ATV

Author: G.O.

  • Parashikimi për ulje të temperaturave – MSh-ja njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës përfundon sot

    Parashikimi për ulje të temperaturave – MSh-ja njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës përfundon sot

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vendimi për për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore për shkak të temperaturave të larta përfundon sot.

    Në njoftimin e MSH-së thuhet se java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë.

    “Pas konsultimeve me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Institutin Hidrometeorologjik, Ministria e Shëndetësisë njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore për shkak të temperaturave të larta përfundon sot, më 20 korrik 2024. Sipas parashikimeve, java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të monitorojë situatën klimatike dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, thuhet në vendim.

    Ndryshe, para një jave MSH mori vendim që gratë shtatzëna të lirohen nga puna, qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në katër orë si dhe ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00.

    Ky vendim erdhi në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave.

  • Rita Ora shkëlqen me bukurinë e saj në edicionin spanjoll të revistës “Marie Claire”

    Rita Ora shkëlqen me bukurinë e saj në edicionin spanjoll të revistës “Marie Claire”

    Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, ka marrë vëmendjen e të gjithëve duke mbuluar ballinën e revistës prestigjioze “Marie Claire” në edicionin spanjoll.

    Lajmin e gëzueshëm e kanë bërë të ditur drejtuesit e revistës, të cilët përmes një postimi të përbashkët me yllin në rrjetin social Instagram, ndanë këtë arritje të re të këngëtares shqiptare.

    Në postimin e revistës, Ora shprehet se gjithmonë ka ëndërruar të bëhet këngëtare. “U bëra e obsesionuar me modën, muzikën dhe çdo lloj argëtimi. Gjëja e vetme që doja të bëja ishte të argëtoja”, ka thënë këngëtarja, duke përshkruar pasionin dhe dedikimin e saj për artin dhe argëtimin.

    Foto: Marie Claire Espana/Instagram

    Intervista ekskluzive e revistës “Marie Claire” për numrin e muajit gusht sjell një pasqyrë të thellë të karrierës së Rita Orës dhe rëndësinë e shëndetit mendor. Në një tjetër postim në Instagram, Ora falënderoi revistën për këtë nderim të veçantë.

    “Faleminderit ‘Marie Claire Espana’ që më vendosët mua në ballinën më të fundit. Shikoni fotografitë për të parë lëvizjet e mia të stilit flamenco”, shkroi ajo, duke e theksuar rolin e modës dhe stilit në jetën e saj artistike.

    Foto: Marie Claire Espana/Instagram

    Megjithëse data e saktë e publikimit të intervistës së plotë ende nuk është bërë e ditur, fansat e Rita Orës presin me padurim të mësojnë më shumë rreth rrëfimeve dhe mendimeve të saj.

    Foto: Marie Claire Espana/Instagram

    Kjo paraqitje në “Marie Claire” shënon një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj, duke konfirmuar pozicionin e saj si një nga figurat më të njohura dhe të vlerësuara në skenën ndërkombëtare të muzikës dhe modës. /Telegrafi/

  • Ndërtesa e qeverisë u ndriçua në nder të 15-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë

    Ndërtesa e qeverisë u ndriçua në nder të 15-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se pas takimit me ministren e Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, diskutuan edhe më tej në një darkë miqësore.

    Po ashtu, shefi i ekzekutivit, përmes një postimi në X, u shpreh se ndërtesa e qeverisë u ndriçua në nder të 15-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë.

    “Ne e zhvendosëm diskutimin tonë miqësor me ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa në një darkë, ndërsa ndërtesa e qeverisë sonë u ndriçua në festimin e 15-vjetorit të marrëdhënieve tona diplomatike”, shkroi Kurti në X.

    “Urime për një partneritet dhe aleancë gjithnjë e më të ngushtë dhe më të fortë”.

  • Sulmohet seksualisht një e mitur në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Sulmohet seksualisht një e mitur në Prishtinë, arrestohet një i dyshuar

    Policia e Kosovës njoftoi se është arrestuar dje një burrë në Prishtinë, nën dyshimin se e ka sulmuar seksualisht një të mitur.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Prishtinë,19.07.2024-21:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti e kishte sulmuar seksualisht viktimën femër të mitur. Pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Nagavci për grevën e paralajmëruar nga SBAShK-u: Të lihet anash adresimi i agjendave politike

    Nagavci për grevën e paralajmëruar nga SBAShK-u: Të lihet anash adresimi i agjendave politike

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, që të bashkëpunojë më të në të mirë të arsimit dhe mësimdhënësve, kjo pas paralajmërimeve të kësaj Sindikatë se do të mbajnë greva në arsim nga 1 shtatori, raporton Ekonomia Online.

    Në një prononcim për EO, ministrja Nagavci ka thënë se duhet që të lihet anash “adresimi i agjendave politike”.

    “Zotit Jashari, kryetarit të SBASHK-ut, i bëj thirrje publike për çështjet që janë në të mirën e arsimit, përfshirë edhe gjithë mbështetjen për mësimdhënësit, na ka partnerë e bashkëpunëtorë pa asnjë dilemë. Për humbje kohe, për adresim të agjendave politike, përkundër që ndoshta mund të merreshim, nuk kemi kohë as vullnet”, ka thënë ministrja Nagavci për Ekonomia Online.

    Deklarata e kreut të SBASHK-ut, në drejtim të ministres për mosbashkëpunim, ministrja Nagavci, i ka quajtur deklarata të pamatura, duke shtuar se është përmbajtur duke mos reaguar për to.

    Ajo ka thënë se arsyet që sindikata ka paraqitur për grevë, jo vetëm se është e pakuptueshme por shpërfaq edhe atë se nga kush po ndikohen, duke përmendur këtu edhe takimin e Jasharit me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “Jam përmbajtur nga deklaratat e pamatura të zotit Jashari sepse konsideroj që është e rëndësishme që të gjithë bashkërisht të punojnë në mënyrë që të ofrojmë më të mirën për fëmijët tanë”.

    “Duke filluar prej deklaratave të tij, pas takimit me zotin Haradinaj, ku thotë që mënyra e shpërndarjes, është njëra ndër tekstet ku ai e përmend njëra nga arsyet për grevë është jo vetëm se e pakuptueshme, por në fakt e shpërfaq edhe atë se nga kush po ndikohen, sepse të gjitha raportimet nga shkollat, nga mësimdhënësit, nga drejtorët janë që kjo mënyrë e subvencionimit e teksteve është një lehtësim për shkollat”, ka thënë Nagavci.

    “Ata që kanë humbur mund të jenë ata që kanë përfituar në mënyrën jo të duhur”, ka thënë ajo për EO.

    Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se si pasojë e mungesës së dialogut me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë në përgjithësi, viti i ri shkollor rrezikon të mos fillojë me 1 shtator, pasi ky sistem mund të futet në grevë.

    Nga kjo sindikatë thuhet së kjo është kërkesë e vazhdueshme e anëtarësisë pasi Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk po i marrin parasysh kërkesat e tyre dhe nuk po u përgjigjen ftesave për dialog.

  • Zelensky: Tre të vrarë pas një sulmi rus në një kënd lojërash në Mikolajiv

    Zelensky: Tre të vrarë pas një sulmi rus në një kënd lojërash në Mikolajiv

    Një sulm ajror rus në qytetin jugor ukrainas të Mikolajivit goditi një këndë lojërash, duke vrarë të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë.

    Kështu njoftoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky më 19 korrik. Në sulm u plagosën edhe pesë persona, tha Zelensky përmes Telegramit, duke i bërë thirrje botës që të ndihmojë në ndaljen e “terrorit” rus.

    Kryetari i Mikolajivit, Oleksandr Sienkovych, konfirmoi se tre persona, përshirë një fëmijë, u vranë në sulm.

    Zelensky publikoi fotografi ku shfaqeshin të paktën dy trupa të pajetë pranë hyrjes së një ndërtese.

    “Ky shkatërrim i jetës duhet të ndalet”, tha Zelensky. “Duhen zgjidhje të reja për të mbështetur mbrojtjen tonë. Rusia duhet të ndiejë fuqinë e botës”.

    Udhëheqësi ukrainas përsëriti thirrjet drejtuar mbështetësve perëndimorë të Kievit që t’i dërgojnë shtetit më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mbrojë qiejt e saj nga sulmet ajrore të Rusisë.

    Qyteti-port i Mikolajivit dhe rajoni përreth shpesh janë cak i sulmeve ruse. Guvernatori rajonal, Vitaliy Kim, tha se edhe një raketë tjetër goditi një zonë tjetër në këtë rajon më 19 korrik.

    Rusia mohon se shënjestron civilët apo infrastrukturën civile, pavarësisht provave që dëshmojnë të kundërtën. Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 2022, në Ukrainë janë dokumentuar më shumë se 10.000 persona të vrarë.

    Rusia më herët gjatë 19 korrikut sulmoi edhe në rajonin e Hersonit, duke vrarë një grua të moshuar.

    Po ashtu, në rajonin e Harkivit, si pasojë e sulmeve ruse u plagosën të paktën shtatë persona, ndërkaq në rajonin Sumi – afër kufirit me Rusinë – u plagos edhe një civil, sipas zyrtarëve rajonalë.

    Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 19 dronë të Ukrainës mbi rajonet e Kurskut dhe Belgorodit, si dhe në Krimenë e pushtuar./REL

  • Temperaturat e larta në Shqipëri po shoqërohen me zjarre të shumta

    Temperaturat e larta në Shqipëri po shoqërohen me zjarre të shumta

    Zjarret në sipërfaqet pyjore prej disa javësh vazhdojnë të djegin me qindra hektarë me pyje dhe kullota në një pjesë të territorit të Shqipërisë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, zonat më të prekura deri tani janë Njësitë Administrative të Qarqeve Dibër, Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër.

    Prej disa javësh forca dhe mjete të shumta të njësive zjarrfikëse, të mbështetura edhe nga forcat e ushtrisë dhe dy helikopterë po luftojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit, të cilat, në disa raste, i janë afruar edhe zonave të banuara.

    Në pjesën më të madhe, vatrat e zjarreve janë shuar, por aktualisht situata është përqendruar në Qarkun e Dibrës, ku temperaturat e ditëve të fundit arritën nivelin maksimal, me 43 gradë, duke rritur rrezikun e shfaqjes së vatrave të reja të zjarrit.

    Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njoftoi sot se, në të gjithë territorin e vendit janë aktive 7 vatra zjarri. Situata është më problematike në fshatin Pregj-Lurë të bashkisë Dibër, ku helikopteri i Forcave të Armatosura i është bashkuar operacionit për të penguar përhapjen e flakëve në drejtim të fshatit.

    Në bashkinë Pukë pati sot dy vatra zjarri të reja, në fshatin Rras dhe një tjetër në fshatin Kuzhnen, ndërsa në bashkinë Fushë-Arrës forcat zjarrfikëse u përfshinë sot në shuarjen e një vatre zjarri në fshatin Sakat. Vatra zjarri u regjistruan sot edhe në bashkinë e Kolonjës, atë të Gjirokastrës dhe Tepelenës.

    Zjarret e shfaqura tre javët e fundit, në sipërfaqet pyjore, paraqitën vështirësi për shuarjen e tyre, ndaj më 13 korrik Shqipëria kërkoi aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i cili dërgoi dy avionë zjarrfikës për luftimin e vatrave të zjarreve kryesisht në zonën e Gjirokastrës.

    Shqipëria ka rreth 36 për qind të territorit të saj me pyje dhe kullota dhe ndryshimet klimatike të viteve të fundit kanë rritur rrezikun e shtimit të zjarreve në pyje. Çdo vit regjistrohen më shumë se 200 vatra zjarri në pyje dhe kullota, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm ekonomisë së vendit dhe mjedisit natyror.

    Kapacitetet e Shqipërisë për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore, sidomos në zonat e thella malore, janë të kufizuara. Shërbimi zjarrfikës ka vetëm 147 automjete zjarrfikëse, pjesa më e madhe të vjetruara, dhe rreth 1300 punonjës, por asnjë avion zjarrfikës./VOA

  • Ardhja e mërgimtarëve – Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Ardhja e mërgimtarëve – Kjo është gjendja në pikat kufitare

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka treguar gjendjen nëpër pikëkalimet kufitare, këtë mëngjes.

    Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në Kosovë janë nga 30-40 minuta, e kolona është 200 metra.

    Në Jarinjë e Merdare, pritjet në hyrje janë 5-10 minuta, derisa në pikëkalimet tjera 3-5 minuta.

     

     

  • Shqipëri – Kroaci, mes 10 sfidave më të bukura të Euro 2024

    Shqipëri – Kroaci, mes 10 sfidave më të bukura të Euro 2024

    Jehona e finaleve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024” vazhdon ende edhe pas përfundimit të saj mbrëmjen e 14 korrikut. UEFA ka përzgjedhur së fundmi 10 ndeshjet më të spikatura të finaleve të EURO 2024 dhe mes tyre është edhe takimi i grupit B mes Shqipërisë dhe Kroacisë, që përfundoi me rezultatin 2-2.

    Sipas UEFA-s, këto janë ndeshjet me intensitet më të lartë loje, spektakël, raste, gola të bukur, përmbysje rezultati dhe gola të shënuar në minutat e fundit.

    Ndeshja Shqipëri – Kroaci konsiderohet nga UEFA si një nga sfidat më të bukura të këtij Evropiani. Në këtë duel ballkanik, Qazim Laçi kaloi fillimisht në avantazh kuqezinjtë në minutën e 11-të, ndërsa kroatët barazuan rezultatin me Kramariç në minutën e 74-t. Në të 76-tën, Klaus Gjasula shënoi një autogol, ndërsa në minutën e 5-të të kohës shtesë ishte po djaloshi kuqezi ai i cili realizoi golin e barazimit.

    Ndër sfidat e tjera të përzgjedhura nga UEFA janë edhe Gjermani-Skoci (5:1), Turqi-Gjeorgji (3:1), Kroaci-Itali (1:1), Holandë- Austri (2:3), Spanjë-Gjeorgji (4:1), Austri-Turqi (1:2), Gjermani-Spanjë (1:2), Spanjë-Francë (2:1), Holandë-Angli (1:2).

    Për këto 10 takime, UEFA ka hapur dhe një sondazh, ku të gjithë futbolldashësit mund të votojnë ndeshjen e tyre të preferuar.

  • 11 persona vdesin dhe 30 zhduken si pasojë e shembjes së urës në Kinë

    11 persona vdesin dhe 30 zhduken si pasojë e shembjes së urës në Kinë

    Të paktën 11 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë rezultuan të zhdukur pasi një urë u shemb mes shirave të rrëmbyeshëm në Kinën veriperëndimore, tha media shtetërore të shtunën.

    “Afro 20 automjete dhe më shumë se 30 njerëz janë të zhdukur pas shembjes së urës së autostradës”, tha transmetuesi lokal CCTV.

    Ura në qarkun Zhashui, në provincën Shaanxi, u shemb në orën 20:40 të premten për shkak të rrebeshve të papritura dhe përmbytjeve, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, duke cituar autoritetet.

    Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, me pesë automjete të nxjerra nga uji deri më tani.