, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Personave të Pagjetur në Mitrovicë dhe zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur (KQPZHK), me qëllim të koordinimit të veprimeve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, nga Departamenti për Krime Lufte, si dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët prezantuan informacione lidhur me procedurat aktuale të identifikimit.

    Gjatë takimit, drejtori Beshiri njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë marrë mostra gjaku nga familjarët, me qëllim të identifikimit dhe krahasimit me mbetjet mortore që ndodhen në morg.

    Po ashtu, u bë e ditur se sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Komunës së Mitrovicës figurojnë 104 persona të pagjetur, ndërsa në nivel të Kosovës numri i personave të zhdukur arrin në 1,571.

    “Bashkëndjejmë dhimbjen dhe shpresën me familjet e personave të pagjetur”, ka theksuar drejtori Beshiri, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e përpjekjeve drejt zbardhjes së plotë të fatit të tyre.

  • A është sauna e mirë për shëndetin tuaj?

    A është sauna e mirë për shëndetin tuaj?

    Saunat po përjetojnë një rritje të madhe në Zvicrën frëngjishtfolëse, ku po hapen shumë objekte të reja. Përveç aspektit social dhe relaksues që ofrojnë, cilat janë efektet reale të saunës mbi shëndetin tonë?

    Frekuentueshmëria e tyre po rritet – mund t’i gjesh në një jurta apo madje mbi një anije. Edhe pse nuk ka statistika zyrtare, Federata Zvicerane e Saunave raporton një rritje masive të numrit të këtyre banjove të nxehta në Zvicër. A është ndjenja e mirëqenies që ato ofrojnë arsyeja e popullaritetit të tyre?

    Mathieu Saubade, mjek sportiv në CHUV dhe UniSanté, shpjegon se si sauna ndikon mbi trupin: “Rritet diametri i enëve të gjakut dhe qarkullimi i gjakut. Kjo është një reagim kundër stresit nga nxehtësia. Trupi përpiqet të mbajë temperaturën e tij.” Djersitja gjithashtu ndihmon në eliminimin e nxehtësisë nga trupi, transmeton albinfo.ch.

    “Çfarë ka më rëndësi në sauna është të ndjesh trupin dhe të respektohesh këtë ndjesi.”

    Sipas Mathieu Saubade, sauna sjell disa përfitime shëndetësore: “Më së shumti ka një efekt relaksues. Një studim finlandez i vitit 2015 tregoi gjithashtu një ulje të mortalitetit tek përdoruesit e rregullt të saunës. Sa më e shpeshtë përdorimi, aq më të mëdha duket të jenë përfitimet.”

    Kujdes dhe kundërindikacione

    Pavarësisht përfitimeve, përdorimi i saunës nuk është pa rreziqe. Personat me probleme kardiovaskulare, epilepsi apo sëmundje të tjera duhet të konsultohen me një mjek para përdorimit të saunës. Dehidratimi është gjithashtu një rrezik që duhet marrë parasysh./Albinfo.ch/

  • Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku për 24-orë, Policia njofton për disa të arrestuar

    Mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku për 24-orë, Policia njofton për disa të arrestuar

    Policia e Kosovës, në raportin e saj ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, janë shqiptuar mbi 2 mijë e 300 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur mbi 30 aksidente.

    Përveç kësaj, nga Policia theksohet edhe se janë arrestuar 12 persona.

  • Dhuna në familje, raste të shumta të raportuara në gjithë Kosovën

    Dhuna në familje, raste të shumta të raportuara në gjithë Kosovën

    Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese në Kosovë. Raportet e fundit të Policisë së Kosovës tregojnë se pothuajse çdo ditë po regjistrohen raste të dhunës fizike, psikologjike, verbale, kanosjes dhe ngacmimit seksual, ndërsa në raportin e sotëm ka edhe dyshime për sulm seksual.

    Sipas njoftimeve policore, në komunat Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq janë regjistruar disa raste të dhunës në familje.

    Në Fushë Kosovë janë arrestuar dy persona të dyshuar për sulme fizike dhe kanosje, ndërsa një rast tjetër, ku viktima femër është ofenduar dhe sulmuar, vazhdon të hetohet. “…viktima femër kosovare është ofenduar dhe sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar i cili më pas është larguar në drejtim të panjohur. Rasti nën hetime”, njofton policia.

    Në Graçanicë janë raportuar raste të dhunës verbale dhe psikologjike ndaj viktimave femra, ku në njërin rast i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ndërkohë, në Obiliq, një e dyshuar femër është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar tre persona, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Krahas dhunës në familje, Policia ka raportuar edhe raste të kanosjes dhe sulmeve seksuale.

    Në Gjilan, një mashkull është arrestuar nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një femre, ndërsa në Shtime është arrestuar një tjetër i dyshuar për sulm fizik ndaj një viktime femër.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu, në Zveçan është hapur hetim për një rast të ngacmimit seksual përmes rrjetit social TikTok ndaj dy viktimave femra.

    Kujtojmë, se sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2,400 raste, ku shumica dërrmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje.

  • Parandalohet kontrabanda në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë

    Parandalohet kontrabanda në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë

    Në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, gjatë kontrollit të perimetrit të jashtëm nga zyrtarët korrektues, janë zbuluar dhe konfiskuar tri pako me kontrabandë.

    Gjatë kontrollit janë gjetur dy telefona mobil iPhone, dy telefona Mini, tri paketime me marihuanë si dhe tri koka të adaptuara për mbushje.

    Dyshohet se kontrabanda është hedhur nga jashtë perimetrit të Qendrës së Paraburgimit Mitrovicë. Lidhur me rastin është njoftuar Policia, ndërsa Qendra e Paraburgimit Mitrovicë ka nisur hetimet e brendshme.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë me kontrolle të vazhdueshme dhe zbatim rigoroz të masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

  • Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Ramadan Meholli – Ferit Idrizi shpreh ngushëllime

    Vdes ish-ushtari i UÇK-së, Ramadan Meholli – Ferit Idrizi shpreh ngushëllime

    Ka vdekur punonjësi i Komunës së Vushtrrisë, njëherësh ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Meholli.

    Ngushëllime ka ndarë kreu i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili tha Meholli do të kujtohet gjithmonë për kontributin e dhënë në shërbim të atdheut, si dhe për punën dhe përkushtimin e tij në shërbim të qytetarëve.

    Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të kolegut tonë në Komunën e Vushtrrisë dhe ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Meholli.

    “Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vushtrrisë, i shpreh ngushëllimet e mia familjes Meholli, kolegëve në Komunën e Vushtrrisë dhe gjithë qytetarëve. Ramadan Meholli do të kujtohet gjithmonë për kontributin e dhënë në shërbim të atdheut, si dhe për punën dhe përkushtimin e tij në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai.