ATV

Author: G.O.

  • Kryeministri sllovak kthehet në punë pas atentatit

    Kryeministri sllovak kthehet në punë pas atentatit

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha se është rikthyer në punë të martën, gati dy muaj pasi u plagos nga një person i armatosur.

    Fico, 59 vjeç, u qëllua nga afër më 15 maj, në një qytet të Sllovakisë qendrore dhe iu nënshtrua dy operacioneve të gjata.

    Personi i armatosur, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71 vjeç, është në paraburgim në pritje të gjykimit.

    Mediat sllovake shkruan se Fico, i cili shpesh kritikohet nga Bashkimi Evropian për shkak të prirjeve nacionaliste, shkoi në mbledhjen e kabinetit të tij përmes një tuneli, për t’i shmangur gazetarët.

    “Të nderuara media liberale progresive dhe opozitë, kërkoj falje që mbijetova, por jam kthyer”, shkroi Fico në Facebook, duke postuar edhe një fotografi në zyrën e tij.

    Kur Fico ka marrë detyrën vjeshtën e kaluar, Sllovakia ka refuzuar ta vazhdojë ndihmën ushtarake për Ukrainën, e cila lufton kundër pushtimit rus që nga viti 2022.

    Vetë Fico i ka mbështetur bisedimet e paqes me Rusinë.

    Ai ka dalë nga spitali më 31 maj, ndërsa paraqitjen e parë publike e ka bërë në një ceremoni pranë Bratislavës, të premten e kaluar./REL

  • Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë caktuar 16 korrikun 2024 si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

    Kjo është bërë e ditur nga DhSK-ja përmes një njoftimi për medie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sot, më 9 korrik 2024, trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • WhatsApp së shpejti do t’ua mundësojë të flisni me njerëz të tjerë në gjuhë të ndryshme, falë funksionit Live Translate

    WhatsApp së shpejti do t’ua mundësojë të flisni me njerëz të tjerë në gjuhë të ndryshme, falë funksionit Live Translate

    Nëse jeni një nga dy miliardë përdoruesit e WhatsApp-it, së shpejti mund të flisni me njerëz të tjerë në gjuhë të ndryshme.

    Kjo për shkak se WhatsApp, ndoshta aplikacioni më i popullarizuar i mesazheve në botë, së shpejti mund të bëhet shumë më i zgjuar dhe të lejojë përdoruesit të përdorin funksionin Live Translate.

    Shkurtimisht, Live Translate është ajo që mendoni se është: funksioni “dëgjon” atë që folësi thotë dhe pothuajse menjëherë e përkthen atë në një gjuhë që mund ta kuptoni.

    Qëllimi është që ju, le të themi, një folës i anglishtes, të jeni në gjendje të komunikoni me shokun tuaj nga Koreja pa ditur asnjë prej jush ndonjë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Normalisht, mund të përballeni me sfida për të kuptuar dhe për t’iu përgjigjur njëri-tjetrit.

    Këtu hyn Live Translate. Duke përdorur teknologjinë e avancuar të AI, ai mund të përkthejë pothuajse menjëherë gjuhën e folur ose të shkruar.

    Bëhet e ditur se funksioni Live Translate i Samsung mbështet gjithsej 16 gjuhë.

    Në prill, tre shtesat e reja ishin: arabisht, indonezisht dhe rusisht.

    Ato bashkohen me gjuhën kineze, angleze, frënge, italiane, japoneze, koreane, polake, portugeze, spanjolle, tajlandeze dhe vietnameze. /Telegrafi/

     

  • Bebja me peshën më të madhe në 10 vitet e fundit ka lindur në Shqipëri

    Bebja me peshën më të madhe në 10 vitet e fundit ka lindur në Shqipëri

    Në Shqipëri pranë spitalit ‘Mbretëresha Geraldinë’ ka lindur foshnja me peshën më të madhe në 10 vitet e fundit.

    Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se bebja ka ardhur në jetë nëpërmjet një lindjeje natyrale dhe peshon 6.1 kg.

    “Bebi me peshën më të madhe i lindur në 10 vitet e fundit, pranë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” 🥰.

    Ky bebush ka lindur 6150 gr dhe ka ardhur në jetë nëpërmjet një lindjeje të suksesshme natyrale, falë stafit mjekësor të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”.

    Mirënjohje nga 🤍 për stafin mjekësor dhe infermieror, pasi falë punës dhe përkushtimit të tyre nëna dhe bebi gëzojnë shëndet të plotë”, shkroi ajo.

  • Ministri Vitia garanton uljen e çmimeve të barnave – Zemaj kërkon shkarkimin e tij

    Ministri Vitia garanton uljen e çmimeve të barnave – Zemaj kërkon shkarkimin e tij

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është zotuar se do të ketë ulje të çmimeve të barnave në Kosovë, ndërsa ka thënë se nuk do të ketë manipulime. Por skeptik për një gjë të tillë është shprehur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, raporton Ekonomia Online.

    Vitia ka folur edhe për procedurat e investimeve në depotë për ruajtjen e barnave, duke thënë se të njëjtat do të jenë të gatshme së shpejti.

    “Në asnjë depo nuk i ka plotësuar kushtet e barnave që nga viti 2009, dhe që nga viti i kaluar kemi filluar me bisedime. Tani jemi në procedurat në investimet e barnatoreve, të cilat do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme. Pas procedurave do të fillojmë edhe me investime në depo. Pas nënshkrimit të listës ka ngritje të çmimit mirëpo në momentin qe e kemi parë e kemi diskutuar dhe është anuluar lista”, ka thënë gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    “Tash po flasim për një proces që nuk ka pasur një ligj që përcakton tavanin e çmimit të produkteve. Është anuluar lista, jemi duke folur për një proces që bëhet për herë të parë në Kosovë, nuk kemi pasur ligj për çmimet në tavan që parandalohen këto çmime. Ky ligj do të respektohet dhe për çdo çmim dhe problematikë jam i gatshëm të jap llogari. Është e vërtetë qe ka pasur vonesa. Pas zbatimit të këtij ligji do iu siguroj që do të ketë ulje të çmimeve dukshëm, lista do të publikohet në fund të këtij viti”, u shpreh Vitia.

    Por skeptik se në vjeshtë do të ketë listë të re është shprehur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Madje, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të ndërmarrë masa ndaj Vitisë.

    “Nëse po thoni që janë gabime teknike, kanë kaluar një muaj që nga anulimi e tash po thoni që në vjeshtë do të jetë lista e re. Po te isha në vendin tënd do te merrja masa, ose kryeministri të merr masa ndaj teje se na veç flasim kot këtu. Mendoj që vëmendja juaj duket që ka qenë ikje që është kërku në këtë proces të pritur për vitet e tëra. Ne kemi dëshmuar me vote qe jemi pro këtij procesi dhe kjo mungesë informacioneve ka sjell deri në  këtë proces me raportu deri këtu”, u shpreh Zemaj.

    Kryesuesja e Komisionit për përcaktimin e Çmimeve, Virtyte Krasniqi ka thënë që deri me 14 qershor ka qenë afati i ankesave. Sipas saj, kjo listë ka shumë punë dhe në momentin që është gati do de jetë e gatshme për publikim.

    “Jemi në proces të listës së pritjes, jemi në proces në momentin e përfundimit të listës dhe listat e ankesave. Nuk kemi dhënë një afat për ta dërguar listën. Është proces me shumë mund për ta hartuar listën. Deri me 14 qershor ka qenë afati i ankesave kemi filluar me përgatit listën. Vazhdimisht jemi duke bërë listën e barnave ajo dëshiron kohë dhe përkushtim”, ka thënë Krasniqi.

    Sipas saj, nuk kanë qenë të përgatitur për këtë proces pasi që duhet në punë e madhe.

    “Ky proces kërkon punë, krijon standard për deklarimet e radhës, do të ketë afate me të shkurta në procesin e shqyrtimit dhe kalkulimit. Na duhet kohë dhe punë nuk është hera e parë, nuk kemi qenë të përgatitur për këtë proces të tillë. Zakonisht deklarimet nuk janë ashtu siç kanë qenë do të shihet edhe në çmimet e doganës dhe do të shihen uljet e çmimeve”, u shpreh ajo.

  • Rusia thotë se u sulmua me dhjetëra dronë nga Ukraina

    Rusia thotë se u sulmua me dhjetëra dronë nga Ukraina

    Rusia tha se ka kapur dhjetëra dronë ukrainas, të lëshuar gjatë natës së shkuar në drejtim të territorit të saj.

    Sulmet e raportuara ndodhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u zotua se do të hakmerret për sulmet masive të një dite më parë në Ukrainë, të cilat lanë së paku 37 njerëz të vrarë.

    Kievi nuk i komentoi ende pretendimet ruse.

    Ministria e Mbrojtjes e Russë tha të martën se 38 dronë në pesë rajone janë kapur, përfshirë: 21 në Rostov, shtatë në Kursk, pesë në Astrakhan, tre në Belgorod dhe dy në Voronezh.

    Mediat lokale raportuan se aeroportet në rajonet jugore të Astrakhanit dhe Volgogradit i kanë kufizuar fluturimet pas sulmeve me dronë.

    Sipas guvernatorit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, granatimet ukrainase në rajon lanë të vrarë katër persona dhe të plagour 20.

    Ai shtoi se sulmi shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtoi 60 shtëpi dhe 160 apartamente.

    Në Volgograd, një depo nafte dhe një nënstacion elektrik u përfshinë nga flakët si pasojë e rënies së mbetjeve nga dronët, tha guvernatori rajonal, Andrei Bocharov.

    Një ditë më herët, autoritetet në Ukrainë thanë se sulmet ruse me raketa shënjestruan disa qytete në këtë vend, duke vrarë 37 njerëz – prej tyre 21 në Kiev.

    Shënjestër e sulmeve ishte edhe një spital për fëmijë, ku mbetën të vrarë dy punonjës.

    Perëndimi i dënoi sulmet ruse, ndërsa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë sot për to./REL

  • ​’EURO 2024′: Gjysmëfinalja e parë luhet sot

    ​’EURO 2024′: Gjysmëfinalja e parë luhet sot

    Sonte me fillim nga ora 21:00 do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë e Kampionatit Evropian Euro 2024 që po zhvillohet në Gjermani.

    Stadiumi “Allianz Arena” në Munich do të jetë nikoqir i derbit mes Spanjës dhe Francës, ndeshja e parë kjo e gjysmëfinales së Euro 2024, raporton KosovaPress.

    Në raundin e 16-të Spanja e eliminoi Gjeorgjinë 4:1, ndërsa në çerekfinale e mposhti nikoqirin e turneut, Gjermaninë me shifrat 2:1.

    Në anën tjetër, Franca në raundin e 16-të e eliminoi Belgjikën 1:0, kurse në çerekfinale ju nevojit ndihma e penalltive për ta mposhtur Portugalinë.

  • AIP kërkon nga qytetarët respektimin e ligjit gjatë vendosjes së kamerave në prona private

    AIP kërkon nga qytetarët respektimin e ligjit gjatë vendosjes së kamerave në prona private

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka kërkuar nga qytetarët dhe bizneset të cilët i vendosin kamera të vëzhgimit në objektet private t’i kenë parasysh kriteret për mbrojtjen e privatësisë dhe masat e sigurisë, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një komunikate për media, AIP ka bërë të ditur se ka pranuar numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për vëzhgimin me kamerë në objektet private (në shtëpi dhe banime kolektive) jashtë kritereve të përcaktuara me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

    Sipas tyre, ankesat e adresuara në disa raste kanë rezultuar me cenimin e privatësisë së qytetarëve pasi që të njëjtat kanë vëzhguar jashtë parametrit të pronës private duke përfshirë pronën private të huaj dhe hapësirat publike.

    “Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë vendosur sistemin e kamerave që të sigurohen që kamerat të vëzhgojnë dhe regjistrojnë vetëm pronën e tyre dhe jo hapësirat publike ose pronën e fqinjëve. Me rastin e vendosjes së kamerës, qytetarët janë të obliguar të vendosin shenja njoftuese për praninë e kamerave, të ruajnë regjistrimet në mënyrë të sigurt duke i mbrojtur nga qasjet e pa autorizuara, si dhe regjistrimet t’i ruajnë për një periudhë të arsyeshme kohore jo më shumë se 30 ditë”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.

  • Vazhdojnë edhe sot temperaturat e larta, bëhet thirrje për kujdes

    Vazhdojnë edhe sot temperaturat e larta, bëhet thirrje për kujdes

    Temperaturat e larta do të vazhdojnë të mbizotërojë në vendin tonë edhe të martën.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-33 gradë celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

    Ndërsa, IKShPK-ja ka bërë thirrje për kujdes gjatë këtyre ditëve.

  • Suhareka në pritje të stadiumit me standarde evropiane

    Suhareka në pritje të stadiumit me standarde evropiane

    PËRGATITI: ARTON HAMITI   

    Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku premtimin për ndërtimin e stadiumit me standarde evropiane në Suharekë, para deputetëve e kishte dhënë në shtator të vitit të kaluar.  

    Por, dhjetë muaj pas ende nuk është përzgjedhur projekti final stadiumit, ani pse konkursi për zhvillimin e projektit ideor ishte hapur në prill të këtij viti.

    MKRS-ja nuk dha detaje, por, tha se aktualisht është duke u zhvilluar faza e përzgjedhjes së projektit, përçka kanë aplikuar katër operatorë ekonomikë.

    Sidoqoftë, kurdo që përzgjidhet projekti, Komuna e Suharekës është gati.

    “Kohëve të fundit me keni parë se kam qenë i zëshëm dhe kam kërkuar stadium me standarde evropiane sepse ne e kemi ndarë një lokacion 15 hektar për fusha sportive që është i paraparë me harta zonale, pra me letra jemi në rregull.”, tha kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. 

    Kryetari Bali Muharremaj, pret që puna në ndërtimin e stadiumit që e konsideroi shumë të nevojshëm, të fillojë sa më parë.  

    “Ka qenë një komision qeveritar këtu në zyre para dy muajve kemi biseduar dhe nga ajo që di është duke u bërë projekti dhe me ndërtimin e tij ne do të kemi lehtësira. Momentalisht ai që e fiton projektin besoj që ministri do te marrë masa dhe te fillojë sepse me të vërtetë kemi nevojë.”, shtoi Muharremaj.

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit të Suharekës. Sipas projektbuxhetit për vitin 2024, këto mjete, janë dedikuar për hartimin e projektit. Ndërkohë, sa do të kushtojë ndërtimi i stadiumit nuk dihet akoma.

    Ditë më parë, ATV-ja raportoi se Komuna e Suharekës përballet edhe me një problematikë, meqë tashmë Klubi i Suharekës që garon për herë të parë në Superligë ka bërë kërkesë për qasje të plotë  në stadiumin e qytetit të cilin komuna i kishte dhënë në shfrytëzim Ballkanit për 10 vjet.

    Në mungesë të një stadiumi të përmasave evropiane, Klubi i Futbollit, “Ballkani” ndeshjet ndërkombëtare nuk mundi t’i zhvilloi në shtëpi./atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://youtu.be/gw1qJ_hNvKo?si=jr2x4Ek7aIlP33v-