ATV

Author: G.O.

  • KFOR-i bën tërheqjen e disa mjeteve shpërthyese në Kamenicë

    KFOR-i bën tërheqjen e disa mjeteve shpërthyese në Kamenicë

    Dje rreth orës 11:22, një person nga fshati Karaçevë e Epërme e Kamenicës ka raportuar se kishte vërejtur disa mjete shpërthyese.

    Policia bën të ditur se njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë sigurimin e mjeteve shpërthyese, kurse njësiti i KFOR-it nga ai lokacion ka bërë tërheqjen e tyre.

  • Rusia i dëbon gjashtë diplomatë britanikë

    Rusia i dëbon gjashtë diplomatë britanikë

    Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) i ka akuzuar gjashtë diplomatë britanikë për spiunazh dhe ka thënë se ka vendosur t’ua heqë atyre akreditimin.

    Televizioni shtetëror rus e citoi një zyrtar të FSB-së të ketë thënë se ata do të dëbohen.

    FSB-ja pretendon se mori dokumente që tregojnë se ata ishin dërguar në Rusi nga një divizion i Ministrisë së Jashtme britanike dhe se “detyra kryesore e tyre është shkaktimi i një disfate strategjike ndaj vendit tonë”.

    Sipas saj, ata ishin përfshirë “në grumbullimin e të dhënave dhe në aktivitete armiqësore”.

    Ky vendim u mori vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania u zotuan se do ta ndihmojnë Ukrainën me 1.5 miliard dollarë shtesë, dhe pasi zyrtarët ukrainas i vazhduan kërkesat ndaj Perëndimit për përdorimin e raketave perëndimore për sulme thellë brenda Rusisë.

  • Pranohen me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Pranohen me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Gjykata Speciale ka njoftuar se më 10 shtator, trupi gjykues ka pranuar në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

    Po ashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.

    Veç kësaj, më 5 shtator, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.

    “Trupi Gjykues theksoi se mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

    Të njëjtën ditë, trupi gjykues ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Trupi gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre.

    Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 16 shtator, duke filluar në orën 9:00 paradite, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Mbi 2 mijë e 500 gjoba trafiku shqiptoi policia gjatë 24 orëve të fundit

    Mbi 2 mijë e 500 gjoba trafiku shqiptoi policia gjatë 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 591 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të fundit.

    Në këtë periudhë kohore raportohet se kanë ndodhur 15 aksidente trafiku me të lënduar dhe 28 me dëme materiale.

  • Pezullohet përkohësisht shefi i Federatës së Notit të Kosovës për diskriminim ndaj Shaboviqit

    Pezullohet përkohësisht shefi i Federatës së Notit të Kosovës për diskriminim ndaj Shaboviqit

    Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Agron Zeqiri, është pezulluar përkohësisht nga të gjitha aktivitetet sportive për shkak se dyshohet se e udhëhoqi një fushatë diskriminuese ndaj notarit kosovar Adell Shaboviq, njoftoi Federata Botërore e Sporteve të Ujit, e njohur si World Aquatics.

    “Shefi i Etikës i Njësisë së Integritetit të Ujit (CECO), pasi analizoi dhe shqyrtoi të gjitha dokumentet relevante dhe në përputhje me nenin 21 të Kodit të Integritetit të World Aquatics, ka vendosur t’ju pezullojë përkohësisht, duke qenë se besimi i publikut në integritetin e sportit të ujit është në rrezik”, thuhet në njoftim.

    Njësiti për Integritet i World Aquatics (CECO) e akuzon zyrtarisht Zeqirin për shkelje të kodit të integritetit dhe ka kërkuar që ai të pezullohet për katër vjet dhe të gjobitet me 25.000 euro.

    Shaboviq, me prejardhje nga qyteti perëndimor i Kosovës, Peja, ishte përballur me kundërshtime në rrugën e tij drejt përfaqësimit të Kosovës në not në Lojërat Olimpike, Parisi 2024.

    Por, pavarësisht se në dhjetor 2023 ishte pranuar si përfaqësues i Kosovës nga FNK-ja, Shaboviqi menjëherë hasi në pengesa për ta përfaqësuar vendin e prejardhjes.

    Në një njoftim, CECO tha se federata e drejtuar nga Zeqiri nuk e lejoi Shaboviqin të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Notit në Doha në fillim të këtij viti, edhe pse ai kishte më së shumti pikë nga federata botërore.

    Pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) ndaj vendimit të FNK-së, Shaboviq dyshohet se u kërcënua me pezullim apo përjashtim nga federata kosovare, sipas CECO.

    “Për më tepër, duket se kishte edhe tentime për ta penguar pjesëmarrjen e Shaboviqit në Lojërat Olimpike 2024 në Paris”, tha CECO.

    “Në lidhje me këtë, ju dyshohet se thirrët konferencë për shtyp për ta kundërshtuar pjesëmarrjen e Shaboviqit në Paris 2024, për më tepër, duke ndikuar në opinionin publik. Në këtë kontekst, duket se atij i referoheshin edhe me fjalë diskriminuese si, ‘serb’ apo ‘rus’, duke iu referuar etnisë së tij”, tha CECO.

    CECO e akuzoi Zeqirin se u përpoq t’i pengonte Shaboviqin dhe Hana Beiqin nga pjesëmarrja në Paris 2024, në përpjekje për t’i dërguar dy notarë të tjerë, Mal Gashin dhe Eda Zeqirin në vend të tyre.

    World Aquatics i kishte dërguar email Komitetit Olimpik të Kosovës në qershor, duke i treguar se dy notarët me më së shumti pikë të grumbulluara janë Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi dhe se ata do të merrnin ftesë për pjesëmarrje në Paris 2024.

    Shaboviq dhe Hana e përfaqësuan Kosovën në Paris 2024 në fund.

    Në lidhje me akuzën për pezullim me katër vjet dhe gjobë prej 25.000 eurosh, World Aquatics tha se Zeqiri ka kohë deri më 20 qershor për t’u përgjigjur, ose vendimi do të hyjë në fuqi.

    Zeqiri mund ta pranojë akuzën dhe t’i pranojë pasojat dhe dënimin, apo ta pranojë akuzën dhe ta kundërshtojë atë në një organ gjyqësor, i cili do të vendoste për dënimin ndaj tij, thuhet në njoftim.

    Ai mund gjithashtu ta mohojë akuzën dhe pastaj organi gjyqësor do të vendosë për dënimin dhe pasojat me të cilat duhet të përballet ai./REL

  • Bastisja në Leposaviq: Sekuestrohen afër 6 milionë dinarë, 57 mijë dollarë e 10 mijë euro

    Bastisja në Leposaviq: Sekuestrohen afër 6 milionë dinarë, 57 mijë dollarë e 10 mijë euro

    Policia e Kosovës ka njoftuar se pas bastisjeve që ka kryer në një bankë dhe në degën e Thesarit të Serbisë gjatë ditës së djeshme në Leposaviq janë sekuestruar miliona dinarë e dhjetëra mijëra dollarë dhe euro.

    “Lidhur me rastin, më 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serbë, 57,626.00-dollarë amerikanë, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Në rastin që është cilësuar si shpëlarje e parasë dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike po ashtu thuhet se janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që theksohet se dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.

  • Hapet valixhja e dyshimtë te Komuna e Mitrovicës, brenda kishte rroba

    Hapet valixhja e dyshimtë te Komuna e Mitrovicës, brenda kishte rroba

    Specialët e Policisë së Kosovës kanë hapur valixhen e dyshimtë në oborrin e Komunës së Mitrovicës.

    Brenda saj rezultoi të kishte vetëm rroba.

    Në foton e siguruar nga ‘Jepi Zë’ shihet një anëtar i njësisë speciale duke bërë kontrollin e valixhes e cila fillimisht alarmoi policinë duke vendosur shiritin përreth objektit të Komunës.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë se policia ka marr të gjitha veprimet e nevojshme dhe se ajo valigje nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të dyshimtë.

    “Pas informatës së pranuar, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme si dhe kontrollin e detajuar të valixhes që i është bërë nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, ka rezultuar se në valixhe nuk ka të bëjë me ndonjë gjë të dyshuar”, shtoi Zahiti.

    Pas përfundimit të ekzaminimit rruga është liruar për qarkullim.

  • BE për Banjskën: Kur gjykata të vendosë kush është fajtor, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi

    BE për Banjskën: Kur gjykata të vendosë kush është fajtor, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka mirëpritur përfundimin e hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për “rastin Banjska” të mërkurën.

    “BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngre aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit”, ka thënë Stano.

    Stano në konferencë për media të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian është duke pritur tash vendimin e gjykatës dhe ka shtuar se Serbisë vazhdimisht i është kërkuar të bashkëpunojë lidhur me rastin.

    “Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetim të këtij sulmi. Kjo është pritja e BE-së dhe qëndron ende dhe ne e përcjellim mesazhin vazhdimisht te partnerët tanë në Serbi. Kemi thënë atëherë në fund shtatorit të vitit të kaluar se ky sulm përbënte një eskalim të qartë e paprecedentë dhe do të ketë pasoja. Kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor e kush është përgjegjës apo pafajshëm, atëherë do të jetë koha për përgjegjësi”, ka thënë Stano.

    “Ne kemi një gamë të instrumenteve që mund të përdorim në konsultim me shtetet anëtare. Nuk jem ende aty. Procesi gjyqësor ka nisur. Me rëndësi hetimi ka përfunduar. Tash gjykata duhet të vendosë nëse përfundimet e hetimit janë të kënaqshme. Do të shohim përfundimin”, ka theksuar Stano.

    BE-ja vazhdimisht kishte insistuar se është në pritje të përfundimit të hetimeve për të marrë veprime. Por, Stano të enjten ka thënë se është normale që duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor.

    “Është logjike çdo hetim pasohet nga procesi gjyqësor. Hetimi krijon konludimet e caktuar e ato dorëzohen në formë aktakuze. Tash procesi gjyqësor nis. Kjo është procedurë gjyqësore dhe nuk të ndërhyhet. Është pjesë procesi. Kur përfundohet e gjitha, atëherë është koha për të tjerët të komentojnë e t’i nxjerrin pasojat”, tha Stano.

    I pyetur nëse BE-ja do të insistojë që Milan Radoiçiq të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë se qëndrimi gjithmonë ka qenë i qartë se “Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht”.

  • ​Muja e Bajrami përplasen për gjendjen ekonomike në vend

    ​Muja e Bajrami përplasen për gjendjen ekonomike në vend

    Në seancën e sotme të parë për këtë sesion vjeshtor ishte situata ekonomike e cila përplasi deputetin e për Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja dhe deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Derisa Muja u shpreh se rritja ekonomike është arma më e fortë e qeverisjes Kurti, ishte deputetja Bajrami e cila e kundërshtoi këtë duke thënë për tri vite mandat, kjo qeveri vetëm ka manipuluar me shifra.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja theksoi se rritja ekonomike ka ndodhur pa borxhe.

    E kjo deklaratë e Mujës ngjalli të qeshura në Kuvend.

    “Fjalimin e parë dëshiroj t’ia përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme të cilat për shkak të situatave politike, jo rrallë edhe kanë qenë në hije ose nuk janë diskutua shumë, por një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike…“Në tremujorin e parë të vitit 2024, në bazë të ASK-së rritja e raportuar ishte 5.6% në terma real, dhe marrë në përgjithësi, që nga ardhja e kësaj qeveria, nëse bëhet analizimi i thjeshtë, rritja mesatare që nga viti 2021 vazhdon të jetë mbi 6%, larg përtej krahasimisht rritjeve që kanë ndodh paraprakisht. E veçanta e kësaj rritjeje ekonomike në 2-3 vitet e fundit kjo është rritje ekonomike pa borxh, nuk është e bazuar në borxh…Po mos të ishim ne iu them me përgjegjësi të plotë se 1 miliard euro në buxhetin e shtetit nuk do të ishin dhe rrjedhimisht i gjithë financimi i shtesave për fëmijë dhe i gjithë financimi për ushtrinë do të mungonte”, vazhdoi Muja.

    Pas deputetit të Vetëvendosjes, replikoi deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila tha se qeveria Kurti për më shumë se 3 vite vetëm ka manipuluar me shifra.

    “Nuk e pata në mend të flas por më nxitën shifrat dhe manipulimi me shifra i deputetit Armend Muja. Tri vite e gjysmë, gati katër mandat iu kanë shkuar duke manipuluar me shifra thuajse që qytetarët e vendit nuk e dinë se çka ka ndodh me ekonominë e këtij vendi. Të nderuar qytetarë të këtij vendi të gjithë ju e dini që në vitin 2021 inflacioni në Kosovë ka qenë 3.4 për qind, dhe 230 milionë euro kanë ardhur nga rritja e çmimeve”, tha ajo.

    Deputetja Bajrami theksoi se inflacioni gjatë kësaj qeverisje i ka kushtuar ekonomisë së këtij vendi 1.6 miliardë euro.

    Ajo tha se për fushatë elektorale kjo qeveri tashmë i kanë rritur edhe shtesat e fëmijëve.

    “Inflacioni gjatë qeverisjes suaj i ka kushtuar ekonomisë së këtij vendi 1.6 miliardë euro dhe sot ju thoni që ju i keni sjellë miliarda buxhetit të Kosovës. Po zotëri, po qysh i keni marrë këto miliarda? I ke marr prej xhepave të qytetarëve, prej xhepave të prindërve fëmijëve të të cilëve deri sot ia ke dhënë 10 euro e tash në kohë të fushatës ia jep 20 respektivisht 30 euro. Por 10, 20 e 30 euro assesi nuk e mbulojnë normën e inflacionit që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve. Çka me premtimit tuaj për qumësht më të lirë, bukë më të lirë, sheqer me të lirë. vaj më të lirë, çka ka ndodh me çmimet e këtyre produkteve? Këtyre produkteve i është dyfishuar çmimi e juve iu janë dyfishua tatimet për të mundësua rritjen e buxhetit. Të lutem shumë, mos fol për politika fiskale, për cilat politika fiskale po fol, cilën reformë fiskalë. A e din që ministri i Financave që është këtu, ende e ka drejtor të Administratës Tatimore drejtorin që ia ka caktuar Bedri Hamza në qeverisjen PAN jashtë kritereve ligjore, përmes konkursit të manipuluar”, tha ajo.

    Në kundër replikën e tij, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se të hyrat tatimore sivjet janë dyfishuar fal ndershmërisë dhe profesionalizmit.

    “Shteti i Kosovës nga të hyrat tatimore i ka mbledhur 22% në raport me GJDP nominale , kur na kemi ardhur ka shkuar 26% të hyra tatimore me GJDP nominale kjo është nga 1.7 miliardë të hyra tatimore sivjet shkojnë 3 miliardë, vitin e ardhshëm 3.2 miliardë, dyfishë jemi në të hyrat tatimore kjo nuk bëhet assesi ndryshe përpos me ndershmëri dhe profesionalizëm”, deklaroi Muja.

  • Caktohen gjyqtarët për dy superderbit e Superligës

    Caktohen gjyqtarët për dy superderbit e Superligës

    Në fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në futboll. Në këtë xhiro do të zhvillohen dy ndeshje derbi që pritet të prodhojnë spektaklë të vërtetë në fushë.

    Tashmë janë caktuar gjyqtarët për këto ndeshje.

    Të shtunën, në stadiumin e qytetit në Suharekë, me fillim nga ora 15:00 do të takohen kampioni në fuqi, Ballkani dhe Prishtina.

    Gjyqtari kryesor për këtë ndeshje do të jetë Mentor Ajeti. Asistent të tij do të jenë Fatmir Sekiraqa dhe Meriton Berisha, raporton KosovaPress.

    Ndërsa, të dielën, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ballafaqohen Llapi dhe Drita, sfidë në të ciln drejtësinë do ta ndaj gjyqtari Erdall Zasella, me ndihmësit Edmond Zeqiri dhe Zgjim Rrahimi.