ATV

Author: G.O.

  • Kuvendi Komunal nuk voton për shkëmbimin e pronave në Prishtinë

    Kuvendi Komunal nuk voton për shkëmbimin e pronave në Prishtinë

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Për ndërtimin e një objekti banesor në Lagjen “Muhaxhirët”, disa investitorë kërkuan që të fitojnë një parcelë të komunës. Megjithatë, disa banorë të zonës po e kundërshtojnë këtë propozim, duke pretenduar se ata, gjithashtu, posedojnë prona në atë zonë dhe nuk janë përfshirë në mënyrë adekuate në procesin e vendimmarrjes së komunës së Përparim Ramës.

    Kështu, pronarët e disa parcelave në Lagjen “Muhaxhirët” kanë dorëzuar fillimisht një ankesë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe të njëjtën e kanë përcjellë edhe në Komunën e Prishtinës, duke kundërshtuar zgjidhjet urbane dhe shkëmbimin e pronës ndërtimore, të cilat janë propozuar nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës.

    Shkëmbimi apo jo i kësaj parcele publike u diskutua të premten edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por pas mospajtimeve, u tërhoq.

    Kërkesa që erdhi nga drejtoi i urbanizmit në kryeqytet, u kritika duke ngjallur edhe debat mes asamblistëve të opozitës dhe drejtorive përkatëse.

    Por pati edhe asamblist që u treguan të mirëkuptueshëm.

    Krejt në fund, drejtoresha e Pronës në Komunën e Prishtinës, Doruntinë Maloku, propozoi heqjen nga rendi i ditës të tri pikave që lidhen me shkëmbimin e pronave.

    Kjo nuk është hera e parë që Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama dëshiron t’i shkëmbejë pronat në kryeqytet, duke argumentuar se ky proces është i nevojshëm për realizimin e planeve rregulluese.

    Kuvendi komunal më 2023 atij ia anuloi edhe planin për këmbimin e pronës në zonën e mbrojtur në Badovc, me pronën komunale në lagjen “Prishtina e Re”./atvlilve.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Më 17 shtator takimi i radhës në Bruksel, Bislimi: Mediat serbe po gënjejnë që kemi refuzuar takimin trepalësh

    Më 17 shtator takimi i radhës në Bruksel, Bislimi: Mediat serbe po gënjejnë që kemi refuzuar takimin trepalësh

    Kryenegociatori kosovar në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se është caktuar një takim mes dy delegacioneve për të martën e ardhshme.

    Mediat në Serbi gjatë ditës raportuan për këtë takim, por akuzuan palën kosovare se ka refuzuar takimin trepalësh.

    Megjithatë, Bislimi thotë se kjo informatë është gënjeshtër, pasi, sipas tij, Kosova ka pranuar takimin trepalësh më 17 shtator, sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi.

    Ai i bëri thirrje Lajçakut që “të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe”, “të cilat thonë në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”.

  • Kina rrit moshën e pensionimit për herë të parë në dekada

    Kina rrit moshën e pensionimit për herë të parë në dekada

    Kina do të “rrisë gradualisht” moshën e pensionimit, për herë të parë prej viteve ’50, pasi shteti po përballet me plakje të popullsisë dhe vështirësi në sigurim të buxhetit për pensione.

    Institucioni kryesor legjislativ ka miratuar të premten propozimet për të rritur moshën e pensionimit prej 50 në 55 për gratë që kryejnë punë fizike dhe prej 55 në 58 për gratë që kryejnë punë nëpër zyre.

    Mosha e pensionimit të burrave do të rritet prej 60 në 63.

    Mosha aktuale e pensionimit në Kinë është ndër më të ulëtat në botë.

    Sipas një plani të miratuar të premten, ndryshimet do të nisin së zbatuari më 1 janar 2025, me synim që mosha e pensionimit të rritet për disa muaj përgjatë 15 vjetëve të ardhshëm, ka thënë media shtetërore kineze.

    Duke nisur prej vitit 2030, punëtorët do të duhet të ndajnë më shumë kontribute për sistemin e sigurisë shoqërore, në mënyrë që të sigurojnë pensionet.

    Akademia e Shkencave Shoqërore në Kinë, pati thënë më 2019 se, fondi kryesor shtetëror për pensionet, do të mbetet pa para deri më 2035, vlerësim i bërë para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, e cila e ka goditur rëndë ekonominë e Kinës.

    Agjencia shtetërore, Xinhua, ka thënë se plani për rritje të moshës së pensionimit është bazuar në “vlerësimet e kryera për jetëgjatësinë, situatën shëndetësore, strukturën e popullsisë, nivelin e edukimit dhe fuqinë punëtore në Kinë”.

    Shumë banorë janë shprehur të pakënaqur me ndryshimet e reja.

    Popullsia e Kinës është zvogëluar më 2023, për të dytin vit me radhë, kryesisht për shkak të uljes së shkallës së natalitetit.

    Ndërkohë, mosha mesatare e një banori të Kinës është rritur në 78.2 vjet, kanë thënë zyrtarët më herët gjatë vitit./rel

  • Policia i gjen 150 bimë narkotike të mbjella në një zonë malore të Gjakovës

    Policia i gjen 150 bimë narkotike të mbjella në një zonë malore të Gjakovës

    Policia ka njoftuar se një zonë të thellë malore në Gjakovë, konkretisht në brezin kufitar me Shqipërinë, ka gjetur 150 bimë të mbjella të dyshuara narkotike (kanabis sativa).

    Sipas komunikatë për media, policia e Kosovës ka komunikuar edhe me atë të Shqipërisë dhe në koordinim me të njëjtit është bërë sigurimi i perimetrit të jashtëm të zonës në vijën kufitare Kosovë/Shqipëri nga ajri dhe nga toka.

    “Me datën 13.09.2024 Njësitet e Policisë Kufitare nga DRPK “Perëndimi” në Gjakovë, gjatë implementimit të një plani operativ, pas një pune operative dhe hetimore në një zonë të thellë malore, konkretisht në brezin kufitare me Shqipërinë, ka lokalizuar vendin ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike. Njësitet e Specializuara Kufitare, së bashku edhe njësinë e Antidrogës në Gjakovë, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar dhe në vendin e ngjarjes i kanë gjetur dy parcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë të dyshuara narkotike (kanabis sativa) me gjatësi 1 deri ne 2 m. Policia e Kosovës po ashtu ka komunikuar edhe me Policinë e Republikës së Shqipërisë dhe në koordinim me të njëjtit është bërë sigurimi i perimetrit të jashtëm të zonës në vijën kufitare Kosovë/Shqipëri nga ajri dhe nga toka”, ka njoftuar policia.

    Të gjitha veprimet lidhur me rastin janë kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, është iniciuar rasti “Kultivim i bimëve narkotike”, është bërë asgjësimi i bimëve narkotike në vendin e ngjarjes.

  • Me kërkesë të avokatëve mbrojtës, ndërpritet seanca në rastin “Patentë-shoferët”

    Me kërkesë të avokatëve mbrojtës, ndërpritet seanca në rastin “Patentë-shoferët”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Patentë-shoferët”, është ndërprerë seanca e planifikuar të mbahej në ditën e sotme, pasi që mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar t’u dorëzohet deklarata e dëshmitares bashkëpunuese, Filiz Krasniqi.

    Para se të fillohej me dëshminë e dëshmitares bashkëpunuese, Filiz Krasniqi, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi nga gjykata që të sqarojë se si është shpallur dhe në cilat dispozita ligjore është bazuar vendimi, që dëshmitarja Filiz Krasniqi të shpallet dëshmitare bashkëpunuese.

    Gjithashtu Ibrahimi tha që Kodi i Procedurës Penale i cili ishte në fuqi në kohën kur është ngritur aktakuza, nuk ka lejuar që një person i cili është në pozitën e menaxherit dhe kur në rastin e njëjtë përfshihen së paku dy persona që janë nën vartësinë e tij apo saj, nuk mund të ketë statusin e dëshmitarit bashkëpunues.

    Po ashtu avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi që dëshminë e mbyllur të dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi, gjykata ta dorëzojë tek të gjithë mbrojtësit dhe të shfuqizohet urdhëresa që siguron mbylljen e deklaratës të kësaj dëshmitare.

    Lidhur me këtë kërkesë të avokatit Ibrahimi, prokurori Eset Rama deklaroi që nëse gjykata vendos ta revokojë këtë urdhër i cili siguronte mbylljen e deklaratës të dëshmitares Filiz Krasniqi, atëherë ata janë të gatshëm që ta dorëzojnë tek të gjithë mbrojtësit këtë deklaratë.

    Po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit Dritmir Islami, avokat Flakron Sylejmani deklaroi që javën e kaluar janë pajisur me deklaratën e dëshmitares bashkëpunuese, por nuk janë pajisur me kopjen e urdhërit të veçantë që dëshmitarja është shpallur dëshmitare bashkëpunuese.

    Tutje, trupi gjykues morri aktvendim që të aprovohet propozimi i mbrojtëseve, që të hapet për mbrojtësit deklarata e dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi dhe e njëjta të ju dërgohet atyre.
    Në këto rrethana mbrojtësi i të akuzuarit, Besfort Pozhegu, avokati Besnik Berisha, kishte kritika për kushtet në sallën e gjykimit dhe i njëjti kërkoi që seanca e sotme të shtyhet dhe mbrojtësve t’iu lejohet, sipas tij, ta bëjnë punën siç duhet dhe t’i analizojnë të gjitha shkresat.

    Po ashtu edhe avokati Hamdi Ibrahimi deklaroi se duhet kohë për t’u analizuar kjo deklaratë, duke kërkuar nga gjykata që kjo seancë të ndërpritet.

    Në fund të seancës kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku obligoi prokurorin e shtetit që mbrojtësit t’i pajisë me shkresa.

    “Obligohet prokurori i shtetit, që mbrojtësit ti pajis me të gjitha deklaratat e dëshmitarëve bashkëpunues si dhe urdhërin dhe procesverbalin e shpalljes së këtyre dëshmitarëve bashkëpunues” tha Dërmaku.

    Në seancën e 14 qershorit 2023, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, si dhe Enver Fazliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

  • Neron Abdullahu shënon gol të jashtëzakonshëm

    Neron Abdullahu shënon gol të jashtëzakonshëm

    Eurogoli që mahniti të gjithë dhe që rrallë herë shihet në stadiumet tona.

    Nipi i ish-kryetarit të ndjerë të FFK-së, Rexhep Abdullahu, ka shënuar gol të jashtëzakonshëm.

    Në ndeshjen e javës së pestë të Kampionatit Bon Voyage të Superligës U21 ndërmjet Ballkanit U21 dhe Prishtinës U21, e cila u zhvillua në Therandë me 11 shtator, Neron Abdullahu, mesfushori i KF Prishtinës U21, shënoj në fillim të ndeshjes një gol sa të jashtëzakonshëm aq edhe të papritur nga të gjithë në veçanti nga portieri shtatlartë i KF Ballkanit U21.

  • “Edhe gratë vdesin për atdhe”, ministri Maqedonci fton të rejat t’i bashkohen FSK-së

    “Edhe gratë vdesin për atdhe”, ministri Maqedonci fton të rejat t’i bashkohen FSK-së

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u ka bërë thirrje të rejave që të aplikojnë për t’u bërë ushtare të FSK-së.

    Nëpërmjet një videoje të postuar në Facebook, ai thotë se beson thellësisht se si burrat, edhe vajzat e gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e të vdesin për të.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë multietnike, me element përbashkues vullnetin për t’i shërbyer atdheut, përtej dallimeve gjinore e kulturore është forcë për të qëndruar gjithmonë stoik në mbrojtje të sovranitetit territorial e të jetës së qytetarëve. Ne besojmë thellësisht se si burrat, edhe vajzat e gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e vdesin për të, siç e kanë dëshmuar fuqishëm në të gjitha periudhat e historisë sonë të lavdishme. Andaj, ftoj të rejat që të aplikojnë për tu bërë ushtare të FSK-së, si forma më fisnike për t’i shërbyer Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.

  • Cardi B sjell në jetë fëmijën e tretë

    Cardi B sjell në jetë fëmijën e tretë

    Reperja e njohur amerikane Cardi B është bërë nënë për herë të tretë, duke sjellë në jetë një vajzë.

    Kjo u bë e ditur nga vetë artistja, derisa ndau edhe fotot e para të vogëlushes nga spitali.

    Reperja e kishte bërë të ditur shtatzëninë e saj vetëm muajin e kaluar, mes procedurave të divorcit me partnerin e saj prej shumë kohësh Offset.

    Foto: Cardi B / Instagram

    Offset ishte po ashtu i pranishëm në spital, sipas fotografive që publikoi Cardi B, derisa ai pozonte me të porsalindurën e tyre.

    Në spital ishin po ashtu edhe dy fëmijët e tjerë të tyre.

    Offset tani është prind i gjashtë fëmijëve me katër gra të ndryshme.

    Foto: Cardi B / Instagram

    Ai dhe reperja do të vazhdojnë tutje me procedurat e divorcit.

  • BE-ja zotohet për sanksione ndaj Iranit, pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa

    BE-ja zotohet për sanksione ndaj Iranit, pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa

    Bashkimi Evropian (BE) e ka dënuar furnizimin e dyshuar të Rusisë me raketa balistike nga Irani, si dhe është zotuar se do të vendosë sanksione të reja ndaj republikës islamike.

    Në një komunikatë të përbashkët të premten, 27 vendet anëtare të BE-së thanë se furnizimi “është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë evropiane” dhe se kjo përbën përshkallëzim, pasi Irani në të kaluarën e ka furnizuar Rusinë me municione dhe dronë.

    Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë i bllokut, Josep Borrell, tha se BE-ja do të përgjigjet shpejt me sanksione të reja ndaj programeve raketore dhe dronëve të Iranit.

    Irani i ka mohuar akuzat nga Ukraina dhe Perëndimi se po e furnizon Rusinë me raketa. Teherani e ka mohuar edhe në të kaluarën se e furnizon atë me dronë luftarakë.

    “BE-ja e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin kundër furnizimit të Rusisë me raketa balistike”, thuhet në njoftim.

    Irani është tejet i izoluar politikisht për shkak të programit të tij bërthamor dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.

    Në vitet e fundit, udhëheqësia iraniane është përgjigjur duke i forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

    Në fillim të kësaj jave, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i anuluan marrëveshjet për shërbime ajrore me Teheranin dhe u zotuan se do ta sanksionojnë kompaninë e saj ajrore, Iran Air.

    Treshja evropiane, e njohur si E3, tha në një komunikatë më 10 shtator se ka ndërmarrë masa pasi konfirmoi se Irani kishte transferuar raketa balistike në Rusi.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 10 individëve dhe gjashtë subjekteve me bazë në Iran dhe në Rusi, përfshirë ndaj Iran Air, për furnizimin e dyshuar me raketa balistike.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, tha më 10 shtator se këto akuza janë “plotësisht të rrejshme dhe të pabaza”./REL/

     

  • Policia shpall në kërkim një grua, kërkon ndihmë për arrestimin e saj

    Policia shpall në kërkim një grua, kërkon ndihmë për arrestimin e saj

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një gruaje.

    Në kërkesën e Policisë nuk tregohet emri i saj e as vepra për të cilën është shpallur në kërkim.

    “Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor Qendra në Prishtinë, paraqet para jush fotografinë e të dyshuarës së shpallur në kërkim. I bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion për vendndodhjen e kësaj të dyshuare, të kontaktojë menjëherë Policinë e Kosovës ose të raportoj në mënyrë anonime përmes aplikacionit lajmëro policinë. Bashkëpunimi juaj është thelbësor për të na ndihmuar të garantojmë sigurinë brenda komunitetit tonë për një shoqëri pa krim”, thuhet në njoftim.