ATV

Author: G.O.

  • Fillon gjykimi për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, ai akuzohet për vrasjen e Ramadan Jakupit dhe rrahjen e 10 civilëve të tjerë

    Fillon gjykimi për krime lufte ndaj Shaqir Lutvijës, ai akuzohet për vrasjen e Ramadan Jakupit dhe rrahjen e 10 civilëve të tjerë

    RAPORTI: NORA LUTA 

    Për maltretimin dhe rrahjen e secilit nga këta civilë, Prokuroria Speciale po pretendon se Shaqir Lutvija nga Komuna e Dragashit është përgjegjës.

    Sipas PSRK-së, Lutvija sa ishte inspektor dhe polic në stacionin policor të Prizrenit gjatë viteve 1998-99, në bashkëkryerje përdori forma të torturës ndaj tyre, përfshirje edhe mjete të energjisë elektrike.

    Si pasojë, organi i akuzës pretendon se Ramadan Jakupi vdiq, ndërsa dhjetë (10) civilë të tjerë nga Rahoveci e Suhareka, kishin pësuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja psikike.

    Por, 64-vjeçari që në pranga u soll në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në paraqitjen e parë mohoi akuzat.

    E tëra që më vihet në barrë nuk është e vërtetë dhe nuk ndihem fajtor, nuk kam marrë pjesë në këto ngjarje.

    Mirëpo, me deklaratën e ish-policit nuk po pajtohen të dëmtuarit, që pritet edhe të dëshmojnë gjatë këtij gjykimi që nisi të martën.

    Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Lutvijës në fillim të këtij muaji./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Përurohen renovimet në Gjimnazin “Ahmet Gashi”, ato u mundësuan falë donacionit nga Ambasada Amerikane në Kosovë

    Përurohen renovimet në Gjimnazin “Ahmet Gashi”, ato u mundësuan falë donacionit nga Ambasada Amerikane në Kosovë

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Rreth 2 mijë nxënësit që vijojnë mësimin në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ambientin ku kalojnë një pjesë të konsiderueshme të ditës, këtë vit e kanë me kushte më të mira se që i kishte më parë kjo shkollë.

    Kjo u bë falë një renovimi të mundësuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, donacion ky në vlerë prej 600 mijë dollarëve.

    “Shkolla ‘Ahmet Gashi’ ka pasur nevojë për ndryshime dhe përmirësime rrënjësore për të siguruar që do t’u ofrojë nxënësve mjedisin më të mirë të mundshëm për mësim nxënie për nxënësit. Tani që këto renovime kanë përfunduar, shkolla do t’iu ofrojë nxënësve hapësirë shumë më të sigurt, më të pastër që ata të rriten e piqen dhe t’i ndjekin synimet akademike”, deklaroi ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

    Falënderues për ndihmën ishin nxënësit e shkollës e drejtori Haxhi Meta.

    “ShBA-ja jo vetëm në këtë rast, por edhe në luftën e fundit në Kosovë na kanë dalë në ndihmë popullit tonë, prandaj jemi mirënjohës gjithë jetën për ndihmën e vazhdueshme që po marrim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, tha drejtori Meta.

    Pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    “Është dëshmi e fuqisë së partneritetit dhe të besimit të përbashkët në rolin transformues të arsimit, i cili është themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen jo vetëm të qytetit tonë, por edhe të vendit tonë…”, deklaroi kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

    “Ky gjimnaz i cili me dekada përgatit të rinjtë dhe të rejat në drejtimet shoqërore, duke u dhënë një bazë të fortë me të cilën formohen, për t’u bërë individ të shëndoshë që i duhen shoqërisë tonë. Përmirësimi i arsimit në të gjitha nivelet është objektivi parësor në strategjinë tonë të arsimit…”, u shpreh ministrja Nagavci.

    Në Gjimnazin ”Ahmet Gashi” veç rreth 1300 nxënësve të kësaj shkolle, nga ky vit shkollor mësimin e zhvillojnë edhe rreth 700 nxënës të Gjimnazit “Eqrem Qabej”./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Në Kolegjin AAB mbahet tryezë diskutimi për Dhomat e Specializuara

    Në Kolegjin AAB mbahet tryezë diskutimi për Dhomat e Specializuara

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Rreth punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës, këtë të martë është folur në ambientin e Kolegjit AAB.

    Pjesë e saj ishin studentët e Kolegjit AAB, profesorë dhe përfaqësues nga Haga.
    Për përfaqësuesit nga Haga studentët e pjesëmarrësit patën pyetje të shumta rreth gjykimeve që po mbahen atje.

    “Studentët profesorët dhe pjesëtarët e tjerë mendoj që patën pyetje shumë të mira dhe interesante në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe kjo është një nga arsyet që ne vijmë në Kosovë çdo muaj të takohemi me studentët dhe qytetarët e Kosovës, për t’i dëgjuar opinionet e tyre për Gjykatën dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të tyre”, tha koordinatori i Zyrës për informim nga dhomat e specializuara, Michael Doyle.

    Duke komentuar diskutimin që pati me studentët, Michael Doyle, koordinator i zyrës për informim nga Dhomat e Specializuara, vlerësoi edhe bashkëpunimin që kanë me institucionet vendore.

    “Nën ligjet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, institucionet e Kosovës obligohen të bashkëpunojnë. Unë personalisht nuk jam i përfshirë në mënyrë specifike në çështjet juridike, por shohim në shumë raste se ka bashkëpunim të mirë me autoritetet këtu, sidomos kur kemi të bëjmë me persona që lirohen nën kushte të veçanta. Nuk i di detajet e bashkëpunimit por është obligim dhe ka shembuj të qartë për këtë”, shtoi tutje ai.

    Doyle qëndroi në Kosovë si pjesë e vizitave të rregullta që përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara bëjnë në vend./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Osmani kërkon të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiqit: Vetëm fjalë e retorikë

    Osmani kërkon të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiqit: Vetëm fjalë e retorikë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, të mos merren seriozisht pasi, siç tha ajo, ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por vetëm dëshiron ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit.

    “Kur Vuçiqi flet për rithikimin e tyre [serbëve në institucione], ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë – që janë përpjekjet e tij, qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”, tha Osmani gjatë një ngjarjeje në Prishtin.

    Javën e kaluar Vuçiq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

    Ai gjithashtu njoftoi më 14 shtator se ka nënshkruar marrëveshjë për rikthimin e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.

    Osmani, gjatë deklarimit për media, përsëriti se nuk beson se këto janë kërkesa të sinqerta të Vuçiqit, por shtoi se vetë institucionet e Kosovës duhet të punojnë “që të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht etnisë, të jenë të barabartë”.

    “Kjo [mosbesimi ndaj deklaratave të Vuçiqit] nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës të mos punojmë afër me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb, në mënyrë që, në përputhje me procedurat e ligjshme ata të jenë prezent në të gjitha institucionet e Kosovës”, shtoi Osmani.

    Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

    Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

    Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

    Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

    Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte quajtur këto kërkesa “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja”.

    “Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, kishte thënë Kurti në komentin e tij të parë për thirrjet e Vuçiqit, të cilat Bashkimi Evropian i mirëpriti si një lëvizje pozitive./REL/

  • Çfarë duhet të bëni nëse thumboheni nga bleta?

    Çfarë duhet të bëni nëse thumboheni nga bleta?

    Shumicës së njerëzve do t’u ndodhë që të thumbohen nga një bletë të paktën një herë në jetën e tyre.

    Zakonisht thumbimi nga bleta prodhon një ënjtje të dhimbshme, që kruhet dhe që mund të jetë shqetësuese për disa ditë.

    Nëse jeni thumbuar nga një bletë, ju duhet ta hiqni thumbin e bletës. Heqja e thumbit kufizon sasinë e helmit të lëshuar në gjak dhe është tejet e rëndësishme koha. Ju duhet të përpiqeni të hiqni thumbin sa më shpejt që të jetë e mundur – nëse keni gërvishtje, hiqni atë me piskatore.

    Në rastet e zakonshme, kur pasojat e thumbimit janë fare të vogla, mënyrat shtëpiake të kurimit janë gjithmonë efikase. Mbasi të keni hequr thumbin me piskatore, për të shfryrë pjesë e thumbuar dhe për të lehtësuar djegien, si dhe për të dezinfektuar, mund të përdorni akull, mjaltë, pastë dhëmbësh, limon, qepë dhe ujë me kripë.

    Për ata që nuk kanë pasur kurrë reaksion alergjik dhe pas thumbimit shfaqin simptomat si vështirësi frymëmarrje, marramendje dhe dhimbje stomaku, duhet të shkojë urgjent në spital, ndërsa ata që kanë alergji ndaj helmit duhet të kenë gjithmonë me vete një përgatitje me bazë adrenaline – i vetmi antialergjik i fuqishëm që reagon menjëherë në fazën akute.

  • Nuk ka takim trepalësh, Bislimi e Petkoviq përfundojnë takimet me Lajçakun

    Nuk ka takim trepalësh, Bislimi e Petkoviq përfundojnë takimet me Lajçakun

    Kanë përfunduar takimet bilaterale të Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndaras me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, pa një takim trilateral.

    Kështu konfirmoi për ATV-në, shefi i kabinetit të Bislimit, Klisman Kadiu.

    “Kanë përfunduar takimet, kemi patur vetëm takim bilateral me Lajçakun dhe jo takim trilateral. Te komunikata do të sqarojmë më gjatë”, tha Kadiu.

    Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në rundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

  • A duhet zëvendësuar sheqeri me mjaltë?

    A duhet zëvendësuar sheqeri me mjaltë?

    Mjeku britanik, Tim Spector nga King’s College në Londër. shpjegoi pse zëvendësimi i sheqerit me mjaltë nuk do të ndikojë ndjeshëm në shëndetin e dhëmbëve dhe në nivelin e glukozës në gjak.

    Sipas tij, sheqeri nuk duhet të zëvendësohet me mjaltë.

    Mjeku shpjegoi se ndryshimi i vetëm midis llojeve të ndryshme të sheqerit, mjaltit dhe shurupit të panjeve është çmimi.

    Këto produkte përgjithësisht konsiderohen si një alternativë e sigurt për sheqerin e bardhë, por ato nuk ndihmojnë në mbrojtjen e dhëmbëve nga kavitetet apo parandalimin e diabetit.

    Spector thekson se molekula e sheqerit është identike si në sheqerin e zakonshëm ashtu edhe në mjaltë. Secila prej tyre mund të shkaktojë rritje të niveleve të glukozës në gjak, shkruan Daily Mail.

  • Çfarë është terapia me kupa? Problemet shëndetësore që trajton

    Çfarë është terapia me kupa? Problemet shëndetësore që trajton

    Terapia me kupa është një lloj terapie alternative. Ajo përfshin vendosjen e kupave në lëkurë për të krijuar thithje, e cila besohet se përmirëson rrjedhën e energjisë në trup dhe lehtëson shërimin.

    Kjo terapi mendohet të jetë kryer fillimisht duke përdorur brirë kafshësh, më vonë kupat u bënë nga bambuja dhe më pas nga qeramika.

    Ndërsa sot terapia kryhet shpesh duke përdorur gota qelqi në formë sferike, por ato mund të jenë edhe prej plastike ose silikoni.

    Thithja krijohet kryesisht përmes përdorimit të nxehtësisë. Fillimisht kupat nxehen me zjarr dhe më pas vendosen në lëkurë. Ndërsa ftohen, ato e tërheqin lëkurën brenda.

    Një nga tekstet më të vjetra mjekësore që përmend terapinë e kupave është papirusi i Eberit (1550 p.e.s.) nga Egjipti i Lashtë.

    Gjithashtu mjeku grek Hipokrati, i njohur edhe si “babai” i mjekësisë, përpiloi përshkrime të teknikave të kupave.

    Në ditët e sotme, terapia me kupa zakonisht gjendet si një trajtim i ofruar nga praktikuesit e Mjekësisë Tradicionale Kineze.

    Shumë besojnë se kupa ndihmon në rivendosjen e ekuilibrit në trup, duke rritur rezistencën e trupit ndaj patogjenëve, si dhe aftësinë e kësaj terapie për të rritur qarkullimin e gjakut dhe për të zvogëluar dhimbjen.

    Në këtë shkrim AgroWeb.org ju njeh më tepër me përdormet e tyre për të mirën e shëndetit tuaj.

    A është i vërtetuar shkencërisht efektiviteti tyre?
    Ekziston një numër në rritje i kërkimeve që synojnë të zbulojnë se si, dhe pse mund të funksionojë terapia me kupa.

    Sipas disa studimeve në të cilat AgroWeb.org bazohet, disa nga efektet e terapisë së kupave përfshijnë:

    Nxitje e qarkullimit të gjakut.
    Ulje të inflamacionit.
    Rritje e imunitetit.
    Eliminimin të toksinave në trup.
    Rritje e qarkullimin e gjakut në zonat ku vendosen.
    Lehtësim të tensionit të muskujve dhe nxitje e riparimit të qelizave.
    Mund të ndihmojnë në formimin e indeve të reja lidhëse dhe krijimin e enëve të reja të gjakut në inde

    Shqetësime të tjera që mund të trajtohen me kupa janë:

    Mund të jetë shumë efektive në lehtësimin e problemeve që krijojnë dhimbje, si për shembull:

    Për dhimbjen në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbjen në qafë dhe shpatulla, dhimbjen e kokës dhe migrenën, dhimbjen e gjurit, paralizën e fytyrës, hernien diskale lumbare, artritin rheumatoid etj

    Megjithatë ende nevojiten më shumë studime për të vlerësuar efektivitetin e vërtetë të kupave për këto probleme.

    Llojet e teknikave me kupa
    Ekzistojnë katër kategori kryesore të kupave që kryhen sot:

    Kupa e thatë: një metodë vetëm me thithje.

    Kupa e lagur ose me gjakderdhje: mund të përfshijë si thithje ashtu edhe gjakderdhje të kontrolluar.

    Kupat e lëvizshme: përfshin lëvizjen e gotave rreth trupit pas aplikimit të vajit për të masazhuar zonën e dëshiruar.

    Teknika e shpejtë: përfshin thithjen dhe lëshimin e shpejtë, të përsëritur të kupave në një zonë të trupit.

    Ku mund të vendosen?
    Kupat aplikohen më shpesh në kurriz, gjoks, bark, vithe dhe këmbë, por mund të vendosen edhe në fytyrë për qëllime estetike.

    Çfarë duhet të prisni gjatë një trajtimi me kupa?
    Për rezultate më të mira, mund t’ju kërkohet të jeni pa ngrënë ose të hani vakte të lehta 2 deri në 3 orë para seancës suaj.

    Gjatë një trajtimi me kupa, mjeku juaj do t’ju pyesë se çfarë simptomash keni përjetuar, për të marrë një histori të detajuar shëndetësore nëse kjo është hera e parë për ju.

    Mjeku do të vendosë gota në lëkurën tuaj dhe ju do të përjetoni një ndjesi thithjeje dhe presioni.

    Ju do të qëndroni me kupat në lëkurë për disa minuta përpara se specialisti t’i heqë ato.

    Lëkura juaj mund të skuqet dhe të shfaqë mavijosje të lehta pas seancës.

    Në varësi të llojit të shërbimit që po merrni, seanca mund të zgjasë diku nga 10 minuta në një orë, ose më shumë.

    Efektet anësore
    Efektet anësore që mund të përjetoni zakonisht ndodhin gjatë trajtimit tuaj ose më pas. Ato janë të tilla si:

    -Shenja rrethore ku kanë qenë kupat ose hematoma, që zakonisht largohen brenda 7 ditëve nga seanca.

    -Marramendje

    -Rrallëherë, mund të keni edhe djersitje ose vjellje.

    Nëse keni ndonjë nga këto probleme, konsultohuni me mjekun.

  • Ministrja gjermane i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur zhbllokimin e CEFTA-s

    Ministrja gjermane i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur zhbllokimin e CEFTA-s

    Ministrja e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann ditën e djeshme qëndroi në Prishtinë ku dhe takoi të paren e shtetit, Vjosa Osmani, ndërsa nuk u bë i ditur ndonjë njoftim për takim bilateral me Kryeministrin Albin Kurti.

    Në një postim të bërë në platformën “X”, Lührmann ka thënë se është mirënjohëse për diskutimet në Kosovës pak javë para dhjetë vjetori të Procesit të Berlinit.

    Ajo theksoi se ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës që të bëjë të mundur zhbllokimin e CEFTA-s.

    “Mirënjohëse për diskutimet e hapura në Kosovë, përpara takimeve të këtij viti të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit. Ia bëra të qartë qeverisë se ne i bëjmë thirrje Kosovës të bëjë të mundur zhbllokimin e CEFTA-s dhe të lejojë avancimin në Tregun e Përbashkët Rajonal për të sjellë përfitime konkrete për njerëzit në Kosovë”, ka shkruar ajo në “X”.

    Gjatë ditës së djeshme, Ministrja gjermane e Shtetit tha se bllokimi i CEFTA-s rrezikon ta dështojë Procesin e Berlinit.

    Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të angazhohet për të gjetur zgjidhje.

    “Bllokimi i organizatës rajonale CEFTA rrezikon të dështojë Procesin e Berlinit dhe gjithashtu të parandalojë më tej në bashkëpunimin tonë rajonal”, ka deklaruar Anna Luhrmann.

  • Kurti për djegien e shtëpisë në veri: Kryesit e veprës do të ndiqen nga organet e drejtësisë

    Kurti për djegien e shtëpisë në veri: Kryesit e veprës do të ndiqen nga organet e drejtësisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për djegien e shtëpisë në lagjen “Berxhani”, në Mitrovicë të Veriut.

    I pari i Qeverisë tha se kryesit e kësaj vepre do të ndiqen nga organet e drejtësisë.

    “Ka deklaruar tashmë Policia e Kosovës, ne do të bëjmë sanimin e këtij dënimi, ndërkaq ata të cilët e bëjnë këtë krim me këtë koktej molotovi pa dyshimtë që do të ndiqen nga organet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti.

    Ndryshe, në një shtëpi në veri të Mitrovicës dyshohet se është hedhur koktej molotovi, ku si pasojë është përfshirë nga zjarri dera e hyrjes së shtëpisë.

    Policia ka konfirmuar rastin duke shtuar se patrulla policore kishte vërejtur të dalë tym nga një shtëpi.

    E për këtë rast, ka reaguar edhe Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ku ka thënë se ky akt është nxitje e mosdurimit etnik që nxitet nga Vuçiqi.