ATV

Author: G.O.

  • Raportohet se Britania i ka dhënë leje Ukrainës për sulme thellë brenda Rusisë

    Raportohet se Britania i ka dhënë leje Ukrainës për sulme thellë brenda Rusisë

    Britania e Madhe i ka dhënë leje Ukrainës, mbrapa dyerve të mbyllura, që t’i përdorë raketat e saj me rreze të gjata veprimi për të kryer sulme thellë brenda tokës ruse, raportojnë mediat britanike.

    Sipas gazetës Guardian, burime qeveritare kanë thënë se është marrë tashmë vendimi për ta lejuar Kievin t’i përdorë raketat lundruese të prodhuara nga Britania, Storm Shadow, për sulme brenda Rusisë, megjithëse vendimi nuk është bërë publik dhe me gjasë nuk do të bëhet publik as në të ardhmen.

    Zyrtarët britanikë nuk e kanë komentuar raportimin e Guardianit.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që u bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

    Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se administrata e tij është duke punuar për ta gjetur një mënyrë për heqjen e këtyre kufizimeve.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, ishin në një vizitë të përbashkët në Ukrainë të mërkurën, ku njoftuan ndihmë të re për Kievin.

    Blinkeni njoftoi mbi 700 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa Lammy konfirmoi se vendi i tij do t’ia japë Ukrainës edhe 600 milionë funte ndihmë dhe hua të garantuara.

    Të enjten, forcat ruse kryen sulme në qytezën Konotop në rajonin Sumi në verilindje të Ukrainës mëngjesin e së enjtes, ku u plagosën 14 njerëz, sipas zyrtarëve vendës.

    Infrastruktura civile dhe objektet energjetike ishin në shënjestër të sulmeve, sipas tyre.

    Administrata ushtarake e rajonit tha se Rusia përdori dronë kamikazë të tipit Shahed gjatë këtyre sulmeve.

    Rusia e ka goditur në mënyrë sistematike infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, gjë që e ka kufizuar furnizimin e banorëve me rrymë dhe ka shkaktuar reduktime të vazhdueshme.

    Ndërkohë, Ukraina është përgjigjur duke kryer sulme me dronë thellë brenda Rusisë, ku ka dëmtuar objekte të energjisë që janë vendimtare për ushtrinë ruse, kryesisht depo të naftës./REL/

  • Australia ua heq medaljet disa komandantëve pas krimeve të dyshuara në Afganistan

    Australia ua heq medaljet disa komandantëve pas krimeve të dyshuara në Afganistan

    Disa komandantëve dhe ish-komandantëve të ushtrisë australiane u janë hequr medaljet, pas dyshimeve për krime të luftës gjatë luftës në Afganistan, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles.

    Gjeneralmajor Paul Brereton kreu një hetim për krime lufte në të cilin kërkoi që komandantët të mbahen përgjegjës për sjelljen e keqe të forcave speciale të Australisë mes viteve 2005 dhe 2016.

    Brereton gjeti se rreth 25 ushtarë të Regjimentit të Forcave Speciale Ajrore të Australisë dhe të Regjimentit Komando u përfshinë në vrasjen e jashtëligjshme të 39 afganëve.

    “Akuzat, që janë subjekt i Raportit të Breretonit, janë mbase akuzat më rënda të krimeve australiane të luftës në historinë tonë”, tha Marles në Parlamentin e Australisë.

    Marles u shkroi komandantëve të atyre trupave për t’i njoftuar për heqjen e medaljeve që ata i kishin pranuar për shërbimin e tyre gjatë kohëve kur dyshohet se ndodhën ato krime.

    Ai nuk tregoi sa komandantëve u ka shkruar, e as nuk e zbuloi gradën e tyre, duke u thirrur në shkaqe sigurie.

    Asnjë veteran australian nuk është dënuar për krime të luftës në Afganistan. Por, ish-avokati i ushtrisë, David McBride, u dënua në maj me gati gjashtë vjet burgim për publikimin në media të informatave të klasifikuara të cilat zbuluan dyshimet për krime të luftës nga ushtria australiane.

    Më 2023, ish-ushtari i Forcave Speciale Ajrore të Australisë, Oliver Schulz, u bë veterani i parë që u akuzua për krime të luftës. Ai akuzohet se e qëlloi me armë për vdekje një joluftëtar në një fushë gruri në provincën Uruzgan më 2012.

    Po më 2023, një gjykatë civile gjeti se veterani më i dekoruar i luftës i Australisë, Ben Roberts-Smith, me gjasë i vrau jashtëligjshëm katër afganë kur ishte tetar i Forcave Speciale. Por, ai nuk është ngarkuar me vepër penale./REL/

  • OKB-ja thotë se gjashtë punëtorë të saj u vranë nga një sulm izraelit në Gaza

    OKB-ja thotë se gjashtë punëtorë të saj u vranë nga një sulm izraelit në Gaza

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, ka thënë se gjashtë punonjës të saj janë vrarë nga një sulm ajror izraelit në njërën prej shkollave që i udhëheq ajo në Gazën qendrore.

    Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmud Bassal, tha se 18 njerëz u vranë të mërkurën nga sulmi në shkollën al-Jaouni, në kampin e refugjatëve Nuseirat, i cili po përdoret si strehimore për mijëra palestinezë të zhvendosur.

    Ushtria izraelite thotë se kreu një “sulm preciz ndaj terroristëve” që planifikonin sulme nga shkolla, dhe se kishte marrë masa për ta shmangur dëmtimin e civilëve.

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ky sulm përbën “shkelje dramatike të ligjit ndërkombëtar humanitar”.

    Hamasi – i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e mohon se i përdor shkollat dhe zonat civile për qëllime ushtarake.

    Izraeli e ka nisur luftën në Gazë si hakmarrje ndaj sulmeve të Hamasit në tokën izraelite më 7 tetor, në të cilat militantët kanë vrarë 1.200 njerëz dhe kanë marrë peng 240 të tjerë.

    Si pasojë e fushatës ushtarake tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL/

  • Haxhiu: Me keqqeverisje e korrupsion, po shkatërrohet sistemi shëndetësor

    Haxhiu: Me keqqeverisje e korrupsion, po shkatërrohet sistemi shëndetësor

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se është shqetësuese ikja masive e profesionistëve shëndetësor nga Kosova.

    Sipas tij, korrupsioni në sektorin e shëndetësisë ka rënduar edhe më shumë situatën, duke dekurajuar profesionistët shëndetësor.

    Ai ka thënë se deri më 1 qershor 2024, mbi 3,860 profesionistë shëndetësor kanë lënë vendin në tri vitet e fundit, dhe shumë të tjerë janë transferuar nga sektori publik në atë privat, duke krijuar një situatë alarmante për sistemin shëndetësor të Kosovës.

    “Ikja e profesionistëve shëndetësor është shndërruar në një dukuri shqetësuese për sistemin tonë shëndetësor, ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se ky fenomen do të mund të çojë në kolapsin e sistemit shëndetësor nëse vazhdohet me këtë ritëm.

    Për këtë situatë, ai ka thënë se është shkak i keqqeverisjes dhe paaftësisë së qeverisë, duke përmendur se statuti i SHSKUK-së parashikon mbylljen e disa shërbimeve në spitalet regjionale.

    “Kjo është pasojë e keqqeverisjes ku edhe me statutin e SHSUKS parashihet mbyllja e disa prej shërbimeve në spitalet regjionale. Paaftësia e qeverisë, keqqeverisja në shëndetësi korrupsioni në këtë sektor ka rënduar edhe më shumë gjendjen në shëndetësi dhe ka dekurajuar profesionistët shëndetësor”, ka deklaruar Haxhiu ne seancën plenare te Kuvendit të Kosovës.

    LEXONI EDHE:

    Ministri Vitia: Hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifra e ikjes së mjekëve është ulur

  • Ministri Vitia: Hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifra e ikjes së mjekëve është ulur

    Ministri Vitia: Hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifra e ikjes së mjekëve është ulur

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është hera e parë në 7 vjetët e fundit që shifra e ikjes së mjekeve është ulur, raporton Ekonomia Online.

    Ministri Vitia i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se nga ikja e mjekëve do të kolapsojë sistemi shëndetësor, madje ai akuzoi deputetin Haxhiu për shpifje.

    “Në 7 vjetët e fundit është hera e parë që shifra e ikjes së mjekëve është ulur”, tha Vitia në Kuvend.

    “Tha se statuti i SHSKUK-së po i mbyll disa shërbime e ne qytetarë të nderuar çdo ditë po hapim shërbime të reja dhe kjo është një e pavërtetë e radhës. Tha për mungesë të barnave, që situata kurrë s’ka qenë më keq, është një e pavërtetë tjetër. Në Kosovën e pasluftës kurrë më shumë s’kanë qenë të furnizuara QKUK dhe spitalet rajonale. Sa i përket marrjes së shtretërve në Pediatri është një e pavërtetë tjetër. Ne i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet që kemi nëse nuk shfrytëzohen nëpër klinika”, shtoi tutje Vitia.

  • Mungesa e kaliumit nxit depresionin

    Mungesa e kaliumit nxit depresionin

    Kaliumi është një mineral thelbësor për organizmin. Ai është i domosdoshëm për shëndetin e zemrës, veshkave dhe organeve të tjera.

    Kaliumi i lejon muskujt të lëvizin, nervat të transmetojnë mesazhet e trurit dhe veshkat të filtrojnë gjak.

    Trupi duhet të ketë ekuilibrat e duhur të kaliumit që zemra të jetë e shëndetshme.

    Mungesa e kaliumit dhe depresionit

    Nivelet e ulëta të kaliumit rrisin rrezikun e depresionit dhe shqetësimeve nervore.

    Sipas një studimi të fundit të cilit i referohet AgroWeb.org, një regjim ushqimor i pasur me kalium zbut simptomat e depresionit.

    Gjetjet e studimit të publikuara në revistën britanike Për Ushqyerjen, konfirmuan se kaliumi është i nevojshëm për trajtimin e luhatjeve të humorit dhe se mungesa e tij lidhet fort me simptomat e depresionit.

    Kaliumi kundër dhimbjeve

    Mungesa e kaliumit shkakton nervozizëm, lodhje, plogështi të muskujve, kontraktime dhe dhimbje kronike.

    Dhimbja me depresionin janë të ndërthurura ngushtë dhe intensifikojnë njëra tjetrën.

    Sipas të dhënave të AgroWeb.org, njerëzit që vuajnë nga dhimbjet kronike janë tre herë më të rrezikuar nga problemet psikiatrike.

    Kaliumi dhe serotonina

    Studimet e publikuara në revistën Nature Neuroscience konfirmojnë se kaliumi luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e nivelit të serotoninës.

  • Franca do të formojë Qeverinë e re javën e ardhshme

    Franca do të formojë Qeverinë e re javën e ardhshme

    Franca do të ketë Qeveri të re “javën e ardhshme”, tha kryeministri konservator i zgjedhur së fundi, Michel Barnier, teksa ai po përzgjedh personat që do të jenë ministra në kabinetin që do të udhëheqë.

    “Ne do t’i bëjë gjërat në mënyrë metodike dhe serioze”, tha Barnier për gazetarët, duke shtuar se ai do të dëgjojë “të gjithë” në skenën politike, që është e ndarë në tri kampe, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në korrik.

    “Ne do të emërojmë një Qeveri javën e ardhshme”, tha ai.

    Barnier ka shërbyer si ministër i Mjedisit, i Bujqësisë dhe i Punëve të Jashtme, ka qenë edhe ish-kryenegociatori i Bashkimit Evropian gjatë Brexit-it. Javën e kaluar presidenti francez, Emmanuel Macron, e emëroi atë si zgjedhje kompromisi për të udhëhequr me ekzekutivin e ri.

    Në Parlamentin francez nuk ka shumicë të qartë, pas vendimit të Macronit për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare.

    Asambleja është gjerësisht e ndarë mes mbështetësve centristë të Macronit, që tashmë kanë bërë aleancë me partinë konservatore të Barnierit dhe aleanca e krahut të majtë, NFP dhe Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë.

    NFP-ja ka thënë se do të ngrehë mocion të mosbesimit ndaj çdo ekzekutivi që nuk udhëhiqet nga ta, por kjo aleancë nuk ka arritur të krijojë shumicën në Parlament.

    Deri më 1 tetor është afati kur Qeveria duhet të paraqesë një draft-buxhet për vitin 2025 dhe Barnier është nën presion që ta krijojë kabinetin qeverisës./REL

  • Banimi i përballueshëm social, ministri Aliu: Kemi nënshkruar marrëveshjet me 4 komuna, 13 tjera në proces

    Banimi i përballueshëm social, ministri Aliu: Kemi nënshkruar marrëveshjet me 4 komuna, 13 tjera në proces

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se dje dhe sot kanë nënshkruar marrëveshjet me katër komuna për banimin e përballueshëm social.

    Deri tash, marrëveshjet janë nënshkruar me Komunën e Gjilanit, Podujevës, Pejës e Kamenicës, derisa 13 komuna të tjera janë në process të nënshkrimit.

    “Po ashtu, për komunat që nuk kanë aplikuar shumë shpejt do të hapim edhe thirrjen e dytë. Hap pas hapi drejt realizimit të edhe një prej zotimeve tona”, ka shkruar Aliu.

    Në maj të këtij viti, kur ishte votuar Projektligji, Aliu kishte dhënë detaje rreth këtij projekti.

    Aliu kishte thënë se janë kategoritë sociale ato që përfitojnë, derisa tha se përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të këtyre banesave, por përfitojnë vetëm në kohën sa janë kategori sociale.

    “Kur flasim për banimin social, janë kategoritë sociale ato që përfitojnë. Banimi social është përherë në pronësi të shtetit dhe menaxhojnë komunat me banimin social dhe monitorohen nga niveli qendror. Varësisht prej kategorive sociale, janë edhe përfituesit e banesave. Përfituesit e banesave sociale nuk bëhen pronarë të banesave sociale, por përfitojnë në periudhën sa janë kategori sociale, Në momentin që ata dalin nga kategoria sociale, ata më nuk mund të jenë përfitues të banimit social”, kishte deklaruar Aliu.

    Kishte folur edhe për kategoritë që përfitojnë.

    “Janë pesë kategori: Kategoria shumë e varfër, kategoria e varfër dhe e cënueshme, me të hyra të ulëta, me të hyra të ulëta mesatare dhe të hyra mesatare. Kur folëm për shpërndarjen e banimit, janë komunat ato që aplikojnë me lokacione konkrete brenda zonave urbane dhe analizohen marrëdhëniet e këtyre lokacioneve me zonat rreth me infrastukturën që kanë”, tha Aliu.

  • Ju kujtohet aktorja e “Legally Blonde”? Duket si binjake me të bijën

    Ju kujtohet aktorja e “Legally Blonde”? Duket si binjake me të bijën

    Aktorja e njohur Reese Witherspoon ka një ngjashmëri të paparë me vajzën e saj, Ava Phillipe.

    Këtë madje e thonë edhe ndjekësit e aktores në Instagram, të cilët komentuan së fundmi në një postim të saj duke i thënë se duken identike.

    Postimin të cilin e postoi aktorja e Legally Blonde ishte një urim që i bëri vajzës së saj për ditëlindje, duke publikuar edhe disa fotografi me të.

    Me të parë të dyja bashkë në një foto, ndjekësit nuk mund ta besonin ngjashmërinë mes tyre.

    Postimi mori komente të shumta, shumica prej tyre duke pasur të njëjtin mendim.

    “Dukeni si binjake”, shkroi një komentuese. “Nuk e dalloj se cila është cila”, komentoi një përdorues tjetër. /Telegrafi/

     

  • Abazi: Janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë e të pandehur, janë sekuestruar vetura të blinduara e mbi 1200 armë

    Abazi: Janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë e të pandehur, janë sekuestruar vetura të blinduara e mbi 1200 armë

    Prokurori i rastit “Banjska”, Naim Abazi, ka thënë se për të ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Sipas tij, si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1266 armë e pajisje të tjera, raporton Ekonomia Online.

    Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.

    “Hetimet për këtë rast kanë qenë hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo Prokurori dhe ky proces ka kërkuar hetim intensiv ku janë përfshirë agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit. Kemi realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe me të pandehur, janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike, rreth 1266 armë të pajisjeve të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Ndër të akuzuarit kryesor është individi me pozitë kyçe si udhëheqësi i grupit Milan Radojiçiq i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarin kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar duke përfshirë vendet e BE-së, ShBA-të dhe shtet e tjera të cilat kemi arritur ti sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Këto kërkesa janë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit”, ka thënë ai.

    Abazi po ashtu ka thënë se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, vetura të blinduara e mbi 1200 armë.

    “Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare… Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka thënë Abazi.