ATV

Author: G.O.

  • Pse nuk duhet të konsumoni kafe gjatë temperaturave të larta?

    Pse nuk duhet të konsumoni kafe gjatë temperaturave të larta?

    Pirja e kafesë është një ritual i përditshëm për shumicën e njerëzve.

    Megjithatë, ekzistojnë dy arsye pse duhet të bëni kujdes kur konsumoni kafe gjatë stinës së verës e sidomos kur temperaturat janë të larta e përvëluese.

    Përkundër dobive që sjell pirja e kafesë, ekzistojnë dy rreziqe nëse e konsumoni gjatë muajve të nxehtë. Por cila janë ato?

    Rreziku i dehidrimit

    Dehidrimi është një disavantazh kur jemi tek kafeja, veçanërisht nëse e keni konsumoni gjatë muajve të ngrohtë.

    Për shkak të vetive të saj diuretike, kafe mund të shkaktojë humbje të lëngjeve duke rritur prodhimin e urinës.

    Për të reduktuar këtë rrezik, është thelbësore të qëndroni të hidratuar gjatë gjithë ditës duke pirë shumë ujë, veçanërisht nëse jeni duke shijuar kafe.

    Mund t’ju rritet temperatura e trupit

    Aftësia e kafesë për të rritur temperaturën e trupit në verë është një tjetër disavantazh.

    Në ditët e ngrohta, kafeja mund të shkaktojë rritjen e temperaturës së trupit, duke ju bërë të ndiheni edhe më të nxehtë.

    Për të qëndruar të qetë dhe të rehatshëm, mund të konsumoni kafe të ftohtë ose pije të tjera të ftohta në vend të kafesë së nxehtë gjatë verës. /Telegrafi/

  • Mbi 2 mijë lindje vetëm gjatë majit në Kosovë

    Mbi 2 mijë lindje vetëm gjatë majit në Kosovë

    Vetëm gjatë muajit maj, në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 300 lindje, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjatë muajit maj kanë lindur 1 mijë e 212 meshkuj dhe 1 mijë e 88 femra.

    “Në muajin maj 2024 janë regjistruar 2. 300 lindje. Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1. 212 lindje janë meshkuj dhe 1 088 lindje janë femra”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Xhensila Myrtezaj dhe Ghetto Geasy zbulojnë datën e lansimit të projektit të ri

    Xhensila Myrtezaj dhe Ghetto Geasy zbulojnë datën e lansimit të projektit të ri

    Xhensila Myrtezaj dhe Ghetto Geasy kanë njoftuar datën se kur do të lansohet projekti i tyre i ri.

    Ata përmes rrjeteve sociale kanë bërë të ditur se kjo këngë do të lansohet të premten (19 korrik).

    Dyshja kanë ndarë pak edhe nga xhirimet e videoklipit të ri, i cili besohet se do të pëlqehet edhe nga publiku.

    “Kush është gati për këtë dyshe. 19.07.24. Vaj Vaj”, thuhet në postim. Fansat gjithashtu mezi po presin për këtë duet të artistëve të njohur të estradës.

    Ata kanë bashkë edhe një tjetër këngë të quajtur “Mëkati im”, të cilën e sollën para dy viteve.

    Kjo ka mbledhur mbi 13 milionë klikime në platformën YouTube. /Telegrafi/

  • Nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret pas atentatit ndaj Trumpit

    Nis hetimi ndaj Shërbimit Sekret pas atentatit ndaj Trumpit

    Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan për Siguri të Brendshme tha se ka nisur një hetim për të kuptuar se si e ka menaxhuar Shërbimi Sekret sigurinë për ish-presidentin Donald Trump, në ditën kur një sulmues i armatosur tentoi ta vriste gjatë një tubimi në Pensilvani.

    Përmes një njoftimi të shkurtër të publikuar në ueb-faqen e Inspektorit të Përgjithshëm, agjencia tha se objektivi i hetimit është “vlerësimi i procesit të Shërbimit Sekret për sigurinë në tubimin e ish-presidentit Trump më 13 korrik 2024”.

    Në njoftim nuk u bë i ditur se kur ka nisur hetimi.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, veçse ka urdhëruar një shqyrtim të pavarur të sigurisë në mitingun zgjedhor.

    Të shtënat ngritën pikëpyetje se si sulmuesi mundi të hipte në çatinë afër vendit ku po mbahej mitingu dhe të qëllonte drejt ish-presidentit, i cili u plagos lehtë.

    Sulmuesi 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti t’i afrohej 135 metra nga skena ku ish-presidenti republikan po fliste dhe më pas hapi zjarr.

    Trump, që u godit në veshin e djathtë, u largua me shpejtësi nga skena nga agjentët e Shërbimit Sekret dhe agjentët qëlluan për vdekje sulmuesin. Si pasojë e të shtënave u vra një person që ishte në audiencë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

    Drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kim Cheatle, tha se agjencia e kupton rëndësinë e rishikimit të urdhëruar nga Bideni dhe do të marrë pjesë në të. Ajo tha se agjencia po punon për të kuptuar se si ndodhën të shtënat dhe a mund të bëhet diçka që gjëra të tilla të mos përsëriten.

    Shërbimi Sekret ka afër 7.800 anëtarë që janë përgjegjës për mbrojtjen e presidentëve, nënpresidentëve, familjarëve të tyre, ish-presidentëve, familjarë të tyre dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit amerikan./REL

  • Scholz të premten takohet me Vuçiqin në Serbi, shkak një marrëveshje e BE-së

    Scholz të premten takohet me Vuçiqin në Serbi, shkak një marrëveshje e BE-së

    Kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë në Serbi ku do të zhvillojë bisedime me presidentin Aleksandar Vuçiq të premten, tha një zëdhënës i qeverisë gjermane, duke përmendur lëndët e para kritike si temë kryesore të udhëtimit.

    Scholz do të marrë pjesë në një samit kritik të lëndëve të para së bashku me nënpresidentin e Komisionit Evropian Marosh Shefçoviq, gjatë të cilit Serbia do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Bashkimin Evropian për një partneritet strategjik mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e furnizimit me bateri dhe makinat elektrike, shkruan Reuters.

    “Sfondi i këtij është një projekt për minierat e qëndrueshme të litiumit në Serbi. Në përgjithësi, ka të bëjë me zhvillimin e mëtejshëm të një programi evropian të lëndëve të para dhe talljen e burimeve të lëndëve të para”, tha zëdhënësi në një konferencë të rregullt për shtyp të qeverisë në Berlin më e mërkurë.

    Vizita vjen pasi qeveria serbe rivendosi një licencë për Rio Tinto për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Evropë në një nxitje të mundshme për industrinë e automjeteve elektrike të kontinentit.

    Nëse zhvillohet, projekti 2.4 miliardë dollarësh i litiumit Jadar në Serbinë perëndimore mund të mbulojë 90% të nevojave aktuale të litiumit të Evropës dhe të ndihmojë që kompania të bëhet një prodhues kryesor i litiumit.

    Megjithatë, ka pasur kundërshtim të fortë ndaj projektit nga aktivistët mjedisorë dhe partitë opozitare në Serbi.

  • Në BE vazhdojnë diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Në BE vazhdojnë diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Përkundër pritjeve dhe paralajmërimeve se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të hiqen, së paku gradualisht, kjo nuk ka ndodhur ende.

    Verën e kaluar, BE-ja ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës – përfshirë anulimin e disa takimeve në nivel të lartë – duke vlerësuar se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veriun e banuar me shumicë serbe.

    Tensionet në këtë zonë janë rritur pasi Qeveria e Kosovës ka instaluar kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe, në fund të majit të vitit 2023.

    Rekomandimin për heqjen e masave e ka dhënë në qershor përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, duke e arsyetuar atë me hapat që ka marrë Kosova për përmbushjen e kushteve për heqjen e tyre.

    Tani thuhet se Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) është duke i vazhduar konsultimet me vendet anëtare për tekstin e një deklarate të përfaqësuesit të lartë, me të cilën do të njoftohej për heqjen e masave.

    Por, disa versione të tekstit të një deklarate të tillë nuk kanë arritur të marrin mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare.

    Sipas burimeve diplomatike në BE, shumica e vendeve janë pajtuar që të hiqen masat, disa kanë dashur të hiqet vetëm një pjesë e tyre, por disa kanë kërkuar edhe vendosjen e një klauzole, sipas së cilës masat do të mund të ktheheshin me automatizëm, nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmerrnin ndonjë hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri, që do t’i rriste tensionet.

    Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Borrell, ashtu siç është kërkuar prej tij, u ka dërguar raportin vendeve anëtare dhe diskutimi për të është zhvilluar në qershor.

    Por, Stano tha se “përmbajtja e atij raporti nuk do të bëhet publike”.

    Radio Evropa e Lirë ka pasur rast ta shohë atë raport dhe në të është rekomanduar heqja e masave.

    “Marrë parasysh hapat që i ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së, të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit [Evropian] që të marrë qëndrim për heqjen e masave për Kosovën, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionale”, është thënë në raportin e Borrellit.

    Borrell, në rekomandimin e tij, ka thënë se vendimi nga ana e Këshillit do të kontribuonte në një kontekst të balancuar, në të cilin dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, i lehtësuar nga BE-ja, do të mund të ecë përpara.

    “Nga Kosova pritet që ta shfrytëzojë këtë mundësi për të vepruar në mënyrë depërshkallëzuese dhe për t’i evituar veprimet e pakoordinuara”, është thënë në raportin e Borrellit.

    Por, gjatë diskutimeve, disa vende anëtare kanë argumentuar se përmbushja e kushteve nga ana e Kosovës “nuk është e plotë”.

    Stano thotë se “diskutimet në Këshill po vazhdojnë”.

    Në Bashkimin Evropian nuk duan të flasin për afatet kohore se kur do të mund të hiqeshin masat, por zyrtarë të BE-së – në kushte anonimiteti – thonë se “vendimi është bërë më i vështirë pas sjelljes jokonstruktive” në takimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të lartë dhe në nivel të kryenegociatorëve.

    Në fund të qershorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar në Bruksel për një rund të ri bisedimesh, por takimi i përbashkët nuk është zhvilluar, për shkak të disa kushteve që ka nxjerrë Kurti e që i ka refuzuar Vuçiq.

    Disa burime të BE-së thonë se në mesin e arsyeve përse disa shtete nuk duan të hiqen masat, janë niveli i ulët i besimit ndaj autoriteteve të Kosovës dhe frika se Kosova mund të ndërmarrë hapa të njëanshëm për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që lidh veriun dhe jugun e Mitrovicës./REL

  • Shefi i EULEX-it: Do ta vazhdojmë mbështetjen për Shërbimin Korrektues

    Shefi i EULEX-it: Do ta vazhdojmë mbështetjen për Shërbimin Korrektues

    Shefi i EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë me kënaqësi në në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 44-të të 64 kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

    Në platformën ‘X’, ai e ka konfirmuar vazhdimin e mbështetjes së EULEX-it.

    “Me kënaqësi të marrë pjesë në Ceremoninë e Diplomimit të Gjeneratës së 44-të të Trajnimit Profesional të Oficerëve Korrektues për 64kKadetët e Shërbimit Korrektues të Kosovës”.

    “Duke ju uruar të gjithë të diplomuarve më të mirën në përpjekjet e tyre dhe ritheksoj mbështetjen e EULEX-it për SHKK-në”, ka thënë Barbano.

  • Leonora Jakupi kujton babanë në 26-vjetorin e vdekjes

    Leonora Jakupi kujton babanë në 26-vjetorin e vdekjes

    Artistja e njohur shqiptare, Leonora Jakupi, ka përkujtuar babanë e saj në 26-vjetorin e vdekjes.

    Këngëtarja nga Drenica ka postuar një fotografi në llogarinë e saj në Instagram, ku shihet varri i tij mbi të cilin shkruan: “Hero i Kosovës”.

    “26 vite pa ty babë”, ka qenë përshkrimi që i ka vënë postimit me një ‘emoji’ të përlotur.

    Qazim Jakupi në ndërkohë ka rënë dëshmor në luftën e fundit në Kosovë.

    Leonora vazhdon të jetë një nga emrat më të suksesshëm e më të kërkuar në tregun muzikor.

    Ajo ka shumë vite që është në skenë, ku edhe ka sjellë projekte e hite të mëdha.

    Bukuroshja ka një lidhje të ngushtë edhe me familjen, e veçanërisht me të ëmën. /Telegrafi/

  • IS-i merr përgjegjësinë për sulmin e rrallë në Oman

    IS-i merr përgjegjësinë për sulmin e rrallë në Oman

    Grupi militant Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë për sulmin e rrallë pranë një xhamie shiite në kryeqytetin e Omanit, Maskat.

    Ai tha se tre pjesëtarë të tij ishin të përfshirë në sulmin e së martës me armë zjarri.

    Gjashtë persona, përfshirë një polic, u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën, tha policia e Omanit.

    Sipas saj, tre sulmuesit u vranë gjithashtu nga forcat e sigurisë.

    Policia nuk dha detaje për identitetin e viktimave dhe të personave të armatosur.

    Por, Pakistani tha se katër shtetas të tij janë në mesin e të vrarëve në sulmin pranë xhamisë Imami Ali.

    India tha, gjithashtu, se një shtetas i saj është vrarë.

    Shteti Islamik, që grumbullon militantë sunitë, ka sulmuar shpesh ceremonitë, procesionet dhe besimtarët shiitë në vende si Iraku, Afganistani dhe Pakistani.

    Por, kurrë më parë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për një sulm në Oman, ku shiitët janë pakicë./REL

  • ​Rama: Për 25 për qind është rritur numri i turistëve kosovar krahasuar me vitin e kaluar

    ​Rama: Për 25 për qind është rritur numri i turistëve kosovar krahasuar me vitin e kaluar

    Një sulm i organizuar po kryhet për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kështu u shpreh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një mbledhje me 61 kryebashkiakët e Shqipërisë.

    Sipas kryeministrit Edi Rama janë hapur profile false në rrjetet sociale që komentojnë kundër turizmit në Shqipëri dhe publikojnë lajme të rreme sikur nuk ka turistë.

    “Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këto sulme” u shpreh Edi Rama, ndërsa shtoi se shifrat në raportet e Komisionit Evropian të Udhëtimeve e rendisin Shqipërinë të parën për rritjen e flukseve turistike për 2024 me një rritje prej 86 % më shumë se vjet.

    “Këtu janë të pranishëm edhe bashkitë kryesore të truizmit por edhe të tjerë që po rrisin flukset e tyre turistike për të shkuar përtej detit dhe eksploruar pika që deri dje nuk mund të imagjinoheshin me turistë, është e rëndësishme që sot të jeni të vetëdijshëm që ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me kryetrarë e bashkive detare, të gjithë janë të skandalizuar nga shumë video lajme e komente të rreme të manipuluar të bëra me qëllime duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Nuk është ky preukupimi kryesor që të merrni me atë aq janë pjesë e këtij sulmi të organizuar që vijnë nga disa anë, sistemimet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këtë, flasim për sigurinë kibernetike, shumë profile false që përdoren për këtë sulm. Kjo vlen për të kuptuar që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botë erdhi dhe me sfida të reja, sfida që janë komplekse që kanë të bëjnë me të gjithë elementet. Sivjet para pak ditësh KE i udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë , me 86 % rritje të fluksit të turisteve”, tha Rama.

    Duke iu referuar lajmeve për “braktisjen” e turizmit të shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri, Edi Rama tha se vetëm në 6 muajt e parë të 2024 kanë ardhur 25 % më shumë se vjet ose 1.7 milionë qytetarë nga Kosova.

    “Pjesë e këtij sulmi është dhe një përpjeke shumë e ulët për të dhënat se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë që fakti nga janari-qershor janë 1.7 milionë hyrje të qytetarëve të Kosovës ose 25 % më shumë se vjet. Këtë vit shtetasit italianë deri në qershor kanë ardhur 57 % më shumë se vjet. Turistët turq janë 61 % më shumë dhe polakët me 74 % më shumë që janë të parët që kanë ardhur në Shqipëri. Aeroporti i Tiranës në pamundësi për të dhënë leje për çarter së nuk ka vend në 24 orë. Për të ulur çartera në Rinas duhet të prenotosh 3 ditë para”, tha Rama./RTSH/