ATV

Author: G.O.

  • Edhe Japonia me Turqinë u bëjnë thirrje qytetarëve të largohen nga Libani

    Edhe Japonia me Turqinë u bëjnë thirrje qytetarëve të largohen nga Libani

    Ministria e Jashtme e Japonisë i bëri thirrje qytetarëve japonezë në Liban të largohen nga vendi për shkak të rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme.

    Turqia gjithashtu ka bërë thirrje gjithashtu qytetarëve të saj në Liban që të largohen nga vendi nëse nuk ka nevojë të qëndrojnë atje sepse ekziston rreziku që situata të përkeqësohet me shpejtësi, njoftoi Ministria e Jashtme turke.

    Tensionet janë rritur që kur Ismail Haniya, lideri i grupit palestinez Hamas, u vra në Teheran të mërkurën, një ditë pasi Izraeli vrau Fuad Shukr, një komandant i lartë ushtarak i grupit militant libanez Hezbollah, në një sulm në Bejrut.

    Turqit në Liban duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkojnë në rajonet Nabatiya, Libanin e Jugut, Bekaa dhe Baalbek-Hermel, përveç për nevoja thelbësore.

    Të dielën, Franca dhe Italia u bënë thirrje qytetarëve të tyre në Liban që të largohen nga vendi për shkak të rrezikut të përshkallëzimit ushtarak në Lindjen e Mesme.

  • Zhduket një djalë në Prishtinë

    Zhduket një djalë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë nga Prishtina e ka raportuar si të zhdukur djalin e tij.

    Rasti është raportuar të hënën, ndërkohë që ka ndodhur të shtunën.

    “Më 05.08.2024 ankuesi kosovar ka njoftuar policinë se djali i tij ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer. Rasti në hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Sot shpaloset plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

    Sot shpaloset plani i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

    Sot mbahet në ceremonia e shpalosjes së propozimit fitues për zhvillimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

    Në këtë ceremoni do të flasin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari.

    Ndryshe Kompleksi Memorial “Adem Jashari” gjendet në Prekaz – Skënderaj dhe ky vend i veçantë historik është ndërtuar për nder të Dëshmorëve të Betejës së Jasharajve më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

    Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, e cila ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjithashtu e miratoi Ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar.

  • Kurti sot shkon në Maqedoninë e Veriut, do të takohet me Mickoskin

    Kurti sot shkon në Maqedoninë e Veriut, do të takohet me Mickoskin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministra, sot do të zhvillojnë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral mes Kurtit dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.

    Këtë për media e ka konfirmuar dje zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    “Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, ka thënë Kryeziu.

    Kjo vizitë e Kurtit vjen pak ditë pas incidentit të presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit, ku Presidenca tha se iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit.

  • Ky është njeriu më i shpejtë në botë, mori medalje ari në 100 m në Lojërat Olimpike

    Ky është njeriu më i shpejtë në botë, mori medalje ari në 100 m në Lojërat Olimpike

    Noah Lyles ka arritur të rrëmbejë medaljen e arit në finalen e 100 metrave.

    Ai mposhti atletin Xhamajkan Thomson, për vetëm 5 të mijtat e sekondës.

    Kështu Thomspon mori medaljen e argjendit, ndërsa atë të bronzin e fitoi Fred Kerley.

  • Aksidenti me vdekje në Rugovë: Arrestohet personi i lënduar, tha se nuk ishte ai shoferi

    Aksidenti me vdekje në Rugovë: Arrestohet personi i lënduar, tha se nuk ishte ai shoferi

    Një aksident i rëndë ka ndodhur të shtunën në Shtupeq të Madh në Rogovë, ku ka vdekur një person dhe një tjetër është lënduar.

    Policia ka njoftuar se fillimisht personi i lënduar ka deklaruar se motocikletën me katër rrota po e voziste personi që ka vdekur, mirëpo dje gjatë intervistimit është konstatuar se vozitёs ishte personi i lënduar.

    Ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Njoftimi i plotë:

    Ju informojmë se me datë 03.08.2024, rreth orës 15:30, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Shtupeq i madh-Rugovё.

    Nё kёtё aksident ishte e pёrfshirё njё motoçikletё (4 rrotёshe), nё tё cilёn ishin dy (2) persona, motoçikleta ishte rrokullisur dhe si pasojё njё person ka vdekur ne vendin e ngjarjёs kёtё e ka konfirmuar ekipi mjekёsor, ndёrsa personi tjetёr ka pёsuar lëndime trupore.

    Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR), dhe Prokurori i shtetit, i cili ka urdhёruar qё trupi i pajetё i viktimёs tё dërgohet ne Institutin e Mjekësisë Ligjore ( IML) nё Prishtinё pёr obduksion.

    Fillimisht sipas deklarimit tё personit tё lënduar vozitёs ishte viktima e aksidentit, pas hetimit nga hetuesit e NJRKRR-DRP Pejё, me datё 04.08.2024 gjatё intervistimit ёshtё konstatuar se vozitёs ishte personi i lënduar tani i dyshuar pёr kёtё aksident.

    Pas intervistimit nga hetuesit i dyshuari me urdhёr tё prokurorit tё shtetit dёrgohet nё mbajtje pёr 48- orё.

  • Aksident i rëndë në autostradën “Arbën Xhaferi”, humb jetën një person, lëndohet rëndë një tjetër

    Aksident i rëndë në autostradën “Arbën Xhaferi”, humb jetën një person, lëndohet rëndë një tjetër

    Gjatë mëngjesit të sotëm ka ndodhur një aksident trafiku në autostradën “Arbën Xhaferi”, raporton Sinjali.

    Si pasojë e këtij aksidenti një person ka humbur jetën.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Daut Hoxha, ku tha se një person ka humbur jetën, ndërsa shoferi i veturës është në gjendje të rëndë dhe është dërguar me urgjencë për në QKUK.

    “Një veturë ka devijuar rrugën duke goditur fillimisht anësoren e autostradës dhe me pas duke përfunduar jashtë rrugës”, tha Hoxha.

    “Si pasojë e aksidentit nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë pasagjeri dhe lëndime të rënda trupore ka pësuar vozitësi i veturës, i cili është duke u trajtuar (mjekuar) në QKUK në Prishtinë”, theksoi ai.

    “Në vendngjarje kanë dal njësitet kompetente policore dhe ato të emergjencës. Njësia e Mjekësisë ligjore e kanë tërhequr kufomën, e cila me urdhër të prokurorit kujdestar dërgohet në institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion”, shtoi Hoxha.

  • Franca u bën thirrje qytetarëve të vet të largohen nga Libani “menjëherë”

    Franca u bën thirrje qytetarëve të vet të largohen nga Libani “menjëherë”

    Franca u bëri thirrje të dielën qytetarëve të vet në Liban të largohen nga vendi i Lindjes së Mesme “sa më shpejt”, për shkak të frikës për shpërthimin e një lufte të përgjithshme mes Izraelit dhe Hezbollahut.

    Ministria e Jashtme e Francës gjithashtu e përsëriti thirrjen për shtetasit francezë të mos udhëtojnë për Liban.

    Parisi i ndoqi hapat e Uashingtonit dhe Londrës, të cilat të shtunën u kërkuan qytetarëve të vet të largohen nga Libani.

    Franca vlerëson se rreth 23.000 shtetas të saj jetojnë në Liban, ndërsa muajin e kaluar rreth 10.000 qytetarë francezë e vizituan vendin e Lindjes së Mesme.

    Ndërkohë, Suedia njoftoi se e ka mbyllur Ambasadën e vet në Bejrut dhe u bëri thirrje qytetarëve të largohen nga ky vend.

    Tensionet në rajon janë shumë të larta pas vrasjes së Ismail Haniyeh, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe një komandanti të lartë të grupit libanez, Hezbollah, javën e kaluar.

    Vdekja e Haniyehut në tokën iraniane dhe sulmet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani, të cilat përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.

    Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament.

    Irani dhe Hamasi e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyehut dhe janë zotuar se do të hakmerren. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, por as nuk e ka mohuar atë./REL

  • Dy persona vriten në një sulm me thikë në Tel Aviv

    Dy persona vriten në një sulm me thikë në Tel Aviv

    Një sulmues palestinez vrau dy njerëz dhe plagosi dy të tjerë në një sulm me thikë në Izrael, para se të vritej nga policia, njoftuan autoritetet izraelite.

    Sulmi ndodhi mëngjesin e së dielës afër një pompe karburanti dhe një parku në qytetin Holon, afër Tel Avivit, sipas autoriteteve.

    Një burrë dhe një grua u vranë, ndërsa dy njerëz të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital me nxitim, thanë zyrtarët mjekësorë.

    “Terroristi u neutralizua menjëherë nga njëri prej oficerëve tanë në vendin e ngjarjes, i cili e parandaloi atë nga kryerja e një sulmi edhe më të rëndë”, tha zëdhënësja e policisë, Eli Levi, për televizionin izraelit, kanal 12.

    Në një komunikatë për media, policia tha se ndodhet në vendin e ngjarjes dhe se “po kryejmë bastisje gjithëpërfshirëse me një helikopter dhe resurse shtesë”.

    Grupi radikal palestinez, Hamas – i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tha se sulmi me thikë ishte “përgjigje e natyrshme” për sulmet izraelite ndaj palestinezëve dhe për vrasjen e liderit të tij politik, Ismail Haniyeh, javën e kaluar në Teheran.

    Megjithatë, Hamasi nuk e mori përgjegjësinë për sulmin e së dielës. /REL

  • Ekipit të mbrojtjes së Kadri Veselit i shtohet edhe një avokat

    Ekipit të mbrojtjes së Kadri Veselit i shtohet edhe një avokat

    Ekipit të mbrojtjes së ish-komandantit të UÇK-së, Kadri Veselit, i është shtuar edhe avokati Steven Lack.

    Në dokumentin e lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës thuhet se Lack pranohet në listën e avokatëve në përputhje me nenin 7 pika 3 dhe nenin 18 pika 1 të Direktivës për avokat 2.

    “Në bazë të rregullit 26(1) të Rregullores1, Sekretari njofton Trupin Gjykues II. të konfirmimit të miratimit të Z. Steven Lack , si bashkë-avokat i Z. Kadri Veselit”, thuhet në dokument.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.