ATV

Author: G.O.

  • Nis takimi midis Lajçakut dhe Petkoviqit në Bruksel

    Nis takimi midis Lajçakut dhe Petkoviqit në Bruksel

    Në Bruksel ka filluar takimi midis kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Sipas Tanjug-ut, takimi filloi rreth 11:25.

    Në kuadër të raundit të ri të dialogut sot pritet që delegacioni nga Prishtina i kryesuar nga kryenegociatori Besnik Bislimi të takohet me Lajçakun dhe ende nuk dihet nëse do të mbahet edhe një takim trepalësh.

  • Në OKB diskutohet për t’i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze

    Në OKB diskutohet për t’i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze

    Shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të diskutojnë sot kërkesën e palestinezëve për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze, brenda 12 muajve.

    Teksti i projekt-rezolutës, që është përballur me kritika të ashpra nga Izraeli, bazohet në një opinion këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e cilëson si “të paligjshëm” pushtimin e vazhdueshëm izraelit që nga viti 1967.

    “Izraeli është i detyruar t’i japë fund pranisë së tij të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në opinionin e përpiluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

    Në përgjigje, vendet arabe kanë bërë thirrje për një seancë të posaçme të kësaj asambleje.

    Projekt-rezoluta kërkon, gjithashtu, tërheqjen e forcave izraelite nga territoret palestineze, ndalimin e vendbanimeve të reja, kthimin e tokave dhe të pronave të sekuestruara, si dhe mundësinë e kthimit të palestinezëve të zhvendosur.

    Miratimi i rezolutës do të ishte “një shpërblim për terrorizmin dhe një mesazh për botën se masakra barbare e fëmijëve, përdhunimi i grave dhe rrëmbimi i civilëve të pafajshëm janë taktika të vlefshme”, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon.

    Ai iu referua sulmit të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – më 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael.

    Atë ditë, Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz dhe mori mbi 250 pengje, prej të cilave gati 100 vazhdojnë të mbahen në Gazë.

    Në përgjigje të sulmit, Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gazë – enklavë e kontrolluar nga Hamasi.

    Sipas autoriteteve atje, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 41.000 njerëz.

    Zyra e të Drejtave e OKB-së thotë se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë./REL

  • Ministria e Financave: Nëse s’keni pranuar e-mail, s’keni nevojë për verifikim për shtesat

    Ministria e Financave: Nëse s’keni pranuar e-mail, s’keni nevojë për verifikim për shtesat

    Ministria e Financave ka dalë me sqarim për kërkesat për verifikime shtesë që u janë dërguar disa prindërve, në programin për shtesat për fëmijët. MF-ja ka bërë të ditur se verifikimi shtesë është bërë për t’u siguruar se prindërit dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Sipas njoftimit, kushdo që s’ka pranuar e-mail, s’ka nevojë për verifikime shtesë.

    Ky proces nisi më 11 shtator. Në emailin që u ishte dërguar disa prindërve u ishte thënë se përkohësisht janë pezulluar pagesat e shtesave për fëmijë, deri kur të paraqesin dokumente për verifikim në Qendrën për Punë Sociale.

    Ministria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.

    Ministria e Financave nuk ka treguar as të martën, në njoftimin në Facebook, se sa prindërve u është dërguar ky email.

    “Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë. Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave e ka publikuar në Facebook.

    Qeveria e Kosovës ndan 20 euro në muaj për fëmijë deri në 16 vjet.

    Në rast se prindi ka 3 fëmijë e më shumë, atëherë pagesa për secilin është nga 30 euro në muaj.

    Sipas Ministrisë së Financave nga kjo skemë përfitojnë 400 mijë fëmijë.

  • Von der Leyen zgjedh sllovenen Marta Kos komisionare të Zgjerimit

    Von der Leyen zgjedh sllovenen Marta Kos komisionare të Zgjerimit

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti të martën përbërjen e re të Komisionit Evropian, e cila do të ketë mandat pesëvjeçar.

    Postin e komisionares për zgjerim, ajo ka vendosur t’ia ndajë kandidates nga Sllovenia, Marta Kos.

    Por, ajo do të emërohet zyrtarisht vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë dhe të Parlamentit Evropian.

    Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj.

    Portofoli i zgjerimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia, janë në proces të zgjerimit.

    Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

    Kandidatura e Kosit ka shkaktuar kundërthënie në Slloveni, pasi opozita nuk dëshiron ta mbështesë e as të caktojë seancë dëgjimore në Komisionin përkatës parlamentar.

    Autoritetet sllovene kanë ndërruar në momentin e fundit kandidatin e tyre, për t’i ndihmuar von der Leyenit të rriste numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta.

    Megjithatë, kërkesa e von der Leyenit u pa nga disa si ndërhyrje në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së.

    Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Sllovenisë, Franc Breznik, i cili vjen nga opozita, ka refuzuar ta vendosë në rend dite konfirmimin e Kosit.

    Për pasojë, von der Leyen nuk ka mundur ta propozonte Komisionin e ri më 10 shtator, kur ka qenë e planifikuar, por e ka shtyrë për 17 shtator.

    Ajo e ka bërë tani këtë propozim, me pritjet që edhe Sllovenia ta përfundojë ndërkohë procedurën e saj.

    Opozita në Slloveni ka akuzuar Kosin se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.

    Kos ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani dhe në Zvicër.

    Më herët ka punuar edhe në Qeverinë e Sllovenisë si drejtore për raportet me mediat.

    Sipas traktateve të BE-së, secili vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisionar. Për rrjedhojë, Komisioni Evropian ka po aq anëtarë sa ka edhe vende anëtare, përkatësisht 27.

    Von der Leyen ka përsëritur disa herë se, gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar, do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së./REL

  • Rënia e flokëve në vjeshtë – Vitaminat dhe mineralet që ju vijnë në ndihmë

    Rënia e flokëve në vjeshtë – Vitaminat dhe mineralet që ju vijnë në ndihmë

    Flokët bien më shumë në vjeshtë dhe kjo është shumë e vërtetë e deri diku normale.

    Megjithatë kjo nuk do të thotë që kjo eksperiencë është e këndshme apo se nuk duhet të bëni asgjë për ta ndalur.

    Vjeshta fillon që me 1 Shtatorin e zgjat deri në 30 Nëntor, e në të gjithë këtë kohë flokët bien me intensitet të lartë.

    Në këta muaj bien 50-70 fije floku çdo ditë si një proces tërësisht fiziologjik.

    Nëse edhe ju jeni në grupin e persona që vuani, sidomos në muajt Tetor dhe Nëntor, ka një zgjidhje.

    Ekspertët të cilëve iu referohet AgroWeb.org në këtë artikull rendisin disa vitamina të cilat ndihmojnë në parandalimin e rënies së flokëve.

    Ndiqni këshillat mëposhtme që të shpëtoni menjëherë nga ky problem.

    Çfarë të bëni
    Siç thamë edhe më lart, flokët në këtë periudhë bien si pasojë e një procesi fiziologjik i cili fillon në vjeshtë dhe rigjenerohet në pranverë.

    Kjo ndodh për shkak të klimës që ndryshon menjëherë.

    Kështu që mund të qetësoheni nëse vini re hollim të flokëve në këtë periudhë.

    Gjithsesi disa masa mund t’i merrni për ta parandaluar këtë proces.

    Nuk ka nevojë të drejtoheni menjëherë tek shampot që parandalojnë rënien e flokëve, kremrat apo maskat e posaçme.

    Mjafton të merrni vitaminat e duhura dhe flokët tuaj do të qëndrojnë të shëndetshëm.

    Për sa i përket ushqimit, gjatë vjeshtës kujdesuni të konsumoni shumë ushqime të pasura me omega 3, bulmet, vezë dhe bishtajorë.

    Gjithashtu në këtë fazë të vitit flokët nuk duhen larë shumë shpesh, por mesatarisht tre herë në javë.

    Edhe pse nuk ishte këshilla e parë, mund të përdorni shampo kundër rënies së flokëve me veprim të butë e delikat mbi flokun.

    Përtej këtyre këshillave ekspertët vënë theksin tek disa vitamina të veçanta për këtë rast.

    Vitaminat dhe mineralet që ju duhen
    Këtë rënie masive të flokëve mund ta parandaloni fare lehtë edhe duke marrë vitaminat e duhura.

    Ekspertët sugjerojnë të përdorni vitaminën B, E, C dhe zinkun.

    Më konkretisht, vitaminat e grupit B janë shumë të rëndësishme për strukturën dhe mbrojtjen e plotë të flokëve.

    Vitamina E është shumë ushqyese dhe plot vlera për flokët, ndërsa vitamina C funksionon si një antioksidant i shkëlqyer i cili forcon rrënjën e flokëve.

    Zinku është një mineral që në bashkëpunim me vitaminën C vepron si një kurë e natyrale, si për lëkurën ashtu dhe për flokët, duke i forcuar ata nga majat tek rrënja.

    Këshillohuni me mjekun tuaj që në këtë periudhë të vitit të konsumoni disa nga këto vitamina e minerale të rëndësishme.

    Në këtë mënyrë do të evitoni shumë probleme me flokët tuaj.

    Gjithashtu kini parasysh të kini një stil jetese të shëndtshëm pa duhan, pije alkolike apo ushqime të dëmshme./AgroWeb.org

  • Lani dhëmbët dhe më pas shpëlani gojën me ujë? Tre dentistë zbulojnë gabimet më të zakonshme që i bëjmë të gjithë

    Lani dhëmbët dhe më pas shpëlani gojën me ujë? Tre dentistë zbulojnë gabimet më të zakonshme që i bëjmë të gjithë

    Pothuajse të gjithë i bëjnë këto gabime, sidomos i dyti!

    A e dini se ka truke të thjeshta që e bëjnë më efikas larjen e dhëmbëve, si dhe gabimet që bëjmë, sepse mendojmë se po i lajmë dhëmbët “si duhet”, por në fakt nuk është kështu?

    Tre dentistë ndanë këshilla shumë të rëndësishme për larjen e dhëmbëve.

    1. Rregulli dy minuta

    Larja e duhur e dhëmbëve duhet të zgjasë të paktën dy minuta, këshillon dentisti Robert Krim.

    “Larja e dhëmbëve për të paktën dy minuta është një mënyrë e mirë për të përmirësuar shëndetin oral të gavrës së gojës. Pasta do të arrijë në çdo sipërfaqe dhe fluori do të ketë një shans për të formuar një shtresë në smaltin e dhëmbëve”, tha ai.

    Dentisti Greg Gelfland pohon gjithashtu se ekziston një mënyrë e duhur për të mbajtur furçën, në mënyrë që të shfrytëzohet plotësisht efekti i saj.

    “Gjithmonë mbajeni furçën në një kënd prej 45 gradë në raport me sipërfaqen e dhëmbëve. Në këtë mënyrë, fijet e furçës arrijnë te mishrat dhe nxjerrin bakteret prej tyre”, tha ai, transmeton Telegrafi.

    2. Mos e shpëlani gojën menjëherë

    Kur i kemi larë dhëmbët siç duhet, ne e dimë se çfarë ndodh më pas – shumica e njerëzve e lëshojnë ujin nga rubineti, e pështyjnë pastën nga goja e tyre dhe më pas e “shpëlajnë” gojën me ujë për të hequr pastën. Por ky është një gabim!

    “Për të maksimizuar përfitimet e fluorit, mos e shpëlani gojën menjëherë pas larjes. Mund ta pështyni shkumën e pastës së dhëmbëve, por përpiquni të mos e shpëlani gojën me ujë as për disa minuta. I këshilloj pacientët që të vonojnë shpëlarjen deri në 30 minuta”, tha Gelfland.

    Është veçanërisht e rëndësishme ta bëni këtë pasi të keni larë dhëmbët në mbrëmje.

    “Meqenëse gjatë natës, kur flemë, trupi prodhon më pak pështymë, dhëmbët tanë janë më pak të mbrojtur nga bakteret që prodhojnë acid. Fluori që arriti të qëndrojë në smaltin e dhëmbëve siguron mbrojtje shtesë për dhëmbët ndërsa ne flemë”, tha dentisti Gelfland.

    3. Përdorni fill dentar – por para larjes!

    Sipas dentistit Seth Horn, njerëzit ndahen në ata që përdorin fillin dentar përpara larjes dhe ata që e përdorin atë pas. Është e saktë të përdorni fill para se të lani dhëmbët, në mënyrë që të pastroni hapësirën midis dhëmbëve. /Telegrafi/

  • Mbi 200 njerëz të vdekur nga përmbytjet në Mianmar

    Mbi 200 njerëz të vdekur nga përmbytjet në Mianmar

    Numri i njerëzve që humbën jetën si pasojë e tajfunit Yagi në Mianmar u rrit në më shumë se 200, tha Qeveria ushtarake e këtij vendi.

    Stuhia përfshiu Vietnamin verior, Laosin, Tajlandën dhe Mianmarin në fillim të shtatorit dhe, deri më tani, shkaktoi vdekjen e më shumë se 500 njerëzve në të gjithë rajonin, sipas shifrave zyrtare.

    Ajo shkaktoi përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu në Mianmar, duke lënë së paku 226 persona të vdekur.

    Po ashtu, shkatërroi qindra mijëra hektarë me të mbjella dhe, për pasojë, OKB-ja tha se më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë nevojë urgjente për ushqime, si dhe për ujë të pijshëm, strehim dhe rroba.

    OKB-ja tha se përmbytjet janë ndër më të këqijat në historinë e vonë të Mianmarit.

    Agjencia e saj për Reagim ndaj Fatkeqësive vlerësoi se rreth 630.000 njerëz janë prekur nga përmbytjet, për shkak të bllokimit të rrugëve, dëmtimit të urave dhe ndërprerjes së linjave të komunikimit.

    Mianmari edhe ashtu është i shkatërruar nga lufta civile, që ka përfshirë këtë vend qysh në vitin 2021, kur ushtria ka marrë pushtetin nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike.

    Që nga ajo kohë, mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, derisa grupe të ndryshme të rezistencës së armatosur luftojnë kundër juntës ushtarake që mban pushtetin./REL

  • ​Dëmtohet një shtëpi në Kodrën e Minatorëve, Krasniqi: Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiqi

    ​Dëmtohet një shtëpi në Kodrën e Minatorëve, Krasniqi: Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiqi

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve.

    Sipas tij zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar.

    “Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, tha Krasniqi.

    Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij e dënon fuqishëm këtë akt dhe sipas tij as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.

    “Kërcënimet, shantazhet, pamfletet terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm. Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar ai.

  • Qeveria heq dorë nga premtimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Qeveria heq dorë nga premtimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    PËRGATITI: ARTON HAMITI    

    Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga premtimi i saj për shërbim të detyrueshëm ushtarak, konfirmoi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili mes tjerash foli për konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse duke e konsideruar si ide të përafërt.

    “Ushtria e detyrueshme ka qenë një ide e prezantuar në vitin 2019 ndërkohë tash jemi në vitin 2024 dhe gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur shumë gjera si lufta në Ukrainë. Shërbimi i detyrueshëm do na jepte vetëm një gjeneratë të stërvitur ndërkohë mbrojtja gjithëpërfshirëse ju jep mundësi të gjithë qytetarëve pa ndikuar në veprimtarinë e tyre të përditshme”, deklaroi ministri Maqedonci.

    Pavarësisht zhvillimeve që ndodhen gjatë periudhës 5 vjeçare, Gjenerali në pension Kadri Kastrati, nuk ka besuar asnjëherë që shërbimi i detyrueshëm ushtarak mund të realizohet.

    “Unë e kam thënë qysh kur e kam dëgjuar si premtim të qeverisë Kurti se kjo është veç marketing politik. Është një ëndërr e bukur por realizimi nuk shihet as në horizont”, tha Kastrati.

    Sipas Kastratit, Kosova nuk i ka as elementet bazë që t’ua mundësojë të rinjëve shërbimin ushtarak.

    “Nuk ka infrastrukturë, nuk ka logjistikë dhe më kryesorja nuk ka ekonomi të qëndrueshme. Rreth 20 mijë persona çdo vit i bëjnë 18 vjet që shtetit për t’i pajisur me gjera elementare i kushton diku rreth 300 milionë euro.”, shtoi tutje ai.

    Teksa ekzekutivi kosovar hoqi dorë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.

    “Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë.”, ka thënë Vuçiqi.

    Në rast se marrëveshja kalon në Kuvend të Serbisë, sipas kryeministrit serb, shërbimi ushtarak do të fillojë në vitin 2025.

    Me një kohëzgjatje prej dymuajsh, nga 1 janari i viti të ardhshëm, shërbimi ushtarak do të rikthehet edhe në Kroaci.

    Mbrojtja gjithëpërshirëve, e prezantuar nga Qeveria e Kosovës është në fazën fillestare të përpilimit të dokumentave dhe planeve të zbatimit dhe do të përfshijë trajnimin e organizatave publike për shkathtësi të mbrojtjes kolektive dhe trajnimin e vullnetarëve.

     Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë bërë rishikim të buxhetit të këtij viti, ekspertë të kësaj fushe thonë se kjo praktik nuk duhet ndjekur

    Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë bërë rishikim të buxhetit të këtij viti, ekspertë të kësaj fushe thonë se kjo praktik nuk duhet ndjekur

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI  

    31 tetori është afati ligjor për miratimin e buxheti tëviti 2025, Qeveria as që u morë me rishikimi e buxhetitë vitit 2024 që u miratua në nëntor të viti të kaluar.

    Mos rishikimi i buxhetit që zakonisht bëhet të paktën në mes të vitit, po vlerësohet se është bërë qëllimishtnga ana e Qeverisë në mënyrë që ato para të përdorin për qëllime elektorale.

    Kritika për mos rishikimi të buxhetit ka edhe ish-ministri i financave Haki Shatri i cili thotë se ka mijëra euro që mund të ju ndërroj destinimi.

    Shatri shton se kjo praktik nuk duhet ndjekur, meqëplanifikimet e buxhetit jo gjithmonë janë të orientuaranë projekte e duhura.

    Buxheti për vitin 2024 ishte 3,3 milionë euro. Shumica e projekteve kapitale, sidomos ato infrastrukturore, sportive dhe arsimore, nuk janë realizuar.

     Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: