ATV

Author: G.O.

  • Shahini: Nëse Kosova përjashtohet nga Procesi i Berlinit mund të humbë rreth 1 miliardë euro

    Shahini: Nëse Kosova përjashtohet nga Procesi i Berlinit mund të humbë rreth 1 miliardë euro

    Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini ka deklaruar se nëse Kosova përjashtohet nga Procesi i Berlinit mund të humbë rreth 1 miliardë euro mbështetje financiare, që sipas tij është thelbësore për zhvillimin ekonomik për vendin tonë.

    Përmes një reagimi në Facebook, Shahini ka theksuar se nëse ndodh ky përjashtim vendi ynë mund të rrisë pasigurinë për investitorët e huaj dhe vendorë, duke ndikuar negativisht në lëvizje e lirë të mallrave dhe kapitalit në tregun e EU dhe në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas tij, përjashtimi i Kosovës nga procesi i Berlinit po ashtu mund të sjellë në një rënie të dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

    “Sa i përket integrimeve do të humbë një mundësi të madhe për të avancuar në procesin e integrimeve evropian dhe për të përmirësuar dhe forcuar raporte ndërkombëtare si do mos me vendet e BE-së. Përjashtimi i Kosovës nga procesi i Berlinit mund të çonte në një rënie të dialogut me Serbinë dhe në pamundësinë për të zgjidhur çështjet e hapura mes dy vendeve, kjo do të forcon propagandën anti Kosovare qe do të kishin një ndikim të thellë në zhvillimin politik, ekonomik, social dhe integrues të Kosovës”, ka thënë Agimi Shahini kryetar I AKB-ës.

  • (VIDEO) Publikohen pamjet e para të rrënojave të “OceanGate – Titan”

    (VIDEO) Publikohen pamjet e para të rrënojave të “OceanGate – Titan”

    Pamjet e para të nëndetëses ‘Titan’ të marra pas shpërthimit të saj vdekjeprurës në qershor 2023 u publikuan dje në një seancë publike për aksidentin që vrau pesë persona. Videoja është realizuar nga Roja Bregdetare.

    Njerëzit në nëndetëse u vranë kur presioni i madh i oqeanit bëri që ajo të shpërthejë në brigjet e Newfoundland, Kanada. Studiuesi britanik Hamish Harding, biznesmeni britaniko-pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleiman, Stockton Rush, drejtor ekzekutiv i OceanGate, kompania amerikane që zotëronte Titan, dhe zhytësi francez Paul-Henri Nargeolet ishin në nëndetëse.

    Seanca dëgjimore zbuloi detaje të reja në lidhje me shpërthimin e Titanit, si dhe kompaninë që e zotëronte atë.

    Pamjet e papublikuara më parë, të marra në një thellësi prej 3,776 metrash, i dhanë publikut pamjen e parë të konit të bishtit të thyer të Titanit në fund të Oqeanit Atlantik. Fragmentet e nëndetëseve janë gjithashtu të dukshme në fundin e oqeanit. Ekipet e shpëtimit i gjetën pas shpërthimit.

    Bordi i Hetimit Detar tha se koni i bishtit të shkëputur të Titanit dhe mbeturinat e tjera ofrojnë “prova bindëse” se anija pësoi një “shpërthim katastrofik”, raportoi CNN. Mesazhet me tekst të dërguara nga ekuipazhi i Titan në anijen mbështetëse Polar Prince dhanë gjithashtu një pasqyrë të re për aksidentin.

    Në një moment gjatë udhëtimit të tij fatkeq, Princi Polar e pyeti Titanin nëse mund ta shihte ende anijen mbështetëse në ekranin e informacionit. Ekuipazhi u përgjigj se “gjithçka është në rregull” dhe vazhdoi zbritjen e tyre.

    LEXONI EDHE:

    Shpallen të vdekur pesë pjesëtarët e ekuipazhit të “Titan”

  • Sekretari i Vatikanit diskuton me Vuçiqin për Kosovën

    Sekretari i Vatikanit diskuton me Vuçiqin për Kosovën

    Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka diskutuar, mes tjerash, edhe për Kosovën.

    Vuçiq, përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ka thënë se gjatë bisedës ka nënvizuar se “çështja e mbrojtjes, respektimit dhe përmirësimit të të drejtave të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare” në Kosovë është e rëndësisë kyçe për Serbinë.

    Çështje tjetër e rëndësishme, sipas udhëheqësit serb, është “mbrojtja dhe restaurimi i trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, i varrezave ortodokse, si dhe i monumenteve të rrezikuara kulturore, veçanërisht i kishave dhe manastireve ortodokse nën mbrojtjen e UNESCO-s”.

    Vuçiq ka thënë se Serbia “vlerëson lartë” qëndrimin e Selisë së Shenjtë karshi pavarësisë së Kosovës.

    Vatikani është një ndër vendet evropiane që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Qëndrimi i Vatikanit është se zgjidhja në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të arrihet në dialogun që palët zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Temë e diskutimit, sipas Vuçiqit, ka qenë “vazhdimi i dialogut të rregullt politik në të gjitha nivelet, si dhe bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kishës Katolike”.

    “Theksova se Republika e Serbisë është e vendosur të vazhdojë kultivimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve konstruktive me Selinë e Shenjtë, meqenëse ne i ndajmë pikëpamjet për shumë çështje ndërkombëtare, veçanërisht për mbrojtjen e të krishterëve dhe të trashëgimisë së krishterë, si dhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut të të krishterëve”, ka shkruar Vuçiq.

    Sekretari i Vatikanit, Parolin, arriti në Serbi të martën e 17 shtatorit për një vizitë me rastin e shënimit të përvjetorit të 100-të të themelimit të Kryepeshkopatës së Beogradit.

    Në agjendën e vizitës së Parolinit është edhe takimi me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

    Viteve të fundit janë zhvilluar disa takime ndërmjet zyrtarëve të Serbisë dhe atyre të Vatikanit.

    Vizita e mëparshme e një zyrtari të Vatikanit në Serbi u bë më 2021 nga kryepeshkopi Paul Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhënie me Shtete.

    Në një komunikatë të publikuar nga Presidenca e Serbisë thuhej se zyrtari i Vatikanit kishte deklaruar se Ballkani Perëndimor mbetet ndër prioritetet e Selisë së Shenjtë.

    Sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Serbi, i kryer më 2022, 86.6 për qind e qytetarëve janë deklaruar se i përkasin besimit të krishterë, prej të cilëve 3.9 për qind janë regjistruar si katolikë./REL/

  • Ndërron jetë legjenda e futbollit italian, Schillaci

    Ndërron jetë legjenda e futbollit italian, Schillaci

    Salvatore “Toto” Schillac i, sulmuesi që ndezi Botërorin e Italisë 1990 me të bëmat e tij dhe i dhuroi të gjithë vendit “Netët Magjike” të paharrueshme, u nda nga jeta sot në moshën 59-vjeçare.

    I shtruar prej disa javësh në spitalin Civic në Palermo, kushtet shëndetësore të ish-sulmuesit ishin përkeqësuar orët e fundit. Ai kishte kohë që luftonte me kancerin e zorrës së trashë.

    Schillaci, një talent që shpërtheu në Botërorin e tij në shtëpi, do të mbetet përgjithmonë i lidhur me atë verë të paharrueshme.

    Me vendosmërinë, shpejtësinë dhe aftësinë e tij për të shënuar, ai u bë simboli i një kombëtareje që arriti në vendin e tretë, duke fituar zemrat e italianëve dhe jo vetëm.

    Karriera e tij, e cila filloi në ligat e vogla, e bëri atë të vishte fanellat e Juventus-it dhe Inter-it, por pikërisht me bluzën e kombëtares ai shkroi faqet më të bukura të historisë së tij.

    Gjashtë gola në shtatë ndeshje në Kupën e Botës 90 dhe titulli i golashënuesit më të mirë janë shifra që flasin vetë dhe që e vendosën atë si një nga sulmuesit më të mëdhenj italianë.

  • Begaj: Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut, i sjell siguri rajonit

    Begaj: Kosova të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut, i sjell siguri rajonit

    Në konferencën e 27-të të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut që po mbahet në Shqipëri, presidenti i shqiptar, Bajram Begaj ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në këtë kartë është një hap drejt sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Në fjalën e tij, Begaj theksoi se bota gjendet në konflikte të përgjakshme siç është në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, të cilat sipas tij, “kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një angazhim të përbashkët për t’i adresuar ato në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme”.

    “Ukraina përballet me një agresion të paprecedentë të paligjshëm nga Rusia. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Ukrainën në bashkëpunim me aleatët strategjikë. Në Lindjen e Mesme që prej një viti kemi përshkallëzim të konfliktit duke krijuar edhe atje një vatër të nxehtë. Këto çështje madhore kërkojnë një qasje të bashkuar dhe një angazhim të përbashkët për t’i adresuar ato në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme”, theksoi Begaj.

    Begaj vuri në dukje se Ballkani Perëndimor përballet me sfida në fushën e sigurisë, ku sipas tij, rajoni i brishtë ndaj “ndikimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur”.

    “Rajoni ynë, Ballkani Perëndimor përballet me sfida me specifike, veçanërisht në fushat e sigurisë. Rajoni ynë mbetet i brishtë ndaj ndikimeve të brendshme dhe të jashtme që mund të destabilizojnë paqen dhe stabilitetin e arritur. Tensionet e krijuara, ndërhyrja nga aktorët e tretë dhe kërcënimet ndaj sigurisë kibernetike kërkojnë bashkëpunim të thelluar ndër vete dhe me partnerët tanë. Historia nuk duhet harruar, ndryshe rrezikojmë të përsërisim gabimet”, u shpreh Begaj.

    Ai vuri në dukje se shqiptarët janë një faktor konstruktiv në rajon që kanë kontribuar për paqen dhe sigurinë. Në këtë mënyrë, sipas Begajt, edhe Kosova duhet të anëtarësohet në Kartën e Adriatikut duke forcuar jo vetëm sigurinë e saj por edhe të gjithë rajonit të Ballkanit.

    “Shqipëria do të luajë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetin. Shqiptarët e rajonit janë një faktor konstruktiv dhe të moderuar duke kontribuar në paqe, në siguri dhe stabilitet. Ata janë dëshmuar si mbështetës të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit tonë. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar vazhdimisht për të përçuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturën euroatlantike. Në këtë rrugëtim është me rëndësi të përfshihen edhe anëtarë të rinj që dëshirojnë të anëtarësohen në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut dhe në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në këtë kartë është thelbësor jo vetëm për sigurinë e Kosovës por edhe stabilitetin e gjithë rajonit. Kosova ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha më tej në fjalën e tij, presidenti Begaj.

  • Super sfida tjera sonte në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Angli

    Super sfida tjera sonte në Ligën e Kampionëve, vëmendja në Angli

    Liga e Kampionëve vazhdon edhe sonte me disa sfida interesante.

    Sikurse natën e mbrëmshme edhe sonte do të zhvillohen gjashtë sfida të xhiros së parë në formatin e ri të kompeticionin më madhor të klubeve në Evropë.

    Dy ndeshjet e para të ditës janë Bologna – Shakthar Donetsk dhe Sparta Prague – Salzburg.

    Këto dy takime luhen me fillim nga ora 18:45.Ndërsa takimi kryesor i natës së sotme do të jetë në “Etihad Stadium” mes Manchester Cityt dhe Interit.

    Në takime tjera, Parisi pret Gironën e cila debuton në Ligën e Kampionëve, Celtici është nikoqir i Slovan Bratislavas dhe Dortmundi do të luaj në udhëtim tek Club Brugge.

    Të gjitha këto takime nisin nga ora 21:00.

  • Kryeministri Kurti merr pjesë në darkën e ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian

    Kryeministri Kurti merr pjesë në darkën e ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian

    Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, më 19 shtator.

    Burime të ATV-së konfirmuan se kryeministri Kurti pritet të udhëtojë nesër për në Bruksel.

    Me këtë takim, Von der Layen do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

    Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

     

  • Nervozizmi – Efektet në organizëm dhe si ta mbani nën kontroll

    Nervozizmi – Efektet në organizëm dhe si ta mbani nën kontroll

    Nervozizmi apo zemërimi është një helm i mirëfilltë që shkatërron shpirtin dhe organizmin.

    Ky emocion është i shëndetshëm deri në një farë pike sepse të ndihmon të identifikosh lëndimin ose nevojën për ndryshim.

    Por nervozizmi është një emocion hileqar dhe shpesh del jashtë kontrollit.

    Mbajtja nën kontroll e tij kërkon një vullnet dhe përqendrim të fortë.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të mbani nën kontroll zemërimin dhe nervozizmin.

    Meditoni
    Gjatë një episodi zemërimi apo nervozizmi provoni të meditoni dhe të ndërgjegjësoheni për atë që po ndodh.

    Meditimi është një teknikë qetësimi për trurin dhe trupin.

    Uluni dhe përqendrohuni tek frymëmarrja. Mos e lini mendjen të ikë apo të fokusohet tek shqetësimet dhe e shkuara.

    Frymëmarrja e thellë
    Frymëmarrja duhet të jetë e kontrolluar për të qetësuar ndjenjën e nervozizmit.

    Një frymëmarrje e thellë dhe e kontrolluar ngadalëson rrahjet e zemrës, stabilizon tensionin e gjakut dhe qetëson organizmin.

    Vishni rroba të lehta dhe shtrihuni. Vendosini duart në zonën e barkut.

    Merrni frymë ngadalë dhe përpiquni të mbani zonën abdominale të relaksuar.

    Mbajeni frymën për disa sekonda dhe më pas lëshojeni atë nëpërmjet gojës.

    Përpiquni ta përsërisni këtë proces deri sa të kuptoni që zemërimi juaj është nën kontroll.

    Qetësimi Progresiv i Muskujve
    Kjo teknikë ka të bëjë me tendosjen dhe qetësimin e disa muskujve duke u shpërqendruar kështu nga zemërimi.

    Uluni në një karrige në një vend të qetë. Përqendrohuni tek një grup i veçantë muskujsh siç mund të jenë këmbët, pjesa e kofshës, gishtave e të tjerë.

    Merrni frymë thellë dhe ngadalë dhe shtrëngoni muskujt e përzgjedhur. Mbajini të tendosur për 5 sekonda.

    Nxirreni frymën dhe lëshojini muskujt e tendosur.

    Qëndroni pa lëvizur për 15 sekonda dhe më pas provojeni sërish me një muskul tjetër.

    Provojeni këtë teknikë deri sa të ndiheni të qetësuar.

    Topthi Kundër Stresit
    Një topth i tillë ju ndihmon të përballeni me një episod shpërthyes zemërimi.

    Nëpërmjet shtrëngimit dhe lëshimit të topthit dhe frymëmarrjes së thellë ju vini në lëvizje disa muskuj dhe i qetësoni ato.

    Për më tepër ju largoni stresin dhe zemërimin.

    Numërimi deri në 10
    10 sekonda! Kaq ju nevojitet që të qetësoheni, të keni një mendje të kthjellët dhe të shmangni impulset dashakeqe.

    Numëroni deri në 10, përpara se të thoni fjalën e fundit.

    Mbajtja nën kontroll e zemërimit është një proces që ka nevojë për dy element: kohë dhe shpërqendrim.

    Ecja
    Ecja është një aktivitet fizik që ndihmon në mbajtjen nën kontroll të ankthit.

    Gjatë ecjes, trupi çliron endorfinë, një hormone që ju ndihmon të jeni të lumtur dhe pozitiv.

    Ecja e shpërqendron trurin nga ekstremiteti i reagimeve të forta emocionale./AgroWeb.org

  • Sulmi ukrainas me dronë nxit evakuime në Rusi

    Sulmi ukrainas me dronë nxit evakuime në Rusi

    Një sulm me dronë nga Ukraina ka shkaktuar një zjarr dhe ka detyruar evakuimin e pjesshëm të banorëve në qytezën e Toropetsit, në pjesën perëndimore të rajonit Tver në Rusi, bënë të ditur autoritetet rajonale të mërkurën.

    Zjarrfikësit u angazhuan në shuarjen e zjarrit, tha Igor Rudenya, guvernator i rajonit që ndodhet në veriperëndim të Moskës, përmes një postimi në kanalin e administratës së rajonit në platformën Telegram. Ai nuk ka bërë të ditur se kë e ka kapluar zjarri.

    Sipas një raporti të publikuar më 2018 nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, Rusia po ndërtonte një magazinë për ruajtjen e raketave, municioneve dhe mjeteve të tjera shpërthyese në Toropets, një qytezë 1000-vjeçare, me popullsi prej rreth 11.000 banorësh.

    Nuk është njoftuar për viktima si rezultat i sulmit të 18 shtatorit në Tver, raporton Reuters.

    Shkollat dhe çerdhet kaluan në mësimdhënie online në distriktin e Zapadnovisnkit, në kufi me atë të Toropetsit, bëri të ditur administrata e distriktit në rrjetin social VKontakte.

    Njësitet ruse të mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar 54 dronë që Ukraina kishte nisur gjatë natës, për të sulmuar pesë rajone perëndimore të Rusisë, raportuan agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, duke cituar një raport të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

    Guvernatorët rajonalë nuk raportuan për dëme nga këto sulme.

    Por, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk përmendi rajonin e Tverit, që ka rajonin e Moskës në kufirin e saj juglindor.

    Raportimet nuk ka qenë e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa as Ukraina nuk ka dalë me ndonjë njoftim.

    Kievi ka thënë më parë se sulmet e saj në Rusi kanë për qëllim të godasin infrastrukturën ushtarake, energjetike dhe atë të transportit, të cilat janë të rëndësisë kyçe për luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Zyrtarët rusë rrallëherë japin hollësi për shkallën e plotë të dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse.

    Teksa Ukraina ka rritur prodhimin e brendshëm të dronëve gjatë dy vjetëve të fundit, ajo ka shtuar sulmet ndaj territorit rus.

    Sulmi më i madh ndonjëherë me dronë nga Ukraina goditi kryeqytetin rus në shtator, duke vrarë të paktën një person, teksa u dëmtuan shtëpi e u ndërprenë fluturime nga aeroportet e Moskës./REL/

  • Rasti “Gylenistët”, Apeli shqyrton vendimin e shkallës së parë

    Rasti “Gylenistët”, Apeli shqyrton vendimin e shkallës së parë

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Më shumë se një vit që nga aktgjykimi i shkallës së parë, të martën Apeli ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë dhe mbrojtjes, në rastin e njohur si Gylenistët.

    Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ishte shpallur fajtor dhe është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Por, mbrojtja e Gashit, para kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së shkallës së dytë, ka pretenduar se aktgjykimi nuk përmban asnjë arsyetim.

    Sipas avokatit, ish-shefi i AKI-së nuk e keqpërdori detyrën zyrtare, por përkundrazi veproi drejt në çështjen e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.

    Prokuroria Speciale e kishte akuzuar Driton Gashin, për të cilin u tha se pa siguruar asnjë provë se paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, kishte rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe me të njëjtin arsyetim ishin dëbuar nga Kosova gjashtë shtetas turq.

    Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, PSRK-ja i akuzonte edhe ish-drejtorin i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqi, dhe Rrahman Sylejmanin, ish-drejtor i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj, në kuadër të Policisë Kufitare, por ata janë liruar.

    Ndërkaq, edhe organi i akuzës ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë.

    Policia e Kosovës gjatë një aksioni më 29 mars të vitit 2018, në bashkëpunim me AKI-në, kishte arrestuar gjashtë shtetas turq, të cilët akuzoheshin nga Ankaraja për grushtshtetin e organizuar atje.
    Ky rast kishte nxitur reagime ndërkombëtare, për çka Kosova u kritikua për shkelje të të drejtave të njeriut./atvliv.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: