ATV

Author: K.B.

  • Reagon zyrtarja që u përfshi në skandalin seksual në Mal të Zi: Presidenti ka dështuar të veprojë

    Reagon zyrtarja që u përfshi në skandalin seksual në Mal të Zi: Presidenti ka dështuar të veprojë

    Mirjana Pajkoviq, ish-sekretareshë në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Mal të Zi, foli në një intervistë për televizionin online të portalit Dan rreth skandalit seksual që ka shpërthyer në këtë vend, ku ajo është protagonistja kryesore.

    Ajo foli për kërcënimet dhe shantazhet ndaj saj, të cilave pretendon se i është nënshtruar nga Dejan Vukshiq, ish-këshilltar i presidentit dhe ish-drejtor i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare.

    Pajkoviq u shpreh se shteti ka reaguar në mënyrë jo adekuate ndaj trajtimit të dhunës ndaj saj gjatë një periudhe të gjatë kohore, përfshirë kërcënime serioze që nuk kanë rezultuar në arrestime.

    Ajo shtoi se edhe “presidenti i shtetit ka dështuar të veprojë” ndaj ankesave të saj.

    Ish-zyrtarja theksoi se rasti i saj tregon se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe se në Mal të Zi mungon barazia gjinore dhe mbrojtja e të drejtave themelore, raportojnë mediat.

    Në intervistë Pajkoviq apeloi veçanërisht tek gratë “që të mos heshtin përballë sulmeve apo abuzimeve”, duke thënë se ajo vetë e konsideron heshtjen e saj fillestare si një “gabim”.

    Ajo ka treguar se “Vukshiq ka qenë i durueshëm dhe e ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se nuk do të ketë jetë në Mal të Zi për të”, për shkak të një materiali komprometues, pasi ajo refuzoi të vepronte sipas kërkesave të tij.

    Pajkoviq ka ngritur disa kallëzime penale kundër Vukshiqit dhe si juriste vlerëson se ligjet aktuale nuk janë të mjaftueshme për të adresuar krimet e sotme, përfshirë shantazhet dhe kërcënimet me pasoja të gjerë personale dhe profesionale.

    Në mbështetje të grave të cilat përballen me diskriminim, fyerje ose forma të tjera të trajtimit jo të duhur dhe veprave jo ligjore, Institucioni i Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive ka bërë thirrje për ndalimin e fushatave stigmatizuese dhe frikësuese ndaj Pajkoviq.

    Sipas këtij institucioni, askush – pavarësisht funksionit publik që mban apo ka mbajtur – nuk e humb të drejtën për privatësi, dinjitet dhe mbrojtje kundër dhunës.

    Prokuroria Themelore në Podgoricë ka formuar dy raste në lidhje me kallëzimet e Pajkoviqit, ndërsa Vukshiq ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me krijimin apo shpërndarjen e materialeve komprometuese që janë shfaqur në publik.

  • Pranoi ryshfet nga një serb, polici i arrestuar në Vërmicë lirohet nga paraburgimi pas vendimit të Supremes

    Pranoi ryshfet nga një serb, polici i arrestuar në Vërmicë lirohet nga paraburgimi pas vendimit të Supremes

    Zyrtari policor Arton Krasniqi, i arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti në pikën kufitare në Vermicë, është liruar nga masa e paraburgimit pas një vendimi të Kolegjit të Gjykatës Supreme.Kolegji penal i Gjykatës Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Krasniqit dhe ka ndryshuar aktvendimet e mëparshme të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, të cilat kishin caktuar paraburgimin ndaj tij.

    Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, vendimet e instancave të mëparshme nuk kanë dhënë arsye të qarta dhe të pranueshme ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi ato mbështeteshin vetëm në parafrazimin e dispozitave ligjore pa vërtetuar bazat konkrete ligjore të kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.Si pasojë, masa e paraburgimit ndaj Krasniqit është ndërprerë më 6 janar 2026 dhe ai është liruar nga burgu për t’u mbrojtur në liri deri në përfundim të procesit gjyqësor.

    Krasniqi ishte arrestuar më 22 dhejtor 2025 ku polici, duke shfrytëzuar uniformën dhe pozitën e tij zyrtare, kishte pranuar ryshfet nga shtetasi i Serbisë, Boshko Qermioviq që i njëjti të mund të kalonte kufirin.

  • MPB ka publikuar kriteret për leje qëndrimi të përhershëm

    MPB ka publikuar kriteret për leje qëndrimi të përhershëm

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në kuadër të vazhdimit të fushatës informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Menaxhimin e Automjeteve, ka publikuar kriteret për lëshimin e lejes për qëndrim të përhershëm, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Kosovë.

    Kjo fushatë informuese, siç kanë shpjeguar më herët përfaqësuesit e institucioneve, do të zgjasë deri më 15 mars, pas së cilës do të fillojë zbatimi praktik i ligjit.
    KRITERET PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

    Leja e qëndrimit të përhershëm

    Për të përmbushur kushtet për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm, personi duhet të ketë pesë (5) vjet qëndrim të përkohshëm të pandërprerë në Kosovë, përveç rasteve të lejes së qëndrimit të përhershëm për ribashkim familjar përmes martesës ose bashkëjetesës, ku kërkohet qëndrimi i pandërprerë prej 3 vjetësh;

    Të miturit me qëndrim të përkohshëm në Kosovë lejohen të marrin leje qëndrimi të përhershëm nëse njëri nga prindërit është i huaj me leje qëndrimi të përhershëm, me pëlqimin e prindit tjetër.

    Është e nevojshme të kenë njohuri elementare të njërës nga gjuhët zyrtare, si dhe, siç theksohet, të njohin kulturën dhe rendin shoqëror të Kosovës, gjë që dëshmohet përmes një testi me shkrim, të organizuar nga MPB.

    Megjithatë, theksohet se njohja e gjuhës nuk kërkohet për fëmijët e moshës parashkollore; për personat që kanë përfunduar arsimin fillor, të mesëm ose të lartë në Kosovë; për personat mbi moshën 65 vjeç nëse nuk janë të punësuar; si dhe për të huajt, gjuha amtare e të cilëve është njëra nga dy gjuhët zyrtare.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

    Për të realizuar të drejtën për leje qëndrimi të përhershëm, qytetarët, përkatësisht të huajt, duhet të kenë:

    Dokument udhëtimi të vlefshëm;

    Dëshmi se nuk janë dënuar në Kosovë;

    Dëshmi për lidhjen e martesës;

    Dëshmi për mjete financiare për jetesë;

    Sigurim shëndetësor;

    Dëshmi për strehim të siguruar.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM ME LIRIM NGA SHTETËSIA E RKS-së

    Dokument udhëtimi i vlefshëm;

    Dëshmi se nuk është nën hetime, e lëshuar nga organi kompetent i shtetit, shtetas i të cilit është i huaji ose i shtetit të vendbanimit të fundit, e përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare;

    Vendim për lirimin nga shtetësia e Kosovës.

    DOKUMENTET E NEVOJSHME PËR VAZHDIMIN E KARTELES SË LEJES SË QËNDRIMIT TË PËRHERSHËM

    Pasaportë e vlefshme;

    Dëshmi se nuk është dënuar nga gjykata në Republikën e Kosovës;

    Sigurim shëndetësor;

    Vërtetim për adresën e vendbanimit.

    TAKSAT PËR LEJE QËNDRIMI TË PËRHERSHËM

    Për qëllime pune: 100 euro

    Për ribashkim familjar: 70 euro

    Lirim nga shtetësia: 50 euro

    Për humbje, dëmtim ose ri pajisje: 10 euro.

  • Si t’i thani rrobat më shpejt në dimër pa shpenzuar energji

    Si t’i thani rrobat më shpejt në dimër pa shpenzuar energji

    Dimri shpesh e vështirëson tharjen e rrobave, sidomos kur nuk përdoret tharësja elektrike, e cila shpenzon shumë energji dhe rrit faturat e dritave.

    Për këtë arsye, shumë njerëz zgjedhin t’i thajnë rrobat në ajër, por ky proces mund të zgjasë shumë.

    Ekspertja e pastrimit Katt Ekrami nga Urban Student Life ka treguar një mënyrë të thjeshtë dhe pa kosto për t’i tharë rrobat më shpejt.

    Ajo këshillon që rrobat e lagura të shtrihen mbi një peshqir të madh, të rrotullohen dhe të shtrydhen për të hequr ujin e tepërt. Më pas, rrobat varen në raft ose në tel për t’u tharë.

    Peshqiri thith lagështinë dhe e përshpejton ndjeshëm procesin e tharjes, duke e shkurtuar kohën pothuajse përgjysmë.

    Kjo metodë funksionon shumë mirë edhe për rrobat më të trasha, si xhinset dhe pulovrat.

    Për rezultate më të mira, rekomandohet që rrobat të kalojnë në ciklin e shtrydhjes në lavatriçe dhe të kthehen herë pas here gjatë tharjes.

    Rrobat e lehta thahen për një ose dy orë, ndërsa ato më të trasha për tre deri në katër orë, pa shpenzuar para shtesë.

  • Republika më e vjetër në botë, më e vogël se një qytet – pa aeroport e autostrada, por më shumë turistë se banorë

    Republika më e vjetër në botë, më e vogël se një qytet – pa aeroport e autostrada, por më shumë turistë se banorë

    Pa infrastrukturë moderne, por me histori 1.700-vjeçare dhe miliona vizitorë çdo vit

    Në një kohë kur shtetet garojnë për madhësinë e aeroporteve, gjatësinë e autostradave dhe numrin e banorëve, ekziston një vend që i sfidon plotësisht këto logjika. Pa aeroportin e vet, pa hekurudhë dhe pa autostrada, por me një histori më të gjatë se ajo e shumicës së mbretërive evropiane, San Marino çdo vit tërheq më shumë turistë sesa ka banorë.

    I vendosur në shpatet e Apenineve dhe i rrethuar plotësisht nga Italia, San Marino është një nga shtetet më të vogla në botë, por edhe një nga më këmbëngulëset kur bëhet fjalë për ruajtjen e identitetit, traditës dhe lirisë.

    Republika më e vjetër në botë, më e vogël se një qytet

    Në një territor më të vogël se 62 kilometra katrorë, San Marino ruan një vazhdimësi shtetërore të pandërprerë prej më shumë se 1.700 vjetësh. Pikërisht për këtë arsye mban titullin e republikës më të vjetër ekzistuese në botë.

    Edhe pse sot numëron pak më shumë se 30.000 banorë, ky shtet i vogël ka arritur për shekuj me radhë ta ruajë pavarësinë, edhe në periudha kur fuqi shumë më të mëdha zhdukeshin nga harta e Evropës.

    Shteti që u themelua nga një gurgdhendës

    Sipas legjendës së rrënjosur thellë në identitetin e San Marinos, republika u themelua në fillim të shekullit IV nga Marinus, një gurgdhendës i krishterë nga ishulli Rab. Duke ikur nga persekutimet e perandorit romak Dioklecian, ai u strehua në malin Titano, ku mblodhi një komunitet të vogël njerëzish që kërkonin liri.

    Sipas gojëdhënës, në çastet e fundit të jetës ai shqiptoi fjalinë që edhe sot konsiderohet themeli i shtetit: “Ju lë të lirë.”

    Pikërisht kjo ide e lirisë u bë thelbi i shtetësisë së San Marinos dhe arsyeja pse kjo republikë nuk e humbi kurrë pavarësinë, as gjatë pushtimeve napoleonike, as gjatë bashkimit të Italisë në shekullin XIX.

    Tri kullat që simbolizojnë lirinë

    Simboli më i njohur i San Marinos janë tri kullat prej guri në majën e malit Titano – Gvajta, Çesta dhe Montale. Ato gjenden edhe në stemën dhe flamurin shtetëror, ndërsa dikur shërbenin si fortifikime dhe burgje.

    Sot, këto kulla janë ndër atraksionet kryesore turistike. Nga muret e tyre, në ditë me mot të kthjellët, pamja shtrihet deri në Detin Adriatik. Besimi lokal thotë se tri kullat simbolizojnë lirinë, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë, vlera që San Marino vazhdon t’i ruajë me përkushtim.

    Shtet me dy krerë dhe pa një sundimtar të vetëm

    San Marino ka një nga sistemet politike më të pazakonta në Evropë. Shtetin e udhëheqin njëkohësisht dy kapitenë-regjentë, të cilët zgjidhen për një mandat prej vetëm gjashtë muajsh.

    Ky sistem daton që nga Mesjeta dhe është menduar për të parandaluar përqendrimin e pushtetit në duart e një personi të vetëm. Mesazhi është i qartë, pushteti është i përkohshëm, republika është e përhershme.

    Pa ushtri, por me hark

    Edhe pse nuk ka ushtri klasike, San Marino ka një gardë ceremoniale, përfshirë edhe Gardën e famshme të harkëtarëve. Harku ka qenë për shekuj simbol i mbrojtjes dhe rezistencës, ndërsa sot përfaqëson një pjesë të rëndësishme të identitetit shtetëror dhe trashëgimisë kulturore.

    Ky shtet i vogël historikisht është mbështetur më shumë te diplomacia sesa te armët, gjë që ka rezultuar një strategji e suksesshme afatgjatë.

    Më shumë turistë se banorë

    San Marino nuk ka aeroport, stacion hekurudhor apo autostrada, por çdo vit tërheq shumëfish më tepër turistë sesa ka banorë. Vizitorët vijnë kryesisht nga qytetet e afërta italiane, por edhe nga e gjithë bota, të tërhequr nga kombinimi i pazakontë i historisë, peizazhit dhe simbolikës shtetërore.

    Vendi është i njohur edhe për pullat postare dhe monedhat euro me motive të veta, të cilat janë ndër më të kërkuarat në Evropë.
    Një tjetër kuriozitet – San Marino nuk ka pasur kurrë borxh publik në kuptimin klasik siç e njohin shtetet e mëdha, ndërsa papunësia prej vitesh është ndër më të ulëtat në rajon.

    Shtet i vogël me mesazh të madh

    San Marino dëshmon se madhësia e territorit nuk e përcakton rëndësinë e një shteti. Historia e tij, legjenda e lirisë dhe këmbëngulja për të ruajtur identitetin në hijen e fuqive të mëdha e bëjnë atë një fenomen unik në hartën evropiane.

    Në një botë ndryshimesh të shpejta dhe rishikimesh të vazhdueshme të kufijve, kjo republikë e vogël kujton se disa vlera, si liria, vetëqeverisja dhe qëndrueshmëria, mund të zgjasin shekuj, pavarësisht numrit të banorëve apo kilometrave katrorë.

  • Janë kokëfortë, shenjat e zodiakut që nuk i dëgjojnë kurrë këshillat e të tjerëve

    Janë kokëfortë, shenjat e zodiakut që nuk i dëgjojnë kurrë këshillat e të tjerëve

    Ka njerëz që gjithmonë do t’i dëgjojnë mendimet e të tjerëve, por në fund ata prapë do të bëjnë atë që duan. Për ta, këshilla shërben më shumë si informacion sesa si udhëzim, dhe përvoja e tyre ka përparësi mbi paralajmërimet e të tjerëve.

    Ky qëndrim shpesh përshkruhet si kokëfortësi – një tipar që mund të jetë si pikë e fortë ashtu edhe dobësi. Në astrologji, shenja të caktuara të zodiakut shoqërohen më shpesh me bindjen se ato e dinë më mirë se çfarë të bëjnë. Më poshtë, paraqesim shenjat e zodiakut që rrallë pranojnë këshilla nga të tjerët.

    Dashi

    Dashi njihet për impulsivitetin e tij dhe nevojën për të vepruar menjëherë. Shpesh i percepton këshillat e të tjerëve si ngadalësim ose ndërhyrje në planet e tij. Ndërsa dëgjon me mirësjellje, rrallë ndryshon një vendim që e ka marrë tashmë.

    Kokëfortësia e tyre buron nga një besim i fortë në instinktet e tyre. Dashi beson se të mësuarit është më i miri përmes përvojës personale, edhe nëse kjo do të thotë përsëritja e të njëjtave gabime.

    Luani

    Luanët pëlqejnë të jenë ata që udhëheqin, jo ata që ndjekin udhëzimet. Ata e kanë të vështirë të pranojnë këshilla sepse shpesh i shohin si kritikë ose dyshim në aftësitë e tyre. Vetëbesimi i tyre i bën të bindur se dinë çfarë po bëjnë, pavarësisht nga mendimet e atyre përreth tyre.

    Ndërsa mund t’i vlerësojnë sugjerimet me qëllime të mira, Luanët rrallë do të lejojnë që dikush tjetër të marrë vendime për ta. Në fund të fundit, ata gjithmonë do të ndjekin ndjenjat dhe vizionin e tyre.

    Demi

    Demët janë jashtëzakonisht kokëfortë dhe nuk i pëlqejnë ndryshimet, veçanërisht nëse vijnë nga jashtë. Pasi të kenë vendosur, është e vështirë t’i bindësh të marrin në konsideratë një qasje të ndryshme. Ata shpesh i injorojnë këshillat sepse kjo prish ndjenjën e tyre të stabilitetit.

    Kokëfortësia e tyre nuk është e papritur, por këmbëngulëse. Demi do të qëndrojë me qetësi, por me këmbëngulje në qëndrimin e tij, edhe kur ata përreth tij përpiqen t’u tregojnë zgjidhje të tjera.

    Akrepi

    Akrepët i besojnë gjykimit të tyre më shumë se të tjerëve. Ata rrallë kërkojnë këshilla, dhe madje edhe më rrallë i ndjekin ato. Ata besojnë se të tjerët nuk e shohin pamjen e përgjithshme ose motivet e fshehura, prandaj mbështeten vetëm te vetja.

    Kokëfortësia e tyre shpesh vjen nga nevoja për kontroll. Akrepët duan të ndihen sikur janë përgjegjës për vendimet e tyre, pa ndikim të jashtëm.

  • Makina e larjes do të qëndrojë e pastër për muaj me një veprim të thjeshtë pas çdo larjeje

    Makina e larjes do të qëndrojë e pastër për muaj me një veprim të thjeshtë pas çdo larjeje

    Makina e larjes shpesh është një nga pajisjet më të përdorura në shtëpi, duke funksionuar çdo ditë, por shumë njerëz nuk e dinë se ajo mund të bëhet një vend i favorshëm për baktere dhe myk.

    Shpesh ekspozohet ndaj lagështisë dhe nuk pastrohet rregullisht, gjë që krijon kushte ideale për rritjen e mykut.

    Myku zhvillohet më lehtë në vende të lagura ku ka mbetje detergjenti, dhe nëse nuk pastrohet, mund të shkaktojë që makina të prishet më shpejt dhe të krijojë një lloj llumë që përhapet në rrobat tuaja.

    Sipas Ian Palmer-Smith, ekspert në fushën e hidraulikës nga Domestic and General, parandalimi i mykut në makinën e larjes është shumë i thjeshtë. Ai thotë:

    “Mbledhja e detergjentit në sirtar formon një shtresë që tërheq mykun. Thjesht fshijeni sirtarin pas çdo larjeje para se të krijohet myk”.

    Pas çdo larjeje, sirtari i detergjentit zakonisht mbetet i lagur, i ngrohtë dhe me mbetje të zbutësit të rrobave, një kombinim perfekt për mykun. Bakteret dhe myku mund të krijojnë një lloj llumi të trashë dhe të rrëshqitshëm, i cili do të kthehet në makinën e larjes në çdo herë që lani rrobat. Kjo jo vetëm që e bën më të vështirë pastrimin, por gjithashtu ndikon që rrobat të kenë erë të keqe pavarësisht sa herë i lani.

    Një mënyrë e thjeshtë për të mbajtur makinën të pastër është të fshini mbetjet e detergjentit pas çdo përdorimi. Mjafton të hapni sirtarin, ta pastroni me një leckë të pastër dhe ta lini të hapur që të thahet. Ky proces zakonisht merr vetëm rreth 30 sekonda, por mund të zgjasë më shumë nëse ka mbetje ose njolla të vështira për t’u larguar.

    Nëse sirtari ka shumë mbetje, mund ta hiqni nga makina, ta lani me ujë të nxehtë dhe ta shkundni pak për të hequr ujin e tepërt. Pastaj vendoseni përsëri në vendin e vet. Në këtë mënyrë, makina do të mbetet e pastër dhe pa myk për një kohë të gjatë pa pastrime të thella.

    Makina e larjes përfiton gjithashtu nëse lini derën hapur pas çdo larjeje, bëni herë pas here një larje të nxehtë për të vrarë bakteret dhe nuk e mbushni me shumë rroba njëherësh. Ian shpjegon:

    “Kur mbushni kazanin me rroba deri në skaj, uji nuk arrin tek të gjitha rrobat, prandaj ato nuk pastrohen dhe mbeten të ndyra. Për më tepër, rrobat nuk lahen siç duhet”.

  • Pamje të frikshme të aksidentit tragjik në Rumani ku vdiq edhe tifozi shqiptar (VIDEO)

    Pamje të frikshme të aksidentit tragjik në Rumani ku vdiq edhe tifozi shqiptar (VIDEO)

    Shqiptari Vasil Palo ishte një nga 7 tifozët e PAOK-ut, që humbi jetën në aksidentin tragjik të ditës së martë në Rumani.

    Mjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion gjatë një parakalimi. Ata udhëtonin drejt Lionit në Francë për ndeshjen e radhës në Europë të klubit grek.

    Dyshohet se shkak i aksidentit u bë bllokimi i timonit për shkak të sistemit të asistencës së korsisë, raporton Top Channel.

    I afërmi i Vasilit, Thoma Nika, rrëfeu historinë e trishtueshme të shqiptarit, babai i të cilit po ashtu kishte ndërruar jetë në moshë të re, kur djali ishte i mitur.

  • Miliona përdorues të Apple paralajmërohen të ndalojnë përdorimin e Chrome

    Miliona përdorues të Apple paralajmërohen të ndalojnë përdorimin e Chrome

    Përdoruesit e Apple që mbështeten në Google Chrome për të shfletuar uebin mund të duhet të rishqyrtojnë opsionet e tyre, pasi Apple dhe Google lëshuan paralajmërime serioze që mund të ndikojnë në miliona pajisje.

    Google njoftoi se duke filluar nga versioni 151, Chrome nuk do të mbështesë më macOS 12 Monterey ose më herët, transmeton Telegrafi.

    “Do t’ju duhet të siguroheni që pajisja juaj po përdor macOS 13 ose më vonë për të vazhduar të merrni versione të ardhshme të Chrome”, tha kompania në faqen e saj të ndihmës.

    Ndërkohë, Apple thotë se gjurmimi agresiv i të dhënave të Chrome dhe integrimi i inteligjencës artificiale, mund të rrisin rreziqet për privatësinë e përdoruesit.

    Përdoruesit e pajisjeve të vjetruara të Apple mund të duhet së shpejti të zgjedhin midis përmirësimit të pajisjeve të tyre ose braktisjes së plotë të Chrome.

    Chrome mbetet një nga aplikacionet më të përdorura në macOS, por mbështetja e tij e vazhdueshme varet nga përdoruesit që përdorin sisteme operative më të reja.

    Ndërsa Chrome do të vazhdojë teknikisht të funksionojë në sisteme të pambështetura, ai nuk do të përditësohet më për dobësitë, të cilat do t’i ekspozonin përdoruesit ndaj kërcënimeve të sigurisë.

    Apple gjithashtu ka sulmuar Chrome për atë që e përshkruan si praktika pushtuese të mbledhjes së të dhënave, veçanërisht me ringjalljen e “gjurmëve digjitale të gishtërinjve”.

    Gjurmë gishtash digjitale është një teknikë gjurmimi që mbledh pika të shumta të dhënash nga pajisja e një përdoruesi – siç janë specifikimet e harduerit, cilësimet e shfletuesit dhe fontet e instaluara – për të gjeneruar një profil unik që faqet e internetit mund ta përdorin për të ndjekur përdoruesit në të gjithë internetin.

    Ndryshe nga “cookies”, gjurmë gishtash nuk mund të zbulohet ose fshihet lehtë nga përdoruesit. Apple e ka shënuar këtë praktikë si veçanërisht invazive, duke vënë në dukje se Safari e kundërshton atë duke maskuar detajet e pajisjes për t’i bërë përdoruesit më pak të identifikueshëm individualisht.

    “Parandalimi Inteligjent i Gjurmimit përdor inteligjencën në pajisje për të ndihmuar në parandalimin e atyre gjurmuesve nga të mësuarit se kush jeni dhe çfarë ju intereson”, thotë Apple në faqen e saj të internetit.

    Në vitin 2019, Google e ndaloi praktikën, duke vënë në dukje se me gjurmë gishtash, “ndryshe nga “cookies”, përdoruesit nuk mund ta pastrojnë gjurmën e tyre të gishtave dhe për këtë arsye nuk mund të kontrollojnë se si mblidhet informacioni i tyre.

    Megjithatë, Google nuk e ndalon më gjurmën e gishtave në Chrome dhe vetë kompania ka pranuar kërcënimet e lidhura, duke thënë se përgjigja e saj përfshin një qasje “mbrojtjeje të shtresuar” për të zvogëluar dëmin e mundshëm.

  • Dallaveret me vota në Malishevë, avokati i njërit nga të ndaluarit: Klienti im vetëm i ka lexuar fletëvotimet

    Dallaveret me vota në Malishevë, avokati i njërit nga të ndaluarit: Klienti im vetëm i ka lexuar fletëvotimet

    Ergjyment Barbullushi, avokat i njërit nga të ndaluarit sot në Malishevë për dallaveret me vota, ka treguar pse klienti i tij sot është intervistuar.

    Para mediave, ai ka thënë se klienti i tij i ka treguar se procedura e numrit të votave është bërë sipas procedurës se paraparë ligjore.

    “Ai thotë se e ka pasur për detyrë vetëm t`i lexoi fletëvotimet dhe të caktoi se kush për kënd ka votuar, kurse evidentimi i deklarimeve është bërë nga kryesuesi i komisionit”, ka thënë avokati.