ATV

Author: G.O.

  • Punëtorët teknikë të Kuvendit paralajmërojnë grevë në shtator

    Punëtorët teknikë të Kuvendit paralajmërojnë grevë në shtator

    Punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë nga java e parë e muajit shtator.

    Kështu është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili ka theksuar se shkak i grevës janë pagat e ulëta.

    “Ju njoftojmë se sot në takim me udhëheqjen e shoqatës sindikale të punëtorëve teknik që kryejnë shërbime ne objektin e Kuvendit te Kosovës u mor vendim, se nga java e parë e shtatorit këta punëtor do të hidhen në grevë për shkak të pagave të tyre të ulëta. Deri te kjo datë u shty për shkak të pushimeve vjetore të punëtorëve, dhe nga fillimi i shtatorit punëtorët deklarohen se më nuk do të punojnë fare, deri në rritjen e pagës 450 euro”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Azemi.

    Ky njoftim i është dërguar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, sekretarit të Kuvendit Arben Loshi, drejtorit të Administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu dhe kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtjen e Kuvendit.

  • Muhamet Alidemaj dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Izbicë

    Muhamet Alidemaj dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Izbicë

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë.

    Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Alidemajt u shpall të premten nga gjykatësi, Vesel Ismaili, i cili tha se në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Po ashtu, të akuzuarit Alidemaj i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.

    Kurse, ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për veprën tjetër, pra për dëmtim të kufomave, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

    Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

    Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktakuzën e plotë mund të gjeni KËTU./BetimipërDrejtësi

  • Akuza e re nga Specialja: Bahtijari e Januzi deklarohen të pafajshëm

    Akuza e re nga Specialja: Bahtijari e Januzi deklarohen të pafajshëm

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë në përputhje me rregullën 90(3), Gjykatësja e Procedurës Paraprake, Marjorie Masselot mbajti seancë për paraqitjen e mëtejshme në procesin gjyqësor kundër Ismet Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

    Në këtë seancë është paraqitur akuza e re kundër Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit, e cila akuzë i është shtuar aktakuzës së përbashkët kundër Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

    Sipas akuzës së re, Bahtjari dhe Jonuzi, ata ngarkohen se përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen dëshmisë së tij.

    “Frikësim gjatë procedurës penale përmes premtimit të një dhuratë ose formë tjetër përfitimi, përkatësisht duke ofruar ndihmë për dëshmitarin një (1), në qoftë se ai do të pajtohet për tërheqjen e dëshmisë së tij në procedurat përpara Dhomave të Specializuara që është e dënueshme sipas parashikimit të nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019, dhe nenit 15, paragrafi 2 i Ligjit. Kjo vepër është kryer ndërmjet 5 dhe 12 prillit të vitit 2023”, thuhej në akuzën e re, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë akuzë të re, të pafajshëm u deklaruan si Januzi, ashtu edhe Bahtijari, të cilët sot gjatë kësaj seancë u përfaqësuan nga avokatet, Hju Bouden (Jonuzi) dhe Felisiti Xherri (Bahtijari).

    Ndryshe, më 8 korrik, Gjykatësja e Procedurës Paraprake në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala konfirmoi ndryshimet në aktakuzën e përbashkët dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte versionin e fundit të kësaj aktakuze deri më 10 korrik. Meqenëse pretendimet e reja faktike të akuzës së re kundër Januzit dhe Bahtijari ishin pjesë e aktakuzës fillestare kundër Haxhi Shalës, këtij të fundit nuk iu kërkua të ishte i pranishëm në seancë.

    Në fund të kësaj seance, avokati i Sabit Januzit, Hju Bouden tha se do të dorëzojnë mocion paraprak lidhur me këtë akuzë të re, ndërsa avokatja e Ismet Bahtijarit, Felisiti Xherri, lidhur me dorëzimin e mocionit paraprak, lidhur me këtë akuzë të re tha se nuk kanë vendosur ende dhe po presin të shohin parashtrimet e Sabit Januzit, për të vendosur.

  • Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

    Sllovenia do të dyfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë gjatë vitit 2025

    Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se shteti i tij do të dyfishojë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s përgjatë vitit 2025, shkruan agjencia sllovene e lajmeve.

    Ai ka thënë se prezenca ushtarake e NATO-s në Ballkanin Perëndimor është rritur me nismë të presidentit amerikan, Joe Biden, duke qenë se ai e njeh rajonin mjaftë mirë.

    Liderët e shteteve të NATO-s kanë qëndruar në Washington ku edhe është mbajtur Samiti i NATO-s me fokus Ukrainën. Në kuadër të disa organizimeve të Samitit e ftuar ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Presidentja Osmani me ftesë të Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C.

  • Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Raportohet për 32 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Sulmet izraelite kanë vrarë edhe 32 persona në Rripin e Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Luftime janë raportuar nga veriu deri në jug të territorit, teksa bisedimet po vazhdojnë për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve.

    Përmes një deklarate, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha më 12 korrik se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

    Po ashtu, mediat e Hamasit kanë raportuar për “më shumë se 70 sulme ajrore” në disa pjesë të Rripit të Gazës, përfshirë në Qytetin e Gazës në veri, në kampin e refugjatëve Nusirat në pjesën qendrore të territorit, dhe në Han Junis dhe Rafah në jug.

    Ushtria izraelite tha të premten se trupat po vazhdojnë operacionet në Rafah, afër kufirit me Egjiptit.

    “Gjatë ditës së fundit, trupat kanë eliminuar një numër terroristësh gjatë luftimeve dhe sulmeve ajrore dhe kanë shkatërruar infrastrukturën e terroristëve në rajon”, u tha në deklaratën e ushtrisë.

    Lufta në Gazë nisi pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 37.000 persona./REL/

  • Arrestohet një i dyshuar për tentim vrasje në Gjilan

    Arrestohet një i dyshuar për tentim vrasje në Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar të enjten një i dyshuar për tentim vrasjen e ndodhur me 6 maj të këtij vitij në Gjilan.

    “VRASJE NË TENTATIVË – Gjilan/06.05.2024-18:20. Lidhur me rastin, me 11.07.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar”, ka njoftuar policia përmes raportit 24-orësh.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

     

  • Mbappe është futbollisti më i shpejtë i ‘Euro 2024’

    Mbappe është futbollisti më i shpejtë i ‘Euro 2024’

    Kylian Mbappe është futbollisti më i shpejtë në ‘Euro 2024’, me 36.5 kilometra në orë.

    I dyti pas yllit francez është renditur lojtari i Spanjës, Ferran Torres me 36 kilometra në orë.

    Kurse në pozitat 3 dhe 4 janë lojtarët, Sekso (35.9) dhe Nico Williams (35/8 kilometra në orë).

  • Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Banorët që kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten

    Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Banorët që kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten

    Të gjithë banorët e Kosovës të cilët kanë refuzuar të regjistrohen do të gjobiten. Kështu, ka thënë në një konferencë për media ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.

    Ai tha se është një numër i vogël i atyre që nuk kanë dashur të regjistrohen dhe se bëhet fjalë për qindra persona, pa kaluar në mijëshe.

    Kastrati tha se për individ gjoba është 2 mijë euro, ndërsa për të tjerët deri në 20 mijë euro.

    Nga gazetarët u pyet nëse ka statistika se sa është numri i popullsisë sipas etnive, por se tha se deri më tani nuk ka statistika të ndara në këtë aspekt.

    Përveç kësaj, Kastrati tha se ende nuk mund të publikohen të dhënat nga shënimi i dëmeve nga lufta.

    Ndryshe, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas rezultateve të ASK-së, është 1 milion e 586 mijë e 659 banorë.

    Ndërsa, nga diaspora deri më tani janë regjistruar rreth 600 mijë.

    LEXONI EDHE:

    Rreth 600 mijë mërgimtarë të regjistruar deri tash, procesi vazhdon deri në fund të gushtit

  • Kurti takoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

    Kurti takoi ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

    Siç njoftoi Kryeministria, në këtë takim u diskutua rreth raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe rreth zhvillimeve të fundit në vend.

    Ky takim u zhvillua si vazhdimësi e vizitës së kryeministrit Kurti në Republikën e Turqisë ditë më parë.

  • Rreth 600 mijë mërgimtarë të regjistruar deri tash, procesi vazhdon deri në fund të gushtit

    Rreth 600 mijë mërgimtarë të regjistruar deri tash, procesi vazhdon deri në fund të gushtit

    Përveç numrit të popullsisë rezidente, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka treguar edhe numrin e mërgimtarëve që janë regjistruar deri tash.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se janë regjistruar rreth 600 mijë mërgimtarë.

    “Të dhënat preliminare nga diaspora janë rreth 600 mijë deri më tani janë regjistruar. Sigurisht ka kohë edhe pak”, tha Kastrati.

    Regjistrimi i diasporës do të vazhdojë deri në fund të muajit gusht.

    Ndryshe, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas rezultateve të ASK-së, është 1 milion e 586 mijë e 659 banorë.

    ASK-ja publikon të dhënat, popullsia e Kosovës përbëhet nga 1.5 milionë banorë