ATV

Author: G.O.

  • KFOR: Çdo vendim për hapjen e urës së Ibrit të diskutohet në Bruksel

    KFOR: Çdo vendim për hapjen e urës së Ibrit të diskutohet në Bruksel

    Pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër KFOR-i në një përgjigj për RTV21 ka thënë se çdo vendim për çështjen e urës duhet të diskutohet në proces të dialogut.

    “Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

    Po ashtu, KFOR ka bërë me dije se është i gatshëm të kontribuojë në një mjedis të sigurt duke përfshirë një prani fikse në urën e Mitrovicës dhe patrullime të rregullta në zonat përreth.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të OKB-së të bazuar në mandatin e tij të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; duke përfshirë një prani fikse në urën e Mitrovicës dhe patrullimet e rregullta në zonat përreth. Ne kurrë nuk ndajmë detaje operacionale. KFOR-i ka një qëndrim të dukshëm, fleksibël dhe të pajisur mirë dhe ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së. KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë rtv21.

    LEXONI EDHE:

    Kusari-Lila: Nuk ka asnjë kuptim që ura e Ibrit të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë

     

  • Kusari-Lila: Nuk ka asnjë kuptim që ura e Ibrit të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë

    Kusari-Lila: Nuk ka asnjë kuptim që ura e Ibrit të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar hapjen e Urës së Ibrit, e cila për të është sinonim i ndarjes dhe pengesë serioze e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Kusari-Lila, ka thënë se të gjitha rreziqet e mëhershme janë hequr dhe se nuk ka asnjë kuptim që Ura mbi Ibër të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë.

    “Ura e Ibrit është sinonim i ndarjes, i qytetit të ndarë është pengesë serioze në lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e lumit Ibër dhe tashmë besoj që është mirë e argumentuar që janë hequr të gjitha rreziqet e mëhershëm që janë asociuar me lirimin apo qarkullimin e Urës së Ibrit. Prandaj nuk ka asnjë argument të qëndrueshëm përveç atij, argumenti politik të mëhershëm që ka qenë që ura duhet të mbahet e mbyllur”, ka thënë Kusari.

    Tutje, shefja e këtij grupi ka potencuar se kjo do të jetë simbolika e fundit e heqjes së ndasisë.

    “Ne e mbështesim hapjen Urës dhe besojmë që kjo do të jetë simbolika e fundit e heqjes së ndasisë qoftë edhe në aspektin psikologjikë të qytetarëve të Mitrovicë së Jugut dhe Veriut. Përderisa ka filluar lëvizja e lirë deri në kufirin më të skajshëm verior të vendit. Nuk ka asnjë kuptim që një Urë në Mitrovicën e Jugut dhe e Veriut të mbahet e mbyllur, për arsye që më nuk ekzistojnë”, shtoi ajo.

    Kusari-Lila ka theksuar se në Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut ka siguri të mjaftueshme, madje shtoi se është e nevojshme që në atë pjesë të ketë lëvizje të lirë.

    “Besoj që ka siguri të mjaftueshme në gjithë territorin Republikës së Kosovës, përfshirë edhe Veriun dhe Jugun e Mitrovicës. Është më se e nevojshme dhe besoj që duhet të jenë të gjithë në funksion të veprimet për lëvizjen e lirë ashtu siç kemi qenë gjithmonë po komunikohet kërkesa e Qeverisë dhe veprimet e saj”, theksoi Kusari-Lila.

    Ajo gjithashtu ka folur edhe për takimin e javës së kaluar të kryeministrit Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it. Sipas, saj për dallim prej më herët dhe ankesave që kanë pasur ambasadorët e shteteve të QUINT-it për mos-informim, tani ata janë informuar.

    “Për dallim prej më herët dhe ankesave që kanë pasur në veçanti ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që nuk kanë qenë të informuar, tani informatën e kanë. Argumentimet po bëhen dhe natyrisht besoj që krejt çka duhet të jemi të gjithë është në funksionalizimin e zbatimi të këtij veprimi sa më parë që edhe ajo pjesë e Kosovës, të ndjejë mirëfilljen e qarkullimit e lirë, pa ndonjë ndjenjë në aspektin psikologjik për ta përdorur urën apo për të ndjerë lëvizjen e lirë në të dyja anët e Lumit Ibër”, ka thënë ajo.

    Ndryshe, të premten ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

  • Mbi 3 milionë euro u shpenzuan për shtatë muaj nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

    Mbi 3 milionë euro u shpenzuan për shtatë muaj nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

    Gjatë periudhës janar-korrik të 2024-ës, Republika e Kosovës ka shpenzuar mbi 3 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi” ka treguar se shuma e shpenzuar për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja gjatë shtatë muajve të 2024-ës ka arritur në 3 milionë e 309 mijë e 200 euro, e që buxheti i ndarë për këtë vit është 6 milionë e 850 mijë euro.

    “Gjithashtu, shuma e ndarë për vitin 2024 është 6.850.000 € (gjashtë milion e tetëqind e pesëdhjetëmijë euro)”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

    Gajtë periudhës janar-korrik 2024, për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar për secilin veç e veç nga 660 mijë euro. Kurse, për mbrojtjen e Pjetër Shalës janë shpenzuar 450 mijë euro.

    Për mbrojtjen e Salih Mustafës, MD-ja njofton se janë shpenzuar 200 mijë euro, ndërsa më së paku janë shpenzuar për mbrojtjen e Nasim Haradinajt, gjithsej 19 mijë e 200 euro.

    Kurse, gjatë vitit 2023 nga buxheti i shtetit ishin paguar mbi 8 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja.

    Ndërsa, shuma e shpenzimeve për vizitat e familjarëve për secilin nga të pandehurit ka arritur shifrën në 91 mijë e 925 euro e 4 centë gjatë periudhës shtatë mujore (janar-korrik 2024). Sipas përgjigjes së Ministrisë së Drejtësisë, në këto shpenzime përfshihen fjetja, ushqimi dhe biletat.

    Gjatë kësaj periudhe, Hashim Thaçi nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë, ndërsa për familjen e Jakup Krasniqit janë shpenzuar 15 mijë e 381 euro e 43 centë. Për familjen e Kadri Veselit, janë shpenzuar 11 mijë e 461 euro e 7 centë dhe për familjen e Rexhep Selimit janë shpenzuar 12 mijë e 252 euro e 86 centë.

    Për vizitat e familjes së Salih Mustafës, janë shpenzuar 8 mijë e 538 euro e 33 centë, ndërsa për atë të Pjetër Shalës janë shpenzuar 7 mijë e 95 euro e 31 centë.

    Kurse, për vizitat e familjes së Hysni Gucatit që përfshinë vetëm fjetjen e ushqimin (pa bileta të udhëtimit), deri në korrik të 2024-ës janë shpenzuar gjithsej 350 euro.

    Ndonëse shpenzime për mbrojtjen e tyre nuk pati, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari, Haxhi Shala dhe Isni Kilaj e shfrytëzuan të drejtën për t’u paguar vizitat e tyre familjare nga buxheti i shtetit.

    Nga këta të katër, më së shumti ka pasur shpenzime për vizitat e familjarëve të Haxhi Shalës, që kapin vlerën prej 12 mijë e 287 euro e 26 centë, duke pasuar më pas me ata të Isni Kilajt në vlerë prej 11 mijë e 247 euro e 13 centë.

    Për vizitat e familjarëve të Bahtijarit janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 7 mijë e 365 euro e 78 centë, për ata të Januzit 7 mijë e 95 euro e 31 centë.

    Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform Nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.

    Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Kurse në rastin ndaj Salih Mustafës kishte vendime dënuese në shkallën e parë dhe të dytë, por Supremja e Speciales e ktheu sërish rastin në Apel për të përcaktuar një dënim të ri ndaj të akuzuarit për krime lufte. Aktakuza e ngarkon Mustafën me krime të kryera kundër personave të ndaluar në një kompleks ndalimi në fshatin Zllash ku pretendohet se u kryen krime të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës dhe se u vra një i ndaluar.

    Së fundi, edhe për rastin ndaj Pjetër Shalës ka një verdikt nga shkalla e parë, por që gjatë 2023-ës ky rast ishte ende në proces të gjykimit.

    Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi. Ai u dënua me 18 vjet burgim e që vendimi ende nuk ka formë të prerë.

    Më 18 maj 2022, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u shpallën fajtorë Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, lidhur me veprat penale të pengimit të personave zyrtarë dhe pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim, ku iu llogaritej koha e kaluar në paraburgim, si dhe me nga 100 euro gjobë.

    Pas ankesës në Apel, Kolegji i Gjykatës së Apelit nxori aktgjykim lidhur me ankesën e dy të dënuarve nga shkalla e parë, ku u konfirmuan shumica e veprave për të cilat ishin dënuar. Por, dënimi u zbrit në 4 vite e tre muaj dhe iu konfirmua dënimi me 100 euro gjobë. Megjithatë, kërkesat për mbrojte të ligjshmërisë në këtë rast u refuzuan nga Supremja dhe Kushtetuesja e Speciales.

    Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

    Për vepra kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po akuzohen edhe Ismet Bahtijari, Sabit Januzi dhe Haxhi Shala, por që gjykimi në këtë rast ende nuk ka filluar. /BetimipërDrejtësi

  • Plagoset me armë zjarri një grua në Fushë Kosovë

    Plagoset me armë zjarri një grua në Fushë Kosovë

    Të shtëna me armë janë dëgjuar mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës, ku një burrë ka plagosur gruan e tij.

    Raportohet se viktima tashmë është transportuar në QKUK dhe ka plagë në kokë, abdomen e në njërin krah.

    Ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe tashmë është shoqëruar në stacion policor, për procedurat e mëtejme.

  • Mbahet mbledhje komemorative për nder të Izet Gjinovcit – simbolit të hendbollit kosovar

    Mbahet mbledhje komemorative për nder të Izet Gjinovcit – simbolit të hendbollit kosovar

    Për nder të Izet Gjinovcit – sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Hendbollit të Kosovës, sot mbahet mbledhje komemorative.

    Ajo fillon nga ora 11:00, në Sallën e Administratës Qendrore të Universitetit të Prishtinës.

    Gjinovci vdiq dje, në moshën 63-vjeçare.

    Ai ia ka kushtuar gjithë jetën sportit të Hendbollit.

  • Organizohet pritje shtetërore për ekipin olimpik të Kosovës

    Organizohet pritje shtetërore për ekipin olimpik të Kosovës

    Për ekipin olimpik i cili përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris 2024, është organizuar një pritje shtetërore.

    Ajo fillon nga ora 19:00 në sheshin “Xhorxh Bush”.

    Organizimi u bë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

  • Ky është parashikimi i motit për sot

    Ky është parashikimi i motit për sot

    Moti sot parashihet të jetë me diell dhe me vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ndërmjet 27-30.

    “Do të fryjë erë drejtimesh të ndryshme, e lehtë deri mesatare”, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

  • “Humbja e aleatëve” rrezikon integrimin euro-atlantik të Kosovës

    “Humbja e aleatëve” rrezikon integrimin euro-atlantik të Kosovës

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI      

    Në një deklaratë të rrallë nga një lider shteti, presidenti kroat Zoran Milanovic në prani të homologes kosovare,Vjosa Osmani, dhe haptas, tha se “Kosova humbi mbështetjen që e kishte në fillim nga aleatët e saj”.

    Në këtë kontekst, ai përmendi rëndësinë që kishte për Kroacinë fitimi i aleatëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

    Teksa tha se duhet komunikim sistematik diplomatik dhe me gjuhë të kujdesshme me aleatët, profesori Abit Hoxha vlerësoi se Kosova është në këtë pikë për shkak të pamaturitetit.

    “Kosova ka përfunduar me sanksione si rezultat i keqkomunikimit të institucioneve të Kosovës me BE-në, por edhe si rezultat i ndryshimeve të BE-së, ndryshimit të një gjenerate të tërë në BE, të cilët 25 vjet pas konfliktit ose luftës në Kosovë kanë shkuar në pension dhe gjenerata e re ka një qasje tjetër për Kosovën”, u shpreh Hoxha.

    Në këtë kontekst, profesori Hoxha theksoi se Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, pasi më nuk është në epiqendër të vendimmarrjes ndërkombëtare, por trajtohet si një shtet i vogël.

    “Kosova është krijuar si rezultat i një marrëveshjeje, si të themi, mes partnerëve ndërkombëtarë dhe Kosova do të duhej të bashkërendisë veprimet me bashkësinë ndërkombëtare. Tani në Kosovë është bërë pak qesharake ky koordinimi me bashkësinë ndërkombëtare, por është esenciale që Kosova të ruajë aleancën me bashkësinë ndërkombëtare, për shkak se Kosova është krijesë e tillë që nuk duhet ta vërë bashkësinë ndërkombëtare në pozitë të vështirë, në raport me zhvillimet e tjera ndërkombëtare”, tha tutje Hoxha.

    Deklaratën e Milanovicit, sipas politologut Fidan Ukaj, Kosova duhet ta marrë si një këshillë nga një vend mik, për rëndësinë e aleatëve në synimet e saj për integrim euro-atlantik.

    “Kroacia nuk kishte në fillim, por më vonë i fitoi këta miq dhe aleatë, e pikërisht nëpërmjet këtyre miqve e aleatëve arriti të hyjë në BE dhe në NATO. E që mendoj se ka qenë mesazh i qartë për Kosovën se zbehja e përkrahjes ndërkombëtare ose humbja e aleatëve ndërkombëtarë, sigurisht se vështirëson rrugën e Kosovës për njohjen nga pesëshja e BE-së, organizata ndërkombëtare dhe pashmangshëm në NATO”, deklaroi Ukaj.

    Për më shumë se një vit, Kosova aktualisht është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian.

    Ndërsa, në momente të caktuara ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka përsëritur se veprimet e pakoordinuara nga Kosova mund të ndikojnë në cilësinë e marrëdhënieve ndërshtetërore./atvlive.tv

  • Kosova, me vite larg sigurimeve shëndetësore

    Kosova, me vite larg sigurimeve shëndetësore

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Partia në pushtet trumbetoi në fushatën e 2019-ës, se me ardhjen në qeverisje, qytetarët do të bëhen me sigurim shëndetësor.

    Mirëpo, as pas gati katër vjet në krye të shtetit, nuk është instaluar sistemi informativ shëndetësor, si parakusht për implementimin e Ligjit për Sigurimin shëndetësor.

    Sistemi digjital do të menaxhojë të dhënat adekuate, duke mundësuar shërbime më efikase për çdo pacient.

    Bazuar në vonesat në proces, kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, nuk shpreson se kosovarët do të kenë sigurime shëndetësore së shpejti.

    “Pa një sistem të informimit shëndetësor, nuk mund të pretendohet asnjëherë për një sigurim shëndetësor të mirëfilltë, për shkak se nuk e dimë asnjëherë gjendjen shëndetësore të popullatës, nuk e dimë sa shërbime po ofrohen, sa barna po përshkruhen, sa punëtorë duhet t’i kemi etj…”, deklaroi Kodra.

    Në prill, Qeveria e Kosovës e pati miratuar Planin Strategjik për SISH-in, ku përmendet se deri në vitin 2030, do të ketë progres në funksionalizimin e sistemit digjital.

    Mungesa e SISH-it, sipas Kodrës, favorizon grupe të interesit në Kosovë.

    Projektligji për Sigurime Shëndetësore nuk u miratua as nga Qeveria, përkundër se Ministri i Shëndetësisë tha se do t’ia përcjellë ekzekutivit për votim, në fund të qershorit.

    Ish-ministri i këtij dikasteri, Armend Zemaj, thotë se Qeveria po e zvarrit qëllimshëm dërgimin e ligjit për votim.

    “Është tepër e pashpjegueshme nëse ti tenton të imponosh një ligj sa për sy e faqe, ndërsa zbatueshmëria të jetë zero, pa pjesët funksionale të saj, siç e thashë, SISH-i, lista e çmimeve tavan të barnave”, tha Zemaj.

    Derisa sigurimet shëndetësore të bëhen, qytetarët e Republikës do ta kenë hall qasjen në shërbimemjekësore, në mungesë të të ardhurave financiare.

    “Mungesa e sigurimit shëndetësor e pengon qasjen e njerëzve në shërbime shëndetësore për shkaqe ekonomike, siç thotë edhe raporti i progresit, deri në 20% e qytetarëve e kanë të pamundur ose shumë të vështirë qasjen në shërbime shëndetësore”, thotë tutje Kodra.

    Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2014 pati synuar që 30% e territorit të Kosovës, të mbulohej nga sistemi digjital i të dhënave.

    Deri në vitin 2020, SISH-i do të duhej ta mbulonte gjithë vendin./ atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Thellohet kriza në “Trepçë”, minatorët s’e ndalin grevën

    Thellohet kriza në “Trepçë”, minatorët s’e ndalin grevën

    PËRGATITI: DRITON SADIKU  

    Minatorët e Stantërgut për të katërtën javë rresht nuk kanë hyrë nën tokë.

    Greva e tyre po vazhdon për pagat që s’i morën tash e 2 muaj.

    E çdo ditë që kalon, vetëm se po e thellon krizën nëTrepçë, për të cilën Qeveria nuk bëri ende gjë.

    Për ish-drejtorin e gjigantit metalurgjik dhe kryetarin e Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, Qeveria ka një plan të errët për Trepçën.

    “Qeveria ka një plan, por fatkeqësisht është një plan jotransparent, një plan i cili parimisht po dëshiron ta lodhë komplet opinionin publik, po dëshiron ta ulë egon e minatorëve e, në anën tjetër,në këtë relacion për ta arritur këtë shkallë të degradimit, emisarë të caktuar që tashmë janë të njohur, tash e 4 vite janë marrë me këtë për me degradu dhe me e pru në këtë situatë Trepçën”, deklaroi Shala.

    Andaj nuk përjashtohet mundësia e privatizimit të Trepçës, me anë të ndonjë partneriteti publiko-privat.

    “Unë e shoh që këtë kompani, janë duke e neglizhuar dhe duke e menaxhuar në mënyrë jo të duhur, që të krijohet opinioni që ne nuk jemi në gjendje ta rivitalizojmë, pastaj të shkohet me një dhënie në koncesion që priten investime të huaja”, tha Fidan Qerimi, njohës i ekonomisë.

    Megjithatë, privatizimi eventual, ndonëse mundësi e daljes nga kriza, vlerësohet se nuk përkon me orientimin e kësaj Qeverie.

    “Nëse kish me qenë një orientim djathtist, kjo kishte me qenë e arsyeshme, por duke e pasur parasysh orientimin majtist të Qeverisë do të duhej që kompania të menaxhohej mirë”, shtoi tutje Qerimi.

    Qeveria nuk tregoi të hënën për planin afatgjatë për Trepçën, përfshirë nëse ka diskutime për privatizim të saj.

    Ndryshe, një ditë mospune në minierë, Trepçës i kushton mbi 40 mijë euro humbje, derisa vlerësohet se duhen mbi 30 milionë, që situata në Trepçë të normalizohet./ atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: