ATV

Author: G.O.

  • MAShT-i vazhdon edhe këtë vit subvencionimin e teksteve shkollore

    MAShT-i vazhdon edhe këtë vit subvencionimin e teksteve shkollore

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do vazhdojë me subvencionimin e teksteve shkollore edhe për vitin 2024-2025, ka bërë të ditur ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, pas takimit që ka mbajtur me drejtorët komunal të Arsimit.

    Në një konferencë për media, Nagavci ka thënë se procesi i subvencionimit mund të bëhet që nga nesër në platformën E-Kosova.

    “Mbajtëm mbledhjen me drejtorit komunale të Arsimit ku me drejtoret diskutuam për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollorë. Temë shumë me interes është furnizimi me tekste dhe mjete mësimore. Edhe sivjet i kemi kushtuar tejet kujdes edhe sivjet tekste dhe mjete mësimore do të ofrohen si vitin e kaluara duke subvencionuar prindërit, të cilët mund të aplikojnë qysh nesër. Ky proces është transparent, shmang mundësin e çdo keq planifikimi që ka ndodhur në të kaluare. Aplikimi do të filloj nesër në platformën E-Kosovë. Sipas kërkesave nxënësit nga klasa e 1-5 do të subvencionohen me nga 80 euro, nga klasa e 6-9 do të subvencionohen me 110 euro”, u shpreh Nagavci.

  • BE: Planifikojmë që statusin e urës së Ibrit ta fusim në agjendën e bisedimeve në Bruksel

    BE: Planifikojmë që statusin e urës së Ibrit ta fusim në agjendën e bisedimeve në Bruksel

    Bashkimi Evropian planifikon takim midis Kosovës dhe Serbisë në të cilët do të flitet për statusin e urës mbi Lumin Ibër, tha zëdhënësja e BE-së Nabila Masrali.

    “BE planifikon të vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”.

    Bashkimi Evropian ka kundërshtuar iniciativën e hapjes së urë së Ibrit ka pasur zgjidhje politike për këtë çështje midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.

    Sipas BE-së hapja e urës në mënyrë të njëanshme do të rrisë tensionet në veri të Kosovës.BE-ja i ka bërë thirrje kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, të mos vazhdojë me veprime të njëanshme.

    Këto paralajmërime të BE-së vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për hapjen e urës së Ibrit.

    Qeveria ka kryer testimet e qëndrueshmërisë së urës dhe është në pritje të një raporti vlerësues nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet nëse ura i plotëson kushtet për qarkullimin e automjeteve. /RTV21

  • Nënshkruhet kontrata për rehabilitimin e rrugës Podujevë-Bajgorë-Mitrovicë, vlera 4 milionë euro

    Nënshkruhet kontrata për rehabilitimin e rrugës Podujevë-Bajgorë-Mitrovicë, vlera 4 milionë euro

    Është nënshkruar kontrata për rehabilitimin e rrugës Podujevë-Bajgorë-Mitrovicë.

    Lajmin për këtë e ka dhënë zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Rruga rajonale R129, Kërpimeh-Bajgorë-Mitrovicë është projekt që arrin vlerën prej 4 milionë eurosh”, ka njoftuar Durmishi.

  • Zjarri masiv afër Aeroportit në Prishtinë, lëndohet një person – 20 vetura të përfshira nga flakët

    Zjarri masiv afër Aeroportit në Prishtinë, lëndohet një person – 20 vetura të përfshira nga flakët

    Një zjarr masiv i shfaqur orët e mesnatës afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke lënduar edhe një person.

    Policia e ka konfirmuar rastin, ku ka dhënë më shumë detaje.

    Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, nga zjarri kanë qenë të përfshira 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi që merret me qiradhënie veturash.

    Gjithashtu një person është lënduar teksa janë shkaktuar dëme materiale.

    “Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës. Nga zjarri janë përfshirë 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi që merret me qiradhënje veturash. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale” , ka thënë ajo.

    Ahmeti bëri me dije se personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

    E pas lokalizimit të zjarrit, hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse Ahmeti tha se po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

  • IKD: Qeveria dhe Kuvendi shpërfillin Gjykatën Kushtetuese

    IKD: Qeveria dhe Kuvendi shpërfillin Gjykatën Kushtetuese

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të Kushtetueses, shkelje të Kushtetutës dhe cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë.

    Sipas IKD-së kjo gjithashtu krijon një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë.

    “Me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese (GJK) vendosi që të shpallë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, dhe të njëjtat i shpalli të pavlefshme. Për disa të tjera, përveç që i shpalli në kundërshtim me Kushtetutën, kjo gjykatë urdhëroi Kuvendin e Kosovës që për të njëjtat të nisë ndryshimet ligjore të nevojshme e të domosdoshme në mënyrë që të korrigjohen dispozitat e papërshtatshme brenda një afati prej gjashtë muajve prej se kur Aktgjykimi në rastin numër KO79/23 hyri në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

    Por sipas IKD-së as Qeveria e As Kuvendi nuk kanë ndërmarrë hapa për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Kushtetuesja.

    “Megjithatë, përkundër dijenisë së Qeverisë dhe Kuvendit, e për më tepër që një aktgjykim i tillë iu dorëzohet të dy institucioneve dhe publikohet në faqen zyrtare të GJK-së, është shqetësuese dhe e papranueshme që prej kalimit të më shumë së gjashtë muaj e 13 ditë që nga shpallja e këtij aktgjykimi, asnjë nga institucionet e lartcekura nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të vepronin për t’i adresuar problemet e evidentuara dhe për të përfshirë Projektligjin për Pagat në Programin Legjislativ për vitin 2024, institucionet e Kosovës, kanë shpërfillur kërkesat e GJK-së”, thuhet në komunikatë.

    IKD-ja konsideron se kjo neglizhencë nuk është thjeshtë një mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç sipas tyre ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

    “IKD, i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, se përgjatë shtatë muajve të këtij viti, mosinicimi i këtij projektligji dhe mos hyrja në fuqi brenda afatit të përcaktuar nga GjK, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë në Kosovë. Këta punëtorë, të cilët kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në funksionimin e institucioneve dhe shërbimeve publike, janë të privuar nga shtesa në bazë të përvojës së punës, e cila para hyrjes në fuqi të ligjit për pagat, pasqyronte përvojën e tyre dhe angazhimin profesional. Një situatë e tillë, jo vetëm që cenon integritetin dhe sigurinë e sistemit të pagave në sektorin publik, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në aftësinë e tyre për ta zbatuar dhe respektuar ligjin”, thuhet në komunikatë.

    Sipas IKD-së mosinicimi deri në ketë moment i këtij ligji ka po ashtu ndikim të thellë dhe të gjerë në jetën sociale dhe ekonomike të shërbyesve civilë, pasi thuhet se vendosja e kritereve të reja jokushtetuese te shtesat mbi përvojën, ka renduar jetesën e tyre. “Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre”, thuhet në komunikatë.

    IKD-ja kë kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, që në afat sa më të shpejtë dhe me urgjencë të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga Kushtetuesja, të përfshijnë të gjitha palët e interesit, në veçanti Sindikatën e Shërbyesve Civilë, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të interesuar “në mënyrë që ligji i ardhshëm të jetë në pajtim me kërkesat e precizuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

    Sipas tyre vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të drejtat e shërbyesve civilë do të mbrohen dhe të garantohen një sistem i drejtë dhe transparent i pagave.

    “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor”, thuhet në komunikatë.

    Sipas IKD-së vendim i Kushtetuese ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik, të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që ata të kompensohen drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional. “Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë iu përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë për qind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë për qind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

  • BE-ja i del në ndihmë Greqisë në luftën me zjarret

    BE-ja i del në ndihmë Greqisë në luftën me zjarret

    Për të tretën ditë me radhë, Greqia po vazhdon betejën kundër zjarreve masive afër Athinës, përderisa qindra zjarrfikës evropianë pritet t’iu bashkohen përpjekjeve për të shuar zjarrin vdekjeprurës që ka prekur pjesë të mëdha në periferi të kryeqytetit grek.

    Për shkak të erërave të fuqishme, Greqia gjatë këtij viti po përballet me situatën më të rëndë me zjarre, që kanë detyruar mijëra persona të largohen nga shtëpitë e tyre dhe kanë shkaktuar shkatërrim të madh përreth Athinës.

    Të paktën një person ka vdekur dhe të paktën 66 të tjerë kanë pranuar ndihmë mjekësore, teksa edhe dy zjarrfikës janë lënduar gjatë luftës me zjarret.

    “Jemi në nivel më të mirë në mbarë frontin”, tha Costas Tsigkas, kreu i shoqatës së zjarrfikësve grekë më 13 gusht.

    “Por, sërish kushtet nuk do të jenë të lehta. Do të ketë erëra” dhe “çdo orë që kalon do të jetë më e vështirë”, tha ai për televizionin shtetëror, ERT.

    Meteorologët kanë parashikuar temperatura deri në 38 gradë Celsius të martën në Athinë dhe erëra që do të arrijnë deri në 39 kilometra në orë.

    Afër 700 zjarrfikës, të mbështetur nga 200 makina për fikjen e zjarrit dhe nëntë avionë të martën u përfshin në përpjekjet për të shuar zjarret që shpërthyen pasditen e së dielës në qytezën Varnavas, rreth 35 kilometra në verilindje të Athinës, tha shërbimi i zjarrfikësve.

    Të forcuara nga erërat e fuqishme, zjarret janë në një gjatësi prej 30 kilometrash dhe në disa vende, flakët arrijnë deri në 25 metra, sipas televizionit shtetëror grek.

    Observatori Kombëtar i Greqisë tha të hënën se të paktën 10.000 hektarë janë shkatërruar nga zjarret.

    Qeveria greke u bëri thirrje shteteve të tjera që ta ndihmojnë dhe zjarrfikës, helikopterë, makina dhe pajisje të tjera nga Franca, Italia, Republika Çeke, Rumania, Serbia dhe Turqia pritet të shkojnë së shpejti në Greqi, thanë autoritetet.

    Ditëve të fundit, Greqia ka evakuuar mijëra njerëz nga komunitete në periferi të Athinës. Sezoni i zjarreve gjatë kësaj vere në Greqi ka shkaktuar dhjetëra zjarre në baza ditore, teksa shteti ka regjistruar dimrin më të nxehtë dhe qershorin dhe korrikun më të nxehtë që kur ka nisur të mbledhë të dhëna më 1960.

  • Plagosja e trefishtë në Veternik, Policia në kërkim të të dyshuarit

    Plagosja e trefishtë në Veternik, Policia në kërkim të të dyshuarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me rastin e plagosjes së trefishtë që ndodhi mëngjesin e së hënës në Veternik kanë identifikuar një të dyshuar i cili është në kërkim policor.

    Për rastin ku u plagosën dy gra dhe një burrë Policia ka njoftuar se ka intervistuar 9 persona.

    “Gjatë një rrahje ku ishin të përfshirë disa persona, ishin përdorë edhe armë zjarri. Lëndime trupore kanë pësuar dy femra dhe një mashkull kosovar. Në vendngjarje në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë. Lidhur me rastin janë intervistuar 9 persona. Të lënduarit janë dërguar ne tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është identifikuar një i mashkull kosovar cili është në kërkim policor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Ndërkohë, për gjendjen e të lënduarve kanë folur nga Qendra e Klinike Universitare e Kosovës.

    Mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente, Avdush Bajgora, ka thënë për Ekonomia Online se të lënduar janë dy femra dhe një mashkull, ndërsa njëri prej tyre është transferuar për në klinikën e Oftalmologjisë për trajtim të mëtutjeshëm.

  • Testimet disa-ditëshe në Urën e Ibrit, sot pritet publikimi i raportit mbi stabilitetin e saj

    Testimet disa-ditëshe në Urën e Ibrit, sot pritet publikimi i raportit mbi stabilitetin e saj

    Po bëhen gati një javë prej kur nisën testimet në Urën e Ibrit.

    Zëvendësminsitri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha sot shkurt për RTK se janë duke e pritur raportin për stabilitetin e Urës së Ibrit dhe se sapo ta marrin do ta publikojnë atë.

    Pas matjeve dhe testimeve me automjete të rënda, që ca ditë janë duke u ngjyrosur muret e Urës.

    Para pak ditësh Durmishi kishte thënë për media se brenda dy- tri ditëve e presin raportin final pas testimeve dhe matjeve në Urën e Ibrit.

    “Ka qenë me procedurë të përshpejtuar. Pak kompani kanë pajisje të tilla për matjen e stabilitetit të urës. Janë përfunduar të gjitha procedurat, është nënshkru kontrata, kemi fillu punimet dhe besoj që sot përfundon testimi, brenda dy-tri dite e presim raportin final”, kishte thënë Durmishi.

    Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve. Ky insistim është përballur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë, kjo çështje nxiti serbët e Kosovës që të protestojnë duke kundërshtuar hapjen e urës.

    “Ura e Mitrovicës duhet të hapet pa vonesa dhe pengesa të mëtutjeshme”.

    Kjo fjali është përsëritur disa herë në disa raporte të Bashkimit Evropian ku përshkruhet progresi në zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

    Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.

    Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.

    Vetëm në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: ”Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.

    Pikërisht në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës.

    Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015-2016.

    Iniciativa për hapjen e urës për automjete u intensifikua javët e fundit nga Qeveria e Kosovës.

    Më 24 korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e Kosovës hapi një tender për testimin e “kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese”.

    Më 1 gusht, sipas dokumenteve të publikuara në ueb-faqen online për prokurim publik, Ministria e shpërbleu me kontratë kompaninë IPE-PROING SHPK, me seli në Prishtinë. Çmimi i kontratës parashihet të jetë 9.640 euro dhe nënshkrimi i saj ishte paraparë të bëhet më 6 gusht.

    Megjithatë, kontrata e nënshkruar nuk është publike.

    Ministria e Infrastrukturës dhe as kompania fituese nuk i janë përgjigjur pyetjes se kur është paraparë të fillojë dhe të mbarojë testimi.

    Sipas raportimit të mediave vendore, punëtorë të kësaj kompanie tashmë janë parë duke kryer inspektime teknike të urës.

    Një inspektim teknik për fuqinë mbajtëse të urës ishte paraparë edhe me marrëveshjen e arritur Kosovë- Serbi, si hap që duhet kryer para hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve.

    Për këtë iniciativë, pati protesta nga serbët e Kosovës në veri të vendit, të cilët po e kundërshtojnë hapjen e urës.

    “Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha gjatë protestës Nikolla Kabashiq, ish-gjyqtar serb nga Kosova.

    Po këtë ditë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës tha se hapja e urës është çështje kohe dhe “nuk është fare çështje e dialogut.

    “Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Është çështje e së drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, tha ai.

    Pa dhënë shumë detaje mbi çështjen e inspektimit teknik, ai tha se është në proces dhe po kryhet në dy faza.

    Ndonëse nuk duan dialog në Bruksel për urën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se planifikojnë diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për “përfitimet nga hapja e urës”.

    “Për shumë kohë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi Kurti në Facebook, më 7 korrik.

    Çfarë thuhej në marrëveshjen për hapjen e urës?

    Kur ura e Ibrit ishte bllokuar në vitin 1999, Mitrovica ishte ende një qytet i pandarë.

    Ndarja në dy komuna u zyrtarizua në vitin 2013, kur u krijua Mitrovica e Veriut si komunë e re.

    Ndërkohë, në urën e Ibrit filluan të vendosen barrikada në vitin 2011. Kështu, rihapja e urës u bë çështje diskutimi në dialogun Kosovë- Serbi që prodhoi rezultatet e para tre vjet më vonë.

    22 korrik 2014 – Arrihen konkluzionet e kryesuesit të BE-së për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e urës në Mitrovicë

    Plani i publikuar, sipas BE-së, përfshinte: kryerjen e një vlerësimi teknik të stabilitetit të urës, draftimin e një projekti për revitalizimin e urës, heqjen e barrikadave…

    Në këtë plan, BE-ja ishte zotuar që të përfshihet drejtpërdrejt edhe me financim.

    Para arritjes së këtij konkluzioni, më 2014, barrikadat në urë ishin zëvendësuar me copa betoni dhe me pemë, të cilën udhëheqësia e atëhershme e Mitrovicës së Veriut e quajti “Parku i Paqes”.

    5 gusht 2016 – Dakordohet plani i zbatimit të marrëveshjes

    Pas një rundi bisedimesh, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar se revitalizimi i urës dhe pjesëve që e rrethojnë, do të niste më 14 gusht 2016.

    “Ura do të hapet për trafik më 20 janar të vitit 2017”, thuhej në këtë plan veprimi.

    Palët, madje, ishin dakorduar edhe për dizajnin se si do të dukej ura.

    Dizajni i urës së Ibrit sipas projektit të BE-së më 2015.

    25 gusht 2015- Arrihet edhe një dakordim për zbatimin e marrëveshjes për hapjen e urës.

    Në këtë dokument sërish përmendet plani i revitalizimit dhe hapjes së urës sipas dakordimeve të mëparshme.

    Aty kërkohet edhe arritja e një dakordimi mbi kufijtë komunalë të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, deri në tetor të vitit 2015.

    Në dhjetor të vitit 2016, mbi këtë urë ishte ndërtuar një mur, të cilin autoritetet e Kosovës si dhe BE-ja e quajtën ilegal. Muri ishte larguar disa javë më vonë.

    Më 2018, punimet e parapara nga BE-ja në urën e Ibrit kishin përfunduar dhe kostoja e projektit llogaritej të jetë rreth 1.5 milion euro.

    “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, thuhej në raportin e BE-së në vitin 2019.

    Ura, megjithatë, nuk u hap asnjëherë për qarkullim.

    Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.

  • ShBA-ja i kërkon Turqisë ta bindë Iranin të ulë tensionet në Lindjen e Mesme

    ShBA-ja i kërkon Turqisë ta bindë Iranin të ulë tensionet në Lindjen e Mesme

    Shtetet e Bashkuara po i kërkojë Turqisë dhe aleatëve të tjerë, të cilët kanë raporte me Iranin, që ta bindin atë të ulë tensionet në Lindjen e Mesme, tha ambasadori amerikan në Turqi.

    Ambasadori Jeff Flake i bëri këto komente teksa rajoni i Lindjes së Mesme po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij, si shenjë hakmarrjeje për vrasjen Ismail Haniyeh, shefit politik të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut, grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.

    Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran të Iranit dhe për vrasjen e tij Irani dhe Hamasi fajësuan Izraelin, i cili po lufton me grupin radikal palestinez në Gazë që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

    Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e shefit politik të Hamasit.

    “Ne u kërkojmë të gjithë aleatëve tanë që kanë raporte me Iranin që ta bindin që të ulë tensionet dhe këtu përfshihet edhe Turqia”, tha Flake gjatë një debati në Stamboll.

    “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që situata të mos përshkallëzohet”, tha ai.

    SHBA-ja dhe Turqia kanë pasur raporte të tendosura viteve të fundit, për shkak të aleancës së SHBA-së me kurdët sirianë që Turqia i cilëson terroristë, por edhe për shkak të blerjes së sistemeve ruse S-400 nga Ankaraja, që shtyri Uashingtonin të largonte Turqinë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35.

    Megjithatë, Flake tha se raportet SHBA-Turqi tash janë “më të mira”.

    Ai vuri në dukje “rolin produktiv” që Turqia ka luajtur në atë që është konsideruar si këmbimi më i madh i të burgosurve mes SHBA-së dhe Turqisë që nga Lufta e Ftohtët, që u realizua përmes Ankarasë në fillim të gushtit.

    “Ata nuk ishin të përfshirë në negociata, por në anën logjistike dhe luajtën rol të rëndësishëm”, tha Flake.

    Në qershor, në një intervistë për Reuters Flake kishe deklaruar se Turqia qëndron fuqishëm me Perëndimin dhe partneritetin e saj me SHBA-në.

    Por, gjatë debatit në Stamboll Flake tha se situata në Gazë është “shumë e vështirë”, dhe retorika e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kundër Izraelit e ka bërë më të vështirë për Ankaranë që të luajë rolin e ndërmjetësueses. Ai tha se dallimet mes Ankarasë dhe Uashingtonit sa i përket Gazës janë zvogëluar pasi SHBA-ja “në mënyrë aktive” nisi të bëjë thirrje për armëpushim, por pranoi se ende ka mospajtime./REL

  • Ukraina vazhdon sulmet ajrore në Kursk

    Ukraina vazhdon sulmet ajrore në Kursk

    Ukraina ka kryer sulme të reja me dronë në rajonin kufitar rus të Kurskut më 13 gusht, një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kritikoi Perëndimin për mbështetjen e inkursionit të befasishëm të Kievit në territorin rus.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 12 dronë mbi rajonin e Kurskut.

    Ukraina ka nisur sulmet në Kursk një javë më parë dhe të hënën pretendoi se ka marrë nën kontroll 1.000 kilometra katrorë në këtë rajon.

    Putin tha një ditë më parë se inkursioni i Ukrainës – më i madhi që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022 – synon të përmirësojë pozicionin negociues të Kievit në bisedimet e mundshme të paqes.

    Duke folur për sulmin, ai tha se Kievi, “me ndihmën e padronëve të tij perëndimorë” po tenton të ngadalësojë përparimin e forcave ruse, në atë që Kremlini i quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.

    Po të hënën, komandanti kryesor i ushtrisë ukrainas, Oleksandr Syrkysi, i tha presidentit Volodymyr Zelensky, se trupat ukrainase po vazhdojnë avancimin e tyre në territorin rus.

    “Ne po vazhdojmë të kryejmë një operacion sulmues në rajonin e Kurskut. Aktualisht, ne kemi nën kontroll rreth 1.000 kilometra katrorë të territorit të Federatës Ruse”, tha ai, sipas një video të publikuar në llogarinë e Zelenskyt në Telegram.

    Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

    Guvernatori në detyrë i Kurskut, Aleksei Smirnov, ka deklaruar se forcat ukrainase kanë hyrë 12 kilometra në rajonin e Kurskut përgjatë një fronti prej 40 kilometrash dhe aktualisht kanë nën kontroll 28 vendbanime ruse.

    Në Kursk si pasojë e luftimeve, 121.000 persona janë evakuuar dhe 59.000 të tjerë janë në proces të evakuimit, thanë zyrtarët lokalë. Ndërkaq, në rajonin rus të Belgorodit, që është ngjitur me Kurskun, 11.000 civilë po ashtu janë evakuuar.

    Forcat ukrainase në Kursk po tentojnë të rrethojnë Sudzhan, ku gazi natyror rus kalon për në Ukrainë, ndërkaq një betejë e madhe po zhvillohet afër Korenevos, rreth 22 kilometra larg kufirit dhe në Martinovka, sipas blogerëve rusë të luftës.

    Forcat ajrore ukrainase thanë më 13 gusht se Rusia gjatë natës ka kryer 38 sulme me dronë dhe me dy raketa balistike, të llojit Iskander-M.

    Sipas ushtrisë, 30 dronë u shkatërruan mbi tetë rajone ukrainase.

    Ndërkaq, autoritetet në rajonin ukrainas të Sumit raportuan për një person të plagosur dhe për dëmtime në një linjë të furnizimit me energji elektrike dhe në një tubacion të gazit.

    Sulmi po ashtu ka shkaktuar dëme në një spital, thanë autoritetet.

    Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonet veriore ukrainase që kur forcat e Kievit kanë nisur inkursionin e tyre në rajonin e Kurskut./rel/