ATV

Author: G.O.

  • UEFA e cakton gjyqtarin e finales Spanjë – Angli

    UEFA e cakton gjyqtarin e finales Spanjë – Angli

    Komiteti i Arbitrave të UEFA-s ka njoftuar se François Letexier nga Franca do të jetë arbitri i finales së UEFA EURO 2024 mes Spanjës dhe Anglisë, e cila do të luhet të dielën më 14 korrik në orën 21:00 në Olympiastadion në Berlin, Gjermani.

    Francezi 35-vjeçar, arbitër ndërkombëtar që nga viti 2017, ka gjykuar tashmë 65 ndeshje zyrtare të UEFA-s në karrierën e tij. Në turneun final të EURO të këtij viti, ai ka gjykuar tre ndeshje të fazës së grupeve, duke përfshirë Spanjë-Gjeorgji, Danimarkë-Serbi dhe Kroaci-Shqipëri, dhe ishte arbitër i katërt në ndeshjen hapëse mes Gjermanisë dhe Skocisë në Mynih.

    Sezonin e kaluar, Letexier ka drejtuar dhjetë ndeshje të garave të klubeve të UEFA-s në UEFA Champions League dhe UEFA Europa League dhe ishte arbitër i katërt në finalen e UEFA Champions League 2024 mes Borussia Dortmund dhe Real Madrid CF në Wembley. Ai gjithashtu ka qenë arbitër i UEFA Super Cup 2023 mes Manchester City FC dhe Sevilla FC në Piraeus, Greqi.

    François Letexier do të shoqërohet në finalen e së dielës nga asistentët francezë Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni, ndërsa Szymon Marciniak (Poloni) do të jetë arbitër i katërt. Roli i arbitrit asistent video (VAR) i është caktuar Jérôme Brisard (Francë), i ndihmuar nga Willy Delajod (Francë) dhe mbështetur nga Massimiliano Irrati (Itali). Tomasz Listkiewicz (Poloni) kompleton ekipin si arbitër asistent rezervë.

  • Rita Ora flet për shqiptarët në emisionin e famshëm amerikan: Një tjetër arsye pse e dua New Yorkun janë shqiptarët e shumtë këtu

    Rita Ora flet për shqiptarët në emisionin e famshëm amerikan: Një tjetër arsye pse e dua New Yorkun janë shqiptarët e shumtë këtu

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka lavdëruar shqiptarët, gjatë një interviste të fundit në emisionin e yllit Elvis Duran në New York.

    Duke folur në emisionin në “iHeart Radio”, Rita Ora shprehu dashurinë dhe respektin e saj për komunitetin shqiptar në New York dhe artistët shqiptarë që kanë arritur suksese të mëdha ndërkombëtare.

    E pyetur për shqiptarët dhe komunitetin e tyre në New York, Rita tha: “O Zot, kjo është një ndër arsyet përse e dua shumë New Yorkun. Një përshëndetje për të gjithë shqiptarët e mi në New York”.

    Gjatë intervistës, interpretuesja e hitit “Anywhere” u pyet edhe për artistet homologe shqiptare si Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Ava Max, të cilat gjithashtu kanë famë ndërkombëtare dhe kanë arritur suksese të mëdha në industrinë muzikore.

    “Jemi shumë nga ne tani. Bebe Rexha, ne e duam atë, natyrisht një tjetër artiste e madhe – Dua Lipa. Kë tjetër kemi? Ava Max, gjithashtu”, u përgjigj Rita me entuziazëm.

    Këngëtarja theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe promovimit të njëra-tjetrës në një industri konkurruese dhe vlerësoi talentet dhe arritjet e kolegeve të saj shqiptare.

    Rita Ora, e cila ka lindur në Kosovë dhe është rritur në Londër, është një nga artistet më të dashura dhe të njohura shqiptare në botë. Karriera e saj e suksesshme në muzikë, modë dhe film e ka bërë atë një figurë frymëzuese për shumë të rinj shqiptarë në mbarë botën. /Telegrafi/

  • Depresioni pas diplomimit: Si ta tejkaloni?

    Depresioni pas diplomimit: Si ta tejkaloni?

    Diplomimi shihet shpesh si një portë për mundësi të reja, por shumë të rinj e gjejnë veten duke u përballur me depresionin pas diplomimit

    Kjo përvojë është e zakonshme dhe mund të jetë sfiduese.

    Realiteti i depresionit pas diplomimit

    Kalimi nga bota akademike në “streset” e jetës së të rriturve mund të na çojë natyrshëm në ndjenjat e zbrazëtisë dhe konfuzionit.

    Edhe pse nuk është renditur zyrtarisht në “Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore” (DSM-5), shumë të sapodiplomuar i përjetojnë këto simptoma depresive.

    Shkaqet:

    1. Përballja me realitetin: Kalimi nga një mjedis i strukturuar akademik në një realitet të paparashikueshëm mund të jetë stresues.

    2. Pasiguria në punësim: Lufta për të siguruar një punë mund të dëmtojë vetëvlerësimin dhe të rrisë nivelet e ankthit.

    3. Rrethi shoqëror: Humbja e mbështetjes së përditshme të miqve mund të çojë në izolim.

    4. Presion për të ardhura financiare: Jeta pas-studentore dhe kostot që e shoqërojnë lidhen ndjeshëm me depresionin.

    5. Mungesa e rutinës: Një orar i pastrukturuar mund të çojë në ndjenjën e mungesës së qëllimit.

    Simptomat:

    · Trishtim ose zbrazëti e vazhdueshme
    · Humbja e interesit për aktivitete të caktuara
    · Lodhje dhe mungesë energjie
    · Ndryshime në oreks ose në peshë
    · Çrregullime të gjumit
    · Vështirësi në përqendrim
    · Ndjenjat e pavlefshmërisë

    Por…Si t’i tejkaloni këto simptoma?

    Ja disa hapa:

    1. Krijoni një rutinë: Krijimi i një programi ditor ju mban aktivë, të fokusuar dhe redukton stresin.

    2. Vendosni objektiva realiste: Ndani detyrat në hapa të menaxhueshëm dhe festoni arritjet e vogla.

    3. Ruani raportet: Qëndroni në kontakt me miqtë dhe familjen për të luftuar izolimin.

    4. Praktikoni kujdesin për veten: Jepni përparësi ushtrimeve, ushqimit të shëndetshëm dhe pasione.

    5. Kërkoni ndihmë profesionale: Terapistët dhe këshilluesit e shëndetit mund të ofrojnë mbështetje të vlefshme. Terapia konjitive-sjellëse (CBT) është efektive.

    Mos harroni se nuk jeni vetëm!

    Depresioni pas diplomimit është një sfidë e vërtetë, por ju nuk jeni vetëm. Kalimi nga universiteti në realitetin e të rriturve kërkon kohë.

    Duke kuptuar shkaqet dhe simptomat dhe duke zbatuar strategji efektive të përballimit të këtij tranzicioni, ju mund ta kaloni me sukses në këtë periudhë të vështirë, citon Anabel.

    Mbani mend: Kapitulli tjetër i jetës suaj është i mbushur plot me mundësi të reja. /Telegrafi/

  • Krivaça: Unë dhe Marigona kemi qenë përdorues të drogës

    Krivaça: Unë dhe Marigona kemi qenë përdorues të drogës

    Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaça gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se ai dhe tani e ndjera Marigona Osmani, kanë qenë përdorues të drogës.

    Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, po akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Unë dhe Marigona e ndjera kemi qenë përdorues të drogës. E ndjera ka qenë përdoruese edhe para se të njoftohej me mua, edhe unë gjithashtu. Ndërsa prej ditës së parë që jemi lidhur, dytë kemi qenë përdorues të drogës të llojeve; Kremit, kokainës, ekstazi, speed, marihuanë, hashash, xanax, tramadol, po ashtu kemi qenë edhe përdorues të alkoolit”, tha Krivaqa.

    Seanca është duke vazhduar ende.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në qytetin e Ferizajt.

    LEXONI EDHE:

    “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, përplasje verbale mes babait të Marigona Osmanit dhe avokatit të Dardan Krivaçës

  • “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, përplasje verbale mes babait të Marigona Osmanit dhe avokatit të Dardan Krivaçës

    “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, përplasje verbale mes babait të Marigona Osmanit dhe avokatit të Dardan Krivaçës

    Në Gjykatën Themelore të Ferizajt po mbahet sot seanca e rigjykimit të Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, në gusht të vitit 2021. 

    Kjo seancë nisi me një incident, pasi që avokati i të akuzuarit Dardan Krivaça, Skender Musa kishte hyre duke buzëqeshur në sallë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i babait të Marigona Osmanit.

    “Ato pare që po i merr, kanë me t’u ba vitra”, i tha babai i Marigona Osmanit avokatit të Dardan Krivaçës.

    Në pamjet e siguruara nga ATV, shihet se pas kësaj përplasje verbale me avokatin Skender Musa, mbajtësit e rendit provojnë ta qetësojnë babain e Marigona Osmanit.

  • Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

    Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

    Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse, tha Qeveria norvegjeze në një komunikatë të mërkurën.

    Ky njoftim vjen në ditën kur liderët e vende anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një samit në Uashington. Ata pritet të njoftojnë për ndihmën e re që do t’ia japin Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit nga Rusia, i cili nisi në shkurt 2022.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dëshiron që vendet anëtare t’i dërgojnë Kievit më shumë armë dhe para, si dhe t’i ofrojnë garanci të sigurisë, me shpresë se kjo do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.

    Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të fillojë këtë vit.

    “Të kombinuar me sisteme mbrojtëse ajrore, avionët luftarakë do të jenë jetikë për t’ia mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse”, tha Stoere në një komunikatë.

    Kryeministri për herë të parë njoftoi në gusht të vitit të kaluar se Norvegjia do t’i dërgonte Kievit avionë F-16, por nuk tregoi sasinë asokohe.

    Prej atëherë, Oslo i ka dërguar dy avionë F-16 në Danimarkë që ata të përdoren për trajnimin e pilotëve ukrainas.

    Ukraina ka kohë të gjatë që dëshiron t’i ketë në dorë avionët luftarakë F-16, për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.

    Ndërkohë, Danimarka është zotuar se do t’i dhurojë 19 avionë luftarakë në përgjithësi Ukrainës, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sosh. Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për furnizimin e Ukrainës me avionët F-16.

    Forca Ajrore e Norvegjisë i zëvendësoi avionët e vet F-16 me modelin pasardhës F-35./REL

  • Miratohet vendimi për shpronësimin e pronave për ndërtimin e kompleksit memorial ‘Masakra e Reçakut’

    Miratohet vendimi për shpronësimin e pronave për ndërtimin e kompleksit memorial ‘Masakra e Reçakut’

    Qeveria e Kosovës ka miratuar shqyrtim Propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial “Masakra e Reçakut”.

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në Komunën e Shtimes, departamenti i shpronësimit ka mbajtur në muajin qershor një dëgjim publik me pronarët e pronave.

    “Më 21.05.2024 ka miratuar vendimin për miratimin e kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila preket me realizimin e projektit: Konservimi, Restaurimi dhe Ndërtimi i Kompleksit Memorial ‘Masakra e Reçakut’.

    Pas miratimit të këtij vendimi departamenti i shpronësimit më 18.06.2024 ka mbajtur dëgjimin publik në Komunën e Shtimes me pronarët e pronave dhe ka trajtuar gjatë dëgjimit të gjitha kërkesat e pronarve.

    Departamenti i shpronësimit i propozon Qeverisë së Kosovës që të nxjerr vendim që të miratohet vendimi preliminar për ligjshmërinë e procesit të shpronësimit për interes publik të pronës se paluajtshme e cila preket nga realizimi i projektit”, ka thënë Aliu.

  • Haradinaj i premton SBAShK-ut 50% rritje të pagave për mësimdhënësit

    Haradinaj i premton SBAShK-ut 50% rritje të pagave për mësimdhënësit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur premtimin për rritje pagash për 50 për qind, për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet.

    Në një takim të zhvilluar të mërkurën me delegacionin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, derisa e ka përmendur programin zgjedhor, Haradinaj ka thënë se prioritet i Aleancës do të jetë edhe ngritja e buxhetit për arsim për 6 për qind.

    “Në takim me delegacionin e SBASHK-ut, kryesuar nga z. Rrahman Jasharaj, u njoftova për sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe arsimi në përgjithësi. Po ashtu, me ta i ndava 14 prioritetet në sferën e arsimit që do të përfshihen në programin zgjedhor të AAK-së 2025-2029. E konfirmova synimin tonë për rritjen e pagave për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50% si dhe ngritjen e buxhetit për arsim për 6%. Arsimi do të jetë prioritet i Aleancës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Muajin e kaluar, AAK-ja ka premtuar rritje të pagave e përmirësim të infrastrukturës fizike, si dhe rritje të buxhetit për këtë fushë.

  • Në Parlamentin Evropian nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

    Në Parlamentin Evropian nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

    Në Parlamentin Evropian nisi një iniciativë për t’iu kërkuar organeve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, që t’ia pezullojnë Hungarisë të drejtën e votës, për shkak të veprimeve të fundit të kryeministrit të këtij vendi, Viktor Orban.

    Riho Terras, përfaqësues në PE nga grupi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane, u dërgoi një letër të gjithë deputetëve evropianë, duke kërkuar mbështetjen e tyre.

    Të njëjtën do t’ia dërgojë edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    “Presidenca hungareze sapo ka filluar dhe kryeministri Orban ka shkaktuar tashmë dëme të konsiderueshme, duke abuzuar me rolin e Presidencës së Këshillit. Në misionin e tij të ashtuquajtur paqeruajtës, ai qëllimisht ka krijuar përshtypjen se vepron në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, ndërkohë që, në realitet, ai nuk ka asnjë autoritet ta përfaqësojë BE-në apo ndonjë shtet tjetër anëtar të BE-së, përveç të vetit”, thuhet në letrën që pa Radio Evropa e Lirë.

    Shkak për këtë letër u bënë vizitat e Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, në ditët e para të këtij muaji.

    Orban u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë – veprim ky që u dënua nga të gjithë aktorët kryesorë të BE-së.

    Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian nga 1 korriku.

    Sipas letrës së deputetëve evropianë, Orban po përpiqet t’i minojë vendimet ekzistuese të BE-së, procesin e vendimmarrjes dhe unitetin e BE-së për çështje të rëndësishme.

    “Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Duhen hapa vendimtarë për t’i kufizuar dëmet e mëtejshme”, thuhet në letër.

    Cila është fuqia e një letre nga Parlamenti Evropian?

    Procedurat dhe pezullimet e të drejtave të votës janë komplekse. Për to janë përgjegjëse shtetet anëtare.

    Neni 7 i Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, në të cilin thirret letra, e lejon mundësinë e pezullimit të së drejtës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian (siç është e drejta për të votuar në Këshillin e Bashkimit Evropian), nëse një vend shkel seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme parimet mbi të cilat bazohet BE-ja.

    Elementet që do ta nxisnin zbatimin e këtij neni, përfshijnë: respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave.

    Për ta vënë në zbatim nenin 7, me propozimin e një të tretës së shteteve anëtare të BE-së, ose Parlamentit Evropian, ose Komisionit Evropian, Këshilli – duke vepruar me një shumicë prej katër të pestave të anëtarëve të tij, pas marrjes së pëlqimit nga Parlamenti – mund të përcaktojë se ekziston rrezik i qartë i shkeljes së rëndë të këtyre parimeve bazë nga shteti anëtar dhe t’i nxjerrë rekomandimet e duhura.

    Neni 354 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian parashikon procedurat e votimit që duhet të ndiqen nga institucionet kryesore të BE-së, kur një shtet anëtar përballet me zbatimin e nenit 7.

    Vendi në fjalë nuk merr pjesë në votim. Ai nuk përfshihet në llogaritjen e një të tretës së vendeve që kërkohen për propozimin, ose në të katër të pestat që kërkohen për një shumicë.

    Për pëlqimin e Parlamentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash.

    Përfaqësuesit evropianë kanë afat deri më 12 korrik për ta nënshkruar këtë letër, e cila më pas do t’u përcillet udhëheqësve të institucioneve evropiane. /REL

  • Konfirmohet aktakuza e përbashkët ndaj Januzit, Bahtjarit dhe Shalës

    Konfirmohet aktakuza e përbashkët ndaj Januzit, Bahtjarit dhe Shalës

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë konfirmuar aktakuzën e përbashkët ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.

    Sipas DhSK-së, gjykatësja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot më 8 korrik 2024 konfirmoi ndryshimet e bëra nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në aktakuzën e përbashkët, si dhe urdhëroi ZPS-në që versionin e fundit të saj ta dorëzojë deri më 10 korrik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas tyre, pasi të dorëzohet, kjo aktakuzë do të jetë në fuqi në këtë çështje gjyqësore. Si rrjedhojë, është caktuar edhe 12 korriku për paraqitjen e parë të Januzit dhe Bahtajrit.

    “Më 8 korrik, gjykatësja e procedurës paraprake në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala konfirmoi ndryshimet në aktakuzën e përbashkët dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte versionin e fundit të kësaj aktakuze deri më 10 korrik. Pasi të dorëzohet, ajo do të jetë aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore. Në përputhje me Rregullën 90 (3), gjykatësja Masselot caktoi paraqitjen e mëtejshme të Januzit dhe Bahtijarit të premten, 12 korrik në orën 09:30”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Ndërsa, meqenëse pretendimet e reja faktike ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës, atij nuk i kërkohet që të jetë i pranishëm në seancë, njofton DhSK-ja.

    Po ashtu, është bërë publik versioni i redaktuar i aktakuzës së përbashkët ndaj Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, me anë të secilës, ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë si dhe pengim të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

    Në një pikë të aktakuzës së ZPS-së, Bahtjari pretendohet se e kishte kërcënuar dëshmitarin 1 se në rast që do të dëshmonte në Dhomat e Specializuara të Kosovës, atëherë do ta vriste atë ose djalin e tij.

    “Kur Dëshmitari 1 pyeti nëse ai ose djali i tij do të vriteshin nëse ai dëshmonte, Bahtiri iu përgjigj pozitivisht”, thuhet në pikën e dhjetë të aktakuzës, e cila ishte dorëzuar më 12 janar 2024, por që është bërë publike në versionin e redaktuar më 3 korrik 2024.

    Sipas aktit akuzues, në mes së paku të datës 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, Januzi dhe Bahtjari në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë i janë afruar dëshmitarit 1. Më pas thuhet se këta dy të fundit, me udhëzimet e Shalës janë takuar individualisht me dëshmitarin 1 që ta nxisnin që të tërhiqte dëshminë e tij ose të mos jepte dëshmi në DhSK.

    “Kjo sjellje tregon qëllimin e Shalës, Januzit dhe Bahtjarit për të minuar dhe penguar një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet më tej në aktakuzën e ZPS-së.

    Më pas, thuhet se më 5 prill, Shala dhe Bahtjari telefonuan Januzin dhe pas verifikimit që dëshmitari 1 ishte në shtëpi, Bahtjari shkoi në shtëpinë e tij, ku i kishte kërkuar që ta tërhiqte dëshminë.

    “Bahtijari i tha Dëshmitarit 1 që Shala së fundmi kishte kontaktuar me të dhe e kishte dërguar për t’i thënë Dëshmitarit 1 që ai duhet të tërhiqte dëshminë e tij. Kur Dëshmitari 1 pyeti nëse ai ose djali i tij do të vriteshin nëse ai dëshmonte, Bahtijari iu përgjigj pozitivisht. Bahtijari u largua nga shtëpia e Dëshmitarit 1 dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në vendin e shoferit. Si rezultat i këtij afrim, Dëshmitari 1 u shqetësua për sigurinë e familjes së tij.”, thuhet tutje në aktakuzën e ZPS-së.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, ZPS thekson se çfarë bënë sipas saj më pas tre të akuzuarit, pasi Bahtjari u largua nga shtëpia e dëshmitarit 1.

    “Më vonë më 5 prill 2023, pas vizitës së Bahtijarit te Dëshmitari 1, Shala dhe Januzi, dhe veçmas Januzi dhe Bahtijari, kryen shumë kontakte me mesazhe dhe telefonata, përfshirë kontakte ndërmjet Shalës dhe Januzit për të koordinuar një takim personal atë mbrëmje. Në ditët që pasuan, Shala dhe Januzi, ndër të tjerë, mbetën në kontakt, përfshirë lidhjet telefonike të paktën katër herë ndërmjet 6 dhe 9 prillit 2023”, thuhet në aktakuzën e ZPS-së.

    Ndërsa, kontakti i dytë me dëshmitarin kishte ndodhur më 12 prill kur pas një telefonate me Shalën, Januzi kishte shkuar në shtëpinë e dëshmitarit e që ky i fundit kishte kërkuar 200 mijë euro për ta tërhequr dëshminë.

    “Në shtëpinë e Dëshmitarit 1, Januzi i tha Dëshmitarit 1 që Shala kishte kërkuar nga Januzi të ndjekë vizitën e mëparshme të Bahtijarit dhe të zbulojë çfarë planifikonte të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të zgjidhej çështja e dëshmisë së tij. Konkretisht, Januzi i tha Dëshmitarit 1 që Shala kishte kërkuar nga Januzi të përcillte mesazhin që nëse Dëshmitari 1 tërhiqte dëshminë e tij, atëherë Shala dhe të tjerë të panjohur do t’i ofronin ‘ndihmë.’ Dëshmitari 1 u përgjigj që nëse Shala dhe/ose të tjerët i sillnin atij 200,000 euro, do të kishte marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi ose mohoi të ishte dëshmitar. Januzi tha që do t’i tregonte ‘atyre’ çfarë kishte thënë Dëshmitari 1.”, thuhet në aktakuzë, duke shtuar se pas vizitës së tij, Januzi kishte telefonuar Shalën.

    Sipas ZPS-së, Shala, Januzi dhe Bahtjari janë individualisht përgjegjësi në dy pika të aktakuzës për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Ndërsa, pika e tretë e aktakuzës i ngarkon tre të akuzuarit me veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou kishte miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

    Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

    Në bazë të kësaj, gjyqtari kishte vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10, duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

    Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

    Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar 2024 aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

    Në seancën e parë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 tetor 2023, ata ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

    Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

    Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

    Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup. /BetimipërDrejtësi