ATV

Author: G.O.

  • Policia largon posterat me foton e Radojiçiqit që u vendosën në tri komuna në veri, i merr si provë materiale

    Policia largon posterat me foton e Radojiçiqit që u vendosën në tri komuna në veri, i merr si provë materiale

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, persona të panjohur kanë vendosur postera me foton e kryeterroristit Millan Radojiçiq.

    Policia ka bërë me dije se posterat janë hequr dhe janë marrë si provë materiale.

    Rasti po trajtohet për “NXITJE E PËRÇARJES DHE MOS DURIMIT”.

    “Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok 12-13.09.2024-23:00-10:00. Raportohet se persona të panjohur, në qytetet: Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok, kanë vënë (ngjitur) postera me foton e Milan Radojçiqit dhe me përmbajtje të nxitjes së përçarjes dhe mos durimit. Posterat janë marre si prove materiale. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Dy përballje interesante sot në Superligë: Vëmendja tek derbi Ballkani-Prishtina

    Dy përballje interesante sot në Superligë: Vëmendja tek derbi Ballkani-Prishtina

    Sot do të zhvillohen dy ndeshje tejet interesante në Albi Mall Superligën e Kosovës.

    Vëmendja do të jetë në Suharekë, ku kampioni në fuqi Ballkani e pret Prishtinën.

    Kurse ndeshja tjetër poashtu tejet interesante do të jetë mes Ferizajt dhe Suharekës.

  • Të hënën Kuvendi i Kosovës shënon Ditën e Demokracisë

    Të hënën Kuvendi i Kosovës shënon Ditën e Demokracisë

    Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, Kuvendi i Kosovës të hënën shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

    Në kuadër të kësaj dite, dyert e Kuvendit do të jenë të hapura për qytetarët.

    Tutje, bëhet e ditur se nga ora 10:00 fillon ceremonia e Hapjes së Ditës së Demokracisë, po ashtu mbahet panairi i organizatave të shoqërisë civile dhe kuizi i Demokracisë.

    Ndërkohë nga ora 11:00 mbahet tryezë diskutimi “Zgjedhjet dhe teknologjia”.

  • Qalaj: Policia e Kosovës është sanksionuar nga ShBA-ja, ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI

    Qalaj: Policia e Kosovës është sanksionuar nga ShBA-ja, ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se policia veçse është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Qalaj u shpreh se këtë e thotë për faktin që sipas tij, nuk është duke marr më pjesë në trajnime të FBI-së dhe PK-së i janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani.

    “As një parti politike, as kush, as një politikan, pavarësisht a është i pozitës apo i opozitës nuk duhet të ketë tendenca të përzierjes në punët operacionale të policisë. Mund të them që PK-ja veç është sanksionuar nga ShBA-ja me qenë se ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI”.

    “Me sa kam informata janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani e kështu me radhë, prandaj këto janë masat që janë duke u marr fatkeqësisht ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Qalaj.

    Ai gjithashtu tha se ka një kohë të gjatë që është duke u diskutuar ndikimi direkt i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i qeverisë në punët operacionale të Policisë së Kosovës.

    “Ka një kohë bukur të gjatë, ka dy tri-vite që ne jemi duke folur vazhdimisht mbi ndikimin direkt të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë së Kosovës në punët operacionale të Policisë së Kosovës”.

    “Në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në qoftë në seancat e Kuvendit, qoftë në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, mendoj që Policia e Kosovës duhet të punoj e pa varur nga aspekti operacional ashtu që përcakton edhe ligji i policisë dhe po ashtu Policia e Kosovës të mbështet sa më shumë edhe me buxhet por edhe me përkrahje nga qeveria dhe populli i Kosovës”, ka thënë ai./EO

  • Vranësira e reshje shiu, ky është prashikimi i motit

    Vranësira e reshje shiu, ky është prashikimi i motit

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot me vranësira.

    IHMK-ja njofton se vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-15 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-5m/s.

    Ndërkaq, për të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu të intensitetit mesatar deri të lartë.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-7m/s.

    IHMK-ja njofton se sasitë e reshjeve në disa zona do të jenë të larta në intervale të shkurta kohe.

  • Ambasadori suedez: S’ka kohë për diskutime rreth Urës se Ibrit, fokusi i Evropës është në luftën e Ukrainës

    Ambasadori suedez: S’ka kohë për diskutime rreth Urës se Ibrit, fokusi i Evropës është në luftën e Ukrainës

    Ambasadori suedez në Kosovë Jonas Westerlund, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se fokusi i BE-së është në agresionin rus ndaj Ukrainës, ndërsa nuk ka kohë për diskutime rreth Urës se Ibrit në këtë moment.

    Megjithëse ka thënë se Ura duhet të hapet, Westerlund ka përdorur një fjalë të vjetër greke, “kairos”, që nënkupton se një vendim duhet të merret në momentin e duhur, për të maksimizuar rezultatin.

    Sipas ambasadorit, pyetjet se kur dhe si duhet të hapet ura, i takojnë popullsisë në të dy anët e lumit, bashkërisht në konsultime me komunitetin ndërkombëtar.

    Ai ka shtuar se nuk dëshiron të spekulojë nëse vendimet e fundit të Qeverisë po bëhën në prag të zgjedhjeve, ndërsa ka kërkuar koordinim më të mirë me bashkësinë ndërkombëtare.

    “Në gjuhën greke është një fjalë, ‘kairos’, që do të thotë se duhet ta marrësh një vendim në momentin e duhur për të pasur rezultatet më të mira të mundshme. Nuk ma merr mendja se kemi ‘kairos’ momentalisht. Ura duhet të hapet, besoj që të gjithë pajtohemi për këtë, pyetja është kur dhe si. Në pikëpamjen time duhet të behet në përputhje me konsultime të popullsisë në dy anët e lumit dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky është një problem simbolik, në realitet ka shumë ura tjera të hapura ku mund të qarkullojnë veturat e këmbësorët në Ibër”.

    “Nuk dua të spekuloj (se këto veprime po bëhen sepse jemi në prag të zgjedhjeve). Do ta vlerësonim shumë nëse disa nga këto çështje do të diskutoheshin me komunitetin ndërkombëtar para se të ngriheshin problemet. Kjo është theksuar në disa raste ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe kryeministrit Kurti”.

    Wusterland, për paralajmërimet e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se sanksionet ndaj Kosovës mund të agresohen, ka thënë se nuk ka asgjë për të shtuar, por se duhet të shihet “fotoja e madhe” ku Kosova është pjesë e Evropës, siguria e së cilës është në rrezik.

    Ai ka theksuar se fokusi i BE-së është në luftën Rusi-Ukrainë, sic duhet të fokusohet edhe Kosova, Suedia dhe të gjitha vendet e Evropës.

    “Kam ndjekur deklaratat e zëdhënësit të BE-së për këtë çështje. Nuk kam asgjë për të shtuar. Por, siç them gjithmonë, duhet ta shohim ‘foton e madhe’. Kosova është pjesë e Evropës. Që të dyja vendet, edhe Kosova edhe Suedia, janë shtete të vogla dhe duhet ta kuptojmë se çfarë po ndodh në Evropë tani me agresionin rus mbi Ukrainën. Koha është që të fokusohemi aty dhe se si Kosova, Suedia e aleatët tjerë mund ta ndihmojnë Ukrainën nga Rusia, e cila po rrezikon edhe sigurinë evropiane. Pra, këtu duhet të jetë fokusi dhe nuk ka kohë për diskutime rreth Urës në këtë moment. Duhet të diskutojmë për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve, dhe duhet të diskutojmë si mund ta ndihmojmë Ukrainën”, ka thënë ai, për Ekonomia Online.

    Tutje, ai ka thënë se vendi duhet të fokusohet edhe në zhvillimin ekonomik dhe thellimin e bashkëpunimit me Suedinë, e cila ka disa kompani të saj që po operojnë në Kosovë dhe disa të tjëra të interesuara.

    “Çdo shtet demokratik, si Kosova, duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik. Kryeministri ka thënë disa indikatorë që Kosova po ecë përpara me ekonomi. Mendoj se duhet të fokusohesh aty ku mund të kesh ndikim, si për shembull thellimi i bashkëpunimit në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Suedisë”.

    “Ka disa kompani suedeze që kanë ardhur në Kosovë. Një shumë e madhe madje, kohëve të fundit, që ka nisur biznesin e saj këtu është Sigma, këtë vit. Kemi edhe kompaninë suedeze të telekomit, Erickson që ka themeluar një qendër kërkimi dhe zhvillimi. Ka edhe shumë kompani teknologjike, dhe nga ato që merren me inteligjencën artificiale, të interesuara nga Suedia. Prandaj, patjetër që duhet të fokusohemi për ta rritur tregtinë mes vendeve tona”, ka thënë amabasadori.

  • Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati listën e dytë me çmime të barnave

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati listën e dytë me çmime të barnave

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Pas anulimit të listës së parë për çmimet e barnave, Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati të dytën.

    Por nuk dihet nëse do të jetë e fundit, e barnat do të shiten me çmim të njëjtë në të gjitha barnatoret, meqë fillimisht do të shikohet nëse ka ankesa edhe rreth kësaj liste.

    “Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në zbatim të Vendimit të Komisionit të ankesave për çmimin e produkteve medicinale, ka përcaktuar çmimet e produkteve medicinale, të regjistruara nga Bartësit e Autorizim-Marketingut, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Lista preliminare është publikuar dhe pasi që është listë preliminare, si e tillë nuk ka fuqi obligative. Gjithashtu, ju informojmë se lista hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave të ankimimit”, u përgjigjën për ATV-në nga Ministria e Shëndetësisë.

    Lista e parë, megjithëse e përgatitur rreth 10 muaj pas miratimit të ligjit, ishte anuluar pasi ishte vërejtur rritje e çmimeve për produktet medicinale. Nga Oda e Farmacistëve janë optimistë se janë rregulluar mangësitë.

    “Në listën e parë që është anuluar, ka pasur një rritje në një pjesë të konsiderueshme të barnave, mirëpo te kjo lista e dytë, besoj që është një listë që ka ulje të çmimeve, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt te pacientët, pastaj edhe unifikim për të gjitha barnatoret e licencuara dhe më e mira e mundshme, kthimi i profesionalizmit të farmacistit, duke e ditur që do të kthehet ajo pjesa e konkurrencës profesionale e jo siç është tash”, tha zv.drejtori i Odës së Farmacistëve, Astrit Haxhijaha.

    Për një ish-ministër që udhëhoqi shëndetësinë, rekomandimet e para nuk u morën fare parasysh, andaj pohon se po favorizohen grupet e interesit, e po dëmtohen qytetarët.

    “Ky proces është prolonguar përtej parashikimeve ligjore dhe po shpërfaq interesat e grupeve të caktuara apo individëve, të cilët e kanë mbajtur peng sektorin e shëndetësisë dhe përgjegjësia është mbi atë politike, që nënkupton e ministrit dhe e Qeverisë, sepse janë duke përkrahur interesat e asaj që quhet mafia farmaceutike dhe ky proces duket që është i dështuar në këtë fazë. Edhe lista e re në informacionet paraprake pothuajse i ka vërejtjet e njëjta që nuk janë marrë parasysh”, deklaroi ish-ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj.

    Andaj Zemaj thotë nuk ka gjasë që tani për tani të rregullohet tregu farmaceutik.

    E për aq kohë sa ligji të mos zbatohet plotësisht, qytetarët do të blejnë barna të njëjta me çmime të ndryshme që vendosen vetë nga farmacitë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rruga Prizren-Tetovë, larg fillimit në tokën maqedonase

    Rruga Prizren-Tetovë, larg fillimit në tokën maqedonase

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    I pranishëm në nisjen e punimeve për rrugën Prizren – Tetovë, rreth një muaj më parë, ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

    Madje, 14 gushtin e kishte cilësuar si ditë të gëzuar, jo vetëm për prizrenasit e tetovarët.

    Por, ndërtimi i autostradës është larg fillimit në tokën maqedonase. Autoritetet atje, as nuk e kanë dizajnuar përfundimisht tunelin që është jetik për ndërtimin e kësaj rruge.

    “Sapo të përfundojmë dizajnin për të cilin kemi ndarë buxhet dhe kemi marrëveshjen me Maqedoninë dhe tash edhe pas ndryshimit të Qeverisë, kemi pasur komunikime dhe besoj që brenda këtij muaji do t’i kemi takimet për ta fillu dizajnin e që ekipin do ta udhëheqë shteti i Maqedonisë. Dhe si ta kemi dizajnin e tunelit do të mund të fillojmë çështjet e financimit dhe ndërtimit të këtij tuneli”, tha ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.

    Teksa rruga që do t’i bashkonte shqiptarët e Kosovës me ata të Maqedonisë po mirëpritet nga tetovarët, njohës të rrethanave atje, kanë dyshime nëse autoritetet qendrore maqedonase do ta mbështesin projektin.

    “Këtu nuk ka ende ndonjë veprim konkret. Kam përshtypjen që shqiptarët nuk kanë arritur ende t’i bindin autoritetet qendrore maqedonase që ky projekt duhet të realizohet sa më parë dhe kur jemi te autoritetet maqedonase mendoj që ka një hezitim për projekte të përbashkëta me Kosovën dhe Shqipërinë. Thënë më mirë maqedonasit kanë më shumë dëshirë të ndërtojnë autostrada kah Serbia se kah shqiptarët”, deklaroi Mevaip Abdiu, gazetar në Tetovë.

    Megjithatë, ministri kosovar nuk pret hezitim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

    “Për sa u përket autoriteteve maqedonase nuk kemi pa asnjë hezitim nga takimet që kemi pasur dhe po shpresojmë që do të realizohet”, shtoi tutje ministri Aliu.

    Sidoqoftë, javë më parë, Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski, deklaroi se është e nevojshme të bëhet projektimi për të kuptuar vlerën reale të rrugës dhe a do të mund të realizohet në mënyrën se si është paraparë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Njohësit: Nëse vërtetohet aktakuza për Banjskën, Serbia implikohet si përgjegjëse

    Njohësit: Nëse vërtetohet aktakuza për Banjskën, Serbia implikohet si përgjegjëse

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Plot 116 herë është përmendur Serbia në aktakuzën 158-faqëshe, të cilën e ngriti Prokuroria Speciale për rastin e Banjskës.

    Në faqen 136, hetimet e kanë gjetur këtë shtet si përkrahës të drejtpërdrejtë të Milan Radojicicit, udhëheqësit të grupit terrorist.

    Përveç financave, po në këtë faqe të aktakuzës, konstatohet se Serbia terroristëve u ka ofruar edhe kushte për trajnime ushtarake.

    Nëse këto pika të aktakuzës vërtetohen në gjykimin që do fillojë brenda javësh, njohës të çështjeve juridike konsiderojnë se Serbia medoemos bëhet përgjegjëse për rastin në Banjskë.

    Qëllimi i grupit për aneksim të veriut, sipas avokatit Valdet Hoxha, është arsye tjetër që çon në këtë drejtim.

    Por, meqenëse Serbia si shtet nuk mund të akuzohet, kjo çështje më së shumti, pas përfundimit të gjykimit, mund të përdoret në dialog.

    Në ditën kur u ngrit aktakuza, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi se kur gjykata në Kosovë të vendosë kush është fajtor, kush është përgjegjës ose i pafajshëm, atëherë do të jetë koha për kërkim të përgjegjësisë./atvlive.tv/

    Për më shumë videon e mëposhtme:

  • Fëmijët me Sindromën Down, nuk do të mbesin pa libra

    Fëmijët me Sindromën Down, nuk do të mbesin pa libra

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Arti Halilaj është nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore “Daut Bogujevci”, në komunën e Fushë-Kosovës.

    Ndonëse mësimin e ndjek bashkë me të tjerët, për dallim prej tyre nuk e pati mundësinë e përftimit nga subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore.

    Arsye për këtë ishte mosha e tij kalendarike, e cila nuk u përputh me atë klasore.

    “Vitin e kalum kom apliku me emër timin e s’më ka dalë, kom apliku masanej me emër të burrit, na është thënë se mosha nuk përputhet me klasën, është dashtë na me i kry, që Arti mos me shku pa libra në shkollë”, tha Florentina Halilaj, nëna e Artit.

    Megjithatë, ky problem u zgjidh kur dy organizatat, KOMF dhe Down Syndrome, arritën marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, që të dhënat e fëmijëve të dërgohen nga qendra e Down Syndrome Kosova.

    “Masi veç na ka mbështetë DSK-ja, na ka mundësu që me ba listën për paga të librave, por ende nuk kanë dalë. Na i kemi ble se Arti është në shkollë normale dhe ka qef me i pasë librat si krejt fëmija e tjerë”, shtoi tutje Halilaj.

    Sidoqoftë, drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri, tha se aplikimet, tashmë janë dorëzuar në Ministri.

    ”Për fmitë me sindromën që kanë rrjedhë, kemi marrë shumë informata nga prindërit, jemi dakordu ku ne do t’i mbledhim të dhënat për me lehtësu procesin. Janë lajmëruar 35 prindër, të dhënat nga ne janë dërguar në ministri tashmë”, deklaroi Sebahate Beqiri, drejtore e DSK-së.

    Megjithatë, Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për ATV-në se kur do të ekzekutohen mjetet financiare për tekstet shkollore të fëmijëve me sindromë down./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: