ATV

Author: K.B.

  • Uji nga Badoci ende i papijshëm, qytetarët këshillohen të mos e përdorin

    Uji nga Badoci ende i papijshëm, qytetarët këshillohen të mos e përdorin

    Që nga vërshimet e fundit në Kosovë, uji që furnizon qytetarët nga Liqeni i Badocit, vazhdon të mbetet i papijshëm. Reshjet e shumta dhe prurjet e mëdha të ujërave kanë ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit, duke rritur nivelin e ndotjes dhe të turbullirës.

    Uji i Liqenit të Badocit vazhdon të jetë i mbushur pas reshjeve të shumta të shiut, gjë që po ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e tij. Si pasojë, uji që furnizon dhjetëra lagje të Prishtinës, vazhdon të mbetet jo i sigurt për pije, duke detyruar qytetarët të gjejnë alternativa për furnizim me ujë të pijshëm.

    “Prej njoftimit të parë që ka dalë, nuk e përdorim për pije”, tha një qytetar.

    “Nuk ke çfarë të bësh. Po duhet me i lanë të gjitha dhe me ble”, thotë tjetri qytetar.

    Megjithatë, jo të gjithë thonë se kanë mundësi ta sigurojnë ujin.

    “Po e përdorim edhe pse po thonë mos me e përdor, por nuk po kemi çka”, theksoi qytetari.

    Qytetarëve të cilët furnizohen nga ky liqen, u këshillohet të tregojnë kujdes të shtuar dhe ta përdorin ujë të ambalazhuar për konsum, në mënyrë që të shmangen rreziqet për shëndetin publik.

    Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes telefonin i kanë konfirmuar RTK-së se uji që vjen nga Liqeni i Badocit vazhdon të jetë i papijshëm për qytetarët, deri në një njoftim të radhës.

    Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka treguar paraprakisht edhe zona ku uji nuk rekomandohet të pihet.

  • Netanyahu paralajmëron: S’ka shtet palestinez, s’ka ushtarë turq dhe s’ka rindërtim të Gazës pa demilitarizim

    Netanyahu paralajmëron: S’ka shtet palestinez, s’ka ushtarë turq dhe s’ka rindërtim të Gazës pa demilitarizim

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të qartë qëndrimin e tij personal lidhur me të ardhmen e Gazës, duke theksuar se çdo përpjekje për rindërtimin e territorit do të jetë e papranueshme pa një proces të mëparshëm demilitarizimi.

    Sipas tij, siguria e Izraelit mbetet parësore dhe nuk mund të ketë investime apo projekte rindërtimi për sa kohë që Gaza vazhdon të përbëjë një kërcënim të mundshëm ushtarak.

    “Po dëgjoj deklarata se rindërtimi i Gazës mund të fillojë para demilitarizimit. Dua ta bëj të qartë: kjo nuk do të ndodhë”, tha ai në një fjalim të fundit, duke theksuar shqetësimet e Izraelit për sigurinë në rajon.

    Ai gjithashtu iu referua mundësisë së pranisë së trupave të huaja në Gaza, duke përmendur konkretisht ushtarët turq dhe Katarit.

    “Dëgjoj se disa po sugjerojnë sjelljen e ushtarëve turq dhe kataras në Gaza. Edhe kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai, duke përforcuar qëndrimin e qeverisë izraelite ndaj ndërhyrjeve të huaja ushtarake.

    Netanyahu nuk la pa përmendur edhe çështjen e një Shteti Palestinez në Gaza. “Dëgjoj se do të lejohet krijimi i një Shteti Palestinez në Gaza. Kjo nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodhë”, tha lideri izraelit, duke nënvizuar refuzimin e Izraelit për një shtet të pavarur në territorin e Gazës pa marrëveshje të plotë për sigurinë.

    Ky qëndrim i kryeministrit izraelit vjen në një moment të tensionuar, ku komuniteti ndërkombëtar po shtyn përpara fazën e dytë të armëpushimit në Gaza.

  • Mëngjes me ngrica, në mbrëmje sërish shi

    Mëngjes me ngrica, në mbrëmje sërish shi

    Dita e mërkurë fillon me kthjellime dhe temperatura të ulëta orëve të mëngjesit.Përgjatë ultësirave shfaqen kushte edhe për mjegull, që deri nga mesdita parashihet të shpërndahet.

    Temperaturat minimale zbresin në -2C e 1C. Ditën vransirat shtohen, e më vonë reshje shiu përfshinë pjesët perëndimore të vendit, që orëve të mbrëmjes kalojnë edhe në pjesë qëndrore e lindore të vendit.

    Temperaturat maksimale shkojnë deri në 7C e 11C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare, jugore e juglindore 3-10m/s.

    Kthjellime parashihen në natën me kalimin nga dita e enjtë. Të enjtën sërish vransirat shtohen gjatë ditës, e krejt vonë në mbrëmje aty këtu shfaqen kushte për riga lokale shiu. Temperaturat shënojnë rritje deri në 10C e 12C.

    Reshje lokale shiu vazhdojnë orëve të para të ditës së premtë, por që pushojnë më vonë pasdite. Përgjatë fundjave vransirat dominojnë mbi vend, e nuk përjashtohen mundësitë për ndonjë rigë lokale shiu, apo reshje dëbore krejt viseve më të larta malore. Temperaturat zbresin në 7C e 8C, të premtën, e deri të dielen në 4C, ato maksimale, derisa minimalet në 0C. Frynë erë veriore e verilindore e lehtë dhe mesatare 3-7m/s, njofton Mendimi për Motin.

  • Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

    Gjermania me paralajmërim zyrtar për udhëtimin drejt SHBA-së

    Gjermania ka lëshuar një paralajmërim për udhëtimin për qytetarët e saj që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke përmendur rreziqet që lidhen me zbatimin e ligjit për imigracionin dhe situatat e rendit publik.

    Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë tha në një njoftim të martën, se qytetarët gjermanë duhet të jenë të vetëdijshëm për demonstratat dhe përplasjet me autoritetet amerikane të migracionit dhe sigurisë.

    “Në Minneapolis dhe qytete të tjera, demonstratat ndonjëherë çojnë në përplasje të dhunshme me autoritetet e migracionit dhe sigurisë”, thuhet në deklaratë.

    “Jini vigjilentë dhe qëndroni larg turmave ku mund të ndodhë dhunë”, thuhet në të.

    Protesta janë mbajtur në Minneapolis, Minesota dhe qytete të tjera kundër veprimeve të oficerëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Patrullës Kufitare që zbatojnë masat e presidentit Donald Trump për goditjen e imigracionit. Të shtunën, agjentët federalë qëlluan për vdekje Alex Pretti në Minneapolis.

    Gjermania tashmë kishte një njoftim për udhëtimin për stuhinë e rëndë që godet SHBA-në.

  • Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

    Komuna e Kamenicës ofron kurse profesionale falas për të papunët

    Komuna e Kamenicës njofton se Qendra për Aftësim Profesional – QAP Gjilan, në kuadër të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës / MFPT, ofron kurse profesionale intensive, të certifikuara dhe falas, të përshtatura sipas kërkesave të tregut të punës.

    Pjesëmarrësve u mundësohet:

    Pjesëmarrje pa pagesë
    Pjesëmarrje për persona të papunë
    Mundësi reale për integrim në tregun e punës

    Regjistrimi mund të bëhet përmes Zyrave të Punësimit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

    Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën e Punësimit përkatëse.

  • Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës

    Ndalohen për 48 orë tre zyrtarët e arrestuar të Komunë së Prishtinës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orë, tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të arrestuar të martën për ryshfet.

    Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    “E konfirmoj se prokurori i shtetit ka marrë aktvendimin për ndalimin e tre personave në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bazë të nenit 414 të KPRK-së, dhe veprën penale “Marrje e ryshfetit” sipas nenit 421 të KPRK-së”, tha Shala.

    Prokuroria ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është kapur në flagrancë.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe telefona që sipas Prokurorisë do të shërbejnë si prova.

    “Janë sekuestruar edhe telefona si prove e cila di të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës hetimore. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroje kërkesë me shkrim gjykatës kompetente për caktimin e ndonjë prej masave ndaj te dyshuarve”, ka thënë Shala.

    Për rastin ka reaguar edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Ai ka thënë se kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.

  • ShBA do të dërgojë agjentë të ICE në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano

    ShBA do të dërgojë agjentë të ICE në Lojërat Olimpike Dimërore në Milano

    Agjencia amerikane e imigracionit, oficerët e së cilës kanë qenë të përfshirë në dy të shtëna fatale në Minneapolis, ka thënë se po dërgon agjentë për të ndihmuar në mbështetjen e operacioneve amerikane të sigurisë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat fillojnë në Itali më 6 shkurt.

    Konfirmimi i rolit të agjencisë erdhi Immigration and Customs Enforcement (ICE), pasi raportet shkaktuan alarm dhe zemërim në Itali.

    “Kjo është një milici që vret… sigurisht që nuk janë të mirëpritur në Milano”, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Beppe Sala, për radion italiane të martën.

    Një zëdhënës i ICE theksoi se “të gjitha operacionet e sigurisë mbeten nën autoritetin italian”.

    Burime të ambasadës amerikane në Romë kishin shpjeguar tashmë për mediat italiane se agjenci të ndryshme federale kishin punuar në lojërat e mëparshme në të kaluarën, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ICE kishte marrë pjesë vetë.

    Deklarata e agjencisë të martën shpjegoi se “Hetimet e Sigurisë Kombëtare (HSI) të ICE po mbështesin Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe kombin pritës për të verifikuar dhe zbutur rreziqet nga organizatat kriminale transnacionale”.

    Ajo “natyrisht” nuk do të kryejë operacione zbatimi të imigracionit jashtë SHBA-së, tha ajo.

    Deklarata iu dha agjencisë së lajmeve AFP dhe u konfirmua nga burime të ambasadës për Associated Press. BBC gjithashtu i është drejtuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare për koment.

    Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Pantedosi, fillimisht dukej i painformuar se zyrtarët amerikanë të imigracionit do të vinin në Lojërat Olimpike Milano-Cortina dhe tha se edhe nëse do të vinin, delegacionet e huaja mund të zgjidhnin vetë sigurinë e tyre, duke thënë: “Nuk e shoh se cili është problemi dhe është shumë normale”.

  • Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kurti, Osmani dhe Basha përkujtojnë viktimat e Holokaustit në Prishtinë

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetarin në detyrë të Kuvendit, Dimal Basha kanë vënë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Kurti ka thënë se këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit.

    “Pranë pllakës që shënon sinagogën e fundit në Kosovë, e cila ishte pjesë e çarshisë së vjetër të Prishtinës, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit, bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha vumë kurorë me lule në përkujtim të të gjitha viktimave që u vranë me plumba dhe gaz, që u dogjën në krematoriume, apo vdiqën nga kushtet e tmerrshme nëpër kampet e përqendrimit dhe nga aksionet e nazistëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Këto krime mizore dhe vuajtje çnjerëzore i dhanë njohje ndërkombëtare konceptit të gjenocidit, përmes së cilit ne sot i emërtojmë aktet e vrasjeve dhe shkatërrimet e qëllimshme, të pjesshme apo të tërësishme, të një komuniteti të caktuar etnik, kombëtar, fetar apo racor”, ka shkruar Kurti në Facebook.

  • KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    KQZ: Rinumërimi mbi 75 për qind, procesi pritet të përfundojë deri në fund të muajit

    Mbi 75 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që i gjithë procesi të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi tha për Ekonomia Online se që nga 13 janari në QNR po zbatohen dy vendime të KQZ-së për rinumërimin e gjithsej 2 557 vendvotimeve, ku është zhvilluar procesi zgjedhor më 28 dhjetor.

    “Që nga data 13 janar dhe deri më sot, kur ka filluar dita e 15, në QNR është duke vazhduar zbatimi i dy vendimeve të KQZ-së, për rinumërimin e 914 vendvotimeve dhe ai për rinumërimin edhe të 1.643 vendvotimeve, që në përgjithësi kemi të bëjmë me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, 2.557, në të cilat është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor më 28 dhjetor. Numri i vendvotimeve që janë rinumëruar, kur shënon pak pas mesditës, është më shumë se 75 për qind dhe sigurisht se këto të dhëna do të ndryshojnë deri në orën 16:00, kur do të përfundojë orari i punës për ndërrimin e parë”, tha ai.

    Sipas Elezit, procesi po zhvillohet sipas planit të paraparë dhe në QNR janë të angazhuara 76 ekipe numërimi.

    “Fillimisht procesi i rinumërimit, i cili ka filluar me datë 13 janar, është duke vazhduar sipas planifikimeve të KQZ-së. Në përgjithësi në QNR janë 76 ekipe numërimi të cilat angazhohen gjatë gjithë ditës. Sipas planifikimeve dhe dinamikës që është duke u zhvilluar këtu në QNR, atëherë KQZ planifikon që procesi i rinumërimit për vendvotimet e mbetura pritet të përmbyllet deri në fund të këtij muaji, që i bie ditë e shtunë”, tha ai.

    Ai sqaroi se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të shkurtit, KQZ-ja do të presë afatet ligjore për ankesa para certifikimit të zgjedhjeve.

    “Fillimisht pas shpalljes së rezultatit përfundimtar në fillim të muajit shkurt, KQZ planifikon që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme. Shpallja e rezultatit nuk nënkupton certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, sepse sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre ndaj këtij rezultati fillimisht në PZAP dhe pastaj palët mund të ankohen edhe në Gjykatën Supreme nëse janë të pakënaqura me vendimin e PZAP-së. Pra, KQZ duhet të presë të kalojnë këto afate kohore para se të bëjë procedime të tjera. Koha se sa duhet që KQZ ta certifikojë rezultatin përfundimtar pasi të bëjë shpalljen e këtij rezultati varet krejtësisht nga ankesat të cilat mund të paraqiten ndaj rezultatit përfundimtar”, tha ai.

  • Gjermania ofron një milion euro shpërblim për informacion mbi sulmin në rrjetin elektrik të Berlinit

    Gjermania ofron një milion euro shpërblim për informacion mbi sulmin në rrjetin elektrik të Berlinit

    Gjermania po ofron një shpërblim prej një milion eurosh për informacion që çon në arrestimin e militantëve të dyshuar të ekstremit të majtë, sulmi zjarrvënës i të cilëve shkaktoi një ndërprerje masive të energjisë në Berlin në fillim të këtij muaji, tha të martën ministri i Brendshëm.

    Rreth 45,000 shtëpi dhe 2,200 biznese mbetën pa energji elektrike për gati një javë në mes të dimrit në jugperëndim të kryeqytetit gjerman. Ishte ndërprerja më e gjatë në qytet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, transmeton Telegrafi.

    Policia gjermane po kërkon anëtarë të “Vulkangruppe” (Grupi i Vullkaneve) të ekstremit të majtë, i cili mori përgjegjësinë për ndërprerjen në disa deklarata online. Grupi tha se qëllimi ishte të godiste industrinë e karburanteve fosile, jo të shkaktonte ndërprerje të energjisë.

    Duke njoftuar shpërblimin, Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt u zotua të “kundërpërgjigjej”.

    “Agjencitë tona të sigurisë do të përforcohen ndjeshëm në luftën kundër ekstremizmit të krahut të majtë. Mendoj se është e përshtatshme të nënvizohet serioziteti i situatës me një shpërblim të kësaj madhësie”, tha ai.

    Dobrindt tha se policia do të nisë një fushatë publicitare për të mbledhur informacione dhe për të reklamuar shpërblimin, duke përfshirë fletëpalosje dhe postera në sistemin e metrosë së Berlinit.

    Grupi i vetëshpallur i Vullkanit ka qenë aktiv që nga viti 2011 dhe ka kryer sulme zjarrvënëse në dhe përreth Berlinit, sipas agjencisë së inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.

    Grupi mori përgjegjësinë për një sulm zjarrvënës në vitin 2024 që ndaloi prodhimin në fabrikën e makinave të Teslës në Berlin.

    Ndërprerja e shkaktuar nga një zjarr që synonte një sërë kabllosh me tension të lartë, zbuloi qartë boshllëqe në sigurinë e infrastrukturës kritike në kryeqytetin gjerman në një kohë kur Berlini është i shqetësuar për sulmet sabotuese që vijnë nga Rusia.

    Zyrtarët e Berlinit u kritikuan gjithashtu për shpejtësinë dhe shkallën e reagimit të tyre ndaj ndërprerjes së energjisë.

    Për shumë vite, Gjermania është përballur me atë që zyrtarët e përshkruajnë si një fushatë ruse sabotimi, spiunazhi dhe dezinformimi që synon destabilizimin e vendit, një furnizues kryesor i mbështetjes ushtarake për Ukrainën dhe një qendër kyçe logjistike e NATO-s. Moska i ka mohuar akuzat.

    Të martën, Dobrindt u zotua se dhoma e ulët e parlamentit, Bundestagu, këtë javë do të miratojë një ligj të ri për të mbrojtur më mirë infrastrukturën kritike.

    Por drafti fillestar i legjislacionit është përballur tashmë me kritika nga disa në sektorin e energjisë dhe komunitetin e biznesit, si shumë burokratik për të qenë efektiv.

    Disa kanë paralajmëruar gjithashtu se legjislacioni rrezikon të detyrojë transparencë të tepërt në lidhje me objektet jetësore të infrastrukturës, të cilat mund të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës.

    Dobrindt pranoi se “ne tashmë zbulojmë shumë informacion publik në lidhje me infrastrukturën tonë kritike”.