ATV

Author: G.O.

  • Ushtria ruse sulmon portin e Odesës në Ukrainë

    Ushtria ruse sulmon portin e Odesës në Ukrainë

    Rusia sulmoi të mërkurën infrastrukturën e portit Odesa në Ukrainë, bëri të ditur Forca Ajrore e Ukrainës.

    Komandanti Mykola Oleschuk tha se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan tri nga pesë raketat e lëshuara nga Rusia, si dhe 14 nga 20 dronët e lëshuar prej saj.

    Sipas tij, shënjestra të tyre ishin disa rajone: Odesa, Mikollajivi, Hersoni, Vinicja e të tjera.

    “Infrastruktura e portit të Odesës është sulmuar me raketa. Si rezultat i kundërmasave aktive, tri raketa të armikut Kh-59/Kh-69 dhe tre dronë UAV nuk i kanë arritur objektivat e tyre”, tha Oleschuk në mesazhin në Telegram.

    Më shumë detaje për pasojat nuk dha.

    Odesa, një port i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës, ka qenë vazhdimisht cak i sulmeve të ushtrisë ruse.

    Pavarësisht provave, Moska mohon se godet infrastrukturën civile të Ukrainës.

    Rusia thotë se u sulmua me dhjetëra dronë nga Ukraina
    Në fillim të kësaj jave, autoritetet në Ukrainë raportuan për së paku 37 njerëz të vrarë nga sulmet ruse në disa rajone të vendit.

    Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë në Kiev, ku mbetën të vrarë dy punonjës./REL

  • Një shkollë britanike “do t’i detyrojë” studentët të përdorin telefona të vjetër Nokia

    Një shkollë britanike “do t’i detyrojë” studentët të përdorin telefona të vjetër Nokia

    Shumë rrethe shkollore kanë vendosur ndalime të smartfonëve për nxënësit gjatë ditës së shkollës, por një shkollë britanike e ka bërë një hap më tej.

    Në fakt, ajo nuk ka bërë një hap para, por një hap prapa, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Kolegji Eton, shkolla historike dhe elitare britanike me konvikt me studentë të famshëm si Princi William dhe Harry, ka krijuar një politikë të re të telefonisë celulare për studentët e vitit të parë duke filluar nga shtatori.

    Këta studentë do të duhet të lënë telefonat inteligjentë në shtëpi, por të sjellin kartën e tyre SIM në shkollë dhe ta vendosin në një celular të vjetër, Nokia – me një bllok të thjeshtë numrash tek të cilët mund të kryejë vetëm telefonata dhe të dërgojë mesazhe me tekst.

    Politika e shkollës britanike me konvikt bazohet në udhëzimet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar që u lejon drejtorëve të miratojnë ndalimin e smartfonëve për studentët gjatë ditës së shkollës. /Telegrafi/

     

  • Drake humbi bastin prej 280 mijë eurosh që e vuri për ndeshjen Kanada-Argjentinë

    Drake humbi bastin prej 280 mijë eurosh që e vuri për ndeshjen Kanada-Argjentinë

    Reperi Drake ka vazhduar serinë e tij të basteve pasi vendosi një me rreth 280 mijë euro në ndeshjen gjysmëfinale të ‘Copa America’ midis Argjentinës dhe Kanadasë.

    Qoftë në futboll apo në UFC, ylli kanadez tashmë njihet për shumat marramendëse që shpenzon në to.

    Kanadaja e tij e lindjes ishte një ndeshje nga finalja e Copa America, por kundërshtarët e tyre kampionët e botës, Argjentina, ia pamundësoi kalimin duke e mposhtur 2-0.

    Skuadra e Jesse Marsch tashmë ishte mposhtur nga Argjentina edhe në fazën e grupeve, me Julian Alvarez dhe Lautaro Martinez që shënuan golat në një fitore 2-0.

    Ai humbi bastin dhe nëse do ta fitonte, i bie 2.5 milionë euro, gjë që nuk ndodhi.

    Reperi është sigurisht i njohur për një ‘mallkim’ të lidhur me të kur bëhet fjalë për të hedhur mbështetjen e tij pas individëve dhe ekipeve përpara ndeshjeve të mëdha sportive.

    Megjithatë, mallkimi u duk se u hoq në dhjetor 2022 kur Drake mbështeti Argjentinën për të fituar finalen e Kupës së Botës kundër Francës. /Telegrafi/

  • Dhjetëra të vrarë nga një sulm i Izraelit në Gazë

    Dhjetëra të vrarë nga një sulm i Izraelit në Gazë

    Zyrtarët palestinezë thanë se një sulm ajror i Izraelit në jug të Gazës vrau së paku 29 njerëz.

    Sulmi goditi mbi çadrat e familjeve të zhvendosura jashtë një shkolle në qytetin Abasan.

    Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.

    Ushtria izraelite tha se po i analizon raportet për dëmtimin e civilëve.

    Ajo tha se incidenti ka ndodhur gjatë goditjes me “municione të sakta” të një luftëtari të Hamasit, i cili ka marrë pjesë në sulmin e 7 tetorit në Izrael.

    Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar Izraelin vjeshtën e kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

    Në përgjigje, Izraeli është duke kryer një fushatë masive sulmesh në Gazë – enklavë e kontrolluar nga Hamasi.

    Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta.

    Në të gjithë Gazën të martën, sipas mjekëve, u vranë më shumë se 40 palestinezë në sulmet ajrore izraelite.

    Shpresat e banorëve të Gazës për armëpushim janë ringjallur pasi Hamasi, javën e kaluar, ka pranuar një pjesë kyçe të një propozimi të SHBA-së për ndaljen e luftimeve.

    Ndërmjetësuesit e Katarit dhe të Egjiptit, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, janë duke i vazhduar bisedimet këtë javë në Doha./REL/

  • Holanda dhe Anglia përballen në Dortmund – sonte mësohet finalisti i dytë

    Holanda dhe Anglia përballen në Dortmund – sonte mësohet finalisti i dytë

    Holanda dhe Anglia do të përballen në gjysmëfinalen e dytë në Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.

    Spanja është finalisti i parë i Euro 2024, derisa Holanda dhe Anglia kërkojnë t’i bashkohen spanjollëve në finale.

    Dueli gjysmëfinal mes Holandës dhe Anglisë zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00 në Signal Iduna Park në Dortmund.

    Për herë të dytë në pesë vjet, këta dy gjigantë evropianë takohen në gjysmëfinale, me Holandën që triumfon 3:1 pas kohës shtesë në ndeshjen e Ligës së Kombeve 2019.

    Nga të gjitha llogaritë, nuk do të befasonte askënd nëse kjo ndeshje e shumëpritur do të shkonte edhe një herë në kohë shtesë, veçanërisht pasi pesë nga tetë ndeshjet e fundit mes këtyre skuadrave kanë përfunduar në barazim.

    Holandezët po luajnë gjysmëfinalen e tyre të parë në Euro që nga viti 2004, ndërsa anglezët po luftojnë për një finale të re pasi humbën nga Italia me penallti në shtëpi tre vite më parë.

    Në stadiumin Signal Iduna Park do të jetë një spektakël, pasi nuk ka më kalkulime dhe të dyja ekipet kombëtare e duan finalen e madhe.

  • Biden i dhuron Stoltenbergut medaljen presidenciale të lirisë

    Biden i dhuron Stoltenbergut medaljen presidenciale të lirisë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka pranuar medaljen presidenciale të lirisë, nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

    Teksa në Uashington po mbahet Samiti i NATO-s, Biden ka vendosur të nderojë sekretarin e kësaj aleance, duke i dhuruar medaljen më të lartë të shtetit amerikan.

    Duke u dekoruar me këtë medalje, Stoltenberg tha se ndjen mirënjohje të thellë.

    “Unë e shoh këtë si një mirënjohje jo vetëm për mua, por për miliona burra dhe gra që i shërbejnë Aleancës sonë të madhe, brenda dhe jashtë uniformës. Ne jemi më të fortë dhe më të sigurt së bashku në NATO”, tha ai.

    Samiti në fjalë ka mbledhur udhëheqës nga 32 vende të botës, pikërisht në vendin ku u nënshkrua traktati origjinal dekada më parë.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Edhe gjatë ditës së sotme, nisur nga ora nëntë, do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Procesi i sotëm gjyqësor pason pas ditës së djeshme, që u shoqërua me një mori zhvillimesh në Dhomat e Specializuara në Hagë.

    Fillimisht, ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, iu hoq kollarja që po barte në seancën e djeshme.

    “Z. Krasniqi ka pasur një kollare sot në mëngjes dhe ia kanë hequr, këtë kollare e ka pasur veshur edhe më herët në seanca të gjyqit, a mund të dimë pse ia kanë hequr?”

    Kështu iu drejtua Trupit Gjykues avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, e cila njoftoi se ish-kryeparlamentari nuk u lejua të hyjë në sallë nga sigurimi me kollaren që e kishte veshur, kollare kjo zakonshme, me shenjën e flamurit kombëtar.

    Kollarja e njëjtë, Krasniqit raportohet t’i jetë kthyer pasi përfundoi seanca e djeshme.

    Më pas, në seancë u dëgjua dëshmia e dëshmitarit Bislim Zyrapi.

    Gjatë ditës, trupi gjykues njoftoi po ashtu se ka caktuar datën për shpalljen e aktgjykimit për lëndën e Pjetër Shalës.

    Aktgjykimi në fjalë do të mbahet më 16 korrik, më fillim nga ora 14:00.

  • Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria mban mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës sot duke filluar nga ora 14:00 do të mbajë mbledhjen e 212-të me radhë.

    Kështu njofton Zyra e Kryeministrit.

    Në rend dite në këtë mbledhje do të jenë 17 pika.

    Rendi i ditës:

  • Gjendet e vdekur një grua në Lipjan, policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në Lipjan, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për vdekjen e një gruaje në Lipjan.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Lipjan / 09.07.2024 – NN. Raportohet se në banesën e saj është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Dëshmitari Zyrapi thotë se Ramush Haradinaj reagoi keq kur Jakup Kransniqi u emërua zëdhënës i UÇK-së

    Dëshmitari Zyrapi thotë se Ramush Haradinaj reagoi keq kur Jakup Kransniqi u emërua zëdhënës i UÇK-së

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi deklaroi se i kujtohet që Ramush Haradinaj ishte inatosur dhe kishte reaguar relativisht keq kur kishte kuptuar se Jakup Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të ’98-ës.

    Fillimisht, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a i kujtohet ky takim dhe sjellja e Haradinajt, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Po, ky takim ka qenë në korrik”, tha Zyrapi.

    Më pas, Emmerson pyeti dëshmitarin se a i kujtohet për këtë takim në Zhabel në të cilin sipas tij Haradinaj shpërtheu nga inati dhe kishte thënë se ky vendim ishte marrë pa u konsultuar me komandantët e zonave.

    “Po, më kujtohet shpërthimi, por nuk më kujtohet data tash dhe koha”, tha ai.

    Po ashtu, dëshmitaru u pyet nëse është e vërtetë që Haradinaj kishte kërcënuar që të bllokojë një rrugë të logjistikës, ishte i inatosur dhe kërkonte garanci për Krasniqin. Ndërsa, kur e kuptoi se Krasniqi ishte i njohur me Lahi Brahimajn dhe kushëririn e tij, pastaj ai gradualisht u qetësua.

    “Po, po e saktë është”, tha dëshmitari.

    Më pas, Zyrapi gjithashtu pohoi se në atë natë kishin qëndruar me Veselin në zonën e Dukagjinit për t’u kthyer më pas në Negroc të Drenicës në të njëjtën ditë kur Krasniqi po jepte intervistën për shtyp dhe po e shpallte emërimin e tij si zëdhënës.

    “Po, më kujtohet, në Negroc kam qenë”, tha Zyrapi, e që më pas Emmerson ia kujtoi se ky takim kishte ndodhur në qershor dhe jo në korrik.